2011-07-09

BREJTJE


Nga: Viola  ISUFAJ

(Përpara se të bija në gjumë të thellë, i pata thënë se do t’i ikja për fare në një nga këto ditë. U bëra dhe tepër e bukur- këtë ma tha ai. I ngriti sytë nga tavani, siç ishte shtrirë, dhe me nje përlotje që ndoshta dhe s’ishte, tha: nuk kam asnjë peng.) Kështu ndodhi që në anën e pasme të kopshtit të gjyshes, aty ku gjithherë kanë buluar lule, ngjyra e ferra bashkë, aty ku zukatja e grerëzave vërtitej mbi blegërimin e qengjit dhe këngën e gjelit, ia behu një ketër që u zhyt në dorën time e m’i nguli thonjtë dhimbshëm thellë e më thellë në mish, derisa shpuan kockën.
Ai vetëm ketër që s’ishte, ose më saktë ishte një ketër me deforme gjenetike. Ishte breshkë ose mi, ose “Furetto”- ajo kafsha-Qelbës, që më ishte fiksuar si italiane (se ashtu më thanë kur ma sollën) dhe që humbi në të njëjtin kopsht.Pra, ishte një qenie që sikur kish lindur nga eksperimenti, ose ishte torturuar në Aushvic.Kjo qenie më trembi tepër kur brofi mbi dorën time dhe pasi më nguli thonjtë gjer në palcë, u tulat pas dorës sime dhe aty, i ndjeva një lagështirë të ndryrë të shpifur. Bëra ta heq, ta shkul andej me neveri e tmerr… Nuk lëziste fare;- përkundrazi u ngjesh më keq i lagësht, i pisët dhe i sëmurë- një handikap.I thashë ik, ketër, ik….ik, ik, ik…Dhe e shtyva me dorën tjetër me sa fuqi që pata e pasi që ai u shtriq e mori formën e dorës sime e prapë s’u shqit, por shprëngoi thonjtë më fort, e thellë e më thellë , (thonj që sikur më prekën shpirtin e ma çorrën), e kapa me dorë dhe bëra ta tërheq që të m’i shkulte thonjtë prej kockave të mia që po më dhimbnin tmerrësisht.M’u desh të përmbaja neverinë për të prekur atë kafshë, atë….breshkë… të sëmurë….breshkë kanalesh…atë mi… atë ketër gjoja…Ai briti me dhembje.
-Ku do të më lësh mua???????????? Si do të më lësh ti mua????????????????
Nga habia dhe nga dhimbja e tij nuk m’u duk më aq i neveritshëm. Trupi i tij me rrudha si trupi i breshkës pa guackë u bë si një pikëpyetje, -ai gjoja bisht iu tromaks.
-Hë……….siiiiiiiiiiii
iiiiiiii?????????????-qau ai. Qau fort.
Vërtet, ku ta lë unë këtë, si ta lë unë këtë… thashë.
-Ketër,-i thashë….po unë nuk po të lë.
-Po unë jam i sëmurë…..qau ai, si mund të lihem i sëmurë kështu…???????????
-Nuk po të lë. Nuk po të lë. Unë nuk të lë.
-Së paku të më kishe çuar tek doktori, tha ai! Së paku…..
dhe thonjtë e tij dolën nga mishi im krejt lirisht e pa dhembje dhe ai sikur u zhbë, apo iku nga kopshti matanë andej nga ia kishte behur.
-Ketër, ketër…hajdeeeeeeeeee! –bërtita e dëshpëruar dhe e braktisur dhe bëra ta kërkoja e u ktheva në kopshtin e pasëm. Po aty aromat u bënë lule kacavjerrëse dhe blegërimat trungje me gjemba dhe kaq të dendur u bënë Polipët e gjaprërinjtë, saqë s’e gjeja dot ketrin tim.
-Po ku jeeeeeeeeeee? Do të të çoj tek doktori…. do të të marr do të të mbaj për vete…Ketër, kuu jeeeeeeee?
Ndonëse nuk e gjeja e s’kisha si e gjeja gjëkund pasi ajo xhungël e vogël sa vinte e dendësohej, pata përshtypjen se ai ishte qetësuar krejt ngaqë mori këtë përgjigje dhe ngaqë isha unë që po e kërkoja tashmë dhe se deformimi gjenetik i kishte ikur disi dhe se një ditë, sapo t’i dilte inati e të kënaqte kapriçon duke shlyer fyerjen që iu bë, patjetër do të brofte sërish andej nga ferrat e stërgjata ku u zhduk.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...