I dënuar dy herë me vdekje” është një film dokumentar, i cili i kushtohet mësuesit që ka hapur shkollën e parë shqipe, në zonat e thella të Kumanovës, në fshatin Arrkoc një nga fshatrat në lartësinë më të madhe të zonës. Mësuesi Naim Veliu, i cili në fshatrat e Kumanovës njihet me emrin Naipi, në moshë shumë të re, para 60 viteve hapi shkollën e parë shqipe në shtëpinë e tij. Shkolla e hapur në vitin 1948 i rezistoi presioneve dhe për herë të parë u mësua shqip nëpërmjet tij. Filmi do të vijë si realizim i regjisorit të njohur Ylli Pepo, i cili tregon se dhe sot nxënësit e tij e kujtojnë me mirënjohje të thellë. “Ky njeri për ti shpëtuar burgosjes, pasi regjimi i asaj kohe në ish Jugosllavi e përndoqi dhe deshi ta burgoste për shkak të veprës së tij, që bëri me shkollën shqipe u largua nga Jugosllavia, por gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje në ish Jugosllavi”, tregon regjisori. Duke folur rreth filmit dokumentar dhe duke zbuluar të tjera detaje, që janë përdorur në realizmin e filmit “I dënuar dy herë me vdekje”, regjisori Ylli Pepo vijon rrëfimin e tij duke pohuar se mësuesi shqiptar, nuk e priti një fat më i mirë në Shqipëri. “Shumë vite më pas u zbuluan disa dokumente dhe pasi ai kaloi disa internime edhe regjimi i Enver Hoxhës në vitin 1951 e dënoi po me vdekje. Ishte i pari në listën e njerëzve të dyshuar, të cilët në situata të jashtëzakonshme do të ekzekutoheshin nga pushteti i kohës. Në atë kohë kushdo që kalonte kufirin, dyshohej se mund të ishte ndonjë agjent, që mund ti bënte keq regjimit të kohës. Megjithëse qe një patriot shqiptar, që kishte bërë sakrificën më sublime për tu mësuar shqip të tjerëve, për tu mësuar fëmijëve shqip, gjatë jetës së tij ai provoi disa internime në zonën e Fierit”, pohon regjisori. Në punën e tij si regjisor, Ylli Pepo ka sjellë dhe shumë histori të tjera interesante, të cilat në gjuhën e filmit dokumentar janë përcjellë shumë bukur tek publiku, i cili i ka vlerësuar këto realizime. “Këto histori më tërheqin sepse nëpërmjet jetëve, të cilat janë të veçanta, nganjëherë mund të realizosh gjëra të mëdha për historinë dhe për protagonistët, që në shumë herë janë dhe të panjohur. Janë shumë emra që kanë qenë modest, por që kanë dhënë aq shumë sa dhe ata që përmenden shumë sot. Unë ndjehem shumë mirë që sot me filmat e mi i evidentoj këto emra që kanë dhënë një kontribut të çmuar në arsimim”, pohon regjisori Ylli Pepo.
Jeta e mësuesit shqiptar
Naim Veliu sot 85 vjeç, ka jetuar në qytetin e Fierit dhe ka rritur dhe edukuar katër fëmijë. Jeton duke shkruar kujtimet e tij dhe është në përfundim të librit të tij me kujtime, që rrëfen jetën e tij dhe punën që është bërë mbi arsimin në viset shqiptare të Maqedonisë. Tek shqiptarët atje, ai ka një emër të nderuar dhe të respektuar për punën që ka bërë. Filmi dokumentar është një projekt i përbashkët me një ndër gazetarët më të vjetër dhe më të njohur të televizionit të Shkupit, Alush Kamberi dhe sëbashku me regjisorin Ylli Pepo po sjellin një film, i cili do të shfaqet për publikun në Televizionin Publik Shqiptar dhe në kanalin e dytë të televizionit të Shkupit. Premiera e tij pritet të jepet në fund të këtij sezoni. Filmi do të marrë pjesë në disa festivale të filmit dokumentar që janë të njohur, siç është Festivali i Filmit Dokumentar në Ohër, në Tivar të Malit të Zi si dhe në evenimente të tjera. “Në jetën e këtij njeriu përmblidhet jeta e mjaft dëshmorëve apo mjaft të dënuarve të tjerë, që i kanë shpëtuar vdekjes dhe sot jetojnë dhe tregojnë kujtimet e tyre mbi këto sisteme, jashtë dhe brenda kufijve, të cilët ishin të pamëshirshëm. Filmi rrëfehet vetë nga personazhi dhe deri tani është xhiruar pjesa e parë në fshatin e mësuesit Naim Veliu, një rrëfim i cili është plot emocione”, tregon regjisori Pepo. Këto ditë xhirimet po vijojnë në qytetin e Fierit dhe filmi do të jetë drejt përfundimit shumë shpejt. “I dënuar dy herë me vdekje” ka një minutazh rreth 40 minuta dhe në këtë rrëfim veç vetë personazhit kryesor do të marrin pjesë edhe bashkohës të tij, por dhe bijtë e tij që tregojnë sakrificat e babait të tyre që i ka rritur mes shumë sakrificave.