Është thënë jo njëherë dhe gjithsesi me të drejtë se “ vargun e pjell revolta”, por me siguri do të konsiderohet e drejtë edhe nëse themi se “revolta pjell vargun më të mirë”.Të mira, emocionuese, jokonvencionale, të gdhendura deri në infinit në krahasim me vendin, kohën dhe hapësirën ku janë krijuar janë vargjet e poetit Nait Hasani.
Njeriu ynë, Nait Hasanin në radhë të parë e njeh si atdhetar të flaktë, ish të burgosur politik, qëndrimi stoik i të cilit u bë frymëzim për ata që, thundrën e huaj nuk e duruan dot, por mendoj se Naiti njihet jo pak edhe si poet.Më kanë rënë jo njëherë në duar poezitë që krijoi Naiti në burgjet serbe, të botuar në librin poetik me titull;”Ende jam gjallë”, Rilindja 2001.Është kjo një metaforë e bukur që thyen muret e qelisë e vjen te lexuesi me porosinë që ngërthen në vete sintagma “Ende jam gjallë”, porosi kjo që aludon në forcën, fitoren, lirinë. Kjo sintagmë nuk është klithmë, përkundrazi është kushtrim i cili personifikon ditën e lirisë, gjë të cilën poeti do ta shijoj vetëm kur atëherë kur pushtuesi shovinist serb kupton se liria nuk burgoset.Naiti ishte i lirë edhe në burg! Ngase në mendjen, shpirtin e tij ishte ngulitur thellë kjo ndjenjë.
Poezia e Nait Hasanit është krijuar në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, brenda qelive të burgut në vetminë e mërzitshme që sjell burgu, por ky krijues sikur i kalon me sukses të gjitha ndalesat që ndrydh në vete, ndjenja që fitohet brenda katër mureve të qelisë.Poezinë e këtij krijuesi e përshkon, ndjenja e hollë sensibiliteti, patosi, vargu i tij gdhendur e me shije komunikon lirshëm e drejtpërdrejt me lexuesin.Bota poetike e Nait Hasanit është e mbrujtur me shprehje gjuhësore e figura stilistike si metafora, alegoria, aliteracioni etj. Figurë më e shpeshtë në poezitë e tij është metafora:
Mund të isha
Gjonzaver, Donkishot a Dozhuan
……..
Jam aty ku…
Ende jam gjallë.
Mund të isha çkamos,
Po kjo s’është
Ëndrra ime e fundit!
Ajo çka e bën tepër të veçantë artin poetik të këtij krijuesi është se ai nuk e njeh figurën e ironisë, edhe pse ishte viktimë e drejtpërdrejt e njerëzve, veprimet ç’njerëzore të të cilëve do të viheshin në pah më së miri përmes kësaj figure.Në momentet më të vështira të jetës së tij në kazamatet serbe, Naiti krijon poezinë, ku i këndon dashurisë së çiltër, të cilën e kishte lënë përtej mureve të qelisë, mure këto që kishin ngritur demonët e mijëvjeçarit të shkuar, të cilëve u pengonte liria e njerëzve, të cilët lirinë personale, ishin gjithnjë të gatshëm ta flijonin për lirinë universale.Ndjenja e atdhedashurisë me të cilën është mbrujtur shpirti i këtij poeti, kalon çdo ndjenjë tjetër, e rëndësishme për poetin është që “Kosova të dilte nga burgu”, ngase në perceptimin e tij burgu ishte sinonim i Kosovës;
Gjaku shpërthente lahej toka amë
Në burg, nga burgu dilte Kosova.
Dashuria për nënën, babain, të dashurën, mikun, njeriun në përgjithësi përshkon pjesën më të madhe të krijimeve të këtij poeti…
Dhe larg
afër më je
Të prek s’prekesh
Lehtë më flet
Më përgëzon
Gëzuar!
Në ndërrimin e moteve, në natën më të lumtur të vitit, poeti i uron festën nënës, njeriut të shenjtë, e cila është njëkohësisht larg dhe afër, të largët e bënte ndarja fizike, të afërt e bënte dashuria që ishte mbjell në shpirtin e djaloshit, të vetëdijshëm se për nënën edhe një Gëzuar…! Nuk është pak në netët e acarta në dimrin e saj, dimër ky të cilin ia kishte rënduar edhe më shumë fati i birit të saj.E njëjtë është edhe dashuria për babain njeriun më të shtrenjtë në botë, të cilin e pret të të kthehet qoftë edhe atëherë kur nuk ekziston si fizikus:
A mos je vallë, atje ku rrinë perënditë
Të pres babi-
KTHEHU!
E dashura në poezinë e këtij poeti (po edhe realisht në jetë) personifikon vajzën e cila pret të dashurin t’i kthehet aty ku dikur i kishin dhënë besën njëri-tjetrit, ajo faktikisht të kujton Ymer Agën të cilin gruaja e pret me vite por gjithmonë e vetëdijshme se një ditë do të ngroh dielli edhe për të:
Atë buzëmbrëmje
Kur (ne) dhamë fjalën
Ti- dhe ngrohtësi zemre
Unë- zemrën ta ndeza flakë.
Poezia e Nait Hasanit, para së gjithash zgjon kureshtjen e lexuesit, për faktin se është krijuar në rrethana aspak të volitshme (në burg), por një e vërtetë është i patjetërsueshme, gjithmonë kur flasim për poezinë e tij, flasim për vlera të mirëfillta letrare e artistike.Përfundimisht, mendoj se është e drejtë nëse themi se, këto poezi merituan të shohin dritën e botimit, ashtu siç meritoi autori i tyre të shoh dritën e lirisë.Një poet kroat (Tin Ujeviç) thotë se: ”Njeriu është si bima, po e shkule nga trualli ku ka mbirë vyshket”, por kjo nuk ndodh faktikisht me Naitin, ngase dëshira për të lulëzuar prapë në truallin e tij, aty ku dikur kishte thurur ëndrrat e fëmijërisë, ishte më e fuqishme se represioni që ushtronte pushtuesi.