2011-01-09

Agjenti në rol të dyfishtë

Fashikulli me nr.78/1 AS, brenda të cilit ndodheshin tri letra dhe një raport agjenturor. Një letër e gjatë familjare e shoqërore ishte “e ndaluar për verifikim dhe sqarim”. Ajo kishte disa nënvizime. Letra tjetër, e shkurtër dhe që i drejtohej ministrit të Punëve të Brendshme, ishte një “Informacion kontakti“, ndërsa raporti agjenturor konkludiv kishte 15 faqe.

Duke lidhur përmbajtjet, qëllimin e ruajtjes së tyre “me vlerë operative”, vura re, qysh në fillim, se kisha të bëja me një student, oficer dhe më vonë një kuadër me kulturë dhe me vlera. Gjithashtu, midis tyre, kishte disa shkëputje në kohë të ngjarjeve që shtjelloheshin me çiltërsi. Kjo të jepte përshtypjen e një pjesëze jete, jo e plotë, dinamike, që ngjante me një tregim, të cilit i ishin grisur shumë fletë, sidomos nga mezi dhe nga fundi dhe do të duhej pak fantazi e mundim, për ta “restauruar”, për të krijuar mozaikun e ngjarjeve, për të qenë sa më afër realitetit të atyre viteve.

Tri pjesët e informacionit

Letra e gjatë, me sa duket, nuk përfundonte aty ku e ka lënë autori i saj. Informacioni ishte ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë bënte fjalë, nga pikëpamja teorike për funksionin e objektit: Roli i dyfisht, i krijuar, sipas tij, nga kinezi Sun Xu, qysh para 500 vjetësh para erës së re dhe paraqitur në librin e tij “Pin Hua”, kur thotë: “Korruptojeni armikun, goditni moralin e tij, mbillni grindje midis krerëve, dobësojeni atë. Njëherazi me fitimin e besimit të tij”. Në radhë të parë, autori i informacionit paraqet vështirësitë e infiltrimit dhe të drejtimit të agjentit në radhët e personave që gjurmohen për veprimtari të kundraligjshme, të cilat mendon ai “duhen shoqëruar me veprime politike dhe shtetërore” nga nomenklatura përkatëse, pa ngjallur dyshime te personat në ndjekje, që ata të besojnë, që transferimi i agjentit në bazën e Pashalimanit është bërë në përputhje me procedurat e zakonshme ligjore, si për çdo oficer tjetër madhor. Nga ana tjetër, për ruajtjen e agjentit nga djegia e tij para personave në gjurmim dhe investigim, duhet të mos ekspozohen pjesë nga informatat e tij nga kuadro përgjegjës të nomenklaturave përkatëse dhe as të mos ndërmerren veprime proceduriale ligjore të mëtejshme ndaj tyre, pa marrë masa operative qysh më parë, për ruajtjen e agjentit në implikimin në veprimtari të kundraligjshme. Rrethi i personave, që do të marrin dijeni, duhet të jetë tepër i kufizuar dhe mundësisht identiteti i vërtetë i tij të njihet vetëm nga ministri. Meqenëse agjenti është i rekrutuar edhe nga KGB-ja sovjetike dhe se n/koloneli sovjetik, Ivan Kollçin, mbi bazën e parullës dhe të kontraparullës e ka marrë në lidhje, do të instruktohet agjenti, duke i rekomanduar vendet e mundshme për realizimin e takimeve, sidomos duke shfrytëzuar klubin sovjetik, kohën e plazheve dhe evenimentet e tjera me gratë sovjetike të martuara me shqiptarë. Gjithashtu, atij do t’i jepen detyra për dokumentimin e lidhjeve të tij, për të shkuar te rrjeti agjenturor, si dhe për të dalë te detyrat speciale dhe konkrete të marra nga KGB-ja në përgjithësi dhe për bazën e Vlorës në veçanti.

Veprimtaria e agjentit sovjetik

Në pjesën e dytë të informaciont bëhet fjalë për format dhe metodat e vendosjes së kontaktit të agjentit me veprimtarinë e kundrali-gjshme, duke e vënë atë në dijeni me disa të dhëna informative të marra nga disa burime të Drejtorisë së Zbulimit të Jashtëm dhe organeve të kundërzbulimit. Në informatën e parë, burimi njofton se në Shqipëri vjen së shpejti zbuluesi sovjetik Valentin Stepanoviç Zhej i kamufluar pranë gjeneralit Arkand Kuzminski, si përfaqësues i Komandës së Forcave të Traktatit të Varshavës në Shqipëri. Informata e dytë flet për dy armata ajrore sovjetike që do të disllokohen në Bullgari, si dhe Flota e Detit të Zi do të jetë në gatishmëri në rast të një sulmi të mundshëm ndaj Shqipërisë. Informata e tretë vjen nga burimi jugosllav “Cari” dhe njofton se Komanda e Lartë jugosllave kundërshton vendosjen e armatave sovjetike në Bullgari, si dhe do të protestojë nëse do të zhvillohen lojëra të përbashkta midis ushtrisë sovjetike dhe shqiptare. Duke qenë se situata politike paraqet një imazh të ri, sidomos pas viteve 1955-1956, fillon pjesa e dytë, ku bëhet fjalë për kontekstin politik. Këtu i del detyrë agjentit të sqarojë edhe ndryshimet në format taktikat dhe metodat e zbulimit sovjetik dhe se si pasqyrohen këto në platformën e re të veprimtarisë së këtyre organeve dhe sidomos organit të zbulimit ushtarak GRU në drejtim të vendit tonë, subjekteve dhe institucioneve tona. Nga ana tjetër, agjenti duhet dhe mund t’i serviri dy këshilltarëve sovjetikë: Sakapov dhe Voronin një “informacion”

Sekretet ushtarake të qeverisë shqiptarë në sirtarët e KGB

Pasi të merren vërejtjet dhe sygjerimet e bashkëpunëtorit, mbi bazën e situatës më të re operative, si rrjedhojë e kontakteve që ka siguruar me ta shprehet: “Shqipëria dhe forcat e saj të armatosura kanë qenë dhe janë të kërcënuara, jo vetëm nga fqinjët, gjë për të cilën ju jeni në dijeni, madje keni parë me siguri dhe informacionet përkatëse, por edhe nga “miqtë” përtej detit. Në këto kushte mendoj se del e domosdoshme mbrojtja e pavarësisë së këtij vendi, sidomos nga “Traktati i Varshavës”, që natyrisht është më i interesuari, duke e parë edhe nga këndvështrimi strategjik, por edhe nga obligimet, që janë rrjedhojë e marrëveshjeve, rregulloreve dhe akteve normative bilaterale në sferën e mbrojtjes, për të cilat kemi qenë dakord. Duke qenë se unë jam mik i Bashkimit Sovjetik, dhe nuk e mohoj, jam trajtuar si i tillë, me disa prerogativa të veçanta, do të doja të dija, për t’u orientuar në situatat e reja, diçka më speciale. Juve duhet t’u bëjë përshtypje sidomos rritja e amplitudës të veprimtarisë agjenturore të zbulimit jugosllav në drejtim të vendit tonë, për të cilat, sidomos kryekëshilltari sovjetik Grebenik, ka dijeni të plotë edhe për informacionet e fundit të hetuesisë për implikimin e diplomatëve jugosllavë Rexhep Xhija, Radivoj Gjeniç, Savo Bozhidaroviç dhe sidomos të ish-kryekëshilltarit jugosllav, Zvetozar Koçiç, në një veprimtari, që mua më duket se bie ndesh me strategjinë tuaj, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për perspektivën e Ballkanit, në mënyrë të tillë, për të mos lënë aspak hapësira për strategjinë e vendeve fqinjë mbështetur nga imperializmi amerikan. Baza ushtarako-detare e Vlorës, me sa më keni informuar bënë pjesë në strategjinë tuaj afatgjatë, me anë së cilës ju vëzhgoni, gjurmoni dhe kontrolloni krahun jugor të bllokut agresiv të NATO-s, ndaj duhet të informohem, për të vepruar korrekt, smatrja pa abstajatjelstvam (sipas rrethanave). Nga ana tjetër, unë e konsideroj obligim nga ana ime t’ju informojë për disa probleme, që ju, me sa duket, nuk jeni në dijeni, lidhur me qëndrimet më të fundit të udhëheqjes shqiptare, e cila, për shkak të ruajtjes së pavarësisë, do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen tuaj ushtarake dhe se për këtë qendrim ka mbështetjen e mijëra kuadrove që kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik. Gjithashtu, më duhet t’ju informoj, për disa të dhëna që bëjnë fjalë për ekzistencën e një plani agjenturoro-operativ për zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë armiqësore të zbulimeve greke dhe italiane ndaj Shqipërisë, gjë që na rezultoi tashti së fundi, me kapjen e tri diversantëve të ardhur nga kufiri grek: Kosta Fili, Vangjel Zaho dhe Mihal Lica”.

Të dhënat e një plani agjenturor

Plani agjenturor dhe operativ që iu servir nga bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit agjenturës sovjetikë përmbante elementë kryesorë si ai i sigurisë, që do të përmblidhte të gjitha masat komplekse për ruajtjen e sekretit të tij dhe konkretisht t’u hiqte mundësinë këshilltarëve sovjetikë, që të merrnin dijeni për ekzistencën e një plani dezinformacioni, sidomos kryekëshilltarit Grebenik dhe këshilltarëve të tjerë, Sapokov dhe Voronin. Po kështu, do të merreshin masa qysh përpara që edhe 14 këshilltarët ushtarakë sovjetikë, që operonin në Ministrinë e Mbrojtjes, do t’u hiqej çdo llojë mundësie, për t’u njohur me ekzistencën e një plani të tillë, pasi, në të kundërtën, më e pakta, do të ishte dekonspirimi i agjentit dhe, më pas, dështimi i kombinacionit agjenturor. Nga ana shtetërore dhe mediatike do të jepej vetëm informacioni për kapjen e një bande “të zakonshme” vorio–epirote pa bërë komente, që do të eskpozonin fragmente nga plani i dezinformacionit. Marshallit Greçko me anë të zv.komandantit të Traktatit të Varshavës, gjeneral B.Ballukut, do t’i çohej kërkesa në formë propozimi nga ana e Komandantit të Përgjithshëm, E.Hoxha, për “një lojë të përbashkët ushtarako-detare të 2 armatave sovjetike të dislokuara në Bullgari, Flotës sovjetike të Detit të Zi, komanduar nga admirali Kasatanov, si dhe armatës shqiptare të mbrojtjes. Pjesa e tretë bënte fjalë për situatën konkrete të dezinformacionit që përmblidhej: “Nga deponimet më të fundit të grupit agjenturor të kryesuar nga Kosta Fili, në të cilin bëjnë pjesë Vangjel Zaho dhe Mihal Lica, në hetuesinë paraprake rezultuan edhe një herë pikësynimet kryesore të zbulimit grek, shprehur tashmë nga zëdhënësit e tyre ushtarakë në NATO për të ndërmarrë një sulm të armatosur në drejtim të Shqipërisë, më qëllim zgjidhjet përfundimtare të problemit të vorio-epirit dhe bashkimin e tyre me Greqinë. Eshtë kjo një nga arsyet kryesore, pranojnë ata, që do të mbajnë ligjin e luftës me Shqipërinë dhe këtë, sipas tyre, e kanë bërë të ditur opinionit grek, si dhe forumeve ndërkombëtare, duke e sensibilizuar atë me anë të Organizatës Panhelenike. Udhëheqja e lartë e Shqipërisë është në dijeni të këtyre planeve edhe nga burime të tjera të verifikuara dhe po merrë masa për rritjen e vigjilencës, si dhe zbulimin dhe demaskimin e shpejtë të këtyre planeve”.

Dokumenti, agjenti në rol të dyfishtë

Dokumenti i katërt, ka të bëjë me raportimin e agjentit, lidhur me zbatimin e detyrave të karakterit të dyfishtë, i cili pasqyrohet në fashikull. Raporti 15 faqesh konsiderohet konkludiv dhe në fakt përmban pothuajse të gjitha karakteristikat e tij, që do të thotë se ka pjesën e parë, ku jepet shkurtimisht situata operative më e re e plotësuar edhe mbi bazën e sygjerimeve dhe vrejtjeve të drejta të bashkëpunëtorit rreth 3 faqe. Në pjesën e dytë ekspozohen detyrat kryesore dhe “vija e sjelljes” së bashkëpunëtorit. Në pjesën e tretë bëhet fjalë për dinamikën ose “ana objektive” e realizimit të detyrave, duke filluar nga nga pjesa më kryesore në zbatimin e “vijës së sjelljes” se si ai vendosi jo vetëm kontaktin psikologjik me “shefat” e tij agjenturistë sovjetik, por edhe kontaktin e specializuar operativ brenda kushteve e rrethanave (edhe pse në kushte të veprimtarisë së “artificeve”), ato u “përshtatën” pothuajse plotësisht situatës natyrale operative. Shkallë-shkallë, shtjellohet zbatimi i detyrave dhe sidomos vihet theksi dhe i kushtohet vëmendje mistifikimit dhe trukeve për paraqitjen sa më të pranueshme të dezinformacionit “për planin agjenturoro-operativ të zbulimeve greke dhe italiane”, duke marrë shkas nga kapja në kufi e diversantëve të dërguar nga zbulimi grek: Kosta Fili, Vangjel Zaho dhe Mihal Lica, të kamufluar nëpërmjet veprimtarisë armiqësore të sillogjeve vorio–epirote. Raporti konkludiv i kushtohet informacionit konkret të përfituar falë mjeshtrisë, intuitës dhe shkallës së lartë të përgatitjes së bashkëpunëtorit në funksionin dopiorol, që siguroi rritjen e shkallës së besueshmërisë së tij, sidomos ndaj agjenturës sovjetike. Në fund nxirren konkluzione, porse ato nuk shoqërohen të plota me detyra për të ardhmen. Me sa duket, duhet të jenë hequr nga fashikulli për arsye të panjohura.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...