Botuar me shkurtime në gazetën “Albania”, 23 gusht 2009, dhe botuar i plotë në gazetën “Republika”, 23 shtator 2009.
(Ripunuar: Ridergoi autori nga SHBA, 13 Tetor 2009)
Prof.dr. Eshref Ymeri
ANALIZA E VETVETES
Këto ditët e fundit më ra në dorë një libër befasues me titull“Kritika ndryshe” (vëzhgime në brendësi të prozës e të poezisë shqiptare. Pjesa e parë), vënë në qarkullim nga Shtëpisë Botuese “Arbëria”, Tiranë 2008-2009. Libri është i ndarë në tre kapituj kryesorë (me shumë nënkapituj): 1. Postmodernizmi, funksioni estetik, arti i fjalës. 2. Natyra e gjerë e kritikës letrare dhe prania e subjektivizmit në të, një tentativë ndryshe në lidhje me bashkëkohoren për të bërë vlerësime mbi veprat letrare. 3. Leximi i kujdesshëm i poezisë, kuadrati gjithpërfshirës i saj në syrin e analizës komplekse bashkëkohore. Libri shoqërohet me një bibliografi të pasur (gati 90 burime) dhe me indeksin e emrave. Autor i këtij studimi kritik mjaft tërheqës, që zë një vëllim prej 400 faqesh, është zoti Fatmir Terziu. Të them të drejtën, e lexova me një frymë, brenda dy ditëve. Kjo për faktin se më joshi tej mase me mënyrën e shtrimit të problemeve rreth kritikës letrare, e cila, në kohën e komunizmit që lamë pas, më shumë e lëndonte autorin, sesa i krijonte qoftë edhe një hapësirë sado të vogël për t’u frymëzuar pë krijime të reja letrare. Se, domosdo, nuk mund të ndodhte ndryshe: krijuesi, qoftë ky poet, shkrimtar apo artist, asokohe “duhej” vlerësuar në përputhje me pasqyrimin vijës së shtetopartisë në veprën e vet. Për të qenë më konkret, po u referohem vlerësimeve që jep me këtë rast një mjeshtër i talentuar i letrave shqipe, zoti Dhori Qirjazi, një poet ky tejet origjinal në letërsinë shqipe, i heshtur si askush në krijimtarinë e vet brilante në shërbin të çështjes kombëtare. Ai shkruan: “…kritiku shqiptar në Maqedoni, Ali Aliu, botoi në Kosovë edhe poezitë e mia të zgjedhura. Duke qenë i pavarur dhe jashtë kufijve të shtetit tonë, ai është shprehur më lirshëm për krijimtarinë time poetike, për të cilën këtu, në Shqipëri, ishte vendosur heshtje dhe një tendencë minimizimi, pasi ishte e ndryshme nga çka shkruanin bashkëkohësit partiakë dhe të politizuar. Megjithatë unë nuk jam shqetësuar kurrë nga kjo heshtje dhe mospërfillje. Ndaj i referohem gjithnjë thënies së popullit se “Fjala është argjend, heshtja është flori”… Gabimi më i madh që u bë ndër ne nga Zyra që përgjigjej për artin dhe kulturën, ka qenë gjithnjë vlerësimi i veprave të autorëve që kishin teserat e partisë në xhep, të nisur nga mendimi i gabuar se “Letërsinë dhe artet i udhëheq gjithmonë partia dhe se në krye të tyre duhet të jetë gjithnjë ajo dhe njerëzit e saj”. Te ky slogan nuk merrej vesh as talenti i gjithkujt, liria e krijimit e të tjera, domosdoshmëri këto që kushtëzonin pavarësinë dhe lirinë absolute të krijimtarisë. Kjo solli dëme të pallogaritshme në zhvillimin e letërsisë dhe të arteve në vendin tonë, duke mënjanuar talentet që u dënuan ose që u trembën, deri në heqje dorë prej aktivitetit të tyre krijues” (Gazeta “Telegraf”, 24 shtator 2009, f. 18).
Ky lloj këndvështrimi, në njërën ose tjetrën mënyrë, do t’i linte pasojat e veta edhe në mendësinë e disa kritikëve për t’i parë gjërat bardhezi në vlerësimin e krijimtarisë së autorëve të ndryshëm në periudhën që pasoi pas vendosjes së pluralizmit. Prandaj, zoti Terziu, në studimin e vet, i ka vënë vetes një tjetër qëllim, sa fisnik, aq edhe humanist. Ai pyet: “…a nuk do të ishte më mirë që të bëhej kapja e anëve më të arrira, më pozitive te krijuesi, për të shtuar arsyen në shtysën e krijimtarisë?” (3). Këtë këndvështrim të vetin, që, për mendimin tim, është unikal në një studim shkencor të përmasave të tilla, ai e përcjell edhe përmes optikës së prof. John Lye. Pikërisht ky këndvështrim i ri në lëmin e kritikës letrare përbën edhe thelbin e kritikës ndryshe të zotit Terziu. Të nisesh nga qëllime dashamirëse në vlerësimin e një vepre letrare, do të thotë që të mundohesh të zbulosh në të ato gjëra që ngërthejnë në vetvete vlera më të spikatura, më përgjithësuese, të cilat jo vetëm e frymëzojnë autorin për krijime edhe më të goditura, por edhe e nxitin atë për të qenë edhe me kërkues ndaj vetvetes. Le të përfytyrojmë për një çast se ndodhemi në Panairin e Librit që organizohet çdo vit, vjeshtë për vjeshtë, në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë. Aty, në dy salla të ndryshme, do të bëhet paraqitja e veprës së dy autorëve. Ta zëmë se në sallën e parë, në adresë të autorit x, thuhen fjalët më të mira për veprën që ka shkruar, kurse në sallën e dytë, në adresë të autorit y, lëshohet një breshër fjalësh kritike që e nxijnë krejtësisht veprën e tij. Tani le të përfytyrojmë se cila do të ishte gjendja shpirtërore e këtyre dy autorëve pas largimit nga sallat përkatëse. I pari, me siguri, do ta ndiente veten në kulmin e kënaqësisë, zemra do t’i bëhej behar, njerëzit rreth e rrotull do t’i dukeshën si miq e vëllezër, por ama, diku, në nënvetëdije, ai do të pyeste veten: “po a i meritoja vallë plotësisht të gjitha ato fjalë të mira që u thanë në adresën time?” Pikërisht kjo“vetëpyetje” do ta bënte atë të ishte edhe më kritik ndaj vetvetes, gjë që do të shërbente si stimul edhe për vetëpërsosje. Kurse i dyti do të dilte nga salla me shpirtin zeher, njerëzit rreth e rrotull do t’i dukeshin si jashtëtokësorë, frymëzimi i tij për krijime të reja do të zbriste në kuota shumë të ulëta, për të mos thënë zero. Tek endem në krahët e një përfytyrimi të tillë për këta dy autorë imagjinarë, fillojnë të më vijnë ndër mend ca fjalë të Maksim Gorkit (1868-1936): “Ne, duke i besuar shumë pak njëri-tjetrit, nxjerrin në pah gjithmonë atë çka njeriun e lëndon dhe jemi të paaftë të zbulojmë atë çka e justifikon. Shumë më tepër vëmendje ne ua kushtojmë gjërave të këqija dhe të errëta në qenien e njeriut”.
Për kënaqësinë time të pamatë, në “Kritikën ndryshe” të zotit Terziu unë zbuloj“kritikun e sallës së parë” të Panairit të Librit, studiuesin humanist, që, në personin e krijuesit, shikon njeriun e mirë, të cilit, me gjithë zemër, dëshiron t’i gjendet pranë me një fjalë plot frymëzim. Pikërisht një qëndrim të tillë humanist të këtij kritiku të shquar unë dëshiroj ta shikoj edhe në optikën e shkrimtarit skocez Samuel Smajls (Smiles - 1812-1904), propagandistit të vlerave viktoriane, i cili thoshte: “Mjafton veç t’i besojmë njeriut më shumë se ç’i besojmë zakonisht, në mënyrë që të nxjerrim në pah të gjitha anët më të mira të karakterit të tij”.
Autori zbërthen shkurtimisht thelbin e postmodernizmit, e kësaj tërësie tendencash në kulturën artistike të gjysmës së dytë të shek. XX, për të cilat është karakteristik pluralizmi parimor i stileve, çka gjen mishërim të plotë në krijimtarinë e shkrimtarit amerikan Robert Laurence Stine. Duke jetuar e punuar gjatë shumë viteve në Perëndim, zoti Terziu vëren se si atje, “ata që shkruajnë ose krijojnë diçka, kanë një vend të caktuar në jetën e komunitetit. Inkurajimi për ta është ligjësi, kulturë, është respekt”(34). Ai nuk bën ballafaqime me realitetet shqiptare lidhur me vendin që u takon dhe vlerësimin që u bëhet aty krijuesve tanë, por ai, me finesën e studiuesit plot kulturë, ia lë në dorë lexuesit të nxjerrë përfundimet e duhura. Madje ai as nuk ankohet për fatin e poezisë në Shqipëri, por veç sa përmend kalimthi një artikull të kahdokohshëm të gazetës“Shekulli” me titull “Bie lexuesi i poezisë” (35). Vetëm kaq thotë kritiku i shquar. Veçse ky konstatim i tij në kalim e sipër, një lexues të vëmendshëm e bën të përsiatë thellë. Të vjen keq që është zhehur interesi i lexuesit për poezinë. Megjithatë, fajin nuk duhet t’ia lëmë në derë lexuesit. Ky duhet edukuar me frymën e dashurisë për poezinë. Në Rusi ka një ditë që quhet dita e poezisë, 26 maji. Kjo ditë përkon pikërisht me ditëlindjen e poetit të madh kombëtar rus Aleksandër Sergejeviç Pushkinit (1799-1837). Gjatë gjithë kësaj dite, njerëzit mblidhen nëpër parqe e lulishte, apo edhe në ajrin e pastër jashtë qyteteve, ku poetë, shkrimtarë, artistë, deri edhe qytetarë të thjeshtë, recitojnë poezi të poetëve më të parapëlqyer rusë, nën shoqërimin e tingujve muzikorë. Pra, dita e poezisë është kthyer në një festë mbarëkombëtare ruse. Por edhe neve s’na ka penguar kush për të pasur ditën tonë të poezisë. A nuk do të ishte fantastike që dita e poezisë shqiptare të përkonte me 25 majin, ditëlindjen e poetit tonë më të madh kombëtar, Naim Frashërit? Dikur ka pas ekzistuar edhe një traditë popullore në ditë festash në vendin tonë. Njerëzit mblidheshin në vendet më piktoreske, ku hanin, pinin, këndonin dhe hidhnin valle. Në këto mjedise madje bëheshin edhe improvizime vargjesh popullore të kënduara me hidh e prit mes dy personave dhe garën e humbiste ai që ngecte në sajimin aty për aty të vargut pasues me rimë. Njëherë, në qershorin e vitit 1950, kur sapo kisha përfunduar klasën e dytë të fillores, në vendlindjen time, në Smokthinë të Vlorës, në vendin e piknikëve që quhet“Shelq”, u zhvillua pikërisht një garë e tillë mes një burri dhe një gruaje për sajimin e vargjeve të rimuara. Ato vargje, edhe tani, kur kanë kaluar 59 vjet, vazhdoj t’i kem të skalitura në kujtesë. Improvizimin e nisi i pari ai burri, ndërkohë që të tjerët rreth e qark hidhnin valle e këndonin, duke përplasur duart herë pas here. Ai: në të zëntë vapa n’udhë / medet, të kthehesh nga unë / je e bardhë e të nxin vapa / si djathi që del nga napa. Ajo: Jo, se kam burrin sëmurë. Ai: në të vdektë, të marr unë / të të bëj m’ergjende shumë. Ajo: unë ergjënde shumë kam / po ti qenke “zabërhan”. Në këto e sipër, burri ngeci dhe garën e fitoi gruaja. Por ç’e do, një tradite të tillë tani i ka mbetur vetëm emri.
Por derisa në Shqipëri s’po kujtohet kush për themelimin e ditës së poezisë, meqenëse këtu njerëzit gdhihen dhe ngrysen me infeksionin e politikës “në gojë”, atëherë a nuk do të ishte për t’u përshëndetur një nismë e njerëzve të letrave shqipe në emigracion për themelimin e një dite të tillë të bekuar, e cila, pas reklamimit përkatës atje, të mund të transferohej edhe në atdheun amë? Nuk e di se ç’mendim ka kritiku i nderuar, zoti Terziu, për një sugjerim të tillë.
Në skanerin e “Kritikës ndryshe” të zotit Terziu vjen e na shfaqet një aradhe e tërë shkrimtarësh dhe poetësh shqiptarë, të rinj e të moshuar, nga të gjitha trevat shqiptare dhe në emigracion, si Agim Pepa, Agim Shehu, Agron Tufa, Aleko Likaj, Aliana Alien, Ali Podrimja, Andi Meçaj, Anton Nikë Berisha, Anton Paluca, Ardian Kuçuku, Ardita Jatru, Arian Leka, Arqile Gjata, Artian Guskiqi, Bardhyl Mezini, Bajram Sefaj, Beatriçe Balliçi, Dalan Luzaj, Elpiniqi Frashëri, Faruk Myrtaj, Fatime Kulli, Fation Pajo, Fatos Kongoli, Ferit Lamaj, Foto Malo, Flutura Açka, Gjek Marinaj, Hiqmet Meçaj, Hyjnis Leka, Ibrahim Abedini, Ilir Levonja, Ilir Theohar Borodani, Iliriana Sulkuqi, Juela Meçani, Jusuf Gërvalla, Kolec Traboini, Lazër Stani, Ledri Kurti, Leon Z. Lekaj, Leonida Ndrenika, Luan Xhuli, Luan Zyka, Luljeta Lleshanaku, Mehmet Myftiu, Mensur Spahiu, Mëhill Velaj, Milianov Kallupi, Mimoza Ahmeti, Namik Selmani, Nase Jani, Naum Prifti, Ndue Lazri, Nexhat Peshkëpia, Nexhip Bashllari, Nexhip Ejupi, Niko Kirka, Novruz Abilekaj, Petraq Risto, Pëllumb Kulla, Primo Shllaku, Qazim Rrushaj, Rajmonda Moisiu (Sade), Ramiz Gjini, Robert Martiko, Roland Gjozaj, Rozi Theohari, Rudian Zekthi, Rustem Geci, Sabri Hamiti, Spiro Gjikondi, Stefan Martiko, Suzana Kuqi, Vahid Hyzoti, Veli Islami, Vlash Fili, larushia e krijimtarisë letrare të të cilëve përbën një visar të çmueshëm në fondin e letërsisë shqipe. Duhet të kesh një durim me të vërtetë balzakian që të arrish të qëmtosh ngjyrat më të ndezura në tablonë krijuese të autorëve të lartpërmendur, durim ky, të cilin kritiku Fatmir Terziu ka arritur ta manifestojë me një këmbëngulje të pakundshoqe. Nuk di nëse ndokush tjetër nga kritikët tanë të ketë arritur të analizojë krijimtarinë poetike edhe të të tilla figurave pak të njohura për dashamirësit e letërsisë shqipe, si Nexhat Peshkëpia, të cilin diktatura e detyroi të largohet nga atdheu me zemër të thyer, apo si Elpiniqi Frashëri. Me sa jam në dijeni, zoti Fatmir Terziu është i pari që analizon me një dashamirësi aq të lakmueshme krijimtarinë poetike të këtyre dy autorëve.
Me talentin e tij prej kritiku humanist, zoti Terziu ka arritur të depërtojë me sukses në individualitetin krijues të secilit prej autorëve të lartpërmendur. Në veprat e një krijuesi të talentuar, sado të larmishme që të jenë ato, gjithmonë mund të vëresh diçka të përbashkët që i karakterizon dhe i dallon ato nga veprat e krijuesve të tjerë. Në gjuhën teknike të artit një gjë e tillë quhet botëkuptim i krijuesit. Këndvështrimin që ky ka për botën që na rrethon, që shërben si çelës për vlerësimin e talentit të tij (të krijuesit, pra), kritiku e zbulon në figurat e gjalla që ai (autori) krijon. Kritiku i shquar rus Nikollaj Aleksandroviç Dobrolubov (1836-1861) thotë: “Figurat që krijon artisti, duke grumbulluar në vetvete, si në një fokus, fakte nga jeta reale, ndihmojnë së tepërmi për krijimin dhe përhapjen mes njerëzve të nocioneve të drejta për dukuritë e jetës”. Në këtë mes gjen pikëtakimin me Dobrolubovin edhe biografi i Balzakut, Stefan Cvajg, sipas të cilit “…figurat nuk dalin të gjalla, në qoftë se ato nuk paraqiten në lidhje të drejtpërdrejtë me mjedisin e tyre, me truallin, me peizazhin, në qoftë se nuk janë rrethuar me atmosferën specifike të kohës…”. Dhe kritiku i talentuar Terziu, në skanerin e kritikës së vet, ka arritur të na e shpalos fort bukur botëkuptimin e secilit prej krijuesve të mësipërm, duke u ndalur, domosdo, në gjërat më pikante. Sepse, me nuhatjen e hollë të kritikut humanist, sipas një shprehjeje frazeologjike të gjuhës angleze, he knows on which side his bread is buttered (ai e di ku është e mira).
Ajo që më ka bërë shumë përshtypje në analizën kritike të zotit Terziu është fakti se ai, herë-herë, ndalet në ato fragmente të krijimtarisë së autorëve të lartpërmendur që kanë një vlerë përgjithësuese të jashtëzakonshme. Le ta këqyrim këtë në disa shembuj konkretë. Ai citon nga krijimtaria e poetit të mirënjohur Petraq Risto:
“Planetët janë krijesa / dhe ne / njerëzit, kafshët, shpendët, peshqit, mizat / jemi thjesht viruse / të lindur / për të ngrënë njëri-tjetrin…” (26).
Nga poetesha zemërfisnike Iliriana Sulkuqi:
“Po t’i mbledh / ditët e dashurisë / më dalin shumë më pak se një pikë loti… / Po të mbledh / hapësirat e dhembjes / Kam frikë mos më mbytet Globi…” (234).
Nga poeti qëmtues i fjalës së rrallë Nexhip Ejupi:
“Kam gënjyer / si Nazim Hykmeti… / të vuante më pak / i urti / i drejti… / por, ah, / jetoj / si qyqar… / gënjej / pa qenë gënjeshtar!” (266).
Tek lexon këto pak rreshta që përcjellin një domethënie sociale fort të thellë, nuk mund të mos biesh në mendime shpirtdëshpëruese: punët nuk shkojnë bukur mirë në këtë rruzullimin tonë. Varfëria, si një sëmundje ngjitëse, nuk po u shqitet nga jeta miliarda njerëzve. Në këto kushte, a duhet pranuar si e qenë formula, me të cilën njerëzia mbarë është yshtur tash e ca shekuj: “Në këtë botë, e mira gjithmonë ka fituar mbi të keqen?” Këtë formulë, personalisht, e vlerësoj si të dyshimtë. Në rrjedhën e shekujve, sistemet shoqërore kanë pas zëvendësuar njëri-tjetrin. Njerëzit kanë pas përmbysur një sistem të keq, për ta zëvendësuar me një më të mirë. Por ky, demek, i miri, me kalimin e kohës, ka pas pjellë të tjera të këqija jo më pak të rënda, derisa kemi arritur në këtë fazë të zhvillimit shoqëror ku jemi. Sipas statistikave që janë bërë të njohura me kohë e me vakt, 20% e njerëzimit sot ka në zotërim 80% të pasurive botërore. Me këtë rast, më duket se është me shumë vend të citoj një katërvargësh bukur të goditur të shkrimtarit dhe të publicistit të mirënjohur Siri Sulejmani: “Më duhet që t’ju flas hapur, / I padituri ta dijë, /Egoizmi - mbret i botës, / Interesi - bir i tij”. Dihet që njerëzit nuk lindin të barabartë për nga shkalla e intelektit, por kjo nuk do të thotë që mendjepaku të dergjet në varfëri përballë mendjeshumit. Shtetet në botë sa vijnë e po i largohen natyrës sociale, çka kërcënon të sjellë pasoja katastrofike për të ardhmen e njerëzimit. Është kjo arsyeja që kritiku mendjehollë Fatmir Terziu i citon me një mesazh të qartë ato vargjet brilante të të tre krijuesve të talentuar të vendit tonë që unë i ricitova pak më lart.
Në një poezi të viteve ’80, Dritëro Agolli ka një varg të tillë, në të cilin, duke iu drejtuar një fshatari, shpreh një urim në adresë të tij: “t’u bëftë guri dele!”. Kurse në një poezi tjetër të po atyre viteve, kur bën fjalë për ca vajza, që janë duke mbledhur fasule në një kooperativë bujqësore, thotë: “mblidhni, vajza, mblidhni, / por kujdes, mos vidhni!”. Mjaftojnë këto tre vargje të poetit të madh, për të arritur në një përfundim të dhimbshëm rreth marrëzisë komuniste shqiptare për tufëzimin e bagëtive në fshat në vitet 1980-1981 dhe për degradimin e sistemit kooperativist, që çoi në një varfërim të skajshëm të fshatarësisë shqiptare dhe që u mbyll me një katastrofë ekonomike kombëtare në fund të viteve ’80.
Në një katërvargësh të Ferit Lamaj, që unë e vlerësoj si aristokrat të fabulës shqiptare, bëhet një pohim me vlera universale: “Që së lashti vjen e thëna: / Qengj’ i urtë pi dy nëna. / Po nuk dini më të renë: / Pi servili gjithë kopenë”.
Poeti vetëm kaq mund të thotë përmes artit të magjishëm të fjalës. Është kritika ajo që duhet të bëjë përgjithësime dhe të nxjerrë përfundime, duke zbërthyer forcën e mesazhit poetik, të shprehur me një lakonizëm të skajshëm. Këtë detyrë kritiku Fatmir Terziu, në veprën në fjalë, e ka kryer në mënyrën më shembullore.
Në analizën që zoti Terziu i bën krijimtarisë së zotit Pëllumb Kulla dhe konkretisht romanit me titull “Vdekja e Enver Hoxhës” hasen dy frazat e mëposhtme “I vdekuri i Kullës nuk është i ndryshëm, por tipik. Ai e ka lënë litarin mbi varr…” (65). Mesazhi i fjalisë së fundit është kaq kuptimplotë, saqë atë mund ta konkretizosh me sa e sa fakte dëshpëruese nga jeta e vendit tonë që mund të zinin vëllime të tëra. Prandaj edhe vendi ynë vazhdon të ecë çalë-çalë, për t’u shkëputur me zor, por një herë e mirë, nga një tranzicion fort i vështirë, të cilin, trashëgimtarët e Enverit, tashmë me mbulojë socialiste, kërkojnë që ai të vazhdojë sa më gjatë. Psikologjinë makutiste që mbizotëron mes trashëgimtarëve të diktatorit në Shqipëri, para do kohësh, e demaskoi hapur fare njëra nga ish-figurat kryesore të pësë-së, zoti Spartak Poçi, i cili deklaroi në televizion:“Jam tmerruar kur nëpër korridoret e Partisë Socialiste kam dëgjuar këto fjalë: të marrim pushtetin që të grabisim shtetin”.
Duke analizuar krijimtarinë e Agim Shehut, e këtij poeti të ëndrrave rinore, a autorit të poezisë së magjishme “Dashuria e një matematikani”, që edhe sot e kësaj dite më zgjon një përmallim të ëmbël për vitet e një rinie të perënduar, kritiku Terziu citon pak rreshta nga një pohim fort domethënës i këtij poeti: “Kolegë me emër në art patën dinjitetin të flijoheshin pa i bërë qejfin diktaturës. Për mbijetesë, shumë prej nesh, (secili në shpjegimin e vet), tigrit, për t’ia larguar dhëmbët, i lëmuam lëkurën. Mbetet i hapur gjykimi nëse s’kish rrugë tjetër! Megjithatë lexuesit i duhet kërkuar falje për çdo shkrim që ledhatonte shtetin vrasës. Bukuria e artit harmonizon më hijshëm me bukurinë e karakterit” (212-213).
Nuk më është dhënë rasti ta lexoj më parë një pohim të tillë, por më duket se ky është i vetmi pohim i një krijuesi me një stazh gjysmëshekullor në fushën e letrave shqipe që bëhet për herë të parë pas shembjes së diktaturës. Nuk kanë qenë të paktë krijuesit që i kanë pas bërë temena diktatorit shqiptar, më të egrit në mbarë Evropën. Madje ka pasur edhe ndonjë syresh, si puna e zotit Kadare, që, megjithëse në një krijim të vetin pati arritur deri në perëndizimin e atij gjakatari (“Kur midis qiellit të kësaj vjeshte / Fjalët e Enver Hoxhës ndeshin / Bubullimat mënjanohen me nderim!”), pas shembjes së diktaturës, brenda vetes nuk gjeti dot forca për pendesë. Ndonëse zoti Terziu fjalët e sipërcituara të Agim Shehut i jep në formën e një zmbrapsjeje, e një “fluturimi lirik”, nga boshti themelor i kritikës së vet, lexuesi i kujdesshëm e ka të qartë që ai, në një vepër shkencore, i përmend ato veç sa për kujtesë për të gjithë ata krijues që i bënë freskdiktatorit, pa i detyruar kush, por që paskëtaj nuk morën as mundimin më të vogël për pastrimin e ndërgjegjes së vet.
Në faqet e “Kritikës ndryshe” për herë të parë mësova se në ca tregime të shkëlqyera të Faruk Myrtaj, të përkthyera në gjuhën angleze nga Përparim Kapllani dhe Arben Kallamata, niveli artistik i origjinalit nuk paska pësuar as firon më të vogël në gjuhën e përkthimit. Menjëherë më erdhën ndër mend fjalët e shkrimtarit të shquar kirkizian Çingiz Ajtmatov (lindur në vitin 1928) që thotë se “përkthyesi është artist, është personalitet”. Do të ishte mirënjohje për këta dy përkthyes të talentuar, nëse dikush nga specialistët e shqipes dhe të anglishtes, sidomos ata që janë profesorë të përkthimit në departamentet e anglishtes të universiteteve shqiptare, t’i analizonin këto përkthime të tregimeve të Faruk Myrtaj dhe të nxirrnin në pah vlerat e formimit shkencor dhe artistik të të dy përkthyesve të lartpërmendur. Po këtu mësova për herë të parë për përkthimin dhe botimin në suedisht në vitin 2003 të një vëllimi poetik të poetit Ibrahim Abedini, si edhe për përkthimin në gjuhën gjermane dhe angleze të poezive të poetit Rustem Geci, i cili, që prej vitit 1995, jeton dhe krijon në Gjermani.
Kjo vepër e zotit Fatmir Terziu është një homazh që u bëhet mbarë njerëzve të letrave shqipe, është një nderim i posaçëm për artin e tyre të fjalës. Për të qenë sa më objektiv dhe sa më profesionist, kritiku, siç e pranon edhe vetë zoti Terziu, duhet që të njohë sa më mirë letërsinë kombëtare dhe botërore, të jetë i pajisur me një kulturë të gjerë, të ketë një formim enciklopedik, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëjë analiza dhe përqasje me të vërtetë bindëse me krijimtarinë e autorëve vendës dhe të huaj, duke gjetur edhe pikëtakime përkatëse në kendvështrimet e tyre. Mendoj se këto kërkesa zoti Terziu i ka përmbushur me një përkushtim të admirueshëm dhe prandaj ka arritur të vërë në dorën e lexuesve një vepër me nivel të lartë shkencor. Nuk jam në dijeni nëse në Katedrën e Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës jepet ose jo si lëndë e veçantë kritika letrare. Nëse nuk jepet, më duket e padrejtë. Nëse jepet, jam i bindur plotësisht që zoti Fatmir Terziu do të ishte një profesor i shkëlqyer i kësaj lënde me aq autoritet. Por, për fat të keq, po bëhen gati 20 vjet që Shqipëria nuk është e zonja ta ndalojë dot “rrjedhjen e trurit” drejt vendeve të huaja. Prandaj edhe një kritik i tillë “potkonjfarkuar” sot është fat për dikë tjetër dhe jo për vendin tonë.
Me punën e palodhshme paraprake që ka përballuar për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre të vëllimshme, zoti Terziu, për mendimin tim, ka manifestuar, para së gjithash, një respekt të thellë ndaj vetvetes, si një intelektual me horizont të gjerë. Në rastin e kundërt, ai nuk do të ishte në gjendje të zinte një pozicion me kaq peshë në lëmin e kritikës letrare. Prandaj më duket me vend të pohoj se vepra “Kritika ndryshe” është skaneri më i pagabueshëm që, ai, jo qëllimisht, i ka bërë vetes. Kësisoj, profesori i kritikës letrare, zoti Fatmir Terziu, ka dhënë shembullin më kuptimplotë për të gjithë ata që dëshirojnë të matin forcat në lëmin e shkencës letrare, të cilët, zanafilltas, duhet të dinë se si pastrohen mirë ahuret e Augjiasit. Kjo ishte edhe arsyeja që këtë shkrim e titullova“Analiza e vetvetes”, duke pasur parasysh edhe fjalët e Stefan Cvajgut për Balzakun, që, me rastin e botimit të “Iluzioneve të humbura”, thotë: “…kjo vepër është analiza më e thellë…që Balzaku i bën vetes”.
Gusht 2009
Botuar me shkurtime në gazetën “Albania”, 23 gusht 2009, dhe botuar i plotë në gazetën “Republika”, 23 shtator 2009.
Prof. Dr. Eshref Ymeri është i biri i Hasan Ymerit, veteranit të Luftës së Vlorës të vitit 1920, të cilin Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, me dekret nr. 4040, datë 14 korrik 1965, e ka dekoruar me medaljen “Për veprimtari patriotike”, me këtë motivacion: “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Është i lindur në Smokthinë, në fshatin Mesaplik, më 25 dhjetor 1940. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1952. Kurse shkollën 7-vjeçare e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në fshatin Ramicë në vitin 1955. Në vitin 1959 përfundoi gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë. Për rezultate të larta në mësime, atë vit iu dha e drejta për të vazhduar studimet universitare në Bashkimin Sovjetik, në njërin nga universitetet e Shën Peterburgut (ish-Leningrad). Pas prishjes së marrëdhënieve dhe ndërprerjen e të gjitha marrëveshjeve që udhëheqja sovjetike bëri me Shqipërinë, në qershor të vitit 1961 u kthye në atdhe dhe filloi studimet në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi ruse. Për arritje të larta që pati gjatë studimeve në universitet, në mbarim të tyre, në qershor të vitit 1966, Universiteti i Tiranës e emëroi pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Meqenëse ishte një njohës shumë i mirë i gjuhës ruse dhe specialist i përgatitur i përkthimit, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, në maj të vitit 1975, e dërgoi me shërbim në Republikën Popullore të Kinës për të ndjekur nga afër botimin në gjuhën ruse të vëllimit të dytë të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës. Puna për botimin e këtij vëllimi vazhdoi për gjashtë muaj. Pas
Hasan Ymeri (1890-1970): Kosovën e kemi tokën tonë, edhe ajo Shqipëri është. Dëgjo këtu, more bir: po nuk u bashkuan të katër vilajetet që kemi pasur, Shqipëria kurrë s'ka për të bërë prokopi. Pa Kosovën, Shqipërisë bota s'do t’ia vërë veshin kurrë. Shqipëria pa Kosovën është si një fëmijë i plevitosur që kurrë s'ka për t’u bërë përpjetë. Shqipëria pa Kosovën shpatullat i ka kallkan. |
Ndërkohë, Shtëpia Botuese “8 nëntori” filloi ta zinte me punë si përkthyes të jashtëm, meqenëse në vjeshtën e vitit 1977 kishte filluar të shtohej intensiteti i punës për përkthimin dhe botimin në gjuhë të huaja të veprave të zgjedhura të Enver Hoxhës. Më në fund, pas një viti e gjysmë përpjekjesh për sqarimin e së vërtetës, dikush nga strukturat e larta të partisë dha porosi për tërheqjen e dosjes së tij nga Kukësi për në Tiranë dhe përcjelljen e saj për në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, duke marrë paraprakisht miratimin edhe nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, meqenëse ishte fjala për ta emëruar përkthyes të veprave të Enver Hoxhës në gjuhën ruse. Aty filloi punën në mars të vitit 1979. Nuk kishte kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga puna e tij si përkthyes, kur instituti i lartpërmendur dha porosi për emërimin e tij si shef të Redaksisë së Botimeve në Gjuhë të Huaja në atë shtëpi botuese (redaksi kjo që kishte në organikë 42 veta, bashkë me personelin ndihmës), detyrë që e filloi më 1 gusht të vitit 1981 dhe e la në fund të tetorit të vitit 1990. Gjatë atyre viteve redaksinë (që disa vepra të Enver Hoxhës i përkthente dhe i botonte në 7 gjuhë të huaja) e drejtoi me shumë sukses, përballoi edhe vetë një volum të madh pune (bashkë me përkthyesit e tjerë të sektorit të gjuhës ruse), duke marrë përsipër drejtpërsëdrejti edhe punën e përkthyesit të veprave të Enver Hoxhës, të botuara në gjuhën ruse. Për kontributin e rëndësishëm që dha në drejtimin e redaksisë dhe në përkthimin e veprave të Enver Hoxhës, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë e dekoroi me medaljen “Naim Frashëri” të klasës së dytë. Në fund të vitit 1991 largohet me dëshirën e vet nga Shtëpia Botuese “8 nëntori” dhe më 1 janar 1992 rifillon punën si pedagog në Katedrën e Gjuhës dhe të Letërsisë Ruse të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës. Këtu punën e vazhdoi deri më 31 gusht 2003. Më 01 shtator të po atij viti largohet për në pension.
Nga e djathta në të majtë: Anita (nusja e Plarentit), Plarenti (biri ynë) me djalin në krahë (Drinin), Eshrefi, Havaja, Kesiana (bija jonë) |
I. Aktiviteti pedagogjiko-shkencor
1. Tekste mësimore
1968----Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të parë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).
1972----Tekst mësimor për zhvillimin e gjuhës së folur të studentëve të kursit të dytë të gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).
1974----Tekst mësimor për gramatikën e gjuhës ruse për të katër kurset e studentëve të gjuhës ruse, me grup autorësh (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).
1981----Tekst mësimor (me analiza teksti) për studentët e kursit të parë dhe të dytë të degës së gjuhës ruse, me bashkautor (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).
1982----Tekst me tema bisedimi në ndihmë të specializimit të mësuesve të gjuhës ruse për zhvillimin e gjuhës së folur ruse (botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike).
1984----Formula bisedore. Tekst në ndihmë të specializimit të mësuesve të gjuhës ruse për shkathtësimin e shprehive të folurit në gjuhën ruse (botim i Institutit të Studimeve Pedagogjike).
2002----Gjuha e folur ruse. Tekst mësimor për studentët e të katër kurseve të degës së gjuhës ruse (botim i Shtëpisë Botuese të Librit Universitar).
2. Lëndë mësimore praktike që ka dhënë në universitet.
Gjatë kohës që ka punuar si pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ka dhënë:
Lëndën e gjuhës së folur ruse në të katër kurset.
Lëndën e gramatikës praktike të gjuhës ruse në kursin e parë dhe të dytë.
Lëndën e analizës së tekstit në të katër kurset.
3. Kurse leksionesh që ka dhënë në universitet
Leksionet e stilistikës së gjuhës ruse (bashkë me seminaret).
Leksionet e gjuhësisë së përgjithshme.
Leksionet e letërsisë ruse (bashkë me seminaret).
Leksionet e përkthimit (bashkë me ushtrimet e përkthimit).
4. Artikuj metodiko-shkencorë dhe shkencorë
Artikuj të tillë janë botuar në gazetën “Mësuesi”, në revistën “Studime filologjike” dhe “Gjuha jonë” gjatë viteve ’70-80 të shekullit të kaluar.
II. Përkthime socialpolitike
Në Shtëpinë Botuese “8 nëntori”, gjatë viteve 1977-1991, ka përkthyer 3200 faqe për veprat e zgjedhura të Enver Hoxhës që u botuan në gjuhën ruse në 6 vëllime (me rreth 1000 faqe çdo vëllim).
III. Përkthime artistike
Gjatë viteve 1998 e në vazhdim, ka përkthyer e botuar vepra të shkrimtarëve:
Aleksej Prijma: “Edgar Kejsi” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1999).
F.M. Dostojevski:
1. “Një zemër e dobët” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1998 dhe Shtëpia Botuese ABC, Tiranë 2008).
2. “Sozia” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2000).
3. “Pollzunkovi” (një roman me nëntë letra) (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2000).
4. “E zonja e Shtëpisë” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2001).
5. Një grua bote dhe një burrë poshtë shtratit” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2002).
Italo Kalvino: “Përralla italiane” (Shtëpia Botuese DeaS, Tiranë 2000).
Ky është profeti Muhamed, i dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin (përgatiti për botim dhe botoi Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Përkthyer në gjuhën ruse, Tiranë 2008).
Nikollaj Kolada: “Nishani” (dramë; vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në vitin 2006).
Ludmilla Razumovskaja: “E dashur Elena Sergejevna” (dramë; vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në vitin 2007).
Vath Koreshi: Skenar i filmit “Porta Eva” (përkthyer në gjuhën ruse; prodhim shqiptaro-rus. Regjisor: Albert Minga. Producent Aleksandër Mihajllov. U xhirua në Shqipëri në vitin 2000 dhe doli në ekran në vitin 2001).
Zheni Kostandinova: “Vanga” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 1999).
Zhorzh Amadu: “Zonja Flora dhe dy burrat e saj” (Shtëpia Botuese OMSCA, Tiranë 2001).
Kobo Abe: “Një grua e burgosur në rërë”. (Dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Bota Shqiptare” në vitin 2009).
Leonid Grossman: “Pushkini”. (Dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese EDFA në vitin 2009).
IV. Fjalorë
Fjalor i termave të mbrojtjes kundërajrore (me bashkautorë) (Botim i Akademisë Ushtarake, Tiranë1990).
Fjalor frazeologjik italisht-shqip (me bashkautor) (Shtëpia Botuese AFЁRDITA, Tiranë 1997).
Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese TOENA, Tiranë 2002).
Fjalor i madh frazeologjik italisht-shqip (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).
Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe (i pasuruar dhe i ripunuar) (me bashkautorë) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).
V. Redaktime fjalorësh
Fjalor rusisht-shqip (grup autoresh) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2005).
Fjalor shqip-rusisht (autore prof. as. Mukades Mançe) (Shtëpia Botuese EDFA, Tiranë 2007).
VI. Publicistikë
Prej vitit 1991 dhe deri tani ka botuar 217 artikuj publicistikë për probleme që shqetësojnë vendin tonë dhe mbarë kombin shqiptar, përfshirë këtu edhe artikuj me tema shoqërore dhe artikuj polemikë.
VII. Botime të tjera
Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse (me bashkautor) (Shtëpia Botuese TOENA, Tiranë 2006).
Tradita e politikës ruse ndaj kombit shqiptar (me bashkautor) (ndodhet në proces botimi).
VIII. Kualifikimi shkencor
16. 12. 1989----merr gradën shkencore “Kandidat iShkencave” (me vendim nr. 208 të Komisionit të Lartë të Atestimit).
14. 12. 1994----Grada “Kandidat i Shkencave”, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 351, datë 30.06. 1993, konvertohet në gradën shkencore “Doktor”.
13. 12. 1994----merr titullin “Asistent Profesor” (me vendim nr. 11 të Komisionit të Kualifikimit Shkencor).
11. 05. 2001----merr titullin “Profesor” (me vendim nr. 53 të Komisionit të Kualifikimit Shkencor).
Fakulteti i gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, në kuadrin e programit TEMPUS, më 2 dhjetor 2001, e përfshiu në një grup pedagogësh të përkthimit nga gjuhë të ndryshme (si anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja) dhe e dërgoi në Britaninë e Madhe, pranë Universitetit të Uestminsterit, ku qëndroi një javë për shkëmbim përvoje nga fusha e përkthimtarisë.
Përveç aktivitetit të tij të gjatë si pedagog universiteti, përkthyes, gjuhëtar, leksikograf dhe publicist, është i mirënjohur edhe si interpret (përkthyes gojor) i gjuhës ruse. Kështu, si interpret nga rusishtja në shqip dhe nga shqipja nërusishte, ai ka marrë pjesë:
a) në të gjitha konferencat e PABSEK-ut dhe BSEK-ut të zhvilluara në Tiranë që prej themelimit tëtyre deri para do kohësh;
b) në disa aktivitete të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar të zhvilluara nëTiranë;
c) në disa aktivitete të UNICEF-it dhe tëIOM-it tëzhvilluara në Tiranë.
Poashtu, si interpret nga rusishtja në shqip dhe nga shqipja në rusishte, ka shoqëruar:
1. Delegacionin e Parlamentit Shqiptar, të kryesuar nga Kryetari i tij, zoti Pjetër Arbnori, gjatë vizitës së tij:
a. në Shën-Peterburg, ku ishte i ftuar nga Universiteti i atij qyteti për të marrë pjesë në një sesion shkencor në përkujtim të 5-vjetorit të vdekjes së albanologes së shquar ruse Desnjickaja (01 qershor 1995);
b. në Moskë, ku u zhvillua Konferenca e radhës e PABSEK-ut (04-07 qershor 1995).
2. Delegacionin e Parlamentit Rus, të kryesuar nga zëvendëskryetari i tij, zoti Sergej Baburin, i cili zhvilloi një vizitë në vendin tonë nga data 17 deri më 19 mars 1999. Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetari i delegacionit rus zhvilloi bisedime me:
a. Presidentin e Republikës, prof.dr. Rexhep Meidani;
b. Kryetarin e Parlamentit, prof.dr. Skënder Gjinushi;
c. Kryetarin e Këshillit të Ministrave, zotin Pandeli Majko;
ç. Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Shqiptar, zotin Sabri Godo, bashkë me anëtarët e atij komisioni;
d. Kryetarin e opozitës, prof.dr. Sali Berisha.
3. Delegacionin e Parlamentit të Armenisë, të kryesuar nga Kryetari i tij, gjatë vizitës që bëri në vendin tonë më 28 qershor 2000, kur filloi punimet edhe Konferenca e radhës e PABSEK-ut.
4. Delegacionin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit gjatë vizitave që bëri në Armeni:
a. në tetor 1998;
b. në shkurt 1999.
5. Delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga ministri Safet Zhulali gjatë një vizite që ky bëri në Ukrainë prej 24 deri më 27 shkurt 1997, me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, gjeneral Kuzmuk.
Tani ka nëpër duar dhe është duke e përfunduar Fjalorin e Madh Frazeologjik Rusisht shqip. Në të njëjtën kohë, është duke punuar paralelisht edhe për përgatitjen për botim të një Fjalori të Madh Frazeologjik Anglisht-Shqip.
Nuk është i angazhuar në asnjërën prej partive politike. Është i martuar. Bashkëshortja e tij, Hava Cani-Ymeri, ka mbaruar Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi ruse në vitin 1972. Ka punuar si mësuese e rusishtes dhe e anglishtes dhe në prill të vitit 2007 ka dalë në pension. Kanë dy fëmijë - Plarent dhe Kesiana Ymeri. Që të dy kanë përfunduar studimet universitare dhe pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Plarenti tani punon në një kompani të njohur amerikane për prodhimin e aparaturave mjekësore dhe farmaceutike, në qytetin Santa Barbara të shtetit të Kalifornisë, kurse Kesiana punon pedagoge e vjolës dhe e violinës në një akademi harqesh në qytetin Cincinnati të shtetit Ohajo (Ohio).
---------------------------------------