2011-01-09

Plani anglo-amerikan për rrëzimin e pushtetit të Enver Hoxhës



Dokumente të arkivit të Sigurimit, zbardhin kombinacionet e shërbimeve inteligjente anglo-amerikane, gjatë viteve '46-'53. Kim Filbi nuk kishte rolin kryesor për dështimin e anglezëve



Edhe një ish-oficer i shërbimit të fshehtë shqiptar nisur nga dokumente të arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe informacioneve të rezervuara që tashmë ndodhen në dosjet operative të këtij shërbimi, zbardh planin e anglo-amerikanëve për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës. Por, njëkohësisht, ai thotë se edhe shërbimi shqiptar, duke marrë shkas nga burimet e tij, arriti të sigurojë me një kombinacion, dokumente të rëndësishme sekrete, që ruheshin në kasafortën e rezidentit të anglezëve, gjeneralit Hoxhson që në vitin 1946. Nga rreth 100 faqe informacion, u mësua shumë rreth veprimtarisë së shërbimit anglez dhe agjentëve të tyre në Shqipëri si dhe planet për të ardhmen. Kjo arritje e sigurimit, shënon edhe fillimin e një loje kundër agjenturave anglo-amerikanëve që zgjati për rreth 7 vjet. Realizimi i kësaj kundërloje spiunazhi, nisi kur nga burgu i Burrelit u realizua arratisja me kombinacion e dy të burgosurve, që do të hynin në radhët e emigrantëve politikë shqiptarë në Perëndim. Ky kombinacion u bë me dijeni të Mehmet Shehut. Më pas, do të vijonin edhe një sërë kombinacionesh të tjerë për kapjen e bandave të armatosura, inspiruara nga shërbimet anglo-amerikane. Specialistë të shërbimit të fshehtë shqiptar, që kanë punuar në sistemin e kaluar, mendojnë (sipas dokumentave dhe dëshmive të asaj kohe), se agjenti dopiorol Kim Filbi, nuk ishte burimi kryesor i informacionit, për faktin se në atë kohë, dolën dyshime për veprimtarinë agjenturore të tij në favor të zbulimit sovjetik dhe ai ishte urdhëruar të ndërpriste veprimtarinë, deri sa të rifitonte prapë besimin e shefave të tij.

Hapja e kasafortës së gjeneralit Hoxhson

Meqenëse zbulimi anglez kishte infiltruar një varg agjentësh në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare midis tyre ishin Muharrem Bajraktari, të cilit, me kombinacion, organizuar nga nyjet informative, u fut në dorë gjithë dokumentacioni i korrespondencës së Bajraktarit me Forin Ofisin dhe MI6 angleze. Gjatë luftës, në muajin korrik 1943 nga dega “D” e Ballkanit, me qendër në Beograd e SOE (Special Operation Eksekutiv), i cili u atashua pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Qysh në fillim ky mision filloi të merrte në lidhje agjenturën dhe ta riaktivizonte atë. Por, në këtë periudhë, ai u konfrontua me përkthyesin e Enver Hoxhës, si edhe me anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm, Haxhi Lleshi, që kishin vënë në dijeni vetë E.Hoxhën. Veprimtarinë agjenturore në këtë mision e kryente kapiteni i parë Alan Heur, që varej drejtpërdrejtë nga M6 angleze. Në të njëjtën kohë, ai merrte detyra edhe nga LCS (London Controlling Section), që merrej me organizimin e dezinformacionit. Meqenëse ky grup u ballafaqua me disa probleme, ku ishin shkelur të drejtat ndërkombëtare, kryeministri anglez, Çurçilli u detyrua që ta hiqte nga Shtabi i Përgjithshëm, gjoja për kapërcim të kompetencave. Në vend të tij erdhi gjenerali Dejvis, i cili njohu plotësisht Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe i kërkoi gjeneral Aleksandriot, në Kajro, për ta njohur atë plotësisht dhe për të demaskuar Ballin Kombëtar dhe krerët nacionalistë, si bashkëpunëtorë me okupatorët, duke ekspozuar edhe disa fakte. Këtë ai e pagoi me kokë, pasi u spiunua nga agjenti i gjermanëve, Azis Biçaku. Pas luftës, u bënë një varg kombinacionesh, sidomos me rëndësi është ajo e hapjes së kasafortës së gjeneralit Hoxhson, ku u rekrutua nënoficeri që mbante materialet sekrete. Këtij të fundit iu morën çelësat, u kopjuan ato, ndërkohë që gjenerali, me anë të përkthyesit dhe një aktivisti të sferës anglo-saksone, u çua në Hotel Dajti, ku u shtrua një darkë, dhe u mbajt atje për disa orë atje. Ndërkohë u fotografuan rreth 100 dokumente, të cilat ruhen në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Po kështu, u veprua edhe me kolonel Stërlingun. Ku përveç korrespondencës me agjentin e tyre Muharrem Bajraktari, iu gjet dhe lista e agjentëve. Në këtë periudhë u bë dhe kombinacioni i kapjes së Lef Nosit, ish-anëtar i regjencës dhe agjenti i zbulimit anglez. Edhe pse Margaret Hazllëk (Fani), që ishte një zbuluese angleze i kishte dhënë porosi që ai të futej në lëvizjen Nacionalçlirimitare, që të mendonte për prespektivën, pra në qeverinë e re, ai u bë anëtar i regjencës. Në këtë kombinacion u implikua edhe Dali Ndreu, që me anë të vëllait të tij, Xhelalit, e kishin strehuar në një vilë në Elbasan, me qëllim që ta ndihmonin të arratisej në Greqi. Këto dhe kombinacione të tjera treguan planet e anglezëve në drejtim të grupit të deputetëve, të rrëzimit të Qeverisë së E.Hoxhës, si dhe rritjes së influencës së Britanisë së Madhe në këtë pjesë të Ballkanit. Nga survejimi që iu bë majorit anglez, Smith, rezultoi se ai i bëri thirrje grupit të deputetëve që të mbështesnin qeverinë angleze dhe jo atë amerikane, se Thoma Stefani rezidenti amerikan në Shqipëri në këtë periudhë, sipas tij, i kishte tejkaluar kompetencat, pasi donte të krijonte një qeveri shqiptare proamerikane. Duke ditur këto plane, Sigurimi i Shtetit bëri një varg rekrutimesh, duke i kamufluar me persona që njiheshin si nacionalistë të ndershëm dhe i nisi ata jashtë shtetit në mes të emigrantëve, që u larguan nga Shqipëria. Pesë prej tyre fituan besimin e Inteligjent Servisit anglez dhe të CIA-s amerikane. Në të njëjtën kohë, Mehmet Shehu kishte arratisur me kombinacion dy persona nga burgu me destinacion perëndimin. Nga ana tjetër, meqenëse këta agjentë ishin të kualifikuar, arritën të krijonin grupe agjenturore, që punonin për llogari të Sigurimit. Detyra e tyre kryesore ishte të prishnin organizimin e organizatave politike në emigracion me anë të dezinformacionit dhe agjenturës dopiorol. Pas vitit 1949, zbulimet angloamerikane ranë në marrëveshje për krijimin e disa qendrave të stërvitjes të emigrantëve politikë në periferi, si në Mynih, Hajdenberg si kompania 4000, në Qipro, Maltë në rezidencën verore të mbretit Pavllo, të Greqisë, në Vilën “Linda”, të Barit, Itali, me qëllim organizimin e veprimtarisë agjenturore e diversive në drejtim të Shqipërisë. Grupet e para të diversantëve u hodhën në vitin 1949 dhe vazhduan deri në vitin 1953. Qëllimi i tyre ishte organizimi i “Frontit të Brendshëm” në bashkëpunim me “Frontin e Jashtëm”…

Roli i Kim Filbit

Kim Filbi nuk ishte burimi determinant i informacionit për faktin se kur ky ishte konsull në Stamboll, dolën dyshime për veprimtarinë agjenturore të tij në favor të zbulimit sovjetik dhe më 4 nëntor të vitit 1947 u transferua në SHBA, ku iu ngarkuan detyra të rëndësishme për organizimin e veprimtarisë agjenturore në territorin e këtij shteti. Kështu që, ai nuk kishte mundësi dhe aq më pak leverdi të merrej me një problem kaq të vogël sa problemi shqiptar. Eshte shkruajtur shumë lidhur me disa agjentë sovjetikë rekrutuar qysh para Luftës së II-të Botërore, si Kim Filbi, Donald Maklin dhe Gai Berzhes, të cilët u vunë në disa pozicione të rëndësishme të SIS britanik (Kimi), të Kabinetit të Ministrave (Berzhes) dhe në Komisionin “Atomic Energy Programme” në Uashington (Maklin), të cilët u përdorën nga KGB-ja për të grumbulluar të dhëna me karakter strategjik…. Sapo kishte filluar Lufta e Ftohtë, pas “Doktrine Truman”, “Planit Marshall” dhe fillimit të rimëkëmbjes së Evropës, dolën në dritë dhe disa plane afatgjata për ndryshime. Valter Lipmani në gazetën “Njw York Herald Tribun”, prill l947, do të zbulonte pikësynimet e afërta të SHBA-së: “Ne zgjodhëm Turqinë dhe Greqinë, jo se kanë vërtetë nevojë për ndihmë, porse këto vende përbëjnë për ne dyert strategjike, që shpien në detin e Zi dhe në zemër të BS-së“. Ndërsa Thoma Stefani, i cili mbulonte dhe shërbimin sekret amerikan për Shqipërinë, i raportonte SOE-s në Uashington: “Amerika duhet të veprojë pa humbur kohë, për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje në Shqipëri, e cila nuk pajtohet me interesat e saj”. Po në këtë periudhë, në bisedë me Enverin, në Moskë, Stalini i kishte thënë të parit shprehimisht: “Amerika është për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë”. Mësuam gjithashtu se Mehmet Shehu ishte vendosur ministër i Brendshëm pas likuidimit të Koçi Xoxes, me porosi të Stalinit. Në raportin sekret prej 21 faqesh NSC (Nacional Security Councel) shprehte për Shqipërinë këto konsiderata: “Një qeveri titiste, do të ishte më mirë se një qeveri staliniste. Objektivi i parë i SHBA do të jetë realizimi i dobësimit dhe eliminimit të mundshëm të regjimit të Hoxhës të dominuar nga sovjetikët”. (l4 shtator 1949)

Fillimet e veprimtarisë konkrete të CIA-s

Në planet sekrete të CIA-s pas viteve 1949 ekzistonin dy alternativa kryesore: “Rrëzimi i regjimit si rrjedhojë e aktivizimit të grupeve paramilitare guerile të njohura me siglën R.R.G, të krijuara qysh në korrik l949 dhe drejtohej nga një oficer madhor me përvojë Majkell Berk. U krijuan grupet paramilitare në Haidelberg, grupe të ndryshme operative, të përgatitura në shkolla e kurse spiunazhi, ku partitë Balli Kombëtar dhe Legaliteti me përfaqësues Bashon dhe Laçin, lozën një rol të rëndësishëm. Një segment i CIA-s, i njohur me siglën OPC, Office Political Coordination, do të organizonte veprimtarinë e fshehtë. Grupi i parë i përbërë nga Iljaz Toptani, Selim Daci etj., dhe ekipi i Maltës i përbërë nga Nezir Tomori e Abdyl Sino, kishin bërë të gjitha përgatitjet dhe kishin marrë udhëzimet për t’u futur në Shqipëri, të frymëzuar dhe nga fjala e kolonelit Xhon: “Se 90 për qind e popullsisë është kundër regjimit të Hoxhës. Dhe se ne vend ka një shthurrje të madhe, populli po ngrihet kundër komunistëve”. Opcioni i dytë ishte ai agjenturor, që u transmetua nga gazetari i shquar Sajrus Sulcberger, me të cilin u punua gjithnjë në rrugë të fshehtë, duke aktivizuar agjenturën kryesore brenda vendit. Kjo veprimtari kishte më shumë të ardhme krahasuar me grupet paramilitare, që nuk realizuan detyrat e ngarkuara, gjë që pranohet dhe analisti i sferës se zbulimit Hari Rackize kur thotë pak a shumë; “se, sado vend i vogël që të jetë një shtet dhe regjimi i tij, ai nuk mund të rrëzohet me grupe paramilitare”. Në Paris, më 26 gusht 1949, shpallet formimi i “Komitetit Kombëtar Shqiptar” nga Mitat Frashëri, Kupi, Kryeziu, Kota dhe Pali, që do të merrte në dorë fatet e Shqipërisë pas rrëzimit të regjimit të Hoxhës nga grupet paramilitare.

Informacionet e Kim Filbit dekonspiruan planin anglez për rrëzimin e Hoxhës

Mirëpo, zbulimi sovjetik dhe ai amerikan kishin filluar një lojë operative të fshehtë dhe agjentët kryesorë kishin marrë detyrat dhe në shënjestrën e tyre ishin Shqipëria dhe Polonia. KGB-ja kishte ngarkuar me detyra agjentin e tij kryesor, Kim Filbi, i cili në këtë kohë ishte me detyrën në fillim të sekretarit të parë, e pastaj atë të konsullit të Britanisë së Madhe në Stamboll. Sipas disa burimeve të fshehta, ai kishte dhënë informacione për përgatitjet që po bënin grupet paramilitare për t’u hedhur në aktivitet në Poloni dhe në Shqipëri. Mehmet Shehu kishte marrë masat e tij, si dhe dispononte të dhëna paraprake për përgatitje të bandave si nga agjentura në radhët e emigracionit, ashtu edhe nga të dhënat e marra nga burimet sovjetike. U realizuan dy rekrutime spektakolare, një në burgun e Burrelit, i cili u arratis në Amerikë dhe u fut në bashkëpunim me CIA, tjetri u arratis nga qyteti i Vlorës XH.C., i cili kishte qenë agjent i rëndësishëm i amerikanëve për këtë qytet. CIA i priti mirë këto “mesazhe” dhe nga ana e tyre, sidomos segmenti i saj, që mbështetej te veprimtaria afatgjatë e spiunazhit për rrëzimin e regjimit komunist, dërgoi disa të dhëna për futjen e disa grupeve të spiunazhit, me qëllim rritjen e influencës së tij në Shqipëri në rrugë të fshehtë, ndërsa në sferën e propagandës mund të dilte ndonjë tjetër kolonel Xhon dhe të bënte rezymetë përkatëse për regjimin. Natyrisht, situata ishte ndryshe dhe vendi po kuronte me shpejtësi plagët e luftës dhe po rindërtonte vendin për të dalë nga prapambetja shekullore dhe për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga mentaliteti anadollak e feudal i së kaluarës së dhimbshme. Nga ana tjetër, Mehmet Shehu kishte nxjerrë nga burgu i Burrelit edhe disa nga kontingjentet e rëndësishme të CIA-s amerikane, gjë që dhe këto patën edhe efektin e tyre pozitiv në rritjen e komunikimit dhe të besimit. Këshilltarët sovjetikë në këto aspekte ishin ustallarë për vendosjen e urave të komunikimit midis tyre për të përfituar sa më shumë nga pikëpamja agjenturore dhe operative. Politikës amerikane i interesonte kjo jo pak në atë kohë, kur rreziku i komunizmit të BS për ta ishte eminent. Ndaj donin të rrisnin influencën e tyre, të kthenin qoftë edhe një vend të vogël, kundër interesave sovjetike. Natyrisht, më i preferuar do të ishte ai vend që do të bënte pjesë në bashkësinë komuniste të Evropës Lindore. CIA–s i leverdiste, të kishte nën influencën e saj, qoftë edhe disa udhëheqës që ishin, ose po afirmoheshin si diktatorë. Politikës sovjetike i interesonte Shqipëria edhe pse ishte një vend i vogël, por për strategjinë e saj afatgjatë ai zinte një nga vendet kryesore në Evropën Juglindore, ndërsa për KGB dhe GRU-n, futja qoftë edhe e agjenturës dopiorol në radhët e shërbimeve sekrete amerikane, për të ishte sukses, sepse në mënyrë të nëndheshme ajo do të lidhej si me një rrip transmesioni me agjenturën potente, që ajo dispononte në atë periudhë në territorin e SHBA-së.

Lufta kundër bandave të armatosura që synonin rrëzimin e Enverit



Kështu nisi rrugën ajo që u sfumua tej mase dhe u bë legjendë, me një punë më të vërtetë të zgjuar, ajo që ka marrë emrin “Lufta kundër bandave të armatosura”, ”Sfida e Sigurimit të Shtetit ndaj CIA-s amerikane”, “Loja Buza e Bredhit dhe Liqeni i Vajkalit” e kështu me radhë. U hapën qendrat “sekrete të stërvitjes” qysh në tetor 1951 në Maltë, Mynih, Kretë dhe Haidelberg. Një nga më të interesuarit në këtë aspekt ishte mbreti Zog, i cili përveshi krahët dhe i mori me tepër përkushtim dhe seriozitet luftën kundër regjimit komunist dhe i dha besën kolonelit të CIA-s, Jaçeviç, e vuri në dispozicion dhe bodigardin e tij besnik, kolonel Hysen Selmanin. Mirëpo, këto përgatitje paraprake u përhapën me shpejtësi në formë thashethemesh në emigracion, dhe një pjesë e mirë e emigracionit politik, i mori seriozisht, iu ringjallën shpresat për të fituar ato që humbën dhe u rreshtuan përkrah mbretit të tyre. Në këto kondita e zhvillime, shërbimet e fshehta të vendeve fqinjë, që natyrisht kishin informacione nga burimet e tyre, intensifikuan veprimtarinë agjenturore dhe banditeske, duke kujtuar se kishte ardhur momenti i shumëpritur prej tyre, për të zhvatur secili sa më shumë territore nga vendi ynë. Në vitin 1950, Asfalia Greke, në bashkëpunim me degën Alfa Dhio, përgatiti dhe dërgoi nëpërmjet kufirit 56 banda, me 294 persona të armatosur. Pjesa më e madhe e tyre ishte e organizatës ultrareaksionare ONASH. Ndërsa serbët vetëm në vitin 1949 kishin bërë në kufi gjithsej 119 provokacione, duke i dhënë një mbështetje të fuqishme organizimit antishqiptar të emigracionit në Jugosllavi në drejtimin e Seit Kryeziut. Në fund të muajit korrik të vitit 1949, në vilën “Linda”, 6 km larg Barit, në Itali, komandanti i kursit, kolonel De Agostino, porositi kursantët e tij që do të hidheshin në Shqipëri: “Në Shqipëri së shpejti kemi ngjarje të rëndësishme. Do të fillojmë një lëvizje të armatosur kundër regjimit të Hoxhës, për të vënë këta në mes të dy zjarreve; të Frontit të Hapët dhe lëvizjes së armatosur në prapavijë të kundërshtarit”. Në kursin e “Rojes Mbretërore“, koloneli Xhon do të vazhdonte linjën tjetër atë paramilitare për dezinformimin e opinionit dhe përpunimin e kursantëve të vilës “Linda“: “Shqipëria është në prag lufte. E përçarë nga tri fe: myslimane, kristiane dhe ortodokse. Mbizotërojnë vrasje, hakmarrje, xhelozi të vjetra. Tito po përgatit minoritetet kundër saj”. Së fundi, Lordi Betel ekspozon një të vërtetë të pamohueshme dhe që hedh dritë të mjaftueshme lidhur me problemin se CIA i dha të dhëna Sigurimit, duke vlerësuar arratisjet që bëri Mehmet Shehu me kombinacion. Ja çfarë konkluzioni nxjerr Lordi në fjalë: “Gjyqet e Tiranës në vitin 1951 ishin thelbësisht korrekte dhe të kujdesshëm, po kështu edhe pas viteve ´52”. Ky fakt konfirmohet edhe nga burimet e mëvonshme të fshehta, sidomos të tri bandave kryesore të: Vilës “Linda“, të Hamit Matjanit, i cili ishte bërë mit e legjendë nga hyrjet e daljet nga kufiri grek dhe asnjë herë nuk ra në kurthin e Sigurimit të Shtetit, si dhe grupit të “Rojes Mbretërore”. Por, i shoqëruan ato me të dhëna ekzakte të vendit të hedhjes me parashutë, kohës dhe koordinatat përkatëse. Madje, vendet do të ishin të favorshme për forcat e ndjekjes dhe të Sigurimit për të organizuar jo kurthe po çarqe. Pra, Kim Filbi, ashtu si jo pak agjentë e informatorë diçka dinin, por që nuk ishin esenciale dhe mund të shërbenin vetëm si burime konfirmimi në rrugë operative. Nga ana tjetër, për këto informacione dhënë në rrugë të fshehtë, nuk kishin dijeni masa e oficerëve, ushtarakëve dhe aspak civilët, që morën pjesë drejtpërdrejt ose indirekt në lojërat “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit“, përveç Mehmet Shehut, Mihallaq Ziçishtit dhe ndonjë tjetri. Siç dihet, një nga këto lojëra vazhdoi për 18 muaj rresht, edhe pse ishte konfirmuar që radisti Prençi ishte zëvendësuar me një person tjetër, futur nga sigurimi, avionët vazhdonin dhe hidhnin jo vetëm armë, por edhe materiale të tjera të nevojshme, por edhe ndihma. Zbulimet e tjera të huaja si UDB-ja, SISMI italian, QIPE-ja greke ishin hedhur, ashtu siç pritej, në sulm jo vetëm me forca paramilitare, por edhe agjenturore, kujtuan se “deti u bë kos”, se prapa tyre “ishte Amerika”, që i mbështeste, ndonëse nuk kishin marrë dijeni për senatorin amerikan N., që dërgonte mesazhe në rrugë të fshehtë, natyrisht tashmë, jo krerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke theksuar faktin që “Amerika nuk do të sulmojë Shqipërinë. Përkundrazi…”.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...