2011-01-06

Kafka dhe përkthimtaria

Nga Flori Bruqi



Franz Kafka lindi në Pragë, të Austro - Hungarisë sot Republika Çeke më 3 korrik, 1883 dhe vdiq më 3 qershor, 1924 në Vjenë të Austrisë. Ai ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, dhe romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX, trupi i shkrimit i të cilit ishte i vetëm në llojin e tij. Shumica e shkrimeve të tija mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së tij, megjithëse dëshira e tij ishte që ato të asgjësoheshin - janë bërë ikona në letërsinë e Perëndimit.

Pjesa e tij më e njohur përfshin një tregim të shkurtër me emërtimin Die Verwandlung (Metamorfoza, Shnderrimi) dhe romani i tij i pambaruar Der Prozess (Procesi) dhe Das Schloß ("Kështjella"). Mbiemri "kafkor" ka hyrë në përdorim të shënojë rrethanat e rëndomta te llojit absurd dhe surreal zakonisht të gjetura në veprat e Kafkës.

Kafka u lind në një në një familje çifute gjermano-folëse klasë të mesme, në Pragë, kryeqyteti i Bohemisë, një mbretëri që aso kohe ishte pjesë e monarkisë së dyfishtë të Austro-Hungarisë.

Disa nga veprat që mund të shtjellohen dhe të përkthyera në shqip janë: "Procesi", "Metamorfoza", "Kështjella" në formën e romanit por dhe nga proza e tij e shkurtër në formën e tregimit. Disa nga tregimet e tij janë “Një Leksion Akademik", "Populli i Minjve”, "Barbaret", etj. Fatkeqësisht veprat e tij janë në shumicën e tyre të humbura dhe për me tepër nga vet dëshira e autorit për ti asgjësuar ato.


 Kryesorja çka mund të fillojë një analizë për ketë shkrimtar është vënia re e një ndryshimi rrënjësor të formës në veprën e tij dhe në përmbajtje. Ai shpesh përdor një formë të veçantë dhe të thatë simbolike ku majmunët flasin, njerëzit transformohen, portretizohen në mostra etj., pra një realitet jashtëtokësor për të analizuar bujtinën tokësore në formën e saj më reale. Ky konstatim mund të duket kontradiktor në vetvete por nis nga një simbolikë surreale që të kërkon vëmendje për problemet e mëdha universale që prezanton Kafka.

Në analizën e "Procesi"-it, vihet re një e vërtetë tronditëse e realitetit me njeriun e thjeshtë brenda dhe sistemet që ndryshojnë dhe e shikojnë ketë të fundit si një pengesë apo një të mire për to. Kafka parapëlqen një të vërtetë të skajshme ku sheqerosjet artistike nuk janë me vlere në veprën e tij.


Personazhi përgjithësisht është njeriu i rendomë jo heroi që bën diferencën. Kafka injoron pa e marrë fare parasysh esencën romantike të letërsisë dhe hidhet i teri në kërkim të shpëtimit universal të cilin e shpreh: "Vetëm kur shkrimtari rastësinë mund ta kthej në ligj dhe ta bëj njeriun të pavdekshëm vetëm atëherë ai ka një rol në art dhe vetëm atëherë roli i tij është profetik". Kafka nuk qëndron te ekzagjerimi dhe optimizmi emotiv, ai është ulur këmbëkryq dhe na shikon të gjithëve. Në personazhin e "Proces"-it zotit "K", sistemi gjigant i pushtetit i bën grafikun e jetës pa e shpjeguar se për se e trajton ashtu deri në vendimin për ta vrarë pa i dhënë shpjegim. Nga ana tjetër kjo mund të analizohet dhe në të kundërt; vetë zoti "K" nuk ka aftësinë për të kuptuar sistemin megjithëse përpiqet që të kuptojë diçka, përsëri është i mbytur në paqartësi.


Në secilin kah vlerësimi rezultati i kësaj marrëdhënie është një absurditet fatal ku qenia, ambienti, logjika, hapësira, ekzistenca në vetvete është tejet e pakuptueshme dhe pa mundësi për të pasur një debat ndërmjet tyre, gjithashtu e tmerrshme në efektin e saj. Zoti "K" mund të shikohet në disa drejtime të tjera ai nuk është vetëm njeri por dhe ligjësi skolastike e cila në një periudhe të caktuar humbet ekzistencën e saj pasi një ligj tjetër e nxjerr atë të pavlerë.

Kjo është një e vërtetë jo e dëmshme në dukje por si do të justifikohen gjithfarë energjish dhe përpjekjesh njerëzore që qenë frymëzuar nga ajo që tashme është e pavlerë dhe për tu fshire. Një kuptim tjetër i përfolur për "Procesi"-in është dhe pyetja teologjike që ai përmban. Përgjithësisht dogma fetare është një përhapje e arsyes se jeta është një përpjekje për të merituar një perfeksion pas vdekjes. Feja përmban shumë rregulla që duhen ndjekur dhe pasojat që vijnë nga mosndjekja e tyre, por Kafka i bërtet këtyre arsyeve me faktin se jo të gjithë i njohin dhe i kuptojnë këto ligje.


 Pse do të duhet të kenë të njëjtin fat si mos-zbatuesit vullnetar e të vuajnë dënimin kapital. Kafka kërkon shtojcën "biblike" që duhet të përmbajë logjikën për fatin e këtij grupi. Ka dhe shume tematika të tjera më sekondare nga ato që u përmendën më sipër. Zoti "K" në disa rrethana që i krijohen kryen marrëdhënie intime me një vajze pa modalitet klasik të njohjes, bisedës ose ndjesisë emocionale dhe kurse ç’farë veprimesh paraprijëse për të kaluar në marrëdhënie seksuale, por e realizon atë në një forme apriori sikur të mos ketë vend për kushtëzime dhe justifikime.



 J. P. Sarter citon në një paragraf se: "Shpirti ka me shumë të drejtë se arsyeja" pasi kjo e fundit është e asgjesuesshme nga vet ajo kurse shpirti është një forme e qenësishme apriori. Por veprimi i zotit "K" mund të shihet dhe si një protestë e Kafkës me dy elementë. I pari sistemi (qoftë teologjik, politik, tradicional, etj.) që vepron në mënyre injoruese ndaj individit dhe ky i fundit i përgjigjet atij me të njëjtën monedhë duke krijuar kështu plotësimin instiktiv ndaj dëshirave rastësore. Në ketë logjikë Kafka është disi në atmosferën e Niche-s por me ndryshimin se nuk e ka qellim në vetvete por një përgjigje e natyrshme dhe e rrjedhur nga kushtet. Kjo vepër dhe po ashtu vepra në tërësi e Kafkës me të drejtë është një ortek që sa me shumë thellohesh aq më i madh bëhet deri sa orteku është vetë globi që banojmë. Letërsia e Kafkës është një ambient i ankthshëm; është një situatë e një zgjimi e njëkohësisht i një fataliteti. Kafka nuk është dekadent, ai bën një portret të gjërave por nuk mundohet të rrënoje, të mohojë apo të zgjedhë mjete për të asgjësuar, ai thjesht paraqet ftohtësisht acarin e absurditetit.
Një kryevepër mund të cilësohet padyshim vepra "Metamorfoza". Si zakonisht tek Kafka dhe këtu ambienti është një natyre simbolike. Kafka e fillon veprën e tij me mëngjesin në të cilin një person ndjen që po shndërrohet në kandër. Mëngjesi është i zakonshëm në shkrimet e tij, zgjimi që personifikon shpresën e re, emocionet e reja, të gjitha këto turbullohen menjëherë sapo personi fillon kontaktin me botën, ai rrëqethet nga atdheu zhgënjyes. Grigori i transformuar tashmë krijon fillimisht një shqetësim të thelle në familje. Të gjithë ata në ketë moment janë të përkushtuar rreth tij. Gjenialiteti i Kafkës është se ai e paraqet Grigorin në ndryshimin fizik apo mekanik por jo shpirtëror dhe të ndërgjegjes. Grigori e kupton të gjithë situatën rreth tij dhe ka një pikëllim të madh që tanimë as mund ta shprehi nën petkun e kandrës. Por ç’është në të vërtetë "Kandra"? S'është gjë tjetër veçse krijesë e një natyre anti-njeri, e një natyre të tmerrshme dhe pa kthim. Ajo është me tepër, nuk është krijim i individit po e një trysnie fati të cilin askush prej nesh nuk e zgjedh me vetëdije. Grigorit gjithë kjo gjëmë i vjen pasi ai është shumë i përkushtuar në punë, e cila e ka bere efektin e saj të çuditshëm jo duke i dhënë të mirat që çdo njeri pret por duke e shndërruar në një qenie të çuditshme dhe të trishtueshme që e pengon të realizojë natyrshëm dëshirat njerëzore qoftë dhe më minimalet. Në fund familjarët e lodhur dhe përfundimisht të bindur se krijesa që kanë përballë nuk është me djali apo vëllai i tyre por një "kandër", e trajtojnë si të tillë dhe Grigori vdes në ngashërimin e pashprehur dhe disi në pritje të "zgjidhjes" që do ti sjelli vdekja. Megjithëse përshkrimi i mësipërm i këtij romani është mjaft i shkurtër kemi mundësinë të analizojmë disa ide përmbajtëse në të. Shkrimet e Kafkës, në ndryshim nga tregimet e stërzgjatura, përgjithësisht zgjaten me përtesë vetëm për të thënë atë që duhet dhe pa ceremonira formale. Nëse do ta nisim nga fundi Grigorit i ka ardhur në maje të hundës por siç kemi thënë me lart Kafka nuk është dekadent (të gjejë mjete për të asgjësuar apo zhdukur situata) Grigori ndihet thellësisht i pa shpresë për momentin por ai nuk tenton vetëvrasjen. Ai zgjidhjen e merr si pasojë e një veprimi pasiv mbi situatën dhe e le veten tërësisht të shkrihet në fatin që i racionoi Jeta. Vdekja është një zgjedhje e natyrshme e tij por jo me ekzaltim e për mundësinë e ndreqjes por duke çliruar pamundësinë përballë natyrës absurde që e rrethon. Kafka në vetvete është një protestues i madh; është vetë protesta. Ai nuk krijon arsyetime fatale por paraqet botën dhe në ketë drejtim protesta e tij nuk ka hierarki drejtuese, ajo lind apriori për të gjithë që nga momenti i zgjimit në absurd gjithashtu ajo nuk ka mjete lufte përveç reflektimit mbi situatën. Grigori jemi të gjithë ne të mekanizuar me elemente që fati arbitrar na etiketon çdo kohe dhe që janë të pa evitueshëm. Jo vetëm kandra por dhe vdekja është e njëjta gjë ashtu si Grigori nuk i bënte balle dhe s’e kuptonte transformimin ashtu dhe vdekja e kaplon njeriun në vite e ndihmuar nga plagosjet e përpjekjes për lumturi dhe qetësi që i lakmojmë për ditë të gjithë ne. Kandra është i alkoolizuari që nëpërmjet alkoolit donte të prekte gëzimin por që endet i shkatërruar rrugëve, kandra është "At Sergei" (Tolstoi ) që duke u drejtuar vetëm nga shpirti i amshuar u kthye në një përdhunues. Ajo është gjithçka që prodhon absurdi dhe jeta pa pika referimi dhe që prezanton fytyrën e saj nëpërmjet këtyre fenomeneve. Nëse kemi hyre pak në esencën e fundit të veprës dhe në mesin e saj fillimi është ndryshe. Njerëzit tronditen nga transformimi, mortaja, burgosja, etj. Ata mbajnë një qëndrim ndaj halleve që u bien nga qielli. Mos vallë Kafka e merr njeriun si një qenie me manual të paracaktuar përdorimi të cilin e ka të stamposur në ndërgjegje dhe orientohet midis të mirës dhe të keqes? Vetë Kafka është një njeri që i dorëzohet trasendentes? Ai e le hapur apo pa zgjidhur vetë ketë dileme me dëshirën për të asgjësuar krijimtarinë e tij apo me saktë pyetjet e tij dhe si Grigori shikon nga ylli i mëngjesit, pas vdekjes.
Në vazhdën e krijimeve pikante të Kafkës me interes është tregimi "Një Leksion Akademik".
Këtu paraqitet një personazh shume i përfolur, të transformimit majmun në njeri. Kafka nuk e shikon zhvillimin nga ana estetike por kuptimore. Majmuni tashmë njeri ndihet përballë lirisë së zgjedhjes. Ai nuk i referohet vetes në anën e cilësisë organike por të ndërgjegjes. Pikërisht për shkrimtarin njeriu ka koordinata arsyetive dhe jo të një problemi vizual dhe të lëvizjes. Për kuptimin tradicional të lirisë ajo çka deklaron Kafka për të është të paktën e çuditshme. Majmuni tashmë njeri është i pikëlluar për lirinë e zgjedhjes pasi është përgjegjës për rrjedhën e gjërave ndërkohe që nuk është i sigurt për pasojat e zgjedhjes së tij. Bota tashmë ka formën që ai zgjedh por e tmerrshme pasi ai të vetmin vend ankimi dhe ndëshkimi ka veten. Kjo tek “Zarathuasta” (F. Niche) është një çlirim i qenies për tu perfeksionuar, tek Kafka është një fatalitet. Ai është thellësisht në kërkim të fesë, të para-projektit rruga e të cilit nuk do ta zhgënjente njeriun. J. P. Sarter mendonte se njeriu nuk është prodhim fizik dhe ndërgjegjësor i vetvetes, Kafka megjithëse më i hershëm pasi e kalon koshiencën e këtij postulati mendon se gjithashtu njeriu s’mund të projektojë veprimin e vetvetes. Ai është një qenie e trishtuar për pozicionin që ka. E gjithë kjo të bën ta mendosh mbase të pezmatuar ndaj zotit, natyrës por mbase si një nxitje drejt kërkimit të zotit të humbur ose të një depresioni të pashmangshëm nga kotësia dhe boshllëku që nuk japin shpjegim. Forma e tregimit është krijuar afërsisht si monolog e cila fatkeqësisht mund të interpretohet si një shprese e venitur për përgjigje, kurse fakti që ai e hedh në letër është një veprim i vetvetishëm siç është mendimi.
Kafka është një qenie gjeniu dhe pikëllues njëkohësisht, sikur të qe i pashmangshëm dëshpërimi i një shpirti të lartë në realitetin tokësor.


Kohë më parë Një thesar i fshehur, i ruajtur prej dekadash në një bankë në Cyrih, tashmë është nxjerrë në dritë. Dorëshkrime e vizatime të Franc Kafkës janë rikuperuar nga kasafortat e UBS-së së Cyrihut, ku për më shumë se gjysmë shekulli janë depozituar disa nga veprat e autorit të “Procesit”, shkrimtarit të madh çek që ndërroi jetë për shkak të tuberkulozit në vitin 1924 në Austri.

“Hapja e kasafortave, shpjegojnë disa të përditshme ndërkombëtare, është kërkuar prej një gjykate izraelite, për shkak të një mosmarrëveshjeje ku shteti hebraik, më saktë Biblioteka Kombëtare e Jerusalemit, kundërshton dy motra që kanë trashëguar arkivin e botuesit Max Brod, mik i Kafkës. Sipas “Haaretz”, nga kasafortat ka dalë në dritë “një thesar i vërtetë letrar”. 

Ai përfshin, mes të tjerave, letra të ndryshme dhe dorëshkrimin origjinal të një tregimi të shkurtër shumë të njohur të Kafkës (gazeta nuk saktëson se për cilin bëhet fjalë), të cilin studiuesit nuk kanë pasur asnjëherë mundësi ta studiojnë nga afër. Arkivi i Brod, i cili gjendet në katër kasaforta gjendet në UBS prej vitit 1956. 

Hapja e kasafortave të Cyrihut pason hapjen e disa kasafortave të mëparshme që gjendeshin në dy banka të Tel Avivit. 

Objektivi është të njihet përmbajtja e saktë e arkivit. Por nuk do të jetë ende e mundshme njohja e listës së veprave të ruajtura në kasafortat e Cyrihut, sepse motrat Ruth dhe Eva Hoffe, që kanë trashëguar arkivin, i kanë kërkuar drejtësisë izraelite të vendoset heshtja ndaj shtypit sa i përket këtij kontrolli. Kafka i pat kërkuar mikut të tij Max Brod të digjte veprën e tij pas vdekjes, por Brod, i cili emigroi në Tel Aviv në vitin 1939 për t’u arratisur prej nazizmit, i publikoi tekstet. Para se të vdiste ai caktoi si trashëgimtare sekretaren e tij, Ilse Esther Hoffe. 

Kjo e fundit ia la të gjithë trashëgiminë të bijave. Me vdekjen e nënës, Ruth dhe Eva Hoffe dëshiruan të konfirmonin edhe një herë trashëgiminë e tyre nga autoritetet izraelite. Në Tel Aviv vazhdon një proces nëse trashëgimtaret mund të kenë liri veprimi mbi këtë trashëgimi. Biblioteka Kombëtare e Izraelit në Jerusalem, ka përfituar nga rasti për tentuar “rikuperimin e dorëshkrimeve të Kafkës”.


(Flori Bruqi)



------------------------------------
Nga Shpëtim Doda



Sipërmarrja për të sjellë në një gjuhë tjetër prozën e Kafka-s shfaqet e vështirë, aq sa na ysht ta ndryshojmë pyetjen emblematike që Jakobson ngre në fund te “Pamjet gjuhësore të përkthimit”, ndërsa ndalet tek shprehja e njohur “Traduttore, traditore”: përkthyes i cilave mesazhe? Tradhtues i cilave vlera?” Pyetja e Jakobsonit shfaqet përgjithësuese, rrok çdo ligjërim letrar; nga njëra anë shpreh qenien e përkthimit “tradhtim” në rrafshin e “vlerave”…
Dosiero:Kafka.jpg
Më së pari, vlen të sjellim në vëmendje faktin se ligjërimi letrar lëviz në dy rrafshe kryesore: “kuptimësi” dhe “vlera”. Rrafshi i dytë është gjithë sa e dallon, së pari, ligjërimin letrar nga format e tjera ligjërimore: përmasa letrare s’lidhet me “kuptimësinë”, por me “formën” artistike të dhënies së kësaj “kuptimësie”; po ashtu, nga një qasje më të ngushtë, rrafshi i “vlerave” është gjithë sa e dallon një ligjërim letrar nga një tjetër i të njëjtës natyrë. Kjo vlen edhe për përkthimin letrar, i cili ndan të njëjtën natyrës të ligjërimit, arsye për të cilën s’lëviz vetëm në rrafshin e “kuptimësisë”, por edhe të “vlerave”; madje, si në rastin e ligjërimit, edhe tek përkthimi letrar, rrafshi i “vlerave” shfaqet pjesë e dallueshmërisë së një përkthimi letrar nga një tjetër i po të njëjtës natyrë.

Vështruar kësisoj, sipërmarrja për të sjellë në një gjuhë tjetër prozën e Kafka-s shfaqet e vështirë, aq sa na ysht ta ndryshojmë pyetjen emblematike që Jakobsoni ngre në fund të Pamjet gjuhësore të përkthimit, ndërsa ndalet tek shprehja e njohur “Traduttore, traditore”: përkthyes i cilave mesazhe? Tradhtues i cilave vlera?” Pyetja e Jakobsonit shfaqet përgjithësuese, rrok çdo ligjërim letrar; nga njëra anë shpreh qenien e përkthimit “tradhtim” në rrafshin e “vlerave”; nga ana tjetër i lë shteg gjasës se, në rrafshin e “mesazheve” (“kuptimësisë”), përkthimi është fatshkruar të jetë sipërmarrje e mundshme.


Dhënia e “mesazhit” është pjesa më e lehtë e përkthimit, thuhet, çka të shumtën e herëve vlen, por jo gjithnjë, e këtu kam parasysh prozën e Kafka-s; në rastin e saj, qëndrim në dritën e njohurive na ysht të pyesim: “Tradhtues i cilave mesazhe? Tradhtues i cilave vlera?”, pasi vështirësitë dhe problemet për ta sjellë në një gjuhë tjetër prekin edhe rrafshin e “kuptimësisë”. Duke marrë si shembull Die Verwandlung – tekst-shifër i gjuhës së Kafka-s – në vijim do të rrah të sjell disa syresh, pashmangshmëria e të cilave dëfton jo vetëm pasaktësitë, por edhe mendjelehtësinë me të cilat përkthyesi i është qasur kësaj proze.

2.1. Vështirësitë në rrafshin e “vlerave”
Le të marrim si fillim fjalinë që hap këtë novelë dhe të qëmtojmë së pari problemet dhe vështirësitë që shfaq në rrafshin e “vlerave” dhe më pas në atë të “kuptimësisë”, për të parë së fundmi se çfarë ka humbur dhe çfarë ka fituar në përkthimin shqip.
“Als Gregor Samsa eines Morgens aus unruhigen Träumen erwachte, fand er sich in seinem Bett zu einem ungeheuren Ungeziefer verwandelt”. Kjo fjali paraqet disa nga tiparet më të spikatura të rrëfimtarisë kafkiane. Nga njëra anë kemi një fjalor asketikisht të përkorë, një “Sprachurlaub”, një “gjuhë turistësh”, siç e etiketojnë me qesëndi gjermanët “Praguerdeutsch”-in – gjermanishten e Pragës së periudhës austro-hungareze, në të cilën edhe shkroi Kafka – e cila shfaqet e zhveshur nga zhargonet, dialektet, apo krahinorizmat që mbart “gjermanishtja standarde” (Hochdeutsch”), në treva të ndryshme të Gjermanisë; nga ana tjetër, kemi përdorimin e pazakontë dhe idiosinkratik jo vetëm të fjalëve, por, më së pari, të gjuhës, çka bie në sy më së tepërmi tek natyra e stilizuar dhe komplekse e sintaksës që shpalos. Kur fjala është për përkthimin, këto dy tipare s’mund të anashkalohen lehtë, pasi janë pjesë e “vlerave”; dhe pikërisht këtu fillojnë të shfaqen të parat vështirësi të pakapërcyeshme me të cilat haset sipërmarrja për të sjellë këtë prozë në një gjuhë tjetër.

Më konkretisht:
Tipari i parë është pjesë e “vlerave” gjeolinguistike dhe sociolinguistike; për rrjedhojë, përkthyesit i duhet që të hulumtojë brenda “gjuhëve” të gjuhës së tij, për të gjetur “gjuhën” që jo vetëm i përgjigjet “Praguerdeutsch”-it, por edhe dëlir tek lexuesi i gjuhës pritëse të njëjtat mbresa që ajo lë tek lexuesit gjermanë, sidomos sa i përket përzierjes së saj me elementë të çekishtes, nga njëra anë, dhe hebraishtes, nga ana tjetër, çka është e pamundur. E s’mbaron me kaq; në këtë prozë hasim edhe fraza, fjalë, kalambure e kadenca të “Österreichisches Deutsch”, “gjermanishtes austriake”, që ishte “gjuha zyrtare”, “administrative” e Pragës, çka i jep pamësisë në fjalë edhe një përmasë histolinguistike. Këndejmi, ajo çka humbet fillimisht proza e Kafka-s kur sillet në një gjuhë tjetër janë vlerat gjeo-socio-histo-linguistike, ku përkthyesit s’i mbetet veçse t’i dorëzohet pamundësisë, për ta lënë origjinalin në “mistikën” e vet, siç do të shprehej Agron Tufa.

Tipari i dytë është pjesë thelbësore e “stilit”, e të gjithë sa e dallon një shkrimtar. Le ta qëmtojmë nga kjo qasje fjalinë e marrë si shembull, e cila shfaqet e rëndësishme për të kuptuarit e novelës si një e tërë, për të parë se për çfarë është fjala dhe se çfarë ka humbur apo çfarë ka fituar në përkthimin shqip.
Fjalia përbëhet nga dy pjesë: “Als Gregor Samsa eines Morgens aus unruhigen Träumen erwachte,//fand er sich in seinem Bett zu einem ungeheuren Ungeziefer verwandelt”. Ajo çka bie fillimisht në sy, janë elementet retorike; dy pjesët e fjalisë janë përsosmërisht të balancuara dhe, përpos kësaj, vërejmë përdorimin e trefishtë të mohorit “un” te tri fjalë ritmikisht të balancuara: “unruhigen”, “ungeheuren”, “Ungeziefer”; më pas, pjesa e parë mbaron me folje, e dyta me pjesore të së shkuarës; lidhja e këtyre dy skajeve paraqet thelbin e rrëfimit: “Gregor Samsa erwachte verwandelt” – “Gregor Samsa u zgjua i shpërfytyruar”. Vështruar nga pikëpamja sintaksore, jemi para një fjalie të përbërë me nënrenditje, ku e para është pjesa e nënrenditur kohore dhe e dyta pjesa kryesore.

Qoftë elementet retorike të fjalisë, qoftë ndërtimi i saj sipas kësaj strukture sintaksore, mëtojnë të mbulojnë një funksion të mirë përcaktuar; nisja me një fjali të përbërë me nënrenditje e largon sintaktikisht rrëfimin nga çdo përmasë “mitike”, “legjendare”, apo “përrallore”, për ta shtratëzuar në një përmasë “realiste”, natyrisht, jo në atë “realizëm” letrar që Northrop Frye-i e cilëson si “low mimetic” – “shkërbim i ulët” – i “realitetit”, por në atë përmasë “realiste” që lëviz pas shprehjes “Es war kein Traum” – “S’ishte ëndërr”. Pjesë e kësaj shfaqet edhe përmendja qysh në krye të fjalisë e Gregor Samsa-s (i paraqitur si njeri që lexuesi presupozohet se e njeh), edhe elementët “realistë” që hasim në këtë fjali, dhe në ato vijueset.

Të vendosura brenda këtij “shtrati”, elementët retorikë rrahin të çdramatizojnë tërë sa përbën thelbin e rrëfimit, shpërfytyrimin e Gregor-it, që krahas elementit “fantastik”, hidhet si “shashkë ekspresioniste” në përmasën “realiste” të rrëfimit. Në këtë drejtim lipset lexuar edhe mungesa e një fjalori tronditës dhe traumatik në fjalitë vijuese, siç mund të pritej në raste të tilla, çka e zë lexuesin në beft. Sakaq, vështruar në dritën e “retorikës poetike”, përpos funksionit çdramatizues, elementët në fjalë janë pjesë e një fijëzimi ironie dhe humori, që zgjatohet deri në çastin kur, pas mohimit dhe mësymjes së të atit, Gregor-i ndjen peshën e shpërfytyrimit, dhe mendon: “nun gab es wirklich keinen Spaß mehr” – “tanimë e tërë kjo vërtet s’ish më shaka”. Përpos tematikës së shprehur, shpërfytyrimi, që është pjesë thelbësore e folklorit hebraik dhe rrëfenjave hasidike, ky fill e lidh novelën me iluminizmin hebraik (Haskalah), të cilin Kafka e kish njohur përmes Buber-it, ku qokat biblike e fetare humbasin funksionin e tyre shpresëtarik, për të përftuar një kuptimësi laiciste. Në vazhdën e këtij laicizmi, tematika e shpërfytyrimit nisi të trajtohej me frymë humori dhe ironie, ku do të mjaftonte të sillnim në kujtesë rrëfenjat e Peretz-it, me të cilat shpërfytyrimi i Gregor-it përqaset jo pak, sidomos sa i përket çdramatizimit, ftohtësisë dhe humorit me të cilët përshkruhet, ku orvatja e Gregorit për ta penguar shefin të hyjë në dhomën e tij, p.sh., na jepet përmes disa penelatave komike alla Chaplin.

Sakaq, për t’iu kthyer çështjes së sintaksës, ndërtimi i fjalisë sipas kësaj strukture rreh të mbulojë një funksion të dytë, më të ndërlikuar, dhe lidhet me një veçori sintaksore të gjermanishtes; përpos e përbërë me nënrenditje, fjalia në shqyrtim është “ndajfoljore”. Në fjalitë “ndajfoljore”, sintaksa e gjermanishtes e do që folja kryesore të vendoset në fund (“Als... erwachte”), çka rrit ndjeshëm tensionin e lexuesit; përpos kësaj, kjo sintaksë e do që edhe pjesorja e të shkuarës të vendoset jo pranë foljes ndihmëse, apo sintagmës që luan rolin e foljes ndihmëse, por në fund; në rastin e një fjalie hipotaktike të ndërlikuar e me më tepër se një pjesë të nënrenditur, suspense-i që e shoqëron lexuesin deri tek folja kryesore e fjalisë sa vjen e bëhet i ndjeshëm dhe torturues. Njëlloj si Kleist, Kafka e shfrytëzon in extremis këtë veçori të gjermanishtes, ku fjalia që po trajtojmë s’është veçse një shembull nga më të thjeshtit. Kësisoj, ndërsa përmes elementëve retorikë çdramatizon thelbin e rrëfimit, përmes sintaksës së fjalisë Kafka dramatizon kohën e leximit.

Në përkthim, fjali të kësaj natyre, skajshmërisht të stilizuara, rrezikojnë të humbasin shumëçka sa i përket qoftë vlerave retorike, qoftë atyre sintaksore. Për rrjedhojë, një nga detyrat që i shtrohet përkthyesit është hulumtimi i rrugëve dhe mjeteve të duhura për të përcjellë tek lexuesi i gjuhës pritëse ato mbresa që origjinali lë tek lexuesi i gjuhës ardhëse.

Duke mbajtur parasysh tërë sa më sipër, le të shohim çfarë “vlerash” ka humbur dhe çfarë “vlerash” ka fituar në përkthimin shqip fjalia e marrë si shembull.
“Një mëngjes, teksa u zgjua në shtratin e tij nga ëndrra të shqetësuara, Gregor Samsa e pa veten të shndërruar në një insekt të stërmadh.” – Ajo çfarë fjalia e Kafka-s ka humbur në këtë sjellje, besoj është e qartë; përpos fjalisë së përbërë me nënrenditje, tërë “vlerat” e tjera që vura në pah, kanë firuar. Kësisoj, s’na mbetet rrugë tjetër përpos se të shohim se çfarë vlerash ka fituar. Përpos zbehtësisë, fjalie e famshme e Kafka-s ka fituar në përkthimin shqip një tautologjizëm të zbrazët, e krijuar nga zhvendosja e frazës “in seinem Bett” nga pjesa kryesore e fjalisë në origjinal, tek pjesa e varur, ku na shfaqet thjesht parazitare, njëlloj siç shfaqet përmendja e “viçit” tek fraza “lopa polli viç” (e ç’mund të pillte tjetër??!!) apo “e pa me sy” (e me ç’mund ta shihte tjetër??!!), ndërkohë që në pozicionin që ajo mbulon në origjinal, nuk shfaq parazitizëm, e as krijon tautologjizëm, njëlloj siç nuk krijon tautologjizëm fraza “polli viç” apo “me sy”, nëse i zgjerojmë, duke i shtuar një mbiemër fjalëve “viç” dhe “sy” (krh. “lopa polli një viç të madh” dhe “e pa me sy të zgurdulluar”).

Krahas kësaj, kjo fjali ka fituar edhe një absurdizëm, e krijuar nga fraza “e pa veten”, e cila i përgjigjet pasaktësisht frazës në gjermanisht “er fand sich” – “u gjend”; kjo frazë është absurde, jo thjesht sepse bie ndesh me elementët e tjerë të fjalisë (këtu është autori që rrëfen, por nga jashtë, jo nga brenda mendjes së personazhit), por sepse në këtë rast, “e shoh veten” s’i përgjigjet një ideje “abstrakte”, siç ndodh në rastet kur shprehemi “e pashë veten ngushtë”, por një veprimi konkret, siç ndodh në rastet kur shprehemi “e shoh veten në pasqyrë”. E vetmja që e shpëton këtë fjali nga absurdizmi, është gjasa që Gregori të ketë pasur një tavan të pasqyrtë, përndryshe, nuk ka gjasa që Gregori as ta “shohë veten”, dhe jo më të konstatojë se është “shndërruar në një insekt të stërmadh”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...