2011-01-09

Plani anglo-amerikan për rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës



Dokumente të arkivit të Sigurimit, zbardhin kombinacionet e shërbimeve inteligjente anglo-amerikane, gjatë viteve '46-'53. Kim Filbi nuk kishte rolin kryesor për dështimin e anglezëve



Edhe një ish-oficer i shërbimit të fshehtë shqiptar nisur nga dokumente të arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe informacioneve të rezervuara që tashmë ndodhen në dosjet operative të këtij shërbimi, zbardh planin e anglo-amerikanëve për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës. Por, njëkohësisht, ai thotë se edhe shërbimi shqiptar, duke marrë shkas nga burimet e tij, arriti të sigurojë me një kombinacion, dokumente të rëndësishme sekrete, që ruheshin në kasafortën e rezidentit të anglezëve, gjeneralit Hoxhson që në vitin 1946. Nga rreth 100 faqe informacion, u mësua shumë rreth veprimtarisë së shërbimit anglez dhe agjentëve të tyre në Shqipëri si dhe planet për të ardhmen. Kjo arritje e sigurimit, shënon edhe fillimin e një loje kundër agjenturave anglo-amerikanëve që zgjati për rreth 7 vjet. Realizimi i kësaj kundërloje spiunazhi, nisi kur nga burgu i Burrelit u realizua arratisja me kombinacion e dy të burgosurve, që do të hynin në radhët e emigrantëve politikë shqiptarë në Perëndim. Ky kombinacion u bë me dijeni të Mehmet Shehut. Më pas, do të vijonin edhe një sërë kombinacionesh të tjerë për kapjen e bandave të armatosura, inspiruara nga shërbimet anglo-amerikane. Specialistë të shërbimit të fshehtë shqiptar, që kanë punuar në sistemin e kaluar, mendojnë (sipas dokumentave dhe dëshmive të asaj kohe), se agjenti dopiorol Kim Filbi, nuk ishte burimi kryesor i informacionit, për faktin se në atë kohë, dolën dyshime për veprimtarinë agjenturore të tij në favor të zbulimit sovjetik dhe ai ishte urdhëruar të ndërpriste veprimtarinë, deri sa të rifitonte prapë besimin e shefave të tij.

Hapja e kasafortës së gjeneralit Hoxhson

Meqenëse zbulimi anglez kishte infiltruar një varg agjentësh në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare midis tyre ishin Muharrem Bajraktari, të cilit, me kombinacion, organizuar nga nyjet informative, u fut në dorë gjithë dokumentacioni i korrespondencës së Bajraktarit me Forin Ofisin dhe MI6 angleze. Gjatë luftës, në muajin korrik 1943 nga dega “D” e Ballkanit, me qendër në Beograd e SOE (Special Operation Eksekutiv), i cili u atashua pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Qysh në fillim ky mision filloi të merrte në lidhje agjenturën dhe ta riaktivizonte atë. Por, në këtë periudhë, ai u konfrontua me përkthyesin e Enver Hoxhës, si edhe me anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm, Haxhi Lleshi, që kishin vënë në dijeni vetë E.Hoxhën. Veprimtarinë agjenturore në këtë mision e kryente kapiteni i parë Alan Heur, që varej drejtpërdrejtë nga M6 angleze. Në të njëjtën kohë, ai merrte detyra edhe nga LCS (London Controlling Section), që merrej me organizimin e dezinformacionit. Meqenëse ky grup u ballafaqua me disa probleme, ku ishin shkelur të drejtat ndërkombëtare, kryeministri anglez, Çurçilli u detyrua që ta hiqte nga Shtabi i Përgjithshëm, gjoja për kapërcim të kompetencave. Në vend të tij erdhi gjenerali Dejvis, i cili njohu plotësisht Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe i kërkoi gjeneral Aleksandriot, në Kajro, për ta njohur atë plotësisht dhe për të demaskuar Ballin Kombëtar dhe krerët nacionalistë, si bashkëpunëtorë me okupatorët, duke ekspozuar edhe disa fakte. Këtë ai e pagoi me kokë, pasi u spiunua nga agjenti i gjermanëve, Azis Biçaku. Pas luftës, u bënë një varg kombinacionesh, sidomos me rëndësi është ajo e hapjes së kasafortës së gjeneralit Hoxhson, ku u rekrutua nënoficeri që mbante materialet sekrete. Këtij të fundit iu morën çelësat, u kopjuan ato, ndërkohë që gjenerali, me anë të përkthyesit dhe një aktivisti të sferës anglo-saksone, u çua në Hotel Dajti, ku u shtrua një darkë, dhe u mbajt atje për disa orë atje. Ndërkohë u fotografuan rreth 100 dokumente, të cilat ruhen në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Po kështu, u veprua edhe me kolonel Stërlingun. Ku përveç korrespondencës me agjentin e tyre Muharrem Bajraktari, iu gjet dhe lista e agjentëve. Në këtë periudhë u bë dhe kombinacioni i kapjes së Lef Nosit, ish-anëtar i regjencës dhe agjenti i zbulimit anglez. Edhe pse Margaret Hazllëk (Fani), që ishte një zbuluese angleze i kishte dhënë porosi që ai të futej në lëvizjen Nacionalçlirimitare, që të mendonte për prespektivën, pra në qeverinë e re, ai u bë anëtar i regjencës. Në këtë kombinacion u implikua edhe Dali Ndreu, që me anë të vëllait të tij, Xhelalit, e kishin strehuar në një vilë në Elbasan, me qëllim që ta ndihmonin të arratisej në Greqi. Këto dhe kombinacione të tjera treguan planet e anglezëve në drejtim të grupit të deputetëve, të rrëzimit të Qeverisë së E.Hoxhës, si dhe rritjes së influencës së Britanisë së Madhe në këtë pjesë të Ballkanit. Nga survejimi që iu bë majorit anglez, Smith, rezultoi se ai i bëri thirrje grupit të deputetëve që të mbështesnin qeverinë angleze dhe jo atë amerikane, se Thoma Stefani rezidenti amerikan në Shqipëri në këtë periudhë, sipas tij, i kishte tejkaluar kompetencat, pasi donte të krijonte një qeveri shqiptare proamerikane. Duke ditur këto plane, Sigurimi i Shtetit bëri një varg rekrutimesh, duke i kamufluar me persona që njiheshin si nacionalistë të ndershëm dhe i nisi ata jashtë shtetit në mes të emigrantëve, që u larguan nga Shqipëria. Pesë prej tyre fituan besimin e Inteligjent Servisit anglez dhe të CIA-s amerikane. Në të njëjtën kohë, Mehmet Shehu kishte arratisur me kombinacion dy persona nga burgu me destinacion perëndimin. Nga ana tjetër, meqenëse këta agjentë ishin të kualifikuar, arritën të krijonin grupe agjenturore, që punonin për llogari të Sigurimit. Detyra e tyre kryesore ishte të prishnin organizimin e organizatave politike në emigracion me anë të dezinformacionit dhe agjenturës dopiorol. Pas vitit 1949, zbulimet angloamerikane ranë në marrëveshje për krijimin e disa qendrave të stërvitjes të emigrantëve politikë në periferi, si në Mynih, Hajdenberg si kompania 4000, në Qipro, Maltë në rezidencën verore të mbretit Pavllo, të Greqisë, në Vilën “Linda”, të Barit, Itali, me qëllim organizimin e veprimtarisë agjenturore e diversive në drejtim të Shqipërisë. Grupet e para të diversantëve u hodhën në vitin 1949 dhe vazhduan deri në vitin 1953. Qëllimi i tyre ishte organizimi i “Frontit të Brendshëm” në bashkëpunim me “Frontin e Jashtëm”…

Roli i Kim Filbit

Kim Filbi nuk ishte burimi determinant i informacionit për faktin se kur ky ishte konsull në Stamboll, dolën dyshime për veprimtarinë agjenturore të tij në favor të zbulimit sovjetik dhe më 4 nëntor të vitit 1947 u transferua në SHBA, ku iu ngarkuan detyra të rëndësishme për organizimin e veprimtarisë agjenturore në territorin e këtij shteti. Kështu që, ai nuk kishte mundësi dhe aq më pak leverdi të merrej me një problem kaq të vogël sa problemi shqiptar. Eshte shkruajtur shumë lidhur me disa agjentë sovjetikë rekrutuar qysh para Luftës së II-të Botërore, si Kim Filbi, Donald Maklin dhe Gai Berzhes, të cilët u vunë në disa pozicione të rëndësishme të SIS britanik (Kimi), të Kabinetit të Ministrave (Berzhes) dhe në Komisionin “Atomic Energy Programme” në Uashington (Maklin), të cilët u përdorën nga KGB-ja për të grumbulluar të dhëna me karakter strategjik…. Sapo kishte filluar Lufta e Ftohtë, pas “Doktrine Truman”, “Planit Marshall” dhe fillimit të rimëkëmbjes së Evropës, dolën në dritë dhe disa plane afatgjata për ndryshime. Valter Lipmani në gazetën “Njw York Herald Tribun”, prill l947, do të zbulonte pikësynimet e afërta të SHBA-së: “Ne zgjodhëm Turqinë dhe Greqinë, jo se kanë vërtetë nevojë për ndihmë, porse këto vende përbëjnë për ne dyert strategjike, që shpien në detin e Zi dhe në zemër të BS-së“. Ndërsa Thoma Stefani, i cili mbulonte dhe shërbimin sekret amerikan për Shqipërinë, i raportonte SOE-s në Uashington: “Amerika duhet të veprojë pa humbur kohë, për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje në Shqipëri, e cila nuk pajtohet me interesat e saj”. Po në këtë periudhë, në bisedë me Enverin, në Moskë, Stalini i kishte thënë të parit shprehimisht: “Amerika është për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë”. Mësuam gjithashtu se Mehmet Shehu ishte vendosur ministër i Brendshëm pas likuidimit të Koçi Xoxes, me porosi të Stalinit. Në raportin sekret prej 21 faqesh NSC (Nacional Security Councel) shprehte për Shqipërinë këto konsiderata: “Një qeveri titiste, do të ishte më mirë se një qeveri staliniste. Objektivi i parë i SHBA do të jetë realizimi i dobësimit dhe eliminimit të mundshëm të regjimit të Hoxhës të dominuar nga sovjetikët”. (l4 shtator 1949)

Fillimet e veprimtarisë konkrete të CIA-s

Në planet sekrete të CIA-s pas viteve 1949 ekzistonin dy alternativa kryesore: “Rrëzimi i regjimit si rrjedhojë e aktivizimit të grupeve paramilitare guerile të njohura me siglën R.R.G, të krijuara qysh në korrik l949 dhe drejtohej nga një oficer madhor me përvojë Majkell Berk. U krijuan grupet paramilitare në Haidelberg, grupe të ndryshme operative, të përgatitura në shkolla e kurse spiunazhi, ku partitë Balli Kombëtar dhe Legaliteti me përfaqësues Bashon dhe Laçin, lozën një rol të rëndësishëm. Një segment i CIA-s, i njohur me siglën OPC, Office Political Coordination, do të organizonte veprimtarinë e fshehtë. Grupi i parë i përbërë nga Iljaz Toptani, Selim Daci etj., dhe ekipi i Maltës i përbërë nga Nezir Tomori e Abdyl Sino, kishin bërë të gjitha përgatitjet dhe kishin marrë udhëzimet për t’u futur në Shqipëri, të frymëzuar dhe nga fjala e kolonelit Xhon: “Se 90 për qind e popullsisë është kundër regjimit të Hoxhës. Dhe se ne vend ka një shthurrje të madhe, populli po ngrihet kundër komunistëve”. Opcioni i dytë ishte ai agjenturor, që u transmetua nga gazetari i shquar Sajrus Sulcberger, me të cilin u punua gjithnjë në rrugë të fshehtë, duke aktivizuar agjenturën kryesore brenda vendit. Kjo veprimtari kishte më shumë të ardhme krahasuar me grupet paramilitare, që nuk realizuan detyrat e ngarkuara, gjë që pranohet dhe analisti i sferës se zbulimit Hari Rackize kur thotë pak a shumë; “se, sado vend i vogël që të jetë një shtet dhe regjimi i tij, ai nuk mund të rrëzohet me grupe paramilitare”. Në Paris, më 26 gusht 1949, shpallet formimi i “Komitetit Kombëtar Shqiptar” nga Mitat Frashëri, Kupi, Kryeziu, Kota dhe Pali, që do të merrte në dorë fatet e Shqipërisë pas rrëzimit të regjimit të Hoxhës nga grupet paramilitare.

Informacionet e Kim Filbit dekonspiruan planin anglez për rrëzimin e Hoxhës

Mirëpo, zbulimi sovjetik dhe ai amerikan kishin filluar një lojë operative të fshehtë dhe agjentët kryesorë kishin marrë detyrat dhe në shënjestrën e tyre ishin Shqipëria dhe Polonia. KGB-ja kishte ngarkuar me detyra agjentin e tij kryesor, Kim Filbi, i cili në këtë kohë ishte me detyrën në fillim të sekretarit të parë, e pastaj atë të konsullit të Britanisë së Madhe në Stamboll. Sipas disa burimeve të fshehta, ai kishte dhënë informacione për përgatitjet që po bënin grupet paramilitare për t’u hedhur në aktivitet në Poloni dhe në Shqipëri. Mehmet Shehu kishte marrë masat e tij, si dhe dispononte të dhëna paraprake për përgatitje të bandave si nga agjentura në radhët e emigracionit, ashtu edhe nga të dhënat e marra nga burimet sovjetike. U realizuan dy rekrutime spektakolare, një në burgun e Burrelit, i cili u arratis në Amerikë dhe u fut në bashkëpunim me CIA, tjetri u arratis nga qyteti i Vlorës XH.C., i cili kishte qenë agjent i rëndësishëm i amerikanëve për këtë qytet. CIA i priti mirë këto “mesazhe” dhe nga ana e tyre, sidomos segmenti i saj, që mbështetej te veprimtaria afatgjatë e spiunazhit për rrëzimin e regjimit komunist, dërgoi disa të dhëna për futjen e disa grupeve të spiunazhit, me qëllim rritjen e influencës së tij në Shqipëri në rrugë të fshehtë, ndërsa në sferën e propagandës mund të dilte ndonjë tjetër kolonel Xhon dhe të bënte rezymetë përkatëse për regjimin. Natyrisht, situata ishte ndryshe dhe vendi po kuronte me shpejtësi plagët e luftës dhe po rindërtonte vendin për të dalë nga prapambetja shekullore dhe për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga mentaliteti anadollak e feudal i së kaluarës së dhimbshme. Nga ana tjetër, Mehmet Shehu kishte nxjerrë nga burgu i Burrelit edhe disa nga kontingjentet e rëndësishme të CIA-s amerikane, gjë që dhe këto patën edhe efektin e tyre pozitiv në rritjen e komunikimit dhe të besimit. Këshilltarët sovjetikë në këto aspekte ishin ustallarë për vendosjen e urave të komunikimit midis tyre për të përfituar sa më shumë nga pikëpamja agjenturore dhe operative. Politikës amerikane i interesonte kjo jo pak në atë kohë, kur rreziku i komunizmit të BS për ta ishte eminent. Ndaj donin të rrisnin influencën e tyre, të kthenin qoftë edhe një vend të vogël, kundër interesave sovjetike. Natyrisht, më i preferuar do të ishte ai vend që do të bënte pjesë në bashkësinë komuniste të Evropës Lindore. CIA–s i leverdiste, të kishte nën influencën e saj, qoftë edhe disa udhëheqës që ishin, ose po afirmoheshin si diktatorë. Politikës sovjetike i interesonte Shqipëria edhe pse ishte një vend i vogël, por për strategjinë e saj afatgjatë ai zinte një nga vendet kryesore në Evropën Juglindore, ndërsa për KGB dhe GRU-n, futja qoftë edhe e agjenturës dopiorol në radhët e shërbimeve sekrete amerikane, për të ishte sukses, sepse në mënyrë të nëndheshme ajo do të lidhej si me një rrip transmesioni me agjenturën potente, që ajo dispononte në atë periudhë në territorin e SHBA-së.

Lufta kundër bandave të armatosura që synonin rrëzimin e Enverit



Kështu nisi rrugën ajo që u sfumua tej mase dhe u bë legjendë, me një punë më të vërtetë të zgjuar, ajo që ka marrë emrin “Lufta kundër bandave të armatosura”, ”Sfida e Sigurimit të Shtetit ndaj CIA-s amerikane”, “Loja Buza e Bredhit dhe Liqeni i Vajkalit” e kështu me radhë. U hapën qendrat “sekrete të stërvitjes” qysh në tetor 1951 në Maltë, Mynih, Kretë dhe Haidelberg. Një nga më të interesuarit në këtë aspekt ishte mbreti Zog, i cili përveshi krahët dhe i mori me tepër përkushtim dhe seriozitet luftën kundër regjimit komunist dhe i dha besën kolonelit të CIA-s, Jaçeviç, e vuri në dispozicion dhe bodigardin e tij besnik, kolonel Hysen Selmanin. Mirëpo, këto përgatitje paraprake u përhapën me shpejtësi në formë thashethemesh në emigracion, dhe një pjesë e mirë e emigracionit politik, i mori seriozisht, iu ringjallën shpresat për të fituar ato që humbën dhe u rreshtuan përkrah mbretit të tyre. Në këto kondita e zhvillime, shërbimet e fshehta të vendeve fqinjë, që natyrisht kishin informacione nga burimet e tyre, intensifikuan veprimtarinë agjenturore dhe banditeske, duke kujtuar se kishte ardhur momenti i shumëpritur prej tyre, për të zhvatur secili sa më shumë territore nga vendi ynë. Në vitin 1950, Asfalia Greke, në bashkëpunim me degën Alfa Dhio, përgatiti dhe dërgoi nëpërmjet kufirit 56 banda, me 294 persona të armatosur. Pjesa më e madhe e tyre ishte e organizatës ultrareaksionare ONASH. Ndërsa serbët vetëm në vitin 1949 kishin bërë në kufi gjithsej 119 provokacione, duke i dhënë një mbështetje të fuqishme organizimit antishqiptar të emigracionit në Jugosllavi në drejtimin e Seit Kryeziut. Në fund të muajit korrik të vitit 1949, në vilën “Linda”, 6 km larg Barit, në Itali, komandanti i kursit, kolonel De Agostino, porositi kursantët e tij që do të hidheshin në Shqipëri: “Në Shqipëri së shpejti kemi ngjarje të rëndësishme. Do të fillojmë një lëvizje të armatosur kundër regjimit të Hoxhës, për të vënë këta në mes të dy zjarreve; të Frontit të Hapët dhe lëvizjes së armatosur në prapavijë të kundërshtarit”. Në kursin e “Rojes Mbretërore“, koloneli Xhon do të vazhdonte linjën tjetër atë paramilitare për dezinformimin e opinionit dhe përpunimin e kursantëve të vilës “Linda“: “Shqipëria është në prag lufte. E përçarë nga tri fe: myslimane, kristiane dhe ortodokse. Mbizotërojnë vrasje, hakmarrje, xhelozi të vjetra. Tito po përgatit minoritetet kundër saj”. Së fundi, Lordi Betel ekspozon një të vërtetë të pamohueshme dhe që hedh dritë të mjaftueshme lidhur me problemin se CIA i dha të dhëna Sigurimit, duke vlerësuar arratisjet që bëri Mehmet Shehu me kombinacion. Ja çfarë konkluzioni nxjerr Lordi në fjalë: “Gjyqet e Tiranës në vitin 1951 ishin thelbësisht korrekte dhe të kujdesshëm, po kështu edhe pas viteve ´52”. Ky fakt konfirmohet edhe nga burimet e mëvonshme të fshehta, sidomos të tri bandave kryesore të: Vilës “Linda“, të Hamit Matjanit, i cili ishte bërë mit e legjendë nga hyrjet e daljet nga kufiri grek dhe asnjë herë nuk ra në kurthin e Sigurimit të Shtetit, si dhe grupit të “Rojes Mbretërore”. Por, i shoqëruan ato me të dhëna ekzakte të vendit të hedhjes me parashutë, kohës dhe koordinatat përkatëse. Madje, vendet do të ishin të favorshme për forcat e ndjekjes dhe të Sigurimit për të organizuar jo kurthe po çarqe. Pra, Kim Filbi, ashtu si jo pak agjentë e informatorë diçka dinin, por që nuk ishin esenciale dhe mund të shërbenin vetëm si burime konfirmimi në rrugë operative. Nga ana tjetër, për këto informacione dhënë në rrugë të fshehtë, nuk kishin dijeni masa e oficerëve, ushtarakëve dhe aspak civilët, që morën pjesë drejtpërdrejt ose indirekt në lojërat “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit“, përveç Mehmet Shehut, Mihallaq Ziçishtit dhe ndonjë tjetri. Siç dihet, një nga këto lojëra vazhdoi për 18 muaj rresht, edhe pse ishte konfirmuar që radisti Prençi ishte zëvendësuar me një person tjetër, futur nga sigurimi, avionët vazhdonin dhe hidhnin jo vetëm armë, por edhe materiale të tjera të nevojshme, por edhe ndihma. Zbulimet e tjera të huaja si UDB-ja, SISMI italian, QIPE-ja greke ishin hedhur, ashtu siç pritej, në sulm jo vetëm me forca paramilitare, por edhe agjenturore, kujtuan se “deti u bë kos”, se prapa tyre “ishte Amerika”, që i mbështeste, ndonëse nuk kishin marrë dijeni për senatorin amerikan N., që dërgonte mesazhe në rrugë të fshehtë, natyrisht tashmë, jo krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar faktin që “Amerika nuk do të sulmojë Shqipërinë. Përkundrazi…”.

Dëshmia e diversantit Adem Gjurraj: Ju tregoj dështimin e bandave për të rrëzuar Enver Hoxhën ...

E vërteta e operacionit të posaçëm, organizuar nga shërbimet sekrete amerikane dhe të Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me Komitetin “Shqipëria e Lirë”, në vitet 1949-1953, kundër qeverisë komuniste të Tiranës vazhdon të zbardhet me fakte të dhëna nga të dy palët. Qëllimi i këtij operacioni ishte përmbysja e shtetit të Enver Hoxhës dhe destabilizimi i situatës së atëhershme politike në të gjitha vendet e Lindjes. Lordi konservator, Nikolas Bethel, i cili ka shfletuar në arkiva dokumenta të asaj kohe, thotë se “Shqiptarët kishin pranuar të viheshin nën kujdesin britanik për të përmbysur qeverinë komuniste shqiptare, që ata urrenin. Ata nuk e konsideronin veten kukulla, por patriotë, që luftonin për të çliruar vendin e tyre. Filbi ishte caktuar bashkëkomandant i këtij operacioni. Shqiptarët (që ishin angazhuar në emigrim), nuk e dinin që misioni i tyre ishte tradhtuar. Kim Filbi kishte përgjegjsi për këtë gjë. Ai ishte agjent që bënte rol të dyfishtë, duke i shërbyer për shumë vite, më shumë Stalinit sesa vendit të tij”. Një i mbijetuar nga operacionet anglo-amerikane kundër Shqipërisë, Adem Gjurraj, nga Reç-Dardhë, në rrethin e Dibrës, tregon se si u organizuan këto operacione. Në kujtimet e tij (si pjesëtar aktiv i këtyre bandave), ai rrëfen se për këtë mision, ku humbën jetën dhjetëra njerëz, u shpenzuan miliona dollarë dhe stërlina. Ky mision ka qenë një ndër sekretet e mëdha në jetën e tij. Gjurraj mendon se agjentët e komunizmit qenë futur deri në palcën e planit të anglo-amerikanëve, CIA-s dhe Intiligjent Servisit, por goditjen kryesore, ai mendon se e morën nga Kim Filbi, një informator i dyanshëm. Ja në vijim kujtimet e Adem Gjurraj, që, edhe pse i plagosur, arriti të kalojë kufirin dhe të dalë në Jugosllavi, ku vuajti për një kohë të gjatë dënimin UDB-së.


Si u organizua operacioni nga anglo-amerikanët

“Shumë prej monarkistëve dhe ballistëve, si dhe krerët e tyre në këtë kohë, ndodheshin jashtë Shqipërisë. Me mijëra shqiptarë ndodheshin në kampin e refugjatëve në Itali. Mbreti Zog ndodhej në Egjipt, Mithat Frashëri në Turqi, Abaz Kupi dhe Abaz Ermenji në Itali. Britanikët dhe amerikanët po mundoheshin të organizonin krerët e shqiptarëve në mërgim në një organizëm të vetëm politik. Kjo ishte edhe një dëshirë e vetë shqiptarëve. Në fillimet e operacionit, Greqia ishte e vetmja bazë e vendosjes përpara nisjes së luftëtarëve guerilë për në Shqipëri. Madje, shqiptarët u bindën që të formonin edhe Komitetin Ekzekutiv, një president të tij dhe një qeveri që do të qëndronte në “hije” dhe do të priste çlirimin e shqiptarëve nga komunizmi. Po kështu, në këtë kohë u krijua “Junta”, një organ sekret, që do të kontrollonte operacionin. Në krye të këtij organi do të vendosej Abaz Kupi. Zëvendësa të tij do të ishin, Abaz Ermenji e Seit Kryeziu dhe sekretar, Gaqo Goga. Kompromisi mes shqiptarëve, ku dakordoi edhe Mbreti Zog, u arrit më 7 korrik të vitit 1949. Nga ky moment, e deri në muajin shtator të po atij viti, emigrantët politikë shqiptarë do të stërviteshin në disa kampe. Po kështu u vendos që dy grupe me shqiptarë të zgjedhur nga radhët e Ballit Kombëtar, në muajin tetor do të vinin në Shqipëri nëpërmjet detit. Grupet kishin për komandantë, Bido Kukën dhe Hysni Lepenicën. Grupi i parë do të nisej drejt Kurveleshit dhe i dyti drejt Vlorës. Ndërkohë, Filbi i kishte njoftuar eprorët e tij në Moskë dhe kështu forcat e ushtrisë shqiptare, ku ministër ishte Beqir Balluku, ishin vënë në gatishmëri dhe prisnin zbarkimin e grupeve. Forcat bregdetare ishin vënë në alarm dhe gatishmëri të plotë luftarake. Gjendja e të zbarkuarve misionarë ishte tragjike, pasi edhe ndërlidhja me komandën e tyre në Greqi ishte ndërprerë. Ndërkohë, edhe grupe të tjerë emigrantësh politikë po përgatiteshin të hidheshin në Shqipëri. Grupet e Sefer Muços dhe Bardhyl Gërveshit, kishin marrë porosi që me të zbarkuar të niseshin njëri në drejtim të Korçës dhe tjetri në atë të Gjirokastrës. Dy zbarkimet e bëra ishin pa rezultat, e megjithatë drejtuesit e operacionit vazhdonin programin e tyre, duke dërguar sa më shumë grupe në vitin 1950, me pretekstin e analizës së gabimeve, nxjerrë nga zbarkimet e mëparshme”.

Kompania 4000 dhe plani për rrëzimin e Hoxhës

“Mora pjesë në operacionin “Kompania 4000” vetëm me një qëllim, për të çliruar Shqipërinë nga komunizmi. Ky mision, ku humbën jetën dhjetëra njerëz dhe kushtoi miliona dollarë dhe stërlina, ka qenë një ndër sekretet e ruajtura në jetën time, ndonëse agjentët e komunizmit qenë futur deri në palcën e planit tonë, CIA-s dhe Intiligjent Servisit. Goditjen kryesore e morëm nga Kim Filbi, informator i dyanshëm, një ndër agjentët e dyanshëm, një ndër agjentët më të bujshëm të Lindjes në Perëndim, që më vonë Moska e gradoi kolonel të shërbimit sekret të saj. Amerikanët, ndërsa zbarkimet e britanikëve kishin dështuar, u dukën më serioz në organizimin e operacionit. Amerika, si fuqi e pasfidueshme, ishte bindur se duhej zhvilluar lufta e ftohtë dhe kështu nisi nga veprimtaria konkrete për organizimin e operacionit. Majkëll Burker u nis nga Amerika për në Romë, ku do të merrej me stërvitjen e emigrantëve politikë shqiptarë”. Këtu, për herë të parë, del në pah edhe roli i Adem Gjurrës, nga Dibra. Amerikanët krijuan një batalion me emigrantë shqiptarë. Në këtë mënyrë u krijua së pari “Kompania 4000”, në të cilën do të bënin pjesë 250 emigrantë politikë, që do të udhë-hiqeshin nga një shtab, që do të instruktohej nga amerikanët. Përbërja e kompanisë ishin ballistë, monarkistë dhe të pavarur. Adem Gjurraj ndodhej në këtë kohë në Itali, i larguar nga Shqipëria, thjesht si i pakënaqur nga regjimi komunist. Këtë e kishte informuar për idenë e operacionit antikomunist, anti Enver, Gaqo Goga, sekretar i “Juntës”. Goga i kërkoi Ademit pjesëmarrjen e tij në këtë mision, duke i përmendur edhe faktin që ky kishte qenë një luftëtar i zoti në luftën kundër nazifashizmit. Gjurraj futi në “Kompaninë 4000” edhe 25 miq të tij. Anëtarët e “juntës” shkonin kamp më kamp të refugjatëve për të rekrutuar njerëz. Në këtë kohë, Çaush Ali Basho dhe Xhemal Laçi u caktuan oficerët shqiptarë me gradat më të larta. Në fillim të muajit qershor të vitit 1950, njerëz të zgjedhur për misionin antikomunist u mblodhën në Mynih, për të kryer kursin e stërvitjes. Përpara fillimit të kursit, ata u ndanë në tri toga, ku në të parën, që u përkiste monarkistëve, do të drejtonin Xhemal Laçi dhe Adem Gjurraj. Stërvitja filloi më 13 qershor të vitit 1950, në Daçau, disa kilometra larg Karlsfeldit. Programi stërvitor përmbante njohuri mbi perfeksionimin e njohjen dhe përdorimin e armëve, përgatitje fizike dhe njohuri për dhënien e ndihmës së shpejtë. Ndërkohë që këta përgatiteshin, shokët e tyre të stërvitur prej britanikëve, gjatë dy zbarkimeve, kishin dalë si mos më keq dhe ata që kishin mundur të shpëtonin gjallë kishin marrë rrugën për në Greqi.

Si u përdorën pilotët polakë për zbarkimet e grupeve diversioniste

Amerikanët, në ndryshim nga anglezët, menduan se duhet të hiqej dorë nga zbarkimet e grupeve diversioniste me det. Ata donin të vinin në veprim zbarkimet me aviacion. Problem në këtë kohë mbetej fakti se ç´tip avioni do të përdorej. Avioni linte gjurmë në tymrat që lëshonte dhe me numrat e motorit shërbenin për ta identifikuar prodhimin e tij, apo vendin nga ishte blerë mjeti fluturues. Po ashtu, pilotët e kapur mund të jepnin shumë informacion, pasi policia sekrete e Stalinit kishte ekspertë për të nxjerrë informacion nga pilotët e kapur rob. Në momentin që një avion amerikan do të fluturonte në territorin shqiptar do të ishin të rrezikuar si avioni ashtu edhe drejtuesi i tij, pra piloti. Kështu do të rrezikohej edhe kredibiliteti i qeverisë amerikane, si vëzhguese e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kështu, nisur nga të gjitha këto, amerikanët menduan të gjejnë një zgjidhje shumë të favorshme. Ata menduan të përdorin disa pilotë polakë, të cilët kishin mbetur si emigrantë politikë jashtë atdheut, që nga koha e kur Polonia ra nën kontrollin komunist. Kështu u vendos që pilotët të jetonin në Athinë dhe herë pas here do të fluturonin në territorin shqiptar, me avionë pa shenja dalluese, për të hedhur njerëz e materiale për rezistencën. Nëse do të rrëzoheshin, apo do të detyroheshin të uleshin në tokën shqiptare, policisë komuniste do t´u mbetej në dorë një avion i paidentifikuar dhe një ekuipazh polak, lidhjet e të cilëve me Perëndimin nuk mund të provoheshin kurrë në mënyrë përfundimtare, edhe sikur pilotët të torturoheshin e të tregonin çdo gjë. Gjurraj tregon se, aty nga fundi i vitit ´50-të “po na jepeshin detyra serioze, u mësuam të ecnim në makina ushtarake, mënyrën për të kaluar lumenjtë, si të ngjiteshim me litar, si të përdornim radiomarrësen dhe dhënëse, parullat dhe hartat. Në vendin ku stërviteshim nuk kishim mundësi të mësonim se si të hidheshim me parashutë. Drejtuesit e stërvitjes na thoshin se nuk kishte kushte për ta bërë një gjë të tillë atje. Mungesa e stërvitjes në këtë drejtim ka qenë me mjaft pasoja për disa nga shokët tanë në momentin e rënies nga avioni”.

Aksionet e grupit të Adem Gjurrës

“Aty nga nëntori i vitit 1950, me avion fluturuam për në Athinë. Ishte mesditë. Na dërguan fillimisht në një vilë të madhe, ku gjendeshin disa nga drejtuesit e grupeve politike në emigracion. Shumë prej anëtarëve të misionit filluan të dyshojnë, pasi ata kërkonin që të vinte me ta edhe ndonjë nga këta në Shqipëri. Xhemal Laçi e kundërshtoi një gjë të tillë, po kështu edhe Qazim Hoxha, Llesh Nikolla dhe Ali Rama në momentin e fundit refuzuan të hidheshin nga avioni. Kanë desantuar së bashku me mua në grupin e parë Selim Daci, Xhetan Daci dhe Iliaz Toptani. Hedhja u bë më 12 nëntor dhe më pas kanë desantuar edhe Myftar Planeja, Halil Nerguti, Ramadan Cena dhe Rexhep Berisha. Më shumë i indinjuar jam për faktin se pse e refuzoi kërkesën për të shkuar në front Xhemal Laçi, komandanti im”, kështu shkruan në kujtimet e tij Adem Gjurraj. Pas refuzimit të Laçit, Ademi do të kujdesej për drejtimin e veprimtarisë edhe të grupeve të tjerë, përmes ndërlidhjes me radio, koordinimit të veprimeve dhe informimin e krerëve të “Juntës”.

Zonat e veprimit të grupeve

Amerikanët dhe krerët e emigracionit mendonin se në zonat, ku do të vepronin për të shtrirë aktivitetin e tyre këto dy grupe, përkatësisht në Martanesh dhe krahinën e Lumës, të kishte akoma forca antikomuniste. Në shënimet e Adem Gjurrës thuhet: “U nisëm nga Greqia me avion, duke fluturuar aty rreth mesnatës drejt pjesës veriore të Greqisë. U habitëm kur sapo iu ofruam kufirit të tokës shqiptare, piloti e uli avionin në lartësi të ulët, rreth 300 metra. Pilotët e Lindjes të paguar prej amerikanëve, e përdornin gjithmonë këtë metodë, kur fluturonin mbi vendet e bllokut të Lindjes për kryerjen e ndonjë misioni. Ata fluturuan aq ulët sa çuditeshe, pothuaj në lartësinë e çative 2-3 katëshe. Këtë veprim e bënin për të penguar diktimin e tyre prej radarëve të vendeve ku do të desantonin. Nuk shikoheshin askund drita qytetesh apo vende me dendësi popullimi. Piloti na thoshte se si tregues, tani mund të përdorte vetëm majat e maleve dhe po fluturonim drejt lumenjve e luginave të ndryshme. Anash kishte edhe një pilot rezervë. Kur erdhëm drejt Martaneshit, vendit ku do të hidhesha unë me grupin tim, pilotit do t´i duhej për ta ngritur avionin deri në lartësinë 700-800 metra se, për ndryshe, nuk mund ta realizonim hedhjen me parashutë. Kisha një parandjenjë të hidhur se misioni ynë ishte i tradhtuar, ndaj kërkova që të mos binim në vendin e planifikuar, por diku tjetër larg. Kështu bëri piloti. U hodhëm nga aeroplani, në afërsi të Bulqizës, unë, Daliu, dy vëllezërit Daci dhe Iliaz Toptani. Pas kësaj, avioni vazhdoi fluturimin me shokët e grupit tjetër drejt zonës së Lurës dhe Hasit. Ata ranë në Degë të Hasit, duke humbur çdo komunikim me ne dhe eprorët tanë jashtë vendit. Më vonë, ata kaluan në Prizren te disa miq dhe të afërm të tyre, por edhe atje u zbuluan nga jugosllavët dhe u kthyen përsëri në Shqipëri, nga marsi i vitit 1951, ku dhe ranë në përpjekje me forcat e Sigurimit dhe u detyruan të shkonin përsëri në Jugosllavi. Kështu ishte e vështirë bashkimi i pjesëtarëve të grupit. Iliaz Toptani humbi orientimin dhe ra në përpjekje me sigurimin e për pasojë u kap i plagosur në shtëpinë e Imer Hoxhës, në rrethin e Matit. Katër shokët e grupit më pas u bashkuan me njëri-tjetrin. Këta kishin me vete vetëm armatimin personal, pasi pakot me ushqime u hodhën nga avioni larg vendit të zbarkimit të tyre”.

Përplasja me forcat e mbrojtjes

Forcat e ndjekjes ishin në dijeni të plotë të këtyre misioneve. Ata dinin me saktësi vendin e zbarkimit të Adem Gjurrës dhe të grupit të tij, madje edhe emrat e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi. “Ditën tjetër, thotë Ademi, dëgjuam se forcat e ndjekjes ishin vënë në kërkimin tonë. U zbuluam dhe pas disa orësh e ndjemë veten të rrethuar, pasi dikush na bënte thirrje të dorëzoheshim. Vendosëm të sulmonim. Ramë dakord që kushdo që do të shpëtonte duhet të vinte patjetër në vendin e takimit, një kodër aty pranë. Dhashë komandën dhe ata vepruan. Dy vëllezërit Daci majtas dhe unë e Daliu djathtas. Xhetan Daci ra i vdekur. Ndërsa Selimi, vëllai i tij, u kap i gjallë. Unë u plagosa. Pas kapjes së Selimit më bëjnë përsëri thirrje të dorëzohesha. Por nuk pranova ta bëja një gjë të tillë. Me dy plagë në trup vazhdova të luftoja dhe arrita të shpëtoj bashkë me Daliun. Pas kësaj mora rrugën drejt vendlindjes sime, Reçit. Në shtëpi e dija se kishte mysafirë të sigurimit, ndaj ndenja në një shpellë aty afër për ditë me radhë”.

Mesazhi i koduar: "Mos dërgoni me pako se ato humbasin rrugës"


“Duke mos pasur asnjë shpresë tjetër, të dy morëm rrugën drejt kufirit jugosllav. Ndenjëm përreth një javë në shtëpinë e një fshatari, që më pas na shoqëroi matanë kufirit. Më pas, do të na burgosnin në Jugosllavi. Për disa muaj na torturuan dhe menjëherë pasi na liruan iu dërguam këtë mesazh të koduar eprorëve tanë: Mos dërgoni më pako në adresa të vërteta, sepse ato humbasin të gjitha gjatë rrugës. Duhet të ketë pasur rrjedhje informacioni nga ana shqiptare, por ama Filbi mund t´u këtë dhënë rusëve detaje. Emrat, datat dhe vendet e operacionit. Unë nuk pajtohem me mënyrën se si u zhvillua ky operacion, por, sikur të më jepnin edhe një shans tjetër, do të kisha bërë të njëjtën gjë si më parë, sepse nuk mund të toleroj mbetjen e Shqipërisë nën regjimin komunist”.

Agjenti në rol të dyfishtë

Fashikulli me nr.78/1 AS, brenda të cilit ndodheshin tri letra dhe një raport agjenturor. Një letër e gjatë familjare e shoqërore ishte “e ndaluar për verifikim dhe sqarim”. Ajo kishte disa nënvizime. Letra tjetër, e shkurtër dhe që i drejtohej ministrit të Punëve të Brendshme, ishte një “Informacion kontakti“, ndërsa raporti agjenturor konkludiv kishte 15 faqe.

Duke lidhur përmbajtjet, qëllimin e ruajtjes së tyre “me vlerë operative”, vura re, qysh në fillim, se kisha të bëja me një student, oficer dhe më vonë një kuadër me kulturë dhe me vlera. Gjithashtu, midis tyre, kishte disa shkëputje në kohë të ngjarjeve që shtjelloheshin me çiltërsi. Kjo të jepte përshtypjen e një pjesëze jete, jo e plotë, dinamike, që ngjante me një tregim, të cilit i ishin grisur shumë fletë, sidomos nga mezi dhe nga fundi dhe do të duhej pak fantazi e mundim, për ta “restauruar”, për të krijuar mozaikun e ngjarjeve, për të qenë sa më afër realitetit të atyre viteve.

Tri pjesët e informacionit

Letra e gjatë, me sa duket, nuk përfundonte aty ku e ka lënë autori i saj. Informacioni ishte ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë bënte fjalë, nga pikëpamja teorike për funksionin e objektit: Roli i dyfisht, i krijuar, sipas tij, nga kinezi Sun Xu, qysh para 500 vjetësh para erës së re dhe paraqitur në librin e tij “Pin Hua”, kur thotë: “Korruptojeni armikun, goditni moralin e tij, mbillni grindje midis krerëve, dobësojeni atë. Njëherazi me fitimin e besimit të tij”. Në radhë të parë, autori i informacionit paraqet vështirësitë e infiltrimit dhe të drejtimit të agjentit në radhët e personave që gjurmohen për veprimtari të kundraligjshme, të cilat mendon ai “duhen shoqëruar me veprime politike dhe shtetërore” nga nomenklatura përkatëse, pa ngjallur dyshime te personat në ndjekje, që ata të besojnë, që transferimi i agjentit në bazën e Pashalimanit është bërë në përputhje me procedurat e zakonshme ligjore, si për çdo oficer tjetër madhor. Nga ana tjetër, për ruajtjen e agjentit nga djegia e tij para personave në gjurmim dhe investigim, duhet të mos ekspozohen pjesë nga informatat e tij nga kuadro përgjegjës të nomenklaturave përkatëse dhe as të mos ndërmerren veprime proceduriale ligjore të mëtejshme ndaj tyre, pa marrë masa operative qysh më parë, për ruajtjen e agjentit në implikimin në veprimtari të kundraligjshme. Rrethi i personave, që do të marrin dijeni, duhet të jetë tepër i kufizuar dhe mundësisht identiteti i vërtetë i tij të njihet vetëm nga ministri. Meqenëse agjenti është i rekrutuar edhe nga KGB-ja sovjetike dhe se n/koloneli sovjetik, Ivan Kollçin, mbi bazën e parullës dhe të kontraparullës e ka marrë në lidhje, do të instruktohet agjenti, duke i rekomanduar vendet e mundshme për realizimin e takimeve, sidomos duke shfrytëzuar klubin sovjetik, kohën e plazheve dhe evenimentet e tjera me gratë sovjetike të martuara me shqiptarë. Gjithashtu, atij do t’i jepen detyra për dokumentimin e lidhjeve të tij, për të shkuar te rrjeti agjenturor, si dhe për të dalë te detyrat speciale dhe konkrete të marra nga KGB-ja në përgjithësi dhe për bazën e Vlorës në veçanti.

Veprimtaria e agjentit sovjetik

Në pjesën e dytë të informaciont bëhet fjalë për format dhe metodat e vendosjes së kontaktit të agjentit me veprimtarinë e kundrali-gjshme, duke e vënë atë në dijeni me disa të dhëna informative të marra nga disa burime të Drejtorisë së Zbulimit të Jashtëm dhe organeve të kundërzbulimit. Në informatën e parë, burimi njofton se në Shqipëri vjen së shpejti zbuluesi sovjetik Valentin Stepanoviç Zhej i kamufluar pranë gjeneralit Arkand Kuzminski, si përfaqësues i Komandës së Forcave të Traktatit të Varshavës në Shqipëri. Informata e dytë flet për dy armata ajrore sovjetike që do të disllokohen në Bullgari, si dhe Flota e Detit të Zi do të jetë në gatishmëri në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Shqipërisë. Informata e tretë vjen nga burimi jugosllav “Cari” dhe njofton se Komanda e Lartë jugosllave kundërshton vendosjen e armatave sovjetike në Bullgari, si dhe do të protestojë nëse do të zhvillohen lojëra të përbashkta midis ushtrisë sovjetike dhe shqiptare. Duke qenë se situata politike paraqet një imazh të ri, sidomos pas viteve 1955-1956, fillon pjesa e dytë, ku bëhet fjalë për kontekstin politik. Këtu i del detyrë agjentit të sqarojë edhe ndryshimet në format taktikat dhe metodat e zbulimit sovjetik dhe se si pasqyrohen këto në platformën e re të veprimtarisë së këtyre organeve dhe sidomos organit të zbulimit ushtarak GRU në drejtim të vendit tonë, subjekteve dhe institucioneve tona. Nga ana tjetër, agjenti duhet dhe mund t’i serviri dy këshilltarëve sovjetikë: Sakapov dhe Voronin një “informacion”

Sekretet ushtarake të qeverisë shqiptarë në sirtarët e KGB

Pasi të merren vërejtjet dhe sygjerimet e bashkëpunëtorit, mbi bazën e situatës më të re operative, si rrjedhojë e kontakteve që ka siguruar me ta shprehet: “Shqipëria dhe forcat e saj të armatosura kanë qenë dhe janë të kërcënuara, jo vetëm nga fqinjët, gjë për të cilën ju jeni në dijeni, madje keni parë me siguri dhe informacionet përkatëse, por edhe nga “miqtë” përtej detit. Në këto kushte mendoj se del e domosdoshme mbrojtja e pavarësisë së këtij vendi, sidomos nga “Traktati i Varshavës”, që natyrisht është më i interesuari, duke e parë edhe nga këndvështrimi strategjik, por edhe nga obligimet, që janë rrjedhojë e marrëveshjeve, rregulloreve dhe akteve normative bilaterale në sferën e mbrojtjes, për të cilat kemi qenë dakord. Duke qenë se unë jam mik i Bashkimit Sovjetik, dhe nuk e mohoj, jam trajtuar si i tillë, me disa prerogativa të veçanta, do të doja të dija, për t’u orientuar në situatat e reja, diçka më speciale. Juve duhet t’u bëjë përshtypje sidomos rritja e amplitudës të veprimtarisë agjenturore të zbulimit jugosllav në drejtim të vendit tonë, për të cilat, sidomos kryekëshilltari sovjetik Grebenik, ka dijeni të plotë edhe për informacionet e fundit të hetuesisë për implikimin e diplomatëve jugosllavë Rexhep Xhija, Radivoj Gjeniç, Savo Bozhidaroviç dhe sidomos të ish-kryekëshilltarit jugosllav, Zvetozar Koçiç, në një veprimtari, që mua më duket se bie ndesh me strategjinë tuaj, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për perspektivën e Ballkanit, në mënyrë të tillë, për të mos lënë aspak hapësira për strategjinë e vendeve fqinjë mbështetur nga imperializmi amerikan. Baza ushtarako-detare e Vlorës, me sa më keni informuar bënë pjesë në strategjinë tuaj afatgjatë, me anë së cilës ju vëzhgoni, gjurmoni dhe kontrolloni krahun jugor të bllokut agresiv të NATO-s, ndaj duhet të informohem, për të vepruar korrekt, smatrja pa abstajatjelstvam (sipas rrethanave). Nga ana tjetër, unë e konsideroj obligim nga ana ime t’ju informojë për disa probleme, që ju, me sa duket, nuk jeni në dijeni, lidhur me qëndrimet më të fundit të udhëheqjes shqiptare, e cila, për shkak të ruajtjes së pavarësisë, do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen tuaj ushtarake dhe se për këtë qendrim ka mbështetjen e mijëra kuadrove që kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik. Gjithashtu, më duhet t’ju informoj, për disa të dhëna që bëjnë fjalë për ekzistencën e një plani agjenturoro-operativ për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë armiqësore të zbulimeve greke dhe italiane ndaj Shqipërisë, gjë që na rezultoi tashti së fundi, me kapjen e tri diversantëve të ardhur nga kufiri grek: Kosta Fili, Vangjel Zaho dhe Mihal Lica”.

Të dhënat e një plani agjenturor

Plani agjenturor dhe operativ që iu servir nga bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit agjenturës sovjetikë përmbante elementë kryesorë si ai i sigurisë, që do të përmblidhte të gjitha masat komplekse për ruajtjen e sekretit të tij dhe konkretisht t’u hiqte mundësinë këshilltarëve sovjetikë, që të merrnin dijeni për ekzistencën e një plani dezinformacioni, sidomos kryekëshilltarit Grebenik dhe këshilltarëve të tjerë, Sapokov dhe Voronin. Po kështu, do të merreshin masa qysh përpara që edhe 14 këshilltarët ushtarakë sovjetikë, që operonin në Ministrinë e Mbrojtjes, do t’u hiqej çdo llojë mundësie, për t’u njohur me ekzistencën e një plani të tillë, pasi, në të kundërtën, më e pakta, do të ishte dekonspirimi i agjentit dhe, më pas, dështimi i kombinacionit agjenturor. Nga ana shtetërore dhe mediatike do të jepej vetëm informacioni për kapjen e një bande “të zakonshme” vorio–epirote pa bërë komente, që do të eskpozonin fragmente nga plani i dezinformacionit. Marshallit Greçko me anë të zv.komandantit të Traktatit të Varshavës, gjeneral B.Ballukut, do t’i çohej kërkesa në formë propozimi nga ana e Komandantit të Përgjithshëm, E.Hoxha, për “një lojë të përbashkët ushtarako-detare të 2 armatave sovjetike të dislokuara në Bullgari, Flotës sovjetike të Detit të Zi, komanduar nga admirali Kasatanov, si dhe armatës shqiptare të mbrojtjes. Pjesa e tretë bënte fjalë për situatën konkrete të dezinformacionit që përmblidhej: “Nga deponimet më të fundit të grupit agjenturor të kryesuar nga Kosta Fili, në të cilin bëjnë pjesë Vangjel Zaho dhe Mihal Lica, në hetuesinë paraprake rezultuan edhe një herë pikësynimet kryesore të zbulimit grek, shprehur tashmë nga zëdhënësit e tyre ushtarakë në NATO për të ndërmarrë një sulm të armatosur në drejtim të Shqipërisë, më qëllim zgjidhjet përfundimtare të problemit të vorio-epirit dhe bashkimin e tyre me Greqinë. Eshtë kjo një nga arsyet kryesore, pranojnë ata, që do të mbajnë ligjin e luftës me Shqipërinë dhe këtë, sipas tyre, e kanë bërë të ditur opinionit grek, si dhe forumeve ndërkombëtare, duke e sensibilizuar atë me anë të Organizatës Panhelenike. Udhëheqja e lartë e Shqipërisë është në dijeni të këtyre planeve edhe nga burime të tjera të verifikuara dhe po merrë masa për rritjen e vigjilencës, si dhe zbulimin dhe demaskimin e shpejtë të këtyre planeve”.

Dokumenti, agjenti në rol të dyfishtë

Dokumenti i katërt, ka të bëjë me raportimin e agjentit, lidhur me zbatimin e detyrave të karakterit të dyfishtë, i cili pasqyrohet në fashikull. Raporti 15 faqesh konsiderohet konkludiv dhe në fakt përmban pothuajse të gjitha karakteristikat e tij, që do të thotë se ka pjesën e parë, ku jepet shkurtimisht situata operative më e re e plotësuar edhe mbi bazën e sygjerimeve dhe vrejtjeve të drejta të bashkëpunëtorit rreth 3 faqe. Në pjesën e dytë ekspozohen detyrat kryesore dhe “vija e sjelljes” së bashkëpunëtorit. Në pjesën e tretë bëhet fjalë për dinamikën ose “ana objektive” e realizimit të detyrave, duke filluar nga nga pjesa më kryesore në zbatimin e “vijës së sjelljes” se si ai vendosi jo vetëm kontaktin psikologjik me “shefat” e tij agjenturistë sovjetik, por edhe kontaktin e specializuar operativ brenda kushteve e rrethanave (edhe pse në kushte të veprimtarisë së “artificeve”), ato u “përshtatën” pothuajse plotësisht situatës natyrale operative. Shkallë-shkallë, shtjellohet zbatimi i detyrave dhe sidomos vihet theksi dhe i kushtohet vëmendje mistifikimit dhe trukeve për paraqitjen sa më të pranueshme të dezinformacionit “për planin agjenturoro-operativ të zbulimeve greke dhe italiane”, duke marrë shkas nga kapja në kufi e diversantëve të dërguar nga zbulimi grek: Kosta Fili, Vangjel Zaho dhe Mihal Lica, të kamufluar nëpërmjet veprimtarisë armiqësore të sillogjeve vorio–epirote. Raporti konkludiv i kushtohet informacionit konkret të përfituar falë mjeshtrisë, intuitës dhe shkallës së lartë të përgatitjes së bashkëpunëtorit në funksionin dopiorol, që siguroi rritjen e shkallës së besueshmërisë së tij, sidomos ndaj agjenturës sovjetike. Në fund nxirren konkluzione, porse ato nuk shoqërohen të plota me detyra për të ardhmen. Me sa duket, duhet të jenë hequr nga fashikulli për arsye të panjohura.

Letra nga Rusia -

Shoku Ministër!

Ju vë në djeni se jam rekrutuar nga KGB-ja… Rekomandimin për procedimin nga ana e tyre e ka dhënë, shoku im, ish student Niko Ç... Hollësira në se dëshironi t’i dini, do t’ju vë në dijeni verbalisht. N/Kolonel M.Thomai...”
.

“... I dashur shoku im Noke! Jam me shëndet shumë mirë dhe nuk kam asnjë ankesë në këtë drejtim. Kam merak për familjen, si dhe mall të madh për ta. Të kujtojë herpashere, pasi me ty më lidhin kujtime të paharruara të fëmijërisë dhe të shkollës… Në letrën që më dërgove me Nikon më befasove me progresin që ke bërë në gjuhën ruse. Potapovën e kishe tharë fare. Herë tjetër, unë letrën që do të dërgojë do ta shkruajë rusisht, duke qenë i bindur se nuk do të keshë nevojë për përkthyes. Ti më pyesje se si e kaloja kohën, po ja, me thënë të drejtën kemi variacione. Këtu në Sajuzë është një botë tjetër, që mua më pëlqen shumë, gjë që s’mund ta fsheh. Ka megjithmend gjëra të bukura, që ne fakirat nuk kemi patur rast t‘i dëgjojmë, pa le pastaj t’i shikojmë. Ki parasysh se sovjetikëve ju desh një punë kolosale për rindërtimin e vendit, miliona të vrarë, sidomos mosha e re. Ty të kishte bërë përshtypje kur të shkruaja se lulishtet e Leningradit mbusheshin me femra dhe kërciste valsi deri në mesnatë. Gati një javë rresht më mbetet në kokë dhe në kujtesë Çajkovski, Musorgsi etj. Në atë drejtim që ti e kishe fjalën, këtu nuk ka probleme, sidomos për ata që kanë dëshirë, bile ka superprodhim. Në kohën e lirë merrem me lexime. Përfundova së lexuari “Lufta dhe Paqja“, të Tolstoit. Kam lexuar plotësisht veprat e Shollohovit, Gogolit dhe Dostojevskit, si dhe disa libra të zanatit tonë të sigurimit si “Konspiracioni madh kundër Rusisë”, për Sorgen, për Xherxhinskin, Kuznecovin, etj., por edhe libra të tjerë për përdorim të brendshëm, për spiunazh etj. Shikoj herpashere filma, duke filluar qysh nga filmi pa zë “Karrocata Potjemkin”, “Fati i njeriut“ i Shollohovit e deri te flmi “Shtegtojnë Krillat” me Samoillovën, të cilët edhe po kritikohen, së bashku me “futurizmin” e Majakovskit... Lidhur me disa tekste këngësh që më kërkoje, unë po të dërgojë disa këngë nga Bejbutovi, që afrohen pak me këngët tona, si ajo e Azerbajxhanit etj. Harrova të shkruaja për “Berjozkën”, për ansamblet, vallet ruse, për të madhin Botvinik etj., të cilët më kanë bërë përshtypje, duke u zbavitur, por edhe duke lozur shah me shokun sovjetik Borja, që kur i bëj mat më thotë gjithnjë si një refren “çudak çellovjek“! dhe i vjen shumë inat, atëherë detyrohem të nxjerrë nga komodina shishen e votkës. Aq duhet që Borjes t’i shkëlqejnë sytë dhe t’i rregullohet humori. Gjatë praktikës së vitit të dytë kam qenë në Moskë dhe pata rastin të vizitojë Kremlinin, Metron, Teatrin Balshoi etj., të cilat janë me të vërtetë “vepra arti” dhe kur arrin të bësh krahasime, ne, me të thënë të drejtën, në Shqipëri, jemi akoma në kohën e merhumit!….

Informacioni sekret i Kadri Hazbiut për Enverin në vilën e Dajtit

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës sa vinin e bëheshin më të akullta. Viti 1960 do të nxirrte në shesh të vërtetën për kontradiktën që ekzistonte mes të dy vendeve. Në këtë kohë intensifikohet edhe veprimtaria agjenturore. Sigurimi i Shtetit kishte marrë përsipër të investigonte profesorët e tij të mëparshëm. Megjithatë, në këtë kohë ka një përplasje mes veprimtarive të fshehta të dy shërbimeve. Rusët në këtë kohë u angazhuan tërësisht me përhapjen e dezinformacionit. Ata kishin rezidentët e tyre në Shqipëri, kryesisht njerëz që kishin simpati apo kishin studiuar në BRSS. Këta të fundit, hartuan një plan të menduar mirë për t’i dhënë sa më shumë vërtetësi dezinformuese, u realizuan edhe dy inkursione me nëndetëse në dijeni të kapitenit të rangut të parë “Doracit”, Vllasovit, Hero i Luftës së Dytë Botërore, për zbulim detar afër kufijve të Greqisë dhe Italisë. I çuditshëm ishte fakti se në të dy rastet këto inkursione zbuluese ishin dekonspiruar me anë të interceptimit elektronik, ndonëse dyshohej edhe për dekonspirim si dhe aktivitet spiunazhi. Më 6 gusht 1960, ambasadori sovjetik, në Tiranë, Ivanov, provokon gjeneralët dhe oficerët e lartë shqiptarë kur i pyet se “kujt i qendronte besnike ushtria“. Ndërsa aleatët e rusëve, zbuluesit jugosllavë kishin futur në dorë dokumente arkivore tepër sekrete të KQ të PK Bullgare, Shqipërisë dhe midis tyre edhe një kopje të procesverbalit të Mbledhjes së 81 partive në Moskë.


Në të njëjtën kohë n/koloneli zbulues sovjetik, Ivan Kollçin, i kishte siguruar nga agjentët e tij në Shqipëri një raport prej 312 faqesh, kamufluar me kod shifror, ku ishte përdorur një fjalor rusisht–shqip i vitit 1954, si dhe alfabeti grek. Ky raport do t’i jepej në dorë Nikita Hrushovit, dhe në të kërkohej “ndihmë” për rrëzimin e pushtetit të E.Hoxhës. Nuk do të mungonin edhe të dhëna të tjera për situatën politike dhe ngjarjet më të fundit, ku vihej theksi “te vigjilenca e lartë e shqiptarëve, bazuar në udhëheqjen e Hoxhës”. Ngjarjet u zhvilluan me shpejtësi. Kadri Hazbiu dhe Beqir Balluku njoftojnë E.Hoxhën, në vilën e tij, në malin e Dajtit, për disa informata, që bënin fjalë për krijimin e një organizate kundërrevolucionare, me dyshime për oficerë të lartë të Bazës Detare të Vlorës. Ndërkohë që udhëheqësi tregohet skeptik dhe dyshues, për faktin se nuk kishte kohezion midis informacionit, kontekstit politik dhe aktivitetit agjenturor. Më 18 maj 1961, vjen në Shqipëri zv.ministri i Jashtëm sovjetik, Firjubin, së bashku me zëvendësshefin e parë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sovjetike, gjeneralin Antonov, por pa sukses, pasi gjithçka ishte e akullt mes dy vendeve. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, shqiptarët “shtrëngojnë” radhët. Kështu, nga Kadri Hazbiu në mbledhjen e Byrosë Politike, më 24 shkurt 1971, vjen propozimi për rritjen e goditjeve, arrestimeve, për agjitacion dhe propagandë. Ai ishte kundër diferencimit të veprave penale, punës parandaluese në përgjithësi, si dhe këshillimeve në veçanti, por ky propozim u hodh poshtë nga Byroistët.

Manovra me nëndetëset shqiptare në ujërat greke

Për t’i dhënë sa më shumë vërtetësi planit të tyre dezinformues, sipas detyrave të parashikuara në plan u realizuan dy inkursione me nëndetëse në dijeni të kapitenit të rangut të parë “Doracit” apo Vllasovit, i cili ishte edhe Hero i Luftës së Dytë Botërore, për zbulim naval afër kufijve të Greqisë. Nëndetësja u zhyt në thellësinë 200 metra dhe qëndroi rreth 32 orë. Admirali sovjetik, Kasatanov, dërgoi një kryqëzor të Flotës sovjetike të Detit të Zi, e cila mbuloi nëndetësen, mbi bazën e koordinatave të dhëna nga një radio e paidentifikuar, nga ujërat e Italisë e deri në Gjibraltar, ku ishin vendosur bazat kryesore të NATO-s: Augustos, Xhoja del Koles, Avianos, Brindizit, San Vitos dhe Riçiones. Në dy raste, këto inkursione zbuluese navale ishin dekonspiruar me anë të interceptimit elektronik, ndonëse dyshohej edhe për dekonspirim si dhe aktivitet spiunazhi dhe, në rastin tjetër, Vllasovi shpëtoi paq, duke u fshehur pas Flotës 6-të amerikane. Pyetja e kapitenit të rangut të parë Vllasov bërë komandantit të Flotës ishte: Kush na tradhtoi. Ti ose unë, sepse asnjeri tjetër nuk dinte sekretin e inkursionit.

Provokimi i ambasadorit sovjetik Ivanov

Më 6 gusht 1960, ambasadori sovjetik, në Tiranë, Ivanov, pyet gjeneralët dhe oficerët tanë të lartë: “Kujt i qendronte besnik ushtria“. Po këtë vit, zbulues jugosllavë kishin futur në dorë dokumente arkivore tepër sekrete të KQ të PK Bullgare, midis këtyre dokumenteve, një kopje e procesverbalit të mbledhjes së Moskës të 81 partive. Më 12 shtator 1957 dhe më 3 maj 1959, ishin bërë dy marrëveshje të rangjeve të larta ushtarako-detare sovjeto-shqiptare, ku ishte fiksuar fakti se të gjitha mjetet detare të bazës së Vlorës ishin pronë e RP të Shqipërisë. Më 26 maj 1961, sovjetikët shkelën marrëveshjet dhe detyrimet e tyre dhe morën 8 nëndetëse, bazën e lundrimit Kotielnikov, si dhe luftanijet shqiptare, të cilat ndodheshin për riparim në kantierin detar të Sevastopolit. Ata nuk arritën t’i merrnin të gjitha nëndetëset, vetëm se ato u mbrojtën me heroizëm dhe vetëmohim nga detarët dhe komandantët atdhetarë, ku u shquan sidomos komandantët: Pojani, Gërbi, Doçi etj. Më 25 nëntor 1961, u prishën marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik. Në këtë periudhë shënohen edhe dy incidente të tjera: Një anije jugosllave u ndodh “rastësisht“ në brigjet tona, ku po vihesh në zbatim plani agjenturor dhe operativo–ushtarako–detar i zbulimeve sovjeto–serbe. Kontraadmirali Teme Sejko kishte dhënë urdhër për pastrimin, vajisjen dhe grasatimin e armatimit, duke e nxjerrë ata paraprakisht jashtë luftimit, pasi ishte dhënë “gatishmëria nr.1“. Ndërkohë, këshilltarëve sovjetikë u ishin lënë në dispozicion materiale e dokumente sekrete të arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat, në bazë të ligjit për arkivat, nuk mund të hapeshin dhe të studioheshin në mënyrë kategorike nga askush, vetëm pas jo më pak se 50 vjetëve, por jo vetëm këto, edhe dokumente dosje operative, ku gjurmoheshin dhe investigoheshin nga Organet e Sigurimit të Shtetit, persona që konsideroheshin me aktivitet armiqësor, me dy tendenca kryesore: “Agjentë të mundshëm të zbulimeve të huaja”, si dhe “Elementë antiparti“. Në këto materiale futeshin jo vetëm dosjet e tyre, por edhe kartelat e bashkëpunëtorëve, rezultatet e kontrolleve në kartoteka, të cilat mbroheshin me ligj të veçantë, si objekte tepër të rëndësishme, të veprimtarisë agjenturore prioritare të zbulimeve të huaja për të futur në dorë sekretet e tyre.

Veprimtaria e agjentit “Bleta” dhe Teme Sejko

Teme Sejko u paraqit në mbledhjen e Vervës në vitin 1959. Ai nuk e dinte që agjenti dopiorol “Bleta” përpara se të kalonte kufirin greko-shqiptar, kishte marrë takim me kolonelin sovjetik, i cili i kishte thënë se “zbuluesi është si puna e bletës, shkon lule më lule”, duke aluduar me faktin, që ai, pasi të kapej nga organet e kundërzbulimit në Shqipëri, të vihej në bashkëpunim me ta. Pra, kjo ishte një nga detyrat kryesore, e cila ishte dekonspiruar. Agjentët sovjetikë nuk kishin marrë masat e domosdoshme, për “mbulimin” e këtij veprimi operativ me anë të trukeve dhe mistifikimeve të zakonshme, të përdorura prej tyre gjatë kombinacioneve operacionale dezinformuese. Pas kërkesës që kishte bërë “Bleta” ministrit Kadri Hazbiu për ta liruar nga burgu i Burrelit, ai në fund të letrës së tij i shkruante, për dijeni dhe veprim, sektorit operativ të Degës së Brendshme Burrel: “Këtij të poshtëri nuk i ka premtuar asnjeri se do ta linte të lirë për të shkuar në Greqi! Ai nuk duhet të dalë nga burgu!” Dekonspirimi i tij u përforcua kur në këtë sektor operativ erdhi dhe dosja e tij, si dhe “kontributi” që kishte dhënë si agjent dopiorol dhe si pjesë e planit të dezinformacionit. Dokumentet e materialet e studiuara në arkiv për këto procese mungon dukshëm kohezioni praktik i lidhjes së veprimtarisë agjenturore të mirëfilltë e të hapët të agjenturës sovjetike.

Raporti sekret, Hrushovit i kërkohet ndihmë për rrëzimin e Enver Hoxhës

Kjo agjenturë kishte përgatitur madje edhe një raport sekret, që ishte shkruar nga agjenti sovjetik A.Th., gjë për të cilën u bë dhe ekspertimi grafik dhe i dërgohej KGB sovjetike me anë të n/kolonelit zbulues sovjetik, Ivan Kollçin, prej 312 faqesh, kamufluar me kod shifror duke përdorur një fjalor rusisht–shqip të vitit 1954, si dhe alfabetin grek, me qëllim që t’i jepej në dorë Nikita Hrushovit, ku bëhej fjalë për të pavërteta dhe kërkohej “ndihmë” për rrëzimin e pushtetit të E.Hoxhës. Raporti ishte diktuar nga një anëtar i Byrosë Politike, pasi, veç të tjerave, problematika dhe sekretet e ekspozuara ishin pjesë e mbledhjeve dhe diskutimeve të brendshme të kësaj Byroje, të cilat nuk mund të bëheshin publike për arsye të ndryshme. Ky ishte një “libër” me akuza dhe nuk ishte fjala për një letër që i dërgonte Titos, Nako Spiru, të cilit i ankohet për Enverin, dhe as për disa pakënaqësi dhe ankesa të Mehmetit ndaj Hoxhës drejtuar amasadorëve sovjetikë Çuvahin apo Ivanov. Zbuluesit sovjetikë, midis tyre Valentin Zh., kishin rekrutuar dhe kishin marrë në lidhje agjentët e tyre shqiptarë dhe në bazë të planit i riaktivizoj me qëllim realizimin e dezinformacionit, i cili në thelb ishte mistifikimi i trukuar i një agresioni eminent kundër Shqipërisë në formën e një komploti nga një organizatë kundërrevolucionare për rrëzimin e pushtetit të E.Hoxhës me ndërhyrjen nga jashtë të Flotës së 6-të amerikane, e cila do të provokohej. Mirëpo, në këtë periudhë, u bënë një varg veprimesh, të cilat dolën jashtë kuadrit të dezinformacionit. Pjesa kryesore e komplotistëve, që do të sakrifikoheshin ishin parapërgatitur me letër dhe kështu do të depononin para drejtësisë.

Propozimi i Kadri Hazbiut në mbledhjen e Byrosë Politike

Kjo gjen shprehjen edhe te “propozimi” i Kadri Hazbiut në mbledhjen e Byrosë Politike më 24 shkurt 1971 për rritjen e goditjeve (arrestimeve) për agjitacion dhe propagandë, parashikuar nga neni 55/1 i Kodit Penal të RPSH, duke qenë kundër diferencimit të veprave penale, punës parandaluese në përgjithësi, si dhe këshillimeve në veçanti. Edhe pse ky propozim i tij nuk u pranua, praktika, në mjaft raste, shkoi sipas “porosive” të Kadriut dhe Feçor Shehut. Karakteristike dhe qesharake ishte kjo në burgun e Burrelit, kur nga sektori operativ u propozua për aplikimin e këshillimit për veprën penale të agjitacionit dhe të propagandës të zhvilluar nga ana e të dënuarëve, u konsiderua nga ana e këtyre drejtuesve si “zbutje e luftës së klasave“, në një kohë që i burgosuri ishte dënuar një herë, me pothuajse të njëjtat episode. Nga agjentura sovjetike gjatë përpilimit të dezinformacionit, me sa duket, nuk ishte ndjekur sa duhet skema e sigurisë së veprimtarisë së agjenturës së tyre, e cila ishte futur në aktivitet dopiorol.

Raporti informativ

Dezinformacioni për Enver Hoxhën

“Bashkëpunëtori ´misionari´ gjatë një stërvitjeje në qafën e Qarrit, Korçë, informonte se e kishte kundërshtuar gjeneralin sovjetik, Sergaçov, i cili ishte pjesëtar i grupit të Tukashevskit, lidhur me disa komente të tij, që binin ndesh me Artin Ushtarak të Luftës Popullore, si dhe me analizat shkencore që i ishin bërë Luftës së Dytë Botërore, sidomos nga ana e mareshalit Zhukov. Konkretisht, ai thoshte se gjenerali Sergaçov, duke aluduar me veten e tij dhe konsideratën se ishte pjesëtar i grupit të mareshalit Tukashevski, nxirrte këtë konkluzion: Ushtria gjermane, e përbërë prej 180 divizionesh, nuk do të ishte futur aq thellë në tokën sovjetike, në rast se nuk do të ishte likuiduar grupi i mareshalit Tukashevski në vitin 1937. Mareshalët Malinovski, Konievi dhe Greçko kishin dhënë urdhër për bazën e Pashalimanit në Vlorë, e cila do të ishte baza kryesore ushtarako-detare e Traktatit të Varshavës, urdhër, i cili i ishte dhënë edhe gjeneralit Beqir Balluku. Gjeneral armate Antonov me detyrë shef i Shtabit të Komandës së Bashkuar të Traktatit të Varshavës, në bisedë me të, më vuri në dijeni se kishte dëshirë të informonte personalisht Komandantin e Përgjithshëm, Enver Hoxhën, për të cilin kishte simpati, lidhur me disa probleme të rëndësishme, që po luheshin prapa kurrizit të Shqipërisë. Këshilltari i fundit sovjetik pranë ministrit të Mbrojtjes, gjeneral kolonel Andrejev, më kishte provokuar disa herë, madje në një rast m’u shpreh hapët: ju dhe udhëheqja juaj i konsideroni si qëndrim heroik grupin e 940 ushtarakëve, që po studiojnë në 45 shkolla e kurse të larta dhe akademi të Bashkimit Sovjetik, ndërsa unë i konsideroj një qendrim jo burrëror, që nuk përputhet me interesat tona të përbashkëta. Nga zbulimi i jashtëm ushtarak vinte njoftimi: burimi njofton se vjen në Shqipëri me detyra speciale zv.ministri i Jashtëm sovjetik, Firjubin, mbi bazën e një plani të përpiluar nga organi i zbulimit ushtarak sovjetik GRU, i miratuar nga KGB-ja dhe udhëheqja e lartë sovjetike dhe laitmotivi kryesor i planit, në formën e një dezinformacioni ishte: Organet e zbulimit sovjetik kishin të dhëna se në Shqipëri ishte krijuar një organizatë kundërrevolucionare, e cila kishte lidhje me ushtarakë të lartë, të cilët po përgatisnin pushtimin e Bazës së Pashalimanit në Vlorë nga Flota e 6-të amerikane. Në këtë periudhë, në zbatim të detyrave të ngarkuara - vazhdon agjenti në raportin konkludiv – kërkova takim me zbuluesin Valentin Zh., i cili ishte pranë gjeneral kolonel Kuzminskit, si përfaqësues i Traktatit të Varshavës në Shqipëri, i cili në bisedë e sipër, më vuri në dije se e kishin urdhëruar shefat e tij të GRU-s (Gosudarstvjeni Razvidovatelni Upravlenie–Shërbimi Ushtarak Sovjetik) mbi bazën e një plani të rëndësishëm e tepër sekret në bashkëpunim me n/Drejtorisë së Dytë të KGB-ës, si dhe Shërbimin e Sigurimit të Flotës së Detit të Zi, gjithashtu, ai më informoi se ishin marrë të gjitha masat komplekse agjenturore, operative dhe ushtarake të domosdoshme për sigurimin afatgjatë jo vetëm të bazës së Pashalimanit, por edhe për sigurimin e pavarësisë së Shqipërisë, të cilat bëjnë pjesë në strategjinë tonë. Ne, më tha ai, kemi një rezervë të madhe kuadrosh ushtarakë, të cilët kanë studiuar dhe janë përgatitur qysh nga uçelishtet tona e deri në akademit e larta të KGB-së, pa përmendur dhe shkolla të tjera në fushën e artit, kulturës dhe arsimit në përgjithësi, të cilët, me përjashtime të vogla, mbështesin dhe kuptojnë drejt ndryshimet objektive që kanë ndodhur jo vetëm në Bashkimin Sovjetik, por edhe në Botë. Ju duhet të kuptoni, vazhdoi ai, se sa dëm do t’i sillte çështjes sonë të përbashkët, qëndrimet joparimore e kokëfortë të qeverisë së vendit tuaj. Ju bëtë mirë, që kërkuat takim me mua, dhe e konsideroj plotësisht në kohën e duhur dhe natyrisht, u krekos zbuluesi Zh., me njeriun e duhur dhe në vendin e duhur. Pikërisht, e mora fjalën unë, do të doja t’u vija në dijeni lidhur me një situatë të re, që e kam marrë nga burime konfidenciale: mbi një proces hetimor i përshpejtuar, ndaj 3 diversantëve të ardhur nëpërmjet kufirit grek, të cilët konfirmojnë ekzistencën e një organizate antiligjore, që do të përgatiste terrenin e një sulmi të armatosur ndaj Shqipërisë, duke e kombinuar këtë me ardhjen e Flotës së 6-të amerikane afër brigjeve tona të detit Adriatik, e cila, me sa duket, do të ndërhyjë për pushtimin e bazës detare të Pashalimanit në Vlorë... Koloneli Zh., jo pa entuziazëm, u përgjigj: “Da, da. Eta pravda!” Po, po është e vërtetë, përsëriti ai dhe vazhdoi: “Unë po të besoj dhe një sekret mjezhdu nami! (midis nesh) se shefat tanë për këtë qëllim kanë bërë edhe një plan, dhe ti si agjent që je duhet ta kuptosh kompleksitetin e tij, ku do të marrin pjesë, jo vetëm forcat ushtarake, detare, por edhe ato operative dhe agjenturore, ku ju dhe miqtë tanë do të lozni një rol determinant, që do të përcaktojë drejtimin kryesor për organizimin e kombinacioneve të mëdha operacionale, për dezinformimin e kundërshtarëve tanë, si dhe organizimin e mbrojtjes së bazës së Vlorës, ishullit të Sazanit nga armiqtë tanë imperialistë. Kështu, vazhdon agjenti në raportin e tij konkludiv, kuptova se rusët kishin bërë një plan, me sa duket, jo më kundër armiqëve të konsideruar prej tyre, por kundër “miqve” të tyre shqiptarë.

Shkrimtari i shquar, nga anëtar i PK-së, në “listën e zezë” të FBI-së, që nuk u la të hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ...

Shkrimtari i shquar, nga anëtar i PK-së, në “listën e zezë” të FBI-së, që nuk u la të hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ...


Edhe pse Graham Grin ka shkruar, ndoshta veprat më të bukura me temë nga shërbimet informative dhe spiunazhin në përgjithësi, “Njeriu ynë në Havanë” apo “Amerikani i qetë”, përvojën vetjake e ka të kufizuar. Por kjo nuk e pengoi të kuptojë thelbin dhe veçoritë e punës së zbulimit dhe të krijojë vepra me mprehtësi të habitshme, të cilat mund të shërbejnë plotësisht si tekste mësimore për informatorët fillestarë (tjetër punë si dhe për çfarë qëllimesh përdoren).



Romanet e tij janë aq afër me atë që ka përjetuar, saqë është e pamundur të mos vish në një mendje me opinionin e klasikut të letërsisë, Gabriel Garsia Markes, i cili ka thënë: “Nuk njoh tjetër shkrimtar, veç Graham Grin, përfytyrimi mbi të cilin, i krijuar nga ato që ka shkruar, përputhet aq mirë me figurën e vërtetë të tij”. Të kuptosh Graham Grinin dhe të krijosh një mendim për veprën që ai krijoi, duke qenë informator, duhen lexuar dhe analizuar librat e tij, natyrisht me korrigjimin përkatës të fantazisë së autorit.

Jeta e Grinit

Graham Grin u lind më 2 tetor 1904 në qytetin e vogël Berhemsted të kontesë Hardfordshir, jo larg Londrës. I ati ishte drejtor i shkollës së privilegjuar mashkullore, çelur në shek XVI, ndërsa e ëma kushërirë e parë me romancierin e shquar, Robert Luis Stivenson, autorin e “Ishullit të Thesarit”. Në vitin 1922 Grin hyn në Bejlioll, një nga kolegjet më të mira të universitetit të Oksfordit. Lufta Botërore, e përfunduar pak më parë, dhe revolucioni rus krijuan jo pak pikëpyetje në mendjet e studentëve, lidhur me drejtësinë e rrugës që duhet të ndjekë njerëzimi. Edhe Grini e kërkoi rrugën e tij. Në moshën 19-vjeçare hyri në radhët e PK-së. Më pas, kjo rrethanë do t’i luante një rreng jo të këndshëm. Një herë nuk e lejuan të hyjë në territorin e SHBA-së. Ishte në “listën e zezë” të FBI-së, e cila i kishte hapur dosje dhe sa herë kërkonte të shkonte atje, më parë duhet të siguronte leje të posaçme, ndërsa në vizë i bënin një shënim të veçantë, që tregonte se mbajtësi i saj ishte person “jo i sigurt”. Kjo punë vazhdoi deri në kohën e Kenedit. Gjithsesi në PK, Grin qëndroi shumë pak. U mor me zbavitje të tjera, me katolicizmin, të cilit i qëndroi besnik për shumë vite, edhe pse asnjëherë nuk ishte fanatik dhe mbante qëndim kritik ndaj riteve fetare. Pas përfundimit të universitetit, u rrek të punonte në kompani të ndryshme, por pa sukses. Më në fund, në vitin 1926 e pranuan. U bë gazetar dhe ndihmësredaktor i gazetës “Tajms”. Asaj kohe i përkasin përvojat e para letrare të suksesshme. Suksesi me letrat e lejoi të lërë punën e përhershme në redaksi dhe, që nga viti 1930 e pas, bëhet shkrimtar profesionist. E filloi me skenarë, kurse në vitet 1935-´39, kritik filmi i përhershëm në revistën “Spektator”.

Udhëtimet

Që në rini Grini i pëlqente udhëtimet dhe jeta e çoi shpesh në “pika të nxehta” ku gjeti material të bollshëm për veprat letrare. Bëri një udhëtim të gjatë në Afrikë, eci qindra milje në këmbë në territorin e Sierra-Leones dhe Liberisë. Më pas, në vitin 1938, udhëtoi në Meksikë ku grumbulloi materiale për librin dokumentar mbi përndjekjet fetare dhe shkoi edhe në Panama. Por ja ku erdhi 1939-a. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Grinin e thirrën në ushtri dhe e caktuan në shërbimin e zbulimit. Pavarësisht emrit romantik “zbulim”, ai nuk ishte më shumë se i zakonshëm dhe monoton. Raporte, analiza e letra pa fund, tepër të mërzitshme. Ja çfarë shkruan vetë: “Pas luftës kisha dëshirë të shkruaja një roman spiunazhi, por pa atë zhanrin e dhunës, i cili, pavarësisht Xhejms Bondit, nuk ishte karakteristikë për zbulimin britanik. Dëshiroja ta tregoja zbulimin si mënyrë jetese, pa stërhollime romantike, në të cilin njerëzit shkojnë çdo ditë në punë dhe përpiqen ta fitojnë pensionin, pa asnjë dallim nga nëpunësit e tjerë, agjentët e bursës, për shembull. Çdo gjë e zakonshme, pa rrezik, dhe secili ka jetën vetjake, ku e ku më të rëndësishme. Në vitet kur shërbeva në zbulim, rrallë më ka ndodhur të ndeshem me ndjenja apo melodrama”. Në fund të vitit 1941 jeta e mërzitshme në aparatin qendror të zbulimit britanik, mori fund. Grin mori emërim të ri; këtë herë “në vijë të parë” në Fritaun, vend i njohur prej tij. Si shkak pse e caktuan atje, me sa duket ka shërbyer përvoja e grumbulluar në Afrikë e ndoshta, ka qenë dhe dëshira e vetë Grinit. Lidhur me shërbimin në Afrikë, jo pa humor, ka shkruar: “Udhëtim frytdhënës, shërbim shtetëror i një karakteri të vështirë për t’u përshkruar”. Më 9 dhjetor 1941 u nis nga Liverpuli me një anije dizel. Në kabinat e rehatshme njëvendshe qëndronin deri dymbdhjetë pasagjerë, përfshirë dhe shumë tipa të çuditshëm. Ja një prej tyte: “Një i huaj i çuditshëm, që e fliste keq anglishten, hollandez. Hollandezi doli që ishte polak, por i lindur në Gjerorgji dhe kishte luftuar në ushtrinë ruse, muhamedan.” Para se të dilnin në det të hapur, Grini mendoi: “S’do ishte keq të falesha. Kleriku, një djalë i mirë dhe i qetë, m´u drejtua me: “Biri im!”. Në të vërtetë, me një farë kurioziteti të pajustifikuar, m´u duk se kërkoi të informohet për konvoin, me të cilin lundronim”. (Kjo ndodhi në Belfast ku kishte shumë simpatizantë të Hitlerit.)

Pas daljes në det, pasagjerët ranë dakord të bënin roje “vullnetarisht” për të këqyrur nëndetëset e avionët, duke qëndruar pranë mitralozëve kundërajrorë. Ata që vëzhgonin për nëndetëse, duhet të qëndronin në urën e komandimit, por u dehën aq keq sa kapiteni nuk pranoi të futet më askush. Përgjithësisht, udhëtimi në det kaloi pa ngjarje.

Oficeri i zbulimit, Graham Grin

Në ditët e para të janarit 1942, oficeri Graham Grin i zbulimit të Britanisë së Madhe, mbërriti në Fritaunin e njohur gjer në dhimbje prej tij. “Një ndjesi e pazakontë poezie e ngazëllimi të pushton kur rikthehesh pas aq shumë vitesh, madje dhe ngrohtësia e aromës së njelmët të tokës, që më shoqëron kudo, është përherë me mua. Ajo, aroma e Afrikës dhe Afrika, përherë mbetet Afrikë. Një kontinent i pashkelur, i virgjër, në formën e zemrës së njeriut”. Me të tilla ndjenja poetike e nisi Grini detyrën informative. Për të përcaktuar saktë se me çfarë është marrë Grini, duhet kontrolluar gjithë letërkëmbimi i zbulimit britanik për vitin 1942, në kërkim të letrave dhe telegrameve të rralla, të nisura e të marra nga shtabi qendror i tij. Por ne nuk na lejohet të hyjmë gjer atje e, veç saj, vështirë se do të gjenim ndonjë gjë interesante. Kështu, do të përpiqemi ta krijojmë mozaikun nga thëniet e vetë Graham Grinit, të shpërndara në veprat e shumta të tij. Por, le t’ia lëmë fjalën vetë atij: “Në vitin 1942 jetoja në rrethinat e Fritaunit, në një shtëpi të ndërtuar në një vend moçalor, të cilën vendasit e shfrytëzonin për nevojtore, çka kishte shtuar së tepërmi mizat. (Një herë mbylla derën e dhomës dhe vrava nja njëqind e pesëdhjetë copë brenda dy minutave). I drejtova ministrit të kolonive një letër, në të cilën i kërkoja të ndërtonin një nevojtore të veçantë për vendasit. Përgjigjja e ardhur thoshte se kërkesa të këtij lloji duhet të kalojnë nëpërmjet instancave përkatëse, por, meqë në rastin e dhënë nuk kishte asnjë të tillë, u detyrova t’i kujtoj shënimin e bërë nga ministri Çërçill. Unë e mora nevojtoren time dhe mund të shënoja në dokumentet zyrtare se (atje) është shënuar edhe emri im.

Mbresat nga stërvitjet në Afrikë

Në sfondin e konfliktit të stërmadh kishte dhe mosmarrëveshje mes njerëzve. Për shembull, kur punoja i vetëm në Sierra-Leone dhe shefi im, i cili jetonte afro njëmijë milje nga Fritauni në Lagos, për një farë kohe nuk ma paguante rrogën ose atëhere, kur shihja me dhimbje se si shefin e policisë në Fritaun, i cili kishte prapa vetes njëzet vite pune të vështira dhe ethet e zeza, e luante mendsh një këlysh i pacipë nga MI-5.
Vetëm melodramat tragjike mungonin. Në të vërtetë, u bë një orvatje e dëshpëruar për të cytur detarët që të mbanin, sa nuk ishte vonë, një anije portogeze, e cila kishte shkelur ujërat territoriale dhe arrestimin e një zvicerani të dyshuar për spiunazh, megjithëse në atë punë të lavdishme unë kryeja vetëm punën e korrierit”.
Diku, në një vend tjetër, shkruan: “Pas tre muaj stërvitjeje në Lagos, papritur u gjenda sërish në Fritaun, në zyrën ku katër muaj më parë kisha shef dhe vartës njëherazi, vetëm vetveten (më pas u bëra me sekretar). Në Lagos, për ditë të tëra bëja vetëm një punë, shifroja e deshifroja dokumente, kurse mbrëmjeve shkoja te miku im, në zyrën e policisë, ku të dy bashkë, për zbavitje gjuanim karkaleca dhe shënonim pikët në mur: një për çdo të vrarë dhe gjysmë për të “terurit” në lavaman. Në Fritaun ngrihesha nga gjumi në orën gjashtë, haja mëngjes dhe në shtatë ia hipja Morris-it të vogël dhe nisesha për të marrë telegramet në zyrën e policisë, e cila më shërbente si “strehë”. Telegramet ishin të koduara me shifra të panjohura për policinë. Pasi kthehesha në shtëpi, deshifroja telegramet dhe u përgjigjesha me gjithë zellin e mundshëm. Shkruaja të miat dhe rishkruaja të të tjerëve kur e kishin vështirë t’i lexonin. Para se të shtrihesha për të fjetur, arrija t’i përfundoja të gjitha punët”.
Grini udhëtonte shumë për punë dhe pa ndonjë shkak të veçantë. Lidhur me këtë problem, shkruan: “Për shkak të udhëtimeve m´u krijuan vështirësi financiare, por jo nga ato që merren me mend. Puna ishte se kur kthehesha në Fritaun, merrja një shumë të caktuar nga llogaria prej pesë shilingash në ditë, e cila përbënte, gjoja, diferencën ndërmjet ushqimit të freskët të blerë në treg dhe konservave. Një herë mora një telegram të ashpër nga Londra ku thuhej se nëpunësit të rangut tim i takojnë tri gini në ditë për pagesën e hotelit kur udhëton, “merrni masat dhe raportoni”. U tregova i gatshëm ta plotësoj. Pasi hapa kasafortën e zyrës, nxora dyzet fut, i futa në xhep dhe nisa në Londër telegramin e koduar “Masat u morën”. Unë kisha marrëdhënie të ndera me shefin tim, edhe pse ai ndodhej në Lagos, dymijë milje larg Fritaunit. E urryem njëri-tjetrin që në takimin e parë. Ai ishte profesionist, ndërsa unë amator. Sarkazma më shfaqej përherë në informacione e në telegrame. Tani më dhimbset fatkeqi; në fundin e karrierës ishte i detyruar të punonte me një shkrimtar. Më vonë më treguan se thesi me postën e Fritaunit qëndronte ditë të tëra mbi tavolinë, pa u hapur, sepse kishte frikë ta shihte. Një herë u orvat të më ndëshkojë, duke ma vonuar rrogën, të cilën e kishte për detyrë ta dërgonte çdo muaj nga Lagosi. Por më dha hua shefi i policisë dhe operacioni i tij dështoi. Në fund të fundit, kaluam në luftë të hapur. Unë kisha lënë një takim në kufirin liberian, kurse ai, me një telegram ma kishte ndaluar të lëvizja jashtë Fritaunit, pasi atje duhet të vinte një anije portugeze. Gjithë anijet portugeze, të cilat vinin nga Angola, duhet të kontrolloheshin. Të tilla detyra i takonin policisë, jo mua që përfaqësoja MI-5. Pas një dyluftimi të shkurtër, u detyrova të bindem dhe kërkova lirim, por lirimi nuk u pranua. Shërbeva edhe gjashtë muaj të tjerë, por jo i varur nga Lagosi tashmë.

Grin, në një degë me Kim Filbin

Pas Fritaunit (dhe përpjekjes pa rezultat për krijimin e agjenturës në kolonitë e qeverisë Vishi), shefat e mi të zbulimit më çuan në degën e Kim Filbit, e cila merrej me kundërspiunazhin në gadishullin Pirenej dhe unë përgjigjesha për Portugalinë. Oficerët e Abverit, të cilët ende nuk ishin rekrutuar nga zbulimi ynë, kryesisht merreshin me hartimin dhe dërgimin e informacioneve të rreme, bazuar në të dhënat e një agjenture inekzistente. Ishte lojë me fitim (efektivi i shifrimit, plus shpenzimet, plus shpërblimet) e, veç asaj, punë pa rrezik. Suksesi i kishte lënë shëndetin komandës gjermane, megjithatë, nuk mund të mos mrekulluheshe se si në atë atmosferë humbjeje ndryshojnë nocionet mbi ndershmërinë. Kur merresha me Portugalinë, me vete mendoja shpesh se me çfarë lehtësie mund ta bëja edhe unë një lojë të tillë në Afrikën Perëndimore, po të mos isha i kënaqur me rrogën time modeste. Unë e dija shumë më mirë se shefat londinezë, më fort se gjithçka i gëzoheshin kartelave të reja në kartotekën e të dhënave agjenturore. Për shembull: një herë mora të dhëna mbi një aerodrom të ri të vishistëve në Guinenë franceze (agjenti ishte analfabet, numëronte vetëm gjer në dhjetë, sa gishtat e të dy duarve dhe, nga katër anët e horizontit, njihte vetëm Lindjen, sepse ishte muhamedan). Sipas pohimeve të tij, në një godinë të aerodromit qëndronte një tank. Sipas të dhënave të tjera, ishte magazinë këpucësh të vjetra. Pasi dërgova informacionin në fjalë, në të cilin nënvizoja gjithë “meritat” e tij, mund të merret me mend habija ime kur mësova se ishte vlerësuar si “veçanërisht i çmuar”! Kisha mundur të plotësoja një kartelë të bardhë në Londër; tjetër shpjegim nuk gjeja.

Dy libra autobiografike të Graham Grin

Kështu, tema e librit “Njeriu ynë në Havanë”, i cili doli dymbëdhjetë vjet më pas, më 1958, lindi në kasollen e keqe të Fritaunit dhe u shkrua në një shtëpi shumë më të rehatshme pranë parkut Sent-Xhejms. Para largimit nga zbulimi, Grin hartoi manualin “Kush është kush”, botuar në dymbëdhjetë kopje, në shërbim të desantëve britanikë dhe përmbante të dhëna mbi agjentët gjermanë në Azore, me dy kapituj parathënie (bazuar në të dhëna tepër të dyshimta) dhe një plotësim nga Kim Filbi për rrjetin e ndërlidhjes. Do të thonim se kjo është gjithë përvoja e punës së Graham Grinit në shërbimin informativ. Është me vend të shtojmë se asgjë nuk ndryshoi në marrëdhëniet mes të dy njerëzve të jashtëzakonshëm, pavarësisht nga çka ndodhi me Kim Filbin. Këtë e tregojnë edhe vizitat e Graham Grinit te miku i vjetër në Moskë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...