2014-06-02

Definimet e kritikës letrare në trojet shqiptare





Termi kritik si në shumë gjuhë e kultura tjera edhe në shqipe vjen nga ai latin «criticus» (vlerësues kritik). Që të dy këto terme prejardhjen etimologjike e kanë nga folja krinein, e cila ka kuptimin e ndarjes, dallimit, vendimit dhe gjykimit bashkë, pra criticus është ai që gjykon ndan të mirën nga e keqja, të vërtetën nga gënjeshtra e kështu me radhë.
Deri në shekullin e 17-të criticus është thirrur ai dijetar që ka pasur aftësinë dhe kompetencën e vlerësimit të teksteve në gjuhën latine dhe greke. Me ardhjen e tipit të ri të kritikut të shkolluar me metodologjinë racionale (sipas René Desacrtes, Le Clerc i cili studimin filologjik të tekstit e bën adekuat për rikonstruimin e domethënies së tij dhe atë përtej dy gjuhëve të atëhershme «zyrtare») lind e ashtuquajtura «critique mondaine» ose kritiku universal (me Michel de Montaignes si idol). Kritikë që nuk shkruan më vetëm në latinisht e greqisht dhe që nuk merret më eksluzivisht vetëm me tekstet e dijetarëve. Ajo angazhimin e saj e përqëndron dhe kufizon tashetutje më shumë në prodhimin aktual të librit dhe novatorja në këtë aksion është: komentimi në gjuhën e popujve. Komentet dhe interpretimet nuk botohen vetëm si libra që shërbenjnë si lektyrë për qarqet universitare, elitore të shoqërisë, por ato botohen qëllimisht nëpër revista duke iu ofruar edhe masave të gjëra. Konkretisht: qëkëtej detyra kryesore e kritikut është komentimi, interpretimi i librave në gazeta, revista! (Atëkohë kjo nuk ka nënkuptuar vetëm intereptimin e letërsisë artistike, por mbarë prodhimit intelektual).
Në shekullin 18 hidhen konturet e para të kritikës letrare si institucion (disciplinë). Tashmë bëhet një paraseleksionim ndërmjet literaturës ndryshe dhe asaj poetike si; poezia, proza, drama etj. Jo në secilën gjuhë e kulturë do të merret një për një koncepti francez (Le Clerc) i kritikës. Në hapësirën anglosaksonike për shembull me «criticism» nënkuptohet shpjegimi i arsyeshëm, sistematik (nën diktatin e të të ashtuquajturit «common sense») i arteve, vlerësimi i veprave dhe teknikave të tyre. Teoria e bazuar në studimet e Ivor Armstrong Richards (1924) dallon nga ajo franceze, e cila për parim ka përvojën estetiko-subjektivo në përceptim dhe vlerësim të arteve, kjo mbitëgjitha praktikon argumentimin dhe arsyetimin logjik në vlerësim e gjykim të letërsisë artistike. Edhe pse René Wellek në librin e tij «Definicionet themelore të kritikës letrare» (1963) ndan Teorinë e Letërsisë nga Historia e Letërsisë dhe Kritika Letrare as ai nuk cënon gjithaq «metodën shkencore të interpretimit të vlerave ».
Nisur nga ky botëkuptim kuptojmë qartë vijën gati të padukshme dalluese ndërmjet shkencës së letërsisë dhe kritikës letrare në këtë hapësirë gjuhësore (anglosaksonike).Edhe sot e kësaj dite «kritika letrare» në botën anglofone është sinonim i «intepretimit shkencor të veprave letrare».
Gjermanët kanë ndarë qartë «shapin nga sheqeri». Me kritikë letrare gjermanofolësit nënkuptojnë tërrësinë e teksteve ose shprehjeve (të lira dhe që mund të jenë edhe subjektive) komentuese, vlerësuese, denoncuese, klasifikuese e seleksionuese mbi letërsinë artistike, të cilat publikohen kryesisht në masmedia, ndërsa shkencën e letërsisë ata e definojnë si: «tërrësi e prodhimit dhe aktivitetit në shkolla, instututet hulumtuese, univerzitetet dhe akademitë». Troç dhe qartë.
Ndarje strikte që në botën romane është e paparafytyrueshme. Është pikërisht përvoja subjektivo-estetike (të cilët e refuzojnë anglezët dhe diferencojnë gjermanët) shtylla kryesore e komentit tradicional prohumanist italian mbi letërsinë. Ndoshta këtu qëndron arsyeja e mungesës së një instance kritike si poeti dhe filozofi dhe profesori Giosue Carducci ose Benedetto Croce në dy gjuhët e përmendura. Argjentinasi «Jorge Luis Borges madje ka përbashkuar veprat e gjitha kohëve dhe zonave në hapësirën e njëkohësisë imagjinative që atje t’i krahasojë dhe vlerësojë ato» (G. Seibt), ndërmarrje që, sipas të gjitha gjasave, po ta bënte i pari ndonjë studiues, kritik anglez a gjerman do të përqeshej si i marrë.

Origjina e kritikës letrare shqiptare

Ashtu si në botën romane (italo-hispanike), në historinë e letrave shqiptare vija në mes «kritikës letrare» dhe «shkencës së letërsisë» është pothuaj e padukshme. Teoriku është kritik dhe anasjelltas. Ose më sinqerisht thënë, deri sot ende nuk është zhvilluar një diskutim konkret qoftë shkencor a medial rreth kësaj çështjeje, prandaj edhe nuk ekziston – përveç ca skicave e fragmenteve studimore aludojnë një njëren apo tjetrën shkollë – një pozicionim i qartë i studiuesve shqiptarë rreth asaj se cili, bazuar në traditën dhe të tashmen autoktone, është dallimi ndërmjet këtyre nocioneve e as që janë hedhur deritani parimet «institucionale» se si duhet definuar njërën, tjetrën apo të dyja bashkë.
«Kritika letrare» ose «teoria e letërsisë» (le ta quajmë si të duam) ka ecur dhe ende ecën sipas binarëve pozicionues të instituteve të huaja, studimet e të cilave kemi mundur t’i përkthejmë në gjuhën shqipe. Në Shqipëri modeli i kritikës letrare është huazuar nga rusët, ndërsa në Kosovë nga gjuha serbokroate (e cila ka qenë një mish-mash i instituteve të Moskës-Pragës-Parisit) e pjesërisht të shkollave frankofone. Kjo është «historia», ndërsa fakti se dhjetë vjetëve të fundit janë përkthyer edhe teori tjera nga gjuhë angleze, gjermane etj. nuk është relavant, për arsye se nga njëra anë ndikimi i tyre nuk duket ende në horizont dhe nga ana tjetër praktika na tregon se në përgjithësi ende (dhe atë me bensikëri) punohet sipas modeleve tashmë të adaptuara.
Po ky «huazim» shumëburimor e bën situatën edhe më konfuze sa i përket identifikimit, orientimit e parasëgjithash konceptimit të kritikës letrare si të tillë dhe pengon në formulimin e saktë dhe të drejtë të kësaj fushe, në përcaktimin se do t’i dallojmë ato ose do të vazhdojmë kështu si deri më tani?

1. Faik Konica

Se kush mund të jetë shqiptari i parë që ka praktikuar formën konkrete të tekstit kritik gjatë kohës kur është shkruar latinisht e greqisht nuk dihet. Ose vetëm mund të supozohet. Studimi i parë që ka të bëjë tërrësisht me letërsinë shqipe është ai i Alberto Stratico-s «Manuale di literatura albanese» (Milano 1896, shqip: Doracak i letërsisë shqipe) i cili megjithatë ka më shumë nivelin prezentues se sa atë vlerësues, ndërsa tekstet e para vërtet kritike (recensionet) shiptare e bartin firmën e Faik Konicës. Tekstet si «Baba Tomori» (1902) për poezinë e Çajupit, «Rreze dielli» (1904) për Asdrenin etj. janë recensionet e para konkrete në gjuhën shqipe. Arsyen e kësaj «vonese» e shpjegon Konica në diskursin e tij «Letërsia shqiptare» (1897) ku thotë: «E gjithë letërsia shqiptare mund të përmblidhet në pesë apo gjashtë vëllime mjaftë të holla». Përveç praktikimit të drejtëpërdrejtë të recensionit si formë intepretimi të veprës letrare, Konica në shkrimin e tij «Kohëtore e letrave shqipe» (1906) e bën një minimanifest për kritikën letrare shqiptare. Në këtë manifest të Konicës vërejmë nga njëra anë «amshueshmërinë» e dilemës rreth përcaktimit ose ndarjes së shkencës së letërsisë nga kritika letrare dhe në anën tjetër përballemi me realitetin e hidhur se në këtë drejtim, edhe sot i kemi po të njejtat probleme si në vitin 1906, ngase edhe 98 vjet më vonë vërejtja e Konicës «Kur del një njeri e më thotë se akësh libër është «fort i bukur», mund të ketë të drejtë, por nuk jam i shtrnguar t’i zë besë fjalës së tija. Edhe një çaush a një dragat mund të presë me hanxharë gjykime të atilla. Kritika është një punë tjetër, dhe ca më e vështirë. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk arrin të këcej a të fryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim...» nuk ka humbur hiçgjë nga aktualiteti i saj.
Padyshim se Konica nuk është zbuluesi i tezave që tenton të «imponojë» nëpërmjet diskursit a manifestit të tij, por vetëm përçues nga gjuhët tjera. Kryesisht nga gjuha frënge, mirëpo me argumentimet që bën duke ftuar shembuj nga letërsia angleze shihet edhe ndikimi nga ana tjetër. Andaj edhe pozicionimi konfuz «kritika letrare është subjektive» e jo «shkencë ku çdo e thënë mund të provohet me «dy e dy bëjnë katër», e cila bie ndesh me atë që Konica kërkon në citatin lartë «...duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit apo çpëlqimit...».
Pse na qenkan të nevojshme përsetë kur çdonjëri mundëka ta ndjejë si të dojë e të shprehë poashtu si të dojë ndjenjat e përfituara gjatë leximit? E mbitëgjitha cila është ajo metodë që do ta detyronte Konicën të jetë objektiv e mos ta merrte në qafë ndonjë autor a vepër edhe në ditën kur ai do të ishte ters, me ndjenja të trazuara a me disponim të keq? Pikërisht ato rregullat shkencore, të ftohta e të definuara që nuk dallojnë shumë nga ai kalkulimi «dy dhe dy bëjnë katër» apo? Këto pyetje bërë Konicës pa hamendje mund t’i parashtrojmë edhe sot, thjeshtë për shkak se përgjigja ende nuk ka filluar të kërkohet si duhet.

Konica është i pari që bën kërkesën pragmatike për një kritikë letrare shqiptare. Se a mund të merret ai (ose rregullat e përkthyera nga frëngjishtja e anglishtja) si themelues (në plotë kuptimin e fjalës) i saj, siç aludon studiuesi Sabri Hamiti, mbetet çështje diskutabile. Ndërsa fakti se Konica është nismëtari i kësaj fushe është i pakontestueshëm.

2. Retrospektiva

Nonda Bulka, Justin Rota, Eqrem Çabej, Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi janë emrat që bëjnë vlerësimet e para mbi letërsinë si të tërrë dhe veprat e veçanta letrare. Edhe pse tek shumica e këtyre emrave, kritika, vlerësimi, gjykimi dhe intepretimi konkret luan rol sekundar e qëllimi kryesor i tyre është prezentimi pozitiv i vlerave të letërsisë shqiptare, studimet dhe vështrimet (ose pjesë të tyre) munden pa dilemë të kualifikohen si kritikë letrare. Disa prej tyre, të shkolluar e formuar nëpër qendra të rëndësishme universitare disponojnë me njohuritë më aktuale rreth vlerësimit dhe gjykimit të artit të të shkruarit. Në këtë kontekst veçohet intelektuali universal e i doktoruar në Vjenë, Eqrem Çabej. Vështrimi i Çabejit «Mbi poezinë e Lasgush Poradecit» (Gazeta e re, 22 shkurt 1929, f.3) dëshmon jo sall për qenien e kritikës (së mirëfilltë) letrare në botën e letrave shqipe, por edhe për integritetin e pavarrur të bartësve të saj. Ata nuk imitojnë parimet e shkollave të njohura mondane vetëm sa për t’i sjellë kulturës shqiptare «diç të re nga perëndimi», përkundrazi, nëse analizojmë dhe krahasojmë shkrimet, studimet dhe tezat e tyre vërejmë se jorrallë përvoja e përvetësuar në katedrat universitare tejkalohet dukshëm.
Synimi është formimi i një kritike letrare që do të përputhej me tipicitetin dhe specifikat e letërsisë së deriatëhershme shqiptare. Parakushtet për të krijuar institucionin e kritikës letrare shqiptare ishin po aq të volitshme si ato që kishin gjermanët, austriakët, italianët etj .
Mirëpo ashtu siç e do «fati i gjorë i të vegjëlve»; sa herë që bëhen gati të festojnë iu ndodhë ndonjë tragjedi. Në krahasim me letërsinë artistike, e cila vazhdonte hovin e saj, kritika letrare do ngec. Ose ajo bën jetë sporadike. Çabej – shpresa më e madhe – i përkushtohet ekskluzivisht gjuhësisë dhe kulturologjisë, intelektualët tjerë që njihnin thellë shkencën e letërsisë dhe letërsinë vetë si Lasgush Poradeci e të ngjajshëm u tërhoqën krejtësisht nga skena. Pseja: ardhja e komunizmit edhe në hapësirat shqiptare. Ashtu si për sferat tjera të jetës shqiptare edhe për letërsinë e kritikën letrare nis një jetë tjetër, ndryshe nga ajo siç e kishin projektuar bartësit e saj.

4. Kritika pseudomarksiste

Gjersa letërsia, duke u lakuar dhe përshtatur sipas situatës e motit nuk ul intensitetin e saj, kritika letrare vazhdon të jetojë hajdutërisht deri në fillim të viteve të 60-ta. Paskëtaj, në Shqipëri fillon kritika ideologjike. Nis proletarizimi i artit.
Kritikë që formulohej në këtë mënyrë:

«...Letërsia e realizmit socialist ka edhe një mbështetje ideologjike të caktuar. Ajo mbështetet në botëkuptimin revolucionar të klasës puntore: në marksizëm leninizëm! Duke pasur në themel të saj këtë botëkuptim, del e qartë vetvetiu se edhe letërsia e re ndeshet me tërë ato rryma, metoda ose shkolla letrare që kanë në thelb të tyre botëkuptimet idealiste dhe reaksionare të klasave të përmbysura. Këtë ndeshje të vazhdueshme me këto klasa e këto ideogji e vëmë re edhe në rrugën e lindjes dhe të zhvilllimit të letërsisë sonë të re». (Historia e letërsisë shqiptare, 1977)
E qartë: Çdo rrymë tjetër letrare – e me këtë dhe çdo kritikë letrare që koketonte me ndonjë model analizimi jashtë oborrit – përpos asaj që bazohet në doktrinën marksiste-leniniste duhej të asgjësohej. Që këtej çdo prodhim letrar do të intepretohet nga këndi ideologjik marksist – leninist. E kjo nuk ishte çorbë e gatuar vetëm nga shqiptarët, por i njejti qëndrim ku më pak e ku më shumë u mor në të gjitha vendet ku orgjitë e cenzorëve fillonin me himin e internacionales.

Madje edhe në Rusi e të mos flasim më për vendet tjera si Çekosllovakia, Hungaria, më vonë pjesë të caktuara të Jugosllavisë (Sllovenia, Kroacia) etj. qarqet letrare e sidomos kritika gjenin mundësitë, që aq sa mundnin të shpëtonin artin nga vënia e tij totale në shërbim të politikës, sistemit, respektivisht diktatorit. Nga ajo luftë e sipër prej modelit primitiv të vlerësimit në baza të doktrinës politike (duke përjashtuar çdo instrument tjetër si jorelevant) të artit u kalua në metodën shkencore materialiste – marksiste, në të ashtuquajturën «Teoria e reflektimit» të realitetit e themeluar nga György Lukàcs. Mund të debatojmë se sa objektive e dëmshme, degjeneruese a fitimprurëse mund të jetë kjo teori, mirëpo nuk mund t’ia injorojmë kualitetet që përmban ajo në segmente të caktuara të vlerësimit. Ajo si metodë është poashtu një formë vlerësimi si të tjerat: previligjon këndvështrimin socrealist gjatë vlerësimit, por megjithatë pa përjashtuar procesin empirik!

Në Shqipëri nuk ecej me kohën. As me kohën e bllokut që i përkiste e lere më me atë jashtë saj. Kritika letrare shërbente klasën politike më me besnikëri se sa «qeni t’zotin». Saherë që ndonjë interpret të humbëte rrugën jashtë oborrit dhe hapaqorras të bënte ndonjë kritikë pa përmendur mëmë partinë dhe burrin e saj deplacohej në logore.

Kur analizojmë «teoritë», «historitë», «recensionet», «studimet» e periudhës 48 – 90 të nënshkruara nga Dalan Shapllo, Koçe Bihiku, Dhimitër Shuteriqi, Klara Kodra, Jorgo Bulo, Razi Brahimi, Jakup Mato e shumë të tjerë nuk përballemi vetëm me një soldateskë ideologjike e të përbetuar (ndryshe ndoshta as që kanë e mundur, përveç se të përfundonin në logore), por edhe me një «elitë» sharllatane, shamateske, pa fije energjie së paku (nëse jo tjetër) për të arrirë të bëjë një kritikë kualitative sipas metodës ortodokse marksiste. Domethënë një kritikë letrare ndryshe nga ajo që kanë bërë; pa fije strukture, rregulla që u përngjajnë interpretimeve të atyre falltoreve (duke përjashtuar zotësinë e parashikimit që e kanë pasur) të kohës së Faraonit.
Se kritika letrare e asaj kohë s’ ka poseduar fije kualiteti shihet kur po të njejtët kritikë – edhe pse kanë pastruar fjalorin e tyre nga partishmëria, heronjtë pozitivë dhe nuk e kanë kokën më nën kamxhikun e diktaturës – shkruajnë tekste: ato nuk janë asgjë tjetër përveç se mozaiqe përsëritjesh, riprodhime fjalësh të autorit pa guximin për të konkluduar apo vlerësuar argumentativisht. Atyre u mungon metoda, ngase atë që ata kanë ushtruar pesdhjetë vjet s’ka qenë e bazuar në ndonjë shkollë me liçensë shkencore, por ka lindur si model për keqpërdorimin e artit në favor të sistemit dhe diktatorit të saj.
Fillimisht edhe në Prishtinë, përkundër se kërkesat e sistemit ndaj kritikës letrare nuk kanë qenë aq të egra si në RPSSH, bëhet vetëm ajo lloj kritike si në Tiranë. Model që, edhe pse më vonë kritikët letrarë të Prishtinës do të marrin udhë të tjera, ka pasur dhe ka ithtarët e vetë. Ndoshta me një masë më të modifikuar dhe përparuar por me thelb të ngjajshëm. Emrat e rëndësishëm të kësaj fryme në Kosovë janë:
Ali Jasiqi, Gani Luboteni, dhe më intensivi Ali Aliu etj. Ky i fundit edhe pse vepër pas vepre zhvillohet (sidomos me përkthimin e studimeve nga serbokroatishtja) në kuintesencë nuk largohet nga formula që ia bën vetes në shkrimin e tij themelor «Angazhimi» (1969). Citat: «...letrari e ka fare të qartë se e vetmja rrugë shpëtimi nga kjo gjendje ...drejt një ardhmërie të lumtur; mandej se shansa ma reale dhe e vetmja për të realizuar këtë besim dhe ideal është doktrina marksiste» dhe ai letrar që bën ndryshe nga ajo që sugjeron Aliu është «...i papjekur dhe nganjëherë edhe menatlitet i sëmurë dhe mikroborgjez». Edhe sot kur mund të spekulohet se kritiku Ali Aliu ka pësuar transformim dhe ka braktisur këtë metodë vlerësimi, nga tekstet e tij nuk mund ta vërejmë këtë gjë, ose po, atë që e vërejmë tek kritikët e tjerë të kësaj «shkolle»: tekstet e tij nuk janë vlerësime, interpretime që zbërthejnë veprat e përgojuara, të pajisura me vlerësime, konkluzione dhe informacion, por më shumë ato kanë karakter autist – biseda me vetveten mbi patosin e autorit.

5. Rexhep Qosja

Historiani, studiuesi dhe romancieri Rexhep Qosja është ai që e krijon kritikën letrare shqiptare dhe ia jep asaj përmasat e «institutit» serioz, të bazuar në parimet universale të vlerësimit. Librat «Kritika letrare», «Episode letrare», «Dialogje me shkrimtarët» etj. janë veprat kryesore ku hidhen themelet e kritikës së angazhuar, pra shembujt e parë se si duhej të dukej kritika letrare.
Qosja dallon nga kritikët dhe teoricientët e tjerë të bllokut socrealist, sidomos sa i përket konceptit teorik të estetikës reflektive që kishte marksizmi ortodoks. Ky nuk e sheh artin thjeshtë vetëm si refleksion të rrethanave shoqërore, përkundrazi, studimet e tija historike, kritika praktike letrare e zhanre tjera të letërsisë ku ai angazhohet, janë një Antithesis e asaj që mbizotëronte ose kërkohej. Më saktë formuluar; kritika e tij aludon në racionalitetin autonom e vetjak të artit e jo në kushtëzimin e paskajshëm të tij me racionalitetin e përvojës shoqërore. Kjo troç dhe shqip do të thotë: Qosja funksionon kundër synimit të idologjisë për të vënë artin në shërbim total të saj dhe atë pa deformuar metodën e analizës dialektiko-marksiste, por duke e hapur këtë metodë (së paku në botën shqiptare) edhe ndaj modernës deriatëherë të refuzuar. Metoda se si vepron Qosja në vitet e gjashtëdhjeta – dhe kjo është interesante – do të «legalizohet» veç më vonë edhe në hapësirat tjera përreth e më gjërë.
Para spekulimit, se Qosja mund të ketë qenë i ndikuar nga neomarksistët apo teoria dialektike kritike e «Shkollës së Frankfurtit» dhe kryevepra së saj «Dialektik der Aufklärung» (1944-47) që ka për autorë Max Horkheimer dhe Theodor Adornon, më bindëse është teza se qëndrimi i tij mund të ketë rezultuar nga përgjegjësia intelektuale që ka ndier ndaj artit e sidomos ndaj etnisë që i takon (të mendojmë në romanin «Vdekja më vjen prej syve të tillë»). Edhe diçka tjetër shkon në favor të këtij konstatimi: estetët e analizës së tekstit sipas metodës ortodokse marksiste refuzojnë kategorikisht artin abstrakt dhe «absurd» modern dhe kapen fortë për realizmit të shekullit 19-të, filozofët dhe sociologët e shkollës së Frankfurtit përqëndrohen më shumë në modernë dhe nuk i përfillin gjithaq teoritë e realizmit. Qosja, ndryshe nga shkollat e përmendura, trajton e analizon në mënyrë të barabartë dhe pa nënvleftësuar ose mohuar (me përjashtime të diktuara nga ideologjia = shih «...Romantizmi») konceptet e realizimit dhe të modernës.
Rexhep Qosja është themeluesi i institucionit «kritikë letrare shqiptare» dhe njëkohësisht bartësi i teorisë neomarksiste e të ashtuqujatur «metoda dialektiko-kritike» në letrat shqipe.

Kritika letrare e Qoses megjithatë nuk do marr përmasat e shkollës. Dhe atë për dy arsye: 1. Ajo nuk përfillet atëbotë nga Tirana dhe 2. Asnjëri nga studentët dhe pasardhësit e tij në Prishtinë e gjetiu nuk arrin t’i afrohet profilit të «profesorit». Ca madje spekulojnë se Qosja ka ndërmarrë gjithçka për të penguar shfaqjen eventuale të ndonjë konkurence, me qëllim që të jetë i pazëvendësueshëm. Nëse shikojmë përtej murreve të këtij spekulimi vërtet habit fakti se ata që kanë ndjekur gjurmët e Qosjes dhe teorisë së tij ose kanë përfunduar në epigonë të zbehtë të tij (me Agim Vincën në krye) ose janë avulluar. Kryesorja; prej tyre nuk ka dalur ndonjë format kritiku me rëndësi relevante.

6.Ibrahim Rugova dhe sabri Hamiti

Dy kritikët Ibrahim Rugova dhe Sabri Hamiti (vitet e 70) nuk i bashkangjiten synimit për të përparuar metodën ortodokse marksiste në favor të lirisë dhe autonomisë të artit. Ata e injorojnë atë komplet. Dhe praktikojnë teori tjera moderne të letërsisë.
Ibrahim Rugova në fillim të veprimit të tij si kritik letrar e deri tek studimi i shkëlqyeshëm «Vepra e Bogdanit – Cuneus Prophetarum» (1982) përdor (jo vetëm, por theksueshëm) metodën hermeneutike. Model që parasëgjithash bazohet në «teorinë e të kuptuarit» të tekstit e që bazën e ka në interpretimet e teksteve të Bilblës që i bëri reformatori gjerman Martin Luter(.......): mënyrë interpretimi që më vonë do të definohet si «interpretimi i botës» nëpërmjet objektit në analizim e sipër (Gadamer: për të kuptuar një tekst, paraprakisht duhet pasur një parafytyrim se ç’është ai tekst, në cilën kohë është e situuar, kush është autori i saj e kështu me rradhë). Në filozofi kjo metodë për pionerë ka filiozofët Wilhelm Dilthey dhe Martin Heidegger.
Robert Elsie në librin e tij «Historia e letërsisë shqiptare» për Sabri Hamitin thotë «si kritik ai ka sjellë nocione dhe koncepte të reja në studimin e letërsisë shqiptare, duke këmbëngulur në një intepretim të pavarur nga proceset jashtëletrare» E njejta gjë, pra, para mund të thuhet për Rugovën ose për të dy bashkë dhe më shumë: Rugova dhe Hamiti janë themeluesit e Hermeneutikës dhe Strukturalizmit në letrat shqipe - për shkak të krijimit (zbulimit) të formulave interpretuese pa të cilat do të përjashtohej tipiciteti dhe natyra e karakteristike e letërsisë shqiptare, nëse këto teori do të merreshin një për një, dy studiuesit e përmendur nuk mund të konsiderohen thjeshtë vetëm si përçues të këtyre metodave nga gjuhët e huaja, siç aludojnë indirekt dhe me gjysëmzë ca kritikë.

Akademik Ibrahim Rugova dhe Akademik Sabri Hamiti - për dallim nga kritikët ideologjikë të Tiranës, të cilët analizën e mbështetshin në luftën e klasave dhe neomarksistët e Prishtinës, të cilët përpiqen të zbulojnë formulën e fekundimit apo ç’fekundimit të reales me imagjinaren dhe anasjelltas – «nuk çajnë kokën» me faktorët jashtëletrarë siç bënin neomarksistët ose nuk vërdallen pa cak e qëllim siç bënin teoricientë të ndryshëm në planin universal për t’i dhënë primatin njërës nga metodat e shumta intepretuese (hermeneutike, biografike, psikanalitike etj), por në këtë aspekt ata bëjnë ashtu siç bënë formalistët rusë dhe përqëndrohen ekskluzivisht në tekstin letrar, të ashtuquajturit «fakt letrar». Themeli i kësaj lloj analize qëndron në pyetjen: Çka e bën një vepër artistike të tillë?

Mëtej metoda e tyre interpretuse shihet se për bazë ka teorinë strukturaliste të Claude Lévi Strauss, Roland Barthes, Claude Bremond, Gérard Genette etj, e të iniciuar nga gjuhëtari gjenevas Ferdinand de Saussure (.......) sidomos me «Cours de lingusitique générale» (në shqip «Kursi i Gjuhësisë së Përgjithshme», përkthyer nga prof. Rexhep Ismajli, Prishtinë 1977).
Strukturalizmi niset nga parimi themelor se fenomenet nuk shfaqen të izoluara, por në lidhshmëri me fenomet tjera. Detyra kryesore e metodës është që të zbulohet kjo lidhshmëri: Fenomenet gjatë shfaqjes së tyre krijojnë një lidhshmëri të strukturuar. Në këtë e sipër struktura konstruohet nga vëzhguesi (intepretuesi) në model. Sipas kësaj teorie, struktura nuk ekziston në nivel të realitetit, por vetëm në nivel të modelit vetë.
Epiqendra e strukturalizmit shkencor është analiza e shemës formale të renditjes së figurave, analiza e kompozicionit rrëfyes dhe domethënieve retorike e figurative në tekst e parasëgjithash – siç u cek më lartë – hulumtimi i letraricitetit specifik në tekstet estetike dhe dallimi nga tekstet e natyrave të tjera.

Duo-ja prishtinase përveç se është shkaktarja e thyerjes së monopolit të kritikës marksiste e neomarksiste (dialektikës materialiste) dhe sjellësja e dy metodave të elaboruara më lartë, ajo siç shihet fut edhe pluralizmin si mundësi të re studimi në «pallatin e institutit të kritikës letrare».

7. Ramadan Musliu

Si kritik i rëndësishëm me stil të vetin, pas këtyre dyve, dalllohet Ramadan Musliu me recensionet e botuara viteve të tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta (pjesërisht të përmbeldhura në librin: «Konfuguracione narrative», Prishtinë 1996) për romanin shqiptar. Analizat diskursive të Musliut janë shembulli tipik se si mund të harmonizohen metodat e ndryshme të interpretimit në një katalog unik vlerësimi.
Interpretimet e Musliut varrësisht nga tema, lënda dhe autori i referohen herë njërës e herë tjetrës metodë vlerësimi e gjykimi. Është kjo mënyrë vlerësimi rezultat i formimit universal të autorit apo aksion i qëllimshëm i tij për të krijuar një «metodë personale vlerësimi» duke përzier suksesshëm elementet e shumë shkollave në një, nuk ka fare rëndësi. I rëndësihëm në këtë plan është efekti i kësaj mënyre intepretimi. Që në kritikën shqiptare shfaqet për herë të parë si e tillë.

Këtë metodë, që tek shumëkush ka dështuar në fazën e eksperimentimit, Musliu (me tekstet e përmbledhura në librin «Konfiguracione narrative») e finalizon dhe «legalizon» si sistem të suksesshëm vlerësimi. Pikërisht për këtë – që nga zanafillat e saja, nëpër baltën e banalitetit ideologjik, në institucionalizimin dhe pluralitetin e saj – metoda e Musliut, që akumulon dhe përbashkon shkollat në favor të një sistemi specifik për vlerësimin e një letërsie poashtu specifike, është me rëndësi shumë të madhe për qenien, zhvillimin dhe studimin e kritikës letrare shqiptare.

8. Të tjerët

Natyrisht se kritikët që përmendëm më lartë nuk janë të vetëm. Numri i autorëve që janë marur dhe po meren me vlerësimin dhe interpretimin e letërsisë është gati po aq i madh sa edhe numri i autorëve të gjinisë më të përhapur ndër shqiptarë – ai i vjershëtarëve! Përveç brigadës së sporadikëve ekziston edhe ajo e atyre që janë marë ekskluzivisht me këtë «zanat» të përvetësuar nga mjeshtër të ndryshëm, por pa lënë gjurmë të dukshme, pa sjellë ndonjë praktikë të veçantë studimi e analizimi të arteve.

Tashmë të përballur me këtë aksiomë, me këto informacione ne nuk mund të shesim poza duke mohuar ekzistencën e institucionit të kritikës letrare, por mund të debatojmë për zhvillimin e saj qëkëndej e tutje, pozitën, gjendjen dhe rëndësinë saj aktuale. Me rëndësi kapitale në këtë kontekst është që të dijmë se cilat janë funksionet qenësore të kritikës letrare në kushtet e së sotmes. Çka e arsyeton ekzistencën e saj?


Flori Bruqi

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...