Vështrim kritik rreth permbledhjes poetike “Muret nuk mjaftojnë” te Vehbi Miftarit, botoi “Buzuku”, Prishtinë, 2008
Nga: Esat VATOVCI
Studiuesi dhe kritiku i letërsisë shqipe, Vehbi Miftari, është dëshmuar edhe në fushën e poezisë, të cilën e shkruan me shumë pasion dhe me shumë shkathtësi prej poeti të rrallë. Sikur në librat e tij të mëparshëm, edhe në vëllimin poetik “Muret nuk mjaftojnë”, Miftari ka dëshmuar se poezinë e ka në shpirt dhe se frymëzimet e tij për të shkruar burojnë nga vet jeta e përditshme, nga ngjarjet, përjetimet dhe përshtypjet e tij. Në këtë vëllim poetik është pasqyruar një jetë plotë vuajtje, sakrifica dhe peripeci të shumta të popullit, që në mënyrë mjeshtërore ka arritur Miftari ta paraqes, ashtu siç janë apo siç kanë qenë në të vërtet.
Vobektësia, mjerimi dhe vuajtjet e njerëzve që s’kanë, prekin thellë zemrën e poetit, duke bërë kështu që ai nëpërmes poezisë së tij të trajtojë edhe këtë temë, që sigurisht në rrethanat e tanishme është një temë më se e pashmangshme në përjetimin e secilit që jeton në kohën e tanishme. Miftarin e prekë thellë kërkim mëshira e të vobektëve, të cilët në pamundësi të sigurojnë ekzistencën e tyre në ndonjë mënyrë tjetër më të favorshme për ta, dalin rrugëve dhe kërkojnë lëmoshë, dhe mëshirë që të mbijetojnë. Në këtë rang ai futë edhe fëmijët që në moshë të vogël shfrytëzohen nga prindërit e tyre për të shitur cigare rrugëve dhe kafeneve të qytetit, duke shkelur kështu mbi ndjenjat e tyre të pastra fëmijërore, duke ua humbur krenarinë që kanë në moshën e tyre dhe duke ua shkelur të drejtat e tyre që kanë për të qenë të lumtur dhe për të bërë një jetë sa më fëmijërore që atyre iu duhet dhe iu nevojitet si të vegjël që janë. Sipas autorit, ata dalin në pozita të vështira, përjetojnë shumë poshtërime dhe preken në sedrën e tyre qysh në moshën e vegjëlisë dhe në këtë mënyrë paraqesin një nga mjerimet më të mëdha që mund t’i ketë dhe t’i përjetojë një popull duke i shfrytëzuar fëmijët si furnizues dhe mbajtës të familjeve, kurse ata kanë detyra dhe punë tjera të kryejnë, siç është shkollimi dhe edukimi i mirëfilltë i tyre.Po ashtu, një temë tjetër që trajtohet në librin “Muret nuk mjaftojnë”, është edhe tema e vdekjes, problemi i së cilës, sipas autorit, preokupon një nga kryeqytetet ballkanike, e bashkë me të preokupon edhe vet autorin, i cili duke portretizuar një plakë e cila lutet për një copë tokë për të vdekurin e saj, bënë që autori të ndjejë një nga përjetimet më të rënda në jetën e tj, ku në mënyrë të padrejtë dhe absurde nuk gjendet ndonjë vend i lirë në varreza për të varrosur një të sapo vdekur.
Libri poetik “Muret nuk mjaftojnë”, është i ndarë në tri cikle: “Jetë e përditshme”,“Gjërat më pëlqejnë” dhe “Ëndërroja të kisha një dritare”, ku secili cikël përmban një pjesë të jetës së përditshme të autorit, përjetimeve të tij që nga fëmijëria deri në ditët e sotme, peripecitë, vuajtjet e tij, e po ashtu edhe vuajtjet, problemet dhe sakrificat e një populli të tërë.
Me anë të poezive të tij në këtë vëllim poetik, Miftari është munduar që të paraqes një jetë sa më reale dhe në mënyrë të saktë dhe konkrete të pasqyrojë mënyrën e jetesës së shtresave të caktuara të shoqërisë së popullit të tij. Ai haptas ka shfaqur preokupimin e tij pasi që shoqëria ndahet në shtresa të varfra dhe ta pasura, pastaj e brengosë vuajtja e vazhdueshme, apo siç shprehet ai, errësira që vazhdimisht mbretëron në të dhe frika që kanë njerëzit nga errësira në shtëpitë e tyre. Me këtë ai lë të kuptohet se njerëzit janë gati shpresë humbur dhe krejt ajo prej së cilës ata frikësohen është se jeta e tyre po kalon në një errësirë të vazhdueshme dhe të llahtarshme për ta. Veçori e këtij vëllimi poetik është se secila poezi përmban në vete një mesazh, një porosi të qartë për lexuesit, që të vë në mendime, shpesh edhe të kthen në një kohë shumë mbrapa, të bënë të kujtosh me nostalgji një përjetim që gati secili e ka kaluar gjatë jetës së tij, një jetë plotë sakrifica dhe plot mundime.Tipar tjetër dallues i këtij vëllimi poetik është sepse poeti e ka vënë veten në sprova të ndryshme përmes poezive, apo ka dhënë tablo shumë interesante, të dhimbshme dhe rishtuese të përjetimeve të tij, apo edhe të njerëzve të ndryshëm në këtë jetë.Në një mënyrë të veçantë ai ka paraqitur një sërë gjërash që ai i ka në qejf, i pëlqejnë dhe që janë shumë të ndryshme nga gjërat normale që të tjerëve iu pëlqejnë. Ai bënë një lloj dallimi në mes shije së tij të veçantë që ka, dhe shijes së njerëzve tjerë, që pëlqejnë gjëra shumë të thjeshta ndoshta, apo gjërat që mund të thuhet se gjithsecili i pëlqen, përveç atij. Gjithashtu, ai ka vënë veten në pozita të vështira, apo ka theksuar përjetimet e tij në mënyra të vështira jetësore, duke bërë që për një moment ai nuk ka dashur dhe nuk ka menduar për asgjë tjetër në këtë botë, vetëm të ketë një dritare prej nga do të mund të kishte një dritë me të cilën do të mund të shikonte. Një dritare, prej nga do të mund të merrte pak ajër, një dritare prej nga do të mund të merrte fije shprese për jetë.Poezia e Vehbi Miftarit është vet jeta e tij, përjetimi i tij ditor, përjetimi i tij emocional, është pasqyrimi real i një jetë të jetuar, i një sakrifice dhe i një vuajtjeje të vazhdueshme dhe i një brenge të thellë të autorit për të gjitha ato që i i sheh dhe që s’i pëlqejnë, i të gjitha atyre që i pëlqejnë dhe që ëndërron t’i ketë.