2011-01-04

Dom Lush Gjergji: Si e kam njohur Nënë Terezën

Nëse gjithçka ka shkuar mirë, bashkoji të dyja duart; në të kundërt, lutu!”. Kështu do ta këshillonte Dom Lush Gjergjin, Nënë Tereza, fare pak para lamtumirës së fundit. Kleriku nuk do t’i harronte kurrë këto fjalë, por edhe asnjë tjetër që kishte dëgjuar nga goja e gruas së madhe, të cilën e pati njohur qysh në vitet ’60 dhe e shoqëroi deri sa ajo e ndërroi këtë jetë për një tjetër dimension. Në përmbyllje të aktiviteteve të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, dje u promovua në ambientet e Kryeministrisë monografia “The mother of Charity”, me autor Dom Lush Gjergjin. Si “skenografi” e këtij aktiviteti ishte edhe një ekspozitë me fotografi të Nënë Terezës, shoqëruar nga thënie të saj. “The mother of Charity” është një vepër voluminoze, që ngjan më shumë me një album, ku ilustrohen shumë fotografi nga momente të ndryshme të jetës së saj, por më së shumti nga misioni i saj në ndihmë të të pastrehëve, të varfërve, të sëmurëve, të papranuarve nga shoqëria. “Nënë Tereza ishte dhe mbetet një sofër e madhe e popullit shqiptar, por e shtruar jo vetëm për shqiptarët, por për botën mbarë, sepse ajo, e frymëzuar nga feja dhe dashuria, bëri gjithçka që njerëzimi s’e kishte parë kurrë më parë”, tha Dom Lush Gjergji. 




Ashtu siç ka bërë në librin e tij, edhe në promovimin e djeshëm, ai ndau me të pranishmit disa nga kujtimet që i ishin ngulitur në mendje prej takimeve me gruan e shenjtë. I kujtohej se si në vitin 1989 kishte shkuar për ta vizituar në Kalkutë, ndërsa ajo ishte shtrirë e sëmurë në shtrat e nuk dihej nëse do të ngrihej. Kur e pa e pyeti nëse i kishte sjellë me vete fjalorin anglisht-shqip, pasi dëshironte të mësonte shqipen, ashtu si e flisnin shqiptarët sot. “Kuptonte shumë mirë, shkruante rrjedhshëm, por 50 vite shkëputje kishin krijuar probleme në komunikim. Shpesh herë më thoshte që t’i flisja shqip. Kur më kërkoi fjalorin, i thashë: Nënë Terezë, ti nuk ke nevojë të mësosh gjuhën letrare shqipe, sepse ti flet me gjuhën që kuptohet në të gjithë botën, me gjuhën e dashurisë”. Ndërsa recensuesi i kësaj vepre, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun në MTKRS, studiuesi Enver Bytyçi, u shpreh se autori ia ka arritur që nëpërmjet këtyre përshtypjeve të gjurmojë në historinë e popullit tonë dhe të zbulojë rrënjët e familjes së Gonxhe Bojaxhiut, duke e plotësuar portretin e Nënë Terezës si askush tjetër, me përmasat reale të saj. “Duket sikur autori e merr bijën dhe nënën e shquar të shqiptarëve duke e kaluar nga rrathët e fëmijërisë e të rinisë, për të shkuar te zgjedhja e saj për të bërë vepra bamirësie e humanizmi në shërbim të njerëzimit. Dom Lushi e përcjell si askush tjetër, madje me ilustrime të shumta në fotografi, këtë ecje në jetë: Fëmijërinë në Shkup, jetën në Zagreb e në Dublin dhe më në fund fillimin e misionit historik në Indi, në dhjetor të vitit 1928. Prej kësaj date, Nënë Tereza nuk i përkiste më vetëm kombit shqiptar, ajo do të pushtonte një e një nga të gjitha kontinentet e do të shndërrohej në simbolin e dashurisë njerëzore në planet”, tha ai. Në këtë ceremoni, e cila kishte mbledhur bashkë njerëz të artit, kulturës, por edhe përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare, e mori fjalën edhe kryeministri Sali Berisha, i cili u shpreh se Nënë Tereza i dha nder të madh njeriut së pari. Berisha falënderoi autorin e librit për punën voluminoze që kishte bërë dhe që pranoi të ndajë me publikun eksperiencën e njohjes së tij me Nënë Terezën. “Duhet të ndihemi dhe ndihemi krenarë me ju, pasi ju keni realizuar një kryevepër të vërtetë me këtë monografi për shenjtoren tonë, sot e Lumturuar, por që është në procesin e shenjtërimit nga Shenjtëria e tij, Ati i Shenjtë. Në këtë vepër, ju keni qenë besnik i të vërtetave të mëdha të saj dhe pa diskutim që pas Zotit, familja ishte kryesorja për Nënë Terezën. Ishte nëna e saj, ajo që bekoi ndërmarrjen e misionit të saj të pavdekshëm”, tha Berisha, duke e quajtur një koincidencë fatlume faktin që viti i Nënë Terezës po mbyllej me promovimin e kësaj monografie.


ALMA MILE

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...