Historia e Reshit Shimes dhe kerkimet e te birit. Qe nga data 22 shkurt 1951 Reshit Shima rezulton i zhdukur. Arrestohet per bomben ne legaten sovjetike. Letra e Ramiz Alise. Zyhdi Shima: “Alia e ka pasur shok, di shume por mendoj se nuk me thote te verteten”. Dyshimet se mund te jete derguar me mision zbulimi jashte vendit dhe versionet kontradiktore per vdekjen
Sebi Alla
Nate e ftohte dhe e lagesht. Ishte erresuar prej disa oresh, kur ne shtepine e vjeter tiranase te fisit Shima, mberrin nje xhip i Sigurimit te Shtetit. Reshiti futet ne makine, agjentet nuk i vendosin prangat, ndersa japin nje shpjegim te thate ne moment per familjaret e shqetesuar: Po e marrim per nje sqarim… Ishte nata e fundit qe babai i tre djemve te mitur dhe bashkeshorti i nje gruaje vetem 28-vjece, do te kapercente se “prapthi” pragun e shtepise se tij. Sepse kaloi nje tjeter prag, qe askush nuk e deshironte, ate te burgut. Nje gjeme e madhe kishte ngjare, perderisa edhe sekretari i partise se Kombinatit te Drurit “Misto Mame”, Reshit Shima 32 vjec, do te arrestohej. Vetem tre dite pas shperthimit ne legaten sovjetike, Shima merret me urgjence nga Sigurimi i Shtetit. Cudi tek familjaret, farefisi dhe fqinjet per kete ndalim te befte. A mund te ishte “armik i popullit” njeriu qe kishte dhene gjithcka per luften? Por kjo eshte nje histori vertete interesante, e mbushur me intriga, enigma dhe dhimbje.
I biri Zyhdiu, mendon se Reshiti u arrestua dhe me pas u dergua per mision zbulimi spiunazhi jashte vendit, pavaresisht se nga sistemi i asaj kohe u dhane 3-4 versione per vdekjen e tij ne burg. Ne loje ka perfshire edhe Ramiz Aline, duke kujtuar 13 letra dhe gjashte telegrame qe i ka nisur ne vitet 1987-1990, per te mesuar per te verteten e te atit. Ndersa kemi siguruar edhe nje deshmi te Alise. Reshit Shima vdiq ne burg ne vitin e larget 1951, apo me nente gusht te vitit 2010 ka mbushur 91 vjec? Zyhdiu beson se ai eshte ende i gjalle dhe po e kerkon, duke sjelle dyshime te forta qe ne vitin 1951 Reshiti dhe disa te tjere kaluan ne ish-Jugosllavi dhe punonin si agjente te Sigurimit te Shtetit shqiptar. Shume peripeci kaloi familja Shima qe nga 22 shkurti i vitit 1951 dhe ne vazhdim. Babai i tij njihej me Ramiz Aline dhe sipas Zyhdiut, jo vetem kane qene aktive ne grupin e te rinjve komuniste te Shkodres, por ishin edhe shoke gjimnazi ne Tirane. Gjithcka nisi nga shperthimi nje shashke, bombe, apo eksplozivi ne legaten sovjetike ne oren 19.30 te dates 19 shkurt 1951 ne Tirane.
Enigmat dhe vuajtjet i merr persiper t’i tregoje 67-vjecari Zyhdi Shima. Ka vite te tera mbi supe, e bashke me ta edhe histori te shumta. Ka takuar qindra njerez te thjeshte e te pushtetshem per historine e te atit, por… Dridhet dhe per cudi, ai ende ka lote per te derdhur kur kujton te atin, dhimbjen e familjes dhe humbjen tragjike te xhaxhait pas zhdukjes se Reshitit. Eshte mekanik ne profesion, por ato duar te ashpra kane mbajtur per shume kohe pene e boje. Shkruante letra dhe kerkesa. U eshte drejtuar te gjithe lidereve politike. Qe nga Ramiz Alia dhe deri tek kryeministri aktual Sali Berisha. Barre te rende ka marre mbi supe, si djali i madh i Reshit Shimes. Qe ne kontaktin e pare shprehet se deri ne frymen e fundit nuk do rreshte se kerkuari per te verteten. Madje ai shpreson dhe per cudi edhe beson, se nje dite te takoje te atin. Ate qe shteti thote se ka vdekur, vrare apo pushkatuar, ndersa Zyhdiu mendon se e shtrenguan qe te behej agjent i Sigurimit dhe mund te jete ende gjalle; me date 9 te ketij muaji ka mbushur 91 vjec. Perpara kemi nje 67-vjecar qe kerkon te atin. Gjithcka nisi naten terse te vitit 1951, asokohe kur vendi yne “babe” i thonte Stalinit. Zhurme e madhe u be ne Tirane dhe Zyhdiu asokohe shtate vjec e gjysme e kujton disa detaje, por njekohesisht ka mesuar edhe nga e ema dhe xhaxhai. Ishte ne prehrin e te atit kur u degjua nje shperthim ne Tirane. “Babai doli ne oborr per pak minuta dhe me pas u fut brenda duke thene se kushedi c’do kete ndodhur”. Ne fakt ishte shperthimi ne legaten sovjetike. Me pas do te vinte nje vale e ashper arrestimesh dhe vrasjesh me gjyqe farse. Te pakten zyrtarisht jane 22 te pushkatuar dhe 101 te arrestuar dhe denuar per kete ngjarje. Ne kete vorbull perfshijne edhe Reshit Shimen.
Data 22 shkurt. Reshiti merret nga agjentet e Sigurimit te Shtetit. “Xhaxhai im Aliu u interesua dhe mesoi se ai mbahej ne burgun e ri te Tiranes (sot Burgu 313), por i thane se ai nuk po merrej ne pyetje ne lidhje me bomben ne Legaten Sovjetike”, kujton Zyhdiu. Kaluan pak dite dhe lajmi me i kobshem do te vinte per kete familje me 4 mars. “Nena ime shkoi t’i dergonte rroba dhe ushqime, por oficeri i rojes ne burg i kishte thene shprehimisht: “Nuk duhet te sjellesh me ushqime dhe nderresa, pasi burrit tuaj mbreme i ka pushuar zemra, ka vdekur”. E reja 28-vjecare e beri rrugen nga burgu deri ne afersi te lagjes “Ali Demi” ne kembe, duke lotuar. “Edhe une kur u ktheva nga shkolla pashe shume njerez te farefisit qe qanin dhe me pas e kuptova se babai kishte vdekur. Bashke me ta lotoja edhe une, por askush nuk e kuptonte pse na ndodhi kjo gjeme. Ne kulmin e zise mesuam se nga Burgu i Ri ishin arratisur 7-8 persona dhe flitej qe nder ta ishte edhe babai im Reshiti”. Po nese do ishte derguar per mision spiunazhi jashte vendit, perse u persekutua familja? Por ka edhe aludime te tjera. Tek e fundit, ata nuk u internuan, dhe shume familje te ish-te denuarve per nje akuze kaq te rende perfunduan ne internime, me e pakta.
Te tjera fakte Zyhdiu ka mesuar me kalimin e koheve dhe mendon se i ati nuk ka vdekur ne burg, por eshte perdorur nga Sigurimi, pasi nese nuk do pranonte, pasojat merreshin me mend. Mjafton te kujtohet nje detaj. Bashkeshortja e Reshitit e detyruar nga keshilli i lagjes, shkon ne gjykate dhe kerkon qe te marre kujdestarine e femijeve, meqenese Reshiti nuk jetonte me. Ne fillim gjyqtari shprehet se “nuk kam nje shkrese zyrtare qe te vertetoje vdekjen e Reshitit”, ndaj nuk mund te zhvillonte gjyq. Por me vone, me 6 gusht merret vendimi. “Ne te thuhej se im ate kishte vdekur me 21 mars, qe ne te vertete nuk korrespondon me diten kur nenes i kishin komunikuar se kishte vdekur ne burg, me 4 mars”, shprehet Zyhdiu. Gruaja e re u detyrua te behej vete nene e ate, sepse nisi persekutimi, qe me shume se nga drejtues te larte, ne fillim vinte nga lagjia dhe “peshqit e vegjel” te sistemit komunist. Gjithsesi ne nje takim me komunistet e Tiranes, me 5 prill, Fiqret Shehu permend Reshitin si “armik i popullit”. Por ndersa po vinte tatepjeta per familjen Shima, vjen edhe nje reagim po i bashkeshortes se Mehmet Shehut. Ajo ishte shprehur perpara grave komuniste se “Reshit Shima eshte vetembytur ne fucine e ujit ne burg, per te mos thene te verteten”. Edhe per keto deklarata Zyhdiu eshte interesuar duke pyetur te njohur qe ne ate kohe ishin gardiane dhe drejtues ne burgun e Tiranes. Sipas tij, nga te gjithe eshte pohuar se ne burg nuk mbahej fare fuci uji dhe deklarata e bashkeshortes se Mehmet Shehur nuk ishte aspak e vertete. Por zyrtarisht Zyhdiut i jane dhene tre variante: Pushim zemre, vetevarje ne qeli dhe vetembytje ne fucine e ujit. Ndersa nje dokument qe mban daten 30.10.1991, leshuar nga Drejtoria e Dyte e Sigurimit te Shtetit, thote se Reshit Shima eshte pushkatuar bashke me 20 te tjere, por pa dhene daten dhe vendin ku jane varrosur. Per me teper, familjaret e te pushkatuarve nga kjo ngjarje i kane marre me pas eshtrat, por ne varrin e te pushkatuarve nuk ndodheshin kockat e Reshit Shimes. Perseri dyshime. Askush nuk thoshte te verteten dhe kjo barre ne ate kohe i ra Ali Shimes, vellait te Reshitit. “Xhaxhai kerkoi kudo ne njerez te njohur me pushtet, por askush nuk i jepte nje pergjigje te sakte”, thote 67-vjecari.
Pas humbjes se Reshitit, nje tjeter tragjedi ndodh ne familjen Shima. Ne vitin 1974, Aliu i lene ne harrese dhe me dhimbjen e te vellait, veteflijohet duke u djegur me benzine. Per te cuar deri ne fund amanetin e gjyshes dhe nenes se tij, Zyhdiu si djali i madh i familjes se Reshit Shimes nis kerkimet vete. Babai dhe xhaxhai kishin dhene shume per luften. Zyhdiu tregon se kane qene aktive gjate luftes nga Shkalla e Tujanit deri ne Peze dhe njiheshin me Gogo Nushin, Qemal Stafen, Myslym Keten etj. Ndersa vendi u clirua, Shimajt do jepnin perseri kontribut, tashme ne te holla. Reshiti kishte nje zdrukthtari, por pasi e shiti, parate i dorezoi ne shtet dhe u punesua ne Kombinatin e Drurit “Misto Mame”. Aty behet edhe sekretar partie. Kjo ishte nje histori e shkuar, pasi nga dashamirese e sistemit, tashme familja Shima konsiderohet si e deklasuar. Zyhdiu qe ne moshe te re nisi pune si mekanik ne oficine dhe i krijohej mundesia here pas here qe te kishte kontakt me agjente te Sigurimit te Shtetit, apo edhe me aparatciket e sistemit. Pas shume konsultimesh, sidomos me shoket e babait, ai vendos qe te shkruaje nje leter Enver Hoxhes, ne fillim te vitit 1985. Por nuk kishte kohe, Enver Hoxha vdes dhe vendin e tij e ze Ramiz Alia. Zyhdiu ne fillim mbushet me shprese se ky ishte shansi me i mire, duke menduar se do e ndihmonte pasi Ramizi dhe Reshiti kishin qene shoke. Letren qe ia kishte destinuar Enverit, ia adreson Ramiz Alise. Asnje pergjigje zyrtare. Ne vitet 1987-1990, dergon 13 letra dhe telegrame. Po perse kjo kembengulje e Zyhdiut qe te verteten ta mesoje nga Ramiz Alia? “Une jam i bindur se ai di shume gjera, per me teper qe im ate njihej me te”, tregon Zyhdiu. Ne te vertete pas viteve 90’ Alia eshte takuar disa here me Zyhdiun, duke e adresuar ne institucionet shteterore ku mund te merrte nje pergjigje.
Me interesantja eshte nje leter e Alise. Per te qene me te sakte, revista “Klan” boton te plote deshmine e Alise ne lidhje me kete ceshtje. “Per ceshtjen qe lidhet me zhdukjen e Reshit Shimes jam vene ne dijeni nga i biri Zyhdi Shima disa vite me pare. Sipas shpjegimeve te Zyhdiut, i ati Reshit Shima eshte arrestuar ne vitin 1951, bashke me nje grup qytetaresh, kur ne Ambasaden Sovjetike ne Tirane u hodh nje bombe. Po keshtu me eshte thene nga Zyhdiu, se i ati nuk figuron midis atyre qe u pushkatuan ne ate kohe. Keshtu qe mbetet dyshimi qe ai u dergua me sherbim special, jashte vendit, nga organet e Sigurimit te vendit. Ky version eshte i mundshem, sepse Sigurimi i Shtetit ka ndjekur praktika te tilla. Per kete arsye une e kam pritur (thuajse cdo jave e per disa vite me radhe), duke u perpjekur ta ndihmoj Zyhdiun, per te gjetur ndonje gjurme qe mund ta conte tek i ati. Une vete asnjehere as kam patur te bej me veprimtari te tilla, as me ka rene rasti te mesoj ndonje gje rreth Reshit Shimes. Por e kam orientuar Zyhdiun se ku dhe kujt duhej t’i drejtohej, me shprese qe te mesonim dicka me teper. Por per fat te keq asnje person dhe asnje institucion nuk u gjend qe te tregonte ndonje fakt ose ndonje dokument qe te conte ne sqarimin e kesaj enigme”.
Keshtu perfundon deshmia e Alise ne lidhje me ceshtjen e Reshit Shimes. Zyhdi Shima e pranon qe Alia e ka pritur disa here, madje edhe ne kohe te gjate, por ende mendon se pavaresisht se eshte treguar i gatshem te komunikoje, nuk ka thene te verteten. 67-vjecari dyshon se i ati eshte derguar qofte edhe pa deshiren e tij jashte vendit, bashke me gjashte ose shtate persona te tjere. Madje per kete arsye ka takuar shume njerez te cilet i kane thene se ne shkurt ose mars te vitit 1951, mund te jete larguar drejt Maqedonise nga zona e Tushemishtit. Keta agjente mesohet se vepruan ne ish-Jugosllavi, por edhe ne vendet e Lindjes. Nuk harron dy raste, kur ne ambientet e nje servisi ku Zyhdiu punon prej vitesh, ka ardhur nje burre i moshuar dhe ka pyetur per te gjate kohes kur Zyhdiu nuk ndodhej. Shoket e punes i kane treguar se i moshuari ka pyetur per Zyhdiun dhe familjaret e tjere, por pa u thene se kush ishte. Ndoshta Reshiti?! I biri mendon se ka qene ai. Nje histori e nderlikuar qe eshte e mbushur me nje vuajtje te madhe. Pas qindra njerezve qe ka takuar per te atin, Zyhdiu thote se do vijoje ende, derisa te mesoje te verteten. Shume i kane thene te mbledhe veten e t’u besoje dokumentave te kohes, te tjere e inkurajojne te kerkoje, pasi mund te jete ende gjalle jashte vendit.