Nga: Visar ZHITI
1.UDHETIM PER TEK VETJA: Ndoshta ka kohëra kur ndodh e kundërta, që Itaka shkon drejt Uliksit të vet. Ishulli mitik lëviz në kërkim të njeriut të veçantë, në fakt dita gjen poetin e saj dhe udhëtimi është i brendshëm.Mbase kështu duhet të ketë qenë gjithmonë, pa u kuptuar, që uliksët dhe Itakat kanë udhëtuar drejt njëri-tjetrit dhe anijet, dallgët, erërat, sirenat, shillat dhe karibdat, lindjet e diellit, vdekjet, harku, etj., etj., janë brenda teje si ndjenjat, idetë, frymëzimet, neorozat, ja, kështu po mendoja, teksa lexoja poezitë e bashkëkohësit polak, Jan Michal Stuchly, të përkthyera në gjuhën time prej poetit Mazllum Saneja, nga Kosova, një lloj itake dhe kjo, udhëtimi drejt së cilës ishte udhëtim drejt vetes. Sytë e tu të shqyer/ vështrojnë pa fund/ pa shpresë/deri në asgjëkund/ thuajse flasin/ më shumë se mijëra fjalë (…) Vargje hutuese, nuk janë vetëm për kosovarët e ikur gjatë atij eksodi biblik, janë vargje-sy, që shohin, në fillim atë që po i lexon, pastaj e tejshkojnë atë, shohin botën. Poezia e Stuchly-t mbart udhëtime të ndryshme, ku herë-herë shkohet afër, te tjetri, te mjedisi përreth, populli tjetër, te një dhembje, tek retë a vdekja dhe herë-herë shkohet larg dhe përtej, te një ëndërr, në zemër, tek vetja… Është një ravgim mbi ujanën pafund të jetës nën dallgët qiellore plot me shpirtra, udhëtimi i mundimshëm tej e tej vetvetes. Me një mision hyjnor. Dhe më vjen të pyes se a ka patur njerëz-uliksë pa Itakë? Gjithsesi më e dhembshur do të ishte Itaka pa Uliks, trualli i shpirtit që nuk pret njeriun e vet.
2. TE RIBESH BOTE: Do të thosha se dhe poezia e Jan Michel Stuchly-t ribën botë, me ato elemente që janë, pa shtuar dhe pa hequr asgjë, duke i vlerësuar të gjitha, por duke i renditur ndryshe. Heliocentrizmi fizik sikur kërkon poezicentrizmin human, me njeriun që kërkon të vetëkrijohet, kur çasti i tij përsëritet si një përjetësi e vogël dhe përjetësia si një çast i madh, stinët janë mosha e tokës, se njerëzimi s’ka moshë, ndërsa bëmat shndërrohet në piktura, p.sh., ecja në muzikë, të ndrydhura dhe nëpër fjalë. Ribërja e botës është ribërja e njeriut, në fakt e vetvetes. Se duke gjetur veten, ke zbuluar dhe tjetrin, pra, botën, duke njohur tjetrin, ke kuptuar dhe veten, pra botën. Kjo është ndihma e parë, sipas meje, që na japin poezitë e Jan Stuchly-t, pas emocionit të beftë që na shkaktojnë.Më duket si i gjithkundshëm në botën tonë, i pa kohë, i lashtë dhe universal, i përditshëm, madje fare i sotshëm, i çastit kur sapo nis dita e re dhe kapton fare pak në të nesërmen, aq do, jo më shumë, nga që ka druajtjen e njeriut urtak, që jeton me të tanishmen, e cila s’është vetëm kohë, por edhe botë. Është mbushur me trishtime nga shkaku i gëzimeve, pesimist aq sa optimizmi të jetë i vërtetë, i Zotit që të ndjehet më njeri, që njeriu të bëhet më zot… prandaj dhe vetë Itaka lëviz, shkon drejt Homerit të saj. (…)sa e afërt/ më është/ jeta e çdonjërit/ si jeta ime (…) Një sinqeritet i rrallë, goditës si epitafet. Bota e jetës tënde kështu paska patur dhe një botë tjetër pranë, që, pa e ditur si, kur dhe nga ku, ka kërkuar të të japë dritë, duke marrë dritë prej teje. Po edhe muzgje, heshtje dhe harrim. Dhe poezia na kujton që edhe duhet të harrojmë, por bota, në fund të fundit, është ajo që kujtojmë.
3. MARREVESHJA ME VDEKJEN:Si çdo poet i vërtetë, Jan Michal Stuchly bën takime dhe biseda të mënçura me vdekjen, të cilat janë ndërprerje e së përkohshmes për të vazhduar të përhershmen.Njeriu në imazhet e tij ngjan me klepsidrën, që zbraz rërën e kotësisë dhe mbushet… po me atë rërë. Kështu duket, por jo, është koha me të cilën mbushemi, ajo asgjë që bën gjithçkanë dhe ne jemi të lirë, madje dhe të zotë, të bëjmë atë që na takon, edhe të pamundurën. Jeta shkon përpara nga të pamundurat, që shtyjnë dhe vdekjen, duke i dhënë trajtën e pavdekësisë.A thua/ që nga çasti i lindjes/ shkojmë në kortezhin funeral/të varrimit tonë?
Është pyetje përtej-hamletiane, që e ka kundërshtimin përbrenda fjalëve të saj. Funeralet, sipas disa mendësive, janë dhe lindje, udhëtim për në të përtejmen, ku çon diçka në përjetësi, që t’i hapësh vend jetës së tjetër gjëje, më të re. (…)dikush dikur më pati thënë/ atëbotë kur nëna vdes/ bota merr fund(…) Ja çelësi i dhembshur i vdekjes dhe i kundërvdekjes: nëna. Pjelloria e jetës, e dashurisë për jetën, e kuptim të saj, e bukurisë së saj. Metaforikisht kjo nuk di të vdesë. Është gruaja e përjetshme, që herë është nënë, motër, e dashur, bashkëshorte, frymëzim, nxitje, përcjellje, pritje… Poeti Stuchly si grua dhe Itakë ka shpirtin njerëzor, duket, drejt të cilave shkon, por dhe gruaja dhe Itaka shkojnë në drejtim të tij, të mbështjellë me ca mjegull mbase, të pikëzuara me yje a me plagë, s’kuptohet ç’janë, se aq njëlloj ndrisin shpesh. Në mesin e këtij udhëtimi, aty ku takohen, është poezia.