2011-06-03

/ Pjesë frangmentale nga një bisedë interesante mes Titos dhe Ivo Andriqit



SHKRUAN :Shevki Sh. VOCA Pjesë nga libri i autorit Nexho Shipovac, “Fshehtësitë dhe lemeritë e Ivo Andriqit”. Derisa Tito veten e ndiente më të lirë dhe më të hapur, shkrimtari i njohur i dy regjimeve Jugosllave, atë të Versajës do me thënë mbretërore dhe të asaj komuniste të Tito-s i cili në të dyja kishte autoritet dhe ndikim, njëherë edhe fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1961, mbante qëndrim më të mbyllur dhe fliste më me rezervë. TITO: Shoku Andriq, nëse guxoj të ju pyes, çka jeni duke punuar tani? Andriqi: Të ju them vërtetën, nuk mund të flas për punën të cilën jam duke punuar, por pak më tepër për çështjet në të cilat jam kthyer. Pasi që këtu nuk janë prezent gazetarët, të cilët prej këtyre fjalëve tona për opinion kishin me krijuar një sensacion, lirisht mund të ju them se jam duke vazhduar në zgjerimin dhe plotësimin e kronikës për Bosnjën e shekullit XIX. Me “Kronikën e Travnikut” kam arritur deri te viti 1817. Tani do të vazhdoja, deri te shkatërrimi i feudalizmit. Në Bosnje vetë Turqit e kanë shkatërruar feudalizmin. Omer Pashë Llatasi gjatë luftërave i ka ekzekutuar bejlerët, dhe shpesh më duket se e kam tepruar pak duke u përqendruar te Omer Pasha. Në të vërtet, aty bëhet fjalë për proporcionet. Përndryshe, Omer Pasha është një njeri shumë interesant. Ka lind në Plashk të Gorski Kotarit, në një familje ortodokse (pravoslave). Në Gospiç ishte kadet ushtarak. Kur babai i tij bëri një shpërdorim, ata u larguan në Bosnje, dhe u vendosën në Banjallukë ku Omeri filloi të punoi te një njeri. Aty dikush e këshilloi që të turqizohej (lexo të pranoi fenë islame, por edhe Andriqi sikurse shumë të tjerë për të gjithë ata që konvertoheshin në fenë islame i quanin turq, plotësim Sh. V.). Pas kryerjes së disa shkollave shkoi në Carigrad (Andriqi ashtu e quante Stambollin), ku u bë mjeshtër (nuk precizohet çfarë mjeshtri, mund të jetë në masoneri SH. V.) dhe në fund gjeneral. Ky person nga Lika, arriti që në Turqi t’i mposhtë 16 kryengritje. Ku do që qoheshin në kryengritje e dërgonin Omer-pashën Në vitin 1852 e dërguan në Bosnje që t’i mposhtë kryengritjet e feudalëve të cilët i nxisnin bejlerët kundër reformave. Bëheshin më papë se papa… TITO: Edhe sot janë disa të tillë. As kund nëpër Turqi më nuk mund të shohësh me fesa në kokë, ndërsa në Bosnje ende i bartin. ANDRIQI: Omer pasha është një njeri shumë interesant dhe i çuditshëm. Bejlerët tek ai e shihnin një vllah. Edhe pse ishte mareshal, ata flisnin se është vllah. Si duket ai me kënaqësi i shfaroste bejlerët. Jam përqendruar mjaft shumë tek personaliteti i tij…Viteve të fundit isha i sëmur, por përkundër asaj që shpesh shkoi nëpër festa, thuajse asgjë nuk kam punuar… TITO: A po keni mundësi të shfrytëzoni arkivat e Carigradit (njëjtë edhe ky e quan Stambollin si Andriqi) dhe qyteteve tjera të Turqisë? Ata kanë shumë materiale. ANDRIQI: Gjithsesi që kanë më shumë materiale, por me një xhelozi të madhe i ruajnë dhe mendojnë që kanë shumë më tepër. Kamë vërejt që edhe në Sarajevë kemi informata mjaftë të mira. Pasi që bëhet fjalë për shekullin e XIX, mendoj se nuk do të kamë shumë vështirësi, sepse kryesisht unë përqendrohem në Bosnje. Ja, në këtë temë kamë punuar dhe mendoj ende të punoj, por po pres deri sa të kalojnë këto festa… Turqit janë shumë xheloz dhe nuk të besojnë. Ata frikohen që të huajt të gjurmojnë nëpër arkivat e tyre… Në bisedë ndërhyn Bogdan Crnobrnja shefi i kabinetit të Titos: Ndoshta për shkak se historia e tyre ka qëndrim negativ kundrejt historisë tonë!? ANDRIQI: Nuk do të pajtohesha me ju, me që nuk është ashtu. Turqit gjatë fillimit të pushtimit të tyre nëpër vendet tona kanë vepruar krejtësisht ndryshe, por ne, ata më së shumti i mbajmë në mend nga epoka e dekadencës së tyre. Nuk mund të thuhet që në fazën e parë regjimi i tyre tek ne ishte jo njerëzore, edhe pse çdo okupim është i rëndë… TITO: Për dallim nga Bogomilët, ata në fazën e pare kanë qenë përparimtar… ANDRIQI: Në Turqi pa tjetër duhet pranuar Islamin. Kur njeriu i thjesht apo robi e pranonte Islamin, në ushtrinë turke mund të bëhej mareshal. Në cilin vend tjetër kështu mund të bëhej? Në këtë drejtim në shumë vende, edhe sot ekzistojnë pengesa të ndryshme. Në perandorinë turke një numër i madh i vezirëve ishin Shqiptar, Hungarez, Serb, Kroat, Malazez etj. Ndërsa në perëndim këto pozita të larta kanë mund me i gëzua vetëm ata që i kanë takuar… TITO: …nëse i kanë takuar “gjakut” të verdh…(aludohet tek populli hebrenj ). ANDRIQI: Në fillim, regjimi turk nuk ishte aq i keq, por, ne, at po e shikojmë nga perspektiva e sotme. Edhe shkaku i jeniçerëve…ndërhyn Qosiqi ANDRIQI: Edhe në perëndim i rekrutonin të rinjtë, dhe njësoj vepronin sikurse edhe turqit me jeniçerë, por me një metodë pak më të butë. Çka kanë qenë Arditët në Itali, apo pjesëtarët SS në Gjermani? Të gjithë këta ishin jeniçerë…Ai shkrimtari plak nga Egjipti për të cilin ju kam fol më herët është shumë njeri i çuditshëm. Merret me shkrime historike dhe është romansier, siç ishte tek ne Stojan Novakoviç. Në një kongres ndërkombëtar foli shumë ashpër kundër turqve. Por, pasi që është i verbër (me siguri është fjala për shkrimtarin Egjiptas Taha Husein, pl. SH. V.), nuk shihte se në rendin e parë është ulur ambasadori turk. Pas fjalimit të tij ai iu afrua dhe i tha: “Un jam ambasadori i Turqisë…” Në pyetjen se a kanë qenë Turqit faktor pozitiv apo negativ në historinë tonë, përgjigja ishte sikur se e Stojan Novakoviqit tonë, e cila ende është e mirë. Gjithsesi se çdo okupim është negative, por se Turqit diçka edhe na kanë sjellë. Ata barten tek ne pemë të ndryshme, zanate, ndërtimtari… TITO: Këtë nuk e kanë bërë vetëm Turqit. Arabët kanë qenë ndërtues të urave… ANDRIQI: Arabët ankohen se turqit kanë pas ndikim negativ në kulturën e tyre… TITO: Në trupat turke ka pas mjaft shumë Arab. Sërish ndërhyn Qosiqi: Sidomos nëpër korpuset e Afrikës. ANDRIQI: Pa marrë parasysh dallimin e prejardhjeve, tek Turqit ekzistonte njëfarë ngjashmërie me Amerikën, njeriu mund t’i arrinte gjitha në çka kishte aftësi dhe prirje. Nuk ishte kusht që të ketë ndonjë prejardhje bujare… TITO: Tani gjërat nga pak kthehen prapa. ANDRIQI: Në Turqi kamë qenë me delegacioni tonë parlamentar të cilën e udhëhiqte i ndjeri Mosha Pijade. TITO: A ju kanë treguar se si serbët në një betejë afër Ankarasë, Qeverisë turke u janë treguar më besnik se sa vetë Turqit? Kanë luftuar edhe atëherë kur vetë Turqit dorëzoheshin. Për këtë kamë pas rast të dëgjojë personalisht nga vetë Bajari (kryetar i Republikës Turqisë). ANDRIQI: Po, kjo është e njohur. Ato kanë qenë trupat e Jankoviqit… Biseda mes Titos dhe Andriqit ishte shumë njerëzore dhe pa tensione. Projekti i zhdukjes së shqiptarëve, hartuar më 1939 nga shkrimtari nobelist serb Ivo Andriq Lufta ballkanike dhe Shqipëria Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik Sipas pjesës së fshehtë suplementare të Traktatit të Aleancës midis Bullgarisë e Serbisë të 29 shkurtit të vitit 1912, Serbisë iu njoh e drejta e marrjes së territorit turk të deriatëhershëm në veri dhe në perëndim të malit të Sharrit. Në lidhje me këtë dispozitë, e duke u përpjekur që shtetit të vet t’i sigurojnë daljen në det, trupat serbe, më 15 nëntor të vitit 1912, hynë në Lezhë dhe, shkallë-shkallë, e pushtuan tërë Shqipërinë e Veriut deri në Tiranë e Durrës. Në “Tajmsin” e Londrës, më 25 nëntor, u botua deklarata e Pashiqit se Serbia e kërkon Durrësin me hinterlandin më të madh. Formimi i Shqipërisë autonome Mirëpo, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 20 dhjetor të vitit 1912, mori vendim për formimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtën e daljes tregtare në detin Adriatik. Po kjo konferencë, më 20 mars të vitit 1913, vendosi që Shkodra t’i jepet Shqipërisë. Mali i Zi nuk e pranoi vendimin e fuqive të mëdha: Serbia e përkrahu qëdrimin e Malit të Zi dhe i dërgoi trupat e veta për ta forcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e mëdha (më 21 mars) vendosën të bëjnë demonstrimin detar, nga i cili u rezervua vetëm Rusia. Kryqëzoret austro-hungareze, angleze, franceze, gjermane e italiane, të tubuara afër Barit, i detyruan trupat serbe që të tërhiqen nga pozitat rreth Shkodrës. Bllokada e bregdetit të Malit të Zi Më 10 prill fuqitë e mëdha shpallën bllokadën e bregdetit të Malit të Zi, por qeveria malazeze e vazhdoi rrethimin e Shkodrës, e cila kapitulloi më 20 prill. Mbreti Nikolla, megjithatë, u detyrua të lëshojë pe dhe, më 4 maj, me një telegram që ia dërgoi ser Eduard Greit, fatin e Shkodrës e la në duart e fuqive të mëdha. Okupimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej 5 majit 1913 deri në fillim të Luftës Botërore. II NDARJA E SFERAVE TË INTERESIT NË SHQIPËRI MIDIS SERBISË E GREQISË Megjithëse nën presionin e fuqive të mëdha, në radhë të parë të Austrisë, u detyrua të tërhiqej nga Adriatiku dhe nga Shqipëria Veriore, Serbia nuk e humbte shpresën. Në deklaratën që ishte shtojcë e fshehtë e Traktatit të aleancës midis Greqisë dhe Serbisë, më 19 maj të vitit 1913, u ndanë sferat e interesit midis Greqisë e Serbisë në Shqipërinë autonome sapo të formuar. Territori që gjendet në veri të grykës së lumit Seman në det, pastaj buzë këtij lumi deri në grykën e Devollit, mandej buzë Devollit deri në malin e Kamjes – hynte në sferën serbe të ndikimit. Pjesa jugore e Shqipërisë, prej kësaj vije, hynte në sferën greke të ndikimit. Në rast trazirash në Shqipëri, dy shtetet duhej të merreshin vesh për qëndrimin që do të merrnin. Këto janë kërkesat maksimale që i kemi paraqitur në një dokument me shkrim ndaj Shqipërisë. III PAKTI I LONDRËS DHE SHQIPËRIA Pakti i Londrës, lidhur më 16 prill të vitit 1915 midis Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë, kishte këto dispozita lidhur me Shqipërinë: Në vërejtjen e nenit 5 thuhej: Katër fuqitë aleate do t’u ndajnë tokat e Adriatikut të përmendura më poshtë Kroacisë, Serbisë e Malit të Zi (…..). Në Adriatikun e poshtëm (në viset që e interesojnë Serbinë e Malin e Zi) tërë bregdetin prej kepit të Plamkës deri në lumin Dri me portet e rëndësishme Splitin, Dubrovnikun, Kotorrin, Tivarin, Ulqinin e Shëngjinin… Porti i Durrësit do t’i dorëzohet shtetit të pavarur mysliman Shqipërisë.” Në nenin 6 thuhej: “Italia do t’i marrë në pronësi të plotë Vlorën, ishullin Sazan dhe, përveç këtyre, një territor mjaft të gjerë për mbrojtjen e tyre, do të thotë pjesën midis lumit Vjosa në veri e në lindje dhe në jug deri në Himarë.” Në nenin 7 thuhet: “Në qoftë se formohet një shtet i vogël autonom dhe neutral i Shqipërisë, Italia nuk do ta kundërshtojë dëshirën e Francës, të Britanisë së Madhe e të Rusisë, që viset veriore dhe jugore të Shqipërisë të ndahen midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë.” “Italia do ta fitojë të drejtën që t’i udhëheqë punët e jashtme të Shqipërisë.” Që në vitin 1915, fuqitë e mëdha, pra,e pranuan parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe pranuan se në Shqipëri kanë interesat e veta Italia, Serbia dhe Greqia. Ndërsa dy shteteve ballkanike u jepej e drejta e korrigjimit të kufijve, Italisë i jepej Vlora dhe protektorati mbi Shqipërinë e cunguar. IV SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES Pikëpamje e fuqive të mëdha Në Konferencën e paqes, fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), për Shqipërinë propozuan më parë, në veri dhe në lindje, ata kufij që i kanë caktuar në Konferencën e Londrës në vitin 1913; ia njohën Italisë sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe prapavijën e nevojshme dhe ia dhanë Italisë mandatin për administrimin e shtetit të lirë shqiptar nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve. (Memorandumi i 9 dhjetorit të vitit 1919) Pikëpamja jonë. – (Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipërinë e lirë. Argumentet për korrigjimin e kufirit dhe për marrjen e Shkodrës dhe të Shqipërisë Veriore). Për përgjigjen tonë të 8 janarit të vitit 1920, ne e kundërshtuam propozimin që Italisë t’i jepej mandati mbi Shqipërinë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës e Hercegovinës. “Kjo zgjidhje, thuhej në përgjigjen tonë, do të krijonte në favor të Italisë kufirin ofensiv kundër shtetit tonë, i cili do të ishte i privuar nga mjetet për mbrojtje. Kjo do të ishte, një farë dore, përparësi ofensive, por edhe mbështetje tjetër e përsosur strategjike. Ne kemi kërkuar, për shkaqe ekonomike dhe strategjike, që të bëhet korrigjimi i kufijve ndaj nesh (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe në lidhje me fiset e Kelmendëve dhe të Kastratëve), që i ka caktuar Konferenca e Londrës e vitit 1913. Përpos këtij korreksioni, delegaconi ynë ka deklaruar se zgjidhja më e mirë është që Shqipëria të bëhet shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913 dhe me administratë autonome. Në rast se nuk do të pranohej kjo zgjidhje, ose në qoftë se pjesa jugore e Shqipërisë do t’u takonte shteteve të tjera, Delegacioni ynë do të kërkojë për ne pjesën veriore të Shqipërisë deri në Dri. “Shteti ynë ka të drejta të vjetra karshi këtyre viseve, – thuhet në memorandumin tonë. – Shkodra ka qenë kryeqyteti i mbretërve serbë. Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e vitit 1913, e cila i kushtoi Serbisë shumë mijëra ushtarë të saj e Malit të Zi një të tretën e ushtrisë së tij. Për t’i plotësuar dëshirat e Fuqive të Mëdha, trupat serbe e malazeze e zbrazën në vitin 1913 Shkodrën dhe Shqipërinë Veriore. Austria duke e mobilizuar ushtrinë, u kërcënua me luftë. Shkodra mund t’i takonte Malit të Zi sikur të kishte pranuar që Llovqenin t’ia lëshonte Austrisë, ose që të neutralizohej. Por, Mali i Zi nuk pranoi t’ia lëshonte Austrisë këtë pozitë të rëndësishme strategjike.” Lugina e Drinit dhe Shkodra përbëjnë një tërësi gjeografike dhe ekonomnike me Malin e Zi dhe viset kufitare të Serbisë. Për Serbinë e Mesme dhe Malin e Zi lugina e Drinit është e vetmja rrugë e drejtpërdrejtë dhe më e shkurtër për Adriatik. Hekurudha e rëndësishme Danub – Adriatik duhet të kalojë nëpër luginën e Drinit. Konferenca e Ambasadorëve e Londrës në vitin 1913 ia ka pranuar Serbisë të drejtën e daljes në det.” “Shkodra është në lidhje edhe me lumin Buna, e cila ia hap tregtisë malazeze rrugën e natyrshme për në det. Qysh me Traktatin e Berlinit, Mali i Zi e gëzon të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Liqeni i Shkodrës, në pjesën më të madhe, i takon Malit të Zi. Për shkak të pakujdesisë turke, tokat më të mira malazeze ende janë të përmbytura nga uji i liqenit të Shkodrës. Prandaj, shtetin tonë, në masën më të madhe, e intereson rregullimi i Bunës dhe i Drinit, jo vetëm për shkak të lundrimit nëpër Bunë, por edhe për arsye se në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri 20.000 hektarë tokë shumë pjellore dhe po aq do të bonifikoheshin. Dy të tretat e kësaj toke i takojnë Malit të Zi. Pikëpamja italiane. (Sipas memorandumit të 10 janarit të vitit 1920) Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandatin që ta administrojë shtetin e pavarur shqiptar. Kufijtë shqiptarë në veri dhe në lindje do të jenë ata që kanë qenë caktuar në Konferencën e Londrës. Kufiri jugor do të jetë objekt shqyrtimi. Qyteti i Vlorës do t’i jepet Italisë në sovranitet të plotë me prapavijën e nevojshme për mbrojtjen e saj dhe për zhvillimin ekonomik. Aleatët pranojnë që Shkodra dhe Shqipëria Veriore t’i bashkohen Jugosllavisë Duke propozuar një zgjidhje të përgjithshme të çështjes së Adriatikut, e në lidhje me dorëzimin e Rijekës Italisë, Klemanso, në cilësinë e kryetarit të Konferencës së Paqes, më 13 janar të vitit 1920, u tha Pashiqit e Trumbiqit: “Pra, Shteti i Serbëve, i Kroatëve dhe i Sllovenëve do të ngritet në kulmin e fuqisë së vet, ani edhe kur ta ketë Shkodrën, Drinin dhe Shëngjinin e Medovanit.” Niti e pat pranuar këtë, me kusht që Italia ta mbante Vlorën dhe ta merrte mandatin mbi Shqipërinë. Përgjigjja jonë e fundit Konferencës së Paqes Në përgjigjjen tonë të fundit Konferencës së Paqes, më 14 janar të vitit 1920, ne kemi parashtruar përsëri qëndrimin se zgjidhja më e mirë do të ishte që administrata e Shqipërisë, në kufijtë e caktuar në vitin 1913, t’i besohet qeverisë lokale autonome, pa ingjerenca të asnjë fuqie të huaj. E në qoftë se kjo zgjidhje nuk pranohet, por vendoset që pjesë të territorit shqiptar t’u jepen shteteve të tjera, Delegacini ynë do të kërkojë pjesën e Shqipërisë Veriore (duke paraqitur një hartë me kufirin e shënuar), për të cilën premtoi regjim autonom. Pikëpamja e të ndjerit Pashiq Kur dukej si e sigurt se aleatët do ta lejonin Italinë që të përforcohej në Shqipërinë e Mesme, kryetari i Delegacionit tonë, Pashiq, në mbarim të vitit 1919, e informoi qeverinë në Beograd se kishte ardhur çasti që, të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshonin politikën tonë ndaj Shqipërisë. Në atë letër thuhej: “Pasi, për shkak të depërtimit të Italisë dhe të përkrahjes së saj nga ana e fuqive të mëdha, nuk mund ta kthejmë në Shqipëri gjendjen që ishte para evakuimit të ushtrisë sonë dhe në kohën e pushtetit të Esad Pashës; pasi fuqitë e mëdha po duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës dhe Shqipëria nuk do të jetë ajo që ne e kemi kërkuar dhe aleatet do t’ia japin Italisë Vlorën me interland dhe protektoratin mbi një pjesë të Shqipërisë, në këto rrethana, duhet të kërkojmë kufij të tjerë më të mirë me territoret shqiptare që do të jenë nën protektoratin e Italisë.” “Minimumi që do të pranojmë nga aleatët është ky: kufiri buzë Drinit të Zi deri te bashkimi me Drinin e Bardhë e prej aty buzë Drinit deri në det.” “Ne duhet të kërkojmë maksimumin, në mënyrë që Italia të marrë sa më pak. Ky maksimum i pretendimeve tona do të ishte: lumi i Matit deri në burimin e tij e prej andej drejt nga lindja deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë tanë me protektoratin italian.” V PUSHTIMI ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËSDHE TËRHEQJA DEFINITIVE PAS MOSSUKSESIT TE VLORA Pas mbarimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak të aleatëve, trupat italiane e pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesën veriore, e cila na ishte dhënë me Paktin e Londrës. Vetëm Shkodra kishte mbetur nën pushtetin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane. Për shkak të qëndrimit armiqësor që kishte atëherë Italia ndaj shtetit të Serbëve, të Kroatëve e të Sllovenëve, ne e konsideronim këtë pushtim ushtarak italian të Shqipërisë rrezik më të madh për ekzistencën tonë. Në tokën shqiptare u zhvillua një luftë e rreptë midis nesh dhe Italisë. Italianët atëherë e iniciuan çështjen malazeze dhe atë maqedonase si dhe idenë e Shqipërisë së Madhe deri në Kaçanik. Ne zhvilluam kundër tyre aksione herë të fshehta, herë të hapëta, duke blerë me para parinë shqiptare dhe duke proklamuar idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkani popujve ballkanikë”. Pakënaqësia e popullsisë shqiptare, për të cilën e kemi përkrahjen edhe ne, i detyroi italianët që, në fillim të vitit 1920, t’i tërhiqnin trupat e tyre nga viset e brendshme të Shqipërisë dhe të ndaleshin vetëm rreth Vlorës, prej nga, në qershor të po atij viti, u detyruan të tërhiqen dhe të lidhin me qeverinë e Tiranës një marrëveshje për evakuimin e tyre nga tërë territori shqiptar, përveç ishullit të Sazanit. Evakuimi nga Shqipëria u bë, pra, në saje të rezistencës së organizuar të shqiptarëve, por nuk duhet harruar se Italia, në atë kohë ishte politikisht edhe ushtarakisht shumë e dobët. Edhe sot ka shqiptarë që mendojnë se kur të donin do të mund t’i dëbonin italianët nga Shqipëria. Ky vetëbesim është fatal për ta, sepse nuk po e shohin se Italia fashiste e sotme nuk është ajo që ishte në vitin 1920 nën qeverinë parlamenare të Nitit, të Gjolitit dhe të Faktës. V SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE Meqenëse me evakuimin e trupave italiane nga Shqipëria situata në terren ishte spastruar, Konferenca e Ambasadorëve, në nëntor të vitit 1921, mund të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran. Në vend të premtimeve të mëparshme lidhur me Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë, fuqitë e mëdha ia njohën Italisë vetëm interesin e saj special pë ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Shqipëria u pranua edhe në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se kjo do ta siguronte edhe më tepër pavarësinë e saj. Para Konferencës së Amasadorëve provuam kot edhe një herë që ta fitonim të drejtën e korrigjimit të kufirit në drejtim të Shkodrës dhe në drejtim të Drinit, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike e për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të komunikacionit. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, na ngushëlloi kështu: “Qeveria mbretërore ka gabuar që, në kohën e vet, nuk e ka pranuar propozimin për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit pat refuzuar”. Që të mos i lejonim italianët në Vlorë, ne u detyruam të heqim dorë nga Shkodra dhe nga kufijtë deri në Dri. Meqenëse ne e përkrahnim gjithnjë idenë për mosndarjen e territorit shqiptar, që ishte caktuar në vitin 1913, si dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të mund të supozohej se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve ishte e kënaqëshme për ne. Ndërkaq, kjo nuk është kështu. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë po rëndohen më tutje edhe pas shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve. Republika e Mirditës Ndërsa Konferenca e Ambasadorëve po vendoste për kufijtë e Shqipërisë dhe për organizimin e pavarësisë së saj, nga gjysma e vitit 1921, ne nënshkruam me parinë e Mirditës marrëveshjen për bashkëpunim. Ishte paraparë formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të SKS-së dhe interesat e së cilës në botën e jashtme do t’i përfaqësonte qeveria e Beogradit. Qeveria e Tiranës e shtypi këtë lëvizje e ne u akuzuam dhe u dënuam para Lidhjes së Kombeve. VII PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA Pakti i Romës, i janarit të vitit 1924, për nga fryma e vet, ua imponoi Romës e Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellë mbi ngjarjet në Shqipëri. Ndërkaq, kjo nuk qe pengesë që Qeveria italiane, në qershor të vitit 1924, ta ndihmonte kryengritjen e Fan Nolit kundër Ahmet Zogut e as qeveria jonë, në dhjetor po të atij viti, t’ia bënte të mundshme Ahmet Zogut, që, nga territori ynë, të futet në Shqipëri për ta marrë pushtetin. As Roma, as Beogradi, nuk mundën t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të vet shqiptarë, që kërkonin ndihmë për ta mbajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe që premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë e ndërronin orientimin. VIII PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI AI I ndjeri Pashiq, duke u dhënë udhëzime përfaqësuesve tanë për punë në Shqipëri, u thoshte: ne duam që Shqipëria të jetë e pavarur, por e dobët dhe e paregulluar. Koha ka treguar se kjo ishte e pamundshme të qëndronte. Shqipëria e dobët dhe e parregulluar patjetër do të kërkonte ndihmë e mbrojtje atje ku mund t’i gjente këto. Regjimi i rrezikuar nga Italia, na drejtohej neve, e regjimin të cilin donim ta përmbysnim ne, kërkonte mbrojtje nga Italia. Shqipëria e dobët dhe e parregulluar, në vitin 1926, kërkoi mbrojtje e ndihmë nga Italia. Ahmet Zogu së pari mori garanci për regjimin e vet, e pastaj, në vitin1927, pranoi të lidhë Aleancën ushtarake për 20 vjet, mori me qindra e qindra miliona lireta për punë botore, ia nënshtroi plotësisht Shqipërinë Italisë në pikëpamje ekonomike e financiare, pranoi shumë instruktorë italianë. U krijua, pra, një raport që i ngjante shumë atij protektorati, kundër të cilit ne luftonim në Konferencën e Paqes. Rreziku më i madh që viteve të fundit na vinte nga Shqipëria ishin organizimi ushtarak, fortifikimet ushtarake dhe aksioni irredentist. Gjithkund e shihnim rrezikun nga aksioni italian dhe atë “kufirin ofensiv” kundër të cilit kishim luftuar para aleatëve në Paris, kur ata propozonin që Italisë t’i jepej mandati në Shqipëri. Është me interes të përmendim në këtë vend se vetëm ne kemi protestuar dhe kemi luftuar kundër ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Asnjë shtet tjetër ballkanik nuk na përkrahu në këtë pikëpamje. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk kundërshtuan mbylljen e detit Adriatik. Për më tepër, Osten Çemberlen, në takimin me Musolinin në Livorno, në vitin 1926, e dha pëlqimin për Paktin e Tiranës. E të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë gjithnjë e këshillonin mbretin Zog që të mos hynte në konflikt me italianët. IX PAKTI ITALO-JUGOSLLAV I MIQËSISË I 25 MARSIT 1937 Italia e Jugosllavia, duke ndjekur politikë miqësore njëra me tjetrën, mund të merren vesh në lidhje me Shqipërinë, në këtë bazë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë; kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet nga ne; ne duhet ta kuptojmë këtë interes dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është që të mos jetë e rrezikuar në kufirin e Shqipërisë me Serbinë Jugore as me Kosovën (e banuar me shqiptarë) e as me Shkodrën dhe Malin e Zi. Pa dyshim se kjo është marrë parasysh në protokollin e fshehtë të Paktit të Miqësisë kur është paraparë se do të ndalet fortifikimi i mëtejshëm në zonat e Librazhdit e të Milotit. Sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne nuk kemi as nuk dëshirojmë të investojmë farë mjetesh të posaçme. Italianët, pra, mbeten pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e obligimit tjetër të fshehtë, që e kanë marrë ndaj nesh para dy vjetëve se në pikëpamje politike, ekonomike ose financiare nuk do të kërkojnë kurrfarë dobish speciale që do ta komprometonin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthtortë pavarësinë e shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë, Pakti i Miqësisë, i 25 marsit 1937, krijoi një “modus vivendi” të durueshëm midis nesh dhe Italisë në terrenin shqiptar, ku, viteve të mëparshme, kishim aq shumë konflikte dhe mosmarrëveshje. Është çështje tjetër se sa në Shqipëri do të mund t’u bënte ballë ky qetësim sprovave të ndonjë situate më të rëndë e më të ndërlikuar në detin Mesdhe ose në Ballkan. X RUAJTJA OSE NDRYSHIMI I STATUS KUOS Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është shuar Pavarësia e një shteti ndaj botës së jashtme gjithmonë është nocion relativ. Duke marrë parasysh edhe rrethanat, kjo pavarësi është më e plotë ose është e zvogëluar. Për Shqipërinë sot nuk mund të thuhet se politika e saj e brendshme dhe e jashtme është e pavarur nga Italia. E megjithatë, në bashkësinë ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet shtet i pavarur. Nga aspekti juridik ndërkomëtar, bregdeti shqitpar nuk është italian, por është nën sovranitetin e një shteti ballkanik. Italia ende nuk ka shkelur në Ballkan. Ajo ka sovranitetin e vet në një pjesë të territorit të Zarës, por kjo më nuk i jep mundësi për zhvillim të mëtejshëm. Italia ushtron ndikimin e vet në Shqipëri, por nuk ka liri aksioni si në territorin e vet. Shqiptarët, megjithatë, e kundërshtojnë ndërhyrjen e saj, i shkaktojnë vështirësi, e ngadalësojnë. “Ballkani popujve ballkanikë” Politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani popujve ballkanikë”. Ky parim, në kohën e vet, është përdorur në luftë kundër Perandorisë Otomane dhe Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e përdori me sukses këtë kundër dispozitave të Paktit të Londrës, i cili fuste Italinë në Dallmaci dhe në Shqipëri. Në aplikimin e këtij parimi ne kemi parë gjthmonë garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim midis popujve ballkanik, për zhvillimin normal të popujve ballkanikë. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan është derë e hapur për intriga e pushtime. Ekspansioni i Italisë A është e mundur që Italia, duke u bërë zotëruese sovrane e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, të mbetet vetëm në atë brez të ngushtë bregdetar? Ne nuk kemi besuar para 20 vjetëve, kur fuqitë e mëdha ia dhuruan Italisë Vlorën me hinterlandin. Aq më pak mund të besojmë sot kur Italia po tregon aq dinamizëm dhe guxim në politikën e vet të jashtme. Një precedent i rrezikshëm Marrja e një pjese të territorit ballkanik nga ana e një fuqie të madhe jashtëballkanike, pa kurrfarë baze etnike, për të gjithë popujt ballkanikë, pra, edhe për ne, është një precedent i rrezikshëm. Fuqitë e tjera të mëdha, nga drejtimet e tjera, mund të paraqiten me pretendime të ngjashme. Rasti i Italisë në Shqipëri është posaçërisht i rrezikshëm për ne, sepse me Paktin e Londrës, me të cilin Italisë iu njoh për herë të parë Shqipëria Jugore, iu njoh edhe Dalmacia Veriore. Precdenti për ngjalljen e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit e hap derën edhe për ngjalljen e dispozitave të tjera. Ndarja e Shqipërisë Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë. Duke marrë parasysh të gjitha këto që thamë më sipër, ndarja e Shqipëisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël. Kompensimet tona Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës. Marrja e Shkodrës, në këtë rast, do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200 000 deri 300 000 mijë shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj. Beograd, më 30 janar 1939 (Marrë nga libri: Hivzi Islami, SPASTRIMET ETNIKE/ Politika gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve, Botoi DUKAGJINI, Pejë, 2003)

“Vendi im është Shqipëria, por atdheu im është letërsia”


Miranda Haxhia ,lindi  në Berat, në 17 prill 1963, jeton në Tiranë.Ka krye Fakultetin për gjuhë – letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.

Përvojën e saj e ka të ndërthurur mes gazetarisë dhe letërsisë. Shkrimet problematike, sociale, politike, reportazhet, intervistat dhe pikëvështrimet e herë pas hershme në eksplorimin e letërsisë që shkruhet sot në Shqipëri e kanë bërë të njohur mes elitës së gazetarëve. Është e konfirmuar me disa botime cilësore ku vlen të përmenden librat me tregime “Asnjë lajm për vdekjen e dashurive”, “Krahët e prerë të Fluturës”, “Buka e zogjve të vdekur” dhe “E verdha e korrikut”. 

Përzgjidhet fituese e projektit “International step by step” me tre libra të ilustruar për fëmijë të cilët janë publikuar në mbi 15 gjuhë të ndryshme. Poezia e saj është futur në 8 antologji të poezisë e prozës bashkëkohore në Itali. Sipas kritikës çmohet për prozën e veçantë, kulturën dhe stilin rrëfimor, për punën që bën me prozën si të jetë një amebë në vijimësi, e paqëndrueshme. Vlerësohet në evenimente të rajonit si një ekspansion i shfrenuar në prozë, sidomos, në tregime.

***
Shënime për romanin e ri “Gruaja në muzg”

Kora D. dhe Martin Seli në udhët e tyre paralele, përballë një realiteti që mbahet mbi të shkuarën, të sotmen e gjymtuar dhe të ardhmen e mjegullt. Një grua e cila gjendet e paorientuar, kapet fort në një copë jete, kur i kanë ikur duarsh shumë gjëra të vyera si familja, dashuria, bashkëshorti dhe vajza, kërkon të shikojë pas disa rrezeve që i vijnë me ndërprerje. Fillon me një letër që lexon në një libër shënimesh muzikore të ish të dashurit të saj, Martin Selit. Një grua e sendërzuar ne objekt dhe fenomen pasiv i jetës së çuditshme shqiptare, e cila përpiqet të ringrihet duke u kapur pas gjërave që i kanë shpëtuar pa pasur vëmendjen e duhur. Ajo kërkon një dashuri që e ka humbur, provon të vrasë frikën e ndëshkimit, mëson të mos qajë pafundësisht. E bën muzikën që ka dëgjuar të vlejë në jetën e saj më shumë se u vlejti luftërave dhe ushtarëve të mjerë, muzika e Bethovenit. Nuk ka revolucion në historinë e saj, por janë copa që duke u formuar pak e nga pak sjellin konturet e plota të një jete e dimensionit të saj të qetë, por gjëmimtar. Në fillim rrëfehet ngadalë, pa zhurmë, më tej fillojnë përthyerjet, përplasjet dhe kthesat e shpejta me një prozë e cila vlen të qëmtohet për stilin e qartë, për sintaksën e hapur dhe ngjyrat e padukshme të hijeve të vogla. 
Romani “Gruaja në muzg” është një letërsi e rrëfyer me elemente të cilat zbulohen njëra pas tjetrës, përmes kthesave e të fshehtave që vijnë e riqasen duke përcjellë frymë, jetë, lëvizje, harmoni dhe më tej shkatërrim e rrekje për të rindërtuar. Një eksplorim emocionues përmes një udhe fizike dhe harmonie në kufijtë ekstremë vullnetit dhe të së pamundurës në jetën e gruas. Brezat dhe qarku që krijon dashuria si qeliza bazë e ekzistencës ka një diabolizëm të cilin lexuesi herë e shikon, herë e urren, herë e adhuron. Pikëllimi, mëshira, ndjenja e shumfishtë përtej të cilave arsyeja dhe gjykimi janë thjesht elemente ekzekutimi. Romani ka arritur të realizojë një qëllim të pathënë, të bëjë lexuesit të mendohen për atë që ndodh e që e kanë para syve, afër, por nuk e shikojnë dot për shkak të largësisë që i kushtojnë vështrimit.
***
Libri është redaktuar nga Sadik Bejko dhe Ardi Stefa, ka për konsulent letrar prof. Pasquale Amato dhe botohet nga shtëpia botuese TOENA.

****
 
Letërsi kontekstuale

Të njohësh strukturën rrëfimore të prozës tregimtare; të kesh dijeni për atë shumësi komponentësh që kanë lidhshmëri të ndërvetshme gjuhësore dhe kompozicionale; të krijosh ambient karakteristik ku t’i vendosësh gjetjet dhe zhvillimet; të kesh ndjeshmëri për komunikim të sinqertë me lexuesin potencial; nëse të gjitha këto komponentë kombinohen në mënyrë fatlume në një vend, kjo do të thotë se ke të bësh me një autor që e zotëron në tërësi mjeshtërinë e shkrimit të tregimit, si një nga llojet letrare më të vështira dhe më problematike që njeh përvoja letrare. Në prozen e saj, Miranda Haxhia e dëshmon pikërisht këtë: njohjen e thelluar të zhanrit, kërkimin e subjekteve interesante, vendosjen e tyre në një rrafsh ambiental dhe gjuhësor funksional dhe, që është po kaq e rëndësishme, një çiltëri karakteristike “femërore” që me lexuesin të jetë sa më e hapur, madje guximshëm t’i përcjellë atij mesazhin e sinqertë. Tani ajo provon në roman, në prozën e gjatë. 
Dhe vjen ndryshe. Ajo nuk e ndërton prozën e saj me një tezë të paravendosur, madje nuk kërkon prej lexuesit që t’i besojë observimet e saj me çdo kusht. Ajo, thjeshtë, kërkon prej lexuesit që ta ndjekë në aventurën e saj të njohjes dhe të përjetimit, duke ia lënë atij të drejtën e gjykimit, në një kohë që vetë nuk merr asnjë rol imponues. Kjo të bën të mendosh se gjetja dhe subjekti rrëfimor i saj është gjendje reale jetësore “paraletrare”; se diku, në një anë të horizontit, bota e ka pikërisht këtë pamje; se njerëzit janë pikërisht të tillë, vetëm duhet të kesh pak kurajë ta kthesh kokën andej dhe të kesh durim të shohësh atë që ndodhë në atë mikrokozmos të tyre. Prandaj duket sikur autorja nuk merr rol ndërmjetësues në komunikim me atë botë, sikundër ndodh zakonisht me shkrimtarët, por ajo sikur bën një “ofertë”, të cilën, nga mënyra si e bën, të tërheq ta pranosh pa
hezitim. Kjo i jep dorë të jetë spontane në rrëfimin e saj, të artikulojë mesazhe të paimponueshme dhe të krijojë tablo mbresëlënëse. 
Bota e narratives së saj nuk është ambient ekzotik, më shumë është një qëmtim i kujdesshëm i veçantive relievore të përbërësve psikologjikë dhe etnopsikologjikë të personazheve ambientalë, të cilët të duket sikur nuk kërkojnë asgjë më shumë se të kenë një fat më të mirë në këtë jetë. Prandaj, personazhet e këtyre rrëfimeve nuk janë heronj, nuk janë as tipa të krijuar enkas për t’u vendosur në rrëfim. Ata janë ekzemplarë sui generis të një bote me shumë përmbysje dhe rrënime të dhembshme. Ndonëse duket sikur çdo gjë që ndodhë në botën e tyre me një “lehtësi të papërballueshme” thjeshtësie, edhe kur veprojnë, edhe kur flasin, edhe kur meditojnë; edhe kur jetojnë, dashurojnë, pësojnë dhe vdesin; të gjitha këto modelohen në fatet e tyre nga një tragjizëm i thellë, përbërës të të cilit janë kushtëzuesit e pamodifikueshëm, që gjithmonë rrjedhin nga pamundësia dhe pafuqia e tyre për të qenë ndryshe. Tragjizmi i tyre është universal njerëzor, por është edhe i veçantë, i një rrethane të caktuar jetësore, shoqërore dhe historike. Vendosja e një drejtpeshimi ndërmjet këtyre përbërësve të fatkeqësisë së individit ndodhë vetëm në veprat letrare me predispozita thellësisht të qëndrueshme.
Së fundi, proza e Miranda Haxhisë është dëshmia më e re se në vitet e fundit kemi një lëvizje kërkuese, e cila synon ta ndryshojë tradicionalizmin edhe si fakturë gjuhësore, por edhe si gjetje rrëfimore. Krijimet letrare në këtë zhanër kanë shënuar prurje të rëndësishme. Është kjo letërsi kontekstuale e botës shqiptare, që kërkon lexuesin e vet, kudo që mund të jetë ai.(Mehmet Kraja shkrimtar nga Prishtina)

*******

“Në fjalët e Ismail Kadaresë, një nga zërat më poetikë, më të lartë dhe më të shquar të Shqipërisë “Vendi im është Shqipëria, por atdheu im është letërsia”- kështu si Miranda Haxhia janë shumë qytetarë të poezisë, të panumërt që zbulojnë rrënjët e tyre në botën e fjalës. Zëra që premtojnë të dalin nga abstraksionet duke u shndërruar në një instrument të fuqishëm të lirisë që shmangin barrierat duke universializuar konceptin e qytetarisë poetike.
Proza ka shpërthyer forcën e brendshme të pat’hosit të Miranda Haxhia-s, forcën e pamjeve të evokuara të natyrës në një vizion të një jete, në të cilën dashuria shkrihet me këngën e pasionuar surreale, veshur me fisnikëri të një pikësynimi dhe orientimi moral.”(Prof.ssa Myriam Sebastianelli, nga Roma)

*******
“Lirikë e rrallë, gati transparente, një fllad, frymë e lehtë mbi një faqe, që duket se zgjon në brendësi të njohjes një ndjenjë ndryshe, për të çuar qëndrueshmërinë mbi një fill të magjisë së brendshme letrare. Lindur nga një vërtetësi e madhe, motivi frymëzues njerëzor, ndjenja e lartë e moralit dhe kërkimi i fuqishëm i vlerave të brendshme ekzistenciale.”(Prof. Giovani Francesco Piano, Itali )
*******

Mistifikimi që i bën kodit narrativ Miranda Haxhia fuqizon shfarosjen e alternativave të zgjedhjes… Në përgjithësi Miranda Haxhia niset shpesh nga një notë tepër e zakonshme rrëfimi madje ky rrëfim stilistikisht serviret me një intonacion të intimizuar, sikur i rrëfehen lexuesit në vesh, apo sikur sqarohen në një bisedë miqsh momente të diskutueshme nga jeta e aksh të njohuri të përbashkët. Kjo është mënyra më e sigurt që pa u ndjerë lexuesi nuk i heton dot katet e realitetit që ngjit, deri në hiper-realitet, realitet- metaforë.(Agron Tufa,shkrimtar nga Tirana)

*******

Miranda Haxhia përpiqet të fshihet në pas-faqen e fundit të librit, përpiqet të respektojë lirinë e rastësinë fatsjellëse të lexuesit të kualifikuar, apo çfarëdo, përpiqet të mos komplikojë shijet estetike dhe dëshirat e kujtdo që kalon para librit. E privilegjuar, ka mundur të vrapojë në një liri absolute, një ekzistencë gati fatale duke zbuluar botën e nuk ka dashur kurrë të qëndrojë për të bërë për vete dhe siguruar një publik më të madh e në të njëjtën kohë të mundur.( Sadik Bejko,nga Tirana)
***

Mbresa nga një takim me artisten tonë të madhe‏

Akademia” Nexhmije Pagarusha

Mbresa nga  një takim me artisten tonë të madhe


Nga Namik Selmani,Tiranë


Ëndrra ishte prekur. E tëra ishte prekur. Ndonëse vonë. shumë vonë, nga shkaku i 
gardhijeve të hekurta, i doganave që ngriheshin si malet pa mundur dot që të na 
vrisnin dashurinë dhe bashkimin shpirtëror të një kombi që nuk thyhet lehtë. 
Ndonëse do të donim që ta takonim në një skenë tërë drita, ajo na priste me derë 
të hapur në një kat të dytë të një pallatin pranë postës së re të Prshtinës. 

Në një shtëpi me orendi shumë të thjeshta, për të mos thënë edhe pak të vjetëruara 
nga koha. Kohët e fundit po sëmuret shpesh dhe nuk mund të takojë sa e sa 
shqiptarë që kërkojnë ta takojnë e ta dëgjojnë atë përvojë taë jashtëzakonshme 
jetësore dhe artistike. Dhe lumturia ishte me ne atë ditë. 

Në një kënd të dhomës ishte një pjano që e kishte të mbyllur kapakun e saj. 
Gjithësesi nuk kishte një grimë pluhuri. Kishin kaluar vetëm disa ditë kur e 
madhja Nexhmije Pagarusha  kishte ditëlindjen. Paska ditëlindjen  
Pagarusha???!!! Po si s’u gjet një grup pushtetarësh, të paktën ata të kulturës, 
që ta uronin këkë artiste të madhe me detyrimin e asaj që ka bërë, me detyrimin 
e një brezi që duhet të kthejë me krenari rrugën e bukur të shumë artistëve në 
Kosovë, në Shqipëri e kudo ku ka shqiptarë.??!!!!

Kishte mbushur jo pak, por 78 vjet  jetë. Dhe ende buzëqeshte ngrohtë.  
Buzëqeshte ëmbëlsisht. Bash si kënga që ajo na ka dhënë për 40 vjet me radhë e 
tani, me atë tingull hyjnor që po përcillet në liri në të gjithë trojet amtare. 
Duke na bërë që krenia të kalojë edhe lartësinë e Maleve të Sharrit, edhe të 
Tomorit, edhe të Korabit,  edhe të maleve të Sulit në Çamëri. 

Dhe ishte një ditë e bukur maji. E ngrohtë. Një ditë e zhurmshme prishtinase me 
zëra fëmijësh, tregtarësh që kishin mbushur shitoret. Aty, në shtëpinë e saj me 
një ballkon të mbushur me lule, të cilave ajo iu shërben çdo ditë, takimi 
kthehej në një heshtje tërë madhështi, tërë nderim, tërë mirënjohje. Fjala, 
loti, përkëdhelja e duarve të saj të rrudhura, fisnikëria, nostalgjia, nderimi, 
brenga, trishtimi, aroma e lules ishin bashkuar fort, fort me njëri-tjetrin atë 
ditë.

Vinim nga krahina të ndryshme. Tufa e luleve të majit prishtinase ndërrohej sa 
në një dorë në tjetrën. Do të donim që këtë tufë me lule t’ia jepnim në skenat e 
shumta të të gjithë vendeve të botës ku ajo për 40 vjet ka kënnduar në radhët e 
Anasmblit “ Shota” 

Kallauzi i takimit ishte Shefqete Gosalci.. Një poete dhe një këngëtare zëëmbël 
që në Kosovë drejton me aq dashuri e me sakrificë në detyrën e sekretares së 
Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegas”.

Ishim takuar në Tiranë dhe i isha lutur që të ma mundësonte këtë takim edhe për 
t’iu dhuruar librin tim të fundit me poezi “Pesha e qiellit të vendlindjes” ku 
kisha edhe një poezi për të, të titulluar “Lokja e këngës”. Dhe Shefqetja e bëri 
fort mirë detyrën. Për mua e për  miqtë  e mi. Shtëpia e saj ishte afër asaj të 
këngëtares dhe shumë herë ajo e pyeste për shëndetin. 

Vetë Shefqetes i duhej që të shërbente pak më shumë edhe për babain e saj që nuk 
ishte mirë me shëndet..

Në këtë ekip, në këtë delegacion, nëse do t’i jepnim një emër zyrtar ishte 
profesor Murat Gecaj. Me origjinë nga Bujani i Tropojës, por një dashamirës i 
përjetshëm i muzikës që Artistja e përmasave të mëdha Nexhmije Pagarusha ka bërë 
në vite. Ishte edhe një mësuese e mirë, Zyba Hysa nga Vlora, një poete e mirë 
dhe nënkryetare e Shoqatës për Bashkimin Kombëtar.  Rrallë çaste të tjera të 
vijë në jetë si të asaj dite maji. 

Artistja mban ende në emrin e saj atë emër të fshatit të  lindjes që është në 
Malishevë, atë të Pagarushës. Duket se do të nderonte prej kohësh jo vetëm këtë 
fshat, por mbarë shqiptarët e të gjithë trojeve.

Kur po bënim ato hapa të gëzuar, tërë emocion, tërë mirënjohje, më vinin në 
mendje të gjithë epitetet që ajo i ka marrë në jetën e saj dhe që i takojnë të 
tëra, mbase edhe të tjera po kaq simbolikë si ato që jemi mësuar t’i përmendim 
sa herë që duam që t’i bëjmë portretin. Bilibili i Kosovës, Mbretëresha e Këngës 
Shqiptare, Primadona  e Melosit Popullor, Ema Sumak shqiptare, Madam Batërflaj, 
Fyti i Kristaltë. Për të ardhur te titulli i lartë “Këngëtarja e Shekullit”. Në 
poezinë që kisha bërë dhe do t’ia lexoja aty, i ulur në atë divan të thjeshtë 
unë, po  i bëja një epitet të ri “Lokja e këngës”. “Edhe nëna ime quhej Loke” – 
na thotë e gëzuar ajo. Hej sa do të gëzohej sot nënë lokja kur të shohte çikën 
esaj , tashmë në moshën 78-vjeçare që I ka dhënë kaq shumë kombit.

  Po vinim nga Çairi i Shkupit me rreth 63 000 shqiptarë që  i përcjellin këngët 
e saj në dasma e gaze. Po vinim nga Presheva ku fjala artistike e autorëve të 
mbarë trojeve amtare për dy ditë me radhë kishte mbushur skenën e Shtëpisë së 
Kulturës “Abdulla Krashnica” ku u bëmë edhe ne pjese me krijimet tona të bëra 
aty si poezia “O, sa mirë të jesh në Preshevë!” Kur po kalonim malet e mbushur 
me gjelbërim mes Maqedonisë dhe Preshevës të shoqëruar nga informacioni aq i 
pasur që na jepte preshevari tërë kulturë  Xhemaledin Salihu, na u desh që të 
këndonim nën  zë këngë legjendare të kënduar dikur nga kjo artiste ku do të 
veçonim këngën “Baresha”. Një simfoni e tërë Një kulm që nuk vjen më as në 
interpetim, as në tekst e as në kompozim. Bashkë me respektin për bashkëshortin 
e saj të nderuar Rexho Mulliqi na u desh që të kujtonim edhe të madhin Rifat 
Kukaj. Vite më parë miku im poet Hajro Ulqinaku më pat thënë se, për 30 vjet me 
radhë ai shkonte në Ulqin. Një ditë aty në buzë të detit ai gjeti edhe vdekjen. 
Aso kohe dallga e nderimit në një poezi ma mori për dore fjalën e mençur me 
poezinë “Lavërtari i fjalës”. Poezinë do ta botoja në librin me poezi “Djepi i 
këngës”. Një rastësi e bukur edhe për mua. Ky njeri me fjalën e tij të ëmbël 
ishte bërë djepi i këngës së madhe të kënduar nga Nexhmije Pagarusha. 
Trishtimin  e valës ta dëbojë kah mot ky qiell e ky diell ulqinak/* nanat 
fisnike ta mbjellin dhe në dimër për të trëndafilin e Kujtesës ..”

Ishim përfshirë në radhët e Institutit të Integrimit të Kulturës Kombëtare. 
Ditën e orën që po i bënim vizitë këngëtares së madhe një pjesë e grupit tonë 
ishte në takimin me Akademinë e Kosovës. Kur u ribashkuam, i thamë se edhe ne 
kishim shkuar për të takuar një “Akademi” të Kulturës Shqiptare që vazhdon të 
mbajë kanatët e dyrve të vlerave të larta kaherë të hapura. Me një Akademi si 
Nexhmije Pagarusha mund të krenohet çdo komb për shekuj me radhë.

Profesor Murati Gecaj ka një jetë të tërë që shkruan, që publikon shkrime libra, 
brenda e jasht vendit,  por para saj qan, qan Mos bre burrë! Edhe këngëtarja 
përlotet, qan dhe e shoqëron fjalën me një zë që çuditërisht ende është kumbues. 
Gati sikur kërkon që të na sjelle edhe një herë para nesh Zambakun e Prizrenit, 
Prishtinën, Bareshën…

-Kam vizituar shumë vende të botës, kam takuar shumë e shumë artistë. Kam shkuar 
në opera e ansamble po këtë emocion nuk e kam provuar kurrë, kurrë. Më ka vdekur 
vëllai, por këtu po qaj më shumë se atë ditë.-thotë profesor Murat Gecaj
- Nuk qajmë për ju zonja Nexhmje,- thotë poetja Zyba,- por po qajmë për artin që 
përcollët ju në vite dhe që tani ka mbetur në hije. 

Në pamundësi që të filmojë këtë takim të përbashkët, nxjerr celularin dhe e pyet 
me shumë  kujdes këngëtaren që t’i marrë asaj mençurinë, zërin,  kujtesën e 
viteve, njerëzit që ajo ka takuar.. Para saj jeton pengjet më të mëdha, më të 
trishtueshme që jo vetëm nuk do të realizohen kurrë, por që merr edhe një 
revolta të brendshme me vete. 

E ka nisur karrierën e saj më 1967 në Beograd edhe e ka mbyllur zyrtarisht më 
1997  në Sarajevë. 30 vjet në skenë 

Pengu i parë:

Po si s’u gjet në vitin e largët 1967 një teknik zëri që të regjistronte në një 
disk, në një kasetë zërin e kësaj sopranoje që po ekzekutonte përkryeshëm veprat 
muzikore të Beethovenit, Puçinit, Verdit Ishte viti 1948 dhe vetëm 15 vjeç ishte 
nexhmija kur ngjiste shkallët e Radio Prishtinës si soliste e ja tani, në moshën 
78-vjeçare ajo vazhdon që të jetë një këshilltare e muzikës në Radio Kosova dhe 
në Radio Bluje Sky. 

Pengu i dytë:

 Po s’i s’u gjet një kompani muzikore e financuar nga shteti apo edhe nga 
dashamrës të muzikës kombëtare që të bëjë një disk me këngët e zgjedhura të 
kënduara nga Nexhmije Pagarusha???  Kohët e fundit shumë here derdhen edhe lumë 
për gjëra edhe më pak të nevojshme. Dhe nuk janë pak, por 150 këngë të kënduara 
nga ajo.

Pengu i tretë:

 Pse nuk evidentohet me saktësi e gjithë rruga e artit të saj që të bëhet tamam 
si një model të pakrahuesëshëm për pjesën njerëzore, për artsitët e rinj?

Pengu i tretë

 Po si s’u gjet mundësia që të bëhet sa më parë (kur atë e kemi pranë nesh) një 
libër me kujtime të brezave për këtë rrugë të befasishme arti?
-Ia bani të fala Arditit që më dha një jetë të dytë,–na thotë ajo- Kanë kaluar 
11 vjet nga ajo ditë dhe unë mbaj mend si tani. Një djalë i mrekullueshëm dhe me 
talent.

Mbretëresha kërkon që të rrëfejë. Me dhimbjen e gëzimin e saj:
-Kënga që kam kënduar ishte si një ëndërr. Nuk e dija se çfarë jehone do të 
kishte ajo. Nuk mbaj mend se në cilin vend kam shkuar, por mbaj mend vetëm 
Shqipërinë dhe artistët e saj. Nuk e harroj kurrë Shqipqrinë. Për ditëlindjen 
time mora mesazhe nga Vaçe Zela. Më rëndon shumë shëndeti i saj. Burri i saj 
është mik i ngushtë me vëllain tim. Është fat të kesh artistë si Vaçja. Është 
bash si një vullkan e nuk dua që të bëj krahasim për të se nuk i gjej dot. Më 
pengojnë kohërat që ta bëj krahasimin. Edhe Avni Mula ka qenë një këngëtar i 
madh dhe i papërsëritshëm. Kur këndoja, djalin donin ta dënonin për këngën time. 
I trembte edhe kënga jonë e bukur. Këtu pranë kam Melin. E kam si motër e më 
shërben Nuk më ndan nga motra e saj Për 7 vjet marr një shpërblim nga Radio 
Televizioni Shtetëror i Kosovës, po unë nuk e pranova. “Çfarë po baj–iu thashë – 
unë nuk po bëj gjë! Mirë, më thanë, atë e dimë ne. Para pak kohësh nga 
Universiteti i Prizrenit që drejtohet nga gjermanët, më dhanë një pension të 
veçantë. Arti i vërtetë nuk matet kurrë me para. Ndërsa shteti më ka vlerësuar 
vetem me  një letër. 

Dhe më tej diku, nga nënjastëku nxjerr një dosje të madhe. Janë poezi dhre 
falenderime të sjella nga njerëz të thjeshtë nga të gjithë trojet. . Lexon dhe 
komenton pak. I njeh ata që i kanë shkruar me emra, po disa nuk i njeh. Dhe 
lexon bukur. Njëri është nga Prizreni. O, sa fjalë të ëmbla! Sa fjalë nderimi! 
Na mbetën në mendje vargjet e Nasip Rushitit nga Ferizaj. Një dosje e veçantë që 
ajo e ruante me kujdes dhe besoj se  e lexonte në vetminë e saj për të mundur 
nostalgjinë e viteve. Për të mundur shqetësimin e sëmundjes. Për të respektuar 
ata që i kanë shkruar, ashtu si i ka dashur gjithmonë njerëzit e thjeshtë që iu 
dedikonte këngën.. 

Duket se Shefqetja kishte shumë punë në të ardhmen. Ajo duhet që të grumbullonte 
të gjithë krijimet letrare që janë bërë për të. I dhamë fjalën që ta ndihmonim 
sa më shumë. Drita-Nexhmije duhet që të mos errësohej asnjëherë, aspak. Asnjë 
ditë.

Në atë hapësirë kohore me minuta që iknin shumë shpejt, më erdhi edhe mua radha 
për të folur. Isha Krushku i Parë i këtij takimi dhe shokët po më falenderonin 
për këtë ditë të lumtur. Po jo. Lavdia i përkiste asaj Zonje të nderuar. Ne 
ishim poetë, këngëtarë, gazetarë, por Nexhmije Pagarusha ishte Kryepoetja e 
Tingujve lulërorë shqiptarë. Poezinë për të  “Lokja e këngës”  e kisha mbaruar 
në Boston të Amerikës në vitin e kaluar në një kohë që ajo ngjizej poër afro 30 
vjet. Pa le të realizoja këtë ëndërr që ta takoja sy më sy. Atje ku shqiptarizmi 
kishte të paktën 100 vjet që ishte ende i gjallë. Në poezinë për të tregoja se 
do të doja të isha gardian i tingujve dhe i dashurisë që ajo ka përcjellë në 
vite. Më erdhi sërish simboli i ujëvarës së tingujve që më kishte futur të tërin 
brenda vetes. Nga forca që merrja me këngën e saj më dukes se të gjitha lisat e 
vendlindjes i mbaja në duar si të ishin kukulla. Po ia merrja gjithë dritën 
fareve të botës për të ndriçuar pishtarin e këngës shqiptare të saj. Në 
udhëkryqet njerëzore, të gjithë me këtë Loke kënge kemi edhe një semafor të 
pagabueshëm rrëzëllitës. Kemi këngë që kanë në hapësirat e tyre zambakët,  
dallandyshet, zogjtë, nuset, selvitë… E kur bëhet fjalë për Nexhmijen–aktore, na 
vjen keq që nuk i kemi parë të gjithë. Ajo ishte aktore atëherë kur edhe 
paragjykimi ishte i dukshëm për një femër. 

Sa herë që i thonin se do të shkonim, ajo ngrinte sytë e saj lutës dhe na pyeste 
: “Kaq shpejt po shkoni? Rrini edhe ca! Jam mirë me shëndet. Sot qenkam mirë 
shumë mirë. Ju jap fjalën se edhe një muaj të tërë nuk do të sëmurem.” 

Kur shkuam të takonim pjesën tjetër të shokëve me profesor Ibrahim Gashin, Prof 
Hulusi Hakon, Ibahim Hajdërmataj, mësuese Liljanën dhe Fatbardhin, iu treguam 
për mbresat. Pas pak do të takonim mësuesët e nxënësit e gjimnazit shumë të 
njohur të Prishtinës “Xhevdet Doda” dhe do të priteshim edhe në Ministrinë e 
Arsimit Teknologjisë dhe Shkencës së Kosovës. Secili prej nesh meditonte për të 
gjetur një ushtar të ri të rrëfimit të së nesërmes. Një portret? Një skicë? Një 
poezi të re? Një reportazh? Një tekst kënge? 

….Mbretëresha e Këngës Kosovare Nexhmije Pagarusha me një ditëlindje pranverore 
e me një jetë të tërë në art, mbeti aty. Me duart miqësore të zgjatura drejt 
rrugës që do të bënim pas pak. Me një gaz që ia lexoje në fytyrë, në fjalë, ajo 
me zonjën Meli  do të kthehej në dhomë. Do të jetonin  sërish me mbresat e 
takimit, ashtu si po bënim edhe ne. Do të lexonte poezitë e falenderimet që i 
vinin nga të katër anët e botës. Ndoshta do të rilexonte edhe poezinë time 
“Lokja e këngës”. Na u desh që  edhe ne të jetonim sërish emocione të takimit. 
Të një lumturie të re. Ku edhe fjala nganjëherë nuk ka forcë që ta shprehë atë 
që ndjen. Të asaj historie që na bën  të njohim më mirë vetveten si individë e 
si komb.

Maj, 2011

Reagim ndaj një njofimi të zotit Albert Zholi

Reagim ndaj një njofimi të zotit Albert Zholi
 

Lidhur me njoftimin për prezantimin e librit të zotit Albert Zholi edhe në Athinë, libër ky që i kushtohet ish-ministrit "famëmadh" me emrin Kiço Mustaqi, dëshiroj të theksoj se suksesi i këtij libri mes opinionit publik grek domosdo që do të jetë i jashtëzakonshëm. Sepse i jashtëzakonshëm ka qenë në vitin 1997 edhe roli i ministrit në fjalë për themelimin në jug të Shqipërisë të "Republikës Ortodokse Greke". Mbarë klasës politike greke dhe mbarë opinionit publik grek, si edhe kryeshovinistit grek me emrin Janullatos në Tiranë, prezantimi i këtij libri në mjediset athinjote u ngjall dy emocione të fuqishme. Cilat janë këto dy emocione?

Emocionin e parë na e zbulojnë mjetet e informimit masiv të Athinës në fillimpranverën e vitit 1997, kur mbarë klasa politike greke, mbarë kisha shoviniste greke dhe mbarë opinioni publik grek, po ngazëllonin për katrahurën që kishte shpërthyer në Shqipëri, katrahurë ajo që po përfundonte me një zgjidhje "fatlume" për ta - me "krijimin" e "Republikës Ortodokse Greke",pra, me "zgjerimin" edhe më shumë të hapësirave territoriale greke në fundin e shek. XX. Ja se si e përcillnin këtë emocion mjetet informuese athinjote, të shkruara dhe pamore: 
 

“Oficerё verioepirotё drejtojnё kryengritёsit e Kiço Mustaqit, ish-Ministёr i Mbrojtjes i Shqipёrisё. Ngrihet flamuri grek pёr 15 ditё dhe shpallet autonomia nё Himarё e Tepelenё. Shtabi i andartёve tё Epirit tё Veriut bёn thirrje: “Tani autonomi, mos na tradhёtoni prapё”. Oficerёt tanё veriepirotё, dikur nёn armё nё ushtrinё shqiptare, tani po e marrin situatёn nё dorё. Ata po marrin nёn kontroll anije luftarake tё Shqipёrisё...”. (Citohet sipas: Gazeta “Stohos”. 5 mars 1997)
 “Ushtarakёt qё drejton Kiço Mustaqi e kalojnë shifrën e 400 luftёtarёve... Qёllimi i tyre ёshtё tё shkaktojnё hakmarrje pёr tё kaluar nё veprime tragjike...”.  (Citohet sipas: Gazeta  “Ta Nea”. 7 mars 1997).
“Shtatё qytete janё tani nё duart e kryengritёsve: Gjirokastra, Saranda, Delvina, Himara, Vlora, Tepelena dhe Memaliaj... Synimi ёshtё tё marrim nёn kontroll Fierin dhe Ballshin. Nё kёtё mёnyrё do tё kontrollojmё gjithё Shqipёrinё e jugut”. (Citohet sipas: Kanali televiziv “Antena”. 10 mars 1997).
Emocioni i dytë që kaplon keqas klasën politike greke, kishën shoviniste greke dhe kryeshovinistin grek Janullatos në Tiranë, është me të vërtetë drithërues për ta, sepse i detyron që t'i kapë "lodra e fëmijës" kur kujtojnë katrahurë shqiptare të vitit 1997. Burimi i atij emocioni drithërues vinte nga Ankaraja, e cila e bënte Athinë që t'i dukej ferra Brahim. Asokohe nga Ankaraja vinin ca njoftime që i bënte mbarë grekët ta ndienin veten sikur pantallonat u kishin rënë në qafë të këmbëve.
Ja cilat ishin ato njoftime:
Mё datёn 17 mars 1997, Kryeministrja e Turqisё, zonja Tansu Çiller, deklaroi para gazetarёve nё Ankara:
“Turqia nuk do tё qёndrojё spektatore ndaj pёrpjekjeve pёr tё pёrçarё Shqipёrinё. Pёr ruajtjen e tërёsisё territoriale tё Shqipёrisё... Turqia do t’i japё Shqipёrisё tё gjitha ndihmat e nevojshme, si nё planin politik, ekonomik ashtu edhe ushtarak”. (Citohet sipas: Gazeta turke “Hyriet”. 18 mars 1997).
“Greqia po kёrkon qё tё ndajё Shqipёrinё me qёllim qё tё themelojё njё Republikё Greke Ortodokse nё disa pjesё tё saj. Sipas Agjencisё sё Marёdhёnieve Ndёrkobёtare (INAF), veprimtaritё e fshehta greke kanё qёnё nёn survejimin e Shёrbimit tё Fshehtë Turk”. (Citohet sipas:  Gazeta “Zaman”. 16 mars 1999).
Këto dy emocione të fuqishme, por krejt të përkundërta, mbarë grekëve të shkretë po ua shkakton zoti Albert Zholi, me prezantimin e librit të vetë në Athinë, kushtuar Kiço "trimit". Gjynah. Grekëve të gjorë, sikur të mos u mjaftonin emocionet që u ka shkatuar kriza e rëndë ekonomike, për shkak të borxheve të pallogaritshme që kanë marrë nga bota për t'i shpenzuar për ndërtime kishash, varrezash, memorialesh dhe manastiresh për ca ushtarë të vetë, të rënë në Shqipëri si agresorë, për pagesa pensionesh për shqiptarë që s'kanë punuar në Greqi as edhe një ditë të vetme, si edhe për blerje do shqiptarësh pa identitet për vetëdeklarim të kombësisë, zoti Albert Zholi, me librin e vet, shkon e u nxit të tjera emocione, edhe më të fuqishme, por me kahe krejtësisht të kundërta, të cilat mund të rezultojnë me infarkte miokardi.
Prof.dr. Eshref Ymeri
Santa Barbara, Kaliforni
03 qershor 2011

NGA ALBERT ZHOLI:Pas Prishtines libri Kico Mustaqi edhe ne Athine




Urdhëri i Ramizit dhe kundërshtimi i Gramoz Ruçit.
 
Mbaj mend se, sapo u rrëzua monumenti, Ramiz Alia më dha urdhër  gojarisht që të ngriheshin në alarm rreth 15 brigada  me rezervistë dhe pasi të komplentoheshin, të niseshin drejt Tiranës. Shumica e komandantëve  të divizioneve apo sekretarët e parë (në atë kohë kishin edhe funksionin  e kryetarit të shtabit të mbrojtjes të rrethit), me të cilët komunikova për këtë punë, ishin skeptikë dhe e kundërshtuan ardhjen e këtyre brigadave në Tiranë. Një nga ata që e kundërshtuan ishte edhe Sekretari i Parë i Komitetit të partisë të Tepelenës, Gramoz Ruçi. Unë i telefonova Gramozit nisur nga shoqëria që kishim, por ai ma ktheu: Ne nuk i dërgojmë rezervistët  në Tiranë, ata i kemi për të luftuar kundër  armikut në kufi”. Për çudi të nesërmen  Gramoz Ruçi u emërua Ministër i Brendëshëm në qeverinë  e Fatos Nanos. Disa komandantë divizionesh si në Shkodër e në Vlorë shprehën shqetësimin se këto njësi rezevistësh mund t’i kthenin  armët kundër nesh, prandaj aty për aty e anullova urdhërin për krijimin e atyre brigadave”. Përfundimisht këto brigade nuk u dërguan në Tiranë, për arësye se urdhëri nuk u ligjërua me shkrim nga Ramiz Alia, por edhe pse nuk u përcaktua objekti i ardhjes së këtyre brigadave dhe se çfarë duhej të bënin. Me kalimin e orëve, ky urdhër sikur u harrua prej Ramiz Alisë, i cili ndofta ndërroi mendje duke parë komplentimin  e dobët, 30-40%. Dhe kjo sepse shumica e rezervistëve nuk prisnin të mbushnin radhët e ushtrisë, por ata marshonin si refugjatë drejt Greqisë e Italisë.
Krijimi i Këshillit Presidencial.
Duket se pas rrëzimit të monumentit  të Enver Hoxhës, Ramiz Alia e kuptoi  se ishte i izoluar, prandaj vendosi që edhe formalisht  ta merrte në duart  e veta  drejtimin e pushtetit  dhe u vu në krye të një këshilli presidencial që përbëhej prej 9 vetash. Në këshillin presidencial, me përjashtim të Fatos Nanos, emri i të cilit sapo kishte nisur të shkëlqente, gjithë të tjerët, ose qenë konservatorë  të betuar, ose nuk kishin realisht asnjë lloj peshe në marrjen e vendimeve. Këshilli përbëhej, (veç Nanos) nga: Haxhi Lleshi- ish Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kleanthi Koçi-Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kiço Blushi shkrimtar, Lufter Xhuveli- pedagog kryetar i partisë Agrare, Rexhep Meidani-pedagog, Minella Dalani, gazetar në pension, Xhenet Muço, ushtarak. Menjëherë pas krijimit të tij, Këshilli Presidencial lëshoi një deklaratë, ku kërcënonte se do të shpallej gjendja e jashtëzakonëshme, nëse nuk vendosej rendi dhe qetësia publike. Të nesërmen e rrëzimit të monumentit u hapën fjalë se efektiva të shkollës së Bashkuar do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e diktatorit që ndodhej në oborrin e shkollës. Duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një inciativë  spontane, aq më tepër në një shkollë  të tillë ushtarake, ku nuk diskutohej  disiplina e hekurt. Në një thirrje të efektivave të shkollave ushtarake  të Tiranës drejtuar presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, thuhej në fund se me përmbajtjen e thirrjes u njohën komandat e shkollave ushtarake dhe janë plotësisht dakort. Kërkesa e parë e kësaj thirrje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të cilit  kërkohej  që të përcaktohej  me anë të një referendumi  mbarëpopullor, dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum, dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar, se vendi po kërcënohej  realisht me puç ushtarak.

[fryma] Ndryshimi është në dorën tënde!

Ramiz Kelmendi, 8 dekada për letërsinë








 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
(Foto: Jetmir Idrizi)
Arsyeja që e ka shtyrë Ramiz Kelmendin të merret me letërsi është dashuria për jetën, dashuria për vendin, dashuria për njeriun. Por edhe dashuria për femrën.

Nga Alfred Beka 
 
Ramiz Kelmendi sivjet ka mbushur 80 vjet. I lindur më 20 dhjetor 1930, shkrimtari, publicisti dhe gazetari Ramiz Kelmendi i dha letërsisë shqipe një numër të madh veprash letrare, prej të cilave ai i veçon vëllimin me tregime “Ahmet Koshutani”, pastaj romanin “Shtatë persona ndjekin autorin” si dhe librin “Letrat nga Ulqini”. I njohur për humorin e tij, por mbi të gjitha për erotizmin e shprehur në veprat letrare, Ramiz Kelmendi mbetet një prej figurave kryesore të letërsisë shqipe. Në këtë intervistë ai flet për jetën e tij, për arsyet që e kanë shtyrë të merret me letërsi, për shkrimtarët e tij të preferuar dhe për librin e tij me kujtime, që pritet të dalë së shpejti.

Express: Së pari si po e ndieni vetën në përvjetorin e 80-të të jetës suaj?
Ramiz Kelmendi:
Se mos nuk mund te mirret me mend? Prita 80 vjet ta arrij këtë moshë dhe, ja, m’erdhi. Më gëzoi dhe po e gëzoj s’ka si bën më mirë. Këto ditë jam, them, nga njerëzit më të lumtur.

Express: Si kaloi ky vit për ju? Cilat janë befasitë që i keni pasur gjatë këtij viti?
Ramiz Kelmendi:
Për mua?! Se mos mund të bëj ndonjë përjashtim nga pjesa më e madhe e popullsisë? Shkurt: jo mirë. Për të mos thënë – keq! Për “pse”-në, besoj, është e tepërt të flas, sepse është i pafund numri i bashkëmendimtarëve.

Express: A mund të na i tregoni disa prej momenteve tuaja me të rëndësishme që i keni pasur në jetë?
Ramiz Kelmendi:
Jo kjo faqe, por edhe dhjeta e dhjeta të tjera nuk do të më mjaftonin të tregoj “momentet më të rëndësishme” në këta tetë dhjetëvjetësha! Nga t’ia nis? Ku t’i bitis? Mbase do thënë, shkurt: të shkuara, të harruara! Të mirat mbetshin e qofshin. Të ligat u harrofshin...

I dashuruar në jetën, vendin, njeriun dhe femrën

Cila është arsyeja që ju ka shtyrë të merreni me letërsi?
Ramiz Kelmendi:
Dashuria për jetën. Dashuria për vendin. Dashuria për njeriun. Dhe, pse të mos e them: edhe dashuria – për femrën. Këtë tonën. Shqiptaren. E cila sa vjen e po na e kulturon, arsimon dhe zbukuron racën.

Si në fushën e letërsisë po ashtu edhe në gazetari keni dhënë një kontribut të veçantë. Sikur të ju detyronin të zgjidhnit vetëm njërën prej këtyre të dyjave, cilën do ta zgjidhnit më përpara?
Ramiz Kelmendi:
Letrarin në gazetari.

Cilët janë shkrimtarët (qoftë të huaj, qoftë shqiptarë) që i adhuroni dhe i lexoni më shumë?
Ramiz Kelmendi:
Janë shumë, pa numër. Por adhuroj, ndër shqiptarët, s’do mend, Ismail Kadarenë dhe, përnjëherë pas tij, apo, edhe më drejt, përkrah tij, edhe Fatos Kongolin. Kurse ndër shkrimtaret tona – Elvira Dones. Nga të huajt kam lexuar dikur me ëndje Kafkën, Markezin, Moravian, sot nuk kam ndonjë të preferuar të veçantë.

Cili është vlerësimi që ju pëlqen më së shumti që ndokush e ka bërë për juve?
Ramiz Kelmendi:
Kam dy vlerësime që më nderojnë: fjala e Rexhep Qosjes në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës para ndonjë dite, si dhe urimi që më bëri një miku im i madh dhe i dashur, Amik Kasoruho, në Panairin e fundit të librit në Prishtinë.

Letërsia e sotme jo për t’u lavdëruar

Çfarë vlerësimi keni për letërsinë që krijohet sot në Kosovë?
Ramiz Kelmendi:
Sa shumë do të dëshiroja të mos deklarohesha, edhe pse, jo rrallë, kam shprehur ndonjë mendim jo për lavd.

Kur flitet për erotikën në letërsinë kosovare menjëherë lexuesit i shkon mendja tek ju, pasi që shkrimtarët tjerë nuk janë marrë aq shumë apo i janë shmangur kësaj tematike. Kur lexohen shumica e shkrimtarëve tanë krijohet një përshtypje se shqiptarët nuk dinë të dashurojnë. Cili është mendimi i juaj për këtë çështje? Pse letërsia erotike nuk është aq e pranishme tek shkrimtarët kosovarë?
Ramiz Kelmendi:
Pajtohem me gjithçka që përmban pyetja juaj sa më sipër. Ndërkaq, pse-në e mungesës së letërsisë erotike në letra tona (po jo dhe në letërsinë gojore!!!) e shpjegoj me hipokrizinë dhe moralin e rremë. Thuase do të bënin ndonjë blasfemi po të shkruanin për dashurinë, pa të cilën s’do të kishte as jetë.

Jeni marrë me lloje të shumta të letërsisë dhe keni shkruar një numër të madh veprash. Sikur të ju pyetnin se cilën vepër tuaj do ta veçonit, cila do të ishte përgjigjja e juaj dhe me çfarë arsyetimi?
Ramiz Kelmendi:
Është e zorshme të pyesësh prindin, nënën a babanë, se cilin fëmijë e do më shumë. Sidoqoftë, po të më detyroni të zgjedh, unë them se vëllimi me tregime “Ahmet Koshutani” është “sugari” i letrave të mia. Pa harruar “Shtatë personat...” dhe, asgjëmangut – “Letrat nga Ulqini”.

Si e vlerësoni vitin 2010 sa i përket fushës së letërsisë? A ka pasur gjatë këtij viti diçka që ia ka vlejtur të lexohet?
Ramiz Kelmendi:
Më duket se u përgjigja ca më sipër. Nuk kam asnjë preferencë (letrare) sa ta veçoja.

Kur do ta kenë në dorë lexuesit kompletin e veprave tuaja?
Ramiz Kelmendi:
Kompleti i veprave të mia, me 8 vëllime, sivjet mbush plot 20 vjet nga botimi. Për ndonjë ribotim zor se besoj, që të mos them se nuk e pres me gjallje time.

Çfarë mund të presin lexuesit nga Ramiz Kelmendi në vitin 2011?
Ramiz Kelmendi:
Para ndonjë dite, me rastin e ditëlindjes sime, “Buzuku” më botoi një vëllim me “Shkrime të zgjedhura”. Brenda ndonjë muaji do të më dalë edhe libri me (disa) kujtime nga jeta ime e shkuar. Dhe, po ashtu, edhe dy përkthime: Hana Dalipi dhe Natali Sarot.

http://www.gazetaexpress.com/?cid=1%2C21%2C44548

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...