Nga Prof.dr.Begzad Baliu
Rezyme: Portreti
i Josif Bagerit, brenda dy rilindjeje kombëtare (shqiptare dhe
maqedonase, në njërën anë) dhe dy rilindjeve shqiptare (në fillim të
shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI), si dhe veprimtaria e tij
politike, atdhetare, shoqërore, letrare, në Sofje dhe hapësirën
shqiptare, janë llozi i kërkimit dhe sintezës
sime në këtë kumtesë. Brenda portretit të tij dua të identifikoj vlerat
etnike dhe etnografike të fshatit dhe krahinës së tij, reflektimit të
personalitetit dhe krijimtarisë letrare të Naim
Frashërit në jetën dhe krijimtarinë e tij, konceptet politike dhe
iluministe të tij për gjuhën shqipe, shkollën, dijen, hapësirën
shqiptare duke përfshirë këtu edhe Kosovën etj.
Fjalët nyje: Josif Bageri, Rilindja Shqiptare, Rilindja Maqedonase, shkolla shqipe, gjuha shqipe.
Parantezë
Në
historinë e popullit shqiptar janë disa periudha, personalitete dhe
breza të cilat në një mënyrë apo një tjetër e përsërisin njëra –
tjetrën, nga njëri qindvjeçarë në tjetrin, nga njëri fenomen në tjetrin
apo edhe nga njëra dukuri në tjetrën, por zor të gjesh një rast të
ngjashëm me fatin e Josif Bagerit, të ndryshëm mbase me fatin edhe të
brezit të tij që në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare përpiqeshin të
sendërtonin ëndrrat e tyre e të brezit të tyre mbi konceptet e
patriotëve pararendës të Rilindjes Kombëtare.
Me
jetën dhe veprën e Josif Bagerit dëshiroj që këtu të merrem duke e parë
atë në kontekst të zhvillimeve historike të hapësirës kombëtare,
ballkanike dhe ndërkombëtare në fillim të shekullit XX. Josif Bageri e
fillon veprimtarinë e tij patriotike në kulm të zhvillimit të mendimit
politik, ushtarak dhe kulturor e identitar të popullit shqiptar, në kulm
të rilindjes maqedonase, por njëkohësisht edhe në periudhën kur
Perandoria Osmane tashmë kishte filluar të rrënohej ekonomikisht dhe
ushtarakisht, e kjo do të thotë në kohën kur disa nga popujt e saj
kishin fituar autonominë e tyre, shqiptarët po përpiqeshin ta fitonin
atë, ndërsa popuj të tjerë madje qytete orientuese të lëvizjes
kombëtare, ekonomike,
kulturore dhe ushtarake të tyre nuk i konsideronin më Stambollin,
Kajron, Selanikun, Sofjen, Bukureshtin, e ndonjë qytet tjetër të
Lindjes, por qytetet e Europës Qendrore dhe Perëndimore: Budapestin,
Vjenën, Parisin, Romën, Londrën etj.
Është
e kuptueshme prandaj, pse ky brez i postrilindasve shqiptarë, ndonëse
konceptualisht e kishin formuluar orientimin e popullit shqiptar,
politikisht dhe ekonomikisht, për shkak të zhvillimeve shumë të
ngadalshme dhe shumë të ulëta, nuk arrinin të dilnin nga gëzhoja e
lëvizjeve ballkanike të kohës, ndërsa qytetet ku vazhdojnë të
organizojnë dhe zhvillojnë mendimin kulturor, politik dhe sidomos
ekonomik vazhdojnë të mbeten qytetet e emigracionit politik dhe ekonomik
shqiptar, nëse jo Stambolli dhe Kajro, së pakut Sofja dhe Bukureshti.
Josif Bageri dhe Rilindja e dyzuar
Në
jetën e vogël personale, politike e identitare të Josif Bagerit e të
vendlindjes së tij shfaqen dy premisa, që janë rezultat i përfundimit të
një perandorie të vjetër dhe mbivendosjes së një Perandorie të re, po
kaq e huaj për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë materiale e shpirtërore
të popullit shqiptar e të kulturës së tij, që më së miri mbase shfaqen
në letrën e të birit të tij Kristos ‘se do të luftoj për Maqedoninë’ dhe
mesazhit për të, ‘që të vazhdojë luftën për Shqipërinë’. Mesazhi i të
birit në të vërtetë shprehë jo vetëm mesazhin personal të familjes së
tij, por pa dyshim edhe gjendjen shpirtërore, kombëtare dhe identitare
të popullit shqiptar, që paraqitet nga lufta
për natyrën e alfabetit (arab, latin apo grek) deri te lufta për
fytyrën e Shqipërisë (perandorake - nuk dua te them këtu islamike;
europiane, - e cila nuk nënkupton njëkohësisht edhe të krishterë; apo
ballkanike, - (pa forme dhe pa identitet). Përtej të parës dhe të dytës,
letra e të birit shprehë prirjet politike dhe identitare të një pjese
të popullit shqiptar në Maqedoni, ndërmjet Rilindjes Kombëtare Shqiptare
dhe Rilindjes Kombëtare Maqedonase, pas kryengritjes së Ilindenit
(1902) dhe kryengritjeve shqiptare ne prag te Shpalljes së Pavarësisë së
Shqipërisë.
Kështu,
mes ndarjesh përfundimtare të feudalëve të vjetër që po shuheshin
bashkë me shuarjen e Perandorisë Osmane, e të një klase të vogël
borgjezësh, kryesisht zejtarësh, që nuk po mëkëmbeshin dot brenda zonave
autonome të ish-Perandorisë Osmane, kryesisht në Bukuresht dhe Sofje,
një ndarje po kaq të vendosur përjeton edhe klasa politike dhe
intelektuale shqiptare e formësuar brenda qarqeve arsimore, shkencore e
politike perandorake, një pjesë e të cilës vazhdonte traditën e Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare me prirje thellësisht europiane, përkatësisht
franceze e austro-gjermane dhe italiane; një pjesë tjetër nën ndikimin e
strukturave politike të qarqeve osmane vazhdonte të mos shihte përtej
koncepteve dhe
nostalgjisë tashmë të stërvjetruar shtetërore; dhe në fund një
strukture e mesme, e cila vepronte poshtë strukturave shtetërore, pa
mundur as të bëhet pjesë e mekanizmave shtetërorë, as pjesë e lëvizjeve
të mëdha borgjeze paneuropiane për qëllimet e mëdha të atdheut.
Në
këtë rrjedhë formësohet intelektualisht dhe vepron edhe Josif Bageri.
Ai nuk shkollohet në linjën tradicionale të inteligjencës shqiptare:
Janinë, Stamboll, Kajro, as brenda strukturave shtetërore dhe arsimore
të Perandorisë, në Stamboll. Josif Bageri është brezi i parë i
intelektualëve dhe kryengritësve shqiptarë të shkolluar brenda një shkolle
të vetorganizuar dhe me librat e brezit të parë të rilindësve
shqiptarë: Naim Frashërit, Sami Frashërit, Konstantin Kristoforidhit,
Thimi Mitkos, Jani Vretos, Pashko Vasës etj. Sigurisht kjo është arsyeja
pse ky brez postrilindasish dhe
shpallës të Pavarësisë së Shqipërisë u bë njëkohësisht standardizues i
alfabetit të shqipes, bartës i kryengritjeve që u përmbyllën me
shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, bartës i
përhapjes së shkollës shqipe në gjithë hapësirën shqiptare nga ato
elementare deri te Normalja e Elbasanit, përkrahës dhe bartës të
krijimit të aparatit të shtetit shqiptar, dhe në fund, shumë prej tyre
të zhgënjyerit e Europës.
Josif
Bageri është njëri nga ata pak patriotë të brezit të tij, që bëri shumë
përpjekje arsimore, kulturore dhe politike, i mbështetur në idealet
romantike të Naim Frashërit dhe në përvojën pragmatike të Abdyl
Frashërit. Gjithë këtë ai e bëri madje duke punuar jo vetëm në një
qendër apo në një vilajet, sikur vepruan shumë të tjerë, po duke
udhëtuar edhe në Kosovë, për t’i bërë realitet kërkesat e kohës për
shkollën shqipe.
Në
të vërtetë fjala është konceptet dhe shenjat naimiane, që veç tjerash
përfshijnë konceptin për dijen si koncept për atësinë dhe Shqipërinë,
përmasën e ndërtimit gjeografik, material dhe shpirtëror të tërësisë së
atdheut në krijimtarinë e tij etj. Në poezinë e Naim Frashërit kemi
Shqipërinë rurale dhe qytetare, bregdetare dhe kontinentale, ndërsa në
poezinë e Josif Bagerit shfaqet gjithë hapësira e vendlindjes së tij:
Nistrova, hapësira etnografike e krahinës së tij: Reka, portreti i
qyteteve historike të kësaj ane: Dibra e Manastiri. Po kështu mund të
thuhet edhe për portretin vetjak të tij: te Naim Frashëri shfaqet
sigurisht më fuqishëm te “Fjalët e qiririt”, ndërsa te Josof Bageri në
mënyrë narrative të poezia Prej vetiu kënk mbaronjës![1]. Natyrisht, krahasime të tilla mund të bëjmë edhe më tej.
Sigurisht
kjo është arsyeja pse me këtë brez shfaqet edhe koncepti politik i
frymës së shoqërisë socialiste që bashkohej me gjasë nga ndikimi sa i
iluministëve francezë në fund të Perandorisë Osmane po aq edhe i frymës
së revolucionit bolshevik rus, që do të triumfoj në dekadën e dytë të
shekullit XX, por i cili që më parë reflektonte edhe në zonën
ballkanike, në prag të përshtrirjes së ideologjisë së saj përmes
sllavëve të jugut.
Më
parë se sa rilindësit shqiptarë, të cilët ishin formuar me koncepte të
tjera arsimore dhe shkencore të kohës, kryesisht në mesin e shekullit
XIX, kësaj fryme i nënshtrohej më lehtë brezi i shkolluar dhe i formuar
në përmasa modeste, në disa nga qendrat ballkanike, që më parë se sa ta
plotësonte me koncepte moderne evropiane të shekullit XX, falë
idealizmit të tyre, përpiqej ta imitonte Rilindjen e Kombëtare,
natyrisht brenda zhvillimeve ekonomike dhe politike të kohës.
Josif
Bageri është njëri prej shembujve shembullor të kohës. Ai bëhet bartësi
më i mirë i këtyre veçorive dhe karakteristikave ballkanike të kësaj
epoke duke filluar me mënyrën se si e bëri kult të vetin bardin e
Rilindjes Kombëtare Shqiptare Naim Frashërin, duke e fiksuar si
referencë të zgjimit kombëtar, me udhëtimin e tij në Stamboll; për të
vazhduar me largimin e tij nga shoqata politike dhe kulturore e shoqëria
“Dëshira”, në shenj të refuzimit të tij për identifikimin e saj me
etiketën fetare ortodokse; me akuzën e bashkëkohësve të tij për
përhapjen e protestantizmit si ideologji fetare dhe ideve socialiste, si
koncepte të reja për shoqërinë e varfër shqiptare dhe përgjithësisht
shoqërinë
ballkanike; me mënyrën se si punoi për lirinë e
Shqipërisë dhe konceptet e tij të mbjella te i biri për lirinë e
popullit maqedonas dhe sidomos me përmasën e identifikimit të popullit
shqiptar, gegë e toskë:
“Me kta trima ç’ka Gegnia!
Gjithkund edhe në Kosov...
I ka besa dhe Tosknia”[2], dhe, se
si e shihte tërësinë e hapësirës shqiptare: “gjithkund edhe në Kosovë”[3].
Josif Bageri dhe Rilindja e dytë e tij
Le
t’i kthehemi edhe njëherë sintagmës së dyzuar të dy rilindjeve të Josif
Bagerit në fillim të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI. Jusuf
Bageri sot mund të identifikohet katërcipërisht si referencë e dy
rilindjeve shqiptare në Maqedoni, në fillim të shekullit XX dhe XXI,
ndërsa do të doja të kuptohej këtu edhe si referencë e dy rilindjeve
maqedonase të fillimit të shekullit XX dhe XXI.
Fati
i tij jetësor, që është njëkohësisht edhe fati i popullit të tij, në
fillim të shekullit XX, përkujton fundin e shumë familjeve myslimane,
ortodokse dhe katolike shqiptare, që po shuheshin kombtarisht (në
Maqedoni, Greqi, Turqi, Rumani dhe Mal të Zi e Kroaci) bashkë me
shuarjen e Perandorisë Osmane dhe mbivendosjen e perandorisë së sllavëve
të jugut. Kjo është periudha që shënon njëkohësisht edhe mbivendosjen e
koncepteve serbe mbi etninë maqedonase. Sot, 100 vjet pas, përkujtimi i
tij në shenjë të zgjimit nacional të shqiptarëve të krahinës
etnografike të Rekës[4],
po kaq sa edhe të përlindjen e identitetit maqedonas të kësaj kohe në
përgjithësi, shënon një ngjarje të rëndësishme jo vetëm kulturore e
letrare po edhe identitare, për të dy popujt, për të cilët Josif Bageri
punoi, luftoi dhe flijoi veten dhe pasardhësin e tij.
Në vend të mesazhit
Në
fund të jetës së tij, Josif Bageri, në fshatin e tij të lindjes ka lënë
një shkollë shqipe, varrin e të birit në Manastir dhe identitetin
shqiptar të përulur nga forca e besimit ortodoks, forca e trysnisë
shtetërore të perandorisë së sllavëve të jugut, si dhe gjendja po kaq e
rëndë social-ekonomike. Sot, 100 vjet pas, vendlindja dhe populli i tij
përjeton një lëvizje të fuqishme në drejtim të përlindjes kulturore,
gjuhësore, politike, e kjo do të thotë të sforcimit të identitetit
kombëtar dhe në kontekst të zhvillimeve politike dhe shtetërore të
Maqedonisë e të popullit maqedonas. A do të mund ta qojmë porosinë e
Josif Bagerit, një pinjolli tipik të porosive të Naim Frashërit për
vendlindjen
dhe atdheun e tij, për gjuhën dhe shkollën kombëtare, për të drejtën e
secilit komb të Ballkanit që të ndërtoj identitetin e tij në paqe, dhe
për realizimin e atyre idealeve të tij që si komb të qëndrojmë me fytyrë
‘andej nga dielli perëndon’?
Unë
besoj fortë në këtë, sepse ashtu si edhe Josof Bageri 100 vjet më parë,
edhe unë 100 vjet pas, jam idealist i formuar dhe i edukuar në frymën e
Naim Frashërit. Ndryshe, Rilindja e tij e dytë, që në të vërtetë është
Rilindja e ambientit ku lindi dhe u formua Ai, do të ishte më e zbehtë
se sa zhgënjimet e tij, jo vetëm ndaj bashkëkohësve po edhe ndaj
Europës.
[1] Kopësht malësori (Msime të shqyptarueta dhe vjersha), prej Josif Jovan Bagerit, Sofje, 1910, f. 48.
[2] Shih, poezitë: Reka, Reka e Dibrës dhe rranjësit e saj etj, Po aty, f. 68 - 69.
[3] Shkup, më 25. 10. 1908.
[4] Po aty, f. 68.