2011-01-10

Kristo Frasheri:“Sot 90 vjeç, ju rrëfej pengun e vetëm të jetës”

Shkruan: Pano Hallko

Shqiptarët e sotme falë festimit të datës së themelimit të Forcave të Armatosura, por edhe me paradën ushtarake një herë në katër vjet, datën 4 Dhjetor e lidhin vetëm me vitin e largët 1912, datë në të cilën Kuvendi i Vlorës me në krye themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemalin atë ditë, dekretoi Ministrinë e Luftës, me ministër Mehmet Dërrallën... Nuk do të shkojnë shumë vite dhe ky komb do ta kujtojë këtë datë edhe si...ditëlindjen e një Fatori të madh të tij, Historianit të madh, Akademikut, Prof.Dr. Kristo Frashërit.
Vitet kanë kaluar dhe siç është e natyrshme kanë lënë shenja të dukshme në të gjithë qenien e tij njerëzore. Balli i lartë është pluguar nga brazdat e thella, të cilat si në pak raste nuk bëjnë vetëm atë rrugën e zakonshme si te të gjithë njerëzit, pra gjatësinë e "autostradës" së ballit. Përkundrazi, dy nga rrudhat e mëdha, ato më të thellat, ecin ndryshe; ato marrin rrugë aty ku ndahen vetullat, dhe...nisen lart, drejt kores së hemisferave të mëdha të trurit, tru i cili në personin e tij punon me një ritëm e intensitet që do ta kishin zili të gjithë ata që kanë më pak se gjysmën e viteve të tij, e që janë produktivë në punën e tyre intelektuale. Shikimi i tij teksa të flet, tretet diku larg edhe kur ndodhesh vetëm një metër larg tij, zëri i buçet në bisedë e sipër, jo rrallë shpërthen kundër padrejtësive që ka parë e përjetuar në këtë vend gjatë... plot 90 viteve.
Thuajse gjatë gjithë vitit, kryesisht muajve të nxehtë të verës, i duhet "të (ndër)lidhet" me një aparat që prodhon oksigjen të cilin e mban pas karriges në tavolinën e punës, në një hapësirë të ngushtë mes tij dhe murit të "studios" së tij, ndryshe-sallonit të vogël të një hyrjeje të vogël dhomë e kuzhinë.
Me trupin e rënduar nga pesha e viteve, ai në orën 07.00, zbret me ndihmën e bastunit dhe të gjitonëve, të cilët kurrë nuk lodhen ta ndihmojnë, te kafja poshtë pallatit të tij. Dikur shkonte te kafe "Milenium", disi më larg. Në orën tetë, me skrupulozitetin e një nëpunësi teknokrat, i cili kushedi se kur do të (ri)duket në këtë shtet, ai ndodhet në tavolinë. Nis kështu, në mëngjesin e çdo dite që ka falur zoti, një luftë-vija e frontit të së cilës është në gjatësi fizike rreth 20 metra vajtje-ardhje, pra nga dhoma ku ka shumicën dërrmuese të librave të shumtë, e deri në studion-sallon, ku minderi i vetëm i viteve `70-të nuk është aspak mikpritës për mysafirët, pasi gjithnjë është i mbingarkuar me libra dhe dosje të rënda, të vjetra e të reja, studime në 4 gjuhë të ndryshme, të cilat kanë një afat qëndrimi aty, deri sa "të maturohen e të shtrydhen", pastaj do të kalojnë në dhomën-bibliotekë, për t`ua lënë vendin të tjerave, të tjerave e kështu me radhë. Kështu që në këtë "studio" mobiliet "më të rënda" janë katër karrige prodhim i vitit 1974, ato të cilat kur ishim në tetëvjeçare i quanim gjithë zili "me llustër", karriget në të cilat uleshin mësuesit tanë të nderuar e të paharruar...
Për ata që e njohin nga afër, mund të përcaktohet edhe si përjashtim biologjik, pasi njëri nga parametrat kryesorë të shkencëtarit, te Profesor Kristo Frashëri, -Kujtesa ecën kundër ligjeve të natyrës, në disproporcion me parametrat e tjerë. Kujtesa e tij-pa e tepruar aspak do të thoshim unikale për realitetin shqiptar, nuk do t`ia dijë për datëlindjen e largët të tij, përkundrazi, ajo "mprehet", në "kaishin" e madh e të pafund të jetës dhe historisë, freskohet vazhdimisht, kushedi se në çfarë mënyre të rigjenerimit të neuroneve, rend ndër shekuj, në Mesjetën e errët të hershme e deri në lashtësi dhe hedh dritë në shumë ngjarje. Meqenëse shkruesi i këtyre radhëve bën pjesë ndër ata që për disa vite rresht bashkëpunon me profesorin në përkthime materialesh nga dhe në një gjuhë të caktuar, e njeh shumë mirë ritmin e jetës në hyrjen modeste të profesorit, pulsimin e saj, qysh në mëngjes herët, e deri vonë në mbrëmje, si dhe vizitorët e paktë, e pothuaj konstantë të tij. Ai është në një ndeshje të përorëshme, të përditshme, me një "bajloz" të madh, më të madhin e më të tmerrshmin-të paktën për realitetet shqiptare e ato ballkanike, me "bajlozin" më të përfolur në këtë vend, me Historinë. Ai ka vite të tëra që në emër të së vërtetës, me prudencën që e karakterizon, i jep tonin historibërjes së saktë si shkencë, ç`ka duhet thënë, se në Shqipëri nuk ka qenë e nuk është aq e lehtë dhe komode, përkundrazi. Edhe pse nuk është i vetmi që lëvron shkencën e Historisë tek ne, ai në dallim nga të tjerët ka edhe një preokupim tjetër: të jetë i saktë, të mos lëndojë njerëz, pasi siç pa të drejtë-mes shakasë dhe seriozes- thotë... "jam duke ikur nga kjo botë dhe dua të le gjurmë të sakta e të pashlyeshme". Atij i duhet që të kërkojë dhe t`i sjellin aty në banesën modeste dokumente dhe libra të origjinalit nga Bibliotekat e Londrës dhe të Parisit, Stambollit dhe Vatikanit. Është një ndeshje e vërtetë që në pamje të parë ka ritualin e një dite të zakonshme pune, por që në fakt pulson me intensitetin dhe emocionet e saj të përditshme, duke harruar shpeshherë edhe koklavitjen e problemeve të shëndetit. Për masën e gjerë të njerëzve të kthyer tanimë në statusin jo dhe aq të këndshëm të telespektatorit të cilit i serviren nga ekrani ide, mendime, madje edhe doktrina përveç dokrrave të politikës në këto 20 vite, Profesor Kristo Frashëri është bërë i njohur kryesisht në debatet dhe publicistikën e tij të fuqishme, sa i takon problemeve të marrëdhënieve gjithnjë problematike me fqinjin tonë jugor e atë verior, veçanërisht për çështjen e Autoqefalisë së Kishës Shqiptare Ortodokse. I parë prej nesh në lartësinë e 90 viteve që sapo ka përshkuar, Akademiku përveçse kaq sa ka titullin(i cili ndër vite e sidomos pas `90-ës e u është dhuruar shumë njerëzve edhe falë zellit për t`i shërbyer partisë së radhës në tekat e saj), pra Kristo Frashëri përbën sot pa asnjë lloj superlative një pasuri kombëtare, një kapital të patundshëm, e pse jo, edhe një pikë reference për krenarinë kombëtare, në të gjithë hapësirën shqiptare...

HISTORIAN SHTERRUES E GJITHËPËRFSHIRËS...
Sot Kristo Frashëri mbush 90 vjeç. Veçantësia e tij qëndron në faktin se është thuajse e vetmja majë e historisë dhe historiografisë shqiptare që ka jetuar në katër regjime të ndryshme. Edhe sikur ai të ishte "njëri nga ne të tjerët"-sa i takon mençurisë dhe potencialit intelektual, si dëshmitar okular e përjetues i kthesave më dramatike që ka përshkuar kombi ynë qysh pas shpalljes së Pavarësisë e gjer më sot, ai-vetiu e pa diskutim, do të ishte "Monument Natyre" e duhej të mbrohej nga shteti-të cilit kushedi se kur do t`ia shohim fotografinë në kontekstin e sipërpërmendur.
Nuk ka rëndësi se ku lind një djalë shqiptar, në buzën e detit, apo në fushën e Myzeqesë, në Bjeshkët e larta, apo në vende kodrinore e malore si Frashëri, por edhe kur frashërlliu lind në lagjen "Sirkixhi" të Stambollit. Geni i fuqishëm trashëgon në mënyrë besnike gjithçka të mirë dhe e transmeton me të njëjtën besnikëri në brezat pasardhës. Thuhet kjo, sepse në kushte të tjera e vende të tjera, do të ishte si parakusht që një njeri i cili në jetën e tij do t`i jepte gati emrin e tij një shkence, siç është Historia, do të duhej të kishte lindur në bregun e ndonjë deti të madh, pranë ndonjë Muzeu të madh Historik(si Luvri përshembull) në të cilin do të përshkruhej e ruhej historia e njerëzimit- në korridoret e të cilit të kishte jetuar vitet e vegjëlisë e të adoleshencës, në një shtëpi mondane me libra të shumtë e të rëndë nga pesha e kapakëve të lëkurtë, etj, etj, si këto. Me shqiptarët nuk ndodh kështu, pra nuk është i vlefshëm ky parakusht. Edhe kur djali lind në majë të malit apo buzë një lumi, "kodi" i veçantë që kanë kombet në transmetimin e tipareve, ndërmjet sinjaleve të tjera i çon në vesh e në mendje zhurmën e dallgëve shumëballëshe që përplasen në shkëmbenjtë e historisë së tij. Akademiku ynë është nga ato "prodhime" të cilat kombi i përgatit me kujdes në "laboratorin" e tij, në çaste vendimtare, dhe mëpastaj u jep misionin e tyre në fushën e duhur, shoqëruar edhe me "detyrën" për të...gjatëjetuar!
Në 80 vjetorin e datëlindjes së tij, Profesor Pëllumb Xhufi mes të tjerash, do të shprehej:-"Thuhet me të drejtë se vendlindja luan rol jo të vogël në formimin e karaktereve dhe në përcaktimin e fateve. Prof Frashëri është bir i një fshati malor, aq malor, saqë përtej tij s`ka gjë tjetër veç qiell. Vend i njerëzve të lirë, i teqeve dhe kishave, që më shumë se shtëpi të zotit, ishin fole apostatësh dhe revolucionarësh të çdo kohe. I djegur e i përzhitur nga bizantinë, turq, grekër, italianë, gjermanë, por gjithnjë i rilindur. Frashëri i vogël ka qenë një nga qelizat më vitale të trupit të Shqipërisë, një vend simbol i cili ka të koncentruar në vetvete mbarë historinë shqiptare, historinë kombëtare. Ne historianëve na takon shpesh që njerëz të çdo niveli të na pyesin për këtë apo për atë problem historik. Jo rrallë ndodh që të mos dimë të përgjigjemi, dhe tërhiqemi me një shprehje rutinë: "S`di ç`të them, se merrem me një periudhë tjetër". Vetëm ne e dimë se sa dhimbje fshihet pas një përgjigjeje të tillë, e cila vlen si një kapitullim. Si rrallëkush, Prof. Kristo Frashëri e ka gati përgjigjen, për çdo etapë të historisë, për çdo problem historik"...
Këto thoshte Profesor Xhufi para 10 vitesh, por sot ai vetë është ndër të paktët pas Kristo Frashërit që e ka përgjigjen shterruese, për të gjitha etapat e Historisë. Sepse aftësimi në shkencë është përveç të tjerave, edhe vite të tëra të lëvrimit të saj.
Pra, e para veçantësi e Prof Kristo Frashërit, është se njeh mirë të gjitha periudhat dhe të gjitha kthesat e historisë mijëravjeçare të popullit shqiptar. E dyta veçori që mund të radhitim në veçantësinë e tij, është fakti se ai në studimet e shumta të tij ka zbatuar metodologjinë Hegeliane. Hegeli thoshte se "Historiani për të njohur mirë historinë e një vendi, duhet të njohë jo vetëm ngjarjet politike, por edhe aspektet ekonomike dhe shoqërore të periudhës që studion, madje duhet të njohë mirë edhe lëvizjen letrare, rrymat e mendimit filozofik, normat juridike, panoramën etnografike etj të kohës për të cilën ai merr penën për të shkruar".
Të gjithë këta parametra që përshkruan Hegeli, por edhe të tjerë, Kristo Frashëri i plotëson në mënyrë të mrekullueshme, ndoshta edhe falë faktit se ai kreu studime universitare para çlirimit në Itali, në Fakultetin Ekonomik. Duke qenë i pajosur me të tillë kulturë dhe arsimim, ai si një "traktor" i madh i shkencës, "i mori përpara" nëse shprehemi në mënyrë figurative të gjitha aspektet e shkencës së Historisë në punën e tij studimore për 60 vjet rresht, duke hipotekuar në memorien kombëtare por edhe në bibliotekat e Europës jetën e këtij kombi në të gjitha aspektet, me vërtetësinë e shkencëtarit, duke dhënë kështu një kontribut unikal në fushën e historisë dhe të kulturës sonë kombëtare, duke u shndërruar kështu ai vetë, në një vlerë të shtuar të Historiografisë shqiptare.
Janë mbi 400, librat, punimet, disertacionet, studimet e kompletuara të tij, të mbajtura brenda dhe jashtë kufijve të hartës administrative të Shqipërisë. Por do t`ia vlente të përmendnim vetëm disa prej tyre; ato më të spikaturat: "Monografi mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit", "Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Jeta dhe Vepra", "Historia e qytetërimit shqiptar", "Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë", "Historia e Tiranës", "Historia e Kosovës", "Historia e Lëvizjes së Majtë", "Historia shqiptare në tranzicion", "Skënderbeu i shpërfytyruar", "Himara dhe përkatësia etnike e himariotëve",etj. Ashtu siç janë të vetme në llojin e tyre dhe të papërsëritshme, debatet shkencore në të cilat ai është përballur me historianë dhe pseudohistorianë (këta të fundit janë shtuar shumë në tranzicion)-të cilët kanë hedhur baltë mbi ngjarje që përbëjnë piketa krenarie në historinë tonë kombëtare. Ideja kryesore që motivonte autorin dhe që evidenton dukshëm me argumente në veprën e shkruar për Lidhjen e Prizrenit, është se ajo nuk ishte thjesht një Lëvizje, por një Organizatë Mbarëshqiptare. Për këtë dhe shumë të tjera arsye, kjo vepër mbetet ndër arritjet më të rëndësishme të historiografisë shqiptare.

MENTAR MES TË MARRËSH...
Si të gjithë ata që janë përpjekur për këtë vend, që kanë punuar me mish e me shpirt e kanë luftuar për përparimin, mbrojtjen dhe dinjitetin e tij, Prof.dr Kristo Frashëri nuk mund të përbënte përjashtim nga "ligjësia" e ligë shqiptare. Profesorit të madh, do t`i takonte si pak të tjerëve, të ngrinte "Shkëmbin e Sizifit"...
Kristo Frashëri luftoi me armë në dorë për çlirimin e Shqipërisë së sotme, duke ndërprerë edhe studimet në Itali, për hir të idealit dhe atdhedashurisë. Edhe pse u bë anëtar i Partisë Komuniste, vetëm për faktin se shprehu hapur mendimin e tij në vitet e Luftës, u përjashtua nga ajo, dhe ishte fat që nuk aspiroi përsëri për t`u rifutur në radhët e saj. Madje për faktin se ky ishte ndër të rrallat maja të shkencës së Historisë pas çlirimit, patjetër e doemos e ca më tepër do të duhej t`i nënshtrohej kalvarit të njohur. "Belanë" e parë e hasi në vitin 1951, kur i pavdekshmi Aleks Buda luftoi dy vjet me Bankën e Shtetit, e cila nuk e lëshonte Kristo Frashërin, për ta marrë në Sektorin e Historisë së Shqipërisë. Pastaj do të kalonte në vitin 1955 në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë.
Por për Kristo Frashërin "nuk mjaftonte" vepra e pashoqe që realizoi në 40 vite, as për të marrë gradën... "Doktor i Shkencave"!!! Do të duhej të vinte Dhjetori i vitit 1990, që ai "ta meritonte" në moshën 70 vjeçare, e në 71 vjeç të merrte gradën e Profesorit! Ç`mund të na thonë për këtë fakt"doctorët" dhe "profesorët", të cilët u bënë me vendime të udhëheqësive të partive, kryesisht atyre që ndërrojnë pushtetin në Shqipëri, të cilët janë edhe "kritizerët" më të shumtë të Profesorit? Ka arritur gjendja që të qelben rrugët nga doktorët dhe profesorët partiakë, aq sa thelbi shkencor i këtyre titujve, është tejet i huaj për realitetin shqiptar. Madje edhe me atentat u kërcënua në dimrin e vitit 1982, duke numëruar plumbat që kaluan xhamat e ballkonit dhe u ngulën në murin e sallonit të tij. Çështja u "mbyll" nga hetuesia pas gjashtë muajsh, duke e lënë ngjarjen pa autor(që asokohe s`bënte vaki një gjë e tillë), dhe iu dha një përgjigje e thatë:-"Ndoshta ndonjë atentat kundër personit tuaj, me rrënjët në Beograd".
Mesa duket, nuk i mjaftuan këto, por në vitet e tranzicionit të zgjatur djallëzisht, do t`i duhej të duronte edhe fshikullime të gazetarëve mediokër, të cilët e cilësonin si... "pjellë e diktaturës komuniste, e cila i kishte dhuruar atij titujt shkencorë falas"!!! Ai edhe në sistemin demokratik-të cilin kushedi se kur do ta ndërtojmë si të tjerët, "shijon" thuajse të njëjtin "trajtim", por kuptohet, në mënyra më "fine".

NUK JAP INTERVISTA!...
Në përpjekjen e parë timen, megjithë miqësinë që kam nderin të më ofrojë, megjithë dashamirësinë që e karakterizon e që mban datëlindjen e tij, tha gati duke bërtitur shprehjen e mësipërme. I hidhëruar së tepërmi nga moskorrektësia e ndonjë biznesmeni i cili përveç të tjerave bën edhe gazetarin, nga shtrembërimet dashakeqe e deri denatyrimet e nocioneve dhe të mesazheve që Profesori pat përcjellë në intervistën e tij, ai ka vendosur të heshtë përpara çdo lloj gazetari! -"Qysh në moshën 15 vjeç, pra në vitin 1935, më është besuar nga kodi i familjes sime të hap derën e shtëpisë dhe t`u them mysafirëve shprehjen e bukur shqipe: - Mirëseardhët! Për herë të parë - besoj edhe të fundit në jetën time, - i kam thënë dil nga dera atij "gazetari", atij që më shtrembëroi me djallëzi e dashakeqësi mesazhet kryesore të miat."...
...Edhe pse dikur "e gjetëm llafin", ai përsëri u tregua "spango", nuk donte të prononcohej për shumë gjëra. - "Nuk dua të shprehem, nuk dua të bëj vlerësime për të tjerët, nuk dua të lëndoj askënd, pasi siç dihet jam në fundin e jetës. E dinë të gjithë kush janë e si janë. Edhe për historinë, kam shkruar e do të shkruaj, siç është e vërteta. Ata kanë "të drejtën" të më pengojnë duke mos më mbështetur, ndërsa unë kam të drejtën time të shkencëtarit të bëj detyrën karshi kombit tim, deri sa të jem. Prandaj, mos mbaj shënime, le të bisedojmë sa të duash!"

HISTORINË NUK DUHET TA BËJNË INATÇINJTË...
Profesor, si është kjo "historia" e Historisë, cili është mendimi Juaj, sa ka nevojë ajo të rishikohet?
Si të gjitha gjinitë shkencore, edhe historiografia është në zhvillim të vazhdueshëm. Ajo gjithmonë ka pasur probleme, dhe gjithnjë do të ketë probleme. Logjika e punës shkencore kërkon në çdo kohë, që historiografia të pasurohet nga ana faktologjike dhe të përmirësohet nga ana metodologjike. E kjo nuk ndodh vetëm me Historinë tonë, por në të gjitha vendet e botës, pra nuk është fenomen vetëm shqiptar. E bëjnë të tillë(pra fenomen vetëm shqiptar), disa "buri" që bien në emër të interesave të çastit. Historinë tek ne këto vite po e bëjnë inatçinjtë. Por Historia ka parë shumë, e do të shikojë edhe më shumë. Nga ky këndvështrim, jo vetëm historiografia shqiptare e dekadave të regjimit komunist, por edhe historiografia e Paraluftës ka nevojë të ritrajtohet. Kjo nuk do të thotë se çdo vepër e asaj periudhe duhet të hidhet në kosh. Ka shumë punime serioze, të cilat do të mbeten pasuri e historiografisë sonë kombëtare. Nuk kanë qenë të paktë autorët që i kanë shpëtuar politizimit partiak, duke paguar "haraçin" që kërkonte regjimi, domethënë një apo dy citate nga udhëheqësit e kohës, e aq më tepër kur edhe këto citate, nuk binin ndesh me të vërtetën historike. Si rrjedhim tendenca që vihet re tek disa pena të ditëve tona për ta përbuzur frontalisht historiografinë e dekadave të kaluara, e aq më tepër për ta kthyer të bardhën e saj në të zezë dhe të zezën e saj në të bardhë, nuk e çliron historiografinë nga dogmatizmi, përkundrazi e çon atë në një politizim në sens të kundërt-kësaj radhe. Me të drejtë thuhet se përse u injoruan disa figura në dokumentin e shpalljes së Pavarësisë. Po nëse e shtrojmë ndryshe pyetjen: -"Pse Lef Nosi në 28 Nëntor të vitit 1937, pra në 25 vjetorin e Pavarësisë nuk i paraqet të gjithë ata që ishin në Kuvend dhe që firmosën? Ç`do të bëjmë ne, do të (ri)dënojmë Lef Nosin? Thënë shkurt, historia nuk mund të shkruhet, por kryesisht nuk duhet të shkruhet nga...inatçinjtë, as kapriçiozët. Deri aty kanë arritur, saqë të pretendojnë se Procesverbalin e Kuvendit të Vlorës më 28 Nëntor 1912, nuk e mbajti Luigj Gurakuqi!!! Me inat, asgjë nuk mund të bëhet, aq më pak Historia.
Arbitri më i mirë e më i paanshëm duhet të jetë shteti, në çdo rast. Por çfarë "arbitri" mund të jetë një shtet që jep dorëlëshuar 150 milionë lekë të vjetra(pak rëndësi ka se ku dhe kujt) për t`u shkruar historia e Luftës dhe ajo e periudhës së Zogut? Por jemi në një periudhë tranzicioni dhe në një krizë serioze mendimi. Me këtë lloj krize, mirë do të ishte që ne njerëzit që lëvrojmë Historinë të mos pajtohemi, pa lere të biem viktima të saj.
Çfarë i mungon më shumë këtij vendi sot?
Një vendi si i yni, në këtë tranzicion kastën të stërgjatur, i mungojnë shumë gjëra. Por do të thosha se më së pari ky vend është deficitar në Kulturë dhe në Shkencë.
Kemi tre tregues në vlerësimin e intelektualit. Kulturën, Zgjuarsinë dhe Mençurinë. Përgjithësisht çalojmë dhe na mungon dukshëm e para; kultura. Po të jetë kultura e garantuar, edhe shkenca hyn në hullinë e vet, e është edhe ajo e garantuar, domethënë shkencë, cilado qoftë ajo. Nuk di nëse ndoqët dhe si e përjetuat diskutimin e buxhetit para pak ditësh. Nëse atij grup njerëzish i themi Kuvend,- se Kuvend nuk mund të quhet godina me mure, por njerëzit që mblidhen atje- le t`i gjejmë një emër tjetër që mund t`i shkojë më mirë në semantikën e realitetit shqiptar. Prandaj them e do ta përsëris se shkenca dhe kultura tek ne kanë deficite serioze.
Për disa vite rresht, e kryesisht kohët e fundit, jeni angazhuar edhe në një përballje me kryepeshkopin(apo ekzarkun) Janullato, gjerësisht për punët e fesë, e kryesisht ortodoksisë në vendin tonë. Cilat janë arësyet?
Më duhet të theksoj qysh në fillim se me njeriun Janullato nuk kam asgjë personale, madje vlerësoj nivelin e tij intelektual.
Por fenë, apo fetë e kombit tim, unë nuk prita t`i studioj kur në Shqipëri shkeli këmba e Hirësisë së tij. Jam historian, dhe patjetër më ka interesuar jo vetëm njohja me të, por studimi shkencor i saj. Kështu kam dhënë kontributin tim për historinë e krishtërimit në Shqipëri, përhapjes së islamizmit, për ndarjen e kishave në viset shqiptare, për historinë e kishës autoqefale ortodokse shqiptare, si edhe për përhapjen e bektashizmit në Shqipëri dhe veçoritë e këtij të fundit si një sekt që bashkon elemente të hindinizimit të lashtë, të krishtërimit dhe të islamit. Unë jam thuajse bashkëmoshatar me Kishën Shqiptare Autoqefale Ortodokse. Feja hyn në sistemin metodologjik të Historisë, së bashku me faktorët ekonomikë, politikë, sociologjikë dhe ideologjikë. Vetë feja është faktor ideologjik, madje më e fortë se çdo lloj ideologjie, pasi ideologjitë "injektohen" së jashtmi, kurse feja së brendshmi, vjen brez pas brezi e bëhet pjesë e ndërgjegjes njerëzore. Për pasojë do të më lejojë jo vetëm hirësia e tij, por edhe shumë të tjerë, ta njoh mirë fenë, edhe për faktin se jam ortodoks në prejardhjen dhe në edukimin tim familjar. Për mua nuk ka shumë rëndësi liturgjia apo shërbesa, domethënë, nuk më intereson shumë kjo. Por feja në vetvete ka tre komponentë; a-komponentin ideologjik, pra besimin, b-kultin dhe institucionet e tij-që janë kishat, xhamitë, teqetë e të tjera, dhe c-funksionarin. Unë e shikoj personin e lartpërmendur si funksionar, pasi si i tillë vepron. Personi për të cilin më pyetët në rolin e funksionarit dhe në vartësi të misionit që ka marrë përsipër(nuk nënkuptoj misionin fetar), është i gatshëm të shkatërrojë edhe vetë fenë. Unë këtë i kam thënë publikisht, me sinqeritet, hapur, me dashamirësi, madje dashamirësi kristiane-ortodokse nëse doni. Unë po se po, por edhe hirësia jemi në një moshë që me fjalën e zakonshme quhet pleqëri, pra jemi pleq,- edhe pse nuk na vjen mirë të na e thonë. Dhe plakut i falet çdo lloj gabimi, por vetëm gënjeshtra, jo! Nëse të gjithë kemi të meta, hirësia e tij më së pari i ka në fillimformimin e tij, e kjo jo për faj të tij. Ai është intelektual, dhe e kupton këtë që them, por nuk mundet ose nuk i lejohet të vetëkorrigjohet. Pra unë e respektoj e s`kam asgjë personale me të si person, gjithçka i kam thënë, ia kam thënë funksionit që ai mban. Sepse hirësia i di mirë arsyet përse u shkëputën kishat bullgare, ruse, serbe, rumune dhe gjithë të tjerat, madje edhe ajo greke nga Fanari i Stambollit. Për të njëjtat arsye edhe kisha ortodokse shqiptare kërkoi dhe fitoi pavarësinë, që alias i thonë edhe autoqefali. Ashtu siç ai njeh mirë faktin pse Vatikani u thotë Kardinalëve në të gjithë botën:-"Fol në gjuhën e kombit tënd"! Po ashtu hirësia njeh mirë faktin se kishat janë me komb e me shtet, pasi vetë Krishti tha: -"Përhapni fenë nëpër kombe"! Në emër të gjithë këtyre që thashë, unë nuk i drejtohem njeriut Janullato të cilin e respektoj, por funksionarit Janullato. Prandaj edhe ai, thellë-thellë më drejtkupton, e nuk më keqkupton.

A ndjeheni i mërzitur, dhe përse?
Ndjehem i mërzitur, vetëm për arsyen se nuk mund të punoj aq sa do të dëshiroja. E kjo jo për shkak të moshës. Por për shkak të mungesës së disa kushteve, të cilat në rrethanat që ndodhem, janë minimale. Së pari, elementi ndihmës, të cilin para disa vitesh e kisha dhe ma lehtësonte shumë punën. Por edhe atë ma kanë hequr. Historia bëhet me para, letërsia mund të bëhet edhe pa para, të vjen frymëzimi, e hodhe në letër. Kurse Historia kërkon dokumente, të cilat duhet t`i sigurosh, t`i fotokopjosh apo t`i skanosh, kërkon libra të blesh, pasi dalin thuajse çdo vit libra të studiuesve me emër nga e gjithë bota, e këto i duhen shkencëtarit të Historisë. Fëmijët e mi në kushtet e humbjes së rëndë të bashkëshortes sime, më ndihmojnë me një njeri për të më siguruar një jetë normale brenda mureve të shtëpisë. Nuk mund t`u bie në qafë atyre, pasi kanë edhe ata fëmijët në Universitete dhe shpenzimet e tyre. Shkurt, mërzitja ime e vetme, është se nuk mund të punoj dot aq sa do të dëshiroja.

Si janë marrëdhëniet tuaja me partitë? 
Jam i lumtur që as në monizëm e as sot nuk kam asnjë lloj marrëdhënieje me asnjë parti.

A keni ndonjë peng-në kuptimin e fjalës "maraz"?
E kam një maraz, një peng të madh, nga i cili do të dëshiroja të ndahem, kohë më përpara se të ndahem nga jeta.
Para Luftës, kur isha i ri në Shqipëri kishte varfëri të thellë, të skajshme. Në shkollën fillore shumë nga bashkënxënësit e mi vinin zbathur në shkollë. Kur them zbathur, nuk nënkuptoj këpucë të grisura apo të shqyera. Nënkuptoj zbathur, mishi mbi çimento. Më vinte rëndë dhe e përjetoja keq faktin që unë i kisha një palë këpucë mbathur, më dukej vetja fajtor. Dhe mendoja me veten time: -"Kur do të çlirohet kjo Shqipëri nga varfëria?" Qysh nga ajo kohë, kanë kaluar plot 75 vjet. Doemos Shqipëria ka ecur përpara. Sot nuk shikon njerëz si atëherë, zbathur dhe zhveshur. Por varfëria nuk është zhdukur. Sot ajo ekziston në një tjetër lloj, tjetër shkalle. Kanë ikur, emigruar mbi një milionë shqiptarë e kushedi sa do të ikin të tjerë për krahë pune jashtë vendit. Prapëseprapë ka të varfër. Ke prindër të cilët nuk munden t`u blejnë fëmijëve të tyre libra e fletoret e shkollës, ashtu siç ka prindër që nuk munden t`u sigurojnë fëmijëve të tyre nevojat që ata kanë. Ky është pengu që më bren, në kuptimin e plotë të fjalës:-Kur kjo Shqipëria jonë e dashur do të mos jetë vendi më i varfër në Europë?!?

A ndjeheni i vetëm, po i vetmuar a jeni ndjerë ndonjëherë? 
Kurrë në jetën time nuk jam ndjerë as i vetëm, as i vetmuar. Më respektojnë njerëzit, më duan, e ndjej, edhe pse jo me të gjithë mundem të kontaktoj. Rroftë telefoni! Telefonin tim e kanë shumë njerëz, nënkuptoj shumë njerëz të thjeshtë, të cilët edhe pse nuk merren me Historinë, u intereson dhe u dhemb ajo.
Ashtu siç më vjen mirë kur shumë kolegë të mitë jo vetëm më telefonojnë, por më vizitojnë edhe në shtëpi. Kështu më vjen e më viziton Profesor Pëllumb Xhufi, por edhe shumë të tjerë, edhe për njerëzillëk, edhe për shkëmbime mendimesh. Kujdesi dhe interesimi i njerëzve për shëndetin tim, më lumturon e më jep krahë.

Çfarë vepre keni në dorë, çfarë mund t`i premtojmë lexuesit shqiptar së afërmi? 
Kam në dorë e thuajse të përfunduar studimin "Monedha, Krediti, Banka në Shqipëri gjatë shekujve". Mendoj se do dalë gjë interesante. Për këtë më ka ndihmuar edhe shkollimi im i parë si ekonomist. Të jemi mirë, se të gjitha do të bëhen.

Jetë të gjatë, i nderuar Profesor! 

Epilog...
...Në muajin Prill të vitit 1938, Kristo Frashëri asokohe 18 vjeçar, botoi në gazetën "Drita" të Tiranës shkrimin me titull: "U prish gjaku i Arbërit". Shkrimi i kushtohej dallëndyshes së parë të romantizmit shqiptar, poetit Jeronim De Rada. Autori ishte vetëm 18 vjeç atëherë dhe shenjat e para serioze të prirjeve të tij, duke dëshmuar për interesa intelektualë në sektorë të ndryshëm të zhvillimit të jetës shpirtërore të shqiptarëve. Le të urojmë që në vitet e shumta që ende ka për të jetuar, të botojë një shkrim me titull:-"U ndreq gjaku i Arbërit". Ose më së paku, të mos (ri)shkruajë një të dytë titull të tillë në semantikën e tij, pas 90 vitesh... 

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...