Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/01/08

Sekretet e spiunazhit të kohëve moderne

Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, vende të ndryshme vazhdojnë që të dërgojnë agjentë të fshehtë nëpër botë, për të marrë informacion. Por korporatat, terroristët dhe hetuesit privatë janë gjithashtu pjesë e botës misterioze e shpesh të errët të spiunazhit.
Sekretet e spiunazhit të kohëve moderne








Zbulimi i befasishëm dhe shumë i zhurmshëm javë më parë i rrjetit të spiunëve rusë që operonin prej kohësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka asnjë dyshim që i tronditi shumë amerikanët, të cilët në shumicë kishin ushqyer idenë se spiunazhi kish marrë fund me mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe se së shumti ai mund të përbënte subjekt për filmat hollivudianë. Por ekspertët e shërbimeve sekrete e dinë mirë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. 

Sipas Peter Earnest, një ish-anëtar i CIA-s, i cili është aktualisht drejtor i Muzeut të Spiunazhit në Uashington, nuk duhet harruar, për shembull, se shtete të tilla si Rusia kanë kryer për shekuj me radhë veprimtari spiunazhi dhe se ky i fundit as ka filluar dhe as përfundoi me mbarimin e Luftës së Ftohtë. Thjesht vazhdoi në një mënyrë tjetër. Sigurisht që marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë janë përmirësuar në vitet e fundit, por ky fakt nuk mund të përjashtojë atë tjetrin që, pavarësisht bashkëpunimit, të dyja vendet kanë vazhduar ta spiunojnë, përgjojnë dhe ruajnë njëra-tjetrën.

E ndërsa në të shkuarën më së shumti spiunazhi ka qenë i lidhur me shtetet që kërkonin informacion për shtetet e tjera, sot spiunazhi është më shumë i lidhur me gjurmimin dhe përgjimin e terroristëve, aktiviteteve të tyre, monitorimin e komunikimit publik e kështu me radhë. Në fakt, ekspertët e shërbimeve sekrete thonë se spiunazhi i të gjitha llojeve është shtuar shumë që pas Luftës së Ftohtë dhe është përforcuar edhe nga aplikimi i teknologjive të reja dhe rritja e kërkesës për informim të sektorit shtetëror, por edhe atij privat. Disa javë më parë, gazeta amerikane “Washington Post” deklaroi se me programet e lidhura me anti-terrorizmin merren aktualisht në SHBA 1371 organizata qeveritare dhe 1931 organizata private. Objektivi i punës së tyre nuk është vetëm çështja e anti-terrorizmit, por edhe siguria kombëtare dhe informacioni i të gjitha llojeve. Ja disa nga kategoritë dhe objektet e spiunazhit të sotëm:

Kombet

Kur flitet për një spiunazh që mbështetet nga shteti, sipas ekspertëve, për sa u përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ato janë më të përqendruara në shtete të tilla si Irani, Koreja e Veriut dhe Kina. Dhe këto vende duket se gjithashtu e kanë përqendruar vëmendjen e spiunazhit të tyre tek Amerika. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë objektivi i qindra mijëra sajber sulmeve çdo ditë, një pjesë e madhe e të cilave vijnë nga Pekini. Sipas ekspertëve, këto manovra kanë të bëjnë me përpjekjet për të depërtuar në struktura shumë të ruajtura dhe të rëndësishme amerikane.

Kompjuterët dhe satelitët janë të rëndësishëm, por nuk mund të bëjnë atë që bëjnë njerëzit. Agjentët sekretë, si ata që u deportuan së fundmi në Rusi, ende luajnë një rol shumë të rëndësishëm dhe të dorës së parë në lojërat e spiunazhit. Por nuk dihet numri i tyre në terren dhe një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë, duke qenë se është në vetë natyrën e këtij profesioni të qëndruarit në fshehtësi. Edhe shtetet që e konsiderojnë veten aleatë shumë të ngushtë, e spiunojnë njëri-tjetrin. Kështu, një raport i Izraelit i vitit 2008 dokumentonte një histori shumë të njëjtë spiunazhi të spiunëve amerikanë që kishin spiunuar në Izrael, veçanërisht për sa i takon programit sekret bërthamor të Izraelit. Dhe ka pasur raste jo të pakta mosmarrëveshjesh mes spiunëve të të dyja vendeve e madje edhe raste të kapjes së spiunëve izraelitë në Amerikë.

Terroristët

Shumë amerikanë janë të bindur se termi “luftë kundër terrorizmit” është abuzuar shumë nga administrata amerikane dhe shërbimet sekrete amerikane, si dhe është përdorur edhe për të mbuluar operacione të ndryshme të shërbimeve sekrete. Por shpesh spiunët më të rrezikshëm janë ata që nuk punojnë për organizatat qeveritare dhe që në njëfarë mase nuk japin llogari për veprimet e tyre, duke mos u kondicionuar nga ligji ndërkombëtar.

Rrjetet ndërkombëtare të terrorizmit shpesh kanë qenë më efikase se ato qeveritare për sa i përket mbledhjes së informacioneve sekrete. Një rast i tillë është ai i infiltrimit të suksesshëm të agjentit të Al Kaedës në radhët e CIA-s. Ishte ky agjent që arriti të vriste 6 agjentë të CIA-s me një bombe vetëvrasëse, duke i dëmtuar rëndë shërbimet amerikane në Afganistan.

Korporatat e mëdha

Spiunimi nuk është vetëm një çështje e luftës dhe politikës ndërkombëtare. Një gazetar amerikan, në një libër të botuar së fundmi në lidhje me shërbimet sekrete shtetërore dhe private, ka zbuluar se firmat dhe kompanitë e mëdha private që përfaqësojnë interesa shumë të mëdha financiare, kanë edhe një sistem shumë të sofistikuar për të thithur informacion dhe sigurisht që një gjë e tillë mundësohet nga shërbimet sekrete private. 

Këto të fundit u ofrojnë kompanive survejimin ndaj konkurrentëve, informacione në lidhje me zbulimet e reja, pikat e dobëta të drejtuesve të lartë e të tjera si këto. Spiunazhi është bërë një faktor shumë i rëndësishëm në botën e korporatave dhe hapat e vendimet e mëdha për shkrirjen apo shitjen kompanive të ndryshme- në të cilat përfshihen miliarda dollarë -nuk bëhen kurrë në ditët e sotme pa përfshirjen e spiunëve me cilësi, që sjellin edhe informacionin e duhur në kohën e duhur për kundërshtarin. Duke përdorur disa nga teknologjitë më të përparuara në botë (si laseri që mund të regjistrojë biseda telefonike nga një kilometër larg e të tjera si këto), këto firma dhe korporata kanë në stafin e tyre një numër të madh specialistësh të shërbimeve sekrete dhe të ushtrisë. Ky staf kryesisht përbëhet nga ish-zyrtarë ushtarakë dhe të shërbimeve sekrete, që dikur kanë punuar për agjencitë qeveritare dhe që janë shumë të stërvitur dhe të aftë për të pasur sukses në misionet e tyre. 

Por nga ana tjetër ata mund të jenë edhe agjentë të dyfishtë, pra që ndërsa janë të punësuar nga korporatat e mëdha, vazhdojnë të punojnë edhe për agjencitë shtetërore, madje një pjesë të informacionit që marrin për punësimin e dytë, ta japin në agjencinë shtetërore. Por për korporatat nuk spiunojnë vetëm konkurrentët në biznes. Janë edhe vetë qeveritë e vendeve përkatëse ato që mbajnë nën vëzhgim kompanitë e mëdha. Kështu, kinezët kanë një sistem shumë të perfeksionuar për të hyrë në informacionet e rezervuara të firmave më të mëdha të vendit.

Hetuesit privatë

Shfaqja e internetit e ka transformuar industrinë private duke zhvendosur mënyrat e survejimit nga ato në terrene, në mënyra që kanë të bëjnë me survejimin e e-mail-eve, të postës elektronike dhe komunikimeve të tjera. Sipas një shefi që drejton një biznes hetuesish privatë, një pjesë e madhe e klientëve të tij janë persona të martuar, që dyshojnë në besnikërinë e partnerit/es dhe për të vërtetuar dyshimet e tyre u duhet një hetues privat. Shumë gra mendojnë se bashkëshortët, në vend që të shkojë me shërbim, shkojnë për të kryer udhëtime qejfi dhe janë të gatshme të paguajnë shuma të mëdha parash për të marrë vesh të vërtetën. Një kuriozitet në këtë drejtim është se kur femrat kanë një intuitë se bashkëshortët po i tradhtojnë, zakonisht intuita është e drejtë; ndërsa kur meshkujt mendojnë se bashkëshortja po i tradhton, qëllon shpesh që të jenë të gabuar.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...