2011-03-07

Martin Lleshi: Ecjeve Nëpër plagë(poezi)


Hapëroj i zvogëluem me lodhjen time nëpër kohë
Bri-thyerjeve ngjallim me emrin e ndërruar zënë-rënieve
I plagosur n`dyluftim shekujsh shtatë herësh
Pa gjurmë mbetur kërkim-humbjeve themel-gjalla
S`i lyp i verbëri dritë ecjeve n`kërkim shprese
I pa mëkat qenka vetëm fati që sillej rreth qielli
S`i t`a kem në dorë…për rrënjën emrin fjalën
Sa vjet dritë përhumb errësira ndërrim-bërjeve
Deri n`përbirje të vorbullës purpurt
Betuar jam ditën e pagëzimit n`të djathtën një herë
Edhe i vetmuar n`mbetsha udhëtimeve t`përhumbura
Kurrë skam për t`u ndalur ecjeve nëpër trupin tim
Arkën e testamentit varur rreth qafe
Dekalogun me vetëtima qëndisur n`ballë
Kërkim-bërjeve do mbetem si dikur
Unë brithyeri zënë-ngritur rrënjë-ngjalljeve të mija.
Gjakovë.
27.09.2010.

Ndue Ukaj:Arti i rrëfimit faustian

(Rromani “Një natë në Lisbonë” i shkrimtarit Erich Maria Remark-ut)

Tekstet letrare narrative, janë struktura të hapura komunikuese, prej të cilave zënë fill kuptimet infinite, sipas Umberto Ecos, nga fakti se teksti letrar, sipas këtij semiologu e shkrimtari, është makinë e krijuar, për nxjerrjen e apo reflektimin e interpretimeve. Duke ndjekur këtë linjë të mendimeve, synoj të bëjë një udhëtim në pyllin e narrativ të shkrimtarit gjerman Erich Maria Remark-ut, gjegjësisht nëpër tiparet karakterizuese të romanit “Një Natë në Lisbonë” (1964), roman ky i përkthyer shqip nga Aristidh Ristani.
Çdo interpretim letrar, bëhet në relacion interaktiv me tekstin, i cili është një botë komplekse, e konstruktuar nga gjuha specifike, apo përdorimi specifik i saj dhe nga sekuenca të shumëfishta, ku dimensionet semantike dhe estetike, janë shtresa të mëvetësishme, që janë në epiqendër të tekstit dhe së këndejmi, të lexuesit model. Në procesin e konstruktimit të mendimeve për një tekst narrativ, interpretimi letrar, i parë nga perspektiva e Kritikës së Re (New Criticism), orientohet te vetë teksti letrar, te qenia e tij autonome. Ndërkaq, semiologu italian Umberto Eco ka një metaforë shumë domethënëse për tekstin, i cili, është si një “piknik” ku autorët sjellin fjalët e tyre, ndërsa lexuesit ndjesitë e tyre.
Loja narrative
Një anije në limanin e Lisbonës dhe një burrë i vetmuar, i cili endet me një dëshirë të pamundur, të largohet për në Amerikë, janë imazhet që fillojnë narracionin e romanit “Një natë në Lisbonë” të shkrimtarit Erich Maria Remark. Kjo hyrje, e tipit in medias res, e përmbys paradoksalisht gjendjen emocionale të këtij njeriu të panjohur dhe kthen kahen e narracionit në drejtim tjetër. Ai, takon një njeri tjetër të panjohur, gjithashtu refugjatë, i cili, ia ofron dy bileta për në Amerikë, mirëpo, me një kusht krejtësisht të çuditshëm, të dëgjoi nga ai, përgjatë asaj nate, historinë e arratisjes së tij, e cila është një dramë e thellë njerëzore. Kjo anije, e cila do të ishte shpëtim për të, për faktin se qyteti më i bukur në botë është ai ku njeriu rron i lumtur, bëhet shenjë e motivueshme, e cila e cyt të dëgjoi historinë tragjike të njeriut që ja ofroi papritur e kujtuar dy bileta, e të cilat bileta kanë një ndërlidhje semantike e semiotike me këtë anije, si instancë ideo-letrare që projekton dhe motivon shpëtimin. Anija, nuk është shenjë e rastësishme e romanit. Kjo shenjë, e transfiguruar në figurë letrare, gjatë zhvillimit të romanit nënkuptohet se esencialisht, është intenca e romanit. Gjatë zhvillimit të fabulës së tekstit në fjalë, anija zhvendoset nga vëmendja e narratorit dhe nuk është pjesë e lojës narrative, mirëpo shtjellimi i historisë, shpie te fundi, i cili e rikthen anijen, prandaj ajo intencionalisht bëhet paradigmë letrare, do të thosha një shenjë tipologjikisht e motivueshme letrare, e cila shenjon njëherësh edhe modusin narrativ, atë korpus të ideve dhe projektimeve filozofike të autorit. Si shenjë letrare, nëse e analizojmë në planin empirik për letërsinë, anija ndërfut intertekstin letrar dhe evokon Arkën e shpëtimit të Nohes biblik, edhe pse kjo sekuence letrare përmendet vetëm shkarazi në tekst. Autori përmes kësaj simbolike letrare, krijon analogji dhe mjeshtërisht i “deshifron” shenjat e nënkuptueshme të tekstit letrar, përgjatë një narracioni që të rrëmben me fuqinë e tij dinamike dhe teknikat e shumëfishta të rrëfimit. Autori, duke e evokuar në tekst imagjinar, këtë simbolike biblike, sforcon dimensionet e shumëfishta semantike që kanë sinonim shpëtimin, si katharsis letrar, brenda një konteksti tmerrësisht të zymtë, në të cilën marrin jetë personazhet e Remarkes dhe nga ku konotojnë idetë letrare të romanit. Autori e ndërton tekstin brenda një konteksti kohor të afishuar, por me një pikëmbështetje të fuqishme tek empiria, për jetën dhe letërsinë. Ky segment letrar, funksionalizon diskursin biblik, veçanërisht topikën e mirënjohur për Arkës së Nohes. Duke e ndërfut këtë ide empirike, si shenjë letrare, autori “zbulon” realitetin imagjinar të heroit, i cili gjatë një rrugëtimi me përmasa odisejade, kërkon me ngulm Itakën, ikjen nga ferri i Luftës së Dytë Botërore, drejt tokës së premtuar, që identifikohej atëbotë me Amerikën, përmes një anije që niset nga limanet e Lisbonës. Pikërisht kjo anije, si sinonim i shpëtimit, është pikëmbështetje prej ku zë fill narracioni i romanit në fjalë dhe brenda këtij qerthulli narrativ, zhvillohet totaliteti i një historie thellësisht tragjike, ku gërshetohen fuqishëm pasioni i dashurisë në kohë lufte, në dyluftim me urrejtjen, politikat e kohës, krizat e thella identitare, elemente këto letrare që përcillen tek lexuesi nëpërmjet një dimensioni të thellë psikologjik e etik, ku ndeshim herë koncepcionet romantike për tekstin letrar dhe herë ato realiste. Kjo lëvizje letrare në tekst, i jep mundësi autorit të sforcoj statusin e tekstit, duke dhënë njëherësh tablo jetësore dhe gjendjen psikologjike të personazheve, nga prizma të shumëfishta dhe perceptime universale.
Konfrontimi i reales dhe irealës
Pranë kësaj anije, si shenjë simbolike dhe e motivueshme narrative, lexuesi ndesh dy personazhe, që njëherësh janë dy botë, dy tregime, që brenda një nate nëpër kafetë e Lisbonës, riprodhojnë historinë e një arratisje, nga Gjermania naziste, nëpër Zvicër, Austri, Spanjë e Portugali, deri te fundi tragjik, pranë limanit të Lisbonës. Këta dy personazh, janë dy botë, të cilat konfrontojnë heshtur, por thellë, iluzionet dhe realitetin. Ky është fati i emigrantit, i cili sipas autorit është i destinuar të jetë tragjik, ngase ajo është: një jetë që s’mund të qëndrojë në asnjë vend, që nuk i lejohet kurrë të lëshojë rrënjë, që duhet të rrotullohet gjithnjë. Jeta e emigrantit.
Duke rrëfyer dramën njerëzore të Jozef Shfarcit, e cila dramë e rrëmben burrin e panjohur të pranoi e të dëgjoi golgotën e arratisjes së tij, autori përçon mesazhe të fuqishme, të cilat shpërthejnë bashkë me zbërthimin e enigmës së fabulës. Ai ka dy bileta, të cilat kanë përmbyll aventurën e tij romantik, prandaj këto dy bileta dëshiron t’ia falë njeriut të panjohur, sepse janë fundi i arratisjes së tij, një fund tmerrësisht tragjik, që e vë lexuesin para përsiatjeve të thella etike e filozofike. Në këtë formë, shkrimtari nëpërmjet personazhit Jozef Shfarcit dëshiron të përcjell te njeriu i panjohur dhe në mënyrë implicite te lexuesi, që është në kërkim të tokës së premtuar, një testament thellësisht tragjik, se toka e premtuar nuk arrihet lehtë, mbase ajo nuk ndodhet përtej, sepse ajo mbetet vetëm një projektim fiksional. Heroi i romanit, Shfarci, një njeri që jeton me identitet të rremë, sepse rron me dokumentet e një të vdekuri, duke ju ikur nazistëve që e ndiqnin, mban emrin e një njeriu të vdekur, është njëri nga mijëra të përndjekurit e luftës së dytë botërore, i cili duke kërkuar tokën e premtuar, pranë një anije që është shpëtimi, përmbyset në tmerrin e një tragjike të thellë, ngase pikërisht kur ai mendoi se kishte ardhur çasti i triumfit, pas peripecive të jashtëzakonshme, burgosjeve, ikjeve, vrasjeve, ndodh e kundërta, gruaja e tij Helena, i vetëvritet. Në të vërtetë, këta dy personazh letrare, Shfarci dhe Helena bëjnë një odisejad të vërtetë, nëpër shkretëtirë, një shtegtim përmes Detit të Kuq, mirëpo, nuk arrijnë në tokën e premtuar, sepse Helena rrënohet nga brenda, brenda një konteksti të zymtë, që e shkatërron njeriun, në të cilin ajo është e ekspozuar sëmundjes, ndjekjes së vëllait, i cili ishte pjesë e Gestaposë Gjermane dhe një dashurie që çdo ditë rrënohej nga brenda. Dhe një natë, para se të merrnin anijen e “shpëtimit” për në Amerikë, ku burri i saj Jozef Shfarci planifikonte rifillimin e jetës së re, madje duke planifikuar rimartesën, ajo i jep fund jetës së saj. Këtu është fundi tragjik i fabulës dhe fillimi i infiniteve letrare.


Universi i kuptimeve letrare
Romani ”Një natë në Lisbonë” i autorit Erich Maria Remark, është një rrëfim me përmasa thellësisht tragjike, në të cilin gërshetohen fuqishëm tema të mëdha, si lufta dhe liria, dashuria dhe urrejtja, humania dhe antihumania, përmes taboleve të fuqishme narrative, ku përshkruhen me detaje përjetimet e njeriut në kriza të mëdha, siç është lufta, mungesa e atdheut, kërkimi i shpëtimit, ikja nga persekutimet, dashura e zjarrtë, etj. Përmes një narracioni përshkrues e të fuqishëm, autori zhbiron në kohë dhe hapësire, në psikologjinë e personazheve të tij dhe kështu krijon tablo të fuqishme që përshkruajnë luftën, peripecitë e njeriut në një gjendje terrori, pasionet e fuqishme të dashurisë, vrasjet, ikjet, gjithë këto elemente të veshura nga një nënshtresë e fuqishme etike dhe humane, tipare këto që e karakterizojnë këtë tekst letrar fund e krye. Ky roman, i cili ka përmasa universale, paraqet dramën e thellë të njeriut në luftë dhe kësisoj mbetet një nga prelat e fuqishme të shkrimtarit Erich Maria Remark, por edhe një nga romanet më interesante të shekullit që lamë pas.
Në një kohë kur lufta ishte e pashmangshme, dramat njerëzore kanë përmasa të tmerrshme. Mirëpo, dëshirat për të kaluar nëpër Detin Kuq, në drejtim tokës së premtuar, janë të flakta, mbase ato nuk njohin vështirësi, sfida, pamundësi. Në këso gjendje emocionale, njeriu kërkon shpëtimin dhe atë e gjënë më së miri tek simbolika kuptimplote për tokën e premtuar, si një mënyrë për të ikur nga skëterra mizore, në të cilën ndodheshin personazhet Jozefi dhe Helena. Kështu motivohet edhe odisejada e tyre. Romani është një rrëfim pikëllues, i përshkuar nga sekuenca të fuqishme trimërie e guximi, dashurie e vdekje, ku sakrifica për dashurinë është tej mase e madh dhe ku e keqja është e pafund, e pashpirt, mizore, vrastare. Ky roman me përmasat ideore, është një histori brenda një histori, ku semantika e tekstit gërshetohet me shenjat semiotike, që konotojnë fuqishëm, në planin ideo-estetik. Duke rrëfyer për një histori të shumëfishtë, ku përfshihen me tone dramatike, romanca dhe aventura, dhuna dhe terrori, dashuria dhe urrejtja, peripecitë për jetë dhe vdekja, makthi dhe trishtimi, autori jep tablo të jashtëzakonshme të Europës së Luftës së Dytë Botërore dhe krizat e thella identitare, me të cilat ballafaqohej njeriu i kohës. Shkrimtari i shquar Erich Maria Remerke duke rrëfyer dramën personale të Jozef Shfarci dhe Helenës, ka dhënë mesazhe të fuqishme universale, ku etika dhe filozofia përplotësojnë synimet e një arti, i cili ka substrat të fuqishëm humanen. Këtë dimension kërkimor letrar, autori e sforcon në pasuesin e mëposhtëm: Më sa njoh unë legjendën, zjarrin nuk na e kanë dhuruar, por e ka rrëmbyer Prometeu.
Autori, e ndërton tekstin letrar, brenda një nate dhe atë me paradokse narrative të lëvizshme, që zhvendosen në kohë e hapësirë dhe lëvizin nëpër shumë vende europiane, ku lufta kishte shpërthyer apo pritej të shpërthente. Me këto lëvizje narrative mjeshtërore, ai ndërton një galeri personazhesh të gjithfarshëm, ku marrin jetë salvuesit dhe të salvuarit.
Romani ka një fabule të thjeshtë, mirëpo brenda saj rrëfehet një dramë e pikëllueshme, me tone dramatike, një dramë që është përherë e pranishme, drama e njeriut shtegtar, në kërkim të lumturisë, ikja nga makthet e luftërave, ndjekjeve, persekutimeve. Teksti konstituhet nëpërmjet një përshkimi tejet prekës, ku dialogjet luajnë një rol të posaçëm, brendapërbrenda një narracioni dinamik, që ec qetë, por që të rrëmben me fuqinë e tij imrpesionuese. Autori është mjeshtër i rrëfimit, i krijimit të situatave paradoksale, që lexuesin e mbajnë pa frymë deri në faqen e fundit. Mirëpo, për më tepër, autori është mjeshtër i ndërtimit të tekstit me konotime ideore e estetike. Në të vërtetë, në këtë roman kemi përplot sekuenca faustiane, në të cilat Jozef Shfarci duhet të hedhet nëpër skëterrën e trishtuar, me besimin se rruga për në parajsë është e rrezikshme, por e mundshme. Kështu ai bënë lojërat më të çuditshme, duke u kthyer nga emigrimi në Gjermani dhe duke u arratisur së bashku me Helenen, gruan e tij, vallua i të cilës ishte një njeri i Gestaposë Naziste, që ndiqte Shfarcin dhe vetë atë kudo, e të cilin personazh ky detyrohet ta vras, që të shpëtojë vetë.
Përfundim
Fundi tragjik i Helenës, në roman, shtron para lexuesit, dilema të fuqishme, të cilat personazhi, Shfarci i thellon, me pyetjet te karakterit filozofik dhe etikë, nëse ai e vrau a e bëri të lumtur Helenen, nëse e dashi ajo, apo, ai ky ishte vetëm një shkop për t’u mbështetur?- përsiatje këto që përbëjnë universin e kuptimeve letrare infintite të autorit brilant, Remarkes, proza e të cilit përbën një aureolë të vërtetë në letërsinë e përbotshme. Edhe pse kujtesa e tij përpiqet t’i rrënojë kujtimet, ai i ngjall ato, duke ja rrëfyer njeriut të panjohur, në një natë të bukur në Lisbonë, për t’i dhuruar kështu botës, një thesare të përjetshme letrar e kulturor.

(Pas eksplorimit të vëllimit poetik të Ali Podrimjes “Libri mbi të qenit”)

Jepini Podrimjes Odisenë e poetikës së vet

Nga më vjen tronditja e rrallë

Ka shumë kohë që nuk më tronditin më librat e rinj, poezitë e reja. Duhet shumë mund që një libër të më magjepsë. Dhe unë të hutohem para asaj që është shkruar brenda tij. Nëse ka njeriu një detyrë, nëse ndjen një qëllim të lartë, të kapërcejë përmes figurës, përmes harkut të vargjeve dhe thikë-presave poetike që vijnë si ushtri gjeneralësh në letërsinë shqipe, Ali Podrimja e ka kryer tashmë. Duke ballafaquar identitetin e dy kohëve, të dy ngjarjeve, të dy personazheve, të dy pamjeve të një populli, atij të vuajtur dhe atij të cilit i rrezëllit drita e lirisë dhe e paqes, autori kalon përmes këtyre gjendjeve si një lumë i ftohtë, cinik, therës, lumë gjithë dredha e me shpejtësi marramendëse. Dhe ia ka dalë. Delta e krijimtarisë së tij është e plotfuqishme, është e thellë, është e mbartur me shumë mesazhe, me dhimbje, me gëzim dhe me fill të hollë drite që duket edhe më e bardhë, sa më e madhe është errësira.

Një libër është më shumë se një libër
Derisa më mbërriti në dorë "Libri mbi të qenit" i Ali Podrimjes, u desh një aventurë e mbushur me gabime vendndodhjeje, orari dhe pikash takimi. Dukej si një shenjë jashtëtokësore, e cila do sillte një rrëmujë metaforash, aliteracionesh, shkëputjesh pothuaj stelare në botëkuptimin për librin, në reflekset e shfaqura në poezi dhe qëndrimin tim të skajshëm ku do përzija patjetër indiferencën dhe shpërfilljen. Libri është i kryer, misioni i tij përcillet fjalë më fjalë, filozofi më filozofi dhe derisa gjen grykat ku kërkon derdhjen e tij pothuaj të dukshme në mendimet, në gjykimet, në gjithë dhomëzat e subkoshiencës sonë, aty ku fshehim si thesaret, gjerat e rralla. Të gjithë kemi një pikë kur mendojmë mbi identitetin e identitetit tonë. Atë që e duam vetëm për vete, por që e kemi krijuar mbi rrënjë të forta të ngulura në të shkuarën, në të sotmen dhe që e duam fort të ardhmen pas këtij shërbimi kulturor. Eksplorimi i pozicioneve të kultivuesve të letërsisë midis tensioneve konservatore dhe novatore, midis humbjes dhe tregut në brendësi të situatave, të ndarjes dhe të grupimeve të lidhura në botën e shtypit është tani një detyrë, më shumë se aventura e leximit të një vëllimi poetik. Është domosdoshmëri, e cila sjell jo vetëm debat, por edhe përvojë, sepse e tillë është mënyra si t’u largohesh dhe, njëkohësisht, si të sillesh në grupimin e madh të atyre që bëjnë letërsi.

Letërsi përmes letërsisë
Njëlloj me ndjesinë sikur të isha një udhëtare që kur zbres me miqtë e mi nga anija në bregun gjithë kripë të detit, e tërheq bashkë me ta, këtë lloj anije poetike drejt shijes sime sublime, ulem poshtë pemës, në degët e së cilës vendos velën e anijes së zezë dhe hesht gjatë, shumë gjatë, derisa kërkoj të kuptoj fillimin. Kur ishte? Deri ku do shkojë? Është filli i vet ekzistencës sonë. E kam tërhequr librin - anije nga bregu i kripur ku qëndroi dhe filloj qëmtoj fletë më fletë, duke parë konfrontin e autorit me vdekjen, varësinë e tij të domosdoshme prej rrënjëve të atdheut, gjithë refleksionet mbi antropologjinë e mitit, në thellësinë e poezisë klasike dhe përballjen e saj me letërsinë e perëndimit, duke provokuar një grumbull të filologjisë dhe autobiografisë simbolike që e bën poetin kaq tërheqës për mua. Që e bën kaq të parëndësishme Europën përballë syve të poezisë në një pellg të madh dashurie ballkanike. Diku, diku, ndihet hija e kësaj muraneje, poshtë së cilës vriten historitë e Kosovës, poshtë së cilës digjen varret e shqiptarëve. Aty është e gjithë simbolika e filozofisë madhore të këtij libri- shikojeni këtë bark është i trupit tënd, figura hipokrite, Europë! Këtë kuptoj nga leximi i këtij libri. Dhe jo vetëm.

A duhet që librin t’ia lëmë vetëm profesoratit?
Shpesh herë për studiuesit poezia e Podrimjes është një lloj rrobe akademike. Edhe nëse është ky lloj verifikimi, atëherë a duhet tua lëmë librin në dorë vetëm profesorëve? E keqja është se profesorëve të nominuar me tituj nuk iu bëhet fort vonë për poezinë shqipe, kanë harruar pothuaj ta rishikojnë hera herës dhe të guxojnë të mendojnë se është një kthim Odieseje i ndonjërit prej tyre, në këtë rast, i Ali Podrimjes, i cili ndoshta do të jetë popullor, por shënon gjithmonë një botë simbolesh të brendshme. Por jo të gjitha janë thënë për poezinë. Ndërsa ajo vazhdon dhe shprehet. Podrimja në botimet e tjera ka dhënë shenja të një poezie jo shumë diellore, apo me shumë dritë, kurse këtë herë megjithëse ka shumë errësi brenda librit, ai është një vëllim "notturno", një vëllim që e njeh mirë obligimin politik dhe pak poetë janë si Podrimja që interpretojnë ndërgjegjen civile në Kosovë, gjatë gjithë tragjedisë së këtij vendi.

Ali Podrimja është një personalitet letrar
Por është edhe një personalitet letrar i përqendruar në depresion dhe i tërhequr në një mulli të plotë energjish psikike, të dhunshme, të errëta, të hidhura, ai ka bërë rrugë të vështirë si gjeografikisht me poezinë e tij, edhe estetikisht. Duhet të duash të fortën e humbur, të kërkosh magjinë e shpërfillur, duhet të ndjesh në shtresat e sheshuara nga gjykimi i vendit që rrezikon të humbë, i kombit që rrezikojnë ta zhdukin përballë syve. Doni të kuptoni Podrimjen, mos iu ndani poezisë që i shëtit personazhet mbi Drin, e fut në guaskë lashtësie, e mbart në anijen e bardhë si një pikë nate, e ngre si shtizë ilire ndonjëherë. Autori vuan refleksin e mitit, të sjelljes primitive, të arkaizmit dhe traditës fshatare të mendimit në vendin e vet. Është një shenjë e padukshme kjo që i ka siguruar autorit lexuesin e shekullit që do të vijë. Një emërtim i denjë si klasik modern, bën shpejt të mendosh se poezia e tij është një kodër me diell që pret të ikë errësira. Është klasik modern sepse është dëshmitar i dramës së kohës së tij, ka mësuar të flasë edhe kategorive universale, njeriut, natyrës, vdekjes. Dikur mortja i harroi zonjë/ se koha u shndërrua në gur/ të më harronte dhe mua.../ /...Në sy të shkruar ia pashë lotin /Në pasqyrë kur pa gjarprin e viteve si/ i lëvizte fytyrës/ Fyellin ma kish rrëmbyer vala e Drinit. Poeti ka dy pista për të cilat vet ai shkruan në tentativën për të bashkuar realitetin e rrudhur, realizmi, mënyra direkt e thënies është si rrjedhojë e lodhjes së brendshme të realitetit të simboleve. Dhe pika e gjakut vizaton diellin/ katrori magjik/ fatal është/ po qe se bie brenda tij/ Kosova në cilën anë do të zgjohet. Tentativa e matur e tij është ajo e realizimit të atyre sintezave që i quaj realiteti simbolik. Nga realja ai kërkon të arrijë në një realitet simbolik. Për të realizuar këtë ai ka eksperiencën e madhe reale dhe thellësinë e sensit të simbolizmit. Hera herës të krijohet përshtypja se është një autor antirealist, i dashuruar pas evokacionit dhe simbolizmit. Një gjykim i kufizuar? Urime te shumta për librin dhe poezinë e mëparshme poeti i ka të shënuara në faqen e fundit. Nuk i lexova. I kalova me shikim pingul. Nuk ngushtoj gjykimin tim dhe përsiatjet e mia me mendimet e të tjerëve. Duhet edhe pak kohë. Kur t’i rikthehem një ditë librit, do peshoj ku është refleksi i fjalës së poetit përballë nesh, lexuesve. Mendimi i parë ishte tronditës. Aty, në vëllimin poetik ishte një anatomi e atdheut, një biografi e dashurisë dhe e asaj marrëdhënie të ngushtë që ka njeriu me vendin e tij, një marrëdhënie që fillon si metafizikë dhe përcillet si një forcë e madhe ekzistenciale duke krijuar një kronologji filozofish dhe një pikë-prerje konvencionesh që duket sikur përplasen me njëra tjetrën, por secila i rrëshqet të mëparshmes duke e pritur më pas në një pozicion tjetër lloj, sërish e gatshme për një marrëdhënie të re figurash. Ajo që deri tani nuk është vënë re, bashkimi mes realizmit dhe simbolizmit është dominuese në librin mbi të qenit. Pas këtij lokalizmi është kërkimi drejt shpirtit popullor krijues, tentativa për të bërë një letërsi të gjallë. Ky kërkim i ftohtë në origjinal të krijimit të poetit ka një substancë kulturore shumë të fortë. Nga një anë është miti, klasikja, hidhësira, origjina nga vijmë dhe kontakti biografik me botën që kemi ndërtuar vet, nga ana tjetër është pikëmbështetja e një kulture të fortë.

Podrimja i pabotuar deri në fund
Janë shumë vepra të Homerit të pabotuara akoma te ne. Nuk është ndonjë gjë e madhe, por është motivuar nga studimet klasike dhe etnologjike. Është kërkimi popullor i autencitetit por nën një pikëvështrim kulture enorme që akoma sot nuk jemi në gjendje ta stabilizojmë në nivelin e saj. Të pabotuarat do tregojnë më shumë. Por është një tjetër pikë kërkimi. Kërkimi stilistik i autorit ka një tension të fortë moral dhe i parë në kohët që nxitojnë sot, kjo prezanton një motiv shumë tërheqës. Emblema e globalizimit dhe kompleksit postmodern, fton të braktisen "fortesat" e së kaluarës, por në të shumtën e herës propozon në vend të tyre një thithje të sfungjerit të kaotizmit të lëndës gjuhësore postmoderne, habitat i çastit për elitën e intelektualëve, duke pranuar vendin që ajo zë në letërsi , në merkaton e fituar perandorake. Kësaj autori i kalon anash, i pavëmendshëm. Por nuk është indiferent. Ndonjëherë duke lexuar poezinë e Podrimjes krijohet mendimi se autori ka ndjesinë e fajit që nuk ishte në vijën e parë, nuk qe pjesë e forcës direkt që luftoi për lirinë e Kosovës, duket sikur përcillet në revoltën e mbushur me ndjesi të thellë faji. Por është mendimi se deri ku vlen dhe sa bëhet libri motiv për të ndryshuar? Ky është thelbi i gjithë qenies së autorit në këtë libër.

Është e vështirë, por ia vlen ta lexosh librin mbi të qenit
Është e vështirë, por ia vlen, duke evituar gropat psikike, të ringjitesh nga thellësitë e injorancës, snobizmit e përçmimit, në sipërfaqet objektive të gjërave dhe të mendosh për efektet negative e pozitive të prodhuara nga shoqëria. Shkrimtari do të jetë në krah apo vetëm brenda lëvizjes së punës intelektuale i ndjeshëm, pasiv dhe do të gjendet shpesh i rrezikuar apo i përjashtuar. Kjo formë e përkohshme e krijimtarisë së shumicës duket se i ngjan asaj të samizdat-it. Jemi në një vend të rrëmujshëm dhe të zhurmshëm që në fund të llogarive prodhon një qetësi të zhurmshme. Por brenda këtij konfuzioni është kaq e pamundur të rigjesh lidhje të qarta, fjalë të qarta, pamje të qarta dhe të tentosh si në bashkëpunimin me të tjerë si të kthesh e të gërmosh në vetminë me krijimtarinë, për të prodhuar në atë vet një individualitet.

Që të mos vdesë lexuesi, sipas Podrimjes
I kthehem atij përfytyrimi të parë, kur në krye të këtyre shënimeve kuptoja se duke kaluar këtë libër ishte si të zbrisja me një anije në bregun gjithë kripë. Tani jam gati të ngjesh fytyrën në tokë, në hije të malit, të dëgjoj zërat paganë të të parëve, kur lodhen së shkruari mbi lëkurë druri. Do rri kështu e ngujuar që të mos vijnë ujqërit dhe minjtë të pushtojnë fletët dhe letrat ku shkruajnë poetët. Ata të vërtetët.

NGA DËSHMIA TE POEZIA

Ali Podrimja: “Libri mbi të qenit” (poezi), botoi PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2009

Nga Ahmet Selmani

a) Nocioni i angazhimit

Vetë titulli i vëllimit poetik “Libri mbi të qenit” i Ali Podrimjes krijon kontekstin e dëshmisë ekzistenciale në kuptimin e një angazhimi të veçantë krijues. Si i tillë ai shfaq nevojën e brendshme për të reaguar ndaj ngjarjeve dhe dukurive që janë zhvilluar përpara syve të tij në një kohë të caktuar. Sado që në rrafshin formal ky titull duket paksa sfidues, ditor, ngaqë a priori nuk të lë shumë mundësi për përjetime të drejtpërdrejta poetike, siç ndodh zakonisht, në thelbin e vet ai ndryshon krejtësisht, sepse materia krijuese e mëtejme mbarështrohet në një strukturë shumë të ndërlikuar. Siç mund të kuptohet, brenda vetes ajo ngërthen gjithçka që është nevojshme dhe funksionale për një poezi në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Pra, gjithë ecurinë e tij autori qëllimisht e paralajmëron si libër dhe si dëshmi, jo për ta dhunuar konceptin e poezisë, por për ta harmonizuar në një trajtë më të afërt për lexuesin. Duket qartazi se e gjithë kjo pastaj transformohet natyrshëm, kalon pothuajse pa u hetuar nga kuptimi real-jetësor në atë imagjiantiv-poetik. Kështu, logjikisht del se dëshmia reale e Ali Podrimjes modifikohet në dëshmi poetike, duke kapërcyer çdo kufij ngushtues dhe duke arritur te një metaforë e vërtetë krijuese, e cila të fut në brendësinë e vet dhe të ofron atë që përputhet me realitetin që na rrethon, por edhe me ndjeshmërinë që na ngjallet për të gjitha ndodhitë kolektive. Prandaj koncepti i angazhimit të tij sado që të jetë njerëzor, moral, kolektiv, patriotik, prapëseprapë sublimohet brenda kuptimit themelor të tij, domethënë atij krijues e artistik. Qysh në fillim autori thotë:
Librin mbi të qenit e shkruaj
në shkretëtirën gllabëruese
ku guri pikon gjak dhe e uroj
për fuqinë që ma fal
Kjo ndodh për shkak se dëshmia e tij është truallsore, e drejtpërdrejtë, e përjetuar, e gjallë. Dhe si rezultat i kësaj ajo identifikohet vetvetishëm, për arsye se shfaqet me kontekstin e vet gjeografik dhe historik, por edhe mishërohet thellë me kohën dhe hapësirën gjegjëse. E gjithë kjo bëhet në emër të lirisë ekzistenciale dhe jetësore, si një synim legjitim për të mbetur dëshmi e pakontestueshme dhe për ta thënë të vërtetën jashtëzakonisht tragjike. Prandaj autori shprehet zëshëm dhe fare prerazi:
Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj
Përfytyrimi i këtillë na shpie përpara gjyqit të historisë, ku gjërat fillojnë të vihen në vendin e tyre të merituar. Duke u mbështetur në këtë të drejtë themelore të patjetërsueshme, autori bëhet metaforë e gjallë e realitetit paradoksal, bart kuptimin e dhimbshëm dhe tragjik të tij, duke krijuar ndjeshmërinë e theksuar njerëzore ndaj asaj që është jetë personale dhe etnike njëkohësisht.

b) Toposi etnik

Gjithçka që trajtohet në “Librin mbi të qenit” të Ali Podrimjes kryekëput sillet brenda toposit etnik, si rrafsh i parapëlqyer dhe i zgjedhur i tij, sepse thjesht është një tokësi e përshtatshme për të rendur me intuitën dhe imagjinatën e tij krijuese, është një marrëdhënie e natyrshme ontologjike, një kryefrymëzim dhe kryeangazhim, ose një fillim dhe mbarim, një e kaluar dhe e tashme, një zhgënjim dhe shpresë, një ëndërr dhe realitet. Kërkimi ngulmues i vetvetes si subjekt vëzhgues ose si bartës i drejtpërdrejtë nëpër kohë dhe hapësirë, është njëherësh edhe kërkim i etnisë së nëpërkëmbur, zbulim dhe rizbulim i përmasave tragjike të saj, për shkak se është i ndërgjegjshëm përpara situatës në të cilën ndodhet. Rendja e tij nuk është thjesht vetëm një përshkim drejt vijës horizontale për t’i kapur disa dëshmi që e karakterizojnë atë brenda një periudhe kohore të caktuar, por aq më tepër është edhe një rendje drejt vijës vertikale, e cila shpie pingulthi nga thellësitë shpirtërore si një dëshmi e paluhatshme dhe më e besueshme e dramës tronditëse që ka ndodhur brenda realitetit shqiptar. Në radhë të parë kjo është ballafaqim me të keqen, luftë e vazhdueshme për ta përkufizuar sipas këndvështrimit artistik, është vetëflijim i pashoq para të vërtetës së shtrembëruar, synim largpamës për t’i dhënë kuptimin e duhur asaj që ekziston brenda qenies sonë. Gjersa i lexojmë këto poezi, fitohet përshtypja sikur në këtë fatalitet tragjik që parakalon në mënyrë të hapur para syve të poetit dëshmitar, liria dhe qetësia janë ëndrra krejtësisht të kota, për të mos thënë edhe absurde. Kjo për shkak se anekënd gjejmë vetëm atmosferë vdekjeprurëse, terror kërcënues e tronditës, përballë të cilit gjithçka duket e pafuqishme dhe e pavlerë. Por prapëseprapë ai nuk i humb fijet e njëmendta, ato i gjen midis plojës rrëqethëse, sepse pikërisht ato e çojnë drejt shpresës aq të nevojshme. Prandaj, teksa e sheh atë dëshpërim e katandisje, nuk i harron pjesëtarët e përvuajtur të kolektivitetit të tij. Sado që me fat të keq, lidhur me ta ai mbledh forcë dhe thotë:
Zoti nuk u kishte falur as barë
vetëm gjarpërinj
e gurë

Por ata kishin diçka
që kurrë s’mundi t’ua zbulojë i Madhi
jetonin gjatë

Veçse kjo jetëgjatësi është e pazakontë, ka domethënie mbijetuese, karakterizohet me ngritje dhe rënie të dhimbshme, të cilat shfaqen me gjithë peshën e tyre psikologjike dhe fizike. Kjo është pamja reale dhe poetike njëkohësisht, pleksja e së cilës bëhet me një ndjenjë të fortë dhe me një vizion shumë të qartë përpara lexuesit. Duke mbrojtur qenien e vet individuale dhe kolektive, ai mbron të vërtetën e përgjithshme, përcjell një kumt hyjnor para lexuesit, duke i bërë me dije se ligjet e absurdit tragjik, të zhbërjes kolektive të një populli, përbuzjes primitive të tij etj., nuk i ka krijuar asnjë forcë e mbinatyrshme, por pikërisht njeriu në kuptimin hobsian. Ndaj poezia e A. Podrimjes duke u shfaqur si dëshmi artistike, ajo bëhet edhe çmistifikuese e realitetit të gënjeshtërt, fakt shpirtëror dhe fizik, sepse realiteti i përjetuar nga shqiptarët ende është i freskët dhe kullon gjak. Dhe, kush mund t’i ngushëllojë më mirë përjetuesit e saj, përveç poezisë së këtij autori i cili është i mishëruar aq thellë? Pra, pikërisht kjo poezi është klithmë burimore dhe e çiltër, që shkundullon vetëdijen dhe ndërgjegjen e lexuesve, të cilët s’kanë si të mos e përjetojnë me ndjeshmëri artistike.

c) Dinamika figurative

Teksa e lexojmë këtë vëllim poetik të A. Podrimjes, gjithsesi na bën përshtypje edhe struktura figurative që krijon autori për ta ngritur ligjërimin e tij si një mjet i domosdoshëm komunikues. Sido që ta shikojmë, fare lehtë mund të thuhet se nëpërmjet tekstit ai e krijon edhe kontekstin, pra brendësinë dhe jashtësinë, të dukshem dhe të padukshmen, ku figurat poetike gjithnjë shfaqen me një dinamikë të veçantë, inkorporohen në mënyrë të natyrshme brenda poezive, bashkërenditen si një tërësi domethënëse, herë qëndrojnë në mënyrë vetanake e mbizotëruese, e herë kombinohen me figura të tjera, për t’i dhënë tekstit poetik fuqi më të madhe në aspektin e perceptimit të tij. Realisht, në këtë brumë figurativ gjejmë simbole të shumta, metafora të ndryshme, alegori specifike etj., të cilat vetvetiu sintetizohen në suaza të strukturës ligjëruese dhe rrezatojnë kuptime të rrokshme. Prandaj, është shumë e qartë se A. Podrimja kështu ndërton një bashkëbisedim jashtëzakonisht të ngjeshur figurativ, të latuar e të kontrolluar me kujdes, vetëm e vetëm që teksti poetik të dalë sa më i kursyer dhe sa më lakonik.

ç) Fizionomia poetike

Gjithsesi, në fund vlen të theksohet fakti se Ali Podrimja edhe me përmbledhjen poetike “Libri mbi të qenit” komunikon në mënyrë fare të natyrshme jo vetëm me realitetin tonë tragjik, por edhe me lexuesin i cili tashmë është mësuar me gjuhën artistike të tij. Me këtë ai niset nga dëshmia, por arrin te poezia. Ky është synimi dhe vizioni artistik i tij. Ai i ka dhënë një fizionomi të qartë poezisë bashkëkohore shqiptare, duke e ngritur atë në nivele të larta jo vetëm ballkanike, por edhe më gjerë. Me lëndën e saj tepër burimore, gjuhën shumë të ngjeshur, figuracionin e përsosur, frymën bashkëbiseduese etj., kjo poezi del shumë e perceptueshme dhe e rrokshme.

Donkishoti i tallazitur




Shteti është dhe mbetet tërësi organike e institucioneve, e opozita e sotme me në krye Edi Ramën është një institucion qe vet vuan nga sëmundja më e keqe e organit në tërësi.

Nga Bekim Rexhepi

Kur akademiku bie në analiza të thjeshta dhe jo të thelluara, na mbetet ti bëjmë me dije se është veçse i lodhur dhe i “vet” instrumentalizuar përfundimisht. Po pse analizat e tij çdo herë po bëhen më të thjeshta dhe ma të mjera?. Më të thjeshta dhe ma të mjera po bëhen se sa mund të bëhen analizat e një akademiku të vërtetë, e kjo mbase nuk është pritshmëria prej akademiku të “njëmendët”!
Kur analizat e Qosjes do të duhej të ishin më të vërtetuar në fakte, më të thelluara në argumente të tjera dhe jo të mbartin ndikime të thella të politikës ditore. Kur akademiku është në politik ditore, duket se i shkon për shtati të bëhet ditori më i neveritshëm, i analizave të përditshme politike.
Kur sheh se si është instrumentalizuar akademiku me politikën ditore të Edvinit, vërtet të vije keq, gjithashtu e ndien edhe një zbrazëtirë logjike dhe një ngërç moral se si ndodhë qe akademiku, “alamet akademiku” të humbë, të huqet fare, me një lider të bezdisshëm për të gjithë shqiptaret.

Qosja për ta luftuar Berishen nga prizmi “akademik”, orvatet të sajoj ngjarje të shumta duke i bishtnuar realitetet, madje edhe duke u orvatur të sajoj disa krahasime si me Ben Alinë e Tunizisë, Hosni Mubaraku e Egjiptit dhe tash se fundi me Moamer el-Gadaf e Libisë, mbase do të ketë edhe të tjerë më pas!?...
Qosja përpiqet qe përmes shembullit të Gadafit, Mubarakut dhe me Alinë, të lidhë gjithë përshkrimin historik dhe gjithë shembullin e Berishës me shqiptarët, duke e mistifikuar realitetin me gjuhen e tallazitur të akademikut.

21 Janari nuk ishte ngjarje e opozitës së vërtet shqiptare, për të cilën kokorizet edhe nga Qosja një serë shkrimesh ditëve të fundit, e për sqarime se Edvin Kristaq Rama nuk është përfaqësues i denjët i opozitës së vërtetë në Shqipëri, ajo ka humbur qëllimin  e saj për të mbetur opozitë. Edvin Rama pas humbjes do të duhej të jepte dorëheqje, ashtu siç bëri F.Nano, një kusht i domosdoshëm i partisë socialiste, më këtë akt do të mund të ligjësohet statusi i partisë. Ndërsa, Edvini në vend të dorëheqjes për humbjen ka zgjedhur format me agresive të luftës mbi pushtetin e fitores. Edhe Qosja, e harron këtë fakt të dorëheqjes së humbësit dhe i kthehet qilimit të fituesit, duke i hequr fije të parëndësishme qe nuk e dëmtojnë fare estetikën.

Qosja e sulmon Berishen dhe aq respekt qe ka për shqiptaret ka edhe për kryeministrin e Shqipërisë, të cilët i bënë arab, ndofta ne ndonjë shkrim të radhës akademiku Berishën do ta bëjë shqiptaret si al-kaida, e mbase kështu siç e ka filluar Qosja do e mos se do të na tallazojë.

Akademiku Qosja jo pa qëllim prej kohësh është instaluar me kritikë për pushtetin e Berishës, për pushtetin e demokracisë në Shqipëri, duke harruar se pushteti i Berishës nuk u krijuar si ne bahçe të babës, ashtu siç mund të ishte krijuar (gjithnjë sipas Qosjes) veprat e rilindësit A. Z. Çajupi.
Harron Qosja se janë votat e qytetarëve të ati vendi, të ati vendi qe akademiku Qosja e viziton më me pak herës, e edhe më me pakë njerëz për rreth dhe më rrallë për shkak të faktit të të parit, se rrethi i është ngushtë dhe aq.

Qosja spekulon në mënyrë të varfër, shumë të varfër me konceptin e demokracisë, me konceptin e legjitimitetit të pushtetit në Shqipëri. Ai çdoherë heshtë kur për atë Shqipëri ku ne pushtet është komunisti, socialisti dhe neusocialisti, nëse do të ketë fat të shkruaj akoma.
Shteti është dhe mbetet tërësi organike e institucioneve, e opozita e sotme me në krye Edi Ramën është një institucion qe vet vuan nga sëmundja më e keqe e organit në tërësi.
E kam të vështirë të besoj gjithë atë qe tallazon donkishoti shqiptar, me emrin Rexhep Qosja, njeriu më verbal i patriotizmit shqiptar, i ati akademiku si në këto vargje:

Donkishoti ynë qeth e rruar në zero
në rroba femre vesh
në karro plehu kalon kufirin Shq-Shq

Mes dy gurëve
(Bllacë, 1999) vëllimi poetik i A. Podrimjes „Libri mbi të qenit“


07.03.2011


VELESHTA SI METAFORË (Ode për vendlindjen)


 “… dhe kudo që shkoj, kahdo që shkojë jam një copë Veleshtë”.

Av
           Agim Vinca
            Nuk e kam të lehtë të flas para Jush, unë njeriu i penës dhe i fjalës publike, sepse njeriu i shkretë, sado moshë e përvojë që të ketë, para Nënës dhe Vendlindjes mbetet gjithmonë fëmijë, e shumta adoleshent.
            Do të përpiqem, megjithatë, të them diçka për raportin tim me vendlindjen dhe për fenomenin vendlindje në përgjithësi, me shpresë se nuk do t’Ju bezdis.
            Dyzet vjet më parë, si student i posadiplomuar në Prishtinë, shkrova poemën Vargje për Veleshtën, të cilën e pata botuar fillimisht te gazeta e atëhershme “Flaka e vëllazërimit” dhe pastaj edhe në librin tim të parë me poezi Feniksi (“Flaka”, Shkup 1972). Në vargjet e kësaj poeme, shumë të dashur për mua, ndër të tjera, shkruaja:
            “Jam unë, biri yt, Veleshtë/ unë - biri yt shkollari,/ jam unë që po të flas./ Jam unë që të rri para e mbas/ dhe pulsin ta mas/ dhe hapat t’i numëroj./ Letërnjoftimin tënd mbaj në xhep/ dhe e shfletoj kudo që është nevoja, emrin dhe mbiemrin ta shqiptoj,/ pa m’u marrë goja./ Unë flas me gjuhën tënde të thjeshtë/ dhe kudo që shkoj, kahdo që shkel/ Jam një copë Veleshtë”.
             Së shpejti do të mbushen plot dyzet vjet nga koha kur janë shkruar këto vargje (prill-maj 1971), që përçojnë edhe sot, pak a shumë, të njëjtin emocion: dashurinë për vendlindjen dhe mishërimin me fatin e saj.
            Shumë ujë ka rrjedhur nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar, shumë njerëz nuk janë më në mesin tonë; kanë ikur përgjithmonë. As unë nuk jam ai poeti entuziast, që shkroi vargjet e mësipërme. Por vazhdoj të jem, sikurse Ju, secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, kudo që jam dhe në çdo kohë, “një copë Veleshtë”! Sepse, të gjithë ne, pa përjashtim, jemi të lidhur ngushtë, pazgjidhshmërisht, me këtë vend ku kemi parë për herë të parë dritën e diellit dhe ku kemi bërë hapat e parë në jetë dhe që e duam secili në mënyrën e vet.
            Ne me demandez pas pourquoi j’aime la Touraine? (Mos më  pyesni pse e dua Turenin?) - thoshte Balzaku i madh për krahinën nga e cila vinte dhe përgjigjej: «Unë e dua atë jo si fëmija djepin, as siç e duam një oazë në shkretëtirë; unë e dua ashtu si një artist e do artin», duke shtuar se pa Turenin, ndoshta, nuk do të mund të jetonte.
            Kështu shkruan Balzaku te romani Zambaku në luginë.
            Mos më pyetni pse e dua Veleshtën, të djeshmen dhe të sotmen; atë të shtëpive përdhese me qita, të varfër, por plot jetë dhe këtë të vilave luksoze, të bukura e komode, por shumë herë bosh, pa njerëz brenda; Veleshtën të qerreve me qe dhe të veturave super-moderne. Të parën sidomos.
            Ka ndryshuar shumë Veleshta jonë; nuk është më ajo e dikurshmja. Koha e ka bërë të vetën; jeta është modernizuar; kurbeti s’ka pushuar, por ka ndërruar formë, duke u shndërruar shumë herë në mërgim. Sot, ndryshe nga pesëdhjetë a njëqind vjet më parë, jo të gjithë ata që quhen veleshtarë jetojnë në Veleshtë. Veleshtarë ka edhe në Strugë e në Ohër, edhe në Shkup e Tetovë, edhe në Prishtinë e Tiranë, e edhe në Evropë e Amerikë; në Austri, Gjermani, Suedi, SHBA. E ku nuk ka? Vetëm në Zvicër, siç dihet fare mirë, ka një Veleshtë të dytë! Një kanton i pashpallur veleshtar në tokën helvetike!
            Jetojmë në erën e globalizmit dhe pakkush nga ne jeton më në fshatin e tij të lindjes, siç pat thënë nobelisti polak, Çesllav Millosh, i cili pjesën dërrmuese të jetës e kaloi në Paris e Nju-Jork, për t’u kthyer sërish në fund si elefanti në vendin lindor, ku mbylli sytë përgjithmonë. (Vdiq më 19 gusht 2004 në Krakovë).
            Vendlindja apo vendlermi, si thoshin rilindësit tanë, shumica syresh mërgimtarë të përjetshëm, është vendi me të cilën na lidhin fije të shumta, të dukshme e të padukshme dhe mbi të gjitha kujtimet e fëmijërisë, stinës më të bukur të jetës.
            “Do të vij tek ti,/ të zhytem kryehutas në Dri’/ të kridhem thellë në ujërat e tij/ të notoj syçelë pas fëmijërisë/ si pas gurëve të bardhë dikur” - shkruaja në atë poemën time rinore për Veleshtën, me të cilën e nisa këtë fjalë fjalë timen modeste, të shkruar apostafat për këtë rast.
            Më lejoni t’ju them, të dashur miq, se kjo “zhytje” ende s’ka marrë fund (sa do të zgjasë nuk e di, por jam i bindur se do të vazhdojë edhe pas meje); unë jam në kërkim të fëmijërisë dhe të Veleshtës sime të dikurshme, e cila, për mua personalisht, më shumë se një vendbanim konkret, real, tokësor, është një realitet virtual dhe një metaforë.
            Ç’është vendlindja? A mund të përkufizohet ajo?
            Të provosh ta përkufizosh vendlindjen është njësoj si ta fusësh në kallëp zjarrin, dashurinë, mallin…
            Vendlindje është toka dhe qielli, bari që mbin në pranverë dhe strehët që pikojnë në vjeshtë; xixëllonjat në netët verore dhe qirinjtë e akullit në dimër; vendlindje janë ritet e Ditës së Verës dhe festave të tjera të motmotit, të lashta sa vetë bota; vezët e skuqura me lëvore qepe dhe kukurekët herakë, kasnecë të stinës së re, që stolisin dyer e dritare, tok me shamitë e nuseve veleshtare; janë jargavanët (agravonat) që çelin oborreve pranë avllive dhe aroma e tyre dehëse; vendlindje janë dasmat, këngët, vallet, por edhe takimet, ndarjet, vdekjet dhe varret (ah, varret!)… “Stërgjyshërit ku kanë qënë dhe varret që kanë lënë”, siç do të shoshte Çajupi i përgjëruar për Sheperin e tij atje në Misir.
            Vendlindja është djep i frymëzimit, arkiv i kujtesës, peng i shpresës. Shkronja “V” si vetëtimë në ballë! Rrëfimet për trima e kaçakë me nam; për rapsodë e valltarë me talent të rrallë, që janë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e dhuntisë krijuese të njerëzve të kësaj treve. Vallet dyshe të burrave dhe vajtimet e grave veleshtare, që t’i kujtojnë tragjeditë antike, e që na shtyjnë të mendojnë se Veleshta jonë, sikurse edhe simotrat e saj përreth, ka pasur në të kaluarën Safot dhe Homerët e vet anonimë, ashtu siç i ka sot poetët, artistët dhe intelektualët e vet me emër.
            Ky është imazhi i vendlindjes për brezin tim dhe ata para nesh. Për brezat që vijnë, ata që i takojnë Veleshtës së re, kësaj që quhet New Veleshta, si shkruan në atë tabelën në hyrje të fshatit, ky imazh mund të jetë krejt ndryshe.
            Gjithkush ka Veleshtën e vet, që e ruan në kujtesë si gjënë më të shtrenjtë.
            Më ka rënë të flas nëpër tribunat e botës, deri edhe në Romë, Paris, Berlin e Nju-Jork, por shumë rrallë këtu ku kam lindur e jam rritur. (Dhe kur them kështu, më shumë se Veleshtën, kam parasysh Strugën, që është qendër komunale dhe ku pushtetin tash sa vjet e kanë shqiptarët). Nuk më është dhënë ky shans në vendlindjen time të dashur. Nuk e di pse.
            Si bir i saj, kam bërë për të aq sa kam mundur. (Të tjerët le ta vlerësojnë në është shumë a pak). Jam përpjekur t’ia rris namin, t’ia lartësoj emrin dhe t’i dal zot në ditë të vështira. Si poet kam thurur shumë vargje për të, kurse si njeri e intelektual jam vënë në mbrojtje të nderit të saj me shkrimet (dhe veprimet) e mia edhe në kohën kur fjala matej në kandarin e farmacistit, si i thonë një fjale, kurse çdo hap i bërë për të mirën e saj si pjesë e tërësisë që i takon, botës së njerëzve që flasin shqip dhe që e quajnë veten shqiptarë, ndiqej hap pas hapi nga qentë roje të regjimit.
            Pak kam bërë - thoshte Brehti, njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të nazizmit dhe të çdo ideologjie totalitare, në testamentin e tij poetik Atyre që vijnë pas neshpor jam i bindur se sunduesit më të qetë do të ishin pa mua”.
            Do të mund të flisja gjatë për raportin tim me vendlindjen dhe të vendlindjes me mua, sigurisht, por nuk jam këtu për këtë punë.
            Jam ftuar të marr pjesë në këtë takim dhe të lexoj diçka nga krijimtaria ime.         Dhe këtu fillon dilema: ç’të zgjedh, cilën poezi, cilin tekst?
            Citova pjesë nga poema e hershme Vargje për Veleshtën. Do të mund ta lexoja poezinëPlepat e vendlindjes, për të cilën miku im poet, Jusuf Gërvalla, qe shprehur me fjalët më të mira në kohën kur u botua (e pata takuar rastësisht në hotel “Metohia” në Pejë, ditën që doli vjersha në fjalë te “Rilindja”, gusht 1978 dhe më pat thënë: “Edhe katër-pesë poezi si kjo po qe se shkruan, mjafton!”); do të mund t’jua thosha përmendsh vjershën Veleshtare, moj kokone, të shkruar mbi motivet e këngës së njohur me të njëjtin titull, që mund të quhet lirisht “këngë e shekullit” dhe himn i vendlindjes sonë të përbashkët; do të mund t’jua lexoja vjershën Abetarja e parë, kushtuar Fejzi Vincës dhe simotrën e saj Këngë për Osman Kicën, që flasin për dy figura të bukura të vendlindjes - për pishtarin e arsimit (e para) dhe luftëtarin kryengritës (e dyta); do të mund ta shpalosja satirën Përralla për mashat, për t’i rikujtuar ose, më mirë, për të mos i harruar të zezat që ia kemi bërë shumë herë njëri-tjetrit, në të vërtetë vetvetes, e edhe sa e sa poezi të tjera, por u përcaktova për një krijim poetik në të cilin flas për figurën e nënave tona, grave veleshtare, duke evokuar kujtimin e tyre dhe të vendlindjes nga larg, nga ku vendlindja duhet më shumë dhe jo rrallë edhe shihet më mirë e më qartë. Kjo poezi, e cila për nga forma i ngjan një proze poetike, është shkruar në Paris, në vitin 2002 dhe e përmbyll ciklinFletorja e Parisit të librit tim tani për tani të fundit me poezi Psalmet e rrënjës (2007).

(Fjalë e mbajtur në takimin e intelektualëve veleshtarë, më 5 mars 2011, në Veleshtë)

                                              

PARIS! PARRIZ!

(Në vend të epilogut)

Gratë e fshatit tim, që s’dinin gjeografi as shkrim-lexim, sa herë shihnin ndonjë shtëpi të bukur, të pastër e të rregulluar me shije, qoftë edhe përdhese, psherëtinin me pahir: “Paris, he bir!”. Ishin analfabete, por shijen e të bukurës e kishin të lindur, në vete. Ishin të pastra e qibare dhe visheshin bukur si kokona. Tamam ashtu siç thotë kënga. Nuk e di si e nga, por në katundin tim Parisi ishte mostër e rregullit, pastërtisë, bukurisë, shkëlqimit, ndonëse askush nga banorët e tij nuk e kishte vizituar ndonjëherë këtë qytet magjik. Dhe, doemos, edhe i ëndrrës për një ditë më të mirë, me më shumë dritë. E besa dhe i luleve, të bukura e shumëngjyrëshe, që nënat tona i mbillnin vetë me duart e tyre, rreth shtëpive. Me po ato duar me të cilat milnin lopët, lanin rrobat me finjë e gatuanin bukë në çerep. Dhe përkundnin djepin. Djepat. E ishte një kohë kur Veleshta ime rebele nuk ishte bërë ende zog shtegtar. Kur banorët e saj buzëdrinas lindnin e vdisnin aty, në atë luginë rrethuar me male, larg syve të botës e bukurive të saj, pa parë dynja me sy, si thonë ata...
E thoshin shpesh: “Si n’Paris!”. “Si n’Paris!”. Burra e gra, pleq e të rinj. Gratë sidomos. Dhe ime ëmë, ndjesë pastë. Më e mira e të gjithave, më e mençura, më e bukura, më e ditura, më bujarja. Më poetja.
Dhe ja, tani, unë sugari i  saj (I teti në bronx!), tek endem rrugëve të këtij qyteti me një çantë në krah e syze në sy - e vizitoj Notrë Damë e Luvër e Tyjlëri - më vjen në mend fëmijëria ime e varfër me shtëpi përdhese e lehe lulesh strehëve, mbjellë nga duart e vyeshme të nënave tona, që kaherë kanë shkuar në atë botë (në parajsë a parriz). E në shpirt më ther si thikë një mall e më dokëndis: Paris! Paris! Parriz!

(Paris, 2002-2005)

NGA VULLNET MATO :LETËR NËNËS


LETËR NËNËS
(Mbetur dyzet vjet pa botuar për shkak të censurës.)

 
Këtë letër për ty,
e shtrenjta Nëna ime,
e mbështolla me zarfin e ngrohtë
të një psherëtime
dhe po e nis nga thellësitë e pyjeve Lindorë,
ku më dhanë të drejtën për të punuar,
pasi mbeta rrugëve të qytetit Jugor,
ku të kam lënë si ëndërr të paharruar.

Po e nis gjethe pas gjethesh,
erë pas erërash,
mjegull pas mjegullash,
rrugë pas rrugësh,
brigje pas brigjesh,
largësi pas largësish.

Po e nis të lagur me rrëketë e çiltra të lotëve,
të qullur me pikat e gjakut të zemrës brishtore,
të zbutur me bulëzat e djersitjes pa gjumë,
të njomur me sekrecionet e artikulimit
të frazës kryesore:
“Oh, për ty më ka marrë malli shumë, shumë !”…

Ta dërgoj bashkë me kujtimet e largëta,
tok me drithërimet e fëmijërisë,
tok me një gotë të mbushur me lot për ty,
dhe me urrejtje për ata që më ndanë nga ty
e nga trualli ku së pari më dhe sisë.

Po e nis për aty,
te rëra e deteve,
te gurët e zalleve,
te lulet e pranverës,
te buzëqeshjet e njerëzve,
te puthjet e vëllezërve,
te dhimbjet e të mjerëve.

E dashura nëna ime,
ta dish mirë se nga malli për ty
shumë herë kam vdekur,
dhe kur kam kujtuar dashurinë tënde,
shumë herë jam ringjallur përsëri…

Pres me padurim të kthehem,
më ka marrë etja
për pak tinguj nga zëri yt,
për pak dallgë nga Joni,
për pak ujë nga Bistrica,
për pak rërë nga Limjoni.
Në valët e kripura të zhvishem,
në gjoksin tënd të ëmbël të kridhem.
Plagët e zemrës t’i shëroj,
të gris një pëlhurë të zezë
që dekada me radhë
na ndau nga njëri-tjetri me urrejtje
dhe t’ju përqafoj të gjithëve marrëzisht,
kështu siç jam i përmalluar për vdekje…
 



Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...