2011-01-08

Konspiracioni, spiunazhi rus kontrollonte ushtrinë gjermane

Nga Saimir Lolja



image
Stalini dhe gjeneralët e tij kishin përgatitur gjithçka me anë të spiunazhit, që prej reagimit me tërheqje ndaj sulmit gjerman

BURIMET STRATEGJIKE TË GJERMANISË

            Gjermania importonte drurin nga Finlanda e Suedia, hekurin e importonte nga Suedia dhe 70% të nevojave të saj për Nikel i plotësonte me importin nga Finlanda. Këto rrugë importi ishin nën kontrollin e plotë nga ushtria e flota sovjetike dhe mund të sulmoheshin në çdo çast prej saj. Me fillimin e bllokadës detare ndaj Gjermanisë pas shpalljes së luftës kundër saj prej Britanisë e Francës më 03-09-1939, i vetmi burim i rëndësishëm i naftës dhe produkteve të saj atë përpunuara ishte Ploeshti i Rumanisë. Pa këto produkte vajgurore, tërë industria dhe makina ushtarake gjermane kalonin në ndalesë të plotë.
            Më 09-06-1940, qeveria sovjetike krijoi Frontin Jugor (në kufirin me Rumaninë) të ushtrisë së saj nën komandën e Gjeneralit G. K. Zhukov. Ky front përbëhej nga Armatat 5, 9, 12, të cilat përmblidhnin 32 Divizione pushkatarësh, dy Divizione të motorizuara pushkatarësh, 6 Divizione malore, 14 Brigada të veçanta, 11 Brigada tankesh dhe 3 Brigada parashutiste, 16 Regjimente artilerie të rëndë, 4 Batalione katjushkash, 21 Regjimente aeroplanësh gjuajtës, 24 Regjimente aeroplanësh bombardues. Gjithsej ishin 460’000 ushtarë e oficerë, 12’000 topa, 3000 tanke dhe 2000 aeroplanë. Rajoni kufitar rumun ishte i sheshtë, me dhe të fortë dhe rrugët ishin në gjendje të mirë. Brigadat e tankeve sovjetike kishin në formacion tanket e shpejta BT, që në këto kushte arrinin shpejtësinë 40-50 km/orë dhe me rrotat e veta 70-80 km/orë. Pra për tre orë tanket sovjetike mund të arrinin fushat naftëmbajtëse të Ploeshtit. Edhe nëse këto nuk pushtoheshin dot nëpërmjet tokës, atëherë puseve, depozitave dhe tubacioneve të naftës mund t’iu vihej flaka shumë lehtë nëpërmjet bombardimit ajror.
Në qershor 1940, Komanda e Lartë e Ushtrisë Gjermane [Oberkommando des Heeres - OKH] dhe Komanda e Sipërme e Forcave të Armatosura [Oberkommando der Wehrmacht - OKW] nuk kishin ndonjë plan e as ndonjë urdhër për të sulmuar BRSS. Në kufi me BRSS (në Poloninë e ndarë), ushtria gjermane kishte lënë vetëm 10 divizione të pafuqishme këmbësorie, pa tanke, pa aeroplanë, pa artileri. Ndërsa, në Rumani Divizionet gjermane hynë vetëm në Shkurt 1941 kur filloi zbatimi i Operacionit Barbarossa. Bile, pas pushtimit të Francës më 22-06-1940, Hitleri urdhëroi një pakësim të madh të forcave të armatosura gjermane. Papritmas, lindi furia sovjetike kundër Rumanisë (pushtimi i Besarabisë dhe Bukovinës Veriore më 28-06-1940), së cilës trupat rumune nuk i bënë ballë dhe kohë nuk kishte me mbartur trupat nga Franca në Rumani. Berlini përfundimisht e kuptoi se kërcënimi sovjetik në përgjithësi dhe goditja sovjetike në Rumani në veçanti ishte vdekjeprurëse (ngaqë nafta e benzina që vinin prej BRSS ishin sot, por nuk do ishin nesër), sepse tani tanket sovjetike kishin ndaluar 180 km larg burimit vajguror të Ploeshtit. Zgjidhje ushtarake për t’u mbrojtur nga BRSS nuk dilte; e vetmja zgjidhje që mbetej ishte të sulmohej me të gjitha forcat e papritmas BRSS.
Më 16-07-1940, Hitleri lëshoi Urdhrin Nr. 16, i cili kërkonte që deri në 15-08-1940 të ishte përgatitur plani i operacionit Zeeloewe [Luan Deti] për zbarkimin e trupave në Britani. Rëndimi i kërcënimit sovjetik bëri që ky plan shpejt të futej në sirtar. Më 21-07-1940, Hitleri për herë të parë mërmëriti “problemin rus” tek njerëzit e tij më të afërt. Më 21-07-1940, Hitleri urdhëron komandantin e forcave tokësore gjermane Gjeneral-Marshallin W. Brauchitsch të fillonte hartimin e një plani të posaçëm për luftë në Lindje. Ditën tjetër, Marshalli Brauchitsch urdhëroi komandantin e shtabit të përgjithshëm të forcave tokësore Gjeneralin F. R. von Halder të analizonte tërë mundësitë e një operacioni ushtarak kundër Rusisë. Gjeneral-Majori Erich Marcks emërohet në shtabin e Gjeneralit Halder dhe më 29-07-1940 filloi planifikimin e fushatës ushtarake kundër BRSS.
Pushtimi sovjetik i Besarabisë dhe Bukovinës Veriore e ktheu Rumaninë asnjanëse në aleate të Gjermanisë gjatë Luftës II Botërore. Nga Besarabia avionët sovjetikë mund të bombardonin edhe rajonin rumun të Ploeshtit edhe rajonet e Evropës Qendrore e Juglindore. Bukovina Veriore i duhej ushtrisë sovjetike, sepse nëpër të kalonte një linjë strategjike hekurudhore që shtrihej nga Odesa dhe lidhej me rrjetin hekurudhor evropian. Në BRSS gjerësia e shinave të trenit është më e madhe se ajo në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Pra trenat e vagonët e BRSS nuk mund të përdoren në Evropën Qendrore e Perëndimore. Me pushtimin e gjysmës së Polonisë në shtator 1939, Ushtria e Kuqe kapi gjysmën e lokomotivave e vagonëve të Polonisë. Këto nuk mjaftonin për sulmin sovjetik kundër Evropës. Me pushtimin e Besarabisë dhe Bukovinës Veriore ushtria sovjetike kapi 141 lokomotiva, 1866 vagonë të mbuluar, 325 vagonë gjysmë të mbuluar, 45 vagonë platformë, 19 cisterna, 31 vagonë pasagjerësh dhe dy vagonë për depo. Edhe këto nuk mjaftonin për mësymjen e madhe. Prandaj gjatë bisedimeve sovjeto-rumune në korrik 1940, BRSS i kërkoi dhe Rumania i dha deri më 25-08-1940 175 lokomotiva dhe 4375 vagonë me standard evropian.
Industria kimike gjermane nxirrte benzinë sintetike nga qymyret e saja. Një benzinë e tillë kushtonte 7-12 herë më shumë se sa nxjerrja e benzinës prej naftës. Më 1941, Gjermania prodhonte 4.1 milion ton benzinë sintetike, domethënë mbulonte 20% të nevojave të saja më të pakta në vitin 1941. Nafta e benzina që grumbullohej nga Austria, Çekosllovakia, Franca, Hungaria e Polonia arrinte sasinë 1.3 milion ton. Pra gjithsej, këto dy burime mbulonin një të katërtën e nevojave të Gjermanisë. Pa naftën e Rumanisë dhe produktet e saja forcat ushtarake të Gjermanisë mund të luftonin dhe industritë të punonin vetëm për tre muaj në vit. Nga ana tjetër, 5 milion tonë naftë e benzinë importohej prej Rumanisë, domethënë më e shumta Gjermania plotësonte gjysmën e nevojave minimale të saja në vit. Pra, industria gjermane mund të vazhdonte prodhimin dhe ushtria gjermane mund të vazhdonte të luftonte vetëm nëse kapte plaçkë lufte.
Në Prill 1944, Gjermania futi në përdorim aeroplanin e parë reaktiv në botë Me-262, i cili i kalonte tërë aeroplanët e tjerë të botës për nga shpejtësia dhe armatimi. 1433 aeroplanë të tillë u prodhuan, por vetëm pak më shumë se 200 prej tyre u ngritën në ajër. Për shkak të mungesës së vajgurit, pjesa tjetër qëndroi pa lëvizur në fushë-qëndrime. Më 21-06-1941, Hitleri i shkruante Musolinit: “...Rusia po përpiqet të shkatërrojë fushat naftëmbajtëse të Rumanisë... Detyra e ushtrive tona është ta zhdukim këtë kërcënim sa më shpejt që të jetë e mundur”. Pra, arsyeja e sulmit kundër Bashkimit Sovjetik nuk ishte lufta për Lebensraum [hapësirë jetese], siç shkruante Hitleri emocionalisht në librin e tij “Mein Kampf” [Lufta Ime] kur ishte në burg para 17 vjetësh.
LOJRAT E KREMLINIT
Më 04-09-1939, Trocki shkruante: “...Pa Stalinin nuk do kishte pasur Hitler... Pakti i mos-sulmimit midis Gjermanisë dhe BRSS praktikisht kishte zmadhuar zjarrin e luftës... Kremlini e furnizoi me naftë e benzinë ushtrinë e Musolinit në fushatën kundër Abisinisë [Etiopia dhe Eritrea e sotme]... Me “asnjanësinë” e BRSS dhe me furnizimet nga BRSS në produkte vajgurore, krom, kallaj, nikel, platin, hekur, pambuk, grurë, magnez, bakër, vanadium, molibden e tungsten, Hitleri do sulmojë në Evropë....”. Parashikimet e Trockit u vërtetuan pas disa muajsh. Më 12-11-1940, Molotovi i paraqet Hitlerit në Berlin listën e mëposhtme të dëshirave të BRSS: - prej Finlandës, portin Pechenga në Detin Barenc dhe gadishullin Porkkala-Udd në Detin Balltik;             -baza detare në bregun danez në ngushticën që lidh Detin e Veriut me Detin Baltik; - një bazë detare në bregun jugosllav në Detin Adriatik; - një bazë detare në Selanik të Greqisë; - prej Rumanisë, edhe Bukovinën Jugore; -futjen e Bullgarisë në zonën e ndikimit të BRSS; - baza detare prej Turqisë në ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve; -baza ushtarake në bregun iranian në Gjirin Persik; - kalimin nën ndikimin sovjetik të territoreve në jug të linjës Baku-Batumi (Azerbajxhan-Gjeorgji); - lejen për nxjerrje nafte në Veri të ishullit japonez Sakhalin.
Molotovi këmbënguli se detyrimet e Paktit të Gushtit 1939 pothuaj ishin plotësuar dhe kishte ardhur koha për një ndarje të re të Evropës. Më 25-11-1940, ambasadorit gjerman në Moskë iu ripohuan kërkesat mësipërme dhe njëkohësisht iu kërkua që Gjermania të largonte trupat nga Finlanda. Më 25-11-1940, Ministri i Mbrojtjes i BRSS, Marshalli S. K. Timoshenko dhe Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe Gjenerali K. A. Mereskov urdhëruan përgatitjen e një plani të ri sulmi kundër Finlandës. Në këtë situatë të re, Hitleri urdhëroi ndërprerjen e çdo përgatitjeje për zbarkim trupash në Britani, ndërkohë që lejoi vazhdimin e bombardimeve në Britani për arsye maskimi. Bombardimet e Britanisë prej avionëve gjermanë u kryen ndërmjet datave 07-09-1940 dhe 10-05-1941. Tanimë, çdo gjë u vu në shërbim të përgatitjeve për fushatën kundër BRSS.
Nga data 31-12-1940 deri më 11-01-1941, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe u kryen provat vendim-marrëse për sulmin e madh në drejtim të Perëndimit. Natë e ditë, në prani edhe të Stalinit, oficerët me të lartë sovjetikë, të ndarë në dy grupe kryen mbi hartë dy lojëra strategjike në lidhje me sulmin e ardhshëm. Plani luftarak skicohej si më poshtë: “...Më 15-07-1941, Gjermania sulmon BRSS... Trupat gjermane hyjnë 70-120 km në territorin sovjetik... Deri më 01-08-1941, trupat gjermane janë zmbrapsur aty ku qenë...”. Rajoni i BRSS ndahej në mes, në drejtimin Lindje-Perëndim, nga një rrjet i gjerë dhe i gjatë tokash moçalore që njihet me emrin rajoni i Polesisë [Veriu i Ukrainës]. Në këtë rajon është i pamundur qëndrimi, marshimi apo sulmi i ushtrisë. Prandaj, ky rajon e ndan sulmin Lindje-Perëndim në dy drejtime: njëri ndodhet në Veri të moçaleve të Polesisë, domethënë drejtimi Rusi e Bardhë, Poloni, Gjermani; kurse tjetri është në Jug të moçaleve të Polesisë, domethënë drejtimi Ukrainë-Moldavi-Rumani-Hungari-Austri/Poloni-Gjermani. Në drejtimin e sipërm, Gjermania kishte të fortifikuar shumë rajonet e Prusisë Lindore dhe Kenisburgut. Në drejtimin e poshtëm, Rumania nuk kishte fortifikime dhe fusha naftëmbajtëse e Ploeshtit ose kapej shpejt ose bombardohej lehtë; në të dy rastet Gjermanisë i mbyllej rubineti i vajgurit dhe do dorëzohej shpejt.
            Pas dy lojërave strategjike që kreu, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kuqe vendosi që goditja kryesore do jepej nga Jugu i moçaleve të Polesisë dhe këtu do përqendrohej fuqia më e madhe ushtrisë sovjetike; drejtimi nga sipër moçaleve të Polesisë do ishte drejtim dytësor. Shtabi i ushtrisë gjermane kishte kryer një lojë operative të ngjashme ndërmjet datave 29-11-1940 dhe 13-12-1940. Në përfundim, Shtabi i ushtrisë gjermane kishte vendosur që goditjen kryesore do ta jepte në drejtimin e sipërm, kurse nga Rumania do ishte drejtimi dytësor.

SPIUNAZHI DHE SULMI

Rrjete të pavarura agjentësh, të cilët vërtetonin njëri-tjetrin shërbenin në Gjermani për spiunazhin sovjetik. Një grup agjenturor nën emrin “Viking” dhe i përbërë nga shtatë oficerë të lartë gjermanë ishte pjesë e Komandës së Sipërme të Forcave të Armatosura gjermane [OKË]. Një grup tjetër nën emrin “Alta” punonte në ambasadën gjermane në Moskë, kurse një agjent tjetër ishte një nga ndihmësit e ngushtë të Ministrit të Jashtëm gjerman Ribbentrop. Si agjente sovjetike ishte edhe një artiste e famshme gjermane dhe njëkohësisht shoqe e ngushtë me gruan e Herman Geringut. Rrjetet agjenturore sovjetike arrinin deri aty saqë Stalini të kishte plane të komandës së lartë gjermane një javë para se ta merrnin për zbatim trupat gjermane në front.
Shumë libra e artikuj magjepsës janë shkruar për agjentin Richard Sorge me nofkën Ramzai, një gjerman që punonte për spiunazhin sovjetik në Japoni. Më 29-07-1938, Moska i kërkon atij “të kthehet për pushime” dhe ia përsëriti kërkesën edhe në vitet në vazhdim; por ai pa pushim iu përgjigj “jam shumë i zënë”. Drejtori i zbulimit ushtarak sovjetik, Yan K. Berzin, i cili e pat rekrutuar Sorgen u pushkatua. Solomon Uritsky, një drejtor tjetër i GRU dhe udhëzues personal i Sorges, u pushkatua. Lev Borovich, me nofkën Rozental, zëvendësdrejtor i Departamentit II të spiunazhit sovjetik, i cili kishte qenë kontrolluesi i drejtpërdrejtë i Sorges, u pushkatua. Agjenti sovjetik rezident në Gjermani, Gorev, i cili e nxori Sorgen nga Gjermania, ishte në burg. Aino Kuusinen, bashkëpunëtorja e Sorges ishte në burg. Ekaterina Maksimova, gruaja e Sorges, vdiq në burg. Karl Ramm, agjenti rezident i GRU në Shangai dhe ish-zëvendës i Sorges, u thirr “për pushime” dhe u pushkatua. Prandaj, Richard Sorge nuk mund “të kthehej për pushime”, sepse e dinte se çfarë e priste. Edhe pse mbeti komunist në shpirt, Richard Sorge u bë agjent i dyfishtë dhe të dhënat që ai dërgonte në Moskë, përfshirë edhe thashethemin se ai rrëfeu kohën e sulmit gjerman kundër BRSS, ishin ose të parëndësishme ose mashtruese.
Stalini e Hitleri, bashkë me shtabet dhe spiunazhet e tyre, e dinin se Gjermania mund të fillonte një luftë kundër BRSS vetëm pasi Britania të ishte dorëzuar ngase Gjermania nuk mund të mbante dy fronte lufte. Hitlerit dhe shtabit të tij gjithnjë e më shumë iu bë e qartë se ato praktikisht e kishin frontin e dytë, në Lindje. Në çdo rast, Ushtria e Kuqe do të sulmonte në Verën e vitit 1941. Ajo që i mbetej ushtrisë gjermane ishte të mbrohej duke sulmuar para kohe ushtrinë sovjetike; dhe kështu ndodhi më 22-06-1941. Derisa ndodhi ky sulm konkret, Stalini dhe shtabet e tij politike, ushtarake e të zbulimit nuk e besonin se mund të ndodhte ai sulm vetëvrasës për sulmuesin.
Një agjent sovjetik kishte arritur të prekte dokumentet e fshehta të vetë Hitlerit. Njëmbëdhjetë ditë pasi Hitleri firmosi planin përfundimtar të luftës kundër BRSS, më 18-12-1940, kjo e dhënë bashkë me planin e Komandës së Lartë Gjermane ranë në duart e zbulimit ushtarak sovjetik [GRU]. Në fund të Dhjetorit 1940, Nën-Gjenerali F. I. Golikov, drejtori i GRU, i raportoi Stalinit se Gjermania do sulmonte BRSS pa e përfunduar luftën në Perëndim. Stalini dhe pak vetë të Komandës së Lartë Sovjetike nuk e besuan të dhënën e zbulimit. Drejtori Golikov kërkoi që burimi i kësaj të dhënë të dihej vetëm prej Stalinit. Gjithashtu, Golikov shpjegoi se analistët e zgjuarsisë në GRU analizonin përgatitjet ushtarake të Gjermanisë nga shumë këndvështrime dhe mund ta dallonin me saktësi kur përgatitjet për pushtim do fillonin. Që nga Janari 1941, nën-gjenerali Golikov i raportonte vetëm për vetëm Stalinit dhe i pohonte se përgatitjet për pushtim nuk kishin filluar. GRU dinte se trupat e municionet gjermane po përqendroheshin në kufi, se aviacioni gjerman po zhvendosej pranë kufirit; dinte tërë numrat dhe pozicionet e divizioneve gjermane, emrat e komandantëve të tyre, etj. E megjithatë deri kur ndodhi sulmi më 22-06-1941, nën-gjenerali Golikov raportonte se ushtria gjermane nuk ishte gati për sulm.
            Gjithë agjentët e GRU në Evropë ishin urdhëruar të kishin njohuri konkrete për ndërmarrjet blegtorale dhe ato që kishin lidhje me to. Numri i deleve, lloji i tyre, fabrikat e therjes dhe përpunimit të lëkurëve të tyre ishin në qendër të mbledhjes së të dhënave. Golikovi merrte dy herë në ditë njoftim për çmimin e mishit të qengjit në tregjet evropiane. Gjithashtu, agjentët sovjetikë grumbullonin leckat e mbetura (zakonisht ato digjeshin) me të cilat ushtarët gjermanë fshinin e vaisnin armët e tyre. Këto lecka me vaj dërgoheshin fshehtas në BRSS dhe analizoheshin kimikisht. Analiza e të dhënave për delet dhe e leckave me vaj pohonin (dhe këtë raportonte Golikovi) në mënyrë të pavarur se ushtria gjermane nuk ishte gati për sulm kundër BRSS. Nëse një ushtri do sulmonte BRSS, ajo duhej të kishte të paktën 6’000’000 veshje me lëkurë delesh për t’i mbijetuar dimrit rus. Nëse komanda e lartë gjermane do kërkonte të prodhoheshin rroba të tilla, me miliona dele do thereshin dhe si rrjedhojë çmimi i mishit të qengjit do binte. As porosia e as rënia e çmimit nuk ndodhi.
            Në kushtet e dimrit rus, vaji në përdorim i makinave e armëve gjermane do të ngrinte dhe ato do bëheshin të papërdorshme; po ashtu edhe benzina e nafta që përdornin makinat e tanket gjermane. Edhe këto nuk ndryshuan në ushtrinë gjermane dhe Golikovi raportonte se ushtria gjermane nuk ishte gati për sulm. GRU mbante sytë hapur sidomos për divizionet gjermane që kishin në depot e tyre të paktën 15’000 rrobe me lëkurë delesh; por divizione gjermane me lëkurë delesh në magazina nuk kishte. Stalini i pranonte këto të dhëna dhe nuk e ndëshkoi Golikovin pas sulmit gjerman më 22-06-1941; bile Golikovi bëri karrierë derisa u bë Marshall i BRSS. GRU dinte ku dhe çfarë lloj e sasie lëndësh djegëse e vajrash lubrifikues prodhoheshin në Gjermani dhe vendet e tjera të pushtuara. Sasia e lloji i tyre as nuk mjaftonte e as nuk përshtatej për mësymje të thellë e të gjatë në BRSS. As kërkimi shkencor gjerman për të prodhuar produkte vajgurore që i rezistonin ngrirjes nuk ishte i dukshëm.
Benzeni (benzoli), i cili është përbërësi kryesor i benzinës që përdoret në motorë, ngrin ndërmjet temperaturave –0.6oC dhe 10.4oC. Benzina sintetike në Gjermani prodhohej duke trajtuar me hidrogjen qymyret e cilësive të ulëta. Kjo benzinë sintetike ishte me cilësi (numër oktani) të ulët dhe për t’ia rritur numrin e oktanit asaj i shtohej benzol. Benzina që përftohej e kishte temperaturën e ngrirjes nga –9.6oC në – 14.5oC. Për udhëheqjen sovjetike, vetëm një i çmendur me këtë lloj benzine mund të sulmonte Rusinë e Madhe ku temperatura normale në dimër ishte –20oC, pa llogaritur erën që e ulte akoma më shumë këtë temperaturë. Zbulimi ushtarak sovjetik i gjykonte gjeneralët gjermanë jo të çmendur dhe prandaj arrinte në përfundimin se ushtria gjermane nuk po përgatitej për luftë. Ushtarët gjermanë do kishin nevojë për çizme e rroba të ngrohta, çadra të posaçme, ngrohës, ski e dyll për skitë, pelerina maskimi, produkte vajgurore dhe vajra lubrifikues që nuk ngrinin, ngrohës uji, bateri makinash që nuk ngrinin; dhe benzinë, naftë e vajgur dimri për tanket, makinat e avionët. Ushtria gjermane kishte nevojë për tank me zinxhirë të gjerë e mijëra makina që mund të përballonin rrugë të këqija. Ushtria gjermane nuk pati materiale të tilla të posaçme.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...