2011-07-09

LETËRSIA NË TEKSTET MËSIMORE

Shkruan Adem Demaçi Në historinë e jetës kulturore shqiptare, në përpjekjet për kuptimin dhe zotërimin e dikotomive ekzistenciale, morale, shoqërore e historike, letërsia do të bëhet mediatori më besnik nëpërmjet të cilit kombi shqiptar do ta shprehë synimin e të qenit të tij subjekt krijues në histori. Jeta letrare e një kombi – si pjesë përbërëse e identitetit kulturor, moral, intelektual e shpirtëror dhe si pjesë përbërëse e zhvillimit të gjithmbarshëm të tij – në faza të ndryshme, përpos që do të përcaktohet prej komponentit të prodhimit të vlerave letrare, ajo do të përcaktohet edhe prej mënyrës dhe cilësisë së shpërndarjes së tyre. Ndër mediet e rëndësishme për shpërndarjen e vlerave letrare, e kjo domethënë ndër mediumet për ngritjen dhe avancimin e kulturës letrare në mënyrë sistematike brenda një kombi, përbëjnë tekstet mësimore në shkollat fillore, të mesme dhe në fakultete. Përmbajtja e teksteve mësimore të shkollave fillore, të mesme dhe të fakulteteve është treguesi nëpërmjet të cilit mund të maten drejtimet, qëllimet, kriteret si dhe vetë vlerat diturore, artistike e morale që një komb apo që një shtet i vë vetes për ngritjen e mirëqenies intelektuale e morale të anëtarëve të vet. Dhe, jo vetëm kaq. Për shkak se tekstet mësimore synim të tyre duhet ta kenë njeriun e përmbushjes së synimeve të shoqërisë në të sotmen dhe të ardhmen e saj, mund të thuhet se përmbajtjet e teksteve mësimore ashtu bëhen treguesit e shkallës së përgjegjshmërisë së asaj shoqërie për të sotmen dhe të ardhmen e vet. Ligji dhe arsimi përbëjnë dy entitete me funksione reciprokisht përplotësuese, nëpërmjet të cilave shtetet dhe qeveritë marrin pjesë në formimin dhe krijimin e mirëqenies intelektuale dhe morale për anëtarët e vet. Mungesa e vetëdijes kombëtare në aspektin e drejtimit të veprimtarive tona në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore e arsimore; brishtësia e institucioneve shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë; keqpërdorimi i demokracisë dhe vënia e institucioneve shtetërore në shërbim të interesave të grupeve dhe klaneve partiake, krahinore e fetare jo pak, sidomos pas vitit 2000, do ta përcaktojnë shkallën e rrëgjimit të përmbajtjes së teksteve mësimore të lëndës së letërsisë për shkollat fillore, të mesme dhe fakultete. Mungesa e organizimit në mënyrë të njësishme të institucioneve që e formojnë dhe e drejtojnë jetën arsimore e kulturore shqiptare, dhe shfrytëzimi e keqpërdorimi – prej grupeve të ngushta të interesit – i hapësirave të aparateve të brishta shtetërore në shoqëritë tona me demokraci në ndërtim, në tekstet mësimore të lëndës së letërsisë është manifestuar me shumë deformime të natyrës materiale dhe konceptuale, si: - me mungesën e parimit bazik teorik e metodologjik që letërsia shqipe të trajtohet në mënyrë të njësishme e të pandarë në bazë të kriterit të gjuhës kombëtare, e jo të kriterit të territorit dhe të njësive administrative-politike në të cilat ajo është krijuar; - me mungesën e një qëndrimi të përbashkët për emërtimin e letërsisë shqipe si “letërsi shqipe”, e jo si “letërsi shqiptare”; - me mungesën e periodizimit të drejtë e objektiv të letërsisë shqipe, i cili do të eliminonte çfarëdo mundësie që një autor – siç është rasti me Mjedën – në një tekst mësimor të mësohet si poet romantik (shih. R. Petro, A. Leta, I. Metani, Gjuha shqipe dhe Letërsia 2, “Albas”, Tiranë-Tetovë, 2003), ndërsa në një tekst tjetër si poet modern (shih. Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe, “Albas”, Tiranë-Tetovë, 2007); - me mungesën e një qëndrimi të përbashkët për një sistem unik vlerash letrare, të përdorshme në gjithë hapësirën arsimore e kulturore shqiptare dhe praninë e theksuar të trajtimeve fyese e përçmuese që iu bëhen disa autorëve tanë të traditës (siç është rasti me Asdrenin) dhe të bashkëkohësisë (siç është rasti me Esad Mekulin) duke i mënjanuar ata krejtësisht prej teksteve mësimore në rastin e parë, apo duke e minimizuar rolin e tërë një periudhe letrare, siç veprohet me letërsinë romantike dhe me autorët e saj duke ia kundërvënë asaj letërsinë e vjetër dhe autorët e kësaj letërsie, në rastin e dytë; - me mungesën e idealit për formimin e vetëdijes moderne kulturore letrare të brezave të rinj, të cilët letërsinë do të duhej ta perceptonin, interpretonin dhe vlerësonin në bazë të kriterit të vlerave estetike, e jo në bazë të paragjykimeve politike, fetare, partiake, krahinore (siç ndodh me tekstin e Kujtim Rrahmanit “Letërsia bashkëkohore 13”, “Albas”, Tiranë-Tetovë, 2007), paragjykime këto të cilat jo pak i kontribuojnë formimit, rrënjosjes dhe përhapjes së shovinizmit kulturor brenda¬shqiptar; - me mungesën e pranisë së letërsisë popullore; - me mungesën e përfshirjes së shkencës së letërsisë shqipe, si pjesë përbërëse e teksteve mësimore dhe si aspekt i rëndësishëm në formimin e kulturës së përgjithshme letrare; - me mungesën e kulturës gjuhësore dhe të vetëdijes për rëndësinë e përdorimit të nocioneve dhe të togfjalëshave terminologjikë letrarë në punë të përvetësimit të materies letrare brenda njësive mësimore. Mungesa e idealit për iluminimin e brezave me informacione, ndjeshmëri dhe përmbajte diturore moderne, tekstet mësimore të lëndës së letërsisë të botuara në fillimvitet ’90 të shek. XX dhe sidomos pas vitit 2000, të shumtën e rasteve – si në rrafshin e metodologjisë së hartimit të tyre, si në rrafshin e përzgjedhjes së lëndës letrare, si në rrafshin e interpretimit të veprave letrare; si në rrafshin e fakteve dhe të dhënave për jetën dhe veprën e autorëve të veçantë, ashtu edhe në rrafshin e lektyrave të përzgjedhura – dëshmon se hartuesit e tyre jo gjithnjë janë udhëhequr prej kriterit të vlerave artistike, ashtu sikur se jo gjithherë ata janë udhëhequr prej kriterit të nivelit të grup-moshës së cilës i dedikohen këto tekste. Kështu, bie fjala, Sabri Hamiti, punimet studimore të botuara në vitet ‘80 për një audiencë më të specializuar lexuesish – duke mos përfillur asnjë kriter pedagogjik (as kriterin e aftësive psiko-fizike të nxënësve), me ndryshime formale (shkurtimin e teksteve në mënyrë mekanike pa përfillur asnjë kriter didaktik!?) – do t’i inkor¬porojë si materiale mësimore në tekstin shkollor “Letërsia moderne shqipe” të hartuar prej tij në vitin 2007 (shih, p. sh., punimin “Ndre Mjeda poet” në librin “Arti i leximit” – “Rilindja”, Prishtinë, 1983, fq. 191-221; dhe “Ndre Mjedja (1866-1937)” në “Letërsia moderne shqipe”, “Albas”, Tetovë-Tiranë, 2007, fq. 26-46). Prej qëllimeve pedagogjike, prej metodologjisë pedagogjike si dhe prej koncepteve teoriko-letrare të hartuesve të teksteve mësimore del se prej tre faktorëve të mësimnxënies: tekstit, arsimtarit dhe nxënësit, më i rëndësishmi për ta ka qenë faktori tekst Pse? Sepse tekstet mësimore këtyre autorëve u kanë shërbyer si caqe për monopolizimin dhe monolita¬rizimin e të vërtetave për fenomene, procese, rrjedha, struktura dhe vlera letrare; u kanë shërbyer si mediume për afirmimin e koncep¬teve të tyre subjektiviste letrare, për afirmimin e shijeve dhe të vërtetave subjektiviste që ata kanë për autorë dhe vepra letrare. LSHK-ja e shqetësuar për përmbajtjet dhe qëllimet antipedagogjike, antiarsimore si dhe antikulturore që përmbajnë plan-programet dhe tekstet mësimore të lëndës së letërsisë, si dhe duke qenë e ndërgjegjshme dhe e shqetësuar për ndikimin negativ që këto përmbajtjeje ushtrojnë në vetëdijen dhe formimin emocional, intelektual, moral, shoqëror dhe kombëtar të të rinjve tanë – propozon që, nën patronazhin e MASHT-së të Kosovës dhe të ministrisë përkatëse të Shqipërisë, të organizohet një këshillim i përbashkët publik për plan-programet e letërsisë shqipe në shkollat fillore dhe të mesme, të cilin do ta organizonin institucionet shkencore, si Instituti Albanologjik i Prishtinë dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Tiranës, me mundësi që në këtë këshillim të përfshiheshin edhe asociacione të tjera, pedagogë, shkrimtarë, kritikë, historianë të letërsisë të dëshmuar nga e gjithë hapësira kulture e arsimore shqiptare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...