NAIM KELMENDI, SHKRIMTAR E POET I VLERAVE TË LARTA POETIKE
Shkruar nga: Mr.sci. FLORI BRUQI
Naim Sali Kelmendi lindi më 10.09.1959 në Ruhot të Pejës.Rrjedh nga një familje e njohur për tradita patriotike në Rrafshin e Dugagjinit.Ëshë biri i nacionalistit të mirënjohur Salih Ramë Kelmendi nga Haxhaj -Rugovë. Për të parët e familjes së tij është shkruar edhe në “Lahutën e Malësisë” së Gjergj Fishtës duke përmendur të parin e kësaj familje -Rrustëm Ukën…Babai i Naimit,Salihu ishte i ndjekur dhe i burgosur nga shovenistët serb në kazamatat jugosllave.Deri më vdekje babai i tij mbeti konsekuent ndaj çështjës kombëtare…. Naimi,për disa vjet ka punuar si gazetar i gazetës “Bota sot”,kurse gjatë luftës çlirimtare në Kosovë,ishte reporter lufte në betejën famoze të Kosharës( 1999)prej nga lexuesi shqiptar njoftohej për luftën heroike të vashave dhe djemëve shqiptarë… Poashtu ai njoftonte opinionin mbarëkombëtarë për të bëmat e lavdishme dhe heroizmin e kësaj beteje të lavdishme,por më vonë Naim Kelmendi shkroi edhe mjaftë radhë,artikuj ,intervista etj.,për një tjetër betejë të lavdishme-Betejën e Loxhës në gazetën “Pavarësia Neës” etj.Naim Kelmendi tërë jetën e tij e deri më sot ia kushtojë çështjes sonë kombëtare gjegjësisht penda e tij nuk pushojë kurrë së shkruari poezi e prozë për Kosovën dhe popullin e robëruar shqiptar, dhimbjet e të cilit do t’i përjetojë rëndë në shpirt, njësojë sikur mallin për babanë e tij, ngrohtësinë dhe zërin e ëmbël të të cilit nuk e shijoi kurrë në jetë.…
Naim Kelmendi edhe tash vazhdon të shkruan poezi, të këndojë dhe t’i thurë këngë lirisë së fituar me aq shumë gjak, do të këndojë bashkë me popullin e tij të cilit i thuri aq shumë vargje, dhe për lirinë e të cilit ishte i gatshëm të sakrifikohet në çdo çast.Poetët janë zëri më i bukur i një populli, janë këngëtarët më të mëdhenjë që i këndojnë lirisë, janë bilbilat më të bukur të botës që ia thonë këngës në çastet më të vështira kur të tjerët vajtojnë, vetëm e vetëm që ta mbajnë të gjallë shpirtin e popullit kur ai kërcënohet me zhdukje, siç ishte rasti para një decenie me popullin të cilit i takonte Naimi. Për këtë ai deri më tani ka botuar mbi 12 përmbledhje poezish, ka shkruar me dhjetra punime publicistike dhe gazetareske, është marrë me aktivitete të shumta kulturore, qoftë në Kosovë(Pejë,Ruhot,Prishtinë) në Zvicër,Shqipëri etj.
Naimi ishte redaktor i disa revistave shqipe në diasporë si “Top-Kultura” , “Mërgimtari”, etj. ka organizuar me dhjetra takime dhe mbrëmje letrare, promovime librash, ishte reporteri i parë i gazetës “Bota Sot” që arriti të raportojë nga fronti i luftës në Koshare, ishte bashkëpuntor i shumë botimeve në gjuhën shqipe…Ishte pra gjithmonë ndër të parët në front, në ate intelektual dhe ate të luftës, nuk i frikësohej as vdekjes, sepse trimërinë ia kishin lënë trashëgim të parët e tij nga Rugova, gjysh e stërgjysh, denbabaden deri në ditën e kijametit.Veprimtaria letrare e Naim Kelmendit , siç na është e njohur mirë përveç vlerave të larta letrare, stilistike, ka edhe vlera pozitivisht të theksuara gjuhësore. I lindur e i rritur në Ruhot, ai si një fëmijë e më vonë si një djalë e veçmas më vonë si nxënës dhe student vërejti se të folurit e Rugovës ka një veçori të vetën e cila po të mbledhet e të ruhet, jo vetëm që do të jetë një thesar i paçmuar për gjuhësinë, por edhe burim e leksik i pashterrshëm për letërsinë, posaçërisht për poezinë.
Publicisti Naim Kelmendi ka shumë libra dhe vlejnë t’i veçojmë disa prej tyre:
1.Shtreza në fjalë,poezi,Prishtinë ,1984.
2.Albanoi,poezi,Prishtinë,1986.
3.Nyja e Gordit,poezi,Prishtinë,1987.
4.Ç’ të bëj me dhembjen,poezi,Prishtinë,1987.
5.Pse ashtu Pandorë,poezi,Prishtinë,1989.
6Përballje me vdekjën,poezi,Prishtinë,1993.
7.Eklipsi i diellit,poezi,Prishtinë,1993.
8.Vrasja e deputetit,monografi,Prishtinë,2003.
9.Shqiptari vdes duke kënduar,poemë për Adem Jasharin,Prishtinë,2003.
10.Kohë për të folur gurët,poezi,Prishtinë 2004.
11.Sipërfaqja e padukshme,poezi,Prishtinë 2005.
12.Beteja e Kosharës,monografi,Prishtinë,2008.
13.Pikëpamje dhe reagime ,2008.
14.Në një jetë pas Krishtit,2010
15.Esenca,2010
16. Shqiptari vdes duke kënduar,botim i dytë,2010
Naim Kelmendi është njëri nga publicistët që, me penën e tij, i doli përballë krimit që mbiu në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës, pjesëmarrës i së cilës ka qenë edhe vetë si reporter lufte në Koshare.Për këtë guxim të tij, për këtë përpjekje në funksion të ndërtimit të një shteti të mirëfilltë ligjor, për vizionin e tij për një Kosovë demokratike-ishte për një kohë të gjatë i kërcënuar nga grupet kriminale që u konvenonte anarkia, për ta shfrytëzuar këtë (anarkinë) për pasurim brenda nate.Naim Kelmendi krejt çka mendoi për zhvillimet e pasluftës në Kosovë, e tha haptaz. Prandaj, vlera e shkrimeve të tij qëndron jo vetëm te ana cilësore e tyre, por edhe te guximi për t’i thënë me emrin e vërtetë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë.Në shënjestër të shkrimeve të Naim Kelmendit, ndër të tjera, ka qenë edhe politika e “re” e Beogradit dhe lëvizjet e saj të vazhdueshme për ta frenuar procesin e pavarësimit të Kosovës.
Çdo lëvizje antiKosovë nga ana e kësaj politike, publicisti në fjalë bën përpjekje ta demaskojë në sytë e opinionit tonë.Njëkohësisht, i analizon edhe politikat ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe, sa herë sheh të meta në të, bën thirrje që ajo të mos bjerë viktimë e taktikave të reja të politikës së “re” të Kalimegdanit kundër pavarësisë së saj. Po ashtu, parashtron fakte të shumta në favor të pavarësisë së Kosovës, e cila edhe u realizua më 17 shkurt 2008.Shkrimet e përmbledhura në këtë libër janë të shkruara në gazetën “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia neës” etj. gjatë viteve të pasluftës.Në të janë përfshirë vetëm disa prej shkrimeve të tij të shumta të publikuara në këto gazeta.
Me penën e tij, ishte njëri nga heronjtë e demokracisë në Shqipërinë Etnike . Themi Hero për faktin se t’i identifikosh gjërat negative për një shoqëri dhe një komb, kur nata qe bërë kulçedër që i “hante” atdhetarët e Kosovës, është vërtet heroizëm.T’ua vësh gjoksin përpara grupeve kriminale, që gati sa s’e patën dërrmuar përpjekjen e Kosovës për pavarësi, ishte ana tjetër e atdhetarizmit të Naim Kelmendit, pas përfundimit të luftës. Ana tjetër e atdhetarizmit të tij të treguar qysh në kushtrimin e parë për luftë kundër Serbisë.Shkrimet e publicistit ,shkrimtarit ,gazetarit dhe patriotit Naim Kelmendi do ju shërbejnë gjeneratave te ardhshme se si mbrohet Kosova edhe në liri. Se si liria e merr kuptimin e saj të vërtetë….
Poezi nga Naim Kelmendi:
NË VEND TË ASGJËSË
Në vend të asgjësë
kam shpirtin tim
përditë në stacion
të pakuptimësisë
rrugëve të kuptimit
në kërkim të vetvetes
hullive të mnerta të vetëjetës
prandaj s’dua ta trandë as për një çast
këtë kuptim prej asgjëje
sepse s’e kam fuqinë e zotit t’i ndryshojë gjërat
dhe në vend të asgjësë
gjithmonë ka diçka që ma kuptimëson
frymëmarrjen,mendimin për të jetue
dhe që do të shuhemi këtej jete
është aksiomë e njohur nga e vërteta
po sa vështirë ata bëjnë përpjekje për ta mundur vdekjen…
pa mundur t’i qetësojnë askurrëmë dhembjet
e thekshme të shpirtit pa shpëtim
dhe kur vdesin thua se nuk ishin kurrë pjesë jona
unë s’dua të shkel më mbi vetveten
e ta denoj shpirtin tim me gjithfarë teorish
të paqena…që vrasin që helmojnë
dhe në vend të asgjësë
prapë si një lulediell vjen dashuria
prandaj këtu kemi ardhur të duam
e jo të vrasim të urrejmë krijimin e zotit-njeriun
dhe duhet të shkojmë,ama të shkojmë heshtur dhe pavërejtshëm
pa prishur as për një çast as rendin as rregullin
dhe unë zotohem se në vend të asgjësë
do të vijë kuptimi i diçkaje
për të të thelluar në kërkim të njohjes
dhe s’ke për ta njohur kurrë…
ka diçka tej shikimit
diçka ka tej mendimit
ka diçka tej t’vërtetës
diçka ka përtej jetës
bari do të lulëzojë dhe bimët do të kokrrojnë
dhe ne dhe ju dhe ata të gjithë dhe gjërat
që s’i njohëm kurrë dhe s’kemi për t’i njohur
përgjithmonë në vend të asgjësë…
MAL I MADH
Mal i madh
e unë kërkoj
majën e gjilperës
veten e humbur
po askush s’e ka humbur veten
që unë ta gjej fatin e humbur
në mjegullën e epshit
dhe dal nga teatri i gazepit njerëzor
për ngritje për forma deri në Maje
servilët pederët laviret dhe shumëkëmbëshat
jetojnë më së miri në këtë zallahi jete
unë ende kërkoj veten dhe melodinë
e humbur në jehonën e një vajtimi të këputur
ec e dije mbrëmë kush kënd e ka mashtruar
deri në poshtërim dhe e ka hedhur si limonin
dua ta them se kështu jeta s’ka asnjë kuptim
në Malin e Madh dal i vetëm dhe humbës
i krejtë kohës në eksplorim…
shëndosh koka pra
rrugën e gjejnë të tjerët
ata që kanë shpikur kodin e jetës
shumëngjyrëshe… shumëkuptimëshe…
shumëmënyrëshe…
mal i madh e unë ende kërkoj majen e gjilperës
e ende kokrroj mendësi kokëdhembëse…
dhe ia shkel bishtin, dikund kokën nxjerr
vjen erë sperme nëpër të qarat e natës
por njeriu dhe unë ecim e ecim e mendojmë ende
për shtëpinë për familjen për ngjyrën prej njeriu
për identitetin për dorën e fshehët për dorën e zezë
që pret lisat natën që shkruan skenarët e lavireve
sikur na e ka ëndja ta hamë më të mirin
na e do gjaku që ta rrëzojmë secilin
dhe s’bëhet gjë prej gjëje
pa dirigjuar dikush nga prapaskena
ato fytyra që shikoni në skenë janë veç maska
të mjera… tragjike…askushët e askundit…
vetja ua ka gërdinë e fatit të tyre t’pafat
TË QENËT E MOSQENË
Mor, me një fytyrë të zbehët del
dikund në fushërrugë
dhe s’i bindesh asnjëherë
fatkeqësisë së vetvetes
nëpër jetë po të përcjell
i njëjti fat cub
cep më cep hapësirës etnike
shanë e përlanë e s’bën dot me tëndin
bjezga e huaj në mes bën vend dhe gjuan
gjaku dhemb natën në shtrat të Prokrustit
i kthehesh vetes në kafshim idhnak kur s’e rrëzon dot tëndin
nga Maja që s’ia duron hijeshinë e mendimin
dhe të bëjnë të flasësh vetmevete vetmashtrimit pastaj,
po sa i zbrazët sa i verbër paskësh qenë vetja
në shërbim të hijes së tjetrit që të jep Dhuratë Danajsh
dhe shikon se në secilën kohë diçka të kanë marrë
nga vetja dhe kanë qeshur me ty paskëtaj
tradhtitë e mnerta se si pranove një cohë që s’e veshin as qentë
e pëshurraftë kur ndjekin kudra
të qenët e mosqenë sërish duket
se vret në shenjë të mendimit tim
të trandur,mor njihe veten se s’bën kështu
gjithmonë nga fundi nis fillimin e çdo gjëje
a s’të kanë thënë mjaft shekujt për gurin e Sizifit
aq tragjikshëm që kurrë s’i del në fund ecjes
del e bërtet përanash e në shesh bërtet e shanë vëllanë tënd
e të ujit hija e të gjithëpushtetshmit
e ta rjep lëkurën e dhembjes dhembja nga i yti
sepse dhemb më shumë dhe s’ia gjen ilaqin vetvetes
tatëpjetave të jetës duke i zbritur për veshëve
duke ia rjepur gjinjtë dhe tamblin e nanës
duke ia pirë deri në fund mëmëdheut
dhe s’i bindesh idesë dhelpërake
sepse të paskan thënë rri kështu si je
merr frymë kështu si je ec kështu si je
mendo kështu si je hije e sakatosur nga ndarja
e shekujve dhe ti ec e ec tragjikshëm e pandalshëm
drejt shekujve të ardhshëm njëllojshëm
të qenët e mosqenë shenjon ligjin e ekzistencës tënde
të bindjes tënde për të mos qenë aty
ku i duhesh kohës ku i duhesh ecjes
në kohë dhe hapësirë kur të thërret
jehu i vetvetes në fushëbetejat e jetës
FTESË PUBLIKE
Lërini anash sytë ktheni shikimet
në një pikë të vetme dhe shikoni
mbani veten nga trishtimi
mizorët po ngarendin tokave
në dorë mbajnë trofetë e tyre
nga prerja e kokave
lërini anash sytë e kujtimet
mbi ditët e lumtura
nga ndonjë dashuri vitesh që iku
si çast i mjegulluar në mbamendje
ktheni shikimet në një pikë
si po byrytet Dhevështruesi
dhe mos më thuaj Ante
se unë s’paskësha Atdhe
a është ky që e pëshurrin
çdo ditë e çdo çast
a është ky që po a hanë
nëntokave mafia e verdhë
a është ky që po qajnë natën
fëmija e asaj varfanjakeje për një copë buke
a është ky i këtyre lypsarëve të përditshëm
cep më cep kaq të mërzitshëm duke na prishur
qetësinë e fjalëve në kafenetë e shesheve
dhe në shtëpitë e qendrave urbane
mor a është ky atdheu për të cilin kam menduar
se është edhe i imi dhe vetëm në një fjalë nëne
saherë më thoshte kthehu ku ke lindur
kur i thoja dheu i babës dheu i nënës
unë të dua për emër të Atit e të Birit e Shpirtit të Shenit
lërini anash dhe hudhni fare sytë mbani veshë
se po vjen Dhevështruesi po i dëgjohet gërhama
e mos më thuaj kurrë Ante
se unë s’paskësha Atdhe
a është ky që po ia mbushin hundët me marihuanë
a është ky që po ia shesin një vajze dhe shoqeve
të saj seksin në jetën e mbrëmjes stacioneve të vetmisë
a është ky ku s’e kthen kush kokën anash
a është ky ku secili shikon jetën e vet personale
a është ky ku secili vjen e shkon në askund
me heshtjen e vet të sert ndër vete
a është ky ku secili s’mendon të të dhurojë pak gaz
veç thur lavde për të vdekurit e harron të gjallët
që ka para syve përditë e t’u japi pak dashuri
sesa një shikim përbuzës dhe vrasjen në mesditë
me heshtjen e hipokrizisë njerëzore
ECJE VETËM
Zotin tim ku e kam oh Zot
që t’ma shkurtojë njëtrajtshmërinë
e ecjes sime vertikale padukshëm mes rrethit
të përditshëm të gjërave lakuriqe
si e kanë ngulur në hu kokën e një kali
të ngordhur pasditën e një qershori
e kush ma shkroi këtë fat
të ec të ec dhe vetëm të ec
me shikimin e etur për ta parë fundin
e një fati që ka filluar moti
të zhgërryhet mbi pafatësinë
zotin tim ku e kam oh Zot
apo s’merret më me gjërat e përditshme
me fjalët e përlotura kurtheve të vetmisë
kësaj mbretëreshe që ha njerëz e fate
dhe s’i shkruhen askund aktet e tragjedisë
KOHA PA TY
Koha pa ty është kohë pa kokë
kohë që i digjet shkrumb dhembja
dhe kohë që i ka mall vargu e fjala
koha pa ty është kohë e ndalur
dikund në një vegim dhe s’i ec
as ora s’i del as fjala as vargu
koha pa ty rrin në rremb të qyqes
krejt qyqevetem
dhe i rriten flokët, dhe
i rriten thonjët, dhe thërmohet
imazheve të pritjes
dhe ia ha vetes thonjët dhe ia ha
vetes vargjet dhe fjalët në gojë
është gjykim i vetes
dhe mallkim është
në hirin e asgjësë
nëse nuk kthehesh…
koha pa ty rri në rremb të qyqes
krejt qyqevetem
Prishtinë, gusht 2010
VETJA NË MUNGESË
Keqas u mungon vetja
rendin pas vetes
së humbur
kërkojnë veten
e munguar
mjerueshëm
shajnë e thejnë
gota pezmi
dhe urrejnë
shtatë ditët e krijimit
të botës
se, keqas u mungon vetja
PËRFTIM
A na përftuan
para syve të gjitha
po a s’u kishte
shëmtim vetja
si e hanin të vetin
a s’u hypen në qafë
a s’i kalëruan shtatëqind dreqër
dhe a s’i harbuan
lakmizezat
nga vetë mëkata
e vetvetes a s’u vetëvranë
po ku mbeti e drejta
a s’e njohët apo s’e patë
në aureolë jete n’kuptimin e saj
ishte një përftim
që ju gjeti shtrembër
duke menduar -
EKZAKTËSISHT
Tërë jetët, çkado
që erdh u bë
n’pluhurin kozmik
n’hapësirat
stërë t’paanshme, t’pafund
me urdhër t’krijuesit
tek gjithësia
lindën, jo kurrë nga urrejta
por vetëm nga dashuria …
E PANDRYSHUESHMJA
Ekziston diçka e paarritshme
për ta njohur deri në fund
në botën e kujtesës
qiriu i mendimit rri ndezur
në mua, përreth meje ekziston
e reziston deri në paskajësi
e mjegullt e panjohur
që rrjedhë përditë çdo çast
Panta Rhei, dhe
një ditë që s’do të jemi
më kështu në këtë ajër
po si luan teatër me ne
e padukshmja
e paprekshmja dhe hija
e atij që rrënon dashuritë
ne mbesim veç hijesim, shenja
për t’na çajtur mjerueshëm
pasaktësia nëpër hirin e asgjësë
POR, NE ISHIM
Pa dritat e mendimit…
jemi thjeshtë pjesa e pjesës të pjesëve
diçka që s’do ta shpjegoj assesi
nga erdhëm e kah shkojmë
mor askush s’do ta ndryshojë ligjin
e heshtjes bizare pasi tradhtojnë
dhe veten në fund të fundit
deri këtu kemi ardhur
duke u kapur për një fije t’mendimit
pas betejave të gjëllimit ofshajmë thekshëm
në tërë rrugëtimin tonë vetmitar
ekziston ana e errët që ne s’e shohim
pikërisht aty kemi kurthën
e shpirtit të lënë vishkull
s’është e rëndësishme
nga na vjen gjykimi
ne edhe vetëgjykohemi
për ato që s’ia arritëm qëllimit
tash qetësia ime vajton papajtueshëm
por, ne ishim…
pikëllim fatesh nëpër kohë
E PAMUNDSHMJA
Mësa një fije bari
që mund ta dijë për një fije bari tjetër
që ekziston dikund larg në botë
aq e pamundshme është ta dijë
dikush e dikund se ekzistojmë
ti dhe unë në këtë çast, pra
po flas, ja për çka po flas
për të pamundshmen
dijmë vetëm për raca njerëzish e popuj
kufij, luftëra, dhe tragjedi jetësh
por ne s’e dijmë biografinë e secilit
prandaj ne s’e dijmë as pse jemi këtu
e dikush tjetër e atje dikund
dijmë vetëm se jemi dhe në këtë formë
pra, ja për çka po flas
për të pamundshmen e njohur
NËNA, LOTI,
DHE NJË HISTORI
E DHEMBJES
Shi binte me shekë apo loti i saj
ëndërronte jetën për bimën
dhe ditën me diell,
për kohën për ekzistencën
e shponte dhe gurin
dhembja qyqevetem
me kujtimin e saj
për humbjen e babait tim
nga ai çast tragjik në kohë t’pakohë
që na kishte lënë ashtu vishkull
në mesjetë në meskohë në mesrrugë
loti i saj me dhembjet
e tmerrshme të pasigurisë
kaltëronin kohët dhe
mendimin për të ekzistuar
nëna ime Xufë,
ëngjulli im mbrojtës
shpirtvuajtura e fatprera…
pas ngjarjes tragjike kur ia vranë burrin
me 1961, babain tim, kur e pyetën tha:
për jetën time jeta janë këta, dy djemtë,
dy zogjtë e saj, dy dashuritë e shpirtit,
dy ëndrrat e jetës, do i rris ndershëm tha
dhe ashtu vijoi për të
jeta e pagjumë
jeta e saj plot sakrificë,
jeta e saj plot altruizëm,
jeta e saj plot dashuri nëne
jeta e saj plot dashuri engjëllore
jeta e saj nëpër batica e zbatica
dhe deri në fund qëndroi:
dashuri vertikale
dashuri horizontale
dashuri mbi dashuritë
dhe deri tash me 2011
e njëjta dashuri
që mëkon shpirtin e saj
nga dashuria e zotit
vazhdon ta mbajë gjallë…
jeta ka qenë e vështirë, nënë
për ty, për ne
po, thotë, kjo ishte rruga jonë
ky ishte fati ynë…
por kisha t’vetmen ëndërr
juve të ju rrisja, juve të ju kisha…
nëna Xufë,imja nënë e mira
as që kishte dëgjuar
për Shekspirin apo thënien e hamletiane:
të jesh apo të mos jesh
por jetën e saj e kishte vënë në pikëpyetje:
kah t’ia niste e si t’i dilte n’krye me pasaktësi
me tërë t’panjohurat e saj…
në shpirt ndjente
trishtimin e viteve
dhe pikëllimin e jetëshkretës pa gjumë
nën dritën e një fitilaqe
shfletonin dhembjen
netëve ëndrrimtare
as për Korbin e Edgar Allan Posë
s’kishte dëgjuar kurrë
sepse nëna ime s’ka ditur as shkrim lexim
por sa herë ia dëgjonte këngën shpendkeqes rreth shtëpisë
parashihte gjendje të keqe për fatin…
dilte në oborrin e shtëpisë dhe e truante
natë e ditë fytafyt me t’vërtetën pelin
as nuse si bëhen nuset s’është bërë nëna ime
as ka veshur fustan të bardhë nusërie
e ka marrë halamrukas babai atëbotë
nëpër kohën e acart nëpër kohën furtunë
dhe siç thotë vetë më vonë në një kujtim
të saj: mendet kishin rrënjë…
e tash në kujtesë
më kthehen të gjitha
derisa rri pranë nënës sime
këtu në spital
ajo kupton dhe e kujton
se diçka ka ndodhur
në vitin e 78-të të jetës së saj
derisa merr nga dora e majtë
terapinë mjekësore
me ushqimin artificial…
lutem për dashurinë e Zotit
siç lutet mesiguri edhe ajo me t’veten
koha, jeta, vitet rrodhën dhe jemi
ja ku jemi te ky çast jete,
vërej fytyrën e saj engjëllore
e kredhem në një mendim
për t’ia kërkuar domethënien
se, ja çka do të thotë një çast
pra një çast jete dhe i vetmi çast…