Udhëheqja më e lartë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në krye me Isa Mustafën, kanë bërë homazhe pranë monumentit që mban emrin e veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku, i cili u vra më 11 janar të vitit 1999. Me këtë rast, kreu i LDK-së, Isa Msutafa ka thënë se Maloku meriton respektin jo vetëm të qytetarëve të Prishtinës, por të gjithë Kosovës.
I shoqëruar nga nënkryetarët Sabri Hamiti e Teuta Sahatçija, sekretari i përgjithshëm Ismet Beqiri dhe anëtarë të tjerë të kryesisë, Mustafa ka vënë lule pranë monumentit të Enver Malokut, ndërkohë që ka folur për kontributin që ka dhënë ai gjatë periudhës më të errët të Kosovës.
Mustafa ka thënë se ai ishte një veprimtar i shquar i LDK-së, një intelektual i spikatur i cili përmes Qendrës për Informim pranë LDK-së, informoi jo vetëm opinionin e Kosovës, por edhe opinionin ndërkombëtar, lidhur me masakrat dhe me terrorin që Serbia ka bërë në Kosovë.
"Me të humbëm ne një aktivist të madh, Kosova e ka humbur një njeri të kulturës, një veprimtar shumë të madh, i cili e meriton nderimin tonë, jo vetëm të Lidhjes Demokratike por e meriton nderimin e gjithë qytetarëve edhe të Prishtinës edhe të Kosovës, për atë që ka bërë për Kosovën", ka thënë Mustafa.
Enver Maloku gjatë viteve '90-a kishte drejtuar qendrën për informim pranë LDK-së dhe ishte një ndër bashkëpunëtorët e afërt të ish presidentit Ibrahim Rugova.
Në pasditen e 11 janarit 1999, ai është vrarë në një atentat pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në lagjen Kodra e Diellit.