Në ditët tona nuk ekziston ndonjë dallim tepër i rëndësishëm mes vargut e prozës, apo mes poezisë dhe prozës, por poiêsis (gr.) dhepoesis (lat.) do të thotë krijim, ndërsa poîema (gr.) dhe poema (lat.) do të thotë vepër në vargje. Aristoteli tek “Poetika”, thotë se me poiêsismund të jepen të gjitha bukuritë e universit. Emocionet e fuqishme nga poiêsis (poezia, poetika) lindin. Pra, ndarja klasike varg, prozë shfaqet që në antikitet. Megjithë këtë për modernistët ekziston një tjetër ndarje që është: ligjërim i zakonshëm dhe poezi. Në poezi përfshihen edhe vargu edhe proza. Çelësi ironik i Roland Barthes-it është: Poezi=prozë+a+b+c+…
Moderniteti poetik nisi në vitet simboliste në Francë. Simbolizmi është një lëvizje letrare dhe artistike e gjysmës së dytë të shekullit XIX. Në pikëpamje letrare ai qe në mospajtim kryesisht me natyralizmin dhe poezinë parnasiane.1Manifesti i simbolizmit që botoi më 1886 në Figaro Jean Moreas-i, i kërkonte poetit të mos pasqyronte dukjen, por brendësinë, ndjesinë shpirtërore, realitetin transhendental. Poema duhet të ketë kuptime të shumëfishta me të vërtetat e pashprehura gjermë tani, thotë ai. Dhe vazhdon se poeti, sidoqoftë, për ta shprehur në mënyrë harmonike ndjesinë dhe idenë që e shoqëron atë, duhet të rivalizojë me muzikën. Simbolistë ishin Kahn, Henri de Régnier, Emile Verhaeren, Gauthier, Banville, Rodenbach, Meterlinck, Dujardin, Bruges, Schwab, por protagonistët kryesorë të tij mbetën: Charles Baudelaire, Arthur Rimbaud, Paul Verlaine, Lautréamont, Mallarmé si dhe disa personazhe me rëndësi të veçantë si Tristan Corbière, Jules Laforgue dhe Gérard de Nerval. Simbolizmi ndikoi thellë edhe në disa vepra të shkrimtarëve Oscar Wilde, Paul Claudel dhe Paul Valéry.
Një histori e shkurtër e vargut të lirë. Në shkrimet teorike të Malarmesë flitet për një krizë të vargut. Ai nuk krijohet më si një e tërë me dy heksametra, por pritet atje ku dëshiron autori. Artur Rembo thotë se aleksandrini nuk është më forma e vargut që vlen për të shkruar poema. Vargu duhet të jetë “me një liri të lirë” (d’une liberté libre), shprehet ai.
Në këto vite vargu poetik kalon nëpër disa faza, deri në zhdukjen e numrit “të zyrtarizuar” të “këmbëve” (rrokjeve poetike), siç do të shkruante Malarmeja. Kuptohet që nuk ishte e lehtë të ndaheshe nga një traditë e gjatë, e ngulitur, dhe, fillimisht përpjekja për mos ta patur më si model aleksandrinin, u përkufizua negativisht si lojë fjalësh për të shpikur muzikën e brendshme. Tani vargu nuk i bindej më koracës së vjetër. Krahas vargut të lirë u eksperimentua edhe poezia në prozë apo proza poetike. Midis vargut të lirë, poemës në prozë dhe prozës poetike do të mbeten përherë lidhje të fshehta për t’u analizuar në të ardhmen. Poema në prozë dhe proza poetike kanë tejdukshmëri. Ato shpesh herë i përgjigjen më mirë realitetit, e shprehin më hapur të vërtetën e botës moderne dhe tregojnë se “kulla e filldishtë” ka mbetur vetëm si relike, duke u braktisur së bashku me teorinë e saj “të artit për art”. Në të vërtetë braktisja e kullës së fildishtë ishte një mospërfillje për poeticitetin e jashtëm e të ngrirë, ndaj një poeticiteti të brendshëm të një realiteti me prozaizëm pikëllues. Në fakt ky është objekti më i rëndësishëm i poezisë moderne.
Vite më vonë, Apollinaire-i i çliruar nga të gjitha kufizimet metrike dhe tematike do të shkruante:Falmëni mosdijen / Falmëni që s’e njoh më zjarrin e moçëm të vargut / Nuk di asgjë, vetëm dashuroj / Lulet në sytë e mi shndërrohen në flakë (Fejesa).
Vargu i lirë dhe poema në prozë pranojnë një varg “të rrënuar”, pra të zhveshur nga stolitë tradicionale. Ai do të shndërrohet në një ligjërim magjik të poetëve të mëdhenj të fundshekullit XIX e të shekullit XX: Whitman. Mickiewicz, Cavafis, Frost, Neruda, Ricos, Elitis, Eluard, Ahmatova, Borges, Paz, Brodskij e të tjerë.
Modernistët: Stéphane Mallarmé (1842-1898). Malarme ishte një teoricien i shquar i vargut të lirë që nuk e përdori kurrë atë. Edhe kur e përdor fjalën prozë si titull të parë të poemës “Për Eseintët”, ai shkruan me varg të matur: Oh! Ta dish o shpirt i trazuar / Në çastet që ne heshtja na mbulon / Degë e zambakut është shumëfishuar / Dhe prej arsyes sonë lulëzon. Për sonetet e tij të bukura, ai u quajt “muziktar i heshtjes”. Claude Debussy i bëri një ilustrim tingëllor, të mahnitshëm poemës së tij “Pasditja e një fauni”, në të cilën fauni në eglogë pyet: “A mos kam dashuruar një ëndërr?”Pyetja është dyshimi për kohën e re që ka hyrë në poezi, është dyshim ekzistencial i njeriut modern.
Në librin poetik “Një hedhje zari”, ai shpiku poemën tipografike ose ligjërimin e hapësirës. “Fjala e fundit e letërsisë është të krijojë një ligjërim, brenda një tjetër ligjërimi”, thotë Malarme. Në fakt, në tërë veprimtarinë e tij zyrtare e monotone si kuadër i arsimit e më pas si mësues anglishteje në provincë, gjersa erdhi përfundimisht në Paris, ai ia kushtoi jetën, siç thotë “të vetmes detyrë shpirtërore”, të përpunonte “Librin” që i jepte shpjegim orfik Tokës. Duke u marrë që herët me leximin e parnasianëve e pastaj të Bodlerit e të Edgar Poe-s (për Edgar Poe-n, ai shkroi vargun e famshëm: I tillë që vetë përjetësia e ndryshon, në sonetin “Varri i Edgar Poes”), që më 1862 Malarme shpallte mbëhinë e një vepre me kërkesa tepër të larta artistike.
Pavarësisht se në poemat e para “poeti i brengosur nga jeta që vyshket” endet nëpër temat bodleriane për të zbuluar kufijtë e mosqenies, ai e përshkruan në mënyrë filozofike: universin që plagos dhe që njëherësh josh; vështirësinë e të jetuarit; fëmijërinë nostalgjike; kohën e hershme që shtrihet përtej fëmijërisë, gjer te Dikuri i mbështjellë me terr absolut; zbrazëtinë e botës që ka ngrirë në Idenë e Kulluar: Jam i trishtuar, medet! dhe i kam lexuar tërë librat / Të arratisem larg? E shoh se edhe zogjtë janë dehur (Fllad deti).
Pas një periudhe dyshimi që e shtyti të shkruajë më 1868: Unë kam vdekur dhe jam ringjallur,Malarme tani e tutje do ta krijojë veprën e vet si një përvojë metafizike: Dashurohemi po të duash / Me buzët e tua pa folur/ Trëndafilisht të ma thuash / Heshtjen e zezë të lodhur (pa titull).
Duke përdorur sonetin në një sintaksë eliptike, me gjakim për të mbërthyer “fjalë totale” të reja, të huaja për gjuhën “namatisëse”, fjalë me gjerësi burimore, që për nga tingëllimi mëtojnë të hahen me muzikën (ai në këtë kohë kishte zbuluar Wagner-in), Malarme e kthen gjuhën në instrument të betejës së tij me fjalën: Vdes dhe dashuroj: vështroj një engjëll kur shihem!/-Sikur qelqi të jetë art dhe mistikë-/Duke mbajtur ëndrrën si diademë rilindem,/ Në një qiell të moçëm ku lulojnë Bukuritë! (Dritaret).
Kur shpjegon krizën e vargëzimit, ai rrëfen historinë e përjetimit të parë metrik që e shndërruan Malarmenë në një arkitekt virtual të vargut të lirë. Ai argumenton qartë thelbin e asaj poetike që e bën subjektin të ndjeshëm e që ia nënshtron vargun formës së ligjërimit. Problemin e frymëzimit e trajton edhe Nietzsche. Në krijim, thotë ai, Maska bëhet Dukje dhe në një përmbysje të plotë,Dukja kthehet në Realitet. Poeti gjeni, sipas tij, mishëron këtë lloj krijimi. Vjen një çast, kur poema është gati të dalë në dritë. Kjo ndodh kur Maska dioniziake përputhet me Dukjen apoliniane për të sjellë Realitetin poetik. Çdo gjë që është e thellë, shton ai, e pëlqen Maskën. Malarme shkruan se poema është një subjekt i folur dhe se vepra e pastër parashtron tërheqjen mënjanë të autorit. Kësaj teme do t’i kthehen më vonë Luis Borges dhe Maurice Blanchot.
I përfshirë papritmas në librin “Poetë të mallkuar” (1884) të Verlenit dhe fill më pas në librin “Së prapthi” të Huysmans-it, Malarme u bë udhëheqës i gjeneratës simboliste që mblidhej tek ai në rrugën e Romës në Paris.
Charles Baudelaire (1821-1867). Bodleri ripagëzoi skenën natore të realitetit, duke projektuar vetveten me një anti. Gjesti i tij kundër është vetëshkatërrues. Në veprën e tij pyetet vazhdimisht për arsyen e të ekzistuarit në këtë botë të rrënuar, ku rënia e njeriut është edhe më e rëndë se te mëkati zanafillor. Poeti i sheh njerëzit të dërrmuar nga kimera e vet, në një proces shfytyrimi fatal e të pashmangshëm. Kimerën Bodleri e përdor për të ironizuar postulatet, kurse tek Malarmeja dhe Verleni ajo shërben për të vënë në lojë poetikën e thatë.
Që fëmijë, i mbyllur në një kolegj, Bodleri pati ndjesinë e një fati përjetësisht vetmitar. Pasi mbaroi liceun, udhëtoi për dhjetë muaj rresht dhe u kthye prej andej me nostalgjinë ekzotike. Ai u revoltua me familjen e vet borgjeze që filloi të skandalizohej ndaj jetës së tij prej bohemi dhe që në atë kohë nis edhe një lloj përçmimi i tij për botën bashkëkohore.
Poemat e para që botoi më 1847, Bodleri i kishte shkruar më herët, por jetën si krijues ai e nisi me kritika artistike. I kësaj kohe është përkthimi i poezisë “Korbi” të E.A. Poe-s që e entuziazmoi shumë, sepse ndjeu një afërsi të çuditshme krijuese me të. Sipas Bodlerit shpirtrat e shenjtë janë të dënuar të ecin drejt vdekjes dhe lavdisë duke lënë pas rrënojat e tyre. Kjo ide duket edhe në poemat që shprehin mospëlqim për objektivizmin e ftohtë parnasian.
Viti 1848 Bodlerin e gjen në mes të barrikadave të revolucionit që pas grushtit të shtetit më 1851, i braktis ato i zhgënjyer. Tani në poemat e tij konceptet kohë dhe hapësirë lidhen drejtpërdrejt me ekzistencën, ndërsa fjala angleze spleen që përkthen përafërsisht fjalën frënge brengë, do të shfaqet shpesh e më shpesh edhe si term i parapëlqyer i simbolistëve. Ajo do të shprehë hapur dëshpërimin e thellë si pasqyrë e modernitetit.
Megjithëse i lajmëruar më parë te një botues gazete, libri “Lulet e së keqes” (1857), shkaktoi befasim poetik dhe tronditje të thellë të moralit borgjez parizian. Ai u shoqërua edhe me një proces të famshëm gjyqësor. Arkitektura e fshehtë me gjashtë pjesë që ndjekin në libër njëra-tjetrën, është një përjetim simbolik i orvatjeve të njeriut për t’i shpëtuar mjerimit dhe për t’u rilindur edhe një herë. Por shpirti luhatet midis ligështimit dhe lartësimit e në këtë luhatje ai e ndjen veten të huaj midis njerëzve (Albatrosi). Këtij ekzili i shtohet edhe mendimi i ngulët për ikjen e kohës. Megjithatë, sipas Bodlerit, te njeriu ende mbijeton vetëdija e një parajse të humbur, që shpjegon etjen e dhimbshme për dëlirësi dhe për të Bukurën, sidomos për artin (Himn Bukurisë). Ligjin e analogjive shpirt-natyrë që bën t’i konsiderojmë Tokën dhe pamjet e saj si shëmbëllim, si korrespondencë qiellore të përjetësisë, e ilustrojnë poemat Tablo pariziane. Bodleri thotë se në disa gjendje shpirtërore, pothuaj mbinatyrore, thellësia e jetës zbulohet e tëra në spektaklin që e kemi para syve, sado i zakonshëm qoftë ai. Në sajë të magjisë sugjestive, përmes një ligjërimi simbolik dhe alegorik, heroi i poemave të tij vihet në kërkim të ndryshimit që sjell kënaqësia. Por pas endjes gjithherë vjen keqardhja, çmagjepsja dhe dëshira e asgjësimit me vdekje. Kjo ndodh veçanërisht prej dashurisë zhgënjyese që e gërryen pak nga pak shpirtin e braktisur. Tek dashuria Bolderi sheh edhe një formë të arratisjes, të shpëtimit nga bota.
Libri “Lulet e së keqes” e ka simbolikën që në titull. Bodleri thotë se kishte vënë aty gjithë mendimin, gjithë zemrën, gjithë besimin dhe gjithë urrejtjen. Tematika estetike dhe mistike me frymëzimin, ngjitjen dhe rënien është kudo e pranishme. Poeti përpiqet që në jetën e përditshme të gjejë shenjat e dukshme të një bote sa më të hershme aq edhe ideale, të panjollosur me fatalitetin e mëkatit dhe vuajtjes: Ti je një qiell i bukur vjeshte, i kthjellët e i trëndafiltë / E megjithatë trishtimi te unë ngjitet si batica (Bisedë); E dua në sytë e tu dritën e blertë / por sot në mua gjithçka është helm (Këngë vjeshte), “Dua të të rrëfej o magjistarja ime e ëmbël” (Brengë).2
Vepra e tij ashtu si dashuria i bindet një postulati engjëllor dhe satanik, ku imazhet dhe simbolet përtërihen nga një rrjetë e hollë shoqërizimesh mistike. “Zemra ime është lakuriq”, thotë ai, dhe shtron problemin e lidhjes së autorit me tjetrin, me lexuesin, me bashkautorin e padukshëm. Në shërbim të artit të tij madhështor Bodleri vë magjinë sugjestive të një ligjërimi e të një metrike të përpiktë: Ç’do të thuash sonte, o shpirt i gjorë, vetmitar / ç’do të thuash ti zemra ime që herët e venitur. (Semper eadem). Ai e urren të folurën borgjeze. Madje lirizmi i tij është një lloj imazhërie, një ndërmarrje joshëse. Tagora thoshte se çdo poemë lirike është një dhuratë, si një objekt dashurie. Tek poema “Moesta dhe errabunda” ai shkruan: Sa larg që je parajsë e erëtisur / Nën qiejt e kaltër gjithçka është dashuri e shend. Por vargje të tillë janë të rrallë te Bodleri. Ai e sheh botën të çpoetizuar dhe thërret qetësisht: “O vdekje, kapiten i moçëm / është koha ankorën ta ngremë (Udhëtim); Unë jam një varrezë e urryer nga hëna (Brengë); Parisi i lashtë s’është më, / forma e një qyteti ndryshon më shpejt / se zemra e një të vdekuri (Mjellma); Një vetëtimë, pastaj terri / U arratise bukuri / Më nuk do të shoh, mbase në përjetësi (Për një kalimtare).
Sipas Bodlerit është vetëdije politike të mos ushqehesh me iluzione. Ai flet për shtriga, për djaj, për luçiferr, për kufoma. Madje një poeme ai i ve titullin “Kërma” e që ngjalli në atë kohë mjaft diskutime.
Poetika e Bodlerit është poetikë e dhimbjes. Ai krijon i pari figurën e poetit tokësor që përjeton vuajtjen e qenieve fatkeqe të kësaj bote: Dy luftëtarët vrapuan drejt njëri-tjetrit / E spërkatën ajrin armët e tyre me dritë dhe gjak. (Duellum) dhe shprehu konfliktin e njeriut modern të shqyer nga antagonizmi i trupit dhe shpirtit. Një nga të dashurat e tij ai e quan “Venus i zi” me “bukuri të kobshme”. Në traditën lirike, poeti këndon dhe vendoset në qendër të botës, tani ai kalon pa rënë në sy. Sepse poezia moderne është sans papiers, (pa dokumente). Albatrosi i tij është poeti i zhveshur nga poeticiteti. Kurse V. Hugo-i e quan atë princ ëndërrues, të shenjtë, profet.
Pas procesit të famshëm gjyqësor, që dënoi disa poema dhe e ndaloi librin “Lulet e së keqes”, Bodleri nuk di të shkruajë më. Ai përfundon afazik.3 Duke përmbledhur disa artikuj që kishte shkruar që më 1845, 46 dhe 49 për revistën “Sallon”, ai boton më 1859 librin “Kuriozitete estetike”, ku ndër të tjera përshëndet pikturën e Delacroix-së dhe flet për gjeninë muzikore të R. Wagner-it. Më 1860 ai shkruan librin me elemente biografikë “Parajsat artificiale”, i frymëzuar nga “Rrëfimet e një opiumomani”, të Th. De Quincey-t. Ndërkohë vazhdon të përkthejë Poe-n.
Por brenga e thellë ka ardhur duke u shtuar dhe e shtyn poetin të kërkojë arratisje, duke iu dhënë drogës dhe dashurive mistike. I lodhur nga pikëllimi dhe nga mendimi i ngulët për pleqërinë dhe vdekjen që ia shton sëmundja, në pranverë 1867 ai shkon në Belgjikë. Atje goditet nga një paralizë e rëndë dhe Bodleri vdes në Paris, pas disa muajsh në moshën 46 vjeçare.
Në atë kohë “Lulet e së keqes” kishte njohur edhe dy botime të tjera dhe do të njohë edhe një botim të tretë e të plotë më 1869, postum.
Mes dorëshkrimeve që iu gjetën poetit pas vdekjes, ishte edhe libri “Poema të vogla në prozë, apo “Spleen de Paris” (Brenga e Parisit) 1869. Libri është një nga përpjekjet më origjinale për të shkruar një prozë poetike muzikore, pa ritme dhe rimë, sipas lëvizjeve lirike të shpirtit. Te poemat në prozë kemi gjestin poetik, ashtu siç ishte parë dikur edhe gjesti prozaik tek soneti. Ky ishte veprimi më i çuditshëm alegorik i Bodlerit.
Në këtë libër me një humor tragjik ai ngrihet kundër vetes, është edhe xhelati edhe viktima, siç do ta parafrazonte si shembull Mishima në një intervistë të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Parodizmi i hapur i poetit duket tek poema në prozë “Xhampunuesi i keq”. Aty Bodleri përqas fjalët: ver: “verre” (xham) dhe ver: “vers” (varg), duke luajtur me tingëllimin e njëllojtë të tyre. Dritarja aty shërben si ekran i projektimeve ku imazhet shihen të mjegullta.
Proza poetike e tij vë në veprim ligjërimin e përditshëm. Në të shquhet tematika e turmës, e qytetit, e të marrëve, e të pambrojturve dhe Bodleri na jep kështu çelësat për të hyrë më natyrshëm në jetën moderne. Poemat e tij në prozë krijojnë një unitet të brendshëm tematik dhe me një ritmikë të hollë parashtrojnë idenë universale se jeta jonë kalon nga mosqenia në mosqenie.
Bodleri është personazh emblematik i modernitetit. I vetmuar, por solidar me njerëzit që i fton nëpërmjet asaj që shkruan, të ndiejnë trishtimet, por edhe të shohin bukuritë, ai mbetet një nga poetët e mëdhenj simbolistë dhe ndër themeluesit kryesorë të modernitetit: Rinia ime qe një stuhi e errët / E përshkuar aty-këtu nga diej të ndritshëm. (Armiku).
Arthur Rimbaud (1854-1891). Malarmeja e ka quajtur Artur Rembonë një aventurë lirike. Vepra e tij poetike i ka të gjitha. E vërteta e kohës tek ai bëhet e vërteta e krijuesit. Rembo shkruan për t’u çliruar nga frymëzimi. Vepra e tij është një nisje me shumë stacione, që përmbledh në vetvete tërë evolucionin e viteve simboliste. Më 1869 ai i pati shkruar Th. Banville-it shprehjen e çuditshme: “Do të jem parnasian”. Dhe vërtet poezitë e tij të para janë me varg të matur e të studjuar mirë: Në muzgjet verore, shtegut do të arratisem / i cuksur nga gruri, do të shkel mbi barin e njomë / Ëndërrues do të flladitem e erëtisem / Mbi fytyrë do ta lë erën të vallëzojë(Ndjesi); Mbi valën e kaltër e të zezë yjet flenë / E zbehta Ofeli pluskon, zambak i bardhë (Ofelia). Simbolistët do t’u qortojnë parnasianëve karakterin sipërfaqësor të kumtit. Shkolla parnasiane në përgjithësi mbahet si teori e “artit për art”. Por kapiteni Rembo, pa humbur kohë i lë prapa parnasianët dhe e nis “anijen e dehur” që të eksplorojë e të zbulojë shtigje të reja poetike. Vargjet aty ngjajnë si uji i rrëmbyeshëm që vjen nga malet. E botuar më 1871 “Anija e dehur” është prelud i modernitetit dhe paraqitet si një alegori e shkëlqyer e aspiratave të poetit të ri në udhëtim drejt agimeve të pikëlluara: Që nga ai çast jam zhytur te Poema / E detit, i larë me yj qumështorë / Duke lundruar gëlltis qiej të blertë / Si një i mbytur që ende mediton (Anija e dehur).
Ai deklaron: “Unë jam anije e dehur” dhe lëshohet në ndjekje të metrave të panjohur, të vargjeve popullore, ngjall forma të harruara. Me Verlenin shpik më 1872 një varg të ri. Shkruan sonete të përmbysura, romanca dhe arrin te proza poetike. Ai flet për një nostalgji të një gojëtarie poetike të vdekur, për zërin e nënës që përzihet me zërin e botës, për dashurinë e lirë që shkrihet me fantazmagorinë poetike dhe kalon nga poezia objektive në atë subjektive: A e zezë, E e bardhë, I e kuqe, U e verdhë, O blu : zanore / Një ditë do të rrëfej lindjen tuaj të fshehtë (Zanore).
Megjithëse doli para lexuesit në moshën 15 vjeçare (më 1870 ai e pati botuar librin e parë “Për muzikën”), Artur Rembo nuk është pararendës. Poemat e tij dëshmojnë se ai i ka njohur format e mëparshme poetike dhe pohon se do ta jetojë më mirë se Bodleri përvojën “prometeiane” si “rrëmbyes zjarri”. Kur shkruan, ai thotë se “nuk është më vetvetja”. Kjo ka si përgjigje “çrregullimin e të gjitha kuptimeve”. Edhe Fernando Pesoa do të thoshte se kur shkruan një poemë dhe e firmos në fund, çdo herë e ndjen se është ndryshe. Shkrimtari i vërtetë zbulon brenda vetes shumë individë.
I tronditur nga shpallja e luftës me Prusinë dhe nga dështimi i Komunës, Rembo provon disa herë të arratiset nga Parisi. Por arratisja e tij e vërtetë është arratisja brenda krijimit. Sidoqë në fillimet e tij poetike ndjehet ndonjë ndikim i jashtëm nga poezia e Verlenit apo edhe admirim për Hugo-in, retorika e tij e re shenjohet hapur me përpjekjen për një revolucion metrik. Brenda vargut të matur ai shprehet kundër vargut të matur. Poema e tij “Kujtesë” është një “katastrofë” e vërtetë metrike. Lexuesi e kupton se nuk është më përballë një kënge melodioze, por përballë me një goditje. Rregullat aty s’vlejnë më. Moderniteti poetik me forcën e tij s’ka të bëjë me poetikën si muzikë dhome të parnasianëve.
Në të vërtetë Rembo është pasqyra më e kthjellët e evolucionit poetik në vitet simboliste. Krijimtaria e tij përmblidhet në tri faza: 1. Kriza e vargut; 2. Stili barok dhe 3. Revolucioni i brendshëm. Në tekstet palimpsest lëvizja e përgjithshme ndihet si një lloj shkrimi, ku poezia i kalon kufijtë poetikë, bëhet kaos dhe proza bëhet urtësi. Rembo fut vargje në prozë dhe rreshta në poemë. Në këtë krizë poema bëhet prozaike dhe proza bëhet poetike si tek Bodleri. “E dua shkretëtirën, blerimin e djegur” do të shkruajë ai.
Vjen një moment kur ai e braktis formalisht vargun me librin. “Ndriçime” (Illuminations) që e kompozon më 1874. Megjithëse titulli dëshmon dritë, prozat poetike të këtij libri janë të errëta, plot mistere. Edhe sot e kësaj ditë pikëpyetjet mbeten pa përgjigje. Ndryshe nga “Një stinë në ferr” që u krijua thuajse me një frymë, gjatë një krize shpirtërore, pas prishjes dramatike me Verlenin më 1873, dhe që shërben si autobiografi poetike, libri “Ndriçime” u formësua në disa vite. Kritika franceze është përpjekur të shohë te ky titull një kuptim fetar apo një frymëzim të papritur. Gjithë-gjithë të dyzet e dy poemat në prozë që janë si vegime të skicuara, shprehin aspekte të poetikës së Rembosë në një seri temash të pëlqyera prej tij si: largpamësia, sensualiteti, besimi, politika, fëmijëria, të endurit, spektaklet e natyrës, mitologjia, dehja.. Që më 1870 tek “Alkimia e fjalës” ai dëshmon për një hershmëri poetike marramendëse, e cila do të shpërfaqë ligjërimin universal poetik “nga shpirti për shpirtin” (de l’âme peur l’âme). Lidhja midis poemave të tij e sidomos mes “Një stinë në ferr” dhe “Ndriçime” është e madhe, sepse që te “Një stinë në ferr” ai shkruan: Po, i kisha sytë të verbuar nga drita jote. Kjo lidhje tregon se krijimtaria e tij është një revolucion i vazhdueshëm
Poemat në prozë nëpërmjet një mistike të njohur tashmë në krijimet e tij poetike të mëparshme, bartin fragmente të jetës si copëra të mëdha pasqyrash të thyera. Çdo poemë, qoftë ajo e shkruar me varg, qoftë e shkruar në rreshta “si shpërthim i çmendur”, përkthen vizionin për botën dhe forcën e tij të thellë krijuese.
Poetika e Rembosë është vendi i një larmie formale, i një lufte të pafund me fjalët. Ajo është poetikë e moderniteitit. Tek poemat e tij në prozë kemi kaos të perceptimit (sa mendon se ke të bësh me një tablo pikture); kaos të formës (ndonjëra mund të lexohet si sonet në prozë); çrregullim të kuptimit (simbolika e tyre është e shumëfishtë: rënia, ngjitja, bota pa zota etj.)
Tek poema në prozë “Mistikë” që në titull lajmërohet hapja drejt një bote tjetër: Butësia e çelur yjore dhe e çdo gjëje tjetër mbi lirishtë që zbret mbi fytyrat tona si një shportë, e bën greminën të lulëzuar dhe krejt të kaltër dheun. Optika poetike në këtë poemë në prozë është e përmbysur. Madje edhe engjëlli bie, në një kohë që ai duhet të ngjitet. Zbritja e shportës të kujton zbritjen e Jeruzalemit Qiellor te “Apokalipsi” i Shën Gjonit.
Një poeme tjetër në prozë “Agim” rimat e brendshme zanore i japin një muzikalitet të çuditshëm: E putha agun e verës. /Asgjë nuk pipëtinte. Uji ishte i vdekur. Unë ecja, ecja dhe zgjoja frymët e gjalla, dhe gurët e çmuar vështronin dhe flatrat u ngritën pa zhurmë (Agim).
Referencat në prozat e tij poetike janë të qarta e të thjeshta: Delyzhi apo Përmbytja e madhe, Parajsa, Nisja, Mbretërimi, Mëngjeset e bukura, Qytetet, Lulet, Netët, Ankthi, Lëvizja, Fëmijëria me agime të përgjumura, me përalla për të Bukurën e Dheut etj. Është vërtetuar se ndër poemat më të bukura të Rembosë janë ato sipas vegimeve. Poeticiteti tek ai e shmang narrativitetin.
Te krijimtaria e Rembosë shfaqet thelbi i mosqenies si element transfiguracioni. Jean Pierre Richard, vë në dukje se ëndrra tek Rembo, ashtu siç ndodhte edhe me Nervalin, vjen nga jashtë, në gjendje zgjuar. Poemat e tij përshkruajnë lëvizjen e tmerrshme të kohës në kohësi, duke ndriçuar një të vërtetë që shkon përtej së vërtetës: Ç’të kuptosh nga fjala ime / Që arratiset, fluturon (O stinë, o kështjella). Retorika e tij është një gjuhë e zgjedhur për t’i bërë ballë errësirës. Zanoret e tij të ngjyrshme janë fantazma e atij ligjërimi të ri, me të cilin Rembo shpreson se ka gjetur të vërtetën poetike. Ai i përdori të gjitha llojet e vargut, imazhet mitologjike, pastishin, sonetet e përmbysura, deri sa shfaqet tek ai “katastrofa metrike” që e përmendëm, siç e emërton Jean Nicolas Illuz momentin kur ai e zhduk vargun. Rembo pohon se veçoritë e krijimtarisë poetike janë befasia dhe mençuria. Te një poemë e tij që pati ruajtur Verleni, në pak vargje evokohet dielli eskatologjik, domethënë frymëzimi si dehje poetike. Nietzcshe thotë se të gjitha dehjet e trupit janë dehje të krijimit të botës dhe artisti bëhet vendi ku ngjizen ndjesitë e krijimit dhe zbrazëtisë.
Kur e quan aventurë lirike, Malarme shton se ai u shfaq në poezi si meteor. Për një kohë të shkurtër Rembo i kapërcen kufijtë e realitetit krijues. Je est un autre, Uni është një tjetër, i tij e kapërcen vetëdijen individuale dhe bashkon unin e thellë me unitetin kozmik. Nëpërmjet alkimisë së vargut, siç shprehet vetë, ai synon të mbërrijë një pushtet të mbinatyrshëm.
Ai që pati deklaruar më 1874: Unë tani di si ta përshëndes të bukurën dhe Kam ndërur telat nga kambanarja në kambanare; vargje girlandash nga dritarja në dritare; zinxhirë të florinjtë nga ylli në yll e vallëzoj”, e hedh poshtë poezinë dhe e shpall hapur paaftësinë e saj për të ndryshuar botën. Kur i thotë lamtumirë poezisë, Rembo i thotë njëkohësisht lamtumirë edhe jetës. Ai hesht për tetëmbëdhjetë vjet rresht dhe përfundon trafikant armësh në Abisini. Më 1891, Rembo vdes në një spital të Marsejës, pasi i presin njerën këmbë me kancer në gju. Ishte vetëm 37 vjeç.
E përmbyllur me një heshtje të gjatë e që ngjalli shumë interpretime: si një përvojë meteorike për të shpikur dashurinë (Delir I) dhe si një luftë e fuqishme shpirtërore për një vetëdije “absolutisht moderne” (Delir II), vepra e shkurtër e Rembosë e mbolli simbolizmin para se ai të përshëndetej nga syrrealistët si rrymë letrare, si pararendëse e revolucionit të tyre të përhershëm të mendjes. Rembo quhet i paklasifikueshëm, një rast i veçantë që përbën një identitet të fortë letrar, me një historicitet poetik të patjetërsueshëm. Çdo krijim i tij është një moment poetik që na bën të përshkojmë një gamë të gjerë vargjesh. Megjithëse e mitizuar (Le mythe Rimbaud, R. Etiemble, 1957), vepra e tij mbetet një nga burimet kryesore të lëvizjes poetike moderne.
Paul Verlaine (1844-1896). Verleni mbetet gjer në vdekje besnik i vargut. Në tematikën poetike ai sjell me guximin e një talenti të madh një fushë gjërash të vagullta, të panjohura gjer atëherë. Gjeni tepër individual, vepra e tij nuk lë vend për ndikime poetike. Krizat e ëndjes ai i këmben me ëndrrat nostalgjike të dëlirësisë, rënkimet dashurore me ekstazën mistike krijuese. Vargjet e tij formojnë një këngë intime dhe përftojnë një pushtet muzikor të pakrahasueshëm: Dritë e qetë hëne, e trishtë dhe e bukur / Që i bën ëndërrues zogjtë nëpër pemë (Dritë hëne). Zogu në traditën popullore është një qenie e nginjur me poezi dhe futja e tij në poemë është “simbolike. Keats madje ka shkruar një ode të gjatë e dramatike titulluar “Ode për një bilbil”, ku bilbili është simbol i artit, fitimtar mbi vdekjen.
I lidhur që herët me poezinë, Verleni mori pjesë në lëvizjen letrare, të kohës dhe bashkëpunoi me “Parnasi bashkëkohor”. Libri i parë poetik “Poema saturniane” më 1866, kur ishte 22 vjeç, sidoqë e tregon të ndjeshëm ndaj parnasianëve, e karakterizon atë si poet me frymë të re që i përshkruan në mënyrë origjinale dashuritë fatkeqe dhe pështjellimet e tij. Elita intelektuale pariziane u entuziazmua, ndërsa Malarmeja i shkruan: “Tashmë do të kisha kurajo t’ju recitoja të gjitha vargjet që kam mësuar përmendësh nga “Poema saturniane”.
Verleni thoshte: “Arti kërkon të jesh absolutisht vetvetja” dhe shkruan me një lirizëm konfidencial që nuk kërkon ngjyrën, por nuancën: O zhurmë e ëmbël shiu, / Që rigon mbi çati e mbi dhe, /Për zemrën e trishtuar, /Muzikë e gëzuar ti je (pa titull). Fjalët në poemat e tij kanë një tingëllimë të mbytur, si sonatat, të mezikapshme me sintaksë të lirë që i ngjan një ligjërimi të heshtur me asonanca dhe rima hollësisht të zbutura, me ritmikë të lehtë. Jo rrallë ai kompozon një varg tek që shërben si refren ideor: Hënëza e bardhë / shkëlqen në pyje/ Nga degët përhapet / Një zëth plot diell / Nën degë përse rri menduar?/ / O e dashuruar (pa titull).
Më 1869 Verleni boton librin e dytë poetik, “Festa galante”, që është një libër i mrekullueshëm, i çuditshëm, magjik. Shumë bashëkohës të tij e çmuan librin si një vlerë të re të poezisë verleniane. Malarmeja i shkruan përsëri duke i drejtuar lëvdata të sinqerta dhe e quan librin “një stoli e përjetshme”. Në këto poezi Verleni të merr përdore e të përkund me fjalën e shenjtë të shpirtit që niset për të rizgjuar botën. “Këngë e bukur” më 1870 manifeston një lloj frymëzimi të lumtur që shuhet shpejt.
I ndarë nga gruaja ai iu dha pijes dhe njohu një ekzistencë të paqëndrueshme, sidomos pas rënies të Komunës, sepse kishte një punë në Bashkinë e Parisit. Një tempull i moçëm duke u vithisur / Nga maja e frikshme e një mali të verdhë / Si një mbret që vajton fronin e përmbysur / Llahtarisht e zbeh pasqyra e ujit që rrjedh. (Alegori).
Në një letër që i shkruan ato kohë një miku lexojmë: “Filli i zi që qarkon këtë letër do t’ju mësojë mjaft se udhëtimi dhe qëndrimi im në Belgjikë kanë qenë të trishtuar”. Kuptohet qartë këtu pikëllimi i Verlenit, që kërkon pakëz lumturi, por nuk e gjen. Ndaj e tërheq arratisja drejt një diçkaje misterioze, të panjohur.
“Romanca pa fjalë” botuar më 1879, është shkruar në burg, pasi goditi me revolver mbi Rembonë: Në parkun vetmitar e të akulluar, / Dy hije njerëzore sapo kanë kaluar, / Sytë i kanë të vdekur dhe buzët të thata, / U ngatërrohen ndër dhëmbë fjalët e ngrata (Bisedë sentimentale).
Verleni kultivoi një poezi, si diçka që tretet, duke u mbështetur në zhvendosjen nga fusha e ndjenjave në atë të përshtypjeve poetike ndijimore: Dënesjet e pafunda / të violinave / vjeshtore / Ma copëtojnë zemrën / Me dhimbje monotone (Këngë vjeshte).
Më 1880 ai boton “Urti”, një libër plot mistere, me poema heteroklite, ku shtrohet poetikisht pyetja tragjike: Çfarë bën njeriu mbi tokë? Dhe poeti përgjigjet: Veçse çon një jetë të ndërmjetme midis jetës së brendshme dhe asaj të jashtme. Ndryshimet e gjendjes shpirtërore ndodhin nën ndikimin e dashurive të humbura, nën veprimin e peizazheve të trurit që kanë histori e që kërkojnë soditje të thellë për të krijuar të bukurën: Diç qan në zemrën time?/ Siç ndodh kur në qytet rigon, / Nuk e di çfarë më sjell pikëllime, / Që shpirtin kështu ma plagon (pa titull).
Verleni çliron nëpër vargje poetikë dhe urtësi. Libri “Liturgji” më 1892, kremton ndjesi të sinqerta, por të guximshme. Në zemër të rrymës simboliste të cilës i printe pa dashur, ai shkruan: O Perëndi, jeta është aty/ E thjeshtë dhe e qetë/ Një e lehtë zhurmërimë/ Prej qytetit vjen (pa titull).
Megjithë jetën e tij të turbullt e tepër kontradiktore, duke e krahasuar me harmoninë magjike të poemave të tij, megjithë mjerimin dhe sëmundjen e viteve të fundit, ai nuk harronte të çonte një jetë të dyfishtë: të njeriut dhe të artistit të zgjedhur nga fati që të jetë i ndritshëm. Jeta e tij është si oksimori që përdor vetë kur thotë: këndoj vuajtjen.
Poezia e Verlenit është një epokë e re në universin e poezisë franceze. Ajo dallohet për një muzikalitet që brof nga një gjendje shpirtërore diafane, eterike, e përshkuar nga mrekullia dhe e bukura. Muzikaliteti i poemave të tij ngrihet mbi melodinë e fjalëve, mbi tingëllimin e vargjeve, mbi idenë e diçkaje që është pezull. Në një libër kushtuar Verlenit, Stephane Huyman shpreh keqardhjen kur thotë: “Të kesh aq muzikë në kokë dhe aq pak auditor për ta shpërndarë atë thesar”.
Poemat e tij, në tërësi kompozojnë një këngë intime, që frymëzoi kompozitorët e kohës si G. Fauré e ndonjë tjetër. Është e njohur e famshmja “Këngë gri” në vitet ’60 të shekullit të kaluar sipas një teksti të Verlenit.
Më 1894 Paul Verlaine u zgjodh princ i poetëve. Ajo zgjedhje ishte kurorëzimi i veprës poetike të një gjeniu të simbolizmit, megjithë përgjigjen e tij emblematike dhënë një gazetari: “Simbolizëm? Nuk e kuptoj. Është fjalë gjermane”.
Ai pohon: “Unë jam një Perandori në prag të rënies”. Dhe e mbyll krijimtarinë poetike me poemën “Vdekja”. Këtë titull mban edhe poema e tij e parë.
Gérard de Nerval (1808-1855). Vepra e Nervalit është si një namatisje e çiltër që ndërton korresponca mes ëndrrës dhe jetës. Ai vihet në kërkim të identitetit krijues pa iu kushtuar rëndësi gjinive letrare dhe ndërton një vepërinaktuale për kohën, një vepër objekt midis prozës e poezisë, duke sugjeruar një jetë poetike në mes të kësaj bote prozaike. Në poemat dhe prozat e tij të bukura me referenca të shumta kulturore, u shfaq për herë të parë miti femëror, i cili njëjtësohet me shpirtin e natyrës (“Vajzat e zjarrit”, “Kimerat”, 1854). Tregimi i tij “Sylvie” (Silvia), që Maurice Barres e quan “Silvia hyjnore” i përket më tepër prozës se poezisë. Duke lexuar tregimin pa dialog lexuesi përfytyron një gjurmë të praruar si iluzion. Kështu, funksioni narrativ është i dyfishtë: prozë / poezi. Paul Ricoeur konstaton një simbolikë të veçantë në veprën e Nervalit siç është Pasioni për Absoluten. Ai i bëri edhe një përkthim të famshëm për kohën “Faustit” të Gëtes. Subjekt jermi “midis arsyes dhe çmendurisë” siç e quan një biograf (Nervali u gjet i varur një mëngjes në një nga rrugët më të zymta të Parisit, afër Shatëlesë), ai i përshkroi artistikisht episodet kryesore të aventurës së tij shpirtërore, duke paralajmëruar veprën e Bodlerit, të Malarmesë e të syrrealistëve.
Vizionet e tij të njëpasnjëshme janë prova, por edhe zbulim i pjesshëm i një ndriçimi mistik, që e nxit atë të mendojë se ëndrra ndihmon të hapen portat e fildishit dhe dhe të bririt që na ndajnë nga bota e padukshme siç e gjejmë te Homeri dhe te Dante.
Tristan Corbière (1845-1875). Poezia e Korbierit vështrohet si një kalim i guximshëm i kufizimeve metrike e tematike dhe si ecje drejt modernizmit. Tek ai kuptohet qartë se ideali i “artit për art” nuk mjafton më. Megjithëse është periudhë e turbullt, megjithë terrorin që ka shpërthyer pas rënies së Komunës, Korbieri bashkohet me Rembonë si shpikës i formave të reja poetike. Dëshira ngulmuese për të dalë nga rregullat mbytëse poetike të trashëguara, e shtyjnë Korbierin të përdorë ironinë dhe lojën e fjalëve. Edhe titujt janë të tillë si: Kjo, Çfarë? Mirëmbrëma. Ai arrin deri atje sa ta pohojë se do ta “shkatërrojë lirën” (delirer sa lyre).
Figura e poetit zakonisht lidhet me zotin, ai është madhështor, mag, Krisht, albatros apo mjellmë, ndërsa tek Korbieri kemi një paraqitje parodike, vulgare. Ai vë në dyshim identitetin lirik të poetit me një lojë fjalësh negativizuese. Në vend që të jetë Narcis i dashuruar me veten, poeti guxon të japë mungesën e imazhit me anë të jehonave, me forma belbëzimi, me fjalorin prozaik të ironisë. Ai edhe emrin e ndryshoi nga Eduard në Tristan, simbol i etjes për dashuri që nga miti i Tristanit dhe Izoltës. Kur shkruajti Kjo, Çfarë? dhe poema të tjera me titujt që s’emërtonin gjë, Korbieri fliste për diçka të papërcaktuar dhe të paidentifikueshme.
Tristan Corbiere vdiq shumë i ri. Përmbledhja e tij poetike “Dashuritë e verdha” (1873), kaloi pa u vënë re. Qe Verleni që më 1889, dhjetë vjet më pas e zbuloi, duke e cituar emrin e tij tek “Poetë të mallkuar”.
Lautréamont (Isidore Ducasse), i quajtur konti Lautréamont (1846-1870). Më 1868 u botua kënga e parë e librit “Kënga e Maldororit”, anonime. Më 1869 u botuan edhe pesë të tjerat me emrin e kontit Lotreamo. Sidoqoftë ato nuk bënë ndonjë përshtypje të madhe. Pasi kishte vënë titullin paradoksal poezi për dy fragmente proze (Parathënie për një libër të së ardhmes, postum, 1920), I. Dykas vdes në mënyrë misterioze 24 vjeç. Kënga e Maldororit është manifest i një mospajtimi absolut me realitetin, sepse atë që shkruan e shoqëron dëshpërimi në çdo kohë që i ka shfuqizuar ligjet hyjnore të universit tonë të çuditshëm.
Kjo epope në prozë, kjo poezi revolte e dhënë me një ligjërim të organizuar në mënyrë të dhunshme, u lavdërua shumë nga Andre Breton-i dhe syrrealistët. Ajo u quajt shpagim i irracionales kundër forcave të errëta, e u krahasua me një shpërthim vullkanik. Kritika e vetëdijshme e ligjërimit poetik dhe përdorimi i fantazmave të pavetëdijes, e bëjnë Lotreamonë pararendës të revolucionit letrar të shekullit XX.
Edhe Jules Laforgue (1860-1887) kremtoi lirinë e imazheve. Nëpërmjet kërkimeve baroke me një tematikë kritike, në krijimet e tij ndihet ankesa dhe pakënaqësia ndaj realitetit. Veten ai e quan banor hënor dhe argëtohet duke ironizuar nëpër vargje një realitet vajtues. Në krijimtarinë e tij shprehet guxim dhe novacion me hir dhe natyrshmëri poetike. Prandaj Laforg mbahet si një ndër themeluesit e modernitetit.
*
Fjala poetike është transhendencë, është kërkim i identitetit. Kjo u kuptua më tepër se kurrë në vitet simboliste, kur poema u bë ikonoklaste dhe nuk po i përgjigjej më rregullit të ligjërimit në vargje. Poeti parnasian kishte pushuar së ekzistuari. Kodi lirik ishte bërë stereotip. Kështu, lindi kriza e vargëzimit si krizë moderniteti që solli shkrimin vertikal, madhështor, jehonë tematike e kuptimësisë me vargun e lirë, poemën në prozë dhe prozën poetike.
——-
1) Nga Parnas, në antikitetin e vonë ai zëvendësoi Helikonin si vendqëndrim i Muzave dhe i frymëzimit të poetëve; Masiv shkëmbor në Greqi.
2) Shembujt i përkasin librit “Lulet e së keqes”.
3) Nga aphasie (fr.) – Humbje zëri. Këtu: Humbje e zërit poetik.