2011-07-09

Loja e syve


Nga: Ada  FURXHI

I mbylla syte dhe per pak imagjinova, po c’fare…! I dogja yjet me flake qiriri qe i mbante iso flamurit te zi te hidherimit tim, me fytyre te shemtuar, fytyre neperke makabre… I mbylla syte dhe ashtu me sy mbyllur une enderrova, ne nje vije te drejte vetem ecja. Me enderrimin tim sy-hapurazi, i ckalafita plackat me gryke urie qe i bente sehir frutave te pjekura ne marketin e fresket ku parakalonin me karrocat e mbushura plot e perplot, pasaniket, qe doravisnin djelmoshat katermbedhjete a pesembedhjete vjecare qe mbushnin cantat e pasanikeve me ushqime…I mbylla syte dhe ashtu fantazova… Fantazova per pak ikjen e ujqerve egersira nga pylli i blerte, bredhur me kembe delesh. Fantazova per pak fshirjen e tatuazheve prej lekures qe dikur ishte e brishte, e paster dhe e bardhe si porcelani. Fantazova per pak ceremonine e deshirave qe u realizuan me tre trokitje si t’i kishte plotesuar Xhini brenda llampadarit me drite 100-volteshe…I mbylla syte, imagjinova! I ferkova syte e pastaj serish i hapa… Ripashe boten e ndyre, pellgjet uje-turbullta baltosur nga nje shi qe kishte zene prej oresh, qe mbas mesdites. Pashe fluturimin e larget te avioneve me bisht qe fshiheshin prapa reve dhe shkonin neper drejtime e kontinente te ndryshme te botes. Me syte e hapur pashe edhe krokodilet e perlotur dhe njerezit si ta. Me erdhi keq per rruazat e keputura nga qafa dhe bizhuterite e vjedhura. Pashe gjuetine e eger te njerezve per njerezit, shpirtin katil e te pangopur, kthimin e mishit ne mornica, venat e prera me brisk te kycave te dores, varrimet tragjike te njerezve te dashur per ne. Ashtu, vura re ca ndodhi te zakonshme e dukuri natyrore si bymimin e gishtave ne ujin e ngrohte, perplasjen e eres me cdo objekt qe i dilte perpara, ecjen e diellit neper qiell here perpara e here prapa reve.I perpelita syte dhe me nje hapje-mbyllje tjeter e gjeta inatin kacafyt te ligeshtise qe lagu qull strehen jo edhe aq te mbrojtur te xhanit solid si diamant… I mbylla syte…, i hapa syte… Po fillonin te me dhimbnin, s’e dalloja dot me sy me realitetin nga endrra, por me zemer fatkqesisht – po.  I mbylla syte…, i hapa syte… por per heren e dyte kjo perplasje kaq e shpejte qepallash e qerpikesh nuk funksionoi. Mos po luante me mua shqisa e shikimit?! Apo isha une vete E MARRA qe per ato pak caste kishte perfytyruar nje cep bote te papare, te padegjuar, te pajetuar ndonjehere…?!I mbylla syte serish te shikoja nje bote te ylberte dhe te pasur me hijeshi e ngrohtesi…, por fatkeqesisht asgje nuk kishte ndryshuar, as-edhe-nje-gje. Jetoja ne nje dynja llafazane me njerez te hutuar e te urritur mbas thashethemeve qe u hanin buke kot, me qortime te ashpra e me ndeshkime pa merite, me shuplaka fytyres por qe lendonin edhe shpirtin. Bulevardi ishte akoma i piste, i pluhurosur, me biliona hapash te mjere, po ai bulevard qe nates cukitej nga taka te larta prostitutash te shpifura e nga vetura qe ndalonin buze bordurave per te gjetur nje defrim seksual te shpejte, apo nje nate me pagese. Rruga ishte e mbushur me cigarexhinj qe sa e shuanin nje cigare – nje tjeter e ndiznin…Nuk kishte ndryshuar as toka e tkurrur si guve drejt gremines se fajeve legjendare, as pinjojt e pazhveshur prej mekateve, as te dehurit gjysem pa strehe qe u ngjanin laraskave laparake, as te vdekurit qe s’u ngriten prej varreve per te protestuar kunder te gjalleve a per tu ringjallur vete. Binte si kembane alarmuese gramafoni trondites i mengjesit qe percillte vec lajme te zeza e qe na kujtonte se perdite vriteshin ushtare te pafajshem ne Irak e Afganistan. Merzia e kishte ngjyren gri dhe bluhej si kafe me nje makine espresso te prishur. Ne nje cepe te bulverdit ishte akoma e parkuar taksia e verdhe me nje shofer me mustaqe qe mezi kuptohej nga theksi i rende dhe i cuditshem. Bota ishte akoma shume katile, akoma me shume mistrece, pak naive dhe pak idiote. Dhe me boten s’kishte ndryshuar as ‘teoria’ e bjondeve budallacka qe pispilloseshin gjithe diten si kukulla Barbi para pasqyrave. Te thelle ende, me shume copa toke e me ujra te thella, ndaheshin dy hendeket midis kontinenteve qe na mbanin larg ne te dyve, me mosperfillje.
…Aty para meje ishte vitrina e kepuceve aq te bukura qe doja t’i blija po s’mundesha edhe pse sa here qe blej nje pale kepuce, vihem ne nje gjendje shpirterore me te mire. Ne kete rast po t’i blija kepucet, do mashtroja edhe me shume veten sic e kishin mashtruar syte e mi qe gjoja kishin pare nje bote te bukur, sado per pak caste… Ekzistonte akoma SIDA dhe kanceri qe kura s’ju gjend kurre. Me bisht te syrit shikoja ende nje nishan gungac qe shemtonte sadopak nje pjese te hijshme te te qenit femer…Nuk kishte ndryshuar as-edhe-nje-gje. As te rinjte qe vriteshin neper aksidente makinash ngaqe e nigsnin tape, as katastrofat qe ndodhnin shkollave, kolegjeve dhe universiteteve – ku te mesuarit eshte gjeja e fundit ne mendjen e studenteve. As zemrat e cara medysh me sopaten katile te tradhetise dhe abuzimit, as pseudonimet qe u vinim buzeqeshjeve per te sajuar lumturi te shpejta te rreme, as “pop-ups’et” ne ekranin e kompjuterit ku bota e gjere e Internetit u hap udhe per te bere keq… shume te paudheve. Nuk kishin ndryshuar ndjenjat e njerezve dhe fjalet e poeteve dhe as poemat e gjata me motiv pesimist si ato qe une shkruaj shpesh. As perdhunimet fizike qe ndryshonin per fare jeten e femres, as pasqyrat e thyera qe per shtate vjet kishin nderin te te dhuronin fat shume te keq, as kapitullimet e njerezve qe kryenin vete-vrasje. Nuk kishte ndryshuar dashuria absolute dhe e mrekullueshme qe kisha e qe kam per ty shpirti im, as te qarat e mia, fobite e mia, ankthet e mia, as te rrahurat e zemres… dhe as vetmia ime qe ishte nje gur i bardhe ne fund te lumit…I mbylla syte, i mbylla fort, i mbylla edhe veshet (kete rradhe) nuk doja te shikoja e as nuk doja te degjoja gje. Ne ato momente s’do e kisha care koken fare nese isha e verber a e shurrdhet. Nuk doja as te shikoja e as te degjoja asnje nga keto marrezi, tragjedi, frika, gabime, urrejtje, xhelozi, abuzime, tradheti, deshperime, genjeshtra, fatkeqesi dhe lote… ah te shkretet lote qe derrdheshin e mbushnin sa e sa oqeane (nese do i masje dot). Nuk doja t’i shikoja lotet askund, qofte ne syte e mi a qofte ne syte e te tjereve. Nuk doja ta ndieja rrugetimin e tyre te kripur teksa rridhte faqeve te mia, te mos e degjoja muzikalitetin e tyre te ulur dhe te trishte, te mos e ndieja lageshtine e tyre me bebat piktureske te syve te mi…I hapa syte – po qanin. Kaq e pati edhe deshira ime per te mos pare kurre me lote. Trendafilat e kuq ishin vyshkur ne vazon e kristalte, dielli i’a kishte lene vendin henes per nje nate. Cdo gje kishte mbetur po njesoj. Per boten isha nje qenie njerezore qe pak vetave do u prishte pune ne ekzistoja apo jo. Per boten isha nje prej bilionave njerez qe marrin fryme, qe mbijetojne dhe qe vuajne… (sa vuajne). Per boten isha nje njeri i thjeshte, a ndoshta i komplikuar, por nje njeri gjithsesi. Vetem kaq! Mbyllja e syve ishte vetem nje pergenjeshtrim. Sa keq!

Shko ku te çon zemra……


Nga: Jolanda  DAUTI

Me siguri qe u ka ndodhur dhe juve te ndaleni ne jeten tuaj, te ktheni koken pas e te shihni rrugen qe keni pershkruar e keni lene pas shpine.Nuk duket me e gjate se rruga qe keni para jush???..Jo e??!!…Ndofta me ndodh vetem mua…nejse…Per te mos humbur fillin po i rikthehem “rruges se pershkruar” deri me sot..Nuk e kisha vene re qe ajo s’ishte e drejte( ne fakt, e mendoja te tille), por duke pare me me qartesi, verejta se ishte me dredha, me shigjeta nga te dyja anet qe tregonin drejtime te ndryshme, me pas rrugica te ngushta qe perfundonin ne pyll. Ndonjeren prej tyre me siguri e kisha kaluar pa vene re se ck’ishte ne te, ndonje tjeter me siguri se kam fare qe ekzistonte…Ato rruge qe kisha pershkruar, nuk dija as vete ku do me nxirrnin, per mire a per keq, por i kisha pershkruar,,,,,megjithate vazhdoj akoma te kem pikepyetjet e mia…Po sikur te kisha kaluar ketej e jo andej, po sikur te kisha ikur para ne vend qe te kthehesha pas??!! Eh, njeriu i shkrete!! gjithmone ne dileme. Ky eshte nje problem i vjeter sa bota, qe nga Adami e Eva gjithmone i njejti problem..Dhe mu kujtua nje shprehje e Edgar Lee Masters lexuar kohe me pare” Kjo eshte dhe dhimbja e Jetes, per te qene te lumtur, eshte e nevojshme te jesh dy”, e me siguri qe se ka pas keq ky zoteria, (me mire te jesh dy, se te jesh vetem)…..Me siguri qe kjo ka qene edhe arsyeja qe i Gjithefuqishmi qe krijoi Adamin, mendoi menjehere te sjelle dhe Even per shoqeri, e cila i solli me vete dashurine, eren dhe shijen e saj, por dhe dhimbjen…..Ah moj Eve, edhe ti, kishe gjithshka, po ti atje ku s’duhej vajte…gjithsesi kjo ishte nje e mire….qe nga ajo kohe e me pas, ne” modernet”, deshiren per vitamina e rritem ne mase……Ja perseri me iku filli i bisedes….e kisha fjalen per rrugen time…po…gjithsesi po ju thosha, se ne kete rrugen time, te gjate sa dhe te shkurter, gjeta edhe imazhin e lumturise, e gjeta ne gjera te vogla, ne gjera te medha, ne tingujt e muzikes, ne qeshjen e dale prej shpirtit , ne goten e veres,ne batutat e miqve, ne thenien e mrekullueshme” ne do te ecim dora dores edhe ne mbreterine e hijeve”, ne buzet e dashurise, ne zjarrin e tij( “Adamit” tim.)…E perseri te gjitha keto, nuk e di sa mund te sherbejne, per ta lehtesuar me teper mundimin e jetes…..Kam lexuar shume thenie edhe mbi lumturine, kam lexuar edhe manuale, se si te sillemi per te qene te lumtur, por ne fund kam kuptuar, se me e rendesishmja, fitorja me e madhe, eshte kur pranon veten per ate qe je, me te mirat e difektet e tua. Tek e fundit, sot, ndjenja qe ka sunduar boten, por qe eshte edhe me e padobishmja, eshte zilia. Te kesh zili te tjeret per ate qe jane( apo duan te dimostrojne se jane). Une nga kjo ane, e bej gjumin e qete miq. Ndofta, ngaqe ne jeten time, skam njohur ndonje person, qe te mund te meritoje ziline time( adhurimin me siguri), dhe te them te drejten, njerez kam njohur plote gjate rruges time, por ne jete, cdo gje kalon kaq shpejt, saqe pak gjera arrijne te lene gjurme….Por, perseri ka akoma ne mua pytje….Kush e di se…Po sikur…e pergjigje nuk kam……..ndofta duhet te shkoj ku me con rastesia, ndofta ku me con fati im, por me siguri rruga qe dua te ndjek, eshte ajo, ku me con Zemra ime

Shko ku te çon zemra……


Nga: Jolanda  DAUTI

Me siguri qe u ka ndodhur dhe juve te ndaleni ne jeten tuaj, te ktheni koken pas e te shihni rrugen qe keni pershkruar e keni lene pas shpine.Nuk duket me e gjate se rruga qe keni para jush???..Jo e??!!…Ndofta me ndodh vetem mua…nejse…Per te mos humbur fillin po i rikthehem “rruges se pershkruar” deri me sot..Nuk e kisha vene re qe ajo s’ishte e drejte( ne fakt, e mendoja te tille), por duke pare me me qartesi, verejta se ishte me dredha, me shigjeta nga te dyja anet qe tregonin drejtime te ndryshme, me pas rrugica te ngushta qe perfundonin ne pyll. Ndonjeren prej tyre me siguri e kisha kaluar pa vene re se ck’ishte ne te, ndonje tjeter me siguri se kam fare qe ekzistonte…Ato rruge qe kisha pershkruar, nuk dija as vete ku do me nxirrnin, per mire a per keq, por i kisha pershkruar,,,,,megjithate vazhdoj akoma te kem pikepyetjet e mia…Po sikur te kisha kaluar ketej e jo andej, po sikur te kisha ikur para ne vend qe te kthehesha pas??!! Eh, njeriu i shkrete!! gjithmone ne dileme. Ky eshte nje problem i vjeter sa bota, qe nga Adami e Eva gjithmone i njejti problem..Dhe mu kujtua nje shprehje e Edgar Lee Masters lexuar kohe me pare” Kjo eshte dhe dhimbja e Jetes, per te qene te lumtur, eshte e nevojshme te jesh dy”, e me siguri qe se ka pas keq ky zoteria, (me mire te jesh dy, se te jesh vetem)…..Me siguri qe kjo ka qene edhe arsyeja qe i Gjithefuqishmi qe krijoi Adamin, mendoi menjehere te sjelle dhe Even per shoqeri, e cila i solli me vete dashurine, eren dhe shijen e saj, por dhe dhimbjen…..Ah moj Eve, edhe ti, kishe gjithshka, po ti atje ku s’duhej vajte…gjithsesi kjo ishte nje e mire….qe nga ajo kohe e me pas, ne” modernet”, deshiren per vitamina e rritem ne mase……Ja perseri me iku filli i bisedes….e kisha fjalen per rrugen time…po…gjithsesi po ju thosha, se ne kete rrugen time, te gjate sa dhe te shkurter, gjeta edhe imazhin e lumturise, e gjeta ne gjera te vogla, ne gjera te medha, ne tingujt e muzikes, ne qeshjen e dale prej shpirtit , ne goten e veres,ne batutat e miqve, ne thenien e mrekullueshme” ne do te ecim dora dores edhe ne mbreterine e hijeve”, ne buzet e dashurise, ne zjarrin e tij( “Adamit” tim.)…E perseri te gjitha keto, nuk e di sa mund te sherbejne, per ta lehtesuar me teper mundimin e jetes…..Kam lexuar shume thenie edhe mbi lumturine, kam lexuar edhe manuale, se si te sillemi per te qene te lumtur, por ne fund kam kuptuar, se me e rendesishmja, fitorja me e madhe, eshte kur pranon veten per ate qe je, me te mirat e difektet e tua. Tek e fundit, sot, ndjenja qe ka sunduar boten, por qe eshte edhe me e padobishmja, eshte zilia. Te kesh zili te tjeret per ate qe jane( apo duan te dimostrojne se jane). Une nga kjo ane, e bej gjumin e qete miq. Ndofta, ngaqe ne jeten time, skam njohur ndonje person, qe te mund te meritoje ziline time( adhurimin me siguri), dhe te them te drejten, njerez kam njohur plote gjate rruges time, por ne jete, cdo gje kalon kaq shpejt, saqe pak gjera arrijne te lene gjurme….Por, perseri ka akoma ne mua pytje….Kush e di se…Po sikur…e pergjigje nuk kam……..ndofta duhet te shkoj ku me con rastesia, ndofta ku me con fati im, por me siguri rruga qe dua te ndjek, eshte ajo, ku me con Zemra ime

Tani që Itaka shkon drejt Uliksit të saj


Nga: Visar  ZHITI

1.UDHETIM PER TEK VETJA: Ndoshta ka kohëra kur ndodh e kundërta, që Itaka shkon drejt Uliksit të vet. Ishulli mitik lëviz në kërkim të njeriut të veçantë, në fakt dita gjen poetin e saj dhe udhëtimi është i brendshëm.Mbase kështu duhet të ketë qenë gjithmonë, pa u kuptuar, që uliksët dhe Itakat kanë udhëtuar drejt njëri-tjetrit dhe anijet, dallgët, erërat, sirenat, shillat dhe karibdat, lindjet e diellit, vdekjet, harku, etj., etj., janë brenda teje si ndjenjat, idetë, frymëzimet, neorozat, ja, kështu po mendoja, teksa lexoja poezitë e bashkëkohësit polak, Jan Michal Stuchly, të përkthyera në gjuhën time prej poetit Mazllum Saneja, nga Kosova, një lloj itake dhe kjo, udhëtimi drejt së cilës ishte udhëtim drejt vetes. Sytë e tu të shqyer/ vështrojnë pa fund/ pa shpresë/deri në asgjëkund/ thuajse flasin/ më shumë se mijëra fjalë (…) Vargje hutuese, nuk janë vetëm për kosovarët e ikur gjatë atij eksodi biblik, janë vargje-sy, që shohin, në fillim atë që po i lexon, pastaj e tejshkojnë atë, shohin botën. Poezia e Stuchly-t mbart udhëtime të ndryshme, ku herë-herë shkohet afër, te tjetri, te mjedisi përreth, populli tjetër, te një dhembje, tek retë a vdekja dhe herë-herë shkohet larg dhe përtej, te një ëndërr, në zemër, tek vetja… Është një ravgim mbi ujanën pafund të jetës nën dallgët qiellore plot me shpirtra, udhëtimi i mundimshëm tej e tej vetvetes. Me një mision hyjnor. Dhe më vjen të pyes se a ka patur njerëz-uliksë pa Itakë? Gjithsesi më e dhembshur do të ishte Itaka pa Uliks, trualli i shpirtit që nuk pret njeriun e vet.
2. TE RIBESH BOTE: Do të thosha se dhe poezia e Jan Michel Stuchly-t ribën botë, me ato elemente që janë, pa shtuar dhe pa hequr asgjë, duke i vlerësuar të gjitha, por duke i renditur ndryshe. Heliocentrizmi fizik sikur kërkon poezicentrizmin human, me njeriun që kërkon të vetëkrijohet, kur çasti i tij përsëritet si një përjetësi e vogël dhe përjetësia si një çast i madh, stinët janë mosha e tokës, se njerëzimi s’ka moshë, ndërsa bëmat shndërrohet në piktura, p.sh., ecja në muzikë, të ndrydhura dhe nëpër fjalë. Ribërja e botës është ribërja e njeriut, në fakt e vetvetes. Se duke gjetur veten, ke zbuluar dhe tjetrin, pra, botën, duke njohur tjetrin, ke kuptuar dhe veten, pra botën. Kjo është ndihma e parë, sipas meje, që na japin poezitë e Jan Stuchly-t, pas emocionit të beftë që na shkaktojnë.Më duket si i gjithkundshëm në botën tonë, i pa kohë, i lashtë dhe universal, i përditshëm, madje fare i sotshëm, i çastit kur sapo nis dita e re dhe kapton fare pak në të nesërmen, aq do, jo më shumë, nga që ka druajtjen e njeriut urtak, që jeton me të tanishmen, e cila s’është vetëm kohë, por edhe botë. Është mbushur me trishtime nga shkaku i gëzimeve, pesimist aq sa optimizmi të jetë i vërtetë, i Zotit që të ndjehet më njeri, që njeriu të bëhet më zot… prandaj dhe vetë Itaka lëviz, shkon drejt Homerit të saj. (…)sa e afërt/ më është/ jeta e çdonjërit/ si jeta ime (…) Një sinqeritet i rrallë, goditës si epitafet. Bota e jetës tënde kështu paska patur dhe një botë tjetër pranë, që, pa e ditur si, kur dhe nga ku, ka kërkuar të të japë dritë, duke marrë dritë prej teje. Po edhe muzgje, heshtje dhe harrim. Dhe poezia na kujton që edhe duhet të harrojmë, por bota, në fund të fundit, është ajo që kujtojmë.
3. MARREVESHJA ME VDEKJEN:Si çdo poet i vërtetë, Jan Michal Stuchly bën takime dhe biseda të mënçura me vdekjen, të cilat janë ndërprerje e së përkohshmes për të vazhduar të përhershmen.Njeriu në imazhet e tij ngjan me klepsidrën, që zbraz rërën e kotësisë dhe mbushet… po me atë rërë. Kështu duket, por jo, është koha me të cilën mbushemi, ajo asgjë që bën gjithçkanë dhe ne jemi të lirë, madje dhe të zotë, të bëjmë atë që na takon, edhe të pamundurën. Jeta shkon përpara nga të pamundurat, që shtyjnë dhe vdekjen, duke i dhënë trajtën e pavdekësisë.A thua/ që nga çasti i lindjes/ shkojmë në kortezhin funeral/të varrimit tonë?
Është pyetje përtej-hamletiane, që e ka kundërshtimin përbrenda fjalëve të saj. Funeralet, sipas disa mendësive, janë dhe lindje, udhëtim për në të përtejmen, ku çon diçka në përjetësi, që t’i hapësh vend jetës së tjetër gjëje, më të re. (…)dikush dikur më pati thënë/ atëbotë kur nëna vdes/ bota merr fund(…) Ja çelësi i dhembshur i vdekjes dhe i kundërvdekjes: nëna. Pjelloria e jetës, e dashurisë për jetën, e kuptim të saj, e bukurisë së saj. Metaforikisht kjo nuk di të vdesë. Është gruaja e përjetshme, që herë është nënë, motër, e dashur, bashkëshorte, frymëzim, nxitje, përcjellje, pritje… Poeti Stuchly si grua dhe Itakë ka shpirtin njerëzor, duket, drejt të cilave shkon, por dhe gruaja dhe Itaka shkojnë në drejtim të tij, të mbështjellë me ca mjegull mbase, të pikëzuara me yje a me plagë, s’kuptohet ç’janë, se aq njëlloj ndrisin shpesh. Në mesin e këtij udhëtimi, aty ku takohen, është poezia.

E dashura ime qe dhemb!


Nga: Mirela  PETALLI-KAPAJ

Ne cepin tim te zymte e jo dhe aq te paster te botes, mungesa jote eshte pluhurosur nga shikimi im i gjate mbi te pa mundur te bej asgje.E kam ditur qe ti do vazhdoje te jetoje. E kam deshiruar me gjithe shpirt kete. Brenda vetes kam enderruar kaq shpesh qe kur te t’shoh ne krah te nje tjetri, te mund te them me krenari se ai nuk vlen as sa gjysma ime. Jo sepse dua te vuash, jo! Une te dua shume per te t’uruar vuajtjen. Por s’e kam shmangur dot enderrimin me sy hapur qe ti te duash nje gomar, e te kthehesh tek une me nje lume lotesh. Oh, sa me peshtiroset vetja kur mendoj sa etje kam per ate lume lotesh!E verteta eshte, se jam une ai qe derdh lote te hidhur ne cepin tim te zymte dhe jo dhe aq te paster te botes sime pa ty. Armiku me i madh i imi eshte Ai, Ai qe do te jete ( ndoshta eshte tashme) prane teje, brenda teje. Ajo qe me dhemb me shume, eshte se ai nuk do te jete ne vendet ku kam qene une; sepse ti do t’kesh shpikur vende te reja, nje menyre te re te dashuruari posacerisht per te.I pafuqishem per te fshire vendet ku ti ishe tek une, ( a mund te fshihet vetja?), per te shpikur vende te reja per nje dashuri te re, une shkruaj kete leter qe do ta gris,e do t’a perdor per te ndezur zjarrin ne sobe, te me ngrohe trupin qe s’eshte me i imi.Por une jam nje burre inteligjent. Do mbijetoj edhe kete here. Vetem se, kedo qe te zgjedhesh ti, do derrmoje tere ate cfare une jam. Se nuk e derrmoi ikja jote dot ekzistencen time, por ky armik i panjohur. Me fal qe me shume se te doja ty, desha faktin qe ti ishe e imja…

Si të përballemi me të kaluarën


Nga: Sadik  BEJKO

Ciceroni, shtetar, filozof e avokat në Romën e para 2100 viteve, në rininë e tij u bë i famshëm se fitoi një gjyq me thirrjet “qui bono?” (kush përfitoi prej krimit?) dhe “çfarë shoqërie po ndërtojmë?”. Me këto thirrje, Ciceroni u ndesh në gjyq me “të fortët” e kohës. Këta kishin vrarë një pronar tokash, kishin përvetësuar tokat e tij dhe ia akuzonin të birin si atëvrasës. Ciceroni e shpëtoi këtë njeri nga akuza e atëvrasjes… Që nga ky gjyq e deri më sot, në praktikën e hetimit të një situate të ndërlikuar kriminale, pyetja “kush përfitoi prej krimit?” mbetet një nga çelësat që mund ta çojë hetuesin te vrasësi. Shtruar në terma të tjerë, mund të thuash se gjithë kapërthimet e përplasjet e vullneteve dhe të energjive në një a në cilëndo shoqëri, hapin shtigjet në arritjen e një pozite sa më të lartë në fuqi e në pasuri. Një shoqëri e hapur e nxit konkurrencën e energjive të tilla, por… brenda një kuadri ligjor të dhënë. “Të fortëve”, kur u hap udhë, nëpërkëmbin ligjin, korruptojnë shtetin, bëjnë dhe krime për t’u rritur në fuqi e në pasuri.Shtysën për t’iu referuar Ciceronit ma dhanë dy-tri ngjarje mediatike që po zënë vend prej ditësh në faqet e shtypit. Ka vite e vite që në shtyp përtypet dhe ripërtypet historia e gjeneralëve të ushtrisë, të cilët, siç ka thënë Hito Çako, një nga të pushkatuarit e kësaj kaste, shkuan si qeni në vresht: i shërbyen regjimit dhe u vranë po prej tij. Nuk është vetëm keqardhja dhe nostalgjia e ligjshme që ngjall eliminimi i besnikëve të regjimit nga shefi i regjimit për një vëmendje mediatike kaq të qëndrueshme prej vitesh. Ka edhe diçka tjetër. Një pjesë e mirë e klasës së re që ka ardhur në fuqi e në pasuri në këto vite vjen nga shtresa e ish-komunistëve të ndëshkuar po nga komunistët. Kjo “biografi” me gjeneralë e viktima rrit kredencialet e këtyre në të sotmen.Ngjarja e dytë lidhet me zbulimin e eshtrave të Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit. Kjo histori u përcoll prej shtypit si një lajm rutinë dhe shpejt u shua. Edhe se Presidenti i Republikës i nderoi ata me një titull të lartë nderi, veç kronikës, lajmi nuk prodhoi emocione të cilësuara.Ngjarja e tretë mediatike që vazhdon të jetë e ndezur ka të bëjë me qëndrimin e shkrimtarëve në raport me krimin e denoncimit dhe të spiunimit të kolegëve të tyre. Ndjeshmëria e publikut është e lartë përballë faktesh të tilla se figura publike e të nderuara papritur zbulohen dhe në një anë tjetër që nuk i nderon, madje i penalizon. Por, fajësimi dhe vetëfajësimi i shkrimtarëve (jo se nuk duhet bërë) e fsheh dhe e largon vëmendjen nga burimet reale të krimit të së shkuarës diktatoriale. Denoncimi i këtij krimi te rrënjët, shqyerja e kapakëve të arkivit të krimeve të tilla, ngjan se nuk i intereson askujt. Çfarë shoqërie po ndërtojmë? “Qui bono?”, do të thërriste Ciceroni.Historia e Tom Ndojës dhe e Sokol Sokolit është e denjë për një poemë heroike…, por shoqëria e sotme nuk i gëlltit dot ngjarje të tilla. Mbase se kështu është gatuar psikologjikisht. Mbase se në raportet e shoqërisë së sotme me fuqinë dhe pasurinë, historia e tyre nuk paraqet interes. Kapaku i krimeve të komunizmit quhet i mbyllur. (Për ish-gjeneralët puçistë mbetet i hapur). I dënoi ajo kohë. Koha vdiq. Dhe ata që vrau ajo vdiqën bashkë me të. Edhe viktimat që kanë mbetur gjallë duhet të heshtin. Dikur këta mbase qenë heronj, por koha e sotme nuk ka nevojë për heroizma. Sot “shëndet dhe pare”, se të tjerat i dimë vetë. Pra, po ndërtojmë shoqërinë e të fortëve e të kamurve… me çdo mjet, me çdo rrugë.Si argument shtesë në këtë vazhdë më vjen historia e F. Kokomanit dhe V. Lezhos. Edhe kjo një ngjarje mediatike e rimarrë këto ditë. Sipas dëshmisë në shtyp të Maks Velos, Fadil Kokomani, njeri me fuqi shpirtërore dhe fizike jo të zakonta, simuloi të sëmurin psikik dhe arriti t’ua hedhë edhe mjekëve të specializuar të kohës. U deklarua prej tyre zyrtarisht i çmendur. Sipas ligjit, ai menjëherë lirohej nga burgu, por me një kusht: dikush nga familja duhet ta merrte nën kujdestari. I vëllai dhe e motra, pjesëtarë të kastës së atyre gjeneralëve që u eliminuan më pas si puçistë, e refuzuan Fadilin, e lanë në burg. Pse? Se kur nuk të do shteti, s’të do as nëna e babai, as motra e vëllai. Kjo ishte normë për klasën e lartë të atyre viteve. Dhe prapë historia e gjeneralëve, të eliminuar nga shefi i tyre, sot ka më shumë fat në shtyp e në libra përkujtimorë, sesa historia e vëllait dhe e kunatit të tyre, Fadil Kokomanit, që u pushkatua në një gjyq të inskenuar. Inskenimi që mori në qafë të burgosurin nuk impresionon, por po ai inskenim që ndëshkoi njerëzit në pushtet mbetet mbresëlënës.Kur u braktis nga familja, F. Kokomani me V. Lezhon bënë një letër – dhe kjo e bërë publike për herë të parë këto ditë – por një letër që ishte baras me vetëvrasje. Dhe i pushkatuan.Tom Ndojës dhe Sokol Sokolit, pushkatuar më 1984-n, iu gjetën eshtrat, F. Kokomanit e Vangjelit, pushkatuar më 1979-n, nuk u gjendet varri. Pse? Pyetja me hamendje mund të na çojë te ai raporti me fuqinë e pasurinë në të sotmen. Nipi i F. Kokomanit, ministër Rendi pas ‘90-s, heshti ndaj kërkesave për gjetjen e eshtrave të dajës. Pse të interesohej? Atë që me gjallje e kishin mohuar prindërit gjeneralë, pse ta zhvarroste si histori e si realitet i nipi ministër? Fitonte (Qui bono?) a mund të humbte nga kjo? Dhe prapë ish-gjeneralët “puçistë”, viktima të diktaturës, gjeneralë që për diktaturën kishin viktimizuar me mijëra e mijëra njerëz, deri dhe vëllezërit e tyre, mbeten edhe sot yje në shtyp. (Çfarë shoqërie po ndërtojmë?) Si do ta ngrinin vëmendjen e shtypit historitë e Tom Ndojës, Sokol Sokolit, F. Kokomanit, V. Lezhos etj? Përgjigjja është e lehtë: bashkë me nderimin e viktimave të komunizmit, duhet të ndëshkonim, së paku moralisht, qoftë dhe duke ua përmendur emrat në shtyp, duke i cilësuar ashtu siç kanë qenë, kriminelë, gjithë ata dhunues, operativë, policë, hetues, gjyqtarë, xhelatët-pushkatarë të tyre etj. Në arkiva ata i kanë emrat. Në Europë, ku synojmë të përfshihemi, edhe sot e nxjerrin në gjyq Demjanukun, një reshter që kryente pushkatime në kampet naziste të përqendrimit.Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli u dënuan me pushkatim si terroristë në një gjyq të inskenuar, po ashtu si u dënuan dhe Fadili, Vangjeli e Xhelal Koprencka. Bashkë me ta u ridënuan dhe dhjetëra të tjerë, shokët e tyre të burgjeve. Gjyqe të inskenuara. Ishte inskenimi praktikë juridike e kohës? Jo, nuk ishte. Pra, ata i kanë dënuar duke thyer praktikat juridike të kohës. Atëherë ne pse vazhdojmë t’i quajmë terroristë këta të pushkatuar? Edhe ligji i Parlamentit të sotëm për dëmshpërblimin e ish-të persekutuarve nuk e ka shfuqizuar akuzën e terrorizmit. Këta të pushkatuar nuk dëmshpërblehen si të burgosurit e tjerë.Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli janë pushkatuar për dy fjalë: “Në besën tuaj, burra”. Me këtë thirrje ata u sulën dhe ua morën nga duart policëve shokun e tyre N. P. Atë po e rrihnin se nuk kishte bërë normën. Me Tomën dhe Sokolin kundër policëve të burgut u bashkuan edhe 15 të burgosur të tjerë. Pastaj, me tulla e gurë edhe njëqind, edhe dyqind dhe gjithë kampi i Qafë-Barit shpërtheu në revoltë. Pas katër orësh mbërrin me helikopter një zyrtar i Ministrisë së Brendshme. Ai kërkoi të dorëzohen Tom Ndoja, Sokol Sokoli dhe dhjetë të tjerë. Ndërkohë, kampi u sharrua nga mitralozat e ushtarëve që i kishin qarkuar nga të katër anët. Toma dhe Sokoli u dorëzuan që të mos e pësonin të tjerët. Gjashtëmbëdhjetë ditë hetuesi, gjyq, apelim, Gjykatë e Lartë, apelim në Presidiumin e Kuvendit Popullor – të gjitha këto në gjashtëmbëdhjetë ditë. Të shtatëmbëdhjetën i pushkatuan. Mjeku Sinemati i Ministrisë së Rendit, tani që hetoi skeletet e zhvarrosura, konstatoi: kafka e Tomës ka qenë e thyer, e copëtuar, brinjët e Sokolit të thyera para se t’i pushkatojnë. Sipas dokumenteve arkivore, një mjek, pasi i kanë pushkatuar, u ka marrë sytë të dyja kufomave, për t’ia çuar Ministrisë së Shëndetësisë.Tomën dhe Sokolin i kanë masakruar në tortura. Për të mos u vdekur në duar kanë shkelur të gjitha procedurat dhe i pushkatuan shtatëmbëdhjetë ditë pas arrestimit. Tortura në kampet e komunizmit, ndryshe nga tortura në kampet e nazistëve a kudo ku ushtrohet edhe sot, nuk bëhej/bëhet për të zbuluar një krim të dyshuar. Jo, komunistët të torturonin që ti të pohoje atë që nuk e kishe bërë, të pranoje akuzën e diktuar nga hetuesia e prokuroria.Në arkiva janë emrat e gjithë atyre që kanë hetuar, gjykuar, pushkatuar, dhunuar pas vdekjes Tomën dhe Sokolin. Po atyre sot nuk u hyn gjemb në këmbë. As emri nuk u përmendet.
L. Y., zyrtari i Ministrisë që shtypi me gjak revoltën e Qafë-Barit, është sot në SHBA. Martuar e ndarë katër herë. Një vajzë e tij në Tiranë punon si zyrtare me ndërkombëtarët.N. P., ai që lëshoi thirrjen “Në besën tuaj!” dhe futi në lojën vrasëse shokët e tij, Tomën dhe Sokolin, pas ‘90-s është përfolur se ka përdhunuar një murgeshë. Ka mbetur i vrarë në një “përplasje me armë për motive të dobëta”.Toma dhe Sokoli e kishin bërë normën, i zbatonin rregullat e burgut. Ata u pushkatuan për “besën” vetëm se shoku u kërkoi besë. Një thirrje e kohëve të shkuara. Mbase kjo thirrje nuk arrin dot në kohën tonë. Por ata mbajtën besë, dhanë edhe jetën si të tillë. Një heroizëm vetëshkatërrues. Prapë sot e përgjithmonë një gjest i admirueshëm.Në fund do t’i përgjigjem pyetjes: pse autorët e këtyre krimeve makabre nuk ndëshkohen? Dhe shpjegimin ma jep Ciceroni, të cilit iu referova në fillim. Qui Bono? Shoqëria shqiptare në këto vite prodhoi një klasë të re të fuqizuar në pushtet dhe pasuri. Një pjesë e kësaj klase të re, me hipoteka jo fort të pastra, nuk ka interes të zbulohen të palarat e paraardhësve të tyre. Kjo do t’i pengonte në raportet me fuqinë e pasurinë. Ndaj, sa më shumë vite të shkojnë, aq më thellë krimet e së shkuarës diktatoriale do të groposen.Ky mund të jetë një nga shpjegimet. Por mbase jo shteruesi. Edhe diçka tjetër. Me kalimin, me daljen nga historia të këtij brezit tonë, pasardhësit tanë nuk është e thënë të mos na fajësojnë që kemi heshtur para krimeve të diktaturës, që i kemi kyçur përfundimisht dosjet e tyre. Që nga gjyqi i Ciceronit e deri te penalizimi i sotëm i Demjanukut vërejmë atë vijë ndarëse të prerë të shoqërisë me krimin. Një normë e palëkundur e qytetërimit perëndimor.

Kryetari i ri i Bashkisë së Kryeqytetit përshëndet qytetarët me një mesazh ku shpreh vullnetin për punë dhe unitet.

Fituesi i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, përshëndeti të gjithë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm. Në një atmosferë festive, me qindra qytetarë e mbështetës së PD-së, të mbledhur para selisë blu kanë pritur me duartrokitje dhe brohërima, kreun e ri të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Zoti Basha iu drejtua të gjithë qytetarëve të Tiranës “Bashkëqytetarët e mi gëzimi i ligjshëm që na ka pushtuar në këto çaste, është një gëzim i hapur dhe një gëzim i merituar. Është një gëzim i ligjshëm, sepse kemi marrë një fitore të ligjshme, një fitore të ndershme dhe është një shprehje e vullnetit të qytetarëve të Tiranës”.
“Tirana besoi tek një fitore evropiane. Gëzimi ynë ka qenë pjesë e fushatës sonë, Tirana na bëri një thirrje për të nxjerrë nga udhëkryqi ku ishte futur, për ta vënë në jetë këtë sipërmarrje të madhe që Tirana jonë e dashur ka kohë që e meriton dhe ka kohë që e pret! ”, tha më tej Basha.
Duke ju referuar fushatës elektorale, Basha premtoi në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“ Vizituam dhe prekëm së bashku rrugë dhe lagje. këqyrëm çdo pllakë të kësaj shtëpie të madhe. Gjatë kësaj fushate kam dëgjuar shqetësimet tuaja. Si kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës do të filloj me pasion punën dhe do vazhdoj t’ju dëgjoj. Qytetarët do të kenë pushtetin në bashkinë e Tiranës”, ka deklaruar Basha, i cili ka bërë thirrje për bashkimin e të gjithë votuesve pavarësisht nëse votuan ose jo për të.
“Tirana kërkon angazhimin e mendjeve të epura dhe sipërmarrjeve të sprovuara. Falënderoj qytetarët, i falënderoj për durimin dhe qytetarinë me të cilin pritën përfundimin e procesit. I drejtohem edhe atyre që nuk me votuan se do të punoj për ta dhe interesat e tyre”, tha Basha duke vlerësuar edhe rolin e drejtësisë në procesin e gjatë zgjedhor të Tiranës.
Më tej kryebashkiaku Basha tha se në këtë rrugë nuk jemi vetëm, kemi shumë miq dhe shokë dhe aleatë të ndryshëm, që janë të angazhuar për të tashmë dhe të ardhmen e Tiranës. Tirana është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve. Tirana na frymëzoi të gjithëve. Tirana ka nevojë për vizion. Më pas ia ka falënderuar çdo qytetar të Tiranës dhe gjithë vendit.
“Sot dua të falënderoj qytetarët e Tiranës që gjetën kohë për të ndarë shqetësimet e tyre me mua. I falënderoj për kulturën dhe durim që pritën me qetësi vendimin e gjithë këtij procesi. Dua të falënderoj sot edhe një herë qytetarët për besimin që më dhanë.
Nuk është gëzim i parakohshëm, është gëzim për të cilin kemi pritur shumë.”, tha Basha.
Por një falënderim i posaçëm nga Basha është dhënë edhe për kryeministrin Berisha.
“Dua të falënderoj sot kryetarin e Partisë Demokratike, Kryeministrin Sali Berisha. Të gjithë drejtuesit e partisë demokratike dhe deputetët e saj. Falënderoj edhe koalicion në këtë përpjekje të përbashkët, nuk kishim patur miq më të mirë. Falënderoj po ashtu edhe komisionerët edhe vëzhguesit të “Aleancës për Qytetarin”por edhe ata të partive të tjera, të cilët bënë të mundur që këto zgjedhje të jenë lira dhe të ndershme. Po ashtu falënderoj drejtësinë shqiptare. Një falënderim edhe për stafin tim, që ka punuar me shumë përkushtim”, ka deklaruar Basha.
Nuk ka lënë mënjanë edhe familjen e tij, si pjesë e kontributit në fitoren e tij. “Dua të falënderoj Aurelën dhe Dafinën për mbështetjen gjatë gjithë kësaj fushate”, tha Basha .
Më pas ai u angazhua se do të punojë për qytetarët në krye të Bashkisë së Tiranës. “Unë do të angazhohem me mish dhe shpirt për të mbajtur premtimet e mia. Ndryshimi nuk vjen brenda natës, por ndryshimi po vjen. Pavarësisht se kemi votuar për mua apo jo, unë ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës të bashkohemi për të punuar për të ardhmen e Tiranës. Ejani bashkohuni me mua, bashkohuni për të qytetit më të mirë, dhe për të realizuar dëshirat tona në realitet. Ju jeni të parët, Tirana është e para dhe ardhmja jonë nis marzhin e saj”, e ka mbyllur fjalim Basha.

Lulzim Basha, kryetari i ri i Tiranës
Tashmë, u kry: Lulzim Basha është kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës. Kolegji Zgjedhor rreth orës 10:00 vendosi rrëzimin e kërkesës së Partisë Socialiste si pabazuar në ligj duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së i cili shpalli me 93 vota fitues kandidatin e djathtë Lulzim Basha si dhe për pavlefshmërinë e 284 qendrave të votimit në kryeqytet.
Në një vendim tepër të shkurtër nga ana e relatores së çështjes Sashenka Jonuzi është thënë që Kolegji ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste për pavlefshmërinë e zgjedhjeve duke argumentuar vendimin në nenin 135 duke pushuar çështjen dhe duke lënë kështu në fuqi vendimin e KQZ ku shpallet fitues Lulzim Basha me 93 vota në avantazh ndaj Edi Ramës.
Kolegji Zgjedhor është investuar dy herë në lidhje me garën elektorale për kryetar të Bashkisë Tiranë. Më 3 Qershor, Kolegji rrëzoi kërkesë-padinë e Partisë Socialiste, e cila kundërshtonte vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për numërim të votave të hedhura në kutitë jo përkatëse.
Më pas, më 13 Qershor Kolegji pranoi pjesërisht kërkesëpadinë e socialistëve, duke urdhëruar KQZ-në të kryente një hetim administrativ në 368 qendra votimi.
Kolegji Zgjedhor konsiderohet si organi suprem në përballjen mes palëve për një çështje që lidhet me zgjedhjet.
Në ligj sanksionohet fakti se, vendimi i Kolegjit është i formës së prerë dhe nuk mund të ankimohet.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...