2011-07-09

Depresioni…


Nga: Suzana  KUQI

Kur u ktheva në shtëpi dhe thashë se mjekja më kish thënë se përveç problemeve të tjera isha dhe ca e depresuar, e ndërkohë që thosh këto fjalë kish nxjerrë nga rafti i saj një kuti ilaçesh, më kish rrasur në njërën pëllëmbë një tabletë dhe në tjetrën gotën e ujit duke këmbëngulur ta mirrja aty në sy të saj… dhe e gjitha kjo…… e gjitha kjo më bëri të dilja e trullosur nga studjoja e saj. Vërtet, kish nja dy ditë që më merreshin mendtë e nuk më ndahej të pështjellët në stomak, por ai pështjellim mori formën e centrifugës…
Avash, avash… dhe unë sa i zmadhoj gjërat…
… le të themi se më rrotullohej aq sa më lejoi të kthehem shëndoshë e mirë në shtëpi pasi i rashë nja dy herë rrotull tregut, e meqë isha në temë… kisha dëgjuar se të blerit e diçkaje për vete ndikon në ngritjen e humorit e nxjerrjes nga depresioni, ndaj i mora lejë vehtes dhe i lejova dy fustane… leshi… është dimër apo jo… Ah, harrova të them, ja shkëputa edhe një javë pushim mjekes…
… je në vehte ti, me dhimbje kurrizi e kisha provuar të shkoj në punë, madje pa bërë naze, por me depresion…
…Jo kjo ishte gjë e re e nuk ma mbante… e pastaj…
… pastaj… doja ta shijoja… më falni… ta vuaja deri në fund!
E meqë dihet se si mund të jenë të depresuarit… madje të depresuarit taze si puna ime… jua përplasa në fytyrë atyreve të shtëpisë sime, pa mëshirë e me një lloj dufi… fundja nëse kisha arritur deri këtu e kishin fajin edhe ata apo jo… e për më shumë që as e kishin vënë re se mua më kish ikur fare dëshira për të bërë punë, (kjo sipas mjekes ishte një nga simptomat e sëmundjes), e për më tepër kur flitet për ato që i bëj përditë për sa kohë kam kujtesë… e që më rëndojnë aq shumë sa nganjëherë kur kap fshesën apo leckën në dorë… më duket sikur kam treqint vjet që i bëj e më duket vetja katërqind vjeçare… paçka se kur ulem në kompjuter ndihem kalama… por fundja se mos kam faj unë, dhe interneti nuk është se ka shumë kohë që ka lindur…le të mos flasim për facebook-un…
… facebook… është i gjithi një… univers… tjetër.
E kësaj i thonë të të gënjejë mendja… shkoja me shpresë se atyre do t’u bënte ndopak përshtypje kjo e të ndryshonin mënyrë… se çfarë as unë nuk e kisha të qartë se ç’doja, ama diçka prisja, të paktën të më shikonin si të sëmurë sepse nuk më kanë parë kurrë të sëmurë tamam, si përshembull të kem temperaturë e të zë shtratin… temperatura… kam bindjen se ka frikë nga mua… më ikën, më shmanget edhe kur e kërkoj dhe e mas. Nganjëherë më gënjen mendja se mos kushedi… vë termometrin… jam e mbushur me kollë e të dridhura… ju betohem, nuk e arrin tridhjetegjashtën…
Dikush do të thotë… të jesh e sëmurë duhet të paktën të kapësh tridhjeteshtatën… as që bëhet fjalë atë kufi e kanë çuar tridhjeteshtatë e tre…
Një ditë guxova e gënjeva shefen se gjoja një natë më parë e kisha patur tridhjeteshtatë e gjysëm…
- “Pse temperature është tridhjeteshtatë e gjysëm” ?!- m’a shpërfilli ajo.
Nejse të kthehemi tek lajmet e reja:
-”Jam e depresuar”!
-”Mjekja këmbënguli të marr antidepresiv, madje ma dha me dorën e saj e nuk m’u shqit derisa e mora”!
Mendova se kjo gjë do t’i tromakste… asnjë muskul fytyre nuk i lëvizi familjes sime. Im shoq ktheu faqen e gazetës, ime bije u vu të bëjë kafetë, im bir mori të dilte nga dhoma:
- “E merrni vesh se jam e depresuar”?
- “ E kush nuk është, edhe qenin po ta çoj ta vizitoj tek veterineri me siguri do të thotë se është i depresuar”, – ma ktheu ai.
E pashë një moment… ish ca më i gjatë se një moment ai në të cilin nuk ja ndava sytë syve të tij, por nuk i lëvizi qerpiku derisa shikimi m’u lodh dhe e lashë të lirë. U zemërova e desha… të grindesha në fakt por shpejt u kujtova se isha e depresuar e kjo vetëm do ta rëndonte gjendjen time por më tepër më erdhi keq për ata. C’faj kanë të shkretët se gruaja e mamaja është e depresuar, përse duhet t’ua shkatërroj jetën edhe atyre? Do t’i bie shkurt, nuk do të kap asnjë punë me dorë në shtëpi e ta shohin se… Mora një libër e u shtriva të lexoja. As tre rreshta e gjysëm e më zuri gjumi top… e çfarë gjumi…
Kur u zgjova kishin dalë të gjithë… je në vehte, kur fle pasdite çohem hundë e buzë kur nuk jam e depresuar, imagjino kur të tillë më kanë shpallur zyrtarisht… Pjatat më prisnin në lavapjatë, rrobat për t’u nderë, qeni… qeni më sillej rrotull duke më bërë festë… a thua sapo isha kthyer nga ndonjë univers tjetër… i shkreti, kur do të dalë nuk ja var njeri… e lënë aty… e shpesh të them të drejtën më rëndohet edhe mua, por kur mendoj se atë fshikëzën e urinës duhet ta shkarkojë se s’bën diku, del apo nuk del… i vë rripin dhe e nxjerr me vrap… Pra i lashë të gjitha e nxorra qenin e kur u ktheva bëra pikë për pikë të gjitha ato punë që nuk bënin tjetër veç më rëndonin depresionin…
Pastaj, vonë në mbrëmje thashë të hap internetin e të merrja vesh mirë se në ç’provë më kish vënë jeta kësaj here me këtë sëmundje. Nuk ishte dhe aq për t’u shqetësuar, kurohej, madje plotësisht e në një kohë të shkurtër, kështu thosh ai publiciteti i artikullit të rastit, mjaft t’u drejtoheshe atyre qendrave të specializuara… por dreqi e di se sa para të marrin ato… hë për hë thashë të krijoj një ide pak a shumë se ç’është…
Jo, jo nuk bëhet fjalë, lista ishte shumë e gjatë… e gjatë… e gjatë…
Me qetësi e durim fillova t’i lexoja një e nga një…
Nuk e di nëse e keni lexuar “Tre veta në një barkë”… unë e kam lexuar në rininë time… e nëse e mbani mend atë pjesë kur ai tregon se kish shkuar në bibliotekë e kish marrë një libër mjekësie ku sëmundjet rradhiteshin sipas alfabetit… e dora dorës që lexonte simptomat e sëmundjeve bindej se i kish të gjitha e vuante prej tyre… e se ish ofenduar që i mungonin vetëm dhimbjet e lindjes… helbete sepse ishte mashkull…
Dhe unë… i kisha dhe vuaja nga të gjitha simptomat e shqetësimet e të gjitha sëmundjeve që kishin të bënin me depresionin… madje atë të thellë… ani se atë idenë e vetëvrasjes nuk e kisha çuar kurrë ndër mend… e kjo të them të drejtën më shqetësoi shumë sepse diku kam lexuar se ata që tentojnë të vrasin vehten një herë e … nuk ja dalin… tentojnë të vetëvriten prapë e prapë nuk ja dalin… përkundrazi ata që vetëvriten vërtet janë ata që nuk e kanë menduar kurrë dhe ajo ide i kap në befasi e…
…dreq o punë… këtë kurrë nuk e kisha menduar…
Jam në rrezik!
Brrrrr… Rrrr… Rrrrez… Ik… Ik… Ik…
Ika dhe unë… padashur imagjinata ime prej të depresuari të pashpresë lëvizi vrullshëm sa tek parmakët e urës, sa në binarët e trenit, sa tek prizat e korrentit, sa tek damarët, sa tek kutitë e ilaçeve e sa e sa… Zot i madh, kurrë nuk e kisha menduar se sa të shumta ishin mënyrat për t’ja hequr fillin vehtes… aq sa u lodha duke i numëruar ndaj…
…e braktisa, e lashë fare këtë punë. Fundja ma ceku një herë mendjen në imagjinatën time e nuk më pëlqeu aspak, ama them se më mjaftoi të vaksinoj trurin… Tani për tani e vendosa ta pres vdekjen kur të më vijë, nga pleqëria në shtrat.
Pastaj po ajo tjetra… se gjoja duhet të më vriste ndërgjegja se ju jam bërë barrë familjes e vuajnë për shkakun tim… përkundrazi, po të mos jem unë… aq sa them: “Zot më jep jetë shëndet t’u shërbej, e… shumë e shumë durim.”
I lexova dhe i rilexova disa herë, megjithëse stomaku më pështillej, duart më dërsinin, herë mornica më kalonin nëpër trup e herë plasja vape, ndërsa mendja më rrotullohej e rreshtat hidhnin valle para syve të mi… Jo, jo, të gjitha këto ishin shenja depresioni… të cilat unë i kisha pasur të fshehura ndënë lëkurë ka rrezik që kur kisha lindur e nuk e kisha ditur, e me ato dy përjashtime të vogla që përmenda më sipër… i kisha gati të gjitha llojet depresioneve… madje dhe ato të fëmijërisë e adoleshencës… se mos vetëm unë, asnjë që njoh nuk i shpëtonte atyre…
… shkurt jemi të gjithë të depresuar…
… botë e depresuar…
… aq e depresuar sa papritmas më nisën të prera të forta në bark e stomaku m’u ngrit me forcën e një vullkani… vrapova në banjë… e vetëm atëherë më erdhi ndër mend se në ambjentin e punës sime kish ditë që qarkullonte një virus intestinal, të cilit kisha menduar se i kisha shpëtuar…

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...