2011-07-05

SPECIALE E DITES: Në trembëdhjetë vjetorin e Betejës së Loxhës

Në trembëdhjetë vjetorin e Betejës së Loxhës


NJË BETEJË E FITUAR NËN UDHËHEQJEN E PROFESIONALIZMIT TONË USHTARAK
 

 
Shkruan: Naim Kelmendi

Kjo betejë ishte një tmerr për forcat serbe, ngase kështu forcat e armikut për herë të parë  hasin në një rezistencë të organizuar në nivelin e profesionalizmit ushtarak.
 
Pas humbjeve të armikut në këtë betejë, vjen edhe deri tek ndërrimi i kreut ushtarak në radhët e armikut. Eshtë dëshmitare edhe popullata shqiptare, që ka pohuar se ushtria armike, pas humbjes së betejës, kishte filluar të tërhiqej, duke dalë mbi Tabje të Pejës, për t’u vendosur në pozicionet e tjera.
 
 
 Njëherit, në infomacionet e para të mediave serbe, ishte pohuar se, gjatë natës së 5 korrikut, grupet diversante të UÇK-së, ishin shndërruar në një ushtri të rregullt, dhe sipas këtyre pohimeve serbe, ishin diku deri tre mijë ushtarë në sulm.
 
 Ky ishte paniku i ushtrisë armike, që kishte krijuar një pikëpamje të tillë, pas humbjes në ndeshjen me profesionalizmin e forcave tona në udhëheqjen e kësaj beteje. Kështu, shihet për herët të parë se si vepron njësia operative, në bashkëveprim me njësitë e mbrojtjes territoriale dhe të mbrojtjes civile. Pra, këto tri komponente ishin të bashkëdyzuara në kryerjen e kësaj beteje.
 
Që në fillim, duhet ta themi hapur se në betejën e Loxhës, më  5 korrik 1998, nën udhëheqjen e kolonel Tahir Zemaj, së bashku me eprorët profesionistë ushtarakë, u shënua beteja e parë serioze në përballje me forcat ushtarake të shkieve.  Kjo ishte një betejë me bujë e ushtarëve të lirisë. Këtu iu dha mësimi i parë  forcave të armikut.
Ata nuk kishin të bënin si më përpara në disa raste, kur ndesheshin me grupe që gjuanin kundër tyre nga larg, dhe iknin duke e lënë popullësinë nën mëshirën e „tigrave të Arkanit“ dhe kriminelëve të tjerë të policisë  dhe ushtrisë së shkieve, por patën ndeshjen me forcat e rregullta të UÇK-së, që udhëhiqeshin nga eprorët profesionistë.
 
Pikërisht në Loxhë shkiet panë me sytë e tyre se çka do të thotë të ballafaqoheshin me forca të organizuara, të përgatitura ushtarakisht dhe të drejtuara me profesionalizëm. Në betejën e Loxhës, nga ana e luftëtarëve të UÇK-së, kanë marrë pjesë rreth 170 ushtarë  shqiptarë të brigadave 131 e 134 dhe të njësive të mbrojtjes territoriale të fshatrave Loxhë, Baran, Kryshec, Broliç, Prapaçan, Isniç, Gllogjan, Dubovik dhe Strellc i Ulët. Në këtë betejë, përpos këtyre njësive operative dhe brigadës 134, morën pjesë luftëtarët e mbrojtjes territoriale të këtyre fshatrave, me komandantët e tyre.
Tahir Zemaj
 
 Eprorët që kanë marrë pjesë, në fillim kanë qenë: Nazif Ramabaja, Esat Ademaj dhe Faruk Xhemajli. Këta të tretë, me 60 ushtarë, i ka dërguar komandant Tahir Zemaj, pas marrjes së lajmit nga komandant Shaban Shala, se Loxha ishte sulmuar nga forcat serbe, dhe se këto forca armike kishin hyrë deri në gjysmë të fshatit. Pjesa dërrmuese e popullatës,  në krye me njësitë mbrojtëse territoriale të fshatit Loxhë, kishin filluar të tërhiqen. Komandant Zemaj  mëson nga komandant Shaban Shala se ushtarët tanë në momentet e këtij sulmi nuk kishin asfarë rrugëdalje ta mbronin Loxhën, dhe  bën tërheqjen. Kjo i bëhet e ditur komandant Zemajt, përmes një personi të deleguar nergut për këtë.
Aty është pajisur batalioni i pare, në krye me eprorin Nazif Rambajën dhe dy të  cekurit më lart.  Për komandantin Nazif Rambajën ishte tejet e vështirë, ngase gjendej në një terren tejet të panjohur, pastaj nuk kishte njohuri të duhura deri ku ishte i fortifikuar armiku. Për këtë edhe i kanë ndodhur humbjet e para, pra, ka humbur një ushtar dhe një epror është plagosur, për arsye se nuk ka qenë detajisht i njoftuar  se ku gjendet armiku. Po ashtu, terreni ka qenë i panjohur për të, por ai, megjithatë, ka vepruar me sukses të lartë. Armiku, duke parë se ishte ndeshur me forca të organizuara në mënyrë profesionale,  menjëherë kërkoi ndihmë nga anë të tjera të ushtrisë së vet.
 Gjithashtu komandant Ramabaja, duke parë forcat e armikut që i vinin në ndihmë ushtrisë së tyre,  menjëherë me anë të korierit informon z.Tahir Zemën, dhe kërkon ndihmë prej tij për ta udhëhequr betejën e Loxhës. Komandant Tahir Zemaj arrin aty kah ora 13. 00, më 7 korrik  1998, dhe prej aty fillon komandimi i kësaj beteje nën udhëheqjen e tij. Forcat e ushtrisë terroriste serbe kishin sulmuar Loxhën nga drejtimi Pejë-Dardani dhe njësitë paramilitare nga drejtimi i fshatit Gorazhdec.
 
Në fillim, në fshatin Loxhë ishin edhe tri shtëpi shkiesh, që ishin të fortifikuara me sasi  armatimi. Komandanti i shtabit të Loxhës ka dërguar dy persona tek ato dy shtëpi për të biseduar me shkiet që  të mos vinte deri tek shkëmbimi i zjarrit, dhe që të mos i futnin aty forcat paramilitare serbe. Sikur çdo herë tjetër, shkiet kishin tradhtuar edhe në këtë rast. I kanë mbajtur peng ata dy persona. Më vonë, këta u dorëzohen  ushtrisë sonë, ndërsa, kur komandant Zemaj  vërteton  se me të vërtetë këta dy persona  kanë qenë të dërguar nga shtabi i Loxhës,  bën lirimin e tyre. Për këtë, ekziston komplet dosja e këtij rasti.
Humbjet e armikut serb në betejën e Loxhës ishin të konsiderueshme. Sipas kolonel Tahir Zemajt, ishin katërmbëdhjetë trupa të vrarë, ndër ta inspektorë të lartë policie, që nga kryeshefi e deri te polici më i thjeshtë, pra specialistë për luftë, si snajperistë etj. Me një fjalë, ishin terroristë të specializuar për kryerjen e terrorit. Ka gjasa se një pjesë tjetër  të vrarësh  nga radhët e armikut, janë tërhequr  deri në ora 13. 00, ndërsa pjesa tjetër që ka mbetur në luftime, është asgjësuar  deri në orët e para të mëngjesit.
 
 Mund të thuhet se në këtë betejë kontribut të madh kanë dhënë edhe trimat e Baranit, ata të Dubovikut etj., të cilët kanë bashkëvepruar me njësitë operative deri në ora 13. 00. Kjo gjë njëherit edhe ia kishte lehtësuar shumë punën kolonel Zemajt, që të luftonte më lirshëm, ngase nga ajo anë ishte mbrojtur, dhe kështu armikun e kishte përballë. Duhet pranuar se beteja e Loxhës ishte beteja e parë që armiku serb ishte sulmuar drejtëpërdrejtë nga forcat tona të rregullta.
 
Kjo ishte edhe epërsia e kësaj beteje, ngase armiku ishte në gjendje mbrojtjeje, ndërsa ushtria jonë kishte sulmuar dhe kjo komponentë, sipas rregullave luftarake, është e një rëndësie të veçantë. Në betejën e Loxhës, përpos luftëtarëve  tanë trima, është shquar edhe  trimëresha, e quajtur Shema, e që me vëllezërit e vet, kishte luftuar me pushkë në dorë, me një trimëri të rralë deri në ora 20.00 të mbrëmjes. Pas kësaj kohe, ajo ishte tërhequr, kuptohet me urdhër të bazës, dhe kishte përgatitur ushqimin për treqind luftëtarë deri në ora 2 të mëngjesit, kur edhe përfundoi beteja. Kontributi i kësaj trimëreshe mbetet kurdoherë i rëndësishëm për atë çka ka dhënë në këtë betejë.
Në Betejën e Loxhës, nga ana e luftëtarëve tanë, mbetën të vrarë Rrustem Bruqi nga fshati Isniç, ish-bashkëveprimtari i Salih Çekajt- Lumni Surdulli, epror nga Vushtria, dhe Enver Alaj nga Drenoci.
Luftimet në këtë betejë janë zhvilluar në afërsi edhe deri  në 5 metra. Lufta zhvillohej edhe nëpër shtëpia. Ajo ishte frontale, por edhe me elemente të  kombinuara. Këtu, sipas kolonel Zemajt, janë kombinuar sulmet që aplikohen në shtëpi, në fshat dhe në qytet. Për këtë, edhe suksesi i kësaj beteje ishte i pashmangshëm, ndërsa forcat armike pësuan humbje të turpshme.
 Në Betejën e Loxhës, për profesionalizmin e tyre  ushtarak, janë dalluar: Nazif  Ramabaja,  eprori trim -Fadil Hadërgjonaj,  eprori nga Peja- Faruk Xhemajli, etj. Është  interesant të ceket se me një rast urgjent, një grua serbe iu kishte lutur eprorit tonë që  të mos e vrasë. Ky e fal  shkinën, dhe e lejon që të hyjë në shtëpi, jo për tjetër, por për  humanitetet. E njëjta shkinë, kur ka hypur në katin e dytë, arrin që nga atje ta plagosë tepër rëndë eprorin Faruk Xhemajlin. E njëjta shkinë më pastaj lejohet që me dy fëmijët të ikë prej andej. Edhe kjo, jo për tjetër, por sipas kolonel Zemajt, nuk është lejuar të bëhet masakër në  shkiet civilë, fëmijë, pleq, gra  etj.,  ngase, siç thotë ai, „edhe Zoti nuk do të na ndihmonte të bënim masakra, ashtu siç bënin shkiet mbi njerëzit tanë..“.
 
Një rol të rëndësishëm kishte luajtur këtu edhe marrja e dy radiolidhjeve nga armiku, nga ana e ushtarit Rexhep Shala nga Duboviku. Përmes këtyre radiolidhjeve, përgjoheshin hapur bisedat e komandantëve të armikut. Kështu dihej hapur për planet  dhe ndërmarrjet e tyre hap pas hapi.
Për t’u hakmarrë për humbjet e pësuara në Betejën e Loxhës, armikut iu desh të bënte një përgatitje thelbësore të njësive operative ushtarake. Prandaj, për herë të parë  Loxha u sulmua edhe me aviacion-aeroplanë luftarakë  të tipit „Jastreb“ dhe „Orao“.  Këtë e bënë pas dy muajsh për ta rrafshuar Loxhën.
 
Duhet të thuhet se një pjesë dërrmuese e luftëtarëve tanë nga brigada 131 e 134, që morën pjesë me heroizëm në Betejën e Loxhës, morën, po ashtu, pjesë më vonë edhe në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Edhe gjatë bisedave që kam bërë me atë  që e filloi këtë betejë, eprorin Nazif Ramabajën, dhe me atë që e udhëhoqi dhe e mundi armikun serb në këtë betejë, kolonel Tahir Zemën, kjo do të ishte esenca e zhvillimeve të kësaj beteje, e që mbetet ndër betejat e suksesshme nën udhëheqjen e eprorëve tanë profesionalistë, të cilët, po të ishin të përkrahur nga krahu tjetër i UÇK-së, që këtë profesionalizëm e përjashtoi duke e injoruar, me siguri se do të kishim edhe përplot beteja të fituara, dhe humbjet e armikut serb do të ishin shumëfish më të mëdha, pasojat dhe dhimbjet tona do të ishin më të vogla.
 
 Prandaj edhe në këtë përvjetor, të trembëdhjetin e kësaj beteje, dhe tash pa kolonelin e saj, të madhin ushtarak, kolonel Tahir Zemajn, kujtesa ndaj saj, vetëm se reflekton më fuqishëm dhe më me respekt për aureolën e lavdisë në kujtesën tonë historike, si pjesë e luftës për çlirimin e Kosovës. 

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...