Nga: Sevdije REXHEPI
Përsëri marr krahët e fluturoj atje ku së pari fluturoi shqiponja, çdo herë me bindjen se do të jetë i fundit shtegtim. Më vonë e kuptoj se kalkulimi që bëj s’është aspak i saktë dhe se kjo rrugë mbetet edhe më tej e parafundit.Nën një atmosferë të këndshme që zgjatë për pak ditë, i kthehesh normalitetit, një bote tjetër që të mungon në çdo çast, një botë e qetë dhe me ngjyra. Për një moment mundohesh të jesh pjesë e saj, me risitë, të mirat e mangësitë dhe e çdo gjëje që ka ndodhur në mungesën tënde.Numëron miqtë që ikin dhe të tjerët që janë të zënë nga rutina dhe politika, e disa sosh brenda kohës sa të nevojitet të pish një makijato, presin me kërshëri të përshkruash pëditëshmërinë në një zonë lufte, mbi të gjitha duan t’a kuptojnë si në shaka se sa përmban një 30 ditësh në plikon e bardhë, pa hyrë fare në detajet që kanë të bëjnë më shumë me peripecitë, ajo që ka rëndësi, frymëmarrja e lirë e bashkë me të edhe vazhdimësia e ëndrrave të ndërprera?Dhe Ti qeshesh me hapësirën që të lënë, për të bërë pastaj një përshkrim aq të gjatë të asaj që i ngjet tregimeve të gjyshërve tanë për luftërat e tyre klasike. Natyrisht makjatot vazhdojnë të gëlltiten njëra pas tjetrës përderisa të shuhet bile pak kureshtja që lexohet lehtë në fytyrat e tyre, megjithatë flas dhe buzëqesh njëkohësisht se edhe buzëqeshja është një mënyrë e veçantë e përgjigjes.Përkundër anomalive që sheh në atdhe të lulëzon ndjenja, bëhesh pjesë e gjallërisë dhe kënaqesh me peizazhe që të mungojnë, zhurmë rinie dhe lojë fëmijësh nëpër rrugëngushtat e vendlindjes. Kokëmbështetur në dritare, mendimet lëvizin nëpër vija të gjata tek lidhin qytetet e fshatrat. Bëhesh pjesë e pafundësisë dhe e sheh që Atdheu është shumë i madh, por që mund t’a fusësh në zemrën tënde e t’a marrësh me vete. Ofshama të del nga thellësia e shpirtit si një ëmbëlsi e jashtëzakonshme, se fjalët nuk mjaftojnë të të shprehësh lavën shpirtërore. Ti sheh veç të bukurën që të plotëson çdo ind të qenies sate.Në kryeqytet, si përherë gumëzhin jeta dhe e sheh vërtetë se sa shumë momente të rrëshqasin nëpër kohë për të mos i kapur më kurrë. Fundja Jeta përbëhet nga Momentet apo jo?Tek ecë bulevardeve të kryeqytetit sheh studentët e gjallëruar, njëri mbase ngutet për ligjërata, tjetri sot do të ketë provim, seç u bëra pjesë e vrulleve të tyre në çdo lëvizje. Isha e lumtur për ta se ecnin me hapa të lehtë, mësojnë lirshëm, nuk e kanë frikë nëse kanë indeksin me vete. Dikur sa e sa u grisën hiç pa faj, jo nga lagështia e kohës por ngase ishin shkruar shqip dhe se aty qëndronte alfabeti i së ardhmes.Mbrëmjeve bëhesh dritë neoni për t’a ndriçuar Prishtinën në zemrën tënde, asnjëherë dritëthyer, betohesh në krahët e saj, se është ajo dritë e syve të tu, të mi, të saj. Ngjitesh me teleferik dëshirash e cep më cep i bie Prishtinës, pastaj të kthehen kujtime të brishta dhe sheh se sa ka ndryshuar, ke ndryshuar edhe ti përveç kujtimeve që kacavjerrën nëpër shkallët kohës.
Qëndrimi në një vend lufte mbase të ngrit në shtat palë qiej për të parë dhe ndier sa të rëndësishme janë të gjitha këto, mbase edhe gjërat më të imta. Një udhëtim me autobus bashkë me njerëz të panjohur duke lexuar çdo fytyrë në mënyrë të heshtur, një kafe me mikun, miken, një takim befasie, një fllad mbrëmjeje apo zëra fëmijësh dhe pa dashje i krahason të gjitha këto me makina të blinduara, shtëllunga pluhuri, zhurma që përsëriten, alarme të pa pritshme, shkretëtirë të pafund. Përkundër të gjithave, ti me çdo kusht krijon një oazë të pashtershme brenda teje për të vazhduar më tutje të frymosh, duke i vënë vizë çdo date që ikë dhe thua: I falem Atij.Në këtë kopsht të vjetër të bëhet se vërtetë dëgjon pëshpërima perëndish e kohërash dhe të çon peshë historia. Çuditërisht futesh nëpër rrugë labirinte dhe kërkon të vërtetën, që as Gilgameshi s’mundi t’a gjej dot. Vazhdojmë e frymojmë ilirisht mes popujsh të tjerë, në një skaj të largët, të zjarrtë nga diell e luftë dhe jeta të ngjan në lojë bixhozi.Ditët ikin dhe i merr era për të mos i kthyer asnjëherë të njëjtat. Më tutje ti numëron orët për të arritur përsëri aty ku jeta ka tjetër kuptim. Gjatë tërë rrugës mendja bredh pa pra duke mbledhur kujdesshëm copëzat e shpërndara nëpër stacione të botës gjersa zemra ende rrah me ritme të shpejta.Edhe më tej mbetet Enigmë udhëtimi i ardhshëm për në atdhe, atje ku ndihesh gjallë, ku gjithçka përqafohet prishtinçe. Atje ku Kosova përkund ëndrrat tona dhe lexon pa fjalë mëngjeset nën qepalla stinësh.