2011-01-09

illiam Moum, informatori që ngriti rrjetin agjenturor në Rusi

Jeta e informatorit

Shkrimtari i mrekullushëm jetoi gjatë, nëntëdhjetë e një vjet. Nuk është e mundur të shkruhet çdo gjë që ka lidhje me të, por nuk është edhe detyra jonë. Këtu do të cekim vetem kulmet e veprimtarisë krijuese të tij, duke e përqëndruar vëmendjen në ato pak vite kur ishte punonjës i shërbimit të fshehtë britanik dhe kreu detyra në Zvicër e Rusi. Viliam Somerset Moum lindi më 25 janar 1874 në Paris. Ishte fëmija i katërt i Edit dhe Robert Ormond Moum, avokat, punonjës i ambasadës britanike. Kur fëmija mbushi tetë vjeç, e ëma vdiq nga turberkulozi. Pas dy vjetësh, në qershor 1884, i vdiq dhe i ati nga kanceri, duke lënë si trashëgim më pak se pesëmijë paund stërlina për të pesë fëmijët. Somersetin e mori në Angli xhaxha Henri, vikar i kishës së Gjithë Shenjtorëve në Vajtsbell të kontesë Kent. Fëmija filloi shkollën, por u sëmur rëndë nga pleuriti dhe u detyrua ta ndërpresë atë. Në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare shkoi në jug të Francës për t’u shëruar. Në vitin 1890 Somerseti ishte student i universitetit të Hajdelbergut në Gjermani. Pas dy vjetësh, kur u kthye në Angli, parapëlqeu të studiojë mjekësi në spitalin Sent-Tomas në Londër. Në vitin 1897 doli në dritë romani i parë i Moumit, kurse më pas filluan të shtypen çdo vit. Disa kohë më pas, në skenën e Londrës filluan të shfaqen edhe pjesë teatrale të shkruara prej tij. Ajo periudhë ishte e ngjeshur me udhëtime, veprimtari krijuese të dendura, intriga dashurie e lidhje të tjera të Moumit, si me gra ashtu dhe me burra.


Moum, rekrut i zbulimit britanik

Pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, Moum u regjistrua në kompaninë mjekësore në Francë me cilësinë e vullnetarit të Kryqit të Kuq, por më 1915-n e thirrën në zbulimin britanik. Megjithatë, shërbimi pranë këtij zbulimi ishte i shkurtër dhe nuk pati asgjë për të shënuar (para se të nisej në Rusi). Për një farë kohe u gjend në Zvicër ku “jeta e spiunit iu duk e mërzitshme”. Gjithsesi, pikërisht atje gjeti heroin e veprës së tij, Ashenden, në thelb, veten e tij, i cili u bë heroi kryesor i romanit me të njëjtin emër dhe të veprave të tjera “me spiunë”. Veprat e Moumit janë shumë afër me realitetin, saqë katërmbëdhjetë prej tyre i asgjesoi pa u botuar, pas vërejtjes së bërë nga Uinston Çërçilli se bënin shkelje të “Aktit mbi sekretet shtetërore”. Detyra e parë e Moumit në Zvicër ishte përgjimi i veprimtarisë së një anglezi në Lucernë, gruaja e të cilit ishte gjermane. Më pas e urdhëruan të shkonte në Gjenevë dhe shefi e paralajmëroi: “Nëse do ta bëni mirë gjithçka, nuk do të merrni asgjë si falenderim, por, nëse ju ndodh ndonjë fatkeqësi, ne nuk do t’u ndihmojmë”. Në Gjenevë Moumi u ndal në hotelin “Bo Rivazh” ku, siç shkruan ai vetë, “banonin edhe spiunë të tjerë”. Kryente detyrën e ndërlidhësit, merrte informacione nga agjentët dhe i përcillte në Francë, punë kjo që, sipas pohimeve të tij, “monotone dhe pa dobi”. Çdo javë kapërcente liqenin e Gjenevës, përcillte informacione dhe merrte instruksione. Ai e dinte se shkelte neutralitetin e Zvicrës dhe i druhej arrestimit. Në të njëjtën kohë, shkruan me ngut një pjesë teatrale, duke pasur frikën se po ta arrestonin, nuk do të kishte letër dhe bojë shkrimi. Në Zvicër qëndroi afro një vit me detyra të vëna nga zbulimi. Atje u njoh me shkrimtarë të tjerë, edhe ata angazhuar në punë nga shërbimet e posaçme britanike Makenzi, Knobllok e Xherald Kelli.


Vështirësitë e informatorit të fshehtë

Një herë, në hotelin ku qëndronte, shkuan policët zviceranë dhe e pyetën se me çfarë merret Ai iu përgjigj se po shkruante një vepër dramatike. “Po pse në Gjenevë?” “Në Angli ka shumë zhurmë”,- u përgjigj Somerseti dhe pas kësaj e lanë të qetë. Kishte probleme edhe me agjentët. Njëri i kërkon rritjen e pagës dhe e kërcënon me dorëzim tek autoritetet vendore; një tjetër iu shet informacionet gjermanëve. Kur mësoi se raportet e tij ishin të gjata dhe nuk i lexonte askush, pësoi zhgënjim. Mori pjesë në përpjekjet për arrestimin e një indiani, agjentator kundër britanikëve, por në orvatje për të shmangur arrestimin, indiani vrau veten. Verën e vitit 1916 kërkoi të dalë në lirim dhe u kthye në Londër. E liruan me kusht; nëse ishte e nevojshme do ta thërrisnin përsëri. Në vitin 1916 përtëriu udhëtimet. Udhëtoi në ishujt Havai, Taiti, Satnoa dhe në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi të punojë akrivisht me romanet dhe dramat e tij. Më 26 maj 1917 në qytetin Xhersi Siti, SHBA, lidhi martesë me të dashurën Siri, me të cilën kishte një vajzë.


Rekruti i Inteligjens Servis

Fill pas kësaj, e ftoi përfaqësuesi i Inteligjens Servis në SHBA, Williams Uizmen, dhe e urdhëroi të niset për në Rusi. Ndërkohë, atje zhvilloheshin ngjarje të vrullshme revolucionare dhe ai duhej të shkonte me qëllim, siç e thekson me humor në ditaret e tij, “të pengonte revolucionin”, “të mbështetë menshevikët kundër bolshevikëve, të cilët ishin për paqe, dhe të mbajë Rusinë në gjendje lufte me gjermanët”. Moum ishte në mëdyshje. Vuante nga një së mundje mushkërish; nuk e njihte gjuhën ruse dhe dyshonte nëse mund ta përmbushte një mision aq të rëndësishëm. Megjithatë, e tërhiqte në mënyrë të papërmbajtur vendi i Tolstoi, Turgenievit dhe Dostojevskit, të cilët i adhuronte. Më në fund, e dha pëlqimin. Pseudonimi i tij ishte “Somervil”, një nga heronjtë e “Ashendenit”. Gjithë personazhet e revolucionit rus morën pseudonime të tilla: Kerenski “Lejn”, Letini “Devis”, Trocki “Koull”, kurse qeveria angleze “Irlandë & Co”.

Moumin e shqetësonte problemi i të hollave, prandaj i shkruan Uizmenit: “Në Zvicër isha i vetmi që pranova të punoj pa shpërblim. Më pas mora vesh se veprimi im u vlerësua si marrëzi, jo si shfaqje atdhetarizmi.” Më 18 korrik 1917 mori njëzet e një mijë dollarë, si rrogë dhe për financimin e menshevikëve. Më 28 korrik u nis nga San-Francisko në Vladivostok dhe prej andej, me ekspresin transsiberian përshkoi gjithë Rusinë. Bashkë me të, udhëtonin edhe katër çekë, të nisur me të njëjtën detyrë në Rusi: ta mbanin atë në luftë.

Në Petrograd Moum u vendos në hotel “Evropa”. Konsullata britanike ishte paralajmëruar me telegramin: “Z. V. Somerset Moum vjen në Rusi me një mision sekret, të ndriçojë publikun amerikan me fazat e ndryshme të zhvillimit të revolucionit rus. T’i krijohet mundësia e shfrytëzimit të linjës së ndërlidhjes me konsullatën britanike në Nju-Jork”. Ambasadori anglez, sër Xhorxh Bykinen, i dha Moumit kodin personal, sido që ishte i zemëruar, pasi e detyruan të përcillte telegrame, përmbajtjen e të cilave nuk e dinte. Moumin e priti si mik të paftuar, që fut hundët në punët e tij dhe, praktikisht, nuk pranoi të bashkëpunojë me të.
Ndihma i erdhi andej nga e priste me pak. Takoi Sasha Koropotkinën, vajzën e anarkistit të famshëm princ Koropotkinit, me të cilën njihej qysh në Londër dhe nganjëherë kishte ndëruar letra e, madje, i kishte bërë portretin letrar në një nga historitë e Ashendenit. Sasha njihej me anëtarët e kabinetit Kerenski dhe shprehu gatishmërinë e saj të bëhej ndihmëse dhe përkthyese e Moumit.

Mbi bazën e informacioneve të marra nga miqtë çekë, Moum hartoi raportin e parë. Një raport pesimist: ushtria në gjendje rebelimi, vendi në prag të zisë dhe qeveria e Kerenskit shumë e dobët. Dimri ishte në prag, mungonte lënda djegëse për ngrohje, bolshevikët zhvillonin agjitacion, kurse Lenini fshihej diku ne Petrograd.


Bashkëpunëtorët e Moumit

Me ndihmën e Sashës, Moumi u njoh me Kerenskin dhe u takua disa herë me të në restorant, në shtëpinë e Sashës dhe zyrën e tij. Përshtypja që krijoi ishte e dhimbshme: njeri i raskapitur nga pesha e pushtetit, i paaftë për të vepruar dhe i trembur nga gjithçka. Shumë më tepër, i pëlqeu eseri Boris Savinkov, ministër Lufte në qeverinë e përkohshme, i cili i tha: “Ose Lenini do më vërë mua pas murit, ose unë atë!”

Moumi mori pjesë në mitingun demokratik në teatrin Aleksandër, në të cilin Kerenski mbajti një fjalim optimist, por entuziazmi i tij iu duk pa bazë. Nga burimet e tij, ai e dinte se gjermanët sulmojnë dhe ushtria e thyer tërhiqet; flota nuk vepron, kurse ushtarët vrasin oficerët.
Më 24 shtator Uizmeni nisi në Forin Ofis informacionin me këtë përmbajtje: “Kam marrë një telegram të rëndësishëm nga Moumi në Petrograd:

(A) Në Stokholm dhe Finlandë ka dërguar një agjent për grumbullimin e informacioneve, i cili e njofton për marrëveshjen e bërë ndërmjet dy shteteve për t’u bashkuar me Gjermaninë, me synim kapjen e Petrogradit.

(B) Për t’iu shmangur ekstremistëve, qeveria ndërron mendje çdo ditë, lidhur me transferimin në Moskë. Moum shpreson të dërgojë agjentin e tij në mitingun e ekstremistëve.

(C) Kerenski po humbet popullaritetin dhe qëndresa e tij është e dyshimtë.

(D) Nuk do të ketë paqe të veçuar, por kaos dhe mosbindje pasive në frontin rus.

(F) Moum pyet nëse mund të punojë me oficerët e zbulimit britanik në Petrograd, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe mënjanimin e ngatërresave. Unë nuk shoh pengesa këtu.

(G) Unë mendoj se Moumi duhet t’i ruajë në ambasadë, për siguri, shifrat dhe letrat e tij. Ai është aq i mençur dhe nuk dëshiron t’i komprometojë. Ai mund të jetë i dobishëm këtu dhe jam i bindur se shumë shpejt do të këtë një organizatë të mirë. Për çdo rast, do t’u njoftoj për gjithçka që iu intereson, lidhur me informacionet e tij”.


Plane spiunazhi të shkrimtarit

- Më 16 tetor Moum njofton se Kerenski po humbet besimin dhe vështirë të qëndrojë. Ai këmbëngul në mbështetjen e plotë të menshevikëve dhe ka hartuar një program propagande e spiunazhi industrial, të cilat, sipas vlerësimit të tij, mund të kushtojnë rreth pesëdhjetë mijë dollarë.
- Më 18 tetor Kerenski e ftoi në zyrën e tij dhe e njohu me kërkesat për kryeministrin Llojd Horzh. Takimi u zhvillua në fshehtësi, madje nuk u regjistrua as në protokoll. Kerenski i kërkoi Moumit të nisej në Londër dhe ta çojë mesazhin personalisht atje ku duhet. Thelbi i mesazhit ishte se Kerenski nuk mund të mbahet, nëse nuk furnizohet me armë e municione nga aleatët. Veç saj, kërkoi të ndërrohet ambasadori britanik. Po atë ditë, Moumi u nis në Norvgji dhe prej andej, me një torpediner britanik, në Skoci. Një ditë pas mbërritjes, e pranuan te kryeministri në Londër. Llojd Horzhi e priti me dashamirësi dhe shprehu admirim për dramat e tij, por Moumi ngutej dhe gati e ndërpreu për t’i përcjellë mesazhin, të cilin sapo mbërriti në Angli, e kishte hedhur në letër në formë raporti. Pasi e lexoi, Llojd Xhorxhi tha: “Këtë nuk mund ta bësh!”. “Çfarë duhet t’i them Kerenskit?”, - pyeti Moum. “Thjesht, këtë nuk mund ta bëj!”. Kryeministri e preu bisedën, kërkoi falje dhe tha se i duhej të shkonte në mbledhjen e kabinetit. Kur u kthye në hotel, Moumi mendoi se i duhej të kthehej në Rusi. Por ngjarjet ia ndryshuan planet. Më 7 nëntor 1917 Kerenski u përmbys dhe bolshevikët morën pushtetin. Më 18 nëntor sër Erik Drumond, sekretar personal i ministrit të Punëve të Jashtme, në emër të lord Xhorxhit shkroi këto fjalë mbi raportin e Moumit: “Druhem se tashmë kjo përfaqëson vetëm interes historik”. Gjithsesi, Moum mendonte se nëse do të kishte vepruar gjysmë viti më parë, mund të kishte arritur sukses. Në një farë mase e ndjente veten fajtor për ardhjen e bolshevikëve në pushtet, pasi nuk arrinte të kuptonte se është e pamundur të ndalet rrjedha e historisë. Pavarësisht dështimit të misionit, Moum mbeti i kënaqur nga materiali i bollshëm që kishte grumbulluar për tregimet e Ashendenit. Dy muaj e gjysmë, të kaluara në Rusi, ndikuan për keq në shëndetin e Somersertit. Iu shfaqën shenjat e para të tuberkulozit dhe kthimi në Rusi nuk kishte kuptim, aq më tepër, pas përmbysjes së Kerenskit. Një herë e ftuan në Dauning Strit për një takim me shefin e tij, Viliam Uizmen, dhe një person tjetër të rëndësishëm. Moumi paraqiti raportin e punës në Rusi. Pasi u njoh me raportin, Somerseti pyeti se mos kishin në plan ta dërgonin sërish në Rusi. “Jo”, - u përgjigjën. Kryesorja tani është të mbajmë Rumaninë”. Në Rumani nuk kishte dëshirë të shkonte. “Jam me tuberkuloz”, mërmëriti. “E po mirë, - u përgjigj një nga shefat, - shkoni në sanatorium dhe shërim të shpejtë”. Kështu, Somerset Moumi i dha fund punës në shërbimin informativ britanik. Pas kësaj, jetoi dhe dyzet e shtatë vite të tjera, por nuk u kthye asnjëherë në shërbimet e fshehta.
__________________

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...