2011-01-09

Shkrimtari i shquar, nga anëtar i PK-së, në “listën e zezë” të FBI-së, që nuk u la të hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ...

Shkrimtari i shquar, nga anëtar i PK-së, në “listën e zezë” të FBI-së, që nuk u la të hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ...


Edhe pse Graham Grin ka shkruar, ndoshta veprat më të bukura me temë nga shërbimet informative dhe spiunazhin në përgjithësi, “Njeriu ynë në Havanë” apo “Amerikani i qetë”, përvojën vetjake e ka të kufizuar. Por kjo nuk e pengoi të kuptojë thelbin dhe veçoritë e punës së zbulimit dhe të krijojë vepra me mprehtësi të habitshme, të cilat mund të shërbejnë plotësisht si tekste mësimore për informatorët fillestarë (tjetër punë si dhe për çfarë qëllimesh përdoren).



Romanet e tij janë aq afër me atë që ka përjetuar, saqë është e pamundur të mos vish në një mendje me opinionin e klasikut të letërsisë, Gabriel Garsia Markes, i cili ka thënë: “Nuk njoh tjetër shkrimtar, veç Graham Grin, përfytyrimi mbi të cilin, i krijuar nga ato që ka shkruar, përputhet aq mirë me figurën e vërtetë të tij”. Të kuptosh Graham Grinin dhe të krijosh një mendim për veprën që ai krijoi, duke qenë informator, duhen lexuar dhe analizuar librat e tij, natyrisht me korrigjimin përkatës të fantazisë së autorit.

Jeta e Grinit

Graham Grin u lind më 2 tetor 1904 në qytetin e vogël Berhemsted të kontesë Hardfordshir, jo larg Londrës. I ati ishte drejtor i shkollës së privilegjuar mashkullore, çelur në shek XVI, ndërsa e ëma kushërirë e parë me romancierin e shquar, Robert Luis Stivenson, autorin e “Ishullit të Thesarit”. Në vitin 1922 Grin hyn në Bejlioll, një nga kolegjet më të mira të universitetit të Oksfordit. Lufta Botërore, e përfunduar pak më parë, dhe revolucioni rus krijuan jo pak pikëpyetje në mendjet e studentëve, lidhur me drejtësinë e rrugës që duhet të ndjekë njerëzimi. Edhe Grini e kërkoi rrugën e tij. Në moshën 19-vjeçare hyri në radhët e PK-së. Më pas, kjo rrethanë do t’i luante një rreng jo të këndshëm. Një herë nuk e lejuan të hyjë në territorin e SHBA-së. Ishte në “listën e zezë” të FBI-së, e cila i kishte hapur dosje dhe sa herë kërkonte të shkonte atje, më parë duhet të siguronte leje të posaçme, ndërsa në vizë i bënin një shënim të veçantë, që tregonte se mbajtësi i saj ishte person “jo i sigurt”. Kjo punë vazhdoi deri në kohën e Kenedit. Gjithsesi në PK, Grin qëndroi shumë pak. U mor me zbavitje të tjera, me katolicizmin, të cilit i qëndroi besnik për shumë vite, edhe pse asnjëherë nuk ishte fanatik dhe mbante qëndim kritik ndaj riteve fetare. Pas përfundimit të universitetit, u rrek të punonte në kompani të ndryshme, por pa sukses. Më në fund, në vitin 1926 e pranuan. U bë gazetar dhe ndihmësredaktor i gazetës “Tajms”. Asaj kohe i përkasin përvojat e para letrare të suksesshme. Suksesi me letrat e lejoi të lërë punën e përhershme në redaksi dhe, që nga viti 1930 e pas, bëhet shkrimtar profesionist. E filloi me skenarë, kurse në vitet 1935-´39, kritik filmi i përhershëm në revistën “Spektator”.

Udhëtimet

Që në rini Grini i pëlqente udhëtimet dhe jeta e çoi shpesh në “pika të nxehta” ku gjeti material të bollshëm për veprat letrare. Bëri një udhëtim të gjatë në Afrikë, eci qindra milje në këmbë në territorin e Sierra-Leones dhe Liberisë. Më pas, në vitin 1938, udhëtoi në Meksikë ku grumbulloi materiale për librin dokumentar mbi përndjekjet fetare dhe shkoi edhe në Panama. Por ja ku erdhi 1939-a. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Grinin e thirrën në ushtri dhe e caktuan në shërbimin e zbulimit. Pavarësisht emrit romantik “zbulim”, ai nuk ishte më shumë se i zakonshëm dhe monoton. Raporte, analiza e letra pa fund, tepër të mërzitshme. Ja çfarë shkruan vetë: “Pas luftës kisha dëshirë të shkruaja një roman spiunazhi, por pa atë zhanrin e dhunës, i cili, pavarësisht Xhejms Bondit, nuk ishte karakteristikë për zbulimin britanik. Dëshiroja ta tregoja zbulimin si mënyrë jetese, pa stërhollime romantike, në të cilin njerëzit shkojnë çdo ditë në punë dhe përpiqen ta fitojnë pensionin, pa asnjë dallim nga nëpunësit e tjerë, agjentët e bursës, për shembull. Çdo gjë e zakonshme, pa rrezik, dhe secili ka jetën vetjake, ku e ku më të rëndësishme. Në vitet kur shërbeva në zbulim, rrallë më ka ndodhur të ndeshem me ndjenja apo melodrama”. Në fund të vitit 1941 jeta e mërzitshme në aparatin qendror të zbulimit britanik, mori fund. Grin mori emërim të ri; këtë herë “në vijë të parë” në Fritaun, vend i njohur prej tij. Si shkak pse e caktuan atje, me sa duket ka shërbyer përvoja e grumbulluar në Afrikë e ndoshta, ka qenë dhe dëshira e vetë Grinit. Lidhur me shërbimin në Afrikë, jo pa humor, ka shkruar: “Udhëtim frytdhënës, shërbim shtetëror i një karakteri të vështirë për t’u përshkruar”. Më 9 dhjetor 1941 u nis nga Liverpuli me një anije dizel. Në kabinat e rehatshme njëvendshe qëndronin deri dymbdhjetë pasagjerë, përfshirë dhe shumë tipa të çuditshëm. Ja një prej tyte: “Një i huaj i çuditshëm, që e fliste keq anglishten, hollandez. Hollandezi doli që ishte polak, por i lindur në Gjerorgji dhe kishte luftuar në ushtrinë ruse, muhamedan.” Para se të dilnin në det të hapur, Grini mendoi: “S’do ishte keq të falesha. Kleriku, një djalë i mirë dhe i qetë, m´u drejtua me: “Biri im!”. Në të vërtetë, me një farë kurioziteti të pajustifikuar, m´u duk se kërkoi të informohet për konvoin, me të cilin lundronim”. (Kjo ndodhi në Belfast ku kishte shumë simpatizantë të Hitlerit.)

Pas daljes në det, pasagjerët ranë dakord të bënin roje “vullnetarisht” për të këqyrur nëndetëset e avionët, duke qëndruar pranë mitralozëve kundërajrorë. Ata që vëzhgonin për nëndetëse, duhet të qëndronin në urën e komandimit, por u dehën aq keq sa kapiteni nuk pranoi të futet më askush. Përgjithësisht, udhëtimi në det kaloi pa ngjarje.

Oficeri i zbulimit, Graham Grin

Në ditët e para të janarit 1942, oficeri Graham Grin i zbulimit të Britanisë së Madhe, mbërriti në Fritaunin e njohur gjer në dhimbje prej tij. “Një ndjesi e pazakontë poezie e ngazëllimi të pushton kur rikthehesh pas aq shumë vitesh, madje dhe ngrohtësia e aromës së njelmët të tokës, që më shoqëron kudo, është përherë me mua. Ajo, aroma e Afrikës dhe Afrika, përherë mbetet Afrikë. Një kontinent i pashkelur, i virgjër, në formën e zemrës së njeriut”. Me të tilla ndjenja poetike e nisi Grini detyrën informative. Për të përcaktuar saktë se me çfarë është marrë Grini, duhet kontrolluar gjithë letërkëmbimi i zbulimit britanik për vitin 1942, në kërkim të letrave dhe telegrameve të rralla, të nisura e të marra nga shtabi qendror i tij. Por ne nuk na lejohet të hyjmë gjer atje e, veç saj, vështirë se do të gjenim ndonjë gjë interesante. Kështu, do të përpiqemi ta krijojmë mozaikun nga thëniet e vetë Graham Grinit, të shpërndara në veprat e shumta të tij. Por, le t’ia lëmë fjalën vetë atij: “Në vitin 1942 jetoja në rrethinat e Fritaunit, në një shtëpi të ndërtuar në një vend moçalor, të cilën vendasit e shfrytëzonin për nevojtore, çka kishte shtuar së tepërmi mizat. (Një herë mbylla derën e dhomës dhe vrava nja njëqind e pesëdhjetë copë brenda dy minutave). I drejtova ministrit të kolonive një letër, në të cilën i kërkoja të ndërtonin një nevojtore të veçantë për vendasit. Përgjigjja e ardhur thoshte se kërkesa të këtij lloji duhet të kalojnë nëpërmjet instancave përkatëse, por, meqë në rastin e dhënë nuk kishte asnjë të tillë, u detyrova t’i kujtoj shënimin e bërë nga ministri Çërçill. Unë e mora nevojtoren time dhe mund të shënoja në dokumentet zyrtare se (atje) është shënuar edhe emri im.

Mbresat nga stërvitjet në Afrikë

Në sfondin e konfliktit të stërmadh kishte dhe mosmarrëveshje mes njerëzve. Për shembull, kur punoja i vetëm në Sierra-Leone dhe shefi im, i cili jetonte afro njëmijë milje nga Fritauni në Lagos, për një farë kohe nuk ma paguante rrogën ose atëhere, kur shihja me dhimbje se si shefin e policisë në Fritaun, i cili kishte prapa vetes njëzet vite pune të vështira dhe ethet e zeza, e luante mendsh një këlysh i pacipë nga MI-5.
Vetëm melodramat tragjike mungonin. Në të vërtetë, u bë një orvatje e dëshpëruar për të cytur detarët që të mbanin, sa nuk ishte vonë, një anije portogeze, e cila kishte shkelur ujërat territoriale dhe arrestimin e një zvicerani të dyshuar për spiunazh, megjithëse në atë punë të lavdishme unë kryeja vetëm punën e korrierit”.
Diku, në një vend tjetër, shkruan: “Pas tre muaj stërvitjeje në Lagos, papritur u gjenda sërish në Fritaun, në zyrën ku katër muaj më parë kisha shef dhe vartës njëherazi, vetëm vetveten (më pas u bëra me sekretar). Në Lagos, për ditë të tëra bëja vetëm një punë, shifroja e deshifroja dokumente, kurse mbrëmjeve shkoja te miku im, në zyrën e policisë, ku të dy bashkë, për zbavitje gjuanim karkaleca dhe shënonim pikët në mur: një për çdo të vrarë dhe gjysmë për të “terurit” në lavaman. Në Fritaun ngrihesha nga gjumi në orën gjashtë, haja mëngjes dhe në shtatë ia hipja Morris-it të vogël dhe nisesha për të marrë telegramet në zyrën e policisë, e cila më shërbente si “strehë”. Telegramet ishin të koduara me shifra të panjohura për policinë. Pasi kthehesha në shtëpi, deshifroja telegramet dhe u përgjigjesha me gjithë zellin e mundshëm. Shkruaja të miat dhe rishkruaja të të tjerëve kur e kishin vështirë t’i lexonin. Para se të shtrihesha për të fjetur, arrija t’i përfundoja të gjitha punët”.
Grini udhëtonte shumë për punë dhe pa ndonjë shkak të veçantë. Lidhur me këtë problem, shkruan: “Për shkak të udhëtimeve m´u krijuan vështirësi financiare, por jo nga ato që merren me mend. Puna ishte se kur kthehesha në Fritaun, merrja një shumë të caktuar nga llogaria prej pesë shilingash në ditë, e cila përbënte, gjoja, diferencën ndërmjet ushqimit të freskët të blerë në treg dhe konservave. Një herë mora një telegram të ashpër nga Londra ku thuhej se nëpunësit të rangut tim i takojnë tri gini në ditë për pagesën e hotelit kur udhëton, “merrni masat dhe raportoni”. U tregova i gatshëm ta plotësoj. Pasi hapa kasafortën e zyrës, nxora dyzet fut, i futa në xhep dhe nisa në Londër telegramin e koduar “Masat u morën”. Unë kisha marrëdhënie të ndera me shefin tim, edhe pse ai ndodhej në Lagos, dymijë milje larg Fritaunit. E urryem njëri-tjetrin që në takimin e parë. Ai ishte profesionist, ndërsa unë amator. Sarkazma më shfaqej përherë në informacione e në telegrame. Tani më dhimbset fatkeqi; në fundin e karrierës ishte i detyruar të punonte me një shkrimtar. Më vonë më treguan se thesi me postën e Fritaunit qëndronte ditë të tëra mbi tavolinë, pa u hapur, sepse kishte frikë ta shihte. Një herë u orvat të më ndëshkojë, duke ma vonuar rrogën, të cilën e kishte për detyrë ta dërgonte çdo muaj nga Lagosi. Por më dha hua shefi i policisë dhe operacioni i tij dështoi. Në fund të fundit, kaluam në luftë të hapur. Unë kisha lënë një takim në kufirin liberian, kurse ai, me një telegram ma kishte ndaluar të lëvizja jashtë Fritaunit, pasi atje duhet të vinte një anije portugeze. Gjithë anijet portugeze, të cilat vinin nga Angola, duhet të kontrolloheshin. Të tilla detyra i takonin policisë, jo mua që përfaqësoja MI-5. Pas një dyluftimi të shkurtër, u detyrova të bindem dhe kërkova lirim, por lirimi nuk u pranua. Shërbeva edhe gjashtë muaj të tjerë, por jo i varur nga Lagosi tashmë.

Grin, në një degë me Kim Filbin

Pas Fritaunit (dhe përpjekjes pa rezultat për krijimin e agjenturës në kolonitë e qeverisë Vishi), shefat e mi të zbulimit më çuan në degën e Kim Filbit, e cila merrej me kundërspiunazhin në gadishullin Pirenej dhe unë përgjigjesha për Portugalinë. Oficerët e Abverit, të cilët ende nuk ishin rekrutuar nga zbulimi ynë, kryesisht merreshin me hartimin dhe dërgimin e informacioneve të rreme, bazuar në të dhënat e një agjenture inekzistente. Ishte lojë me fitim (efektivi i shifrimit, plus shpenzimet, plus shpërblimet) e, veç asaj, punë pa rrezik. Suksesi i kishte lënë shëndetin komandës gjermane, megjithatë, nuk mund të mos mrekulluheshe se si në atë atmosferë humbjeje ndryshojnë nocionet mbi ndershmërinë. Kur merresha me Portugalinë, me vete mendoja shpesh se me çfarë lehtësie mund ta bëja edhe unë një lojë të tillë në Afrikën Perëndimore, po të mos isha i kënaqur me rrogën time modeste. Unë e dija shumë më mirë se shefat londinezë, më fort se gjithçka i gëzoheshin kartelave të reja në kartotekën e të dhënave agjenturore. Për shembull: një herë mora të dhëna mbi një aerodrom të ri të vishistëve në Guinenë franceze (agjenti ishte analfabet, numëronte vetëm gjer në dhjetë, sa gishtat e të dy duarve dhe, nga katër anët e horizontit, njihte vetëm Lindjen, sepse ishte muhamedan). Sipas pohimeve të tij, në një godinë të aerodromit qëndronte një tank. Sipas të dhënave të tjera, ishte magazinë këpucësh të vjetra. Pasi dërgova informacionin në fjalë, në të cilin nënvizoja gjithë “meritat” e tij, mund të merret me mend habija ime kur mësova se ishte vlerësuar si “veçanërisht i çmuar”! Kisha mundur të plotësoja një kartelë të bardhë në Londër; tjetër shpjegim nuk gjeja.

Dy libra autobiografike të Graham Grin

Kështu, tema e librit “Njeriu ynë në Havanë”, i cili doli dymbëdhjetë vjet më pas, më 1958, lindi në kasollen e keqe të Fritaunit dhe u shkrua në një shtëpi shumë më të rehatshme pranë parkut Sent-Xhejms. Para largimit nga zbulimi, Grin hartoi manualin “Kush është kush”, botuar në dymbëdhjetë kopje, në shërbim të desantëve britanikë dhe përmbante të dhëna mbi agjentët gjermanë në Azore, me dy kapituj parathënie (bazuar në të dhëna tepër të dyshimta) dhe një plotësim nga Kim Filbi për rrjetin e ndërlidhjes. Do të thonim se kjo është gjithë përvoja e punës së Graham Grinit në shërbimin informativ. Është me vend të shtojmë se asgjë nuk ndryshoi në marrëdhëniet mes të dy njerëzve të jashtëzakonshëm, pavarësisht nga çka ndodhi me Kim Filbin. Këtë e tregojnë edhe vizitat e Graham Grinit te miku i vjetër në Moskë.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...