“Emri shqiptar më bën të ndihem krenar!”
Agim Bacelli
Agim Bacelli tashmë nje emër i njohur dhe i afirmuar jo vetem në Shqiperi,por dhe në Amerike, ka filluar të krijojë që në moshën 7-8 vjeçare. Poezia e tij e parë është bërë kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Një tërmet i fortë në Korçë në 24 korrik 1964 do të tronditëte Shqipërinë, Maqedoninë dhe sidomos Dibrën. Humanizmi, përkrahja që i bën populli ynë njerëzve të dëmtuar nga tërmeti i jep frymëzimin për t’ju kushtuar poezinë “Ju flet Dibra”, botuar në gazetën Zëri i Popullit.
Frymëzimin për të shkruar e gjen të lidhur ngushtë me fantazinë,e cila merr vlera të mëdhaja, se edhe vetë dituria, që të rinon, të zbukuron, të bën mbret dhe perandor, të bën të fluturosh pa krahë e të lundrosh pa pendë, të bën t’ja kalosh shpejtësisë së dritës e të mposhtësh postulatet e shkencëtarëve më të mëdhenj të botës. Guximin e gjen duke krijuar poezi, tregime, publicistikë, histori, gjeografi, muzikë. Pasionin për të krijuar e krahason me gruan më të bukur që e dashuron, së cilës i vlerëson, më shumë bukurinë shpirtërore se atë fizike dhe i jep zemër, forcë e muzë, të hyjë në zemrat e atyre që nuk të afrojnë te pragu i derës. Kur mbaron së shkruari një poezi a tregim, ndihet i kënaqur , krenar , tamam si ai arkitekti që sapo ka përfunduar një ndërtesë të bukur dhe i gëzohet shumë. Shpesh fle e zgjohet me krijimet e tij. Është shumë i dashuruar, plot pasion pas të shkruarit e të rëmuarit në histori.
Ky është shkrimtari ,publicisti dhe poeti ,Agim Bacelli. I lindur dhe i rritur,në qytetin e Korçës që nga viti viti 1951. Pas mbarimit të shkollës së mesme ,vazhdoi studimet e larta në Akademinë e Aviacionit .Ka shërbyer në bazën ajrore të Rinasit dhe atë të Zadrimës .Ka mbajtur gradën major deri në lirimin ,e tij në vitin 1995. Po në këtë vit, emigron në SHBA ,me familjen .Sot jeton e punon në qytetin e NEW YORKUT.Njohës i mirë i teknollogjisë kompjuterike ,informatikës ,e bëjnë të kalojë me orë të tëra ,duke kërkuar e rrëmuar në arshivat e historisë dhe kulturës jo vetëm të popullit shqiptar por edhe të kulturave të popujve të tjerë.Themelues i shumë forumeve ,ëebsiteve dhe listave virtuale shqiptare në internet ,ku kontributi i tij ,në të shkruar nuk njeh kufij .Një krijues universal ,i të gjitha zhanreve . Ja një vlerësim për poezinë e Agimit nga gazetari,Resmi Çorbaxhi: Poezitë e Agimit janë si petalet e një luleje shumë të bukur …Petalet hodhën rrënjë në atdhe dhe shpërthyen në një kontinent tjetër,rrugëve të një qyteti ,që kurrë nuk fle,e më të medhenjtë e botës ,New York-u, çdo petal ,një lidhje,e çdo lidhje një mendim ,një mesazh.Herë-herës nëpëmjet tyre shpirti i poetit rebelohet ,herë zbutet.Mbi të gjitha petalet kanë një mesazh, Të qënurit njeri i mirë! Por për të ditur më shumë rreth Agimit dhe veprimtarisë së tij ,këtë do na i thotë vetë ai ,nëpërmjet kësaj bisede ,që ne bëmë bashkë!
Amerika kjo tokë e mundesisë!
1- Së bashku njihemi prej 25 vjetësh. Ishte njohja jonë apo modestia Juaj, që më “munduat”, për t’ju marrë një intervistë?
AB-Në radhë të parë dua t’ju falenderoj sinqerisht juve dhe gazetën Tirana Observer për mundësinë që më dhatë për të shprehur publikisht dy fjalë për krijmtarinë time të cilën e bëj për herë të parë.
Më ka rënë rasti që disa miq gazetarë të më kërkonin një intervistë por nuk kam pranuar dhe nuk e di sesi ju ma mbushët mendjen ta bëj këtë gjë! Me që u dorëzova tek ju, më duhet t’ju kërkoj të falur gjithë atyre që provuan të më intervistojnë dhe nuk mundën. S’jam mëndjemadh por jam i ndrojtur, i heshtur, s’më pëlqen buja, zhurma dhe mbi të gjitha mburrja. Po përse të mburrem? Vij nga fshati nga një fis ku, përveç tim eti, asnjë nuk dinte shkrim dhe këndim. Ardhja ime në qytet më zgjoi ëndërrat e fjetura, dëshirat, qytetrimin e lashtë…
2-Jeni një krijues shumë prodhimtar, në të gjitha zhanret e letërsisë, në publicistikë, dossier, historik, poezi, tregime. Si e gjen kohën Agimi të punojë por edhe të krijojë?
A.B. Krijmitaria letrare është e vetmja armë që mposht kohën. Duke shkruar mund të shëtisësh lirshëm në të shkuarën, në të tashmen dhe në të ardhmen dhe unë kam dëshirë ta bëj këtë gjë. Kjo është arësyeja që unë gjithmonë kam kohë pasi koha është në funksionin tim.
3-Ju jeni një emër i dëgjuar. Ne ju lexojmë vazhdimisht, në shtypin shqiptar në Shqipëri e Diasporë, edhe pas ardhjes në SHBA. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?
A.B.Shkruaj vazhdimisht, pa pushim, vetëm për pasionin që kam për të krijuar, pa asnjë lloj piksynimi që të botoj, të bëj libra apo të bëhem i njohur dhe i pasur. Ndoshta kjo duket pak e çuditëshme për kohën që jetojmë. Kur ja kam thënë dikujt, s’më ka besuar. Shumicën e shkrimeve të mija i kanë botuar të tjerët dhe jo unë, si psh ju Zonja Moisiu.
Ardhja në Amerikë ka bërë që unë të kem mundësinë të botoj disa libra të cilat dua ti le si kujtim jo vetëm të emërit tim ,për fëmijët e mij,por mbi të gjitha diçka nga vetja ime që do të vazhdojë të jetojë edhe kur unë të mos jem më.
4-Ju jeni anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të qytetit tonë Korçës por edhe të Shqipërisë? Diçka rreth aktivititetit e krijimtarisë suaj në atdhe.
A.B.Kam lindur për të shkruar nëse e shkruara trashëgohet në gen. Gjyshi dhe babai im shkruanin dhe lexonin shumë në një mjedis analfabet. Jam me fat.
Kam qënë anëtar i rrethit letrar të qytetit të Korçës qysh në moshën 16 vjeç. Nuk mungoja kurrë në asnjë takim të shkrimtarëve të Korçës. Isha i urtë, zinja një qoshe dhe përpinja gjithëçka që thuhej atje, më pas, ato i diskutoja mes moshatarëve të mij të cilët më dëgjonin me shumë vëmendje sepse atyre u sillja mendimet e shkrimtarëve dhe poetëve korçare me emër në Shqipëri si Dritëro Agolli, Sotir Andoni, Petraq Zoto, Teodor Laço, Miço Kallamata, etj. Në fillim shokët e mij më quanin me shaka gënjeshtar por më vone filluan të më quajnë po me shaka shkrimtar.
Në Konferencën e Parë Letrare të Shqipërisë, Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve në Korçarë, më nderoi duke më dërguar delegat në atë konferencë në Nëntor të 1969.
Sot jam anëtar i Klubit Shkrimtar “Bota e Re” të shkrimtarëve korçarë, njëkohësisht jam dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
5-Ndryshimi midis atdheut dhe mërgimit?
A.B.I’m an immigrant and I like to write about America and my country,Albania too.There is no defference between them .I live in both countries..
Kjo pyetje është e pa specifikuar pasi mërgimi në vende të ndryshme është i ndryshëm. Unë jam emigrant në Amerikë që e urrej shumë fjalën emigrant. Këtu në SHBA nuk ndihet shumë ndryshimi midis vendit të lindjes dhe vendit të banimit pasi Amerika gjithëkujt i bëhet një atdhe i dytë.
Theodor Roosvelt pati thënë, “Çdo emigrant që vjen këtu i kërkohet që në pesë vjet të mësojë anglishten ose të lerë Amerikën.” E tha këtë pasi kishte parasysh që të gjithë emigrantët duhet të ndiheshin amerikanë prandaj dhe unë e nisa këtë përgjigje në anglisht.
Le të marr një shëmbull tjetër më kuptimplot. Arnold Schwarzenegger, një i ri austriak erdhi në Amerikë në moshën rreth 20 vjeçare, këtu ai u bë i famshëm, një artist i madh dhe së fundi një udhëheqës i madh. Ai për këtë gjë na thotë, “Të dashur amerikanë, ky është një moment i çuditshëm për mua. Një djalë që vjen nga Austria dhe bëhet guvernator i Kalifornisë duke qëndruar këtu në Madison Square Garden e flet përkrah Presidentit Amerikan, është një ëndërr emigranti. Po kjo është një ëndërr amerikane.”
Amerika të bën amerikan prandaj shumë shkrimtarë emigrantë shkruajnë per Ameriken por, Amerika, njekohësisht të ndihmon ta ruash identitetin kombëtar dhe nuk është xheloze për origjinën e gjithëkujt siç janë disa vende europiane.
6- Poezia juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritikët . Çfarë mund t’ju ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja juaj?
A.B.Sekreti më i madh për të gjithë poetët është fjala e duhur dhe përdorimi i vetëm një fjale kur nuk duhen dy.
Poezia, mendoj, është si mjalti, është rezultati i një mbledhje të nektarit në shpirt dhe derdhjen e tij të pastër në vargje ashtu siç bën bleta në hoje. Nëse nuk ke mbledhur asgjë, mos u shtërngo të nxjerrësh gjë!
Nuk është vendi këtu që të bej një kritikë letrare rreth poezisë por dua që të gjithë atyre që krijojnë poezi t’u them se poezia e sotme, në përgjithësi, vuan nga një gjë e përbashkët, nga mungesa e ideve dhe rendet vetëm pas metaforave. Ka poezi me nivel të lartë artistik të cilave ju mungojnë idetë që duhet t’ju transmentohen lexuesve. Kësaj gjeje, unë jam munduar ti shmangem dhe pres që të ma thonë lexuesit sesa ja kam arritur qëllimit.
7- Profesioni i Juaj është aviator ,biles ushtarak ,ku ju gëzoni edhe një gradë, mos gaboj ju keni qënë major, kur filloi poezia dhe krijimtaria të trokasë në shpirtin tuaj? Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?
A.B.Fillimisht kam studiuar për pilot më pas për teknik avioni në Akademinë e Forcave Ajrore. Kam mbajtur kualifikimin më të lartë në teknikën luftarake dhe jam munduar të punoj me përkushtim. Me këtë rast dua të them diçka që s’mund të rri dot pa e thënë për aviatorët shqiptarë, nëse intervista do ta ma lejonte?
R.M. – Me gjithë dëshirë.
A.B.Për mua, të gjithë aviatorët shqiptarë; pilotë, teknikë, specialistë, janë heronj të vërtetë. Jeta ime me e mirë ka qënë ajo mes këtyre heronjëve të gjallë dhe të bukur pamvarsisht nga kushtet e rënda që kishte krijuar sistemi monist. I kujtoj, i dua dhe kam mall për tërë ata miq e shokë në Forcat Ajrore që sakrifikuanë gjithëçka për një ideal të lartë, mbrojtjen e hapsirës qiellore shqiptare. Atyre u kushtoj një libër me tregime të gjalla nga jeta.
Këtu dua të përmend dhe një gjë, ishim ne aviatorët e Rinasit që e mbrojtëm Ismail Kadarenë për romanin “Dimëri i Vetmisë së Madhe” kur Partia e Punës na mobilizonte që ta kritikonim! Kjo qe një sfidë e madhe për partinë që na quante “Krahët e Hekurt” të saj.
Kam shërbyer në Bazën Ajrore të Rinasit dhe më pas atë të Zadrimës. Gjatë tërë kohës jam marrë me krijmtari duke qënë zv. kryetar dhe më pas kryetar i Rrethit Letrar të këtyre dy Regjimenteve Ajrore. Kam qënë korespodent i revistes “10 Korriku” dhe gazetës “Luftëtari” organe të shtypit ushtarak që vareshin nga Drejtoria Politike e ushtrisë. Ç’është e vërteta, regjimi komunist na shtynte të krijonim por nën kontroll të rreptë.
8-Ju keni një pene analitike që të befason nga stili si ju i trajtoni çështje të rëndësishme të jetës shqiptare? Ç’mund të na tregoni për të?”
A.B.Gjëja më e bukur në stil është të kesh një komandë në metaforë dhe dashuri në shpirt.
9-Ju jeni një “eksplorues” në historinë e popullit tonë.Reportazhet dhe publicistika e Juaj sjell figura që kanë bërë emër në botë si Ibrahim Pasha……. , por edhe figura që vazhdojnë të bëjnë emër. Po aq të bukura janë edhe poezitë e tua, që kanë brënda dhimbjen, mallin dashurinë, humorin e spikatur . Cila është gjinia juaj më e preferuar?
A.B.Talent për të shkruar historinë kanë shumë njerëz por ata që kanë guxim mendoj se janë shumë pak. Guximi më ka futur në aventurën eksploruese të historisë së popullit tonë pa qenë historian i mirëfilltë…
Historia e popullit tim më pëlqen shumë. “Eksploroj” kudo në botë që flitet dhe shkruhet për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jam befasuar me ato që kam gjetur. Vendet e Mesdheut janë mbushur plot e përplot me mbretër, kryeminsitra, ministra, princër e princesha me gjak shqiptar….siç ka qënë Gjenerali Ibrahim Pasha. A mund të rrijë sehirxhi njeriu kur ndeshet me shqiptarë të mëdhenj që ndriçojnë kaq me ëmbëlsi sa ti s’mund ti mbyllësh dot sytë?!
Parapëlqej tregimin e shkurtër pasi sot njerzit s’kanë kohë të lexojnë gjatë.
10-Ne vijmë nga një qytet të dy: Nga Korça e blireve dhe serenatave. Por mbiemri Bacelli apo bejlerët Bacellinj ,një emër i dëgjuar në historikun e qytetit tonë . Kush janë rrënjët e origjinës së Agimit?
A.B.Është një libër i përfunduar nga im atë rreth Bacellinjve që unë e zgjerova. Babai tregon rrënjët e bacellinjëve të cilët nuk kanë qënë bejlerë e agallarë por luftëtarë, mullixhinj, bujq dhe gjahtarë të mirë. Origjina është nga fshati më jugor shqiptar me emërin Molla e Kuqe emër të cilin e përmend dhe Homeri tek Iliada. Sot fatkeqësisht ky fshat gjëndet brenda Greqisë me një emër të ndryshuar.
Me këtë rast dua të përmend babanë tim, Adem Bacelli, me të cilin krenohem pasi ka qënë me të vërtetë një mësues enciklopedist i imi. Ai ka qënë një fshatar i urtë, i ditur, i dashuruar pas historisë dhe lavdisë shqiptare. Prej tij mësova të krijoj dhe prej tij mora shtysën të “eksploroj” historinë e pashkruar shqipe. Ai dinte me qindra histori të vjetra dhe recitonte vargje pa fund. Im Atë dinte përmendësh Iliaden dhe Odisenë kur këto vepra nuk ishin përkthyer në shqip. Ai ishte një Bej në dituri.
Ndërsa origjina nga nëna është shumë domethënse për mua si Korçar. Mytevelinjtë e Korçës, (pasardhes direkt të Iliaz -Ilia- Bej Mirahorit,themeluesit të Korçës) dhe nena ime, në brezin e shtatë, puqen bashkë në Panarit, tek Petro dhe Ilia Panariti (Iliaz bej Mirahori).
11-Çfarë ju lidh me qytetin e Lezhës?
A.B.Lezha është qyteti ku unë ndërtova familjen, u bëra baba, ku kalova pjesën më të bukur të jetës sime me gëzimet dhe shqetësimet e saj. Atje zura shumë miq dhe shokë me të cilët kam ngelur i lidhur për tërë jetën. Lezhën e dua po aq shumë sa edhe Korçën.
12-Çasti më i vështirë dhe me i lumtur në emigracion?..
AB.Vetë emigracioni është një gjë e vështirë e cila, ashtu si çdo gjë që ka të kundërtën e vet, ka edhe ajo lumturinë e saj. Çaste dhe momente të vështira apo të gëzuara, jeta ime në emigrim, ka plot dhe unë nuk di ti veçoj.
13-Dashuria më e madhe per ju?..
A.B.Është ajo e nënës sime për mua dhe tani dashuria ime për fëmijët e mi.
14 -A urren Agimi?
A.B.Nuk urrej kurrë. Njeriu që urren të tjerët nuk u bën keq atyre por vetes pasi akumulon urrejtje në shpirtin e tij dhe si pasojë shpirti mbushet plot helm. Por nëse urrejtja lind tek të tjerët për ty, është më mirë që të urrehesh për atë që je sesa të dashurohesh për atë që nuk je por kurrë t’ju kthesh urrejtjen të tjerëve.
15- Ju jeni një mjeshtër i SHORT STORY, (tregimit të shkurtër). Diçka rreth kësaj gjinie të letërsisë, e preferuar nga Ju? A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ia shihni apo ndjeni gjurmët në këto tregime?
A.B.Të shkruash sa më pak dhe të tregosh sa më shumë kjo është deviza e tregimit të shkurtër që unë pëlqej.Tregimi i shkurtër është një metaforë që tregohet kryesisht për të sjellë artistikisht moralin e fabulës. Për mua tregimtarët më të mirë janë Anton Çehovi (Anton Çekhov) dhe Gi de Mopasani, (Gi de Mopasanas).
Jeta më ka servirur shumë fakte dhe ngjarje….Vetë jeta ime ka qënë shumë e larmishme, mbushur plot me histori të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme që s’mund të rri pa i shkruar.
16-Autorët Tuaj të preferuar të huaj edhe shqiptarë dhe disa mendime rreth letërsisë narrative?
A.B.Homeri, Chehovi, Gi De Mopasan, Hygo, Kadare, Fishta, S.Andoni, etj.
Lexoj më shumë në internet shkrimet e Vangjush Zikos, Murat Gecajt, Vullnet Matos, Petraq Zotos, Thani Naqos, Ziko Kapuranit, Përparim Hysit, Kostaq Dukës, Raimonda Moisiut, Skëndër Rusit, Luan Xhulit, Iliriana Sulkuqit dhe të gjithë antarët e nderuar të Klubit Korçar « Bota e Re ».
Shikoj me keqardhje se disa shkrimtarë shqiptarë përpiqen të bëjnë Monumentin e tyre të Lavdisë në Letërsinë Shqiptare. Letërsia narative nuk duhet të ngatërrohet me epigonizmin duke vënë në qendër jetën personale të autorit. Letërsia, edhe nëse autori ve jetën e vet, duhet patjetër që ajo të jetë përgjithësuese e shumë jetëve të të tjerëve, ndryshe quhet thjeshtë biografi. Ndërsa poezia e pranon epigonizmin pasi merr kuptim përgjithësues edhe nëse autori flet në vetën e parë dhe për vete…Shkarja e autorit në punën cfilitëse për të ngritur Monumentin e Lavdise personale i ngjet punës raskapitëse të Sizifit. Kur ai të mendojë se ky monument është ngritur dhe bën të largohet i kënaqur për tu shlodhur, monumenti do të qëllohet nga qiejtë me anën e një meteori, hedhur nga Dora e Drejtësisë Qiellore dhe Lavdia do të kthehet pluhur e hi.
17 – Endërra e juaja e parealizuar?
A.B.Në moshën time s’ka më ëndërra të parealizuara pasi njeriu bëhet më realist. Ëndrrat e rinisë kanë ngelur të kyçura dhe çelsi ka humbur…
Ndërsa dëshira kam shumë dhe deshira më e madhe është të shoh bashkimin e shqiptarëve në trojet e tyre.
18 -”Bukuri tredimensionale,” Këtë libër tuajin që unë mund ta pagëzoj një nga më të bukurit që kam lexuar deri tani, ç’mund të na thoni rreth ketij libri?
A.B.Ju falenderoj për vlerësimin. Mendoj se në poezitë e këtij libri jam përpjekur të ketë dritë-hije sa më shumë të cilat bëjnë të mundur që poezitë të duken të bukura gjithësesi. Poezia, njëlloj si piktura, zbukurohet nga ravijëzimi i dritës që ndryshon ndriçimin në vartësi të idesë.
Libri përmbledh poezi qysh nga rinia ime dhe deri në fund të shekullit të kaluar dhe përmban disa kapituj me tema të ndryshme si Besimi, Dashuria, Miqësia, Përkthime dhe disa të tjera. Mendoj se kam trajtuar tema interesante edukative dhe iu kam kushtuar shumë pak rëndësi metaforave të cilën gjë e kam ndrequr pak tek vëllimi i dytë poetik “Në çarkun e puthjeve” …
19-Keni shumë miq këndej e andej kontinentit, të hershëm e të rinj, cili është sekreti i këtyre lidhjeve?
A.B.Zoti mos na lentë pa miq e shokë.
Sekreti i të paturit miq e shokë është tek mendimet dhe pasionet e përbashkëta dhe në mes tyre, zemëra e mirë së bashku me teknologjinë moderne të komunikimit. Këto gjëra së toku, kanë bërë që ne ta ruajmë dhe forcojmë respektin dhe dashurinë për njëri tjetërin.
Nuk është e lehtë që të zesh miq e shok por është e veshtirë ti mbash ata.
20-Ju keni botuar një libër nën titullin ” This is America (Kjo është Amerika.) Çfare keni pasur si ide në momentin që ju bëtë këtë libër dhe cili është mesazhi që transmetoni nëpërmjet këtij libri?
A.B.Amerika, kjo ëndërr e tërë njerzve të vuajtur e të shtypur të botës është kthyer në një aventurë e gjallë të cilën sot përpiqen ta jetojnë jo vetëm të shtypurit dhe të varfërit e botës por edhe miliardërët e saj. Por ka edhe nga ata të varfër që vijnë këtu dhe befasohen, zhgënjehen, tronditen rëndë dhe ngelen në rrugë të madhe pa krye. Një ndër ata është dhe Tota, (një histori e vërtetë në këtë liber) gruaja e bukur kurajoze me anën e së cilës kam dashur që t’ju them shqiptarëve se, Amerika nuk ti zgjidh problemet e tua, ajo që i zgjidh ato është vetëm puna jote.
Nëse më lejohet, dua të shtoj diçka?
R.M. – Megjith qef.
A.B. – Këtu në New York City është një ishull në të cilin gjëndet Ellis Island Immigration Museum, (gjëndet shumë afër Statujës së Lirisë) dhe në hyrje të muzeumit janë shkruar këto fjalë të një emigranti italian, “Para se të vija në Amerikë, kisha dëgjuar se atje mund ti mbledhësh paratë me lopatë rrugëve. Kur erdha, pashë se vërtetë lopata më priste por me një ndryshim, jo që të mblidhja para por ti shtroja ato rrugë…”
Mesazhi që kam dashur të transmetoj tek ata që do ta lexojnë këtë libër me tregime është se, Amerika është bërë vetëm me punë e sakrifica. Është vetëm puna ajo që s’të tradhëton kurrë dhe vetem me anën e saj mund ta ndërtosh Amerikën edhe në majë të Himalajeve.
21-Ka shumë shoqata shkrimtarësh si në SHBA, apo në vende të tjerë të Europës, ku jetojnë krijues shqiptarë, si ju duken këto bashkime?
A.B.Në emigracion ndihet shumë vetmija prandaj dhe shkruhet më shumë pasi shkrimet të bëhen miqtë më të mirë.
Mendoj se dëshira e shqiptarëve shkrimtarë për tu bashkuar është shumë e madhe por kur bashkohen, disa edhe grinden e largohen. Kjo ka sjellë dëme në shoqata. Megjithatë, mendoj se Mali i Deborës nuk shkatërrohet nga orteqet e tij.
22-Ju jeni themelues dhe moderator i shumë forumeve ,ëebsite-ve dhe listave virtuale në internet,në mënyrë të veçantë i Forumit” Memedheu”, forum të cilit ju i keni dhuruar shumë, si me krijimtari ashtu edhe me komunikim që në ditën e themelimit. Ç’mendim keni për këtë Forum dhe a keni ndonjë sugjerim për organizimin apo pasqyrimin e krijimtarisë në këtë blog.
A.B.Ishim një grup fare i vogël shqiptarësh në vitet 1998-1999 që ja nisëm themelimit të listave dhe forumeve për bashkëbisedimin e shqiptarëve në internet nga tërë bota. Ju lutem më lejoni që ti përmend inisiatoret e parë që janë Alvin Ekmeciu, Albana Mëlyshi (Lifschin), Merita Bajraktari (McCormack), Ëngjell Koliqi dhe unë. Më pas u shtuan të tjerë si Petraq Pali, Lek Gjoka, Gjergj Dollani, Olsi Jazenxhi, Artan Mezini, Niko Qafoku, Gëzim Marku, etj., sot pa fund.
Së fundi, nën drejtimin e z. Ylber Merdani, Kryetar i shoqatës së shkrimtarve korçarë, po punojmë së toku me Kostaq Dukën, Vangjush Zikon dhe Istref Haxhillarin për të mbledhur të gjithë krijuesit korçarë dhe miqtë e tyre në një listë bashkëbisedimi. Kemi 3-4 vjet që kjo gjë ka filluar punën dhe deri tani ka shkuar mirë por ka akoma për të bërë pasi disa krijues korçarë nuk dëgjojnë ti bashkohen të vetmes shoqatë të vërtetë shkrimtarësh siç është “Bota e Re”. Shpresojmë që kjo gjë të arrihet së shpejti.
R.M. – Më fal që ju ndërpres, dua të di sesi lista juaj “Mëmëdheu” u bë Top Lista në internet?
A.B. – Ka qënë një sekret që e kam mbajtur brenda meje pa e treguar asnjëherë dhe ja sot po e tregoj.
Forume dhe lista krijoheshin për ditë në internet dhe të gjitha dështonin pas disa ditësh ose muajsh. Shqiptarët që përdornin internetin, në mënyrë arbitrare u vidheshin e-mail-adresat dhe regjistrioheshin pa u pyetur nëpër këto lista-forume! E-mail-box-et e tyre mbusheshin plot e përplot dhe ata kishin gjetur belanë, nuk guxonin ta hapnin internetin se ndiheshin të sulmuar nga mesazhe të panumurta. Shumica as që kishin idenë se ato mund të ndaloheshin. Kjo gjë, i shpuri vjedhësit në humbje pasi shqiptarët filluan të kuptojnë sesi të mbrohen.
Unë ndoqa një rrugë tjetër, tepër origjinale dhe të ndershme. Nuk desha të imitoj kërkënd. Imitimi s’më pëlqen. Është më mirë të dështosh si origjinal sesa si imitues. Regjistrova tek “Memedheu” miqtë dhe shokët e mij besnikë për të cilët e dija se nuk më largoheshin, pastaj krijova rreth 50 pseudonime që i bëra “ortakë” në krjimtarin time. “Ne të 50-et” filluamë të shkruajmë për ditë shkrime tërheqëse dhe sidomos njoftime të bukura, kuriozitete, gjë a gjëza, krijime letrare, etj. Në atë kohë unë shkruaja mesatarisht rreth 30-40 shkrime në ditë!! Ka që s’më besojnë por ata që kanë punuar me mua në ato kohë e dinë pasi e kuptuanë më vonë. “Mëmëdheu” jepte përshtypjen që ishte një listë e gjallë dhe shumë e suksesshme. Shqiptarët, të cilët gjuanin forume dhe lista, ku të kishte sa më shume shqiptarë, vinin vetë tek “Mëmëdheu.” U bëmë rreth 500 shqiptarë, atëhere suksesi qe vërtetë i garantuar dhe në këtë kohë unë së bashku me Meritën dhe Lekën të cilët ishin moderatorët e “Memedheut” filluam të bëjmë ftesat e para për të rritur numurin e anëtarëve. Brenda disa muajsh numuri arriti në 1500 anëtarë nga e tërë bota. Atëherë unë u ndjeva shumë i kënaqur. Qëllimin, për ti bashkuar shqiptarët në një listë bashkëbisedimi, e kisha arritur, atëhere e dorëzova detyren e oëner-it duke i bërë Lek Gjokën dhe Merita Bajraktarin, pronarë. Ngela moderator i “Memedheut” dhe disa listave dhe forumeve të tjera shqiptare duke shpëtuar nga një punë sfilitëse që më pëlqente por edhe që më hante shumë kohë.
Nuk kam asnjë lloj sugjerimi për ata që drejtojnë listat dhe forumet sot, pasi ata e kryejnë punën edhe më mirë nga unë.
23-Çfarë po shkruan Agimi tani?
A.B.Kam përfunduar shtatë libra për të cilat tani për tani nuk kam asnjë mundësi botimi. Librat që janë gati ose pothuaj se gati janë; 1-Tregime të vërteta nga aviacioni luftarak shqiptar, 2-Ibrahim Pasha-Kryekomandati me origjinë shqiptare që mposhti Perandorinë Turke dhe u tërhoq nga pushtimi i saj. 3-Një libër biografik. 4-Një libër me poezi. 5-Një libër me tregime. 6-Publicistikë dhe 7-Gruaja më e bukur, kushtuar Fevizia Shirin, stërmbesa e Mehmet Ali Pashës.
24- Një pyetje paksa delikate: Si ju duken përpjekjet e politikës ndërkombëtare, asaj shqiptare e kosovare e në Diasporë për çështjen e Kosovës e në përgjithësi për çështjen kombëtare shqiptare?
A.B.Jam shumë i zhgënjyer me diplomacinë shqiptare. Më vjen keq ta them por Shqipëria dhe Kosova nuk kanë diplomatë por “yesmen”. Për çështjen kombëtare duhen dëgjuar vetëm ata që të duanë dhe të ndihmojnë, të tjerët duhen kundërshtuar pa frikë se po bën ndonjë gabim dhe turpërohesh. Turpërimi më i madh është të jesh skllav i të huajit.
Jemi të ndarë në pesë shtete jo vetëm për fajin e të tjerëve por mbi të gjitha për fajin tonë.
Zëri i diasporës për këtë problem bie në vesh të shurdhët.
25-Duke ju referuar penës Tuaj analitike, ç’mendoni për hapjen e dosjeve?
A.B.Më vjen shumë keq por tash është shumë vonë, pasi ata që ishin për tu gjykuar, sot kanë marrë pushtetin politik dhe ekonomik në Shqipëri. Hapja apo mbyllja e dosjeve është një tallje e klasës politike shqiptare ndaj popullit shqiptar.
26 -A do kthehet Agimi ndonjë ditë në Atdhe!
A.B.Unë jam në Atdhe pasi jetoj çdo vit si në Amerikë dhe në Shqipëri.
27-Si një autor i disa librave dhe i shumë shkrimeve analitike dhe publicistike, cili është mesazhi i juaj për krijuesit në Diasporë, në veçanti për krijuesit debutues te rinj, për ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombëtar?
A.B.Shoh me keqardhje një ndarje jo të mirë të krijuesve në diasporë; në ata të vjetrit, ish- shkrimtarët e poetët e realizmit socialist nga njëra anë, dhe nga ana tjeter, talentet e reja, ish – të persekutuarit dhe kundërshtarët e regjimit komunist. Këta dy grupe nuk shkojnë mirë me njeri tjetrin. Fajtorë sigurisht janë të parët. Disa nga krijuesit e vjetër ndihen xhelozë, nervozë dhe luftojnë që të rinjtë (debutantët) të ngelen vetëm të rinj. Shoh talente të reja që rriten e lartësohen për ditë duke i sfiduar ata. Dëshiroj që grindja të nderpritet dhe t’ja lerë vendin respektit të lirë e të ndërsjelltë, ku të vjetrit duhet të mburren me te rinjtë duke jua lënë atyre në dorë lavdinë e stafetës së rritjes dhe ruajtjes së vlerave kombëtare në kushtet e reja të krijuara.
R.M. Ju faleminderit dhe Suksese në krijimtarinë Tuaj!
A.B. Ju faleminderit juve.
Intervistoi Raimonda Moisiu
- See more at: http://www.devolli.net/enciklopedisti-eurudit-shqiptar-agim-bacelli-ne-amerike.html#sthash.shH4xNtg.dpuf