2011-01-02

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon…apo Thani Naqo ndryshe....




Poeti i mirënjohur shqiptar z.Thani Naqo ka lindur në vitin 1953, në Ziçisht të rrethit të Korçës. Ka mbaruar fakultetin Ekonomik dhe është specializuar për skenarist i filmit artistik pranë Institutit të Lartë të Arteve, Tiranë. Ka botuar këto libra me tregime dhe novela : “Shtëpia e përgjumur”- 1977, “Kabina e kuqe” -1985, ”Vatra njerëzore” -1987. Ka shkruar skenarin e filmit artistik “Përsëri pranverë” -1985, romanin grotesk “Përgjumje iluzionesh” -2006, librin me lirika “Fate paralele” -2007 , “Çapkënet e mëhallave të botës”-2008,"Simfonitë e stinëve "(2009);"Murmashët"(Demonët bëjnë sikur flenë),2010. Ka fituar disa çmime gjatë viteve, në konkurset letrare mbarëkombëtare. Para një muaji fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar për shkrimtarët dhe letrarët në Diasporë nga Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë, për poezinë me titull: “Këmbëzbathura e turmave të botës pa shpresë”. Jeton në Florida të SHBA, së bashku me familjen e tij.

Romani “Murmashët” është sprova  e dytë e z.Thani Naqo në këtë gjini. Deri para vitit 1990,siç theksuam më lartë  ai kishte  botuar disa  libra me tregime e novela, kishte  edhe  një eksperiencë  si skenarist i filmit  artistik dhe, kur u shtroi para vetës brumin  për të shkruar romanin " Përgjumje Iluzionesh",ai  e ndjejë se kjo gjini letrare kërkonte jo vetëm kohë në dispozicion, por dhe karrigen e fortë me  nerva të argasura, studim dhe diapazon të madh kulturo-letrar.
Për lexuesin tonë shqiptar sjellim intervistën me shkrimtarin tonë Thani Naqon ,që është bërë  kohë më parë nga shkrimtarja Raimonda Moisiu.

Flori Bruqi

Prishtinë,2 janar 2010




 

Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon…
Kumbimi i këmbanave ndodh që vonon…



Intervistë me shkrimtarin e poetin Thani Naqo

Intervistoi: Raimonda Moisiu


Pasioni, etja dhe dhuntia për të shkruar kanë qënë të herëshme për shkrimtarin dhe poetin Thani Naqo. Gjithashtu, talentin dhe aftësitë e tij I lidh me lirinë, me gëzimin, me besimin se cdo gjë duhet të shprehet, për t’i kthyer njerëzimit të qeshurën, për vazhdimësinë e jetës e mbrujtur me shënjtërinë e mirësisë dhe humanes. Të intervistosh sot njerësit e letrave shqipe është një nder dhe vlerësim, rëndësi e vecantë, është transmetimi i mesazhit krijues, embrionit të shkrimtarit, ndërgjegjësimit, pasurimit dhe përjetimit të identitetit të kulturës e dashurisë për kombin e atdheun. Në këtë vorbull të mirësisë, qytetarisë e humanes së kësaj interviste, shkrimtari dhe poeti Thani Naqo rrëfehet për krijimtarinë e tij në botën e letrave, në gjinitë e saj, veprat e tij të botuar dhe në proces, dhe cfarë do të thotë t’I përkushtohesh gjithë jetës letërsisë dhe artit, të jesh shkrimtar e poet – në kuptimin shpirtëror dhe filozofik.

-Cili ka qënë libri tuaj i parë? Në cilin vit e keni botuar?

Libri im i pare me tregime, “Shtëpia e përgjumur”, është botuar në vitin 1977, kur isha student në Fakultetin Ekonomik. Njëri nga recezentët ka qënë Dritëro Agolli dhe, në kapakun e dosjes ku qe dorëshkrimi, ai kishte shkruar : të botohen kështu siç janë. Gjithashtu dhe dashamirësia e Sami Çabejit ishte e tejskajshme me mua. Sidoqoftë, botim të parë për publikun unë mbaj tregimin “Duke kërkuar manarin”, i cili fitoi çmimin e parë në konkursin e lerarëve në Korçë. Gazeta Bashkimi e botoi atë. Mbaj mend se ka qenë pragdimri i vitit 1972. Isha gjimnazist, mustaqe porsadirsur dhe ende nuk kisha vënë brisk në faqe. 

-Të shkruarit ka qënë një pasion i hershëm i juaji? E ndjeje se duhej të shkruaje?

Të shkruarit ka qenë pasion i hershëm. Kam qene fatlum sepse në shtatëvjeçare kisha mësues gjuhe shkrimtarin Petraq Zoto, i cili më jepte lirinë e plotë në dy orëshin e hartimit që unë të shkruaja çfarë të dëshiroja, jashtë temës që ai shkruante në dërrasën e zezë. Unë atëherë nuk e kuptoja përse ai ma jepte këtë liri krijuese. Në fshat vinte shpesh shkrimtari Sotir Andoni. Ai më lëshoi në dorë një libër të mahnitshëm të Pier Gamarës, me titull “Aventura e gjarpërit me pendë”, libër që më nxiti të mendoj në rininë e hershme se unë duhej të bëhesha shkrimtar. Për shembull, novelën “Lulet e mollës” të Gollsuorthit e kam lexuar në një strehim nga ato të luftës italo-greke, në majë të kodrës, sipër fshatit, mes fjerishtave dhe, edhe sot habitem si nuk e mora vesh që më iku dita pa ngrënë dhe pa pirë ujë, por u mjaftova me luleshtrydhe. Mirëpo fëmijëria është mosha më e çuditshme dhe më e lëkundura. 

M’u shkrep të bëhesha boksier dhe, kur shkova në klasën e gjashtë, ëndërroja ditë e natë të bëhesha kompozitor. Prifti i fshatit, At Konomi, më mësoi mandolinën, Ilo Kotja fizarmonikën dhe Thanasi, dyqanxhiu i fshatit, kitarën. Harmoninë e lidhjen e akordeve ma ka mësuar kompozitori i famshëm korçar i serenatave, Abas Hajro. Kur unë erdha në mëntë e mia rinore kitarën nuk e ndaja nga dora. Më pranonin në shoqëri djemtë e rritur, nga të cilët mësova këngët e serenatave dhe, mos e fsheh, nga ata mësova edhe si t’ua shkelja syrin vajzave dhe si duhej dashuruar. Përfytyroje Ziçishtin në ato kohëra të moshës time rinore: fshati më i bukur në botë! Sot, i thinjur rrugëve të mërgimit, me spirancën e lëshuar në Florida, vendlindja ime, Ziçishti, ka mbetur strumbullari i të gjitha ndjesive të mia. Do ta vërtetoj pse Ziçishti është fshati më i bukur në botë: njëqind shtëpi, tri lagje, me lumë në mes, fusha pjellore dhe pyllin e ahut si shall pas qafe. 

Me urë guri me hark, katër kisha, njëzet kitara dhe vajzat më të bukura të Devollit i gjeje aty. Ato ishin çapkëne dhe të linin pa gjumë. Nëse Nju Jorku quhet Qyteti i Pagjumë, Ziçishti ka qenë fshati ku edhe në netët e gjata të dimrit, nuk flinte kurrë. Atyre viteve kishte tre mullinj me ujë, kadet e mullinjve lëshonin spërka uji, njëlloj si në fëmijëri, kur ne mburreshim cili do ta hidhte shurrën më larg. Tek sfratet e mullinjve graria dhe vajzëria kopanisnin rrobat dhe qeshnin e argaliseshin dhe shkriheshin si në asnjë fshat tjetër të botës. Nga Ziçishti kanë dale mbi njëqind intelektualë me shkollë të lartë. Dëgjon emra të shquar në lëmin e letrave duke filluar me patriarkun Evllogjio Kurila, Kosta Çekrezi, Vasil Xhaçka, Sotir Andoni, Petraq Zoto, Andon Andoni, Gjergji Dushku, Llaqi Zoto dhe…dhe kush tjetër? Po shtoj edhe emrin tim në këtë listë krijuesish. Ju më pyetët se e ndjeja që duhej të shkruaja? E ndjeja që ç’ke me të sepse ëndërroja çdo çast të bëhesha shkrimtar e poet, sepse rrushi sheh rrushin dhe piqet, mbasi asnjë fshat në botë nuk ka nxjerrë kaq shumë shkrimtarë e poetë sa fshati im Ziçisht.

Strumbullari im do të mbetet Ziçishti, maja e Devollit, pasi e kam kuptuar qysh herët se edhe në një vend të vogël ndodhin ngjarje të mëdha dhe tani vonë pohoj se treva jonë, që nga Nikolica gjer në Shën Naum dhe gjer në Kolonjë, është treva më lirike e trojeve shqiptare. Nuk u bëra kompozitor, por nuk hoqa dorë nga kënga. Jeta është luftë, vështirësi, trishtim, dhimbje, pabesi, urrejtje, triumf, por ajo, mbi të gjitha, është edhe këngë. 

-Ju sapo kini botuar romanin “Murmashët”. Përse keni zgjedhur këtë titull, dhe si ja kini arritur ta realizoni botimin e tij?

Romani “Murmashët” është sprova ime e dytë në këtë gjini. Deri para vitit 1990 kisha botuar tre libra me tregime e novela, kisha edhe eksperiencën e skenarit të filmit artistik dhe, kur u shtrova për të shkruar romanin e pare Përgjumje Iluzionesh, e ndjeva se kjo gjini kërkonte jo vetëm kohë në dispozicion, por dhe karrigen të fortë dhe nerva të argasura, studim dhe diapazon kulturor. Romani kërkon gjithashtu material letrar të bollshëm. Qindra dhe mijra detaje artistike. Hejbet dhe xhepat e kujtesës ishin mbushur plot dhe ato duhej të zbrazeshin. Romanin e konceptoj si një ndërtesë shumëkatëshe me konstruksion të fortë, sepse mban me dhjetra dhoma dhe personazhe. Romani, në konceptin tim, është kompleksitet karakteresh të cilët duhet të qëndisen artistikisht deri në fund. 

Ky mendim rrjedh nga tradicionalizmi dhe eksperienca botërore, sepse asgjë nuk lind nga hiçi. Pas një dekade e gjysmë, pasi i vura në vend me mund e djersë problemet ekonomike familjare, iu riktheva edhe njëherë bibliotekës time të vjetër dhe çuditërisht zgjodha të preferuarin e rinisë, gjigandin Nikollai Gogol. Pse pikërisht Gogolin? Sepse zbulova se botës së sotme moderne ia kishin rrëmbyer të qeshurën. U betova në heshtje: e qeshura duhet t’i rrikthehet përsëri njerëzimit. Jam i ndërgjegjshëm se ky përkushtim është barë shumë e rëndë, por unë nuk jam i vetëm. Ka edhe të tjerë shkrimtarë që e ndjejnë këtë mungesë. Murmashët në romanin tim janë personazhe të cilët kanë harruar të qeshin dhe kjo nuk është për faj të tyre. Streset, pasiguria dhe çorroditja nga mospërshtatja me morale të pa njohura, plak njerëzimin para kohe. E qeshura çiltëron jetën, sado e vështirë që të jetë ajo. 

- Kur e keni filluar të shkruani këtë libër, jeni frymëzuar nga jeta reale e përditshme apo dicka tjetër, e fantazuar nga ana e juaj?

Fantazinë time unë nuk e vë dot në fre, por atë asnjëherë nuk e kam shkëputur nga bota reale. Nuk kam qënë dhe nuk jam tifos mbas letërsisë që bazohet mbi të dhëna shkencore, për shembull si ajo e Dan Braunit, gjithashtu nuk jam as simpatizant i kinematografisë apo letërsisë policeske e cila ka pushtuar sot ekranin dhe letërsinë perëndimore. Të njëjtin gjë pohon edhe shija ime për vargëzimet poetike ku renditen mekanikisht detaje. Është tjetër gjë të renditish detaje dhe tjetër gjë t’i kthesh ato në art. Parapëlqej shkollën e konsoliduar të vargut tradicional. Kombinoj metrika të ndryshme, rritëm nën temp muzikor, pasi poezia, në konceptin tim, është së pari këngë, pastaj ajo, kënga, përcjell idetë filozofike. Çuditem sepse shumë krijues me emër nuk shkruajnë për epokën që përjetojnë, por zhyten në labirinthet e mykura të sulltanatit apo edhe në rrathet e ferrit dhe djegin talentin e tyre. 

Në krijimtarinë time do të gjeni sfonde të cilat unë i kam njohur deri në imtësi. Imtësira të mrekullisë natyrore, sinonime tingëlluese të dialekteve dhe ato i përshtat me psikologjinë bashkëkohore. Personazhet më lodrojnë para syve dhe i përzgjedh nga ata që janë të formuar plotësisht, nga ata që kam njohur dhe i vendos në ambjente po të njohura. Nuk e ndjej të nevojshme të shpik karaktere, sfonde apo ambiente që nuk i kam takuar apo parë në jetë. Karakteret nuk i ndryshoj sipas qejfit tim, por i jap sikundër ata janë në realitet, të kushtëzuar nga rrethanat politiko-ekonomike dhe i le të flasin e veprojnë ashtu siç janë formuar. Nuk parapëlqej monologimet. Kam krijuar përshtypjen se monologimet e stërgjatura dëmtojnë artin edhe kur vepra shkruhet në vetën e parë. Personazhet e mi flasin pak, aq pak sa mund të themi hiç fare. Janë të tjerë elementë letrarë që plotësojnë monologimin. Unë kam zgjedhur këtë mënyrë të të shkruari. Siç shprehet kritiku Fatmir Terziu, për mua ka rëndësi së pari narativiteti i ndërthurrur me karakterin dhe gjallërimi i sfondit ku zhvillohet ngjarja. 

Kam zili penelimin e gjallërisë në peisazhet e Vangjush Mios dhe ndjenjat metaforike të këngëve të serenatave. Jam pasionant i botanikës, biologjisë, folklorit, ekonomisë dhe financave. Historinë e lexoj më shumë për diapazon kulturor, por nuk rëndoj trurin me data dhe shekuj. Më mjafton thelbësorja e historis dhe legjendave. Tani jam në atë stad krijimi kur ndjej përgjegjësinë e të shkruarit dhe autocensurohem që ndjesitë e mia mos mbeten vetëm për mua. I përkas përjetimit të dy shekujve dhe s’kam përse të shkoj më larg tyre. Parapëlqej natyralitetin dhe besueshmërinë e karaktereve.
Poeti Thani Naqo
Poeti Thani Naqo

-“Murmashët" nuk është aq shumë fantazi, sepse ajo është bota e brendëshme njerëzore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave të njerësve, të vëndeve në ndërtimin e një “bote të re”, me tipikë burim-rrëfim-frymëzim -kulturë?

Mos e dhëntë perëndia t’i përgjigjem kësaj pyetje si akademik, mbasi asnjëherë nuk kam dëshiruar të jem i tillë. Në shkrimin ese “Eksplorimi i art-vetes” unë shpreh pikëpamjet e mia duke kundërshtuar idenë e hedhur nga kritikë dhe eseistë se “arti po vdes”. Lexuesi i kualifikuar e ndjen se bota e artit të të shkruarit dhe ai vizivo-perëndimor sot po kalon gjëndjen e komës, mbasi mbizotëron mediokriteti. Në romanin Murmashët i kam mëshuar më tepër realitetit të përjetuar dhe fantasia letrare mbështet qëllimin tim. Realiteti në këtë libër është konceptuar nga këndvështrimi një emigranti të rregjur në botën Perëndimore. Ndjesitë dhe subkoshiencën e tij ia përcjell lexuesit shqiptar. 

Ky pozicionim në këtë vepër është krejt i ndryshëm nga pikpamja tradicionale shqiptare dhe kjo do ta bëjë që lexuesi të përdredhë vetullat i habitur. Pra, lexuesi do të ndodhet midis përplasjesh moralesh tradicionale të nacionaliteteve botërore. Ajo, që për botën e zhvilluar Perëndimore është e natyrshme, për tradicionalizmin shqiptar shfaqet me nuanca dramatiko-tragjike. Jam pozicionuar si krijues nga këndvështrimi i të ardhmes, pavarësisht se kjo mund të vonojë në trojet shqiptare. Nëse do të ketë polemikë apo dhe vonesë vlerësimi për artin tim, kjo mua nuk më shqetëson aspak. Shëmbull kam tregimet e mia të hershme, të cilat pas tridhjetë vjetëve, po bëhen objekt diskutimi. Për mua koha dhe zhvillimi ecën shumë shpejt, por kjo nuk do të thotë se s’do të jem gjallë dhe të dëgjoj kumbimin e vonuar.

-Sa kohë keni shpenzuar për të shkruar këtë roman, me shumë bagazh për lexuesit. Cili është koncepti juaj që ju dëshironi të thyeni, për lexuesit e mundshëm?

Të them të drejtën në dekadën e fundit kam punuar gati çdo ditë, zakonisht pas punës së rëndomtë për të mbijetuar. Shkruaj më shpejt në kompjutër se sa me shkrim dore. Pyetja juaj korespondon me një bisedë që bëra sot me shkrimtarin Kristaq Turtulli. Kristaqi është tejet prodhimtar dhe unë respektoj artin e tij. Më mahnit Fatos Kongoli. Sipas një llogarie matematikore, romani Murmashët, shkruar, korigjuar dhe redaktuar nga unë vetë, korespondon me një rendiment prej dy faqesh në ditë. Pra, gjashtëdhjete rreshta të përfunduara në ditë. Jam huqli sepse nuk mund të vazhdoj më tej, pa rilexuar të paktën dy apo tre kapitujt e fundit. 

Atëherë ndodh që zhytem në të shkruarat e kaluara dhe mezi dal për të vazhduar më tej. E përmenda edhe pak më pare, duke iu përgjigjur pyetjes tuaj, për konceptin tim në teknikën e të shkruarit: para se të shkruaj fjalën e parë këshilloj veten të mos humbas kohë për të shpikur ambiente, karaktere dhe sfonde të panjohra nga ana ime. I qëndroj besnik kësaj dëshire rinore në krijim: çdo gjë nga realiteti, që nga tërfili e zhumbrica shqiptare dhe deri tek bari i kripës në Florida. Heminguej më ka këshilluar të mos harroj motin. Moti është i pandashëm në cdo hap. Gogoli më ka këshilluar të mos bëj moral, sepse është arti ai që përcjell idetë filozofike dhe jo e kundërta. Ky eshtë koncepti dhe teknika ime. Se sa sa kam mundur ta vë atë në jetën time krijuese, e lë në dorën e lexuesit dhe të kritikës. Unë nuk shkruaj për vete. Përpiqem të përmirësoj jetën e të tjerëve dhe, pas përfundimit të çdo libri, çuditem, sepse ndjehem edhe vetë i përmirësuar. Këto që thashë pak më lart janë receta që ia jap vetes time dhe jo krijueve të tjerë.

-Jeni tregimtar apo poet, apo të dyja bashkë? Ku qëndron ndryshimi mes tyre?

Krijuesi është qenia humane më komplekse në botë. Shokë dhe miq artadashës më thonë se jam poet lirik. Kjo më shtyn padashje të përjetoj delirin për disa çaste, sepse fjala e tyre më ngroh. Edhe brumin e bukës apo dhe kosin po nuk i mbajte ngrohtë, nuk zhvillohen enzimat. Mirëpo unë jam fshatar i rregjur, njëkohësisht dhe kokëngjeshur nga eksperienca: Deliri i Madhështisë më sjell ndër mend mizën shumëkëmbëshe që jeton nën bishtin e kalit. Pas tridhjetë vitesh krijimtarie, i pari njeri dashamirës, kritiku Fatmir Terziu, shkruan për mua, për tregimin “Vdekja e kulakut” botuar në vitin 1987. Pastaj ishte po Fatmir Terziu ai që analizon krijimtarinë time të viteve të fundit. Më pas enciklopedisti i diplomacisë dhe gazetari Alfred Papuciu, u befasua kur lexoi romanin Përgjumje Iluzionesh, të cilin e gjeti rastësisht mbi një komodinë në dhomën ku flinte. Vangjush Zikoja e quan atë roman epope. 

Endri Fifo e quan depo e madhe nga do të dalin shumë romane të tjera, sikundër doli edhe romani Murmashët. Skënder Demolli thotë se, pas njëzet vjetësh katrahurash politike, qesha. Teodor Laço thotë se unë vallë do të shkruaj në të ardhmen një roman tjetër si Përgjumje Iluzionesh. Ju po më pyesni jam prozator apo poet. S’mund ta ndaj qenien time në dy pjesë. Zakonisht poetët firojnë shpejt, por unë e ndjej se poeti dhe prozatori ecin paralel dhe mbajnë njëri tjetrin mos humbasin ekuilibrin. Po të lë në harresë vargëzimin, më duket se diçka do të çalojë në prozën time. Njëlloj si samari mbi shpinën e kalit. Të dyja anët duhen ekuilibruar. Koçi Petriti, Musa Vyshka, Skënder Rusi, Perparim Hysi, Ligor Prifti, Tahir Bezhani, Ziko Kapurani, thonë se jam poet. Sotir Andoni, Sami Çabej, Moisi Zaloshnja, Tedor Laço, Petraq Zoto, Andon Andoni, thonë se jam shkrimtar. Ndryshimi midis poezisë dhe prozës është shumë i madh, por kjo nuk më ka penguar në krijimtarinë time. 

Kur lodhem me prozën, ja marr këngës me poezi. Pastaj kaloj në internet dhe ballafaqohem me kolegët. Mbush goten me verë dhe hedh nxitimthi esera, më shumë për t”u çliruar nga ethet e krijimit dhe lodhja e ditës. Kohët e fundit më pëlqen vetmia, por për inerci rinore shpërthej dhe kërkoj ambiente të reja. Për atë që jam i sigurt, këmbëngul si mushka: nuk bëj prapa. Poezia për mua është këngë dhe kërraba e saj më rrëmben dhe nuk i zemërohem, sepse unë nuk jetoj dot pa të. 

-Si një burrë, kush janë anët e mira dhe jo të mira, të një martese, si do ta përshkuani ju një burrë ideal?

Fatmirësisht, në short më ka rënë një grua e mrekullueshme që e përzgjodha midis vajzave që kam njohur. Por kjo përzgjedhje nuk më pengon që unë të kthej kokën dhe të shikoj femrat e tjera. Mos e dhëntë perëndia të verbohem apo shurdhërohem një ditë. Kam tridhjetë e dy vjet me të dhe sot nuk dalloj dot ku ndahet dashuria: ime shoqe është kthyer për mua edhe bashkëshorte edhe nënë. Çudi e madhe e shekullit! Shpesh me bëhet se ime shoqe është gruaja ideale, ndërsa për veten time akoma dyshoj se, edhe kur të vjetërohem, s’kam për t”u bërë plak ideal. Martesa, si fjalë konceptuale, mendoj se ështe tejet e vjetëruar. Bashkëjetesa me të njëjtën femër për gjithë jetën nuk varet nga kartërat dhe as nga rregjistri i gjëndjes civile që vërteton celebrimim e bashkimit trupor dhe psiqik. 

Nuk më kujtohet të kem vënë kurorën tradicionale kishtare me gruan time. Kurora jonë ka qenë dashuria. Ekuivalenti që ndikon në jetëgjatësinë e shtatit bashkëshortor ështe ndjenja reciproke e dashurisë dhe jo betimi martesor nën kapakët e bibles apo kuranit. Të them të drejtën nuk më ka shkuar kurrë ndër mend që një ditë të përshkruaj në librat e mia një burrë ideal, ose një grua ideale. Aq më shumë se një burrë i tillë, mendoj se nuk egziston. Idealiteti në qënien njerëzore është tejet i ngatëruar. Janë për të patur zili instinktet e lejlekëve dhe nuselalave, për sa i përket besnikërisë. Idealiteti nuk është në dorën e qënies humane, por i ndërvarur nga shumë faktorë psiko-analitikë dhe ekonomikë . Pikërisht tek romani Murmashët demonët e fshehur në qënien e njeriut të mirë heshtin dhe nuk bëzajnë, por ata bëjnë sikur flenë dhe hovin befas në caste kritike dhe dërmojnë edhe karakteret që të linin përshtypjen se janë idealë.

- Është krijuesi e lirë në ditët e sotme?

I lirë të shkruajë si të dojë dhe për çfarë t’i shkrepet. Për veten time nuk shoh censurim në art, por autocensurim, që ështe domosdoshmëri në publikimin e ndjesive vetiake. Ato duhet të përzgjidhen me formulën e probabilitetit që të përputhen me ndjesinë e lexuesit. Jo çdo ngjarje bëhet art. Kjo është motoja ime përzgjedhëse.

- Keni shkruar edhe tregime, dhe ju e konvertoni shumë ndjeshëm e me talent, që në titull. Është kjo efikase për të nderuar kujtimin e atyre që largohen nga kjo botë, dhe fjalët duken sikur përcjellin ndjenjën e paqes shpirtërore?

Titullin e çdo shkrimi e konceptoj si bërthamë. Veshja e titullit me elementë letrarë formon frutin krijues. Jam ndjerë i shokuar dhe tejet i tronditur kur shkova për here të parë në vendlindje pas një dekade. Brezin e atyre pleqve e plakave të dikurshme nuk i gjeta. Gjeta një brez tjetër të plakur. Brezin e atyre vajzave e djemve me të cilët unë isha rritur, thinjur e thinjuar As në dimrin më të ftohtë të Devollit nuk më kishin zënë drithërima të tilla. Një javë të tërë e ndjeja trupin edhe nën lëkurë të mbushur me mornica. Një shoku im i ngushtë qau kur më pa dhe iku dhe u fsheh si fëmijë pas qoshes së murit. Kjo ndodhi në gushtin e 2006-ës. Që nga ai çast u betova se do të shkoj në Shqipëri çdo vit që të njohurit e mi mos më trondisin më. Ta di se me not do të çaj oqeanin dhe në vendlindje do të jem çdo vit. Nuk paska plagë më të gjakuar se mërgimi.

- Ju shkruani poezi, lirika dashurie “ të pastra dhe të drejtpërdrejta në të shprehur”, dhe jeni nga poetët e rrallë, që me anë të vargjeve shpërthyese,”ilustroni”, ndjenjat dhe karakterin e të qënit një mashkull i ndjeshëm dhe i dashuruar ?? P.sh. te poezia “Polen dhe nektar”, që mund ta quaj një deklaratë dashurie? Përse një gjë e tillë?

Ndjej keqardhje për atë që nuk ka dashuruar. Jeta jepet njëherë dhe ajo duhet jetuar, sado e vështirë të jetë. Nuk jam tifos i vargjeve që vijnë nga nëntoka. Pikpamjet e mia bazohen mbi shkencën dhe jo mbi verbërinë e trashëguar nga lashtësia. Në çdo moshë ka ndjenja dashurie. Në këtë aspekt kam mbetur shqiptar kokëngjeshur dhe nuk mund ta konceptoj dashurinë të shpërfytyruar. Të përdhosësh bukurinë femërore që e ka formuar natyra, më duket e pafalshme. Të braktisësh dashurinë femërore dhe të kalosh qorrazi në instinktet kafshore, do të thotë të kthehesh në mostër. Jetojmë epokën e konspiracive dhe shpesh viruset kthehen në epidemi. Dashuria midis femrës e mashkullit është njëlloj si bashkëjetesa e polenit me nektarin. Poleni pllenon dhe nektari është mjalti. Poleni dhe nektari në art përmirëson jetën e njerëzve. E bën atë të natyrshme, të gëzueshme. Dashuria duket e pa prekshme, por për mua është e prekshme. 

Dashuria shijohet, aromon natyrë, pllenon lulen femërore, përndryshe jeta mbaron. Në konceptin tim është rrënjosur mendimi i vazhdimësisë së jetës. E konceptoj pikërisht kështu sepse i tillë jam formuar. Prandaj sarkazma ime nuk njeh kufij. Le të qeshim e tallemi me viruset që shpërfytyrojnë natyrën njerëzore. Pra, të dashurojmë, njëlloj si lulet, njëlloj si bimët, njëlloj si shpezët, me shënjtërinë e qënies humane, por jo me instinktin e derkucëve.

-Shumë poezi dashurie…C’është dashuria për ju? Kur një burrë e ndjen se është i dashuruar? Si ia arrini ju ta reflektoni në poezitë tuaja?

Ka teoricienë që thonë se poezi dashurie shkruajnë më shumë ata kur ajo u ka munguar. Ndjenja e dashurisë nuk egziston vetëm tek femra dhe mashkulli i bukur. Ajo, dashuria, egziston shpesh më e fuqishme edhe tek femra e shëmtuar dhe mashkulli jo simpatik. Unë s’kam qenë asnjëherë i bukur në pamje, por kjo nuk më ka penguar të mos dashuroj. Në çdo kohë, edhe në caste kritike, ndjehem i dashuruar. Edhe tani që po flas me ju. Krijuesit, shkallën e përjetimit e kanë shumë të lartë dhe asnjëri prej tyre nuk duhet të ankohet se i mungon dashuria. Neve, krijuesve, kur na mungon diçka, krijojmë çdo gjë që na mungon. Edhe në ekstremin e diktaturës, krijonim lirinë. Thonë se dashuria është ëndërr. 

Dashuria për mua nuk është ëndërr. Ajo është e prekshme, reale, që nga thonjtë e pulpët e femrës dhe deri në labirinthet e zemrës. Që nga fustankat me lule, gjunjët e zbuluara si shugje dëbore Gramozi dhe gjer tek gjinjtë si shegë apo dardha Devolli. Që nga e qeshura e çiltër vajzërore, që më ngjason me kakaritjen e jariçkës kur bën vezën e parë dhe deri tek kordelja që mbledh flokët dhe zbulon zverkun femëror kur vajza ka kuptuar se është rritur. Kam patur guximin të nder dorën dhe ti prek të gjitha këto. Megjithëse po mbush gjashtë dekada, nuk kam ndrojtje t’i këndoj dashurisë edhe të femrës së shëmtuar edhe asaj më të bukurës. Nuk jam trishtuar kur më kanë flakur ujë nga ballkoni. Biles njëherë, së bashku me mikun tim të paharruar, poetin e fabulistin Piro Visari, na u shkrep t’i këndonim vajzës më të bukur korçare dhe ishte dimër dhe ajo na lagu me ujë dhe ne kemi qeshur gjersa zbardhi dita. Nuk ka gjë më të bukur se sa të të gjejë lindja e diellit duke qeshur! Këmbimin e frymës në puthjen e dashurisë unë e quaj magji të jetës. Puthja nuk falet, ajo rrëmbehet. Nëse dikush ndjehet i ndrojtur akoma para dashurisë, e këshilloj të lexojë lirikat e mia dhe ai do të zgjohet nga gjumi iluziv i pesimizmit.

- Ju thatë se frymëzimi ju vjen nga bota e brendëshme njerëzore, Poezitë, tregimet, essetë tuaja, publicistika, analizat fantazohen apo krijohen ashtu si ishin? Kam përshtypjen se ato ndikojnë…

Në poezi realitetin e zbukuroj më shumë nga ç’duhet. Dhe kjo nuk prish punë, pasi poezinë e përfytyroj here si nuse e veshur në të bardha here si dhëndërr i prapë që edhe natën e dasmës shkel pellgashet ku është shumuar hëna. Në prozë më ndodh e kundërta: ndaj fenomeneve negative bëhem më hidhnak nga sa duhet. Ndryshe s’kemi për të qeshur.

[b]-Pse shkruani?


Oh, kur unë të iki, t’ua dhuroj zemrën dhe të shihni si e pata zbukuruar.

-A e konsideroni veten publicist?

Nuk kam provuar kurrë të merem me publiçistikë të mirëfilltë. Sidoqoftë, arti i të shkruarit të letërsisë është një mënyrë publiçistike në shkallë më të lartë ndjesore. Mendoj se edhe kjo intervistë hyn në publiçistikë.

-Si ka mundësi që ju paraqisni veten tuaj në të treja këto gjini.Si ia dilni? Kjo zgjuarësi vjen nga diku në gjenezën e familjes tuaj?

Shiko, Monda. Po të më pyesish çfarë di të bëj, do të shtoj se kam përjetuar zanatin e bujkut, të bariut, të druvarit, orkestrantit, futbollistit, ekonomistit, financierit, suvaxhi kam punuar, pllakaxhi, marrangoz, dhe shumë zanate të tjera, por mbi të gjitha, më mire di të shkruaj libra. Në të njëjtën ditë shkruaj prozë edhe poezi. Në kohën e krijimit dëgjoj muzikë. Më qeton zëri i Eli Farës, i Mariah Kareit, i gjigantit Denis Rusos, i Jani Parios. Dëgjoj muzikë klasike, më mahnit muzika braziliane dhe ajo napolitane. Fizarmonika më gjallëron si asnjë vegël tjetër muzikore. Nga fisi im është shkrimtari Sotir Andoni dhe folkloristja Ollga Papa. Sa përralla dhe historira kam dëgjuar unë nën dritën e llambës me vajguri, apo në sofatet e portave të Ziçishtit, mbushur dikur me pleq e plaka, nuk besoj të ketë degjuar as Gabriel Markesi nga nënokja e tij.

-Mendoni se kini arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Cfarë po shkruani aktualisht? Projektet në të ardhmen?

Oh, e ndjej se ndryshoj çdo ditë! Pa kaluar mirë java, korrigjoj ose gris atë që kam shkruar më parë. Kam maninë e Floberit në teknikën e frazës. Prandaj dhe nuk jam shumë prodhimtar. Mjaftohem me dy faqe në ditë. Së shpejti do të shohë dritën e botimit romani tjetër të cilin akoma nuk e kam pagëzuar, por që i kam vënë nofkën
si nëntitull “Demonët bëjnë sikur flenë.” Besoj nga behari që vjen do të nxjerr librin e katërt me poezi lirike. Projekte kam shumë, por ato duhen hedhur në letër. Më duhet t’u rikthehem edhe njëherë vëllimeve me tregime të botuara para viteve 90-të dhe të botoj përmbledhjen e tyre. Më duhet t’i rikthehem edhe njëherë letërsisë për fëmijë sepse asaj moshe i jam shumë borxhli. Thua kjo ka të bëjë me moshën? Siç e sheh, kam shumë për të bërë. E parandjej se do të më duhet të gjymtoj orarin e gjumit.

-A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?

Kritikë letrare ka, ashtu sikundër ka edhe shkrimtarë dhe poetë të mirë, të admiruar. Mirëpo shumica e kritikëve harxhojnë kohën me librat e miqve dhe ata, për inerci, akoma nuk heqin nga mendja idhujt e trasheguar nga sistemi komunist. Kjo tregon se kritikët tanë nuk lexojnë letërsinë bashkëkohore, letërsinë që është mbi mesataren, por meren me librat e pluhuruara nëpër raftet e librarive.

- Dicka që dëshironi të shtoni…

Jam i sigurt, se kur të zë shtratin e gjumit, do të shkelmoj veten pse nuk munda të them gjëra më të mënçura në këtë intervistë. Por mos mendoni se do të pendohem për të vertetat që parashtrova në bisedën me ju. Ju jam mirënjohës për kohën që harxhuat me mua!

Ju Faleminderitedhe Ju!

PSE?!!!!


Wikileaks dhe Dick Marty



http://perpjekja.blogspot.com/2010/12/wikileaks-dhe-dick-marty.html


Në Shqipëri është folur më pak se kudo për WikiLeaks, por është folur e debatuar megjithatë mbi kundërthëniet e aktit të Assange. Të tjera dokumente që pritet të dalin edhe mbi Shqipërinë ndoshta do ta rindezin debatin, por ky tashmë është eklipsuar nga raporti i Dick Marty-t me akuzat mbi krimet e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin, në mbarim të luftës në Kosovë, si dhe mbi kapjen e shtetit nga krimi i organizuar atje, ashtu sikurse edhe për mosbashkëpunimin e qeverisë  shqiptare për hetimin e akuzave ndaj Thaçit e njerëzve të tij. Të dy ngjarjet duken si krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, por kanë disa pika interesante kontakti, sipas meje.  Së pari, pasi të dyja kanë të bëjnë me informacione që i jepen publikut mbi atë se çka bëjnë të pushtetshmit, ndonëse debati mbi Assange është më i komplikuar, do të thoja, pasi veprimi i tij nuk vjen nga institucione në pushtet që japin informacion mbi pushtete të tjera, si raporti i Dick Marty-t. Së dyti, kanë lidhje me njëri-tjetrin, sipas meje, sepse ato që ka zbuluar Assange, në një farë kuptimi na tregojnë se çfarë ndodh në prapaskenë derisa gjërat dalin në skenë, siç doli Marty, por edhe pse nganjëherë ato nuk dalin asfare në skenë.
Personalisht bëj pjesë ndër ata që, ndonëse njohin faqet e rrezikshme të aktit të Assange, e konsiderojnë pozitive punën e WikiLeaks, pasi e shoh si një akt që e ndihmon demokracinë, duke u dhënë më shumë pushtet njerëzve në kontrollimin e përfaqësuesve të vet. Tek e fundit, demokraci do të thotë pushtet i popullit dhe, nëse pranojmë se një instrument i rëndësishëm i pushtetit është zotërimi i së vërtetës, atëherë në sa më shumë mendje të jetë e vërteta, aq më shumë demokraci kemi; kurse në sa më pak mendje të jetë kjo, aq më pak demokraci kemi. Thënë kjo, duhet shtuar se, sigurisht, ashtu sikurse ndodh me demokracinë në përgjithësi, kjo situatë nënkupton edhe më shumë kompleksitet, prandaj dhe më shumë vështirësi menaxhimi - shpesh ky menaxhim krahasohet me atë si të bësh muzikë me një orkestër dhe jo me një instrument të vetëm. Dikush do të thotë se një shtet si SHBA-ja nuk mund të konsiderohet si një shtet që vepron kundër interesave të popullit të vet, prandaj s’ka pse të zbulohen gjëra që ai shtet, për të mirë të popullit të vet, i gjykon se duhet të jenë sekrete. Ashtu është, por edhe s’është. Së pari, pasi duket ende e largët, në mos e paarritshme, dita kur shtetet do të realizojnë atë idealin kur të konsiderohen se gëzojnë besim të plotë për të mos u kontrolluar nga qytetarët e tyre. Ndoshta ai lloj shteti do t’i përkiste një tjetër lloj sistemi nga ky që sot e quajmë demokraci, e cila është e bazuar mbi qasjen antropologjike që e konsideron njeriun si të papërsosur, madje me prirje për të abuzuar me pushtetin, prandaj dhe duhet kontrolluar. Së dyti, pasi botimi i këtyre dokumenteve edhe pse mund të jetë kundër interesave të shtetit e popullit amerikan, mund të jetë në favor të interesave të popujve të tjerë, pasi dihet përsëri se nuk e kemi arritur ditën kur të gjithë shtetet të punojnë në harmoni me njëri-tjetrin për të mirën e të gjithë popujve të tyre. Ka pasur jo pak raste kur interesat e shtetit amerikan, që mund të kenë qenë (por edhe mund të mos kenë qenë) edhe të popullit amerikan, mund të jenë përputhur me interesat e pushtetarëve të vendeve të tjera, por jo me interesat e popujve të këtyre vendeve.  
Këto konsiderata të përgjithshme mbi WikiLeaks i kam shprehur edhe më parë me median elektronike dhe nuk do të isha ulur të shkruaja sikur rasti të mos më sillte të lexoja një faqe të tërë të “Le Monde” me titull “Diktatura dhe Mafia e Azisë Qendrore” (14 dhjetor 2010), që u referohej materialeve të nxjerra nga WikiLeaks, i cili më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë e më bindi edhe më fort për dobishmërinë e kurajos së Assange. Dhe nuk është se e nxora këtë përfundim pa lidhje me realitetin shqiptar. Përkundrazi, pikërisht në lidhje me të, madje dalja e raportit të Marty-t në të njëjtën kohë sikur ma ilustroi atë që po mendoja.
Le të shpjegoj me pak rreshta se çfarë shkruante “Le Monde” bazuar mbi dokumentet e WikiLeaks:
Fillonte me materiale të Ambasadës Amerikane në Baku të Azerbajxhanit. “Interlokutor qendror dhe prioritar për SHBA-në”  e cilëson ambasadori në një dokument të vitit 2008 këtë vend; “aleat në luftën kundër terrorizmit”, “partner vendosmërisht laik dhe pro amerikan në një zonë të kërcënuar nga islami radikal”. Por, vini re, nga ana tjetër, ai raporton edhe për mungesë të demokracisë dhe korrupsion e abuzime të mëdha të pushtetit në Azerbajxhan. Në një telegram të vitit 2009, ambasadori flet për presidentin Ilham Aliev, duke e quajtur Majkëll Korleone (padrinoja i famshëm i filmit me famë) për të cilin thotë se me të huajt paraqitet si një kozmopolit, kurse brenda vendit po bëhet gjithnjë e më autoritar. Në dokumentet për Uzbekistanin, protagoniste na del e bija e Presidentit të vendit, Karimova: “një person i etur për para e për pushtet, që përdor të atin për të shkatërruar biznesmenët e tjerë që i dalin në rrugë.” Lidhur me Kazakistanin, ambasadori amerikan atje raporton një bisedë që ka bërë gjatë një darke kokë më kokë me një drejtues të lartë kazak, i cili i ka thënë: “Kapitalizmi - siç e quani ju ekonominë e tregut - do të thotë shumë para. Dëgjomëni mua, të gjithë ata që kemi lart janë të marrë fund. Janë të marrë fund për shkak të mentalitetit sovjetik që kanë; janë të marrë fund edhe për shkak të teprimeve korruptive të kapitalizmit. E dini ç’thonë? Përderisa edhe ata të Goldman Sachs fitojnë 50 milionë dollarë në vit dhe udhëheqin pastaj ekonominë amerikane, ç’ndryshim ka me këtë që bëjmë ne këtu?” Kurse lidhur me Kirgistanin, “Le Monde” shkruan se atje ka një bazë amerikane në të cilën rifreskohen trupat e Afganistanit. Aty ka pasur trazira të mëdha kohët e fundit, që kanë sjellë edhe vdekjen e shumë personave, për të cilat është akuzuar edhe i biri i presidentit Bakiev, një njeri i fuqishëm në vend. Ambasadorja amerikane ha një drekë të përzemërt me këtë njeri, gjatë së cilës ky i flet për makinacionet e rusëve  - sipas lojës që ka bërë edhe i ati për të përfituar nga të dy palët. Por ambasadorja nuk e ha sapunin për djathë: “Malinj i shkolluar mirë” e quan këtë personazh në raportin që dërgon, por ndërkaq shkruan: “Nëse marrëdhënia me këtë njeri do të trajtohet me kujdesin e duhur, ne mendojmë se mund të nxjerrim përfitime prej saj” - paçka se në analizat që i dërgohen Departamentit të Shtetit shkruhet edhe se “korrupsioni i gjithëpërhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes është pengesë për zhvillimin ekonomik.”
Mua më duket se mjafton një “NO COMENT” për t’i mbyllur këto radhë. Besoj se nuk ka shqiptar në Shqipëri e në Kosovë - nuk e kam fjalë për ata që janë në pushtet, por për shumicën që vuan prej pushtetit - që, duke lexuar këto që shkruan “Le Monde”, mbështetur mbi dokumentet e WikiLeaks, të mos nxjerrë përfundime të mençura për vendin e vet dhe të mos falënderojë për këtë edhe guximin e Assange. 

Pse refuzohet raporti i Dick Martit




http://perpjekja.blogspot.com/2010/12/pse-refuzohet-raporti-i-dick-martit.html


Politika dhe mediat shqiptare shpalosën ndaj raportit të Dik Marti, mbi akuzat për krime në Kosovë dhe Shqipëri nga njerëzit e UÇK, me në krye Hashim Thaçin; një refuzim me një nivel të tillë iracionaliteti, i cili habiti edhe shqiptarët, që sadokudo, e njohin klimën në vend, e le më pastaj të huajt. Do të thosha se po aq sa raporti vetë, edhe ky refuzim përbën një ngjarje që duhet analizuar.
Para së gjithash, le të shtjelloj pse më duket kaq iracionale mënyra sesi u refuzua raporti.
Së pari, ndërkohë që duket qartë se kemi të bëjmë me një raport të shkruar nga një ekip, (madje ka aty edhe një falënderim për ekipin), ai u trajtua sikur të ishte puna e një njeriu të vetëm, i cili pastaj u diskreditua duke u quajtur i sëmurë mendërisht, apo i blerë nga serbët e me radhë. Jo vetëm kaq, por kjo çmenduri vazhdoi edhe kur u pa se raporti u votua me unanimitet nga deputetët e Parlamentit Europian. Gjykoj, se qoftë puna e një ekipi, qoftë votimi nga një parlament i tërë, duhet të mjaftonte për ta ndaluar sadopak turra-vrapin absurd me akuza kundër “armikut të jashtëm”, në bashkëpunim me “armikun e brendshëm”.
Së dyti, paksa të njohësh ato çka shkruhen e thuhen në Shqipëri dhe Kosovë për politikën dhe politikanët, si andej dhe këtej kufirit (madje ato që thonë ata vetë për njëri-tjetrin) del qartë një situatë ku nuk mund të dallohet se ku mbaron aktiviteti kriminal dhe ku fillon shteti. Mjaft të kujtojmë ato çka thoshte vetë Sali Berisha në vitin 2005 për qeverinë paraardhëse, apo ç’thotë opozita shqiptare për Sali Berishën. Apo mjaft të dëgjoje akuzat elektorale në Kosovë ku flitej jo vetëm për korrupsionin e sotëm e krimet e sotme, por edhe për vrasje politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë, ndaj personash që janë konsideruar si rivalë të UÇK. Edhe kjo vetëdije besoj se duhet të kishte përftuar një lloj reflektimi ndaj akuzave të raportit.
Së treti, nuk do shumë mend për të kuptuar se ky raport nuk është një vendim gjyqësor, por një raport që kërkon të hetohen një sërë akuzash, për të cilat ka disa të dhëna shqetësuese. Për shembull: rezultojnë të zhdukur pas luftës afro katërqind persona, ndër të cilët edhe shqiptarë, por shumica serbë, një pjesë prej të cilëve thuhet se kjo u ka ndodhur në territorin shqiptar. A mund të jemi ne të pandjeshëm ndaj këtij fakti, e të mos kërkojmë të hetohet se pse janë vrarë, cilët janë vrasësit dhe ku mund të ndodhen varret e tyre? Disa nga patriotët tanë mund të thonë: Jo, s’kemi pse të jemi të ndjeshëm, pasi ata kanë qenë armiq që na kanë vrarë apo bashkëpunëtorë të tyre. E megjithatë, edhe atyre mund t’u thuhet se fakti ekziston dhe s’mund të quhet fantazi e Martit. Dhe po ashtu, se s’ka vend në botë që i le pa varr njerëzit e vdekur, cilëtdo qofshin ata (përjashto për fat të keq ndonjë vend si ky i yni që në kohën e Hoxhës i linte pa varr armiqtë e pushkatuar) e se politikanët tanë të sotëm, si këtej dhe andej kufirit, thonë se po na çojnë në Europën e të drejtave të njeriut, që nuk njeh as dënimin me vdekje, e jo më lënien e të vdekurit pa varr.
Së katërti, në raport thuhet se një pjesë prej të humburve dyshohet se u janë hequr organet dhe u janë tregtuar, pasi janë vrarë me plumb pas koke. E kjo, sipas raportit, mund të jetë kryer nga njerëzit e Thaçit në Shqipëri. Akuza është e tmerrshme, sigurisht, gati e pabesueshme, por përsëri një mendje e shëndoshë të thotë që nuk mund të refuzohet mundësia e hetimeve për këtë. Aq më tepër nëse autoritetet dhe ekspertët shqiptarë, së bashku me ata kosovarë, janë të bindur se është krejtësisht e pabazë. Përkundrazi, arsyeja e shëndoshë do që duhet bërë çmos që kjo akuzë të sqarohet një sahat e më parë, pasi, përndryshe, kush thotë se kjo akuzë nuk duhet hetuar, merr mbi shpinë dyshimin se e ka mizën nën kësulë.
Personalisht nuk di se si t’u kundërvihem këtyre katër argumenteve, prandaj e quaj reagimin ndaj raportit krejtësisht iracional.

* * *


Thënë këto, pyetja që ngrihet është se prej nga buron ky iracionalitet, sepse, sikurse thuhet, edhe iracionaliteti ka racionalitetin e vet. Gjykoj, se megjithë kufizimet mendore të njohura të politikanëve tanë dhe servilizmin e nënshtrimin e mediave tona ndaj tyre, ata nuk janë kaq iracionalë sa të mos kuptojnë katër argumentet që kam shtjelluar më sipër. Po atëherë?
E këtu nuk mund të mos ndalesh tek ajo pikë e raportit, që e bën kaq të papranueshëm raportin për shqiptarët. Dhe kjo, afërmendsh është akuza për trafikim organesh, pasi për fat të keq, akuza se vendet e Ballkanit qeverisen nga mafiozë e trafikantë, tashmë është një gjë që s’përbën as lajm. Shih për këtë reagimin e mediave të huaja, të cilat u përqendruan vetëm tek trafikimi.
Pyetja e parë që ngrihet lidhur me këtë akuzë është: nëse janë të bindur se nuk është e vërtetë, pse e pengojnë mundësinë e hetimit shqiptarët e akuzuar, apo mos vallë ka ndonjë mundësi të jetë e vërtetë? Pyetja e dytë është: mos vallë, ndonëse janë të bindur se akuza e organeve nuk është e vërtetë, kanë frikë se hetimi mund të çojë në zbulime krimesh të tjera, që gjithsesi janë të rënda dhe, tek e fundit, do t’i ngarkonte me përgjegjësi penale? E pastaj vijnë disa pyetje të tjera: mirë ata në Kosovë që akuzohen si autorët, po këta në Shqipëri ku e kanë hallin?: se janë lidhur tashmë me klasën politike në Kosovë edhe me interesa, se janë në një farë mënyre të përfshirë edhe vetë në ndonjë nga krimet, apo mos e kanë hallin të tregojnë sesa e duan Kosovën, meqenëse kjo është një nga kartat e vetme që u ka mbetur për ta quajtur veten burra të mirë përpara shqiptarëve - sigurisht me kutin e tyre? Janë pyetje që mbeten të hapura e që do ta mbajnë hapur këtë çështje sipas mendimit tim.
Por analiza e këtij refuzimi nuk mund të ndalet këtu.
Ka një pjesë njerëzish racionalë, shqiptarë dhe të huaj, që kërkojnë ta shpjegojnë këtë refuzim iracional me rrezikimin e mitit të UÇK. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me skizofreninë shqiptare (dhe jo vetëm) të të jetuarit midis lavdisë së një bote virtuale plot me heronj e trima të lavdishëm dhe mjerimit të botës reale të mbushur me maskarenj. Të tjerë e shpjegojnë me faktin më prozaik, sipas të cilit Hashim Thaçi dhe të tijtë, meqenëse kanë pushtetin, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushteti të tyre. Nuk mungon për të shpjeguar këtë refuzim edhe argumenti se kjo akuzë, po të dalë e vërtetë, u delegjitimon shqiptarëve të drejtën për të pasur shtetin e tyre në Kosovë, prandaj duhet hedhur poshtë pa hezitim.
Personalisht, dyshoj se miti i liderëve të UÇK-së, i ndjerë apo i vetëpromovuar, të jetë kaq i fortë midis shqiptarëve në Kosovë, saqë ruajtja e tij të jetë arsyeja pse refuzohet në mënyrë kaq iracionale raporti i Martit. Hashim Thaçi e drenicarët dihet se kanë edhe shumë kundërshtarë në Kosovë, që do të donin t’i shihnin të rrëzuar nga pushteti së bashku me mitin e tyre; kam parasysh LDK-istët, p.sh., që i kanë akuzuar për vrasje të njerëzve të tyre, por edhe të tjerë. Dhe ky argument është në favor të idesë se nuk do të bëhej ‘qameti’ në Kosovë, sikur disa udhëheqës të UÇK të hetoheshin nga EULEX. E për këto janë të vetëdijshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë.
Gjykoj, se ndonëse tërë këto argumente shpjegues kanë peshën e tyre, gjithsesi ka një element më të rëndësishëm mitik sesa miti i UÇK, për shpjegimin e  refuzimit iracional të shqiptarëve, për të hetuar mbi këtë akuzë. Sipas meje, ky refuzim ka të bëjë kryesisht me frikën e një njolle në identitet, që do të merrnin shqiptarët sikur kjo akuzë të provohej. Pra, akuza nuk përjetohet si një sulm kundër mitit të UÇK, por kundër imazhit të shqiptarit në përgjithësi, si mit identifikues. Të vrasësh dikë mund të quhet “krim” sipas një kodi njerëzor, mund të quhet “nevojë” sipas një kodi mafioz, mund të quhet edhe “shërbim ndaj atdheut” sipas një kodi nacionalist; kurse t’i heqësh organet këtij të vrari dhe t’ia tregtosh, kjo sikur i kalon caqet dhe i fut autorët në kategorinë e atyre që quhen “monstra”, të cilët dalin jashtë çdo kodi. Me këtë akt, sikur arrihet “e keqja absolute” siç quhet Holokausti, ajo që të ndan nga raca njerëzore. Këtu është problemi kryesor që hap raporti “Marti”, do të thosha unë. Mbas serbëve që identifikohen me Srebrenicën do të dilnin disa monstra edhe më të këqij se këta, shqiptarët, që jo vetëm vrasin njerëz të pafajshëm, por edhe u tregtojnë organet. Në fakt, është një krim që nuk e kemi dëgjuar të bëjë pjesë në historinë tonë dhe të popujve të tjerë të Ballkanit, e prandaj na frikëson si identitet. Reagimi ndaj tij është i njëjtë me atë që kemi kur dëgjojmë për dikë të bëjë një krim të paparë, autorit të të cilit menjëherë i vëmë epitetin “monstër”, si për të thënë se ne, si njerëz, s’kemi asgjë të përbashkët me të. E këtu s’bëhet fjalë për ndonjë monstër dosido, por për njerëz që i kemi përfaqësues të të tërëve. Atëherë, më mirë të mos lejojmë të hetohet kjo, sepse po të dilte e vërtetë, do të njolloseshim të gjithë. Dhe kështu, ata që e pengojnë hetimin automatikisht bëhen mbrojtësit tanë, kurse kush e kërkon hetimin, armiku ynë.
Për mua, pa mohuar faktorët e tjerë, është ky faktor që e bën kaq iracional dhe njëherësh kaq përbashkues mes shqiptarëve refuzimin e raportit “Marti”. Dhe ndonëse e kuptoj, nuk mund ta pranoj një iracionalitet të tillë. Gjykoj se kjo frikë për të njohur përbindëshin brenda nesh është iracionale dhe tregon papjekuri. Dihet se lufta e kthen njeriun në një përbindësh. Dihet se edhe etja e shfrenuar për para, e kombinuar me injorancën, e kthen atë në një përbindësh. Mendo pastaj bashkimin e të dyjave. Madje, kemi dëgjuar se në kushte “normale”, në vende “normale” janë zbuluar klinika, ku njerëzve u bëhen operacione të panevojshme për para. Kemi dëgjuar edhe se rrëmbehen fëmijë për trafikim organesh dhe është e vështirë të përcaktosh se cili është më monstër: rrëmbyesi barbar që e sheh njeriun si një copë mishi për ta shitur, apo i qytetëruari, që paguan e pranon të transplantojë organe, burimi i të cilëve është i paidentifikuar. Këto nuk i them për lehtësim përgjegjësie, por për të ndihmuar racionalitetin. Akuza është e rëndë sigurisht, por refuzimi për hetimin e saj është edhe më e rëndë, pasi është njëlloj sikur ta mbajmë përbindëshin brenda nesh, në vend që ta nxjerrim jashtë e dënojmë. Ky refuzim na bën bashkëfajtorë të gjithëve dhe besoj se shumica e shqiptarëve nuk duan të ndihen të tillë në këta krime. E jo vetëm, por të jetosh me dyshimin se ke në krye të vendit kriminelë të këtij kalibri, do të thotë për çdo shqiptar të jetojë i kërcënuar, pasi sikurse ka thënë Davidi dhjetëmijë vjet para Krishtit “Abyssus abyssum invocat” (humnera ndjell humnerën).

Roman nga Thani Naqo:Murmashët


(Demonët bëjnë sikur flenë)


1
Letrën e kishte lexuar disa herë dhe sot në mëngjes Artan Bareli pati ndjesinë se ç’shkruhej në të i dinte të gjitha përmendësh. Ardhja e Anita Traboninit në Amerikë i zgjoi kujtesën e një çerek shekulli të shkuar dhe ai kishte rënë në kurthin e ankthit që sjell pritja. 
GK
Ndezi cigaren dhe hodhi shikimin mbi kurorat gjigante të pemëve tropikale. Tufa e shpendëve murmashë oqeanorë vinte rrotull mbi to dhe kjo i kujtoi se shiu do të befte së shpejti. Thëthiu etshëm cigaren dhe pa dashje i doli psherëtima që u pasua me rrathë tymi mbi kokën e tij. 
-Eh, Anita Trabonini - tha gati me zë. 
Termometri amerikan tregonte 90 gradë nën hije, zagushi e mbetur pezull, por e nxehta e tropikut Artan Barelin nuk e bezdiste aspak. Nëse qëndronte në sallonin e pritjes, atij i duhej të përballej me ankimet e përditshme të nënës për dhimbjen e kockave nga reumatizma, ndërsa pompa, që përdorte i ati me astmë, lëshonte kërcitje dhe atij i linin përshtypjen se dikush ecte përmbi lajthi. 
Pasioni i dikurshëm për gdhendje në dru iu rizgjua tre muaj të shkuara kur ai u ndje i ngeshëm nga papunësia për shkak të krizës ekonomike. Rastësisht i pati zënë syri në një garash-shitje gleta, thika dhe çekiçë; i zoti i tyre kishte ndërruar jetë dhe, mikesha e tij, trupmadhe e tejet e shëndoshë, i kërkoi dhjetë dollarë për to. 
-Mjaftojnë për qirinjtë e përshpirtjes - kishte thënë ajo, ndërsa ai u pati hedhur një sy relieveve në dru. Talenti i gdhendësit të vdekur tregonte haptazi maninë e tepruar ndaj frutave dhe perimeve.
-Ishte vegjetarian. Sa kam unë njërën këmbë - kishte bërë shaka e zonja e shtëpisë - aq peshonte trupi i Xhonit. Ama, i tha lamtumirë kësaj bote, i ngopur me të gjitha - dhe ai mezi kishte mbajtur të qeshurën kur përfytyroi skenën romantike të seksit të tyre.


Lindur ne vitin 1953, ne Ziçisht te Korces. Ka mbaruar fakultetin e larte Ekonomik si dhe kursin pasuniversitar,prane Institutit te Arteve Tirane ne degen e skenarit te filmit artistik.Tregimet e para i ka botuar qysh kur ishte ne bangot e shkolles se mesme.Ka botuar keto vepra letrare: Vellime me tregime dhe novela “Shtepia e pergjumur”-1977,”Kabina e kuqe”-1985,”Vatra njerezore”-1987, skenarin e filmit artistic ”Perseri pranvere”-1985. Gjithashtu ka botuar vellimin me lirika “Fate paralele”-2006, romanin “Pergjumje iluzionesh”-2006, si dhe se shpejti do te dale ne qarkullim vellimi me lirika “Sinfonite e stineve”. Po ju paraqesim nje cikel me vjersha nga vellimi “Fate paralele” dhe nje cikel tjeter nga vellimi “Sinfonite e stineve”. Thani Naqo ka emigruar ne SHBA dhe jeton ne Florida, se bashku me familjen e tij.


Cikël nga Përparim Hysi:Mozaik me vargje

Kur të ka xhepi

Kur të ka xhepi, të gjithë të duan
Dhe budalla, po qe, të respektojnë
Dihet që veç paranë duan
Po t'u mbaruan, të abadonojnë

Kjo është provuar në jetë të jetës
-Ha mish, blimish!-bërtiti Nastradini
Është mallkim ta duash njerinë prej kuletës
Por, shpesh kështu ndodh.Do s'do Përparimi.


Ah, kjo heshtje!

Ah, kjo heshtje, kaq e gjatë që më la me veshët bigë
Seç m'u kthye në lëngatë; si sëmundje e keqe, e ligë
Pres me ditë e pres me javë; pres me muaj e me vite
Por sa do të pres, vallë? S'duroj dot, o mikja ime!

Dhe përgjigja kur të vij,unë do mbushem plot me gaz
Për aty me vrap do vij, kam aq mall sa gati plas.
Dhe pastaj nuk ka më bukur që të dy mbushur me mall
Të fitojmë kohën e humbur.ne që dreqi të na marrë...


Po...

Po e fitove bukën me djersën e ballit,
Po e ndjeve dhëmbjen e tjetrit si ta kesh vet,
Po i ndihe dikujt që vuan prej hallit
Ta dish që je Njeri. Je Njeri me të vërtetë.

Po ndënje në hije dhe rron e bën pallë,
Dhe Atdheu ka nevojë se është në rrezik
Nuk je më njeri, por je tamam: djall!
Më s'shtoj asnjë fjalë. Ndaj po vë pikë.


"Kontratë" me vdekjen

Mos hajde pa më lajmëruar!
Vdekje, a më dëgjon?!
Se ende jam duke shkruar
Të lutem shumë, përse nxiton?!

Le të bëjmë së bashku një "kontratë"
Dhe le të biemë, të lutem,në ujdi
Nuk them që ta shtysh mjaft gjatë
Por ja që nuk jam "gati" tani?!!!

Të sos unë "punët e mia"
Ç'kam shkruar, në libra t'i nxjerrë në dritë.
Pastaj të bëhet siç thotë Perëndia
Pastaj... më merr e më mos prit.


Përse shkruaj

Shkruaj për njerëzit dhe hallet e tyre
Që bota e keqe, të bëhet më e mirë
Shkruaj për botën e gëzuar të fëmijëve
Shkruaj për të shtypurit që të jenë të lirë.

Shkruaj kundër atyre që fitojnë pa djersë
Shkruaj kundër politikanëve cipëplasur
Shkruaj kundër të gjithëve që kanë "licencë"
Që si me magji, gdhihen të pasur.

Shkruaj dhe për të bukurën, për dashurinë
Se ndryshe, vallë a do isha poet?
Për dashurinë, me shkrime "vras" pleqërinë
Se pa dashuri, ç'vlerë do kishe,jetë?!...


Moment në spital

Hyri pacientja e bardhë si dëbora
Dhe mjekut i ra termometri nga dora
Këtë nuk e shpika, por e pashë me sy
Dhe si termometri u "thyemë" që të dy...


Gjak i shprishur

Veç dy fjalë e zënka e hidhur mori zjarr e u ndez flakë
Dhe me gulçe gjaku i shprishur zu të rrjedhë i shatërvantë.
Se u zbrazën plumba vrasës, erdhi vdekja e pështirë
Si në kohën e barbarëve; qe një kohë-egërsirë!!! *

Kë të qash? Vallë, veç të vrarin apo dorën aq të shpifur
As e mbaj hiç të qarin; zëmra-helm nga gjaku i shprishur.
Kush ka faj? Vallë, a e gjeni? Unë e di: veç politika.
Shih shejtani, hiqet shenjti! Pse s'u bie, o miq, pika?!!!

*aludohet për vitn 1997


Dhe thonë...

Dhe thonë që oqeani është i madh: pa fund e pa anë
Jo. Nuk jam dakord: a nuk i dal unë tej e matan
E madhe është dashuria. Kjo nuk ka as anë dhe as fund
Më kot mundohet njerëzia: ta masë, nuk mund...


E humbi si Xhaferri simiten

Unë e di pse Xhaferri e humbi simiten?
E humbi se pa Devolliten!!!
E pa dhe mëndjen krejt e humbi
Vazhdon që të bredh atje, buzë lumi...


Nuk besoj në asnjë klerik

Nuk besoj më në asnjë klerik
Të çdo besimi: nga janë e ku janë
Me jetën e tyre dolën shtiranikë
Shumë prej tyre krejt sharlatanë.

Në Zot besoj, sado që s'e kam parë
Sa herë i drejtohem, afër e ndjej
Shikoni ç'ka ndodhur... të dokumentuar
Klerikë që ta shpallin , fare të padenjë.


Ndarja me miken *

Atë ditë nuk e harroj; atë ditë që bashkë u ndamë
Unë qeshë si i pagojë; ti e ''tëra", bërë duman
Po ç'të them, o mikja ime; qe një ndarje dhe me lot
Ka ca gjëra, shpirtja ime, që të shpien në ndarje kot.

Dhe e shoh që më mungon, nuk harrohet bukë e vjetër
Zëmra zë dhe më rënkon, se nuk gjej si ti, një tjetër
Ndarja...a nuk është hata (kush e hoqi në kurriz)
Mu në shpirt kam Sahara, edhe jam vërtet në krizë

* 3 shtator 1961


Për pak... *
Letër për miqtë në Fier

Për pak desh ika, o miqtë e mi
Vdekja më fali...veç për pak
Në se këtu vdes, e kush e di?!
Për ju vdes me merak.

Se ju kam dashur me gjithë zemër
Malli për ju më mblodhi grusht
E, cilin nga ju të përmënd me emër?
Me secilin prej jush, jam lidhur ngusht.

Në iksha kështu, si sëpata pa bisht
Se vdekja tinëzare dy herë nuk të fal,
Mes gëzimeve tuaja jam përjetësisht
Bëmëni një zë dhe Përparimi u ngjallë.

*12 maj 2004


Kam djegur

Kam djegur letra dhe libra kam djegur
Përgjonte "Mesjeta" dhe shpatën mprehur
Do të thoni ju: - S'paske qenë trim?!
Por ishte një kohë, e gjitha përçmim.

Ku është Golgota; asgjë s' je, o Ferr!
Shpata tek koka. Tmerr qe, tmerr!
Sdo mend që u frika dhe gjoksin nuk rrah
Se mprehur qe thika; shkoje badjava.

Ndaj dogja letra; pa dogja dhe libra
E keqe si mesjeta; ajo kohë mbushur dimra.


Unë

Jam i butë si shelg lotues
Jam dhe si lis që s'pyes për dëborë.
Pra jam pak si një "rebus"
Që deshifrohem me zor.

Në jam si rrap që nuk pyes për erëra,
Kam një shpirt të brishtë si dafinë
Në se në shpirt flenë njëmijë pranvera,
Në dimër kthehem, po më shanë Shqipërinë.


Më tha mikja njëherë mua

Ja, njëherë, u "nervozua"
Mikja ime dhe më tha:
-Vdis njëherë, se do të dua
Vërtet "vdiqa"...prapë e dua....
Eh, ç'bela!!!!


Sa do më pëlqente

Sado më pëlqente që tani, në fund të vitit,
Vitin e ri ta bëja tek shtëpia e gjyshit.
Të gjyshit tim që kam patur nga nëna
Atje të isha. Ah, sa ma ka ënda!

Shtëpinë e ka në Skrapar, rrëzë Tëndës së Qypit
Atje të isha dhe nuk pyes hiç prej dimrit
E di tani rreth e përqark ka dëborë
Por ky peizazh i njohur sikur ma bën me dorë

E zë përlotem,se jam larg; shumë larg.
Prej mallit zë kotem, në shpirt kam plagë
Se tash jam i vjetër, më mbyt nostalgjia
Për festa kalmendesh, të shtohet dashuria.

Albanët me Famë në Mijëvjeçarë' (Nga Troja e Lashtë Deri në Ditët Tona)

Ky është titulli i librit të autores Elena Kocaqi. Libri ndërtohet mbi studimin që autorja ka bërë në lidhje me rrënjët e shqiptarëve, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë botërore. Ajo shqiptarët i shikon si krijuesit dhe drejtuesit e perandorive të mëdha, që nga Aleksandri i Madh, Perandoria e Romës, e Bizantit dhe Osmane. Këta perandori thotë autorja "janë në thelbin e tyre perandori të krijuara dhe qeverisura nga shqiptarët, apo nga paraardhësit e tyre, pellazgo-ilirët. Ata në rolin e qeveritarëve, i kanë dhënë botës zyrtarisht fenë njëzotëshe dhe janë arkitektët dhe financuesit e veprave të kultit më të vjetra dhe më të famshme të botës. Shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre për krijimin e disa shteteve moderne si të Egjiptit, Turqisë, Greqisë, Rumanisë, Italisë etj."
"Shqiptarët janë gjyshërit e kombeve dhe gjuhëve të Europës si dhe krijuesit e qytetërimit më të lashtë etnik evropian dhe nuk meritojnë të trajtohen siç janë trajtuar, sidomos në shekullin e XX. Bota duhet të dijë të shfrytëzojë dhe të kanalizojë aftësitë e shqiptarëve në drejtimin e duhur, për të kontribuar për të mirën e njerëzimit dhe, për ta bërë këtë, ajo duhet të njohë historinë e vërtetë të këtij kombi."

Në këtë libër, autorja flet për lëvizjet pellago-ilire dhe kontributin e tyre në krijimin e popujve të Evropës. Autorja flet për Mbretërinë trojane, Dinastitë trojano-dardano-albane të Evropës; për dinastinë maqedone; për Aleksandrin e Madh të Maqedonisë; dinastia e Epirit (Pirro i Epirit); Dinastia e Ptolemenjve në Egjipt; Perandorët dhe strategët ilirë të Romës; Kostandini i Madh; Perandorët ilirë të Bizantit; Kryeministrat shqiptarë të qeverisë osmane si dhe shumë figura të shquara me origjinë shqiptare.

Në realizimin e këtij studimi, autorja është mbështetur në autorët Antikë dhe të Mesjetës. Në mënyrë të veçantë ka studjuar autorët gjermanë, për të cilët thotë se janë më të besuar sepse janë pasardhës të drejtpërdrejtë të popujve pellazgo-ilirë, që lëvizën drejt Evropës, dhe janë dëshmitarë të ngjarjeve për të cilat autorët grekë nuk kanë dijeni, sepse janë më të vonë se ata.

Krijimin e popujve të Europës autorja e lidh me lëvizjet e popujve të qytetëruar të kohës që janë trojanët. Populli që doli nga përmbytja e madhe. Pasardhësit e Noes u vendosën në Europë. Legjenda e ardhur nëpërmjet Apianit thotë se "Këtë emër (Ilir) ky vend (bëhet fjalë për Ilirinë - Linda) e mori nga Iliri i biri i Polifemit. Bijtë e ciklopit Polifem dhe Galatës të quajtur Keltë, Ilirë dhe Galë lanë Siçilinë dhe bënë sundimtar mbi fiset të cilat nga emrat e tyre u quajtën Kelt, Ilir dhe Galë" Pra, legjenda tregon se keltët, ilirët dhe galët janë vëllezër. Dhe këto vëllezër populluan Ballkanin, Anglinë dhe Francën.

Një lëvizje tjetër popullsie që ndikoi në krijimin e popullsive të Europës është ajo pas Luftës së Trojës. Heronjtë e Trojës me fiset e tyre, që shpëtuan nga shkatërrimi, u shpërngulën për në Europë. Ene Dardanidi u vendos në Itali, ku pasardhësit e tij themeluan Romën dhe më vonë Perandorinë Romake. Kurse i nipi i tij, Briti, u vendos në Angli. Por atje gjeti popullsinë, e të njëjtit gjak të tij, që kishte krijuar Albionin, siç quhej Anglia e lashtë. Kurse Briti i dha këtij shteti emrin e tij, Britani dhe ndërtoi Londrën, nën shembullin e Trojës, duke e quajtur Troja e re. Popullsia anglo-saksone përbën lëvizjen e tretë të popullsisë, që u shpërngul në Angli. "Për të qenë sa më të qartë, - thotë autorja - dyndjet e popullsive në Britani janë kryer në disa valë, por më të rëndësishmet kanë qenë dy. Së pari, dyndja dardane e shekullit të XI p.k. dhe së dyti, dyndja anglo-sake në shekullin e VI-VII të erës së re. Bashkimi i këtyre dy popullsive krijoi kombin britanik." faqe 46.

Këta popuj e dinin fare mirë që kishin një prejardhje. Kur Cezari, që rridhte nga familja e Eneas, pushtoi Britaninë, në vitin 55 p.k., i dërgon letër mbretit të Britanisë, që të nënshtrohet pa luftë, përgjigja që mori, nga mbreti Kasabeli, ishte e tillë: "Kërkesa jote Cezar është skandaloze, derisa i njëjti gjak aristokratik i Eneas rrjedh si te romakët dhe te britanikët dhe i njëjti zinxhir gjaku na lidh ne, i cili duhet të jetë një urë miqësie dhe këtë duhet të na kishe kërkuar ne, dhe jo sllavërinë" f.53
Po ashtu Cezari e dinte lidhjen me britanikët dhe thoshte: "Në të vërtetë ne romakët dhe britanikët kemi të njëjtën origjinë, sepse rrjedhim nga raca trojane. Babai ynë i parë pas shkatërrimit të Trojës ishte Enea. Briti, që kishte baba Selvin, djalin e Asganit, djalit të Enes". f.47

Po kështu autorja e shikon popullsinë franceze si një bashkim të popujve galë (që e morën emrin nga Gali vëllai i Ilirit dhe i Keltit), frankë (që e morën emrin nga Franko trojani 1181-1171 p.k.), të ardhur në këtë territor pas rënies së Trojës, dhe të romakëve. Ata i dhanë kryeqytetit të Francës emrin Paris për të kujtuar, princin Trojan, Parin, të birin e Priamit, që rrëmbeu Helenën e bukur dhe u bë shkas për luftën e Trojës dhe rrënimin e atij qytetërimi. Por që realisht ajo bëri dhe historinë.

Teutonët një nga fiset kryesore gjermanike, formuan kombin gjerman dhe atë skandinav.

Pra autorja konkludon se "Fiset kryesore, të cilat formuan kombin francez, anglez, gjerman, skandinav, janë frankët, teutonët, gotët, anglo-saksët, normanët, langobardët etj. Të gjitha këto fise kanë ruajtur në historinë e shkruar nga vetë ata faktin e emigrimit, se nga ku, dhe si emigruan, luftërat që kanë bërë dhe vendet ku u vendosën. Ajo që ka ruajtur një popull në traditën e tij, është shumë herë më e vlefshme, nga ajo që thonë të tjerët për të. Këta popuj që populluan Europën dhe që i dhanë botës qytetërimin më të lartë që ka njohur, nuk vinin nga pylli dhe nga hiçi, ashtu siç është thënë deri më sot, por ishin pasardhës të gjyshërve të tyre etnikë evropianë, sepse rrjedhin nga ata." f.63.
"Troja u shkatërrua, dhe u dogj, por nuk mori fund qytetërimi i saj i lavdishëm. … fiset trojane emigruan në Itali, Britani, Irlandë, Francë dhe themeluan mbretëritë trojane atje, … Nuk ishte rastësi që Evropa Perëndimore ngriti qytetërimin dhe kulturën më të lartë që ka njohur njerëzimi, sepse ata ishin njerëz me kulturë të lashtë, ishin trojano-dardano-albano-ilir.
Trojano-ilirët nuk vdiqën, ata janë të gjallë dhe sot më të fortë se kurrë, pasi kanë ngritur qytetërimin dhe shtetet më të forta të botës së sotme si ato amerikano-veriorë, anglezë, gjermanë, francez, skandinavë etj." f.19

Një fakt historik, që është përdorur nga autorja, për të provuar origjinën e njëjtë të këtyre popujve, është edhe e dhëna antroplogjike, për racën shqiptare dhe evropiane. Për të përcaktuar etnitë dhe racat, shpesh, antropologjia ka si etalon matës treguesin e kafkës së kokës. Në bazë të madhësisë së kafkës së kokës popullsia ndahet në:
Brachycephalas që tregon një kokë tepër e gjerë madje quhet dhe koka e rrumbullakët. Treguesi cephalik është mbi 80.
Mezocephalas që është një kafkë koke më e ngushtë se ajo e para. Treguesi cefalik është 75-80.
Dolicephalas që është një kokë e gjatë dhe e hollë. Treguesi cephalik është nën 75.

Etnitë brachycephalas, janë më të vjetrat e Evropës. Shqiptarët me një tregues cephalik nga më të lartët në Evropë (me tregues 85-90), shpesh quhen dhe si hiperbrachycephalas. Janë brachycephalas si shqiptarët, gjithashtu Gjermania, Austria, Zvicra, Franca Lindore, Belgjika në pjesën më të madhe të saj, popullsia e Karpateve nga dolën Rumunët dhe Hungarezët. Popullsi brachycephalas, ka një pjesë e Irlandës, Skocia, një pjesë e Holandës perëndimore e quajtur Frizia, bregdeti perëndimor i Norvegjisë, një pjesë e madhe e Danimarkës e Islandës dhe Italia Veriore e Qëndrore. Edhe Armenia në Kaukaz ka të njëjtin tregues qefalik. Pjesa bregdetare e Bosnjës dhe malit të Zi. Britanikët dhe pjesa veri-perëndimore e Evropës ka qënë brachycephalik, por në shekujt X-XI ka një dyndje nordike, që janë dolicephal, dhe kjo shkaktoi përzierje.

"Sa të rrosh do të mësosh" thotë populli ynë. Ndërsa filozofi i lashtësisë Sokrati thoshte "unë di një gjë që nuk di asgjë". Kjo më ndodh sa herë që lexoj diçka. Pikërisht nga libri i autores Kocaqi unë u njoha me historinë europiane, të cilën nuk e kemi studjuar në shkollë. Historinë e këtyre vendeve e lidhnim vetëm me pushtimin nga perandoria Romake. Dalja në dritë e këtyre fakteve e lidh historinë e Europës me paraardhësit e shqiptarëve dhe me vetë shqiptarët.

Përforcova dijet mbi popullsinë trojane dhe lëvizjet e saj, që për mua kishin shkuar deri në Itali, dhe tashmë kam dijeni për shtrirjen e tyre të mëtejshme.

Mësova se Tragjedia "Mbreti Lir" e Shekspirit ishte shkruar për mbretin Lir që kishte mbretëruar në Angli në vitet 800 p.k. dhe që unë e dija se Shekpiri fliste për mbretërinë Ilire në Ballkan.

Mësova që qytetërimin në Europën Perëndimore nuk e dërgoi Perandoria Romake por ata ishin po kaq të qytetëruar sepse, paralelisht, pasardhësit e trojanëve zhvilluan qytetërimet sitrojane në gjithë Europën.

Madje edhe kryqëzatat europiane nuk do t'i shikoj me syrin e njerëzve barbarë, që kërkonin të shkatërronin Perandorinë e lulëzuar bizantine apo romake, por si lëvizje të popujve që ktheheshin në vendet, që ua kishin rrëmbyer barbarët, në Kostandinopojë dhe Aleksandri.

Popullsia panone e Ilirisë, që u shpërngul sidomos në shekujt III p.k., kur Ballkani u pushtua nga perandoria Romake dhe deri në shekullin VII e.s., që u largua nga dyndjet sllave në Ballkan, dha një kontribut të shquar në krijimin e shteteve të Europës dhe në drejtimin e Perandorisë Romake.

Sikurse realisht do të kuptoj se territoret e Ballkanit u boshatisën nga lëvizjet e këtyre fiseve, drejt perëndimit, për t'u shpëtuar dyndjeve barbare. Madje këto fise, që lëvizën, ishin pjesa më e qytetëruar e Ilirikut. Dhe mund të ketë ndodhur që në këto rajone të kenë mbetur pjesa e pazhvilluar e popullit që i shpëtoi invadimeve barbare duke u fshehur në male. Dhe prandaj shpesh ndër ne lind pyetja përse këto rajone, ku ne jetojmë sot, nuk u zhvilluan sikurse u zhvilluan rajonet e tjera të Europës.

Kjo njohje e re e historisë do t'i jepte përgjigje edhe pyetjes, që historianët kanë bërë, se përse romakët e quajtën gjithë Ballkanin Ilirik. Pra ata e njihnin këtë rajon dhe ishin një popull me ilirët dhe prandaj i gjithë Ballkani u quajt Ilirik sepse i tillë ishte.

Po kështu ka historianë që pyesin. Si spjegohet që gjithë ajo popullsi ilire u asimilua nga dyndjet barbare sllave, kur iliri ishte i gjithë Ballkani. Dhe përgjigjen fare mirë e gjejnë në këto studime. Pra fiset ilire të qytetëruara të Ballkanit u shpërngulën për në Europën perëndimore, për t'u shpëtuar dyndjeve barbare sllave. Ata qytetëruan dhe zhvilluan Europën, për t'u kthyer një ditë dhe për të zhvilluar përsëri këtë vend, nga kanë dalë paraardhësit e tyre.

Sikurse nga këto studime mësova se kudo ku ka qytete apo vende që mbajnë emrin alban, janë toponime të mbetura nga popuj që u shpërngulën nga Ballkani, nga Azia dhe Deti i Zi dhe që ishin raca e njëjtë e bardhë dhe jo më kot dhe shqiptarët i quajtën Albanë. Ata e dinin prejardhjen e tyre dhe të shqiptarëve. Sot emri Albani ndodhet në shumë vende, madje dhe vetë kryeqyteti i shtetit të Nju Jorkut quhet Albani. Sikurse fustanellat skoceze dihet që kanë një burim të përbashkët me ato shqiptare. Pasi dhe vetë Skocia dikur e ka patur emrin Albani nga djali i Britit dardanid.

Kurioze jam të di kur e mësuan europianët, që flisnin për paraardhësit e tyre si trojanë, se pikërisht paraardhësit e tyre janë të njëjtë me këta shqiptarë, të cilët Europa i copëtoi dhe i la nën mëshirën e sllavëve. Dhe nëse ata e dinin që shqiptarët ishin si paraardhësit e tyre përse ata i sakrifikuan aq shumë. Apo ata nuk e dinin historinë e tyre.

Dy librat "Albanët me famë në mijëvjeçarë" dhe "Roli pellazgo-ilir në krijimin e kombeve dhe gjuhëve evropiane", që autorja ka nxjerrë, janë me vlera për lexuesin shqiptar, për historinë e shqiptarëve dhe përbëjnë një thesar për bibliotekën e çdo shqiptari. Përshëndetje autores së re. Dhe, ajo që më entuziazmon më shumë është fakti se, nesër, nëpër simpoziumet dhe kongreset që do të zhvillohen, për të nxjerrë në dritë historinë e vërtetë të njerëzimit, të lidhur dhe me kulturën pellazgo-ilire-shqiptare, shqiptarët do të jenë të përfaqësuar nga historianë dhe studjues dinjitozë. Suksese autores Kocaqi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...