2011-03-07

Ekskluzive: Letër e Nexhmije Hoxhës drejtuar Dushan Mugoshës


I dashur shoku Dushan.
Me keqardhje të madhe mora vesht largimin tënd nga Shqipnija. Veçanërisht më erdhi keq që nuk mundëm të takohemi para se t'iknje. Me gjithë se kemi ndenjur pak kohë bashkë e ndjej mungesën t'ënde në mes t'onë ashtu si edhe shokët më t'afërt. Sigurisht do të kujtojsh jo vetëm shokët që jetove dhe bashkëpunove gjatë këtyre dy
vjetëve e ma, por sigurisht do të marrë malli dhe për malet e fushat e Shqipërisë që i lave me djersë dhe që u pive dhallën. A po jo ?
Jo vetëm ne, por gjithë populli Shqiptar do të ketë një mik të dashur të tij e sigurisht kur të sjellë rasti të kthehesh ndonjë herë në vendin t'onë, do të shohësh se me punë do të të shpërblejë atë që ke bërë për shpëtimin dhe naltësimin e tij.
Sigurojmë me bindje të plotë që do të shtojmë gjithnjë hovin e punës që të forcojmë e të naltësojmë Partinë t'onë dhe ti sigurojmë dhe popullit t'onë pushtetin e tij. Se vetëm kështu do të shpërblejmë dhe ndihmën t'uaj të vlefshme.
Dushan, thuaju shokëve të Jugosllavisë, se shokët Shqiptarë ndjekin me admirim hapin e tyre dhe kërkojnë emra që të ndjekin dhe shembullin e tyre heroik. Thuaju që gjithë populll Shqiptar ndjenë për popujt e Jugosllavisë dhe për luftën e tyre një dashuri të madhe. Të gjithëve të fala shoqërore. Mos na harro. Po të mundësh na kujto dhe me ndonjë cop letër. Udhë e mbarë dhe u pjekshim për së shpejti në botën e lirë. Vdekje fashizmit - Liri popullit.
Të fala shoqërore Nexhmija

Ekskluzive: Letër e Enver Hoxhës drejtuar Dushan Mugoshës


Shok i dashur Dushan Mugosha (?) Tash jam më i fortë nga atë ditë që u ndamë po malli është kurdoherë i madh. Aliu qërikësh më i fortë nga ne, sidoqë sigurisht e marr me mënd ay e dinte se sa e preku ndarja. Jo ne por të gjithë ishin të prekur. Dr. Nishani zuri të qarët duke thënë ?kujtoj poshtërsitë që ka thënë armiku për Dushanë e Alinë për këta dy shokë, aq të mirë, të vendosur, që kanë lënë familjet, vendin e tyre dhe erdhën të na ndihmojnë ne, të luftojnë tok me ne?
Por të flasim për punë pak. Këtu kanë ardh gati të gjithë Tuk, Besnik, Hodo, Dali, Beqir Balluk, Nexhip, Pullumb etj. Nakua me Shulen s'kanë ardh ora:t1 . Me ta kemi fillue me ba disa konferenca. E filloi Tuku me Besnikun, konferenca publike për 'mbi aksionet e Brigadës, qëndrimin e partizanëve etj .. Do të fillojmë dhe një kurs të vogël, ne kemi konferenca me këto tema.
Lufta imperialiste e para, dhe e dyta, luftë e drejtë dhe e padrejtë.
Partia në Ushtri.
Organizimi i pushtetit.
Lufta Nacional-çlirimtare.
Do të organizojmë edhe disa kurse ushtarake. Tuku nuk është shumë i kënaqur nga Mehmeti (mos e merr se po të shkruaj apostafat për këtë gjë dhe me tendencë). Por Tuku na priste dhe thotë se qëkur ka ikur Sala Mehmeti s'peshon njeri, përpara mbledhjes së brigadës ka nënvleftësuar aksionin kundër Haki Blloshmit dhe atë të 000. Urdhëra të çuditshme dhe jo shoqërore i ka dhënë Tukut e mjaft gjëra të tjera. Të gjitha këto, mos ki frikë se do t'j shohim me gjakftohtësi, pa paragjykime dhe do të veprojmë
ashtu si vendosëm.
Zgjedhjet në Korçë po bëhen me sukses në zonat e lira, por kemi frikë se do të na vinë
shumë pak nga zonat e okupuara. Do të të lajmërojmë për zhvillimin e gjërave. Dushan
na shkruaj dhe ti kurdoherë.
Të përqafoj me shumë mall
Taras

Romani i Jusuf Buxhovit "Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit", dritare për njohjen e shqiptarëve

Romani i Jusuf Buxhovit, "Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit", në gjuhën frënge, lexuesit francez ia hap edhe një dritare të re për ta njohur më mirë botën shqiptare dhe përpjekjet historike për t'i ruajtur rrënjët e qytetërimit perëndimor.

Kështu u tha kohë më parë  në Paris, në "Theatre de Lucernaire", para një auditoriumi të gjerë kulturor dhe intelektual të kryeqytetit francez, të cilit iu dha rasti që të vërë edhe një urë të re lidhëse me një aspekt të vlerave shpirtërore të shqiptarëve.

"Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit" i Jusuf Buxhovit u botua së fundi në frëngjisht nga shtëpia e njohur botuese nga Parisi "L'Harmattan". Eseisti dhe kritiku letrar Aleksandar Zotos, redaktor i librit, ka thënë se kjo nuk është si çdo njohje, por fjala është për një "leksion" historik me anën e prosedeut artistik, ku autori bën përpjekje që të shpalosë dimensionet e thella historike të përkatësisë civilizuese të një populli në rrafshin horizontal dhe atë vertikal, duke nxjerrë në pah faktorët përcaktues.

Zotos theksoi se romani "Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit" shpalos kompleksitetin e qenësisë shqiptare në një hapësirë, ku qytetërimet e kundërta do të ndeshen për jeta a vdekje, por që ajo shfaqet si një dramë e thellë ekzistenciale e një kolektiviteti, i cili mund të mbijetojë vetëm në saje të fuqisë shpirtërore dhe assesi ndryshe.

Edhe kritiku dhe publicisti francez, Mishel Riviere, mbrojti këtë qëndrim, duke thënë se murtaja te Buxhovi dallon nga ajo që shfaqet te Camus, ngase te autori shqiptar nuk kemi pasqyrimin e atmosferës së dorëzimit dhe të rënies siç ndodh rëndom përballë kësaj sëmundjeje por të gjetjes së ilaçit kundër saj, edhe pse kjo duket iluzore.

Sanije Bajraktari, zëvendësambasadore e Kosovës në Francë, e cila u ndal te kontekstet shoqërore e madje edhe ato politike të kësaj vepre, duke i shikuar ato në përputhje me ngjarjet kohore, ishte e mendimit se murtaja te Buxhovi është një përgjigje intelektuale ndaj sfidave ekzistenciale me të cilat elitat e këtij populli janë ballafaquar në momentet kur u ka munguar instrumenti i shtetit.

Autori, pa dashur të merrej me vlerësimet si dhe sa e ka inspiruar historia këtë vepër, theksoi se intelektualët e kanë për detyrë që të gjenden në krye të lëvizjeve kulturore dhe shoqërore për të dhënë kontributin e tyre.

FYTYRA E DYTË

Bashkëbisedim i Odhisea Elitis me Andon Fostierin dhe Thanas Niarhon )

Përktheu nga origjinali: ILIAZ BOBAJ

Në mars të vitit 1981, Odhisea Elitis dha për botim në revistën ''Leksi'' (''Fjala''), (një botim periodik me letërsi greke dhe të huaj), një anekdotë poezi të ''Ad Libitum'', e cila u botua në numrin e tretë të saj, që më vonë përfundoi në njerën nga tri poezitë e suksesshme dhe një seri mendimesh të rëndësishme poetike, me titull ''Karem për askënd''. Në të njëjtin numër u botua edhe bashkëbisedimi i tij i gjatë me Andon Fostierin dhe Thanas Niarhon në lidhje me poezinë,veprën e tij në përgjithësi dhe për marrjen e Çmimit ''Nobel'', të fituar rishtas prej tij.

Le të sjellim para lexuesit intervistën e plotë të nobelistit Elitis.

- Sido që të pritet një çmim, siç është ai ''Nobel'', një çmim me vlerën dhe historinë e tij, por edhe me famën botërore, që i jep autorit që e merr, ai është një hap tjetër në jetën dhe krijimtarinë e një poeti. Cilat janë, pra, parashikimet dhe drejtimet, që shpërfaqen në punën tuaj, pas marrjes së tij?

- Dy llojesh mund të jenë pasojat: psikologjike dhe praktike. Për fat të mirë, në rastin tim, nuk u shfaq asnjë pasojë psikologjike. Dua të them se në botën time shpirtërore, ky lajm, nuk më rëndoi aspak. Do të ishte pamendësi të ndjeja se papritur u bëra i rëndësishëm ose duhej të ndryshonte mënyra e jetesës dhe përballimi i saj. Akoma më tepër të përpiqem të përshtat artin tim ndaj kërkesave të lexuesve, i cili nga kombëtar, bëhej ndërkombëtar. NGA ARVANITËT, PARAARDHËSIT E NËNËS SIME, KAM TRASHËGUAR NJË SEDËR, QË MË KA DALË PËR MIRË.

Që nga hapat e parë, m'u dha të përvijoja linjat e përgjithshme të ngrehinës që do doja të ndërtoja. E solla deri këtu me disa suksese, por edhe me shumë avari. Sot, e vetmja gjë që më intereson, është të kem shëndet dhe kohë, për ta plotësuar atë. Gjithnjë me shumë vështirësi dhe gjithnjë duke iu përafruar përsosmërisë. Nuk e kam parë, pra, me syrin se ku mund të vlejë apo të dëmtojë ky çmin, përderisa synimet e mia janë ato që thashë. ''Prerje'' në botën time shpirtërore, e përsëris, nuk ka. Ndërsa në anën praktike, sigurisht që ka. M'u bë jeta mishmash. Këtë grumbull kërkesash, të cilat deri tani vështirësohesha t'i përballoja brenda Greqisë, pa mendoni të shumëfishohen 20 ose 30 herë. Në fillim thashë: do të vë të gjitha fuqitë e mia për t'ia dalë mbanë, derisa të jipet çmimi zyrtar. Pastaj do të qetësohem. Ku ta dija unë se e keqja më e madhe do të ndodhte më vonë... Para se të largohesha prej Stokholmit, shkova të përshëndesja Sekretarin e Akademisë, zotin Gilensten, një njeri i mrekullueshëm. ''Kijeni ndër mend'', më tha: “se dashur, padashur, dy vjet të jetës suaj do të shkojnë kot''. M'u duk pakëz e tepruar, thjesht një shprehje. Por ka kaluar një vit e gjysmë dhe nuk po gjej ende pakëz kohë për të hapur dorëshkrimet e mi. Natyrisht ka faj edhe karakteri im. Nuk e kam patur kurrë aftësinë për të vënë të tjerët për të punuar për mua. Vazhdova t'i bëja të gjitha vetë. Iu jam përgjigjur me dorën time mbi njëmijë e dyqind letrave. Kam dërguar qindra autografe. Kam bërë nëntë filma për televizionet e huaj.

Por më të vështirat nga të gjitha, ishin mospranimet. Se, nuk mjafton vetëm të mos i pranosh ftesat, dikur shumë emocionuese, por duhet edhe t'i arsyetosh dhe t'i falënderosh.Veç sfilitjes tjetër: atë të botuesve, që grinden midis tyre dhe të ngatërrojnë në lloj-lloj marrëveshjes misterioze apo të përkthyesve, të cilët të parashtrojnë njëzet-tridhjetë pyetje dhe sqarime. Këto janë gjëra jashtë poezisë, të cilat je i detyruar t'i kapërcesh sa të jetë e mundur më shpejt. Përpiqem.Veçse me mospranimet kisha krijuar shumë pakënaqësi. Por edhe kjo, mesa duket, është pjesë e çmimit, që në çastin që e pranove.

Dhe unë e pranova atë.

- Dhënia e çmimit Nobel tek ju, në cilët vende pati jehonën më të madhe?

- Në Spanjë, në Gjermani dhe në Rumani. Pas këtyre vendeve edhe në Itali, në Francë, (ku edhe më bënë doktor nderi të Sorbonës) dhe në SHBA. Jehonën më të vogël e pata në Angli.

- Sa prej librave tuaj janë përkthyer dhe qarkullojnë jashtë vendit?

- Kanë qarkulluar rreth pesëmbëdhjetë. Dhe, brenda vitit 1981 mbeten edhe pesë të tjerë. Kryesisht ''Maria Nefeli'', i cili, është e natyrshme që të kuptohet më lehtë. Por të gjitha këto nuk më japin as kënaqësinë më të vogël. Ç'mund të japin përkthyesit në gjithë ato gjuhë, ku nuk mund të bëhet asnjë lloj kontrolli?

Dhe, kur bëhen me kaq nxitim, për të t'i paraprirë aktualitetit? Parapëlqej më mirë të mos e mendoj fare.

- Ju janë bërë oferta për të vizituar vende të ndryshme dhe si i kini pritur ato?

- Disa prej tyre do të më interesonin shumë, pasi bëhet fjalë për vende, (si Meksika, Kina, Koreja, India), në të cilët vetë nuk mund të shkoja kurrsesi. Por edhe shtatëmbëdhjetë apo njëzetekatër orë në avion, nuk mund t'i përballoj. Qytete të ndryshme të Amerikës dhe të Europës Qendrore, nuk më interesojnë më. Kështuqë deri më sot kam pranuar vetëm atë të Qipros, me të cilën më bashkojnë lidhje të ngushta. Edhe Spanjën, e cila tregoi se u gëzua me përzgjedhjen time, sikur të isha spanjoll. E pata lexuar në gazetat e tyre. Dhe e vërtetova kur shkova aty në tetorin e kaluar. Nuk desha ta rrëfeja, për të mos menduar se dua të dukem. Problemi nuk isha unë, por Greqia. Gjatë gjithë kohës prej shtatëmbëdhjetë ditësh të turneut tim, gazetat dhe revistat nuk pushuan për asnjë ditë të vetme së shkruari për Greqinë. Është mëkat që një popull të na dojë kaq shumë dhe ne të mos e dimë.

- Meqë flasim për Spanjën, cila është ajo gjë, që ju emocionoi më shumë tek ky vend?

- Vizita në Toledo. Më prisnin dy surpriza. Shpallja ime Qytetar Nderi. Dhe, binjakëzimi i qytetit të Toledos me vendlindjen e Theotokopullos, (EL GREKO, 1541-1614 - shënimi im): Iraklio i Kretës me Fodele. Mandej ishte Fuendevaqero, fshati i Lorkës. Të gjithë njerzit kishin dalë për të më pritur. Kryetari i bashkisë kishte përgatitur një pllakë përkujtimore argjendi. Më shpunë në shtëpinë e poetit, më ulën në pianon e tij, më dhanë dhurata. Kurse në mbrëmje, Kryebashkiaku i Granadës, ndriçoi Alambrën, (kështjellë dhe pallat i mbretërve mauritanezë të Granadës, shek XIII - shënimi im). E ndjej për detyrë ta ritheksoj. Nuk bëhet fjalë për mua. Bëhet fjalë thjesht për një grek. Atë donin të nderonin dhe kjo ka rëndësi.

- Ka poetë, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë, të cilët kanë ndikuar, (nëse jo për mënyrën e të shkruarit, pasi ajo u shpërfaq në letrat greke dhe në poezinë greke së bashku me ju), si vizion dhe simënyrë jetese? Dhe, cilët janë poetët, të cilët, tej çdo ngjashmërie dhe vizioni tuaj, që ju mund t'i njihnit, e ndjeni se jini të afërt me ta?

- Duhet të besoni të kundërtën e asaj që thoni. Në mënyrën e të shprehurit, pata ndikime, veçanërisht në hapat e mi të parë. P.sh. paraqitja dhe sintaksa krahasuese e Eluarit, më dhanë mbështetje. Ashtu si edhe forma mungesore e Ungaretit dhe pastërtia dhe intelekti i Jorgo Sarandarit. Më vonë Lorka dhe fabulizmi i tij popullor. Por si paraqitje dhe si mënyrë jetese nuk kopjoj askend, të paktën midis bashkëkohësve të mi, grekë dhe të huaj. Në këtë kuptim, realisht, jam jetim. Prandaj edhe kur më paraqesin si përfaqësues tipik të brezit të viteve 1930, habitem se ku e mbështetin këtë mendim. Fatkeqësisht nuk kam, (po të përjashtoj në njëfarë mënyre Andrea Embirikon), asgjë të përbashkët me kolegët e mi. Dhe, them: ''fatkeqësisht'', se është vështirë ta durosh vetminë. Natyrisht, nëse dikush shkon larg, ai gjen të dhëna të caktuara. P.sh. ndjesinë e natyrës, të cilën e ndesh tek Siqelianoi, guximin e të njohurit si tek Kalvo, kulturën gjuhësore si tek Solomo, të cilat u mundova t'i marr prej tyre, pa e ditur nëse ia arrita. Ndoshta këta poetë, nëse do të njihnin veprën time, mund ta hidhnin poshtë, secili për arsyet e veta. Personalisht, mësuesit e mi të mëdhenj, (por besoj për të gjithë ata që punojnë rregullisht në mjeshtërinë poetike), mbeten Helderlin, Malarme, Rembo dhe Solomos. Madhështia e Solomos më shpërfaqet përherë e më tepër dhe nuk dobësohet kurrë. Sikur të jetoj edhe njëqind vjet të tjerë, besoj se diçka do të studioj, diçka do të zbuloj nga gjenialiteti i tij. Është fatkeqësi që të huajt nuk mund ta lexojnë greqisht. Jo më kot thoshte Zisis Lorenxatos: ''Duhet të kesh lindur brenda gjuhës greke, që ta kuptosh Solomonë''.

- Në çfarë periudhash të mëdha do të mundnit ta ndanit sot ju vetë veprën tuaj, cilat janë

të dhënat kryesore, të cilat karakterizojnë këto periudha?

-Këto ndarje mund të jenë të dobishme kur bëhen prej historianëve të letërsisë sonë, për arsye studimi. Ndërsa për ne, ç'kuptim kanë? Mund të kem kaluar prej provash, peripecive të të shprehurit dhe transformimeve, pasi i takoj një brezi që nuk arriti të plakej me idealet që ushqyen rininë e tij. Do të parapëlqeja më mirë të heshtja, se sa të shndërrohesha në një makinë kopjuese të vetvetes. Besoj se ka një njësim më të thellë në gjithë rrugëtimin e përpjekjes sime poetike. Se ''jam edhe nga ana tjetër'', siç them tek ''Maria Nefeli''.

Veçse ajo që ndoshta i ngatërron kritikët e mi, është zhvillimi ''brenda të njëjtit çast'' i të dyja shtysave, që mbizotërojnë tek unë. Me këtë nënkuptoj komunikimin tim të pandërprerë dhe të vazhdueshëm me lëndën, nga njera anë dhe nga ana tjetër prirjen time të vazhdueshme drejt ekzagjerimit, dy gjëra, të cilat jemi mësuar t'i nënkuptojmë të ndara nga njera-tjetra. Mos vallë pikërisht kjo përbën edhe shenjat e gishtrinjve të mi? Poeti është i fundit që ka të drejtë të gjykojë veprën e vet. Përjashtoj faktin se një intervistë është vendi më i përshtatshëm për të guxuar për një përpjekje të tillë. Sinqerisht, nuk mund t'u them asgjë tjetër. Mund t'ju flas vetëm për veprat e mia të reja. Është ''Tri poezi me flamur të rastit'', të cilat shpresoj të qarkullojnë brenda këtij viti. Veç kësaj është edhe ''Lundërtari i vogël'', pjesë të të cilit janë botuar para disa kohësh në revistë. Është edhe ''Elegjia e Oksopetras'', një seri poezish, të cilat i kam ende në mes dhe lutem të më jipet forca e nevojshme për t'i përfunduar. ''Oksopetra'' është një vend gjeografik, një gadishull në ishullin e Astipaleas. Për mua është pjesa e tokës që hyn më thellë në det, pjesa më e skajshme e epokës sonë brenda një epoke tjetër dhe pjesa më e skajshme e jetës sime brenda vdekjes. Të shohim.

- Si ndjehet në personalitetin tuaj poetik, puna dhe kontributi juaj në një art si kolazhi? (teknikë vizatimi, në të cilën, përveç ngjyrave, përdoren edhe materiale të ndryshme, si fotografi, pulla poste, basma etj. Këtu ka kuptimin e strukurës artistike - shënimi im).

- Në poezi përherë mundohem që pamjet e mia të kenë një përballje konkrete me realitetin. Të shoh jashtë vetes sime, në një mjedis objektiv vizionet që përvijojnë mitologjinë time individuale. E meqë nuk jam piktor, nuk di të projektoj, i mora të gatëshme të dhënat që i kisha të nevojshme dhe përparova në strukturën time tej kufirit të logjikës. Më pëlqente që kjo të sillte një pështjellim midis njerëzve të kultururës dhe hutim tek specialistët.

Më mbetet të kërkoj se sa thellë fajtojnë shtysat tona dhe sa vet padituria. Kolazhi është një metodë konkrete. U shpik nga Maks Ernst, i cili fillimisht mendoi të ngjiste copra të vjetra zinkografie, për të na dhënë mishin dhe kockat në vizionet e tij tej realitetit. Atëherë ishin të shumtë ata që e imituan atë dhe, mesa di, në Greqi, Nanos Ballaoritis dhe Dhimitër Kalloqiris, me shumë sukses. Veçse ngjitja në ujvarën e vjetër, besoj se pasqyronte thjesht psikizmin e Ernst. Për mua kjo nuk kishte asnjë rëndësi. Përkundrazi, më ofronin shumë gjëra fotografitë bashkëkohore, bardhezi dhe me ngjyra, të cilat u jipnin gjallëri gjërave të parëlindura dhe veçantinë e të dhënave natyrore të vendit tim. Mbajta metodën dhe ndryshova lëndën.

Kjo ishte gjithshka. Por, meqë kjo nuk ishte bërë herë tjetër, as në Greqi, as në Europë dhe nuk kishte term krahasimi dhe pikë referimi, u krijua një mëdyshje dhe ngatërresë. U drejtuan për ndihmë tek Pikaso dhe Matis për të mësuar. Por ata veçse pikturonin. Por edhe Pikasso, në periudhën e tij kubiste, mendoi thjesht nga reagimi në shkrirjen e objektit, që kishte më parë, të shtonte p.sh një copëz gazete ose një etiketë në pikturën e vet. Matis, në periudhën e tij të fundit, bëri një kompozim të mrekullueshëm prej letrash të ngjyrosura, të cilat i ngjyroste vetë. Gjendemi gjithnjë në caqet e pikturës, të cilën do të ishte paturpësi të më shkonte qoftë edhe ndër mend kontakti me të. Porse u gjykua se do ta përvetësoja, edhe pse nuk kishte asnjë penelatë në kalazhin tim. E vetmja gjë, të cilën mundën të vërejnë kritikët e mi, është se ndërmjet kolazhit të tejrealistëve dhe të miave, përveç ndryshimit të lëndës, ka edhe një ndryshim tjetër: ndërsa ata parashikonin të materializonin një paradoks, unë u mundova të të vë nën pushtetin tim një vizion me mëtime plastike. Synova që në arritjen përfundimtare të arrija diçka të përafërt me atë do të synonte një piktor. Kjo më kushtoi orë të tëra pune dhe mund të madh, disa soditës të përciptë, jo vetëm që nuk e kuptuan atë, por edhe më akuzuan për improvizim dhe naivitet. M'u desh të bëja qindra prova kombinimi për çdo vepër, pa aspak të kuqe, p.sh. në një detaj të kompozimit të kishte përkatësen e vet tek me një tjetër, ose të gjitha të dhënat e takimeve të shrregullt, që kompozohen, të jenë të ndriçuara nga e njëjta anë. Deri në atë pikë sa edhe gjerësia dhe stili prej shiritave anësorë, të cilat m'u desh t'i shtoja dikur, për të realizuar një ''ekulibër'' sa më të plotë, janë të studiuara deri në hollësi. Këtu detyrohem të shtoj se të vetmit që i vërejtën ato, ishin të huajt. Unë mund t'i fajësoj për shumë gjëra, por jo për mungesë serioziteti. Para shumë vjetësh, Universiteti i Oklahomës në SHBA, përdori një kolazh timin për kartën e Krishtlindjeve të vet.

Atëherë mora shumë letra prej njerëzve të panjohur, të cilët kërkonin të mësonin nëse kisha bërë edhe vepra të tjera. Desha të them se mora guxim, por nuk e pata menduar akoma ta shpërfaqja këtë anë të punës sime. Ndërkohë erdhi Çmimi Nobel dhe atëherë akademikët suedezë, të cilët, pavarësisht prej hezitimit tim, këmbëngulën për t'i shpurë në Stokholm, për t'i ekspozuar në sallën e madhe të akademisë. Gjë që edhe u bë. Atëhere salla e madhe ''Tielska'' e Stokholmit, më kërkoi t'ia besoja një muaj, me përgjegjësinë e tyre, të cilën e pranova. Në vijim kisha kërkesa të tilla prej galerisë së Zyrihut dhe e Milanos. Veçse ishte e natyrshme, që para një gatishmërie të tillë, mendova se do të ishte më e udhës të filloja nga vendi im. Dhe, vendosa t'i ekspozoja, pa asnjë ambicje tjetër. Ky ishte edhe mëkati im i madh, të cilin nuk duhet ta përsëris më. Këtu, ndoshta, mund të më kundërshtoni: përse i shite? Do t'ju përgjigjem: për të njëjtën arsye që shes edhe poezitë e mia. Për të nxjerrë shpenzimet e qerasë së galerisë dhe ato të riprodhimeve. Dola aty për aty. Ju pyes: në vend që të merren me këtë thashetheme, përse nuk më bënë një kritikë të fuqishme estetike, për të më treguar se ato ishin vepra të dobëta? Nëse do ta bënin dhe do të më bindnin, do t'ju hiqja kapelen. U shkruan edhe tri kritika serioze-ç'përkim- , edhe ato jashtë Greqisë. Në Zvicër, Rumani dhe Indi. Mos vallë duhet të shtoj edhe diçka tjetër?

Smajl Smaka, “Bashkëbisedime III”, Publicistikë, botoi SHKK “Anton Pashku” Prishtinë, 2010

LIR SEFAJ


Ditë më parë SHKK ”Anton Pashku”e Prishtinës nxori nga shtypi librin publicistik “Bashkëbisedime III” të shkrimtarit, gazetarit, publicistit e poetit, Smajl Smaka.

Them një libër i mirë në kohën e duhur ngase ky libër intervistash sigurisht se do të zgjojë kërshërinë e lexuesit, për faktin se në mënyrën e saj më të shkëlqyer, mes kopertinave të saj, ka ngërthyer disa intervista të cilat autori i saj i ka bërë me personalitete të shquara të jetës politike e krijuese, të cilët në opinion shqiptar, por edhe atë ballkanas, shquhen për diskursin e tyre të drejtpërdrejt dhe mjaft parimor mbi çështjet e caktuara politike e letrare, që lidhen direkt me Ballkanin Perëndimor.

Smajl Smakën, lexuesi ynë e njeh edhe si përkthyes e poet mjaft serioz dhe si gazetar shumëvjeçar të Kosovës. Gjithsesi, autori i këtij libri e ka parë të udhës që këto intervista të bëra në kohë e rrethana të caktuara të mos mbesin të shkapërderdhura në gazetat ditore, apo në kujtesën e një numri të caktuar shikuesish që kanë pasur rastin t’i ndjekin në ekranin televiziv, meqë problemet që rrah autori i librit me bashkëbiseduesit e tij, nuk janë probleme ditore, përkundrazi janë fragmente që sigurisht lidhen me epoka të ndryshme dhe si të tilla gjithsesi se meritojnë të mblidhen mes kopertinave të një libri, ngase vetëm në këtë mënyrë këto intervista tejet me interes do të bëjnë rrugëtimin e tyre të sigurt në vetëdijen e lexuesit.

Mes kopertinave të këtij libri janë prezent intervistat me shkrimtarët, historianët, intelektualët, të cilët kush më shumë e kush më pak, luajtën një rol tepër përmbajtsor, afirmativ në përpjekjen për një stabilitetet politik në këtë pjesë të Europës, synim i të cilëve ishte ruajtja e një balance në kontekstin gjeopolitik të Ballkanit perëndimor.

Personalitetet e intervistuara këtu, në opinion publik shqiptar e rajonal, po edhe atë ndërkombëtar njihen si oponentë të politikës oportuniste të Millosheviqit, dhe “armiq” të çfarëdo tendence tjetër shtypjeje që gatuhej në kuzhinat e diplomacisë serbe dhe jo vetëm serbe, e që kishin synim destabilizimin e rajonit.


Postulate me interes

Libri hapet me intervistën e Abdullah Sindranit, shkrimtar e intelektual boshnjak i cili njihet për qëndrimin e tij opozitar karshi politikës serbomadhe, në veçanti të asaj pas vitit 1990, kur ish-Jugosllavia bie në duart e kasapit Millosheviq, shkaktar i një terrori të paparë në Europën perëndimore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Duke jetuar në realitetin e trepushtetit etnik të Bosnjës, ky intelektual i shquar boshnjak me mjaft përgjegjësi citon drojën e gjeneralit Atif Dudakoviq i cili thoshte se: “Lufta ka mbaruar vetëm për ata të cilët në të janë vrarë!“.

Intelektuali Sidran, ashtu sikurse edhe pjesa më e madhe e qytetarëve boshnjakë shfaqin pakënaqësinë me mënyrën e përmbylljes së çështjes së Bosnjës, të cilën gjithsesi më tepër do konsideruar si të hapur ende.

Libri “Bashkëbisedime III” nuk do ta kishte peshën e tij të madhe, sikurse jashtë kopertinave të tij të lihej intervista e realizuar me historianin e shquar shqiptar, Arben Puto, i cili jep detaje me mjaft interes rreth rrugës së gjatë e të mundimshme të krijimit të shtetit shqiptar. Ishte pra kjo rrugë e shtruar me gjemba hekuri mbase, e cila falë një përpjekjeje të jashtëzakonshme të intelektualëve shqiptarë të mbledhur rreth një ideali, me në fund rezultoi me krijimin e shtetit dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Vargu i personaliteteve të intervistuara këtu është tejet i gjatë, megjithatë libri mund të lexohet me vetëm një frymë, e kjo falë gjetjes mjaft të mirë të autorit Smaka, i cili në pyetjet e tij është tejet konciz dhe i qartë rreth asaj që kërkon nga i intervistuari, dhe falë këtij konciziteti ka arritur ta mbajë të paluhatur kërshërinë e lexuesit të supozuar.

Shikuar nga një prizëm tjetër, librin “Bashkëbisedime III” të Smajl Smakës do konsideruar të rëndësishëm edhe për faktin se personalitetet e intervistuar këtu, jo rrallë janë ballafaquar me “plasaritje” rreth konceptit të tyre intelektual, duke u konsideruar si persona jo konsekuent në pikëpamjet e tyre politike e intelektuale, përkundër thënies që unë do ta konsideroja antologjike të Filip Davidit, intelektual e shkrimtar i talentuar i cili ndër të tjera thotë: “Intelektuali i mirëfilltë është kritik ndaj çdo pushteti”.

Pra, alfa dhe omega e një intelektuali të mirëfilltë është kritika ndaj secilit pushtet sado demokratik që do të mund të konsiderohej, meqë vetëm një kritikë konstruktive, e mbështetur në argumente do të mund të bëjë saldimin e plasaritjeve të cilat ndikojnë në rrugëtimin e një shoqërie në kontekstin e brendshëm politik, po edhe në atë të gjeopolitikës.

Gjithmonë në këtë linjë, jam mëse i bindur se kureshtjen e lexuesit do ta ngacmojnë edhe intervistat e tjera të bëra me personalitete të dëshmuara të hapësirës së ish-Jugosllavisë, dhe të Shtetit shqiptar të cilët me veprimtarinë dhe krijimtarinë e tyre, dëshmuan se edhe në periudhat më të errëta të historisë së kombeve, ka të tillë që predikojnë paqen, lirinë, njerëzoren.

Sigurisht, autori i këtij libri më shumë se tjetër, ka dashur që këto postulate të të intervistuarve të tij të mbesin brenda kopertinave të librit, ngase vetëm në këtë mënyrë do ta bëjnë rrugëtimin e tyre të sigurt dhe do të përçojnë mesazhet e tyre autentike tek brezat e ardhshëm.

Përfundimisht, në kohën kur në jetën tonë kulturore e artistike janë të shumtë (për të mos thënë të tepërt) botimet e librave, pastaj promovimet me pompozitet të këtyre ”krijimeve” që rëndom marrin lëvdata kuturu e të falsifikuara, librin “Bashkëbisedime III” të gazetarit e publicistit Smaka e “gëlltita” me vetëm një frymë dhe me kënaqësinë më të madhe; ngase ky libër intervistash, sikur mëton thyerjen e këtij shablloni kulturor me të cilin karakterizohet Kosova sot.

Nga Remzi Salihu : Horizonti lirik në kohën e Kafkës së ndijshme poetike

Në kortezhin e poetëve, që s’janë midis nesh, por që kanë lënë gjurmë të pa shlyera në vend dhe në kohë me përvojën, përjetimet dhe shtegtimet e tyre kreative e poetike, janë shumë autorë. Ata bëhen dëshmi jete të traditës sonë, për të na kthyer kujtesën nga harresa në magjinë e shkathtësive të fjalës së bukur. Ata janë vula vlerash kohore, pa të cilët nuk rrugëton e tashmja dhe e ardhmja jonë. Në këto gjurmë veprimesh e sakrificash rrezaton në praninë e pasardhësve me testamentin e vargjeve dhe “këngëve pa djallëzi” edhe liriku, Mustafa Laçi. Ai mbetet poeti i fiksuar në kujtesën tonë me përzgjedhjen e fjalëve të shartuara e kultivuara me kujdes nga koha në kohë në rrashtën e jetës. Guximi dhe mundi i tij për të ndryshuar diçka nga koha dhe jeta, ka gdhendur testamentin veprimtarisë së tij me peshën e mendimit dhe veprimit kreativ për një jetë dhe të ardhme më të mirë e më të bagatshme. Sfondit poetik të kësaj ane i ka lënë katër përmbledhje poetike. “Ngjyra e shikimit”, “Këngë pa djallëzi”, “Kafka djebëroshe”, “Vjersha”. Këto janë katër shtylla poetike që ngrejë lartë piramidën lirike portretizuese të këtij poeti të traditës sonë. Vargjet e veta Mustafa Laçi fillon t’i botoj që nga viti 1955 nëpër të gjitha gazetat dhe revistat e kohës. Por kurorëzimi i këtyre poezive, si tërësi të veçanta nëpër vëllime poetike, do të shëmbëllej më vonë në “Flakën e vëllazërimit” në vitin 1972, kur boton veprën e parë “Ngjyra e shikimit”, i cili shikim poetik e artistik, më vonë do të marrë përmasë hapësire të kthjellët kreative të nxitjes, të motivimit, në rrugëtimin e vrullshëm poetik edhe më të hovshëm. Përmbledhjen me poezi “Këngë pa djallëzi” do ta botojë më 1977. Kurse në vitin 1981 boton vëllimin poetik më të frymëzuar “Kafka gjelbëroshe”, madje pas vdekjes nga dorëshkrimet e mbetura nëpër fletore e notesa, do të përfshihen në një vëllim poetik edhe disa poezi me titull “Vjersha” në vitin 1984. Shkroi relativisht pak, ngase jetoi shku.
Në këtë rast të rikujtimit të poetit mund të themi, se për të treguar individualitet, një krijues, nuk është numri i vëllimeve, por cilësia e saj artistike. Janë shumë faktor për ta bërë një poet të pa harruar në kujtesën tonë. Por më kryesorja është stili dhe veçantia e shprehjes dhe vokacioni autokton i emocionit që përdor një krijues gjatë jetës kreative të tij. Ky kushtëzim gjithsesi se e ka përfshirë edhe poezinë e poetit në fjalë si individualitet i veçantë në ligjërimin poetik të kohës. Edhe atëherë kur ngjishemi me elemente të prozës poetike, te ky poet, shfaqen elemente ritmike të brendshme brenda tekstor. Janë poezi të frymëzuara mirë me shprehje dhe gjuhë poetike moderne. Nëpër disa vargje hasen metafora të goditura dhe të gjetura mjaft mirë. Poeti ka kujdes në përzgjedhjen e temave dhe motiveve, edhe pse nëpër disa poezi e poema sintezë shpalohet fryma e realizmit revolucionar, të cilat tema i kanë trajtuar edhe poet të tjerë të gjeneratës së tij, por te ky poet, nëse lexojmë midis rreshtave, hasim një emocion dhe porosi të veçantë që tregon autoktoninë e frymëzimit individual. Pos frymës revolucionare ka edhe poezi erotike e refleksive e sociale, që evokojnë të kaluarën dhe rininë e poetit nëpër kohë. Simfonia e zërit të tij poetik ende tingëllon nëpër kujtesën tonë, si jehonë lirie nga çasti në çast. Ajo është “gjuhë shpendi” që mban gravitacionin e tokës dhe qiellit mu në rrashtën e jetës. Edhe pse kanë kaluar shumë kohë, që poeti nuk është midis nesh, por në panteonin e kujtesës sonë frymojnë lirikat e çiltërta, veprat, të cilat mbeten të salduara si peng kujtimi në ne, si dhe në traditën tonë, qe e bëjnë poetin të gjallë e të pavdekshëm. Andaj jemi të detyruar që këtë plejadë poetësh(nga koshienca e profesionit që kemi), që fizikisht nuk janë në mesin tonë, t’i rikujtojmë, t’i ngjallim artistikisht, të bashkëjetojmë në këto çaste, nga respekti fisnik, për punën dhe dromcat poetike që na kanë lënë, në përmbushjen e kulturës së shoqërisë si dhe kultivimit të artit poetik, në margjinat e veçanta të plejadës së kohës në përgjithësi. Ata do të mbeten si xixa stralli në kurorën letrare të traditës sonë të kësaj ane. Edhe pse poeti Mustafa Laçi nuk ka lënë më shumë se katër vëllime poetike, por ato mjaftojnë për të treguar talentin dhe unin poetik të tij. Temat dhe motivet e larmishme që ka përdorur në ngjeshjen e këtij brumi poetik të kapshëm e të larmishëm e bëjnë poezinë e tij të paharruar. Jetoi dhe përjetoi vështirësi të mëdha në një kohë kur shkollimi dhe ngritja intelektuale ishte e kufizuar, por, megjithatë, nëpër ato të gjitha pengesa e kufizime, ku mungonte liria e vërtetë e fjalës, syri zogut lirik kërkonte hapësira veprimi për dije, për ta shpërndarë “jehonën e këngës,, për ta formuar portretin e vet modest në imazhin e këtij nën qielli të letërsisë së kësaj ane. Madje mëtimi i kësaj figure poetike në skenën artistike letrare të vargëzimit shëmbëllen vrullshëm në frymëzimet nga niveli artistik që ka. Ritmi dhe shprehjet gjuhës së përdorur, ngjyrat dhe imazhet e larmishme, formojnë koloritin e vargjeve, të cilat në vete shprehin veçantinë dhe emocionet e poetit. Frymëzimet dhe meditimet janë të shumta në poezinë e Laçit, ato herë janë të koduara në ritëm e formë e herë janë të derdhura lirshëm pa kufizime metrike e ritmike, madje pa një formë të matur, por të sintakzuara rrjedhshëm në prozë poetike. Poeti përdorur me sens simbolikën, që është tipike për poezinë e tij, për të fshehur kuptimin e drejtpërdrejtë, gjatë ligjërimit poetik.
Mustafa Laçi qëndron midis tradicionales dhe modernes. Ai ngjesh në frymëmarrjen poetike të tij simbolin, si mjet figurativ shprehës, që fsheh në vete kuptimin e drejtpërdrejtët të poezisë. Madje ai ato i përmbush me tonin gjakun revolucionar dhe bëhet një poet i angazhuar për kohën kur jetoi dhe veproi. Poezia e tij është e lidhur me jetë e njeriut dhe vendin. Toka tij është oaza kuptimore ku prehet “kafka gjelbëroshe” e fisit dhe farefisit, madje ajo është trualli që fsheh në thellësitë e saj aromën e djersëve, gjakut të babait, si dhe burrërinë e individit, malësorit me përmasa tradicionale. Është tokë që nuk braktiset nga kafka e salduar për trualli. Intuita, motivet, ndjenja dhe imazhet e shumta të jetës së tij, si dhe stili i veçantë i të shprehurit ngërthejnë në tërësinë e vokabularit poetik elemente artistike, që e nxit lexuesin të manovroj edhe më tej nëpër ato dromca poetike si diçka e arrirë, e veçantë. Përveç emocionit dhe frymës revolucionare, nëpër këto vargje saldohet, qëndiset edhe filozofia e jetës së kësaj ane dhe marrëdhëniet shoqërore kur veproi dhe jetoi poeti. Lirizmi i këtij poeti të grish në kultivimin nënvetëdijes kombëtare. Është një krijimtari që ka për taban traditën e letërsisë shqipe, ndërsa për nga forma e figuracioni shprehës ka teshat e një poezie moderne. Por thënë në përgjithësi poezitë e Mustafa Laçit përcjellin një mesazh të caktuar. Shumë vargje në vete rimojnë bukur dhe me gjeturi dhe me një spontanitet bindës të bëjnë për vete. Vëllimet poetike frymojnë një freski lirike, bëhen të këndshme gjatë të lexuarit, ku përmbajtja e saj figurative mbështjellët me një lehtësi të shprehjes së formës dhe ritmi të brendshëm. Uni lirik mban ngjyrat dhe koloritin e ndjenjës që shpërthen ngandonjëherë edhe me vrull të përmbajtur nga ngjarjet e kohës. Në këtë mënyrë ngjishet kredoja e poetit Mustafa Laçi, madje nga gjërat e imta sajon veprime të mëdha të unit lirik. Kështu, siguria e poetit me arsenalin e figurave dhe sintezave shkon më tej poezisë tradicionale, me të cilën shkathtësi poeti tregon, se ka njohuri dhe talent poetik.
Përshpejtimi i mekanizmave poetike, poetin e vë në rangun e poetëve bashkëkohorë, që dinë të manovrojnë me fjalën, me shprehjen dhe gjuhën e poezisë. Nga vëllimi në vëllim shihet një tempo e ngritjes artistike. Nga poezia e çiltër kalon në atë simbolike dhe kjo arrihet me siguri nga përvoja që ngjesh autori gjatë rrugëtimit të jetës së tij kreative. Kjo mënyrë e këngëtimit të grish në sensibilitet të ndjenjës lirike, ku syri dhe veshi përqendrohen në një ndjenjë e përgjërim të kujdesshëm.
Xhevahiret lirike të këtyre vargjeve të lënë mbresë evidente gjatë të lexuarit, madje ato të freskojnë bashkë me tingullin, theksin dhe ritmin magjik që shpalohen nëpër lëndinën poetike të veçantë të tij. Ndërmjet shumë vargjeve shpërthejnë shkëndija metaforash të goditura e që apelojnë dhe apostrofojnë fshehtësi dhe mjeshtëri kërkimi për një diell e dritë lirie të përgjithësuar për të gjithë. Një aromë malli jehon në lirikat e poetit kur evokon kujtesën nëpër frymëzimet erotike. Ndjenjat e tij me “me ngjyrë shikimi”, shtegtojnë nëpër stacionin e heshtur të dhimbjes dhe mallit, për të gjetur e hapur “dritare buzëqeshjes” për t’i “puthur dy petalet e kuqe me buzë zjarri” . Ja si thotë poeti nëpër disa vargje:
Të më thonin se të kanë mbyllur
në errësirë më të thellë se nata,
dhjetë gishtrijtë do t’i ndezja,
në vend të qirinjve-
do të të gjeja.


Të më thonin se të kanë ngjitur
në kupë të qiellit,
brinjtë do t’i shkallëzoja
do të të zbritja.

Të më thonin se të kanë fundosur
në fund të detit,
mbi mushkëritë kisha notuar
nga fundi i detit
do të shpëtoja.

Të më thonin se në shkretëtira
nga etja je duke vdekur,
dejt e gjakut i kisha këputur
etjen të të shuaj-
pse të dua.
Nëpër këto zinxhirë asociacionesh, paralelizmash e performancash metaforike përfshihet dhe zgjatet fryma poetike e Mustafa Laçit. Koloriti i gjithanshëm i vargjeve vezullon tërësinë poetike të poezisë së këtij poeti. Kështu vargjet e tij të përkujtojnë lirikat më të mira të poetëve më të mëdhenj të së kaluarës, e që mund të jenë shembull edhe për kohën tonë.

KOMPLOTI....

Doli nga shtypi libri “KOMPLOTI” ( analizë ), i autorit Fehmi Ajvazi. Në këtë libër ndër të tjera, mund të lexoni:

- Cila është e vërteta e dhunës shekullore serbe në Kosovë, dhe në viset tjera shqiptare ?


- Sa shqiptarë u burgosën, u vranë, u likuiduan, dhe sa të tjerë u dëbuan nga Kosova dhe nga viset e tjera shqiptare prej vitit 1912-1999 ?


- Si është ideologjizuar “miti i Kosovës”, në pretendimet politike-nacionaliste serbe

për ta justifikuar të drejtën historike dhe etnike serbe mbi Kosovën ?


- Si është zhvilluar dhe si zhvillohet lufta speciale propagandistike-agjenturore serbe ? Cila është doktrina shtetërore dhe teknologjia e kësaj lufte ? Pse, dhe si zhvillohet lufta serbe për Kosovën, edhe pas vitit 1999 ?


- Pse është goditur kaq shumë, dhe vazhdon të goditet Ushtria Çlirimtare e Kosovës ? Pse vazhdon inkriminimi i strukturave kryesore-themeluese të UÇK-së, dhe të ish drejtuesëve të saj ?


- Pse u inicua raporti i Dick Martit nga Këshilli i Evropës ? A janë rastësishtë Karla Del Ponte dhe Dick Marti shtetas zvicëran, apo dikush i ka zgjedhur që të jenë “detyrimisht” nga Zvicëra dhe si të këtillë, të jenë edhe boshti i akuzave të këtij raporti ?


- Kush qëndron prapa këtij rapori ? Pse raporti u bë publik në Londër ? Pse u rreshtuan mediat londineze, dhe gazetari Paul Lewis pas këtij raporti ?


- Si po goditet kombi shqiptar dhe Kosova nga efektet e raportit ? Në cilat aspekte është goditur rëndë identiteti dhe etnogjeneza shqiptare ? A duhet të jenë edhe më të fuqishme reagimet ndërshqiptare dhe reagimet ndërkombëtare, sidomos aot institucionale edhe më të ashpëra ndaj raportit të Dick Martit ? Pse ky raport të zhvleftësohet krejtësishtë ?


- Si po goditen SHBA-të, Anglia, NATO përmes këtij raporti, në të vërtetë permesë diskreditimit politik dhe inkriminimit të shqiptarëve dhe UÇK-së…?


- Cila është alibia e konstruktimit të raportit, dhe çka synohet me këtë raport ? Pse Beogradi është epiqendra e komplitit ? Pse Rusia është pjesë komplotiste e këtij raporti ? Si po tenton Rusia t’u kthehet zonave të dikurshme të influences në Ballkan, dhe në Evropë ?


- Si është e mundur që Tribunali i Hagës, Institucionet Ndërkombëtare të Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut, Këshilli i Evropës të kenë në radhët e tyre prokurorë si Karla Del Ponte, antropolog si Jose Pablo Baraybarin, asambleistë si Dick Marti…?


- Pse duhet të paditet Dick Marti, Serbia dhe Këshilli i Evropës ?


- Si vlerësoht nga kënde të ndryshme biografia dhe fytyra e vërtetë e Dick Martit ?


- Çka thonë në reagimet e tyre lidhur me raportin, z. Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Jakup Krasniqi, Thorbjorn Jagland, Agim Çeku, Daniell Server, Frenk Wisner, Salih Berisha, Florence Hartmann, Bernd Posselt, Edi Rama, Erhard Byhler etj.


- Çka shkruan gazeta “Le Mond” lidhur me raportin…? Pse raporti është i ndërtuar mbi kondita ideologjike marksiste dhe naziste-fashiste ? Pse Dick Marti me të vërtetë është një demagog…?


- Çka thotë Kadri Veseli për thelbin e raportit ?


- Si e shpjegon rrjedhën e hetimeve të dikurshme lidhur me akuzat si të Dick Martit, ish kryeprokurori i Republikës së Shqipërisë, z. Theodori Sollaku ? Çka thotë Artan Grubi, ish punëtor i Tribunalit të Hagës lidhur me “Shtëpinë e verdhë” ?


- Pse raporti është spekulativ ? A keqpërdoren në raport shërbimet e fshehta si, FBI, BND etj. ? A mund të jetë spitali “Medicus”, provë e parapërgatitur e akuzës “Marti” ? Në ç’mënyrë shërbimi i sigurimit serbë BIA, është logjistika e komplotit ?


- Çka synon me raportin e tij, deputeti tjetër i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Jean Charles Gardetto ? Si u përpoq gazeta “Kurir” e Beogradit t’i shndërronte në provë inkriminuese të raportit të Dick Martit, dy ish serbë të Kosovës: Bozhidar Gjuroviqin dhe Ljubomir Zdravkoviqin ?


- Çka thonë dhe çka shkruajnë për raportin: Fatos Klosi, Hashim Thaçi, Shpëtim Idrizi, Daut Gumeni, Ermira Mehmeti-Devaja, Azem Syla etj.

Libri “KOMPLOTI” është një analizë e gjerë dokumentare, si dhe një analizë politike-publicistike. Libri, ka 256 faqe. Botues: MediaPlusArt/ Prishtinë.

Fragmente nga libri


Raporti

Substanca e raportit, struktura e tij, formëfjalitë, paragrafet, aludimet, paragjykimet janë në fakt pjesë e makinerisë propagandistike serbo-ruse dhe më gjerë, evenimente të njohura pak a shumë…! Bazuar në aspektin teorikë dhe praktikë, forma dhe mënyra përpiluese e raportit është e mbështetur sipas metodologjisë marksiste dhe fashiste-gebelsiane. Në thelbin e tij, raporti është denigrues dhe në anën tjetër paragjykues jo vetëm për hipotezat dhe akuzat që shtron por, edhe për injorimin dhe përçmimin e shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Por, cili është në fakt qendrimi i z. Marti për Kosovën ? “Me të vërtetë, Marti, i cili është prej 15 vjetësh anëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit, është shprehur në mënyrë të përsëritur me vendosmëri kundër një njohjeje të Kosovës. Ai u përpoq që ta relativizonte përfytyrimin e “serbit të keq”, dhe të “kosovarit të mirë” ! Në Beograd, ai gjeti viteve të fundit dyer të hapura dhe dëshmitarë të gatshëm për bisedime…”(Frankfurter Allgemeine Zeitung)


Kontinuiteti

Historia e akuzave kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër z. Thaçi, daton para vitit 1998, gjatë kohës së vitit 1998 dhe veçanërisht pas mbarimit të luftës më 1999. Serbia e cila ishte okupuese e Kosovës, ka zhvilluar një betejë të gjithanshme kundër Kosovës dhe shqiptarëve si në planin policor dhe ushtarak, por edhe në planin politikë, kulturorë, ekonomik, propagandistik, fetar etj. Kjo betejë e gjithanshme serbe, nuk ka marrë fund. Në fund të muajit janar të vitit 2008, qarqet kryesore të pushtetit në Beograd (Presidenca, Kryeministria, Policia, Armata dhe

institucionet e tjera relevante), u mblodhën me një pretekst: me pretekstin e paralajmërimeve të Prishtinës se, do ta shpallë pavarësinë e Kosovës. Duke ardhur në përfundim se nuk mund ta ndalojnë Prishtinën që ta shpallë pavarësinë, qarqet kryesore shtetërore në Beograd, u dakorduan që me të gjitha mjetet e mundshme të vazhdojnë ta sabotojnë Republikën e Kosovës. Kush e ka harruar këtë të vërtetë…?

Lufta speciale-propagandistike

Etiketa e nxjerrë tani në opinion se, gjoja UÇK ka qenë grupacion piratesk-rrëmbyes dhe pjellë e narkomafisë, është një shtjellë e propagandës denigruese dhe që ka synim ndërkombëtar njollosjen, injorimin, nënçmimin, poshtërimin e kombit shqiptar në përmasa të gjera, kudo që ai jeton. Kjo murtajë në formën e këtillë, është një skemë e sajuar me kujdes. Propaganda, me gjasë nuk ka vetëm karakter të thjeshtë teorik, por edhe karakter praktik dhe se, është një mënyrë e perfeksionuar për të arritur qëllime të caktuara. Regjimet pushtuese të të gjitha llojeve, arsenalin propagandistik e kanë segment politiko-ushtarak të sundimit dhe, pjesë të identitetit pushtues.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...