2011-03-07

VELESHTA SI METAFORË (Ode për vendlindjen)


 “… dhe kudo që shkoj, kahdo që shkojë jam një copë Veleshtë”.

Av
           Agim Vinca
            Nuk e kam të lehtë të flas para Jush, unë njeriu i penës dhe i fjalës publike, sepse njeriu i shkretë, sado moshë e përvojë që të ketë, para Nënës dhe Vendlindjes mbetet gjithmonë fëmijë, e shumta adoleshent.
            Do të përpiqem, megjithatë, të them diçka për raportin tim me vendlindjen dhe për fenomenin vendlindje në përgjithësi, me shpresë se nuk do t’Ju bezdis.
            Dyzet vjet më parë, si student i posadiplomuar në Prishtinë, shkrova poemën Vargje për Veleshtën, të cilën e pata botuar fillimisht te gazeta e atëhershme “Flaka e vëllazërimit” dhe pastaj edhe në librin tim të parë me poezi Feniksi (“Flaka”, Shkup 1972). Në vargjet e kësaj poeme, shumë të dashur për mua, ndër të tjera, shkruaja:
            “Jam unë, biri yt, Veleshtë/ unë - biri yt shkollari,/ jam unë që po të flas./ Jam unë që të rri para e mbas/ dhe pulsin ta mas/ dhe hapat t’i numëroj./ Letërnjoftimin tënd mbaj në xhep/ dhe e shfletoj kudo që është nevoja, emrin dhe mbiemrin ta shqiptoj,/ pa m’u marrë goja./ Unë flas me gjuhën tënde të thjeshtë/ dhe kudo që shkoj, kahdo që shkel/ Jam një copë Veleshtë”.
             Së shpejti do të mbushen plot dyzet vjet nga koha kur janë shkruar këto vargje (prill-maj 1971), që përçojnë edhe sot, pak a shumë, të njëjtin emocion: dashurinë për vendlindjen dhe mishërimin me fatin e saj.
            Shumë ujë ka rrjedhur nga ajo kohë, shumë gjëra kanë ndryshuar, shumë njerëz nuk janë më në mesin tonë; kanë ikur përgjithmonë. As unë nuk jam ai poeti entuziast, që shkroi vargjet e mësipërme. Por vazhdoj të jem, sikurse Ju, secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, kudo që jam dhe në çdo kohë, “një copë Veleshtë”! Sepse, të gjithë ne, pa përjashtim, jemi të lidhur ngushtë, pazgjidhshmërisht, me këtë vend ku kemi parë për herë të parë dritën e diellit dhe ku kemi bërë hapat e parë në jetë dhe që e duam secili në mënyrën e vet.
            Ne me demandez pas pourquoi j’aime la Touraine? (Mos më  pyesni pse e dua Turenin?) - thoshte Balzaku i madh për krahinën nga e cila vinte dhe përgjigjej: «Unë e dua atë jo si fëmija djepin, as siç e duam një oazë në shkretëtirë; unë e dua ashtu si një artist e do artin», duke shtuar se pa Turenin, ndoshta, nuk do të mund të jetonte.
            Kështu shkruan Balzaku te romani Zambaku në luginë.
            Mos më pyetni pse e dua Veleshtën, të djeshmen dhe të sotmen; atë të shtëpive përdhese me qita, të varfër, por plot jetë dhe këtë të vilave luksoze, të bukura e komode, por shumë herë bosh, pa njerëz brenda; Veleshtën të qerreve me qe dhe të veturave super-moderne. Të parën sidomos.
            Ka ndryshuar shumë Veleshta jonë; nuk është më ajo e dikurshmja. Koha e ka bërë të vetën; jeta është modernizuar; kurbeti s’ka pushuar, por ka ndërruar formë, duke u shndërruar shumë herë në mërgim. Sot, ndryshe nga pesëdhjetë a njëqind vjet më parë, jo të gjithë ata që quhen veleshtarë jetojnë në Veleshtë. Veleshtarë ka edhe në Strugë e në Ohër, edhe në Shkup e Tetovë, edhe në Prishtinë e Tiranë, e edhe në Evropë e Amerikë; në Austri, Gjermani, Suedi, SHBA. E ku nuk ka? Vetëm në Zvicër, siç dihet fare mirë, ka një Veleshtë të dytë! Një kanton i pashpallur veleshtar në tokën helvetike!
            Jetojmë në erën e globalizmit dhe pakkush nga ne jeton më në fshatin e tij të lindjes, siç pat thënë nobelisti polak, Çesllav Millosh, i cili pjesën dërrmuese të jetës e kaloi në Paris e Nju-Jork, për t’u kthyer sërish në fund si elefanti në vendin lindor, ku mbylli sytë përgjithmonë. (Vdiq më 19 gusht 2004 në Krakovë).
            Vendlindja apo vendlermi, si thoshin rilindësit tanë, shumica syresh mërgimtarë të përjetshëm, është vendi me të cilën na lidhin fije të shumta, të dukshme e të padukshme dhe mbi të gjitha kujtimet e fëmijërisë, stinës më të bukur të jetës.
            “Do të vij tek ti,/ të zhytem kryehutas në Dri’/ të kridhem thellë në ujërat e tij/ të notoj syçelë pas fëmijërisë/ si pas gurëve të bardhë dikur” - shkruaja në atë poemën time rinore për Veleshtën, me të cilën e nisa këtë fjalë fjalë timen modeste, të shkruar apostafat për këtë rast.
            Më lejoni t’ju them, të dashur miq, se kjo “zhytje” ende s’ka marrë fund (sa do të zgjasë nuk e di, por jam i bindur se do të vazhdojë edhe pas meje); unë jam në kërkim të fëmijërisë dhe të Veleshtës sime të dikurshme, e cila, për mua personalisht, më shumë se një vendbanim konkret, real, tokësor, është një realitet virtual dhe një metaforë.
            Ç’është vendlindja? A mund të përkufizohet ajo?
            Të provosh ta përkufizosh vendlindjen është njësoj si ta fusësh në kallëp zjarrin, dashurinë, mallin…
            Vendlindje është toka dhe qielli, bari që mbin në pranverë dhe strehët që pikojnë në vjeshtë; xixëllonjat në netët verore dhe qirinjtë e akullit në dimër; vendlindje janë ritet e Ditës së Verës dhe festave të tjera të motmotit, të lashta sa vetë bota; vezët e skuqura me lëvore qepe dhe kukurekët herakë, kasnecë të stinës së re, që stolisin dyer e dritare, tok me shamitë e nuseve veleshtare; janë jargavanët (agravonat) që çelin oborreve pranë avllive dhe aroma e tyre dehëse; vendlindje janë dasmat, këngët, vallet, por edhe takimet, ndarjet, vdekjet dhe varret (ah, varret!)… “Stërgjyshërit ku kanë qënë dhe varret që kanë lënë”, siç do të shoshte Çajupi i përgjëruar për Sheperin e tij atje në Misir.
            Vendlindja është djep i frymëzimit, arkiv i kujtesës, peng i shpresës. Shkronja “V” si vetëtimë në ballë! Rrëfimet për trima e kaçakë me nam; për rapsodë e valltarë me talent të rrallë, që janë pjesë e kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e dhuntisë krijuese të njerëzve të kësaj treve. Vallet dyshe të burrave dhe vajtimet e grave veleshtare, që t’i kujtojnë tragjeditë antike, e që na shtyjnë të mendojnë se Veleshta jonë, sikurse edhe simotrat e saj përreth, ka pasur në të kaluarën Safot dhe Homerët e vet anonimë, ashtu siç i ka sot poetët, artistët dhe intelektualët e vet me emër.
            Ky është imazhi i vendlindjes për brezin tim dhe ata para nesh. Për brezat që vijnë, ata që i takojnë Veleshtës së re, kësaj që quhet New Veleshta, si shkruan në atë tabelën në hyrje të fshatit, ky imazh mund të jetë krejt ndryshe.
            Gjithkush ka Veleshtën e vet, që e ruan në kujtesë si gjënë më të shtrenjtë.
            Më ka rënë të flas nëpër tribunat e botës, deri edhe në Romë, Paris, Berlin e Nju-Jork, por shumë rrallë këtu ku kam lindur e jam rritur. (Dhe kur them kështu, më shumë se Veleshtën, kam parasysh Strugën, që është qendër komunale dhe ku pushtetin tash sa vjet e kanë shqiptarët). Nuk më është dhënë ky shans në vendlindjen time të dashur. Nuk e di pse.
            Si bir i saj, kam bërë për të aq sa kam mundur. (Të tjerët le ta vlerësojnë në është shumë a pak). Jam përpjekur t’ia rris namin, t’ia lartësoj emrin dhe t’i dal zot në ditë të vështira. Si poet kam thurur shumë vargje për të, kurse si njeri e intelektual jam vënë në mbrojtje të nderit të saj me shkrimet (dhe veprimet) e mia edhe në kohën kur fjala matej në kandarin e farmacistit, si i thonë një fjale, kurse çdo hap i bërë për të mirën e saj si pjesë e tërësisë që i takon, botës së njerëzve që flasin shqip dhe që e quajnë veten shqiptarë, ndiqej hap pas hapi nga qentë roje të regjimit.
            Pak kam bërë - thoshte Brehti, njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj të nazizmit dhe të çdo ideologjie totalitare, në testamentin e tij poetik Atyre që vijnë pas neshpor jam i bindur se sunduesit më të qetë do të ishin pa mua”.
            Do të mund të flisja gjatë për raportin tim me vendlindjen dhe të vendlindjes me mua, sigurisht, por nuk jam këtu për këtë punë.
            Jam ftuar të marr pjesë në këtë takim dhe të lexoj diçka nga krijimtaria ime.         Dhe këtu fillon dilema: ç’të zgjedh, cilën poezi, cilin tekst?
            Citova pjesë nga poema e hershme Vargje për Veleshtën. Do të mund ta lexoja poezinëPlepat e vendlindjes, për të cilën miku im poet, Jusuf Gërvalla, qe shprehur me fjalët më të mira në kohën kur u botua (e pata takuar rastësisht në hotel “Metohia” në Pejë, ditën që doli vjersha në fjalë te “Rilindja”, gusht 1978 dhe më pat thënë: “Edhe katër-pesë poezi si kjo po qe se shkruan, mjafton!”); do të mund t’jua thosha përmendsh vjershën Veleshtare, moj kokone, të shkruar mbi motivet e këngës së njohur me të njëjtin titull, që mund të quhet lirisht “këngë e shekullit” dhe himn i vendlindjes sonë të përbashkët; do të mund t’jua lexoja vjershën Abetarja e parë, kushtuar Fejzi Vincës dhe simotrën e saj Këngë për Osman Kicën, që flasin për dy figura të bukura të vendlindjes - për pishtarin e arsimit (e para) dhe luftëtarin kryengritës (e dyta); do të mund ta shpalosja satirën Përralla për mashat, për t’i rikujtuar ose, më mirë, për të mos i harruar të zezat që ia kemi bërë shumë herë njëri-tjetrit, në të vërtetë vetvetes, e edhe sa e sa poezi të tjera, por u përcaktova për një krijim poetik në të cilin flas për figurën e nënave tona, grave veleshtare, duke evokuar kujtimin e tyre dhe të vendlindjes nga larg, nga ku vendlindja duhet më shumë dhe jo rrallë edhe shihet më mirë e më qartë. Kjo poezi, e cila për nga forma i ngjan një proze poetike, është shkruar në Paris, në vitin 2002 dhe e përmbyll ciklinFletorja e Parisit të librit tim tani për tani të fundit me poezi Psalmet e rrënjës (2007).

(Fjalë e mbajtur në takimin e intelektualëve veleshtarë, më 5 mars 2011, në Veleshtë)

                                              

PARIS! PARRIZ!

(Në vend të epilogut)

Gratë e fshatit tim, që s’dinin gjeografi as shkrim-lexim, sa herë shihnin ndonjë shtëpi të bukur, të pastër e të rregulluar me shije, qoftë edhe përdhese, psherëtinin me pahir: “Paris, he bir!”. Ishin analfabete, por shijen e të bukurës e kishin të lindur, në vete. Ishin të pastra e qibare dhe visheshin bukur si kokona. Tamam ashtu siç thotë kënga. Nuk e di si e nga, por në katundin tim Parisi ishte mostër e rregullit, pastërtisë, bukurisë, shkëlqimit, ndonëse askush nga banorët e tij nuk e kishte vizituar ndonjëherë këtë qytet magjik. Dhe, doemos, edhe i ëndrrës për një ditë më të mirë, me më shumë dritë. E besa dhe i luleve, të bukura e shumëngjyrëshe, që nënat tona i mbillnin vetë me duart e tyre, rreth shtëpive. Me po ato duar me të cilat milnin lopët, lanin rrobat me finjë e gatuanin bukë në çerep. Dhe përkundnin djepin. Djepat. E ishte një kohë kur Veleshta ime rebele nuk ishte bërë ende zog shtegtar. Kur banorët e saj buzëdrinas lindnin e vdisnin aty, në atë luginë rrethuar me male, larg syve të botës e bukurive të saj, pa parë dynja me sy, si thonë ata...
E thoshin shpesh: “Si n’Paris!”. “Si n’Paris!”. Burra e gra, pleq e të rinj. Gratë sidomos. Dhe ime ëmë, ndjesë pastë. Më e mira e të gjithave, më e mençura, më e bukura, më e ditura, më bujarja. Më poetja.
Dhe ja, tani, unë sugari i  saj (I teti në bronx!), tek endem rrugëve të këtij qyteti me një çantë në krah e syze në sy - e vizitoj Notrë Damë e Luvër e Tyjlëri - më vjen në mend fëmijëria ime e varfër me shtëpi përdhese e lehe lulesh strehëve, mbjellë nga duart e vyeshme të nënave tona, që kaherë kanë shkuar në atë botë (në parajsë a parriz). E në shpirt më ther si thikë një mall e më dokëndis: Paris! Paris! Parriz!

(Paris, 2002-2005)

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...