2011-07-09

Dy dekadat e katharsisit letrar



Nga: Ndue  UKAJ
1. Kthimi ka letërsia
 Fillimvitet e nëntëdhjeta, ndryshuan kahet e zhvillimeve shoqërore dhe politike te shqiptarët. Këto ndërrime u pasuan me transformime kulturore e letrare, që krijuan një hapësire kulturore dhe letrare të favorshme, kur letërsia u kthye nga objekti i saj. Pra, kemi një kthim kah letërsia (Tvetan Todorov), pas ferrit të vërtetë nëpër të cilin kaloi ajo. Krijimi i realiteteve të reja shoqërore, ndikoi në masë të madhe, në qenien e letërsisë dhe sidomos në mendimin për të. Ndonëse, mund të pohohet se gjatë këtyre viteve ka pas një hapje dhe komunikim intensiv të letërsisë shqipe, situatat e tendosura shqiptare, problemet socio-psikologjike, ekonomike, tranzicioni i stërzgjatur dhe i mundimshëm politikë dhe mungesa e një kulture e letërsie të konsoliduar, u banë diga të fuqishme, që ndikuan fuqishëm e në shumë dimensione letrare, në zhvillimin dhe përhapjen e saj, në planin e brendshëm dhe atë global. Mbase, segmentet e përmenduna, shpeshherë kanë ushtruar një lloj “presioni” mbi qenien e letërsisë, duke e penguar të zhvillohej sipas ligjësive universale letrare. Në këtë kontekst, ndofta heshtazi, por në kontinuitet, është vërejtur një përpjekje dashakeqe e politikës, që nëpërmjet formave të caktuara, të presionit apo favoreve të ndryshme, ta kontrolloj letërsinë, madje në rastet më të këqija, të krijoj hierarki letrare, duke e “marr” kështu rolin e kritikës letrare, dukuni kjo, prej të cilës letërsia shqipe ka vuajtur shumë. Në anën tjetër, janë këto elemente, të cilat, rishtas e kanë orientuar letërsinë, drejtë funksionit praktikë, një lloj funksioni që intencë e mision ka, edukimin e popullit, siç do të thoshte Arshi Pipa. Një filozofi të tillë kulturimi dhe një mision të tillë shkrimtarie, letërsia shqipe e ka pasur përgjatë gjithë historisë së saj. Letërsia jonë, deri me tani, asnjëherë nuk ka arritur të ketë objekt vetëm të bukurën dhe të shkëputet nga funksionet e synimet praktike, herë etike e herë politike.Përgjatë këtyre viteve, kultura letrare shqipe, synoj të shkëputet nga qëllimet praktike për t’u kundrua vetëm si arti i së bukurës. Ky qëllim, përveç tjerash, nënkuptonte një hapje të gjithanshme të qenies letrare, në raport me ligjësitë universale të kësaj bote specifike. Në këtë mënyrë, ajo mund të çlirohej njëherë e përgjithmonë, prej gjitha pengesave të natyrave joletrare, të cilat e penguan dhe në raste të ndryshme, vazhdojnë ta pengojnë, edhe sot.Mirëpo, ashtu sikurse çdo periudhë në letërsi, edhe dy dekadat e fundit kanë karakteristikat e veta, veçoritë dhe tiparet dalluese.Në të vërtetë, nëse marrim për bazë empirinë, mund të pohojmë se çdo periudhë në letërsi, i ka specifikat e veta dhe mbahet mend për prurje dhe vlera të reja. Mirëpo, të qartësojmë se prurjet e reja, në kuptimin e mirëfilltë, nuk janë ekuivalente me cilësi apo vlera artistike. Krijimtaria letrare, gjithmonë është në kërkimin të risive, e këto, sidomos bëhen më të theksuara, në kohë përthyerjesh socio-psikologjike, sikur që është drama e jetës shqiptare, tanimë dy dekada, e papërfunduar. Në parim, letërsia është fushë që jeton duke synuar të renë si akt krijimi dhe model shkrimi. Ndaj, duhet theksuar faktin se shumica e rrymave letrare nëpër kohë, janë pikërisht rrjedhojë e kërkesave gjithmonë të reja që kishte e ka letërsia para vetës. Në të vërtetë, e reja, si kërkim metafizikë e shpirtëror, e bënë fuqinë e fjalës artistike kaq dinamike, në kohë dhe hapësirë. Mirëpo, transformimet e mëdha e cilësore, apo prurjet e reja dhe cilësore, në letërsi zakonisht ndodhin rrallë dhe atë vetëm pasi të jenë pjekur kushtet për një begati dinamike kulturore, pas debateve të fuqishme për letërsinë- objektin e saj- qenësinë e saj. Shoqëria shqiptare, ende nuk e ka një jetë të begatë kulturore, përkundrazi jeta kulturore dhe letrare shqiptare, vazhdon të jetë tejet e vobektë. Dhe letërsia, ashtu sikurse shumica e arteve, tanimë dy dekada, ndodhen para sfidave të mëdha, ndonjëherë edhe të natyrës ekzistenciale. Kjo bën që letërsia shqipe, të vazhdoj të jetë akoma në procese të konsolidimit e emancipimit. Në të tilla kushte, kur vërehet dukshëm mungesa e një periodiku letrar serioz, mungesa e një rrjeti funksional të shpërndarjes së librit, mungesa e shtëpive botuese të fuqishme, mungesa e asociacioneve të shkrimtarëve dhe debateve për letërsinë, mungesa e përkthyesve dhe përkrahjes për këtë veprimtari- megjithatë mund të pohohet, se këto vite shënuan një avancim të dukshëm. Mirëpo, jo aq të kënaqshëm, për sa mund të ishin pritshmëritë. Këtë e them, kur i analizoj trendët e zhvillimeve të përbotshme, letërsinë pararendëse dhe shumë faktorë të tjerë socio-psikologjikë, të cilët, do të duhej t’i jepnin letërsisë shqipe një impuls më të hovshëm dhe më cilësor.
2. Dekadat e katharsisit letrar
Nëse marrin për bazë mendimin empirik se kritika (letrare, N. U.) asht shenjë e mendjes së pjekun ( Arshi Pipa), dy dekadat e fundit të kulturës letrare shqiptare, e dëshmuan dhe shenjuan, në shumë  aspekte një  gjë të tillë. Kjo për faktin se mendimi për letërsinë, ka evoluar dukshëm, duke përvetësuar shkolla të avancuara e prirje letrare të përbotshme, të cilat i bëri pjesë të diskursit letrar kombëtar. Gjatë kësaj periode, mendimi për letërsinë,  ka marr përgjegjësi të vështira, si një kritikë në përpjeke për t’u vetëdijesuar dhe konsoliduar, e dal nga rrënojat e një  kohe të  errët, ku letërsinë  ishte skajshmërisht e manipuluar nga dogmat, ideologjia mbytëse dhe arti në  funksion ideologjik. Në misionin e kësaj kritike letrare, ishte të  ndaj vlerat nga jovlerat dhe t’ia rikthej letërsinë kah letërsia. Pas shpërpjesëtimeve të mëdha letrare dhe një hierarkie të sajuar nga diktati, në këto vite, kritika duhej të formësoi hierarkinë letrare cilësore, sipas parimeve të shëndosha letrare. Ky synim, edhe pse ndofta s’u realizua në  plotëni, gjatë këtyre viteve janë ba korrigjime shumë domethënëse në mendimin e përgjithshëm për letërsinë. Mendimi për letërsinë, i cili ekzistonte, është  përmbysur, ndërkaq historia e re e letërsisë, s’është  ajo që  na shkruanin byrotë politike dhe kritika ideologjike. Shikuar nga ky aspekt, kritika letrare shqipe ka pasur sfida të shumëfishta e të karaktereve letrare e joletrare. Asaj ju dashtë të  jetë  e guximshme, për të synuar e krijuar rregull, në aporinë e studimeve letrare dhe për të  sanuar pasojat e gjatë të ekskomunikimeve, përjashtimeve, fragmentimeve, përbuzjeve, me të  cilat dukuni ishte shëmtuar  trupi i letërsisë  kombëtare.Një nga elementet dalluese, mbi të cilat u krijua letërsia e këtyre dy dekadave dhe mendimi për letërsinë, pa dyshim se mbeti qëndrimi refuzues/kundërshtues, në raport me letërsinë pararendëse, dogmat dhe soc-realizmin, dukuni këto që kishin vërshuar e ngulfatun letërsinë shqipe, për dekada të tëra, e sidomos atë që krijohej në Shqipëri.Qysh në fillimvitet 90-ta, u artikulua ky qëndrim refuzues dhe u ndje nevoja për rikthimin traditës së viteve 30-ta dhe shkrimtarëve të ekskomunikuar, që realisht përbënin aureolën e letërsisë shqiptare.  Ky qëndrim, zaten ka pasur një mision/funksion etikë, përmes të cilit është synuar një katharsis i mendimit për letërsinë dhe kulturën letrare shqiptare në tërësi. Sikur në Tiranë, ashtu edhe Prishtinë e gjetiu, lëvizjet e pakta letrare, ishin kryesisht ato që motivoheshin dhe synon letërsinë t’ia kthenin letërsisë, duke e defamiljarizuar (Roman Jakobson) atë nga dogma dhe ideologjia rrënuese, e cila qe bërë me kohë mendësi tipike letrare, sidomos dominonte në Shqipëri, përjashtimet e së cilës në Kosovë ishin të dukshme dhe shumë më cilësore. Kjo nënkuptonte një betejë jo të lehtë, më norma, dogma të krijuar dhe me një korpus të gjerë krijimesh dhe studimesh letrare, që ishin ba gjatë viteve të soc-realizmit, kur letërsia ishte zhvesh nga gjitha tiparet e saja esenciale dhe kishte marr trajta deformuese, thellësisht ideologjike, e duke mbet më së paku letërsi.Prandaj, përgjatë këtyre viteve, ndodhi përmbysja e një hierarkike letrare të shpikur që kishte krijuar soc-realizimi, pa kurrfarë kritere letrare dhe estetike; një hierarkike letrare që ishte fund e krye e vendosur nga diktatet e dhunshme, përjashtuese dhe fragmentuese.

Ajo që e karakterizon qartësisht mendimin për letërsinë në këtë periudhë kohore dhe letrare, pa dyshim është synimi për t’i korrigjuar leximet e mbrapshta, të cilat i ishin bërë letërsisë shqipe dhe këndej pari, synimi për t’ia rikthyer asaj figurat eminente, të munguara dhe të ndalura, me motive absurde e aspak letrare. Ky motivim letrar i korrigjimit dhe arsyetimit (Ian Meclean) të një mendimi letrar, bëhet shënjues tipologjik i kësaj kohe në letërsi. Shëmtitë që kishte krijuar dhe instaluar diktatura e njëmendësia kulturore dhe letrare, fillojnë të korrigjohen dhe arsyetohen me lexime e interpretime tjera. Pra, përgjatë këtyre viteve, mendimi për letërsinë është motivuar, duke nënkuptuar kontekstin e letërsisë pararendëse, prej të cilit është vënë në pah fuqishëm nevoja, që e quajtëm etike, të bëhen korrigjime në gjithë sistemin vlerave letrare, nga shëmtitë dhe degradimet që i krijoi letërsia e viteve të diktatit, përjashtimeve dhe selektimeve ideologjike, fetare, etj. Këtë trashëgim të keqe letrare, mendimi i ri për letërsinë synoi ta korrigjoi në tërësi për t’i dhënë një kahe dhe dimension të mirëfilltë letrar. Studimet e shumta, të cilat janë bërë e bëhen në Tiranë, Prishtinë e gjetiu, janë të fokusuara kryesisht të autorët, të cilët, për disa dekada, i mungonin letërsisë shqipe, tek ata të ekskomunikuarit, ata të fragmentuarit, ata të përbuzurit, të cilët në realitetin e ri, përbëjnë, siç e përmendëm, aureolën e letërsisë shqipe. Ndaj, në këto dy dekada, autorët dominues të letërsisë shqipe, nuk janë ata që ishin deri në fillimvitet e 90-ta. Përgjatë këtyre viteve, zënë të shfaqën çdo herë e më fuqishëm, si referenca themelore, autorët e fuqishëm të viteve të 30-ta, emra që emancipuan letërsinë shqipe, mendimin për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe ngritën atë në piedestalin më të lartë, si At Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prendushi, At Anton Harapi, Mitrush Kuteli, Et’hem Haxhademi, Krist Maloku, Mit’hat Frashëri (i njohur edhe si Lumo Skendo), Vangjel Koca, Brako Merxhani, dhe pastaj, pasusit e tyre, Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Anton Pashku, Frederik Reshpja, Zef Zorba, At Zef Pllumi, etj. Me këta autorë, është marrë e merret pjesa dërmuese dhe më kualitative e kritikës letrare gjatë këtyre dy dekadave. Përveç tjerash, gjithashtu gjatë këtyre viteve letrare, vërehet një rikthim domethënës te autorët e klasikes, si themelues të kulturës tekstuale shqiptare (Anton Berishaj), te autorët si Gjon Buzuku, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Jul Variboba, korpus ky letrar që studiohet si materie estetike dhe jo si lëndë me rëndësi gjuhësore, siç pretendohej pa asnjë kritere letrarë, stilistikë, gjuhësor, estetikë, nga sejmenët e soc-realizmit. Nga këndej, gjithashtu vërehet një ngulmim i vazhdueshëm për të integruar në plotëni letërsinë e krijuar tek Arbëreshët e Italisë, brenda turpit të përbashkët të letërsisë shqipe, e cila letërsi, në të vërtetë përbënë një hallkë me rëndësi të posaçme në letërsinë shqipe, përgjithësisht.

Një tjetër tipar dalluese që e shquan këtë periudhë letrare është vetëdija për objektin e letërsisë, ku vërehen  gjithnjë e më shumë mendje kritike, të mprehta të gjykojnë drejtë letërsinë, autorë e dukuni letrare, si dëshmi e një kritike letrare të pjekun, e cila ndihmon në konsolidim e mendimit për letërsinë.
3. Kritika letrare dhe letërsia
Raporti mes fiksonit dhe ligjërimit mbi fiksionin (kritikën letrare), vlerësohet të jetë njëri nga raportet më komplekse në botë e letërsisë. Ky raport, jo rrallëherë është formësuar mbi paragjykime, të cilat kanë rezultuar me konsekuenca negative, edhe në shkrimin fiksional. Një eksperiencë të tillë, e nxjerrim nga dekadat e letërsisë shqipe pas Luftës së Dytë Botërore, me një theks të veçantë të ajo e krijuar në Shqipëri.Ky raporti kompleks, ka tronditur gjithmonë shkrimtarët, kritikët dhe të pasionuarit pas letërsisë. Si rezultat e kësaj, ndodh shpeshherë që kritika dhe mendimi për letërsinë të zhvillohen në divergjenca, mirëpo të cilat nuk e cenojnë qenien e letërsisë, përkundrazi e pasurojnë dhe plotësojnë. Dëgjojmë të thuhet, madje edhe lexojmë, nganjëherë me nervozizëm të tepruar, se letërsisë shqipe i mungon kritika, i mungon një lloj e kritikës së drejtë, një kritike letrare sistematike, e aftë për me ba selektimet e nevojshme dhe e guximshme për me thënë të vërtetën, sikur për vlerat e vërteta letrare dhe anasjelltas, për jovlerat. Kësaj dileme është e vështirë me ju përgjigj, por mënyra më e mirë është me pa letërsinë në tanësinë e saj, si një sistem, sepse vetëm ashtu mund të kuptohet pa keqkuptime. Unë mendoj se mendimi për letërsinë në këto vite ka pas një “detyrë” aspak të lehtë, të lexoi, siç e përmendën më lartë, të rilexoi dhe korrigjoi gabimet e panumërta që la trashëgimia e errët komuniste, aporinë e studimeve letrare, historinë e deformuar të letërsisë, sajimet hierarkike, etj. Në këtë drejtim, është arritur mjaft shumë. Mirëpo, kjo ka ba që letërsia e krijuar gjatë këtyre viteve, të mbetet jashtë vëmendjes së kritikës letrare. Mbase, ky segment, sipas shumë krijuesve, kritikëve, ka stimuluar aty këtu një letërsi mediokre, me shumë emra që defilojnë pa asnjë inspirim krijues dhe pa kurrfarë shije letrare.Krahasuar me letërsinë pararendëse, në këto dekada, debatet për letërsinë janë qartësisht më të identifikueshme dhe më funksionale. Gjithashtu, prirjet e bashkëkohore teorike e kritike, gjithnjë e më shumë bëhen pjesë e diskursit letrar e kulturor shqiptar.Shikuar në përgjithësi, mund të pohohet se dy dekadat e fundit në letërsinë shqipe, gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime pozitive. Në fakt, ajo për të cilën mund të konkludohet është se letërsia dhe mendimi për letërsinë ka tejkaluar njëmendësinë soc-realiste. Nuk ka një uniformitet në studimet letrare, përkundrazi kultivohen shumësi e shkollash dhe vlerësimesh letrare, të bazuara tek teoritë klasike e bashkëkohore. E gjithë kjo mund të vlerësohet e tumiret si një shenjë shpresëdhënëse, për një të ardhme më të begatë për letërsinë shqipe, sidomos në fushën e fiksionit, ne të cilën çdo ditë e më shumë dalin individualitete të fuqishme.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...