Nga Mark Preçi
Në një mbasdite korriku, në njërën prej kafeve të shumta, në plazhin e Shëngjinit, me dy pushues nga Kosova, në bisedë e sipër, më pyesin për fshatin Fishtë të Zadrimës, vendlindjen e poetit të madh kombëtar, të parit poet shqiptar kandidat për Çmim Nobel ,At’ Gjergj Fishten. Duke qenë vetë zadrimor, përpiqem t’ua shpjegoj me dorë drejtimin në të cilën ndodhet Fishta e Fishtës.
-Dëshirojmë të vizitojmë shtëpinë ku ka lindur dhe jetuar femijerinë e tij njeriu i madh i letrave shqipe, insistuan ata. Ne me pushime jemi, thanë, s'është problem shpenzimi, mjafton të na gjesh një taksi dhe ta planifikojmë vizitën.
Duke vazhduar gjatë në një bisedë shumë të këndshme rreth poetit, ku shpeshherë më tregonin mua gjera që nuk i” dija”, për Fishtën, u premtova që në një takim të dytë ta bënim vizitën. Për hir të së vërtetës, edhe unë nuk e kisha vizituar asnjeherë shtepinë e lindjes së poetit, ndonëse shumëherë kisha shkuar për punë në Fishtën, që poeti mbajti për mbiemër, pasi u shugurua si meshtar. Mendova për një “rikonjucion” të shtepisë së pader Gjergjit, para se të shkoja me miqtë nga Kosova…
Pas gjashtë km autostradë Lezhe-Shkodër, marrim rrugën në të djathtë, ku tabela rrugore njofton: BLINISHT. Fshati i Fishtës është një nga gjashtë fshatrat që përbëjnë këtë Komunë. Nga asfalti duhen edhe tre kilometra rrugë fshati, për të arritur në fshatin e lindjes së poetit, prozatorit, publicistit, gjuhetarit, politikanit, meshtarit, Fishtën. Disa,
shumë të afërm të poetit, i kemi njohur edhe më parë dhe kishim bisdeuar edhe herë të tjera për atë, por tashti kishim një qëllim të caktuar.
Në kodrën e Lekiçëve, një emër i vënë në vitet e komunizmit, ndodhën një grumbull shtëpijash, kulla që dikush i ka braktisur duke ndertuar shtëpia të reja, dikush i ka meremetuar. Kullat thuajse janë të ngjitura njerametjetrën.
Njeriun të cilin e takojmë, e njohim prej vitesh. Ai është Gjon Mark Ndoka, 74- vjeç, një burrë fisnik me trupin drejt dhe bujar, si të gjithë banorët e këtyre zonave. Aty, para kullës së tij dhe shtëpisë së re, që po ndërton, duke pirë kafen e mikepritjes, zhvillojmë këtë bisedë.
74-vjeçari Gjon Mark Ndoka, stërnip i GJERGJ FISHTËS. |
Unë jam stërnipi i pader Gjergjit, që do të thotë se baba ka qenë nipi i tij. Ashtu si edhe baba, tanë na i kemi thirrë axhë (xhaxha). Emni i vërtetë i tij është Zef Ndoka, por mbasi u shugurua meshtar, e nderroi dhe e thirri veten Gjergj Fishta. Kështu e kishin rregull franceskanët.
Në këtë shtëpi ku jetoni ju, ka lindur Gjergj Fishta?
Jo. Shtëpia ku ka lindur ghyshi im dhe njëkohësisht i vellai, pader Gjergji, nuk egziston ma si vendbanimi.Vendi ku ka lindur sot është një livadh që quhet Çarja e Gege Pjetrit. I vetmi dëshmitar i lindjes së këtij njeriu, është nje pus dhe një ulli.
Aty rreth moshës tre-katër vjeçare, si familje u zhvendosën pikërish në këtë kodër ku janë të ndërtueme disa kulla, shtëpia dykatëshe, pothuajse të ngjitura me njëratjetrën.
Pse kodra mban këtë emër?
Emri Lekiç na është vendosur para 30-40 vjetësh dhe ka të bëjë me mbiemrin tonë
të përditshëm Leka në Lekiç. Nuk ka asnjë lidhje me mbiemrat jugosllavë.
Po shtëpia ku ka kaluar fëmijërinë Gjergj Fishta, cila është?
Po e shohim tashti.
Ngrihet Gjoni dhe na prinë. Vetëm pak metra, midis mureve te kullave shpinëmbishpinë dallojmë një hyrje që e kanë mbuluar ferrat dhe një tende me hardhija për të cilën nuk ishte kujdesur askush. Ferrat të pengonin edhe shikimin. Jo pa keqardhje, Gjoni perpiqet që të na “hapë” rrugën deri te dera. Tashmë shtëpia është e braktisur. Në këtë shtëpi, thotë Gjoni, ka jetuar deri para disa vitesh një kushëri i joni, i cili vdiq para disa muajsh. Femijët e tij janë në emigracion. Në anë të murit është vënë një pllakë ku shkruhet ”KETU KA BANUAR AT’GJERGJ FISHTA”1871-1940” Mjerisht kjo është e vetmja dëshmi ku ka jetuar poeti i madh deri para se të shkonte në kolegjin e Franceskanëve të Troshanit, shkollim të cilin nuk do ta ndalte deri kur veshi mantelin e meshtarit. Me një telefon Nokia N95, bëjmë disa fotografi, midis të cilave edhe vete Gjonit.
-Prit, me thote, ta ndërroj këmishën se isha në kopësht tuj punu. Nuk vonon dhe kthehet. Ai përpiqet që të davarrisë ferrat me qëllim që të duket sadopak shtëpia ku ka jetuar kollosi i letrave shqipe. Këto fotografi po i botojmë sëbashku me shkrimin.
-Shiko- thotë Gjoni- Unë ndjek në gazeta gjithçka që folet për Axhën (padër Gjergjin). Ndigjova një nadje në televizor, ku një gazete shkruante për eshtrat e pader Gjergjit, menjëherë nisa djalin në Lezhë dhe ma pruni, dhe e lexova, e m’u duk interesante.
Kthehemi prapë në tavolinën para shtëpisë së Gjonit, ku e shoqja na ka shtuar edhe nganjë birrë të ftohtë akull, për të na larguar të nxehtin e kësaj vere. Aty ne vazhdojmë bisedën me Gjonin.
A është inetersuar kush për Pader Gjergjin!?
Po shumë njerëz kanë ardhë, më kanë takue. Ka qenë Neritan Ceka, Aurel Plasari, Tonin Çobani; disa studiues nga Kosova, të cilëve nuk jua mbaj mend emrat e shumë të tjerë. Kanë pyet për gjithçka për pader Gjergjin.
Me thanë të drejtën ma shumë janë interesuar për anë të tjera të jetës së tij, për librat që ka lexue, që ka shkrue, për ndonjë dorëshkrim, po për shtëpinë... Kanë ardhë edhe politikanë, sidomos në raste fushatash, çfarë nuk kanë premtuar; do të bëjmë këtë e atë, por fatkeqesisht deri tash asgjë. Vlerësimin ma të madh e ka bërë ish-presidenti Moisiu, që në vitin 2003, në Pallatin e Kulturës në Lezhë, e shpalli “NDERI I KOMBIT”, një mirënjohje që besoj kushdo e ka mirëprit. Ne si trashëgimtarë të Pader Gjergjit, e ruajmë me shumë dashuri medaljen.
Po pushteti lokal, a ka ndërmarrë ndonjë perpjekje për rehabilitimin e shtëpisë?
Jo, jo! Nuk ka buxhet, kanë thënë.
Ju nuk keni bërë ndonjë përpjekje në Tiranë për problemin e shptëpisë?
Me thënë të drejtën shumë rrugë edhe nuk i dijmë. Mendoj ma shumë se sa ne që e
kemi pasë gjakun tonë, Gjergj Fishta i përket kombit. E përgjegjësitë për kombin,
i marrin ata që drejtojnë shtetin...
Zotit Ministër të kulturës, nuk i jeni drejtuar?
Jo. Ka disa ditë që një grup bashkëfshatarësh po përgatisin një kërkesë drejtuar
Ministrisë së Kulturës që ta marrë në dorë edhe shtëpinë ku ka jetuar axha.
Kjo eshte dera e shtepise ku ka jetuar "NDERI I KOMBIT" Gjergj FISHTA |
Po ju Gjon, a nuk keni bërë ndonjë përpjekje, të paktën, për ta mirëmbajtur?
Keni te drejte ne ate qe thoni, por jemi shperndare ne te kater anet e botes. Per ne eshte e rendesishme qe shpine ku ka jetuar pader Gjergji mos ta prishim,mos tja nderrojme destinacionin,ne nje fare menyre sa here qe te sillem neper oborr per aq kohe sa te jetoj ta shoh ate qe rriti pader Gjergjin,Gjergj Fishten.
Neqoftese shteti do ta rehabilitoje shtepine Ghjergj Fishtes, a mundeni ju qe te kontribuoni. Të grumbulloni relike te asaj kohe a te vete pader Gjergjit po te keni, per ta kthyer ne nje shtepi muze?
Kjo na përket neve dhe besoj që e bëjmë, natyrisht, tuj na këshillue ndonjë specialist i kësaj fushe, o, po e bëjmë...
Mbasi pimë edhe nganjëbirrë mbas kafes, përshëndesim këtë burrë zotni, siç i thonë, dhe largohemi nga Fishta e Fishtës që i dha gjithçka e mbi të gjitha, i dha emer Shqipërisë në të gjithë botën.
Një miku im, dashamir i udhëtimeve nëpër botë, më thoshte para disa ditesh: isha i ftuar në Kinë dhe miqtë na ofronim të vizitonim vende te veçanta. Diku, në një mal kishte një minierë, ku gjatë gërmimit ishte zbuluar një gur i bukur me ngjyrë të kuqërreme, e kishin pastruar dhe sistemuar sheshin, duke e transformuar në një vend pelegrinazhi, idhulli. Miku me tha: bota nuk i ka idhujt dhe i krijon; ne i kemi por nuk i njohim dhe nuk i bejmë të njohur.
Largohem nga Fishta, por jo nga Gjergj Fishta. Sesi më vjen në mendje dhe ndjej një keqardhje, por jo një trishtim! Dikush i zhduku kockat se edhe në varr nuk e duronte; ndoshta e kishte frikë edhe atje në parajsë ku prehet shpirti i tij; të tjerë flasin e flasin, por gjë nuk bejnë; nuk dua të mendoj se ndokush Gjergj Fishtën e la pa varr dhe tash e duan edhe pa shtëpi; ndoshta dikë do ta prekë “shenjti në zemër” dhe do të kujtohet për shtëpinë e Gjergj Fishtës... Në këtë pështjellim mendimesh, sesi më qetëson akademik Qosja kur për Fishtën ka shkruar: zaten lisat e gjatë sulmohen nga rrufetë. E Fishta është një lis i gjatë...
Shtepia ku ka jetue "NDERI I KOMBIT", At Gjergj Fishta
Kur përgatitem për t’u larguar nga shtëpija e Gjonit, stërnipit të Gjergj Fishtës, duke ecur, ai më tregon, jo pa nje finesë humori, një histori të pader Gjergjit: pader Gjergji ishte një franceskan me za, që kur ishte i ri. Erdhi puna dhe do të emrohej një ipeshkëv i ri. Ja ban hizmetin kësaj pune pader Gjergji dhe një prift, dom Lazer Lisna, por ipeshkëv u emru dikush tjeter. Atëherë pader Gjergji i shkruen, dom Lazer Lisnes: Te ka çue të fala pader Gjergj Fishta, Ty dom Lazer Lisna. Per nj’at punë që pame mendu S’ na dual gja,as ty, as mu...
E kuptoj kontekstin e humorit fishtjan që më tregon. Duke qeshur i them Gjonit se një dashmirës i letërsisë, si puna ime, vetëm mund të provokojë ndërgjegjen e dikuj, dhe do të ishte fat, sikur ky dikush të ishte ai që ka në dorë të punojë për rehabilitimin e shtëpisë ku ka banuar Gjergj Fishta…
Në Shëngjin kam ndërruar kafe. Nuk kam çfarë t’u them miqve kosovarë. Ata kanë pyetur për mua. Meqenëse ata vijnë prej vitesh me pushime në Shëngjin; shpresoj që verën e ardhshme t’ua plotësoj dëshirën për të vizituar shtëpinë ku jetoi poeti i madh Gjergj Fishta, për t’ju dhuruar atyre e kujtdo tjetër emocione që të krijohen kur ndodhesh në shtëpinë ku janë rritur kollosët…