2011-01-02

PSE?!!!!


Wikileaks dhe Dick Marty



http://perpjekja.blogspot.com/2010/12/wikileaks-dhe-dick-marty.html


Në Shqipëri është folur më pak se kudo për WikiLeaks, por është folur e debatuar megjithatë mbi kundërthëniet e aktit të Assange. Të tjera dokumente që pritet të dalin edhe mbi Shqipërinë ndoshta do ta rindezin debatin, por ky tashmë është eklipsuar nga raporti i Dick Marty-t me akuzat mbi krimet e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin, në mbarim të luftës në Kosovë, si dhe mbi kapjen e shtetit nga krimi i organizuar atje, ashtu sikurse edhe për mosbashkëpunimin e qeverisë  shqiptare për hetimin e akuzave ndaj Thaçit e njerëzve të tij. Të dy ngjarjet duken si krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, por kanë disa pika interesante kontakti, sipas meje.  Së pari, pasi të dyja kanë të bëjnë me informacione që i jepen publikut mbi atë se çka bëjnë të pushtetshmit, ndonëse debati mbi Assange është më i komplikuar, do të thoja, pasi veprimi i tij nuk vjen nga institucione në pushtet që japin informacion mbi pushtete të tjera, si raporti i Dick Marty-t. Së dyti, kanë lidhje me njëri-tjetrin, sipas meje, sepse ato që ka zbuluar Assange, në një farë kuptimi na tregojnë se çfarë ndodh në prapaskenë derisa gjërat dalin në skenë, siç doli Marty, por edhe pse nganjëherë ato nuk dalin asfare në skenë.
Personalisht bëj pjesë ndër ata që, ndonëse njohin faqet e rrezikshme të aktit të Assange, e konsiderojnë pozitive punën e WikiLeaks, pasi e shoh si një akt që e ndihmon demokracinë, duke u dhënë më shumë pushtet njerëzve në kontrollimin e përfaqësuesve të vet. Tek e fundit, demokraci do të thotë pushtet i popullit dhe, nëse pranojmë se një instrument i rëndësishëm i pushtetit është zotërimi i së vërtetës, atëherë në sa më shumë mendje të jetë e vërteta, aq më shumë demokraci kemi; kurse në sa më pak mendje të jetë kjo, aq më pak demokraci kemi. Thënë kjo, duhet shtuar se, sigurisht, ashtu sikurse ndodh me demokracinë në përgjithësi, kjo situatë nënkupton edhe më shumë kompleksitet, prandaj dhe më shumë vështirësi menaxhimi - shpesh ky menaxhim krahasohet me atë si të bësh muzikë me një orkestër dhe jo me një instrument të vetëm. Dikush do të thotë se një shtet si SHBA-ja nuk mund të konsiderohet si një shtet që vepron kundër interesave të popullit të vet, prandaj s’ka pse të zbulohen gjëra që ai shtet, për të mirë të popullit të vet, i gjykon se duhet të jenë sekrete. Ashtu është, por edhe s’është. Së pari, pasi duket ende e largët, në mos e paarritshme, dita kur shtetet do të realizojnë atë idealin kur të konsiderohen se gëzojnë besim të plotë për të mos u kontrolluar nga qytetarët e tyre. Ndoshta ai lloj shteti do t’i përkiste një tjetër lloj sistemi nga ky që sot e quajmë demokraci, e cila është e bazuar mbi qasjen antropologjike që e konsideron njeriun si të papërsosur, madje me prirje për të abuzuar me pushtetin, prandaj dhe duhet kontrolluar. Së dyti, pasi botimi i këtyre dokumenteve edhe pse mund të jetë kundër interesave të shtetit e popullit amerikan, mund të jetë në favor të interesave të popujve të tjerë, pasi dihet përsëri se nuk e kemi arritur ditën kur të gjithë shtetet të punojnë në harmoni me njëri-tjetrin për të mirën e të gjithë popujve të tyre. Ka pasur jo pak raste kur interesat e shtetit amerikan, që mund të kenë qenë (por edhe mund të mos kenë qenë) edhe të popullit amerikan, mund të jenë përputhur me interesat e pushtetarëve të vendeve të tjera, por jo me interesat e popujve të këtyre vendeve.  
Këto konsiderata të përgjithshme mbi WikiLeaks i kam shprehur edhe më parë me median elektronike dhe nuk do të isha ulur të shkruaja sikur rasti të mos më sillte të lexoja një faqe të tërë të “Le Monde” me titull “Diktatura dhe Mafia e Azisë Qendrore” (14 dhjetor 2010), që u referohej materialeve të nxjerra nga WikiLeaks, i cili më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë e më bindi edhe më fort për dobishmërinë e kurajos së Assange. Dhe nuk është se e nxora këtë përfundim pa lidhje me realitetin shqiptar. Përkundrazi, pikërisht në lidhje me të, madje dalja e raportit të Marty-t në të njëjtën kohë sikur ma ilustroi atë që po mendoja.
Le të shpjegoj me pak rreshta se çfarë shkruante “Le Monde” bazuar mbi dokumentet e WikiLeaks:
Fillonte me materiale të Ambasadës Amerikane në Baku të Azerbajxhanit. “Interlokutor qendror dhe prioritar për SHBA-në”  e cilëson ambasadori në një dokument të vitit 2008 këtë vend; “aleat në luftën kundër terrorizmit”, “partner vendosmërisht laik dhe pro amerikan në një zonë të kërcënuar nga islami radikal”. Por, vini re, nga ana tjetër, ai raporton edhe për mungesë të demokracisë dhe korrupsion e abuzime të mëdha të pushtetit në Azerbajxhan. Në një telegram të vitit 2009, ambasadori flet për presidentin Ilham Aliev, duke e quajtur Majkëll Korleone (padrinoja i famshëm i filmit me famë) për të cilin thotë se me të huajt paraqitet si një kozmopolit, kurse brenda vendit po bëhet gjithnjë e më autoritar. Në dokumentet për Uzbekistanin, protagoniste na del e bija e Presidentit të vendit, Karimova: “një person i etur për para e për pushtet, që përdor të atin për të shkatërruar biznesmenët e tjerë që i dalin në rrugë.” Lidhur me Kazakistanin, ambasadori amerikan atje raporton një bisedë që ka bërë gjatë një darke kokë më kokë me një drejtues të lartë kazak, i cili i ka thënë: “Kapitalizmi - siç e quani ju ekonominë e tregut - do të thotë shumë para. Dëgjomëni mua, të gjithë ata që kemi lart janë të marrë fund. Janë të marrë fund për shkak të mentalitetit sovjetik që kanë; janë të marrë fund edhe për shkak të teprimeve korruptive të kapitalizmit. E dini ç’thonë? Përderisa edhe ata të Goldman Sachs fitojnë 50 milionë dollarë në vit dhe udhëheqin pastaj ekonominë amerikane, ç’ndryshim ka me këtë që bëjmë ne këtu?” Kurse lidhur me Kirgistanin, “Le Monde” shkruan se atje ka një bazë amerikane në të cilën rifreskohen trupat e Afganistanit. Aty ka pasur trazira të mëdha kohët e fundit, që kanë sjellë edhe vdekjen e shumë personave, për të cilat është akuzuar edhe i biri i presidentit Bakiev, një njeri i fuqishëm në vend. Ambasadorja amerikane ha një drekë të përzemërt me këtë njeri, gjatë së cilës ky i flet për makinacionet e rusëve  - sipas lojës që ka bërë edhe i ati për të përfituar nga të dy palët. Por ambasadorja nuk e ha sapunin për djathë: “Malinj i shkolluar mirë” e quan këtë personazh në raportin që dërgon, por ndërkaq shkruan: “Nëse marrëdhënia me këtë njeri do të trajtohet me kujdesin e duhur, ne mendojmë se mund të nxjerrim përfitime prej saj” - paçka se në analizat që i dërgohen Departamentit të Shtetit shkruhet edhe se “korrupsioni i gjithëpërhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes është pengesë për zhvillimin ekonomik.”
Mua më duket se mjafton një “NO COMENT” për t’i mbyllur këto radhë. Besoj se nuk ka shqiptar në Shqipëri e në Kosovë - nuk e kam fjalë për ata që janë në pushtet, por për shumicën që vuan prej pushtetit - që, duke lexuar këto që shkruan “Le Monde”, mbështetur mbi dokumentet e WikiLeaks, të mos nxjerrë përfundime të mençura për vendin e vet dhe të mos falënderojë për këtë edhe guximin e Assange. 

Pse refuzohet raporti i Dick Martit




http://perpjekja.blogspot.com/2010/12/pse-refuzohet-raporti-i-dick-martit.html


Politika dhe mediat shqiptare shpalosën ndaj raportit të Dik Marti, mbi akuzat për krime në Kosovë dhe Shqipëri nga njerëzit e UÇK, me në krye Hashim Thaçin; një refuzim me një nivel të tillë iracionaliteti, i cili habiti edhe shqiptarët, që sadokudo, e njohin klimën në vend, e le më pastaj të huajt. Do të thosha se po aq sa raporti vetë, edhe ky refuzim përbën një ngjarje që duhet analizuar.
Para së gjithash, le të shtjelloj pse më duket kaq iracionale mënyra sesi u refuzua raporti.
Së pari, ndërkohë që duket qartë se kemi të bëjmë me një raport të shkruar nga një ekip, (madje ka aty edhe një falënderim për ekipin), ai u trajtua sikur të ishte puna e një njeriu të vetëm, i cili pastaj u diskreditua duke u quajtur i sëmurë mendërisht, apo i blerë nga serbët e me radhë. Jo vetëm kaq, por kjo çmenduri vazhdoi edhe kur u pa se raporti u votua me unanimitet nga deputetët e Parlamentit Europian. Gjykoj, se qoftë puna e një ekipi, qoftë votimi nga një parlament i tërë, duhet të mjaftonte për ta ndaluar sadopak turra-vrapin absurd me akuza kundër “armikut të jashtëm”, në bashkëpunim me “armikun e brendshëm”.
Së dyti, paksa të njohësh ato çka shkruhen e thuhen në Shqipëri dhe Kosovë për politikën dhe politikanët, si andej dhe këtej kufirit (madje ato që thonë ata vetë për njëri-tjetrin) del qartë një situatë ku nuk mund të dallohet se ku mbaron aktiviteti kriminal dhe ku fillon shteti. Mjaft të kujtojmë ato çka thoshte vetë Sali Berisha në vitin 2005 për qeverinë paraardhëse, apo ç’thotë opozita shqiptare për Sali Berishën. Apo mjaft të dëgjoje akuzat elektorale në Kosovë ku flitej jo vetëm për korrupsionin e sotëm e krimet e sotme, por edhe për vrasje politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë, ndaj personash që janë konsideruar si rivalë të UÇK. Edhe kjo vetëdije besoj se duhet të kishte përftuar një lloj reflektimi ndaj akuzave të raportit.
Së treti, nuk do shumë mend për të kuptuar se ky raport nuk është një vendim gjyqësor, por një raport që kërkon të hetohen një sërë akuzash, për të cilat ka disa të dhëna shqetësuese. Për shembull: rezultojnë të zhdukur pas luftës afro katërqind persona, ndër të cilët edhe shqiptarë, por shumica serbë, një pjesë prej të cilëve thuhet se kjo u ka ndodhur në territorin shqiptar. A mund të jemi ne të pandjeshëm ndaj këtij fakti, e të mos kërkojmë të hetohet se pse janë vrarë, cilët janë vrasësit dhe ku mund të ndodhen varret e tyre? Disa nga patriotët tanë mund të thonë: Jo, s’kemi pse të jemi të ndjeshëm, pasi ata kanë qenë armiq që na kanë vrarë apo bashkëpunëtorë të tyre. E megjithatë, edhe atyre mund t’u thuhet se fakti ekziston dhe s’mund të quhet fantazi e Martit. Dhe po ashtu, se s’ka vend në botë që i le pa varr njerëzit e vdekur, cilëtdo qofshin ata (përjashto për fat të keq ndonjë vend si ky i yni që në kohën e Hoxhës i linte pa varr armiqtë e pushkatuar) e se politikanët tanë të sotëm, si këtej dhe andej kufirit, thonë se po na çojnë në Europën e të drejtave të njeriut, që nuk njeh as dënimin me vdekje, e jo më lënien e të vdekurit pa varr.
Së katërti, në raport thuhet se një pjesë prej të humburve dyshohet se u janë hequr organet dhe u janë tregtuar, pasi janë vrarë me plumb pas koke. E kjo, sipas raportit, mund të jetë kryer nga njerëzit e Thaçit në Shqipëri. Akuza është e tmerrshme, sigurisht, gati e pabesueshme, por përsëri një mendje e shëndoshë të thotë që nuk mund të refuzohet mundësia e hetimeve për këtë. Aq më tepër nëse autoritetet dhe ekspertët shqiptarë, së bashku me ata kosovarë, janë të bindur se është krejtësisht e pabazë. Përkundrazi, arsyeja e shëndoshë do që duhet bërë çmos që kjo akuzë të sqarohet një sahat e më parë, pasi, përndryshe, kush thotë se kjo akuzë nuk duhet hetuar, merr mbi shpinë dyshimin se e ka mizën nën kësulë.
Personalisht nuk di se si t’u kundërvihem këtyre katër argumenteve, prandaj e quaj reagimin ndaj raportit krejtësisht iracional.

* * *


Thënë këto, pyetja që ngrihet është se prej nga buron ky iracionalitet, sepse, sikurse thuhet, edhe iracionaliteti ka racionalitetin e vet. Gjykoj, se megjithë kufizimet mendore të njohura të politikanëve tanë dhe servilizmin e nënshtrimin e mediave tona ndaj tyre, ata nuk janë kaq iracionalë sa të mos kuptojnë katër argumentet që kam shtjelluar më sipër. Po atëherë?
E këtu nuk mund të mos ndalesh tek ajo pikë e raportit, që e bën kaq të papranueshëm raportin për shqiptarët. Dhe kjo, afërmendsh është akuza për trafikim organesh, pasi për fat të keq, akuza se vendet e Ballkanit qeverisen nga mafiozë e trafikantë, tashmë është një gjë që s’përbën as lajm. Shih për këtë reagimin e mediave të huaja, të cilat u përqendruan vetëm tek trafikimi.
Pyetja e parë që ngrihet lidhur me këtë akuzë është: nëse janë të bindur se nuk është e vërtetë, pse e pengojnë mundësinë e hetimit shqiptarët e akuzuar, apo mos vallë ka ndonjë mundësi të jetë e vërtetë? Pyetja e dytë është: mos vallë, ndonëse janë të bindur se akuza e organeve nuk është e vërtetë, kanë frikë se hetimi mund të çojë në zbulime krimesh të tjera, që gjithsesi janë të rënda dhe, tek e fundit, do t’i ngarkonte me përgjegjësi penale? E pastaj vijnë disa pyetje të tjera: mirë ata në Kosovë që akuzohen si autorët, po këta në Shqipëri ku e kanë hallin?: se janë lidhur tashmë me klasën politike në Kosovë edhe me interesa, se janë në një farë mënyre të përfshirë edhe vetë në ndonjë nga krimet, apo mos e kanë hallin të tregojnë sesa e duan Kosovën, meqenëse kjo është një nga kartat e vetme që u ka mbetur për ta quajtur veten burra të mirë përpara shqiptarëve - sigurisht me kutin e tyre? Janë pyetje që mbeten të hapura e që do ta mbajnë hapur këtë çështje sipas mendimit tim.
Por analiza e këtij refuzimi nuk mund të ndalet këtu.
Ka një pjesë njerëzish racionalë, shqiptarë dhe të huaj, që kërkojnë ta shpjegojnë këtë refuzim iracional me rrezikimin e mitit të UÇK. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me skizofreninë shqiptare (dhe jo vetëm) të të jetuarit midis lavdisë së një bote virtuale plot me heronj e trima të lavdishëm dhe mjerimit të botës reale të mbushur me maskarenj. Të tjerë e shpjegojnë me faktin më prozaik, sipas të cilit Hashim Thaçi dhe të tijtë, meqenëse kanë pushtetin, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushteti të tyre. Nuk mungon për të shpjeguar këtë refuzim edhe argumenti se kjo akuzë, po të dalë e vërtetë, u delegjitimon shqiptarëve të drejtën për të pasur shtetin e tyre në Kosovë, prandaj duhet hedhur poshtë pa hezitim.
Personalisht, dyshoj se miti i liderëve të UÇK-së, i ndjerë apo i vetëpromovuar, të jetë kaq i fortë midis shqiptarëve në Kosovë, saqë ruajtja e tij të jetë arsyeja pse refuzohet në mënyrë kaq iracionale raporti i Martit. Hashim Thaçi e drenicarët dihet se kanë edhe shumë kundërshtarë në Kosovë, që do të donin t’i shihnin të rrëzuar nga pushteti së bashku me mitin e tyre; kam parasysh LDK-istët, p.sh., që i kanë akuzuar për vrasje të njerëzve të tyre, por edhe të tjerë. Dhe ky argument është në favor të idesë se nuk do të bëhej ‘qameti’ në Kosovë, sikur disa udhëheqës të UÇK të hetoheshin nga EULEX. E për këto janë të vetëdijshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë.
Gjykoj, se ndonëse tërë këto argumente shpjegues kanë peshën e tyre, gjithsesi ka një element më të rëndësishëm mitik sesa miti i UÇK, për shpjegimin e  refuzimit iracional të shqiptarëve, për të hetuar mbi këtë akuzë. Sipas meje, ky refuzim ka të bëjë kryesisht me frikën e një njolle në identitet, që do të merrnin shqiptarët sikur kjo akuzë të provohej. Pra, akuza nuk përjetohet si një sulm kundër mitit të UÇK, por kundër imazhit të shqiptarit në përgjithësi, si mit identifikues. Të vrasësh dikë mund të quhet “krim” sipas një kodi njerëzor, mund të quhet “nevojë” sipas një kodi mafioz, mund të quhet edhe “shërbim ndaj atdheut” sipas një kodi nacionalist; kurse t’i heqësh organet këtij të vrari dhe t’ia tregtosh, kjo sikur i kalon caqet dhe i fut autorët në kategorinë e atyre që quhen “monstra”, të cilët dalin jashtë çdo kodi. Me këtë akt, sikur arrihet “e keqja absolute” siç quhet Holokausti, ajo që të ndan nga raca njerëzore. Këtu është problemi kryesor që hap raporti “Marti”, do të thosha unë. Mbas serbëve që identifikohen me Srebrenicën do të dilnin disa monstra edhe më të këqij se këta, shqiptarët, që jo vetëm vrasin njerëz të pafajshëm, por edhe u tregtojnë organet. Në fakt, është një krim që nuk e kemi dëgjuar të bëjë pjesë në historinë tonë dhe të popujve të tjerë të Ballkanit, e prandaj na frikëson si identitet. Reagimi ndaj tij është i njëjtë me atë që kemi kur dëgjojmë për dikë të bëjë një krim të paparë, autorit të të cilit menjëherë i vëmë epitetin “monstër”, si për të thënë se ne, si njerëz, s’kemi asgjë të përbashkët me të. E këtu s’bëhet fjalë për ndonjë monstër dosido, por për njerëz që i kemi përfaqësues të të tërëve. Atëherë, më mirë të mos lejojmë të hetohet kjo, sepse po të dilte e vërtetë, do të njolloseshim të gjithë. Dhe kështu, ata që e pengojnë hetimin automatikisht bëhen mbrojtësit tanë, kurse kush e kërkon hetimin, armiku ynë.
Për mua, pa mohuar faktorët e tjerë, është ky faktor që e bën kaq iracional dhe njëherësh kaq përbashkues mes shqiptarëve refuzimin e raportit “Marti”. Dhe ndonëse e kuptoj, nuk mund ta pranoj një iracionalitet të tillë. Gjykoj se kjo frikë për të njohur përbindëshin brenda nesh është iracionale dhe tregon papjekuri. Dihet se lufta e kthen njeriun në një përbindësh. Dihet se edhe etja e shfrenuar për para, e kombinuar me injorancën, e kthen atë në një përbindësh. Mendo pastaj bashkimin e të dyjave. Madje, kemi dëgjuar se në kushte “normale”, në vende “normale” janë zbuluar klinika, ku njerëzve u bëhen operacione të panevojshme për para. Kemi dëgjuar edhe se rrëmbehen fëmijë për trafikim organesh dhe është e vështirë të përcaktosh se cili është më monstër: rrëmbyesi barbar që e sheh njeriun si një copë mishi për ta shitur, apo i qytetëruari, që paguan e pranon të transplantojë organe, burimi i të cilëve është i paidentifikuar. Këto nuk i them për lehtësim përgjegjësie, por për të ndihmuar racionalitetin. Akuza është e rëndë sigurisht, por refuzimi për hetimin e saj është edhe më e rëndë, pasi është njëlloj sikur ta mbajmë përbindëshin brenda nesh, në vend që ta nxjerrim jashtë e dënojmë. Ky refuzim na bën bashkëfajtorë të gjithëve dhe besoj se shumica e shqiptarëve nuk duan të ndihen të tillë në këta krime. E jo vetëm, por të jetosh me dyshimin se ke në krye të vendit kriminelë të këtij kalibri, do të thotë për çdo shqiptar të jetojë i kërcënuar, pasi sikurse ka thënë Davidi dhjetëmijë vjet para Krishtit “Abyssus abyssum invocat” (humnera ndjell humnerën).

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...