2013-11-08

Marrëdhëniet e përmbysura shkrimtar-botues në Shqipëri...



FERIDE PAPLEKA

.....Libri shqip në këto vite tranzicioni të zgjatur edhe në fushën e botimeve thuajse e ka humbur lexuesin. Kalimi nga botimet e para vitit ’90, kur çdo gjë ishte e kontrolluar dhe e censuruar, në botimet e lira, gati kaotike, ku asgjë nuk kontrollohet, ka sjellë edhe pasojën e rëndë që krahas veprave cilësore të pakta në numër të vërshojnë botime pa vlerë e që janë të shumta në numër. Është e qartë pse ndodh kështu. Sistemi i përfitimit është në dobi të letërsisë së dobët. Prej këndej rrjedh edhe fakti që kritika e hapur dhe qëndrimet parimore ndeshen rrallë, sepse nuk përfillen. Kjo ka ulur nivelin kombëtar të vlerave. Shpesh nëpër gazeta të impresionojnë shkrime të ashtuquajtura kritike me lëvdata të tipit: vepër e madhe, e paarritshme, shkrimtar i shquar, shkrimtar i madh, ia kalon edhe Homerit, çfarë ka Markesi më tepër etj., e të bëjnë të nënqeshësh. Me të drejtë lind pyetja: po botuesi, shtëpi botuese apo gazetë qoftë, si e ka lejuar? Nëpër shkrime të tilla lihet jashtë vepra konkrete, argumentimi me shembuj, arritjet ose mosarritjet, vlerat estetike e gjuhësore që përbëjnë stilin e një vepre letrare.

Varësia e shkrimtarit nga botuesi sot është shndërruar në shumë raste si varësi e qenies nga fati. Shkrimtarët shpesh ndihen të huaj në atdheun e vet, ose “ata jetojnë në një vend anormal, që është atdheu i tyre”, siç do të thoshte Aragoni. Në këto kushte, dëshira dhe pakënaqësia grumbullohen dhe metamorfozohen, duke rrezikuar tërë letërsinë. Liria intelektuale kësisoj është e kërcënuar. E kërcënuar është edhe e vërteta artistike. Kapitalizmi ultraliberal është një totalitarizëm i ri, që e mbulon të vërtetën si të gjithë totalitarizmat. George Orwell kur fliste për letërsinë dhe totalitarizmin, thoshte: “Pa të vërtetën as që bëhet fjalë për nxitje krijuese.” Në socializëm mendohej se një krijues ishte i lirë nga pikëpamja ekonomike, por ai ishte i pranguar politikisht. Në kapitalizëm mendohet një krijues i çliruar nga pikëpamja politike, por ai është i pranguar ekonomikisht.

Ndoshta këto mendime të zymta vijnë nga fakti se ne jetojmë në një vend ku mirëkuptimi është i vështirë dhe fjala “demokraci” shpesh ekziston vetëm si nocion, në letër. Sido që të thuhet, është fakt i pakundërshtueshëm se shumë botime janë kthyer në mall. Shkrimtari që pranon të jetë i varur nga botuesi nuk është i interesuar dhe nuk shqetësohet që në Shqipëri nuk janë të gjithë njësoj para ligjit, që në Shqipëri ka mjerim, i cili shkon gjer në depersonalizim të njeriut, që në Shqipëri sistemet e arsyetimit vulgar shfaqen haptas, po ashtu si konformizmi, idealizmi i rremë dhe urtësia e shtirur. Shkrimtari kundërshton me anë të penës, të ligjërimit letrar padrejtësitë edhe kur shumica ka mendim të kundërt, sepse shumica mund të jetë e manipuluar. Letërsia e vërtetë, kur nuk ndërvaret, është kundër rrymës, ajo është avangardë, ajo përpunon kështu mendimin dhe qëndrimet për një jetë më të denjë. Sigurisht, me të drejtë, dikush do të thotë se në Shqipëri sot nuk ka gazeta të mirëfillta letrare, nuk ka struktura të specializuara si në të gjithë Europën për t’u ardhur në ndihmë shkrimtarëve që të përfundojnë projektet letrare, nuk ka një organizatë shkrimtarësh dhe as një strehë ku ata të mblidhen qoftë edhe për një minutë heshtje, kur dikush nga radhët e tyre shuhet. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, për fat të keq, sot quhet “ish-ndërtesa e Lidhjes”. Përfundimi është i hidhur: jetojmë në një vend ku nuk përfillet letërsia. Në një kohë kur në Shqipëri gjendet vend për njëqind e njëzet parti, domethënë për njëqind e njëzet zyra partiake, nuk ka një vend për shkrimtarët (!). Si mund t’i vendosësh, atëherë, fjalët mbi hijen e një indi jo të shëndetshëm që thuret në mënyrë të padukshme?

Mospërfillja për letërsinë dhe nxjerrja e shkrimtarëve në marzh, por jo e të gjithë shkrimtarëve (kuptohet: vetëm të atyre që nuk janë miq të qeverisë), ashtu si në të kaluarën, po e vdes nga dita në ditë lirinë krijuese, duke e shitur skllavërinë ekonomike si liri. Dhe sa kohë që do të mungojë institucioni i kritikës, do të ketë humbje të pallogaritshme në letërsi. Ky është një keqkuptim i madh i administratës ose edhe i atij opinioni që kërkon të bëhet arbitër i gjithçkaje, edhe i letërsisë. Vlerësimi i njëmendët për një vepër letrare që do ta orientonte lexuesin drejt veprës letrare mungon, edhe sepse shumica e shtëpive botuese nuk kanë kritere, qoftë estetike, qoftë profesionale për botimet letrare. Kthimi mbarë i marrëdhënieve shkrimtar-botues, dalja në shtyp e një kritike të shëndoshë, që është filtër për kalimin e vlerave të vërteta letrare dhe krijimi i strukturave në dobi të krijimtarisë cilësore, do të ndikonte në përpjekjet e letërsisë për t’u përfshirë në rrjedhat e letërsisë europiane.

Te ne në përgjithësi nuk ka një kritikë të specializuar që u paraprin botimeve serioze, nuk ka as ndonjë kritikë të mirëfilltë, pasi botohet një libër i mirë, qoftë përkthim, me autorë të huaj, qoftë me autorë vendas. Edhe kur kjo ekziston, nuk bëhet e njohur, sepse reklamat shkëlqejnë për të tjera gjëra. Doemos që botimet e dobëta i krijojnë lexuesit një perceptim të gabuar për letërsinë e vërtetë. Të mos flasim pastaj për anën teknike. Krahas botimeve të mira e të vlerta ka botime të panumërta që lënë për të dëshiruar si paraqitje, me gabime drejtshkrimore e me gabime teknike të pafalshme etj., që e ftohin lexuesin dhe e largojnë atë nga letërsia. Në shtëpitë botuese përgjithësisht janë zhdukur fare redaktorët, korrektorët teknikë dhe gjuhësorë, që janë të domosdoshëm në përgatitjen e një botimi për shtyp.

Sidoqoftë, pyetja “Pse shkruaj?” e bërë nga dhjetëra shkrimtarë, që në fillimin e ndërgjegjësimit të tij historik për aktin e të shkruarit, mbetet përherë aktuale. Ajo ndiqet nga një mendim i dyfishtë, në të cilin lexohet trishtimi dhe utopia e shkrimtarëve të vërtetë. Utopia ka një kuptim të veçantë, është pikë referenciale dhe mban një lidhje të ngushtë me kohët, sidomos në luftën kundër banalitetit dhe antivlerave, që shiten si vlerë. Letërsia, dihet, është çështje lirie individuale, po kur kjo liri kufizohet nga rrethana politike, edhe vetëdija e lirisë cungohet, edhe letërsia shndërrohet në një variant kitsh si gjithçka tjetër që e përfshin sistemi i përfitimit.

Për mitin e Sizifit kemi lexuar shpesh. E dimë gjithashtu se për të kuptuar nëntekstin e tij nuk është aq e lehtë, pavarësisht interpretimeve të shumta. Këtë mit mund ta përqasim me punën e shkrimtarit. Në të vërtetë shkrimtari i denjë për emrin që mban, është pareshtur në betejë për afirmimin e së mirës kundër së keqes. Ai është kundër gjithçkaje që zymton mendimet dhe peizazhin, kundër gjithçkaje që shumohet në errësirë, pa u kuptuar. Ai e di se herët a vonë e keqja, e cila nuk njeh kufi dhe as kohë, edhe e veshur me petkun e së mirës, do t’ia behë dhe do të mbjellë verbërinë dhe intolerancën. Vetëm kur të shkruarit gatuhet me materien e dhimbjes apo lumturisë së provuar, ai shkon drejt universales, kthehet në një un njerëzor të papërsëritshëm.

Dihet që faktori ekonomik me varfërinë e tejskajshme të shtresave të papuna është i pranishëm, por as shtresa e pasur dhe ajo e mesme nuk e përfill librin shqip. Për librin shqip në të vërtetë nuk ekzistojnë nxitjet për një garë të lirë e të ndershme. Kuptohet që një shoqëri që kalon dita-ditës nëpër një krizë identiteti nuk ka sesi të mendojë për letërsinë. Këtë e tregojnë marrëdhëniet e shndërruara dalëngadalë në marrëdhënie botues-autor, të cilat marrin parasysh vetëm fitimin. Shkrimtarët e vërtetë, merret me mend, në kushte të tilla janë në një luftë të heshtur. Heshtja dihet që krijon një gjendje paradoksale. Heshtje do të thotë përulje, pranim i shmangies së fjalës dhe mendimit të emancipuar, dhunim i moralit qytetar të krejt një shoqërie.

Dhe duke dashur të jem më bindëse në ato që them do të ndalem pak në marzhin e unit femëror, timit. Unë shkruaj me lumturinë dhe vuajtjen që të jep krijimi, pa menduar për botimin. Ideja e të botuarit më lodh, sepse të mendosh për botimin, që në të shumtën e rasteve është shndërruar thjesht në një akt tregtimi, do të thotë të mos shkruash. Unë i bashkohem letërsisë së vërtetë, shkrimit ose leximit të saj, për të luftuar kundër moskuptimit, frikës, kaosit, mbytjes, fundit, pushtetit, tradhtisë, vetmisë, harresës, vulgaritetit, përparimit të errësirës dhe përpiqem t’i jap trup e shpirt asaj tjetrës, tregimtares, t’i jap thellësinë e vështrimit për kohërat. Po edhe asaj tjetrës, që jam unë edhe si shkrimtare dhe që them ndonjëherë duke qeshur: “Ah, sikur të isha djalë!”, jo në kuptimin që i jep Haki Stërmilli, por në kuptimin letrar, sepse nuk është aq e thjeshtë sa duket të jesh shkrimtare. Bie fjala, unë e dërgoj librin në një shtëpi botuese dhe drejtuesi i saj, pa e kaluar nëpër instancat e duhura, e lë dikur (që do të thotë pas një viti e më shumë) me mospërfillje në sekretari. Ndonjë lajmërim për t’u paraqitur nuk dërgojnë as shtëpitë e mëdha botuese të Tiranës. Nuk e kam fjalën te mosbotimi ose botimi, e kam fjalën tek ecuria, që mungon e që mund t’i quash me plot gojën qëndrime primitive, punë shqiptarçe. Gjithashtu unë nuk kam gjetur asnjë shënim shoqërues për librat e mi, ashtu si në të dy librat që kam botuar në Francë (në një mënyrë të përpiktë pas dy muajsh), ashtu siç ndodh rëndom në të gjitha shtëpitë botuese të Europës, ku e themi me zë të lartë, gati-gati me arrogancë, se i përkasim. Po si i përkasim, vetëm me fjalë? Marrëdhëniet e përmbysura, që sot kanë emrin “botues-shkrimtar”, dëshmojnë se jemi ende larg.

Me këto shqetësime që ngrita në këtë kumtesë të shkurtër nuk është se nuk i njoh problemet financiare që kanë shumë shtëpi botuese, thjesht dua të theksoj se, për sa kohë do të ekzistojnë marrëdhënie të përmbysura me rendin e paarsyeshëm botues-shkrimtar, hendeku do të thellohet përditë e më tepër e do të përpijë letërsinë e vërtetë....

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...