Nga: Halil HAXHOSAJ
“Libri për Gaspër Karaqin është libër për dëshmorin e lirisë. Libër për atdhetarin, për njeriun, mësuesin, poetin dhe luftëtarin e lirisë. Jeta e Gaspër Karaqit ishte e bujshme, plot mundime, ëndrra, dëshira por edhe realizime. Shpirti i Gaspër Karaqit ishte një shpirt atdhetari që nuk pushoi asnjëherë së kënduari lirinë e popullit të tij. Atë liri për të cilën gjatë shekujve u sakrifikuan breza të tërë. Edhe Gaspri gjatë 37 vjetëve të jetës së tij ishte në shërbim të lirisë së atdheut… Rruga që ndoqi ai ishte një rrugë e shenjtë, të cilën e vazhduan me mijëra të rinj e të reja anekënd atdheut …”Nga ky citat i marrë nga monografia e autorit Besim Muhadri kushtuar dëshmorit të Kosovës dhe çështjes kombëtare, Gaspër Karaqi, njihet se veprimtaria e tij ka rëndësi të madhe, ngase kjo vepër sot po përurohet pikërisht në ditën e 11 vjetorit të rënies së tij në altarin e lirisë. Andaj edhe vet rëndësia e monografisë shtrihet gjerë e gjatë në shumdimensionalitetin letrar dhe artistik që ka për qëllim paraqitjen sa më dinjetoze, pse jo edhe reale të figurës së dëshmorit Gaspër Karaqit prej njeriu, vëllai, biri, bashkëshorti, mësuesi, patrioti, poeti, luftëtari, strategu, por edhe të njeriut të dashur, të afërt dhe me zemër e shpirt të mirë. Kështu, brenda kopertinave të kësaj vepre, që në radhë të parë është monografi, dëshmohet nga të gjitha anët, flitet nga të gjitha pozitat dhe skalitet nga të gjitha këndet figura komplekse e Gaspër Karaqit. Kjo figurë nuk rri e stagnuar, madje as e njëtrajtshme, por lëviz, ecën, vrapon, frymon, vizionon për lirinë, atdheun, diturinë, maturinë dhe gjithë të mirat e kombit dhe atdheut të tij Kosovës. Ajo fillon nga pajisjet me idetë e para patriotike ilegale, poetike e veprimtarive të tjera kombëtare e deri tek mobilizimi, pjesëmarrja me armë në dorë në radhët e UÇK-së si luftëtar i lirisë së Kosovës, frytet e të cilës si shumë bashkëluftëtarë të tij nuk i shijoi as ai vet. Dhe rruga e këtillë e këtij dëshmori nuk ka të sosur sepse ajo është e shtruar me betimin, sakrificën dhe qëllimin e skalitur fort në memorien e tij, sepse: “ Diçka po ma ngacmon shpirtin dhe s’po më lë të qetë, prandaj më duhet të veproj … Unë, edhe nëse vritem, dijeni se nuk do të vdes, sepse kur të vjen liria, të gjithë ata që ranë në fushën e nderit, bashkë me gjakun e kuq, të derdhur për këtë tokë, do të shndërrohen në lulëkuqe të Kosovës sonë …” thotë Gaspër Karaqi në mes të tjerash për veprimtarinë e tij luftarake, të cilën autori Besim Muhadri e bën moto të kësaj vepre monografike për të.Vepra e Besim Muhadrit: “Gaspër Karaqi, Shpirt i pavdekshëm lirie”, ka prologun dhe epilogun letrar. Prologu është “Parathënia” dhe “Hyrja” shkruar nga autori Muhadri ku paraqiten të gjitha aspiratat, ideja, madje rruga, jeta dhe vepra e dëshmorit që nga lindja e deri në ditën e rënies. Ndërkaq epilogu është titulluar “Përmbyllje” ku shprehen të gjitha ato që janë pasqyruar, pse janë pasqyruar, që janë përfshirë, pse janë përfshirë, që janë sistemuar dhe përse janë sistemuar gjerë e gjatë, horizontalisht e vertikalisht, një dimensionalisht por edhe shumë dimensionalisht në vepër. Andaj, kështu paraqitet zinxhiri i ndërtimit kompozicional, artistik, por edhe bio dhe bibliografik i monografisë për Gaspër Karaqin. Nëpër të gjitha këto marshime letrare e artistike ndërtohet, skalitet, pikturohet dhe përjetësohet figura e këtij dëshmori, duke u ndriçuar dhe përshkruar bukur, me frymëzim dhe profesionalizëm nga pena e shkrimtarit Besim Muhadri, i cili jo vetëm kësaj radhe, por edhe më përpara ka shkruar për Karaqin.Kjo monografi ndërtohet edhe prej disa kapitujve, ku secili ka mëvetësinë, në një anë, por edhe shtresimin e mozaikut të përbërjes së njësimit, në anën tjetër. Kjo gjë, në vepër bëhet lehtë, pa dhunë dhe me mjeshtri nga pena e autorit Muhadri, i cili depërton nëpër të gjitha rropatjet e jetës, të veprës, veprimtarisë dhe krijimtarisë së Gaspër Karaqit. Andaj në kapitujt e tjerë autori do të shkruaj për dëshmorin dhe rolin e tij në ilegalitet dhe në luftë. Pastaj në kapitullin “Gaspër Karaqi poet” paraqiten të gjitha krijimet poetike, mëse 46 poezitë e botuara, por edhe të pabotuara. Madje për vlerën e tyre autori Besim Muhadri shkruan recensionin “Poeti i dashuruar në lirinë e atdheut” që është një pasqyrim shumë i thellë i tematikës së poezive të paraqitura dhe të shkruara nga pena e poetit dëshmor Gaspër Karaqi. Kapituj të tjerë janë edhe “Për kohë të lira” ku paraqiten disa shkrime që janë gjëegjëza, dallime, ngjashmëri, gjeni kush është, pastaj disa pyetje të dëshirueshme për t’u ditur dhe pyetje diturie. Në kapitullin qendror të veprës është e prezantuar drama “Rruga e dritës”, e cila është e përbërë nga tri akte. Edhe për këtë dramë autori Muhadri ka shkruar një shkrim analitik me titull “Drama e mbijetesës dhe e triumfit njerëzor e kombëtar”. Kjo dramë është vu në skenë në vitin 1998, për krishtlindje në mjediset e Kishës në Prizren. Teksti i dramës ka për temë rrugën historike të përhapjes dhe të zhvillimit të krishterimit ndër shqiptarët. Pasojnë edhe disa shënime interesante të mbajtura nga Gaspër Karaqi, pastaj kronologji të ngjarjeve historike dhe një Miniditar për disa ditë të luftës së Kosovës më 1998.Kapitulli i fundit i monografisë më duket se shënon diçka të veçantë, por shumë të rëndësishme për pavdekësinë e veprës dhe figurës së dëshmorit Gaspër Karaqi. Në kapitullin me titull “Gaspër Karaqi në këngët popullore” janë paraqitur gjashtë këngë popullore kushtuar jetës, veprës, luftës, qëndresës, sakrificës dhe patriotizmit të këtij dëshmori. Prej këtyre këngëve dy janë variante, që në një mënyrë e begatojnë koloritin e përkushtimit të këngëtarëve popullorë në skalitjen e figurës së dëshmorit, ndërsa dy të tjera kanë autor të tekstit dhe këngëtarin që i këndon. Kështu kënga “Mbet yll drite për çlirim” ka autor teksti Besim Muhadri, ndërsa e këndoi këngëtari ynë i mirënjohur Nikollë Nikprelaj, ndërkaq tektsin e këngës “Nuk vlen jeta pa liri” e ka shkruar Kristë Rrasi dhe e këndoi Gjon Lleshi.Ka edhe elemente të tjerë që mund të gjenden dhe trajtohen në këtë monografi, që do të shfrytëzohen si dokumente për ta shkruar historinë e re të luftës për çlirimin dhe mëvetësinë e Kosovës.