2011-07-09

Depresioni…


Nga: Suzana  KUQI

Kur u ktheva në shtëpi dhe thashë se mjekja më kish thënë se përveç problemeve të tjera isha dhe ca e depresuar, e ndërkohë që thosh këto fjalë kish nxjerrë nga rafti i saj një kuti ilaçesh, më kish rrasur në njërën pëllëmbë një tabletë dhe në tjetrën gotën e ujit duke këmbëngulur ta mirrja aty në sy të saj… dhe e gjitha kjo…… e gjitha kjo më bëri të dilja e trullosur nga studjoja e saj. Vërtet, kish nja dy ditë që më merreshin mendtë e nuk më ndahej të pështjellët në stomak, por ai pështjellim mori formën e centrifugës…
Avash, avash… dhe unë sa i zmadhoj gjërat…
… le të themi se më rrotullohej aq sa më lejoi të kthehem shëndoshë e mirë në shtëpi pasi i rashë nja dy herë rrotull tregut, e meqë isha në temë… kisha dëgjuar se të blerit e diçkaje për vete ndikon në ngritjen e humorit e nxjerrjes nga depresioni, ndaj i mora lejë vehtes dhe i lejova dy fustane… leshi… është dimër apo jo… Ah, harrova të them, ja shkëputa edhe një javë pushim mjekes…
… je në vehte ti, me dhimbje kurrizi e kisha provuar të shkoj në punë, madje pa bërë naze, por me depresion…
…Jo kjo ishte gjë e re e nuk ma mbante… e pastaj…
… pastaj… doja ta shijoja… më falni… ta vuaja deri në fund!
E meqë dihet se si mund të jenë të depresuarit… madje të depresuarit taze si puna ime… jua përplasa në fytyrë atyreve të shtëpisë sime, pa mëshirë e me një lloj dufi… fundja nëse kisha arritur deri këtu e kishin fajin edhe ata apo jo… e për më shumë që as e kishin vënë re se mua më kish ikur fare dëshira për të bërë punë, (kjo sipas mjekes ishte një nga simptomat e sëmundjes), e për më tepër kur flitet për ato që i bëj përditë për sa kohë kam kujtesë… e që më rëndojnë aq shumë sa nganjëherë kur kap fshesën apo leckën në dorë… më duket sikur kam treqint vjet që i bëj e më duket vetja katërqind vjeçare… paçka se kur ulem në kompjuter ndihem kalama… por fundja se mos kam faj unë, dhe interneti nuk është se ka shumë kohë që ka lindur…le të mos flasim për facebook-un…
… facebook… është i gjithi një… univers… tjetër.
E kësaj i thonë të të gënjejë mendja… shkoja me shpresë se atyre do t’u bënte ndopak përshtypje kjo e të ndryshonin mënyrë… se çfarë as unë nuk e kisha të qartë se ç’doja, ama diçka prisja, të paktën të më shikonin si të sëmurë sepse nuk më kanë parë kurrë të sëmurë tamam, si përshembull të kem temperaturë e të zë shtratin… temperatura… kam bindjen se ka frikë nga mua… më ikën, më shmanget edhe kur e kërkoj dhe e mas. Nganjëherë më gënjen mendja se mos kushedi… vë termometrin… jam e mbushur me kollë e të dridhura… ju betohem, nuk e arrin tridhjetegjashtën…
Dikush do të thotë… të jesh e sëmurë duhet të paktën të kapësh tridhjeteshtatën… as që bëhet fjalë atë kufi e kanë çuar tridhjeteshtatë e tre…
Një ditë guxova e gënjeva shefen se gjoja një natë më parë e kisha patur tridhjeteshtatë e gjysëm…
- “Pse temperature është tridhjeteshtatë e gjysëm” ?!- m’a shpërfilli ajo.
Nejse të kthehemi tek lajmet e reja:
-”Jam e depresuar”!
-”Mjekja këmbënguli të marr antidepresiv, madje ma dha me dorën e saj e nuk m’u shqit derisa e mora”!
Mendova se kjo gjë do t’i tromakste… asnjë muskul fytyre nuk i lëvizi familjes sime. Im shoq ktheu faqen e gazetës, ime bije u vu të bëjë kafetë, im bir mori të dilte nga dhoma:
- “E merrni vesh se jam e depresuar”?
- “ E kush nuk është, edhe qenin po ta çoj ta vizitoj tek veterineri me siguri do të thotë se është i depresuar”, – ma ktheu ai.
E pashë një moment… ish ca më i gjatë se një moment ai në të cilin nuk ja ndava sytë syve të tij, por nuk i lëvizi qerpiku derisa shikimi m’u lodh dhe e lashë të lirë. U zemërova e desha… të grindesha në fakt por shpejt u kujtova se isha e depresuar e kjo vetëm do ta rëndonte gjendjen time por më tepër më erdhi keq për ata. C’faj kanë të shkretët se gruaja e mamaja është e depresuar, përse duhet t’ua shkatërroj jetën edhe atyre? Do t’i bie shkurt, nuk do të kap asnjë punë me dorë në shtëpi e ta shohin se… Mora një libër e u shtriva të lexoja. As tre rreshta e gjysëm e më zuri gjumi top… e çfarë gjumi…
Kur u zgjova kishin dalë të gjithë… je në vehte, kur fle pasdite çohem hundë e buzë kur nuk jam e depresuar, imagjino kur të tillë më kanë shpallur zyrtarisht… Pjatat më prisnin në lavapjatë, rrobat për t’u nderë, qeni… qeni më sillej rrotull duke më bërë festë… a thua sapo isha kthyer nga ndonjë univers tjetër… i shkreti, kur do të dalë nuk ja var njeri… e lënë aty… e shpesh të them të drejtën më rëndohet edhe mua, por kur mendoj se atë fshikëzën e urinës duhet ta shkarkojë se s’bën diku, del apo nuk del… i vë rripin dhe e nxjerr me vrap… Pra i lashë të gjitha e nxorra qenin e kur u ktheva bëra pikë për pikë të gjitha ato punë që nuk bënin tjetër veç më rëndonin depresionin…
Pastaj, vonë në mbrëmje thashë të hap internetin e të merrja vesh mirë se në ç’provë më kish vënë jeta kësaj here me këtë sëmundje. Nuk ishte dhe aq për t’u shqetësuar, kurohej, madje plotësisht e në një kohë të shkurtër, kështu thosh ai publiciteti i artikullit të rastit, mjaft t’u drejtoheshe atyre qendrave të specializuara… por dreqi e di se sa para të marrin ato… hë për hë thashë të krijoj një ide pak a shumë se ç’është…
Jo, jo nuk bëhet fjalë, lista ishte shumë e gjatë… e gjatë… e gjatë…
Me qetësi e durim fillova t’i lexoja një e nga një…
Nuk e di nëse e keni lexuar “Tre veta në një barkë”… unë e kam lexuar në rininë time… e nëse e mbani mend atë pjesë kur ai tregon se kish shkuar në bibliotekë e kish marrë një libër mjekësie ku sëmundjet rradhiteshin sipas alfabetit… e dora dorës që lexonte simptomat e sëmundjeve bindej se i kish të gjitha e vuante prej tyre… e se ish ofenduar që i mungonin vetëm dhimbjet e lindjes… helbete sepse ishte mashkull…
Dhe unë… i kisha dhe vuaja nga të gjitha simptomat e shqetësimet e të gjitha sëmundjeve që kishin të bënin me depresionin… madje atë të thellë… ani se atë idenë e vetëvrasjes nuk e kisha çuar kurrë ndër mend… e kjo të them të drejtën më shqetësoi shumë sepse diku kam lexuar se ata që tentojnë të vrasin vehten një herë e … nuk ja dalin… tentojnë të vetëvriten prapë e prapë nuk ja dalin… përkundrazi ata që vetëvriten vërtet janë ata që nuk e kanë menduar kurrë dhe ajo ide i kap në befasi e…
…dreq o punë… këtë kurrë nuk e kisha menduar…
Jam në rrezik!
Brrrrr… Rrrr… Rrrrez… Ik… Ik… Ik…
Ika dhe unë… padashur imagjinata ime prej të depresuari të pashpresë lëvizi vrullshëm sa tek parmakët e urës, sa në binarët e trenit, sa tek prizat e korrentit, sa tek damarët, sa tek kutitë e ilaçeve e sa e sa… Zot i madh, kurrë nuk e kisha menduar se sa të shumta ishin mënyrat për t’ja hequr fillin vehtes… aq sa u lodha duke i numëruar ndaj…
…e braktisa, e lashë fare këtë punë. Fundja ma ceku një herë mendjen në imagjinatën time e nuk më pëlqeu aspak, ama them se më mjaftoi të vaksinoj trurin… Tani për tani e vendosa ta pres vdekjen kur të më vijë, nga pleqëria në shtrat.
Pastaj po ajo tjetra… se gjoja duhet të më vriste ndërgjegja se ju jam bërë barrë familjes e vuajnë për shkakun tim… përkundrazi, po të mos jem unë… aq sa them: “Zot më jep jetë shëndet t’u shërbej, e… shumë e shumë durim.”
I lexova dhe i rilexova disa herë, megjithëse stomaku më pështillej, duart më dërsinin, herë mornica më kalonin nëpër trup e herë plasja vape, ndërsa mendja më rrotullohej e rreshtat hidhnin valle para syve të mi… Jo, jo, të gjitha këto ishin shenja depresioni… të cilat unë i kisha pasur të fshehura ndënë lëkurë ka rrezik që kur kisha lindur e nuk e kisha ditur, e me ato dy përjashtime të vogla që përmenda më sipër… i kisha gati të gjitha llojet depresioneve… madje dhe ato të fëmijërisë e adoleshencës… se mos vetëm unë, asnjë që njoh nuk i shpëtonte atyre…
… shkurt jemi të gjithë të depresuar…
… botë e depresuar…
… aq e depresuar sa papritmas më nisën të prera të forta në bark e stomaku m’u ngrit me forcën e një vullkani… vrapova në banjë… e vetëm atëherë më erdhi ndër mend se në ambjentin e punës sime kish ditë që qarkullonte një virus intestinal, të cilit kisha menduar se i kisha shpëtuar…

BREJTJE


Nga: Viola  ISUFAJ

(Përpara se të bija në gjumë të thellë, i pata thënë se do t’i ikja për fare në një nga këto ditë. U bëra dhe tepër e bukur- këtë ma tha ai. I ngriti sytë nga tavani, siç ishte shtrirë, dhe me nje përlotje që ndoshta dhe s’ishte, tha: nuk kam asnjë peng.) Kështu ndodhi që në anën e pasme të kopshtit të gjyshes, aty ku gjithherë kanë buluar lule, ngjyra e ferra bashkë, aty ku zukatja e grerëzave vërtitej mbi blegërimin e qengjit dhe këngën e gjelit, ia behu një ketër që u zhyt në dorën time e m’i nguli thonjtë dhimbshëm thellë e më thellë në mish, derisa shpuan kockën.
Ai vetëm ketër që s’ishte, ose më saktë ishte një ketër me deforme gjenetike. Ishte breshkë ose mi, ose “Furetto”- ajo kafsha-Qelbës, që më ishte fiksuar si italiane (se ashtu më thanë kur ma sollën) dhe që humbi në të njëjtin kopsht.Pra, ishte një qenie që sikur kish lindur nga eksperimenti, ose ishte torturuar në Aushvic.Kjo qenie më trembi tepër kur brofi mbi dorën time dhe pasi më nguli thonjtë gjer në palcë, u tulat pas dorës sime dhe aty, i ndjeva një lagështirë të ndryrë të shpifur. Bëra ta heq, ta shkul andej me neveri e tmerr… Nuk lëziste fare;- përkundrazi u ngjesh më keq i lagësht, i pisët dhe i sëmurë- një handikap.I thashë ik, ketër, ik….ik, ik, ik…Dhe e shtyva me dorën tjetër me sa fuqi që pata e pasi që ai u shtriq e mori formën e dorës sime e prapë s’u shqit, por shprëngoi thonjtë më fort, e thellë e më thellë , (thonj që sikur më prekën shpirtin e ma çorrën), e kapa me dorë dhe bëra ta tërheq që të m’i shkulte thonjtë prej kockave të mia që po më dhimbnin tmerrësisht.M’u desh të përmbaja neverinë për të prekur atë kafshë, atë….breshkë… të sëmurë….breshkë kanalesh…atë mi… atë ketër gjoja…Ai briti me dhembje.
-Ku do të më lësh mua???????????? Si do të më lësh ti mua????????????????
Nga habia dhe nga dhimbja e tij nuk m’u duk më aq i neveritshëm. Trupi i tij me rrudha si trupi i breshkës pa guackë u bë si një pikëpyetje, -ai gjoja bisht iu tromaks.
-Hë……….siiiiiiiiiiii
iiiiiiii?????????????-qau ai. Qau fort.
Vërtet, ku ta lë unë këtë, si ta lë unë këtë… thashë.
-Ketër,-i thashë….po unë nuk po të lë.
-Po unë jam i sëmurë…..qau ai, si mund të lihem i sëmurë kështu…???????????
-Nuk po të lë. Nuk po të lë. Unë nuk të lë.
-Së paku të më kishe çuar tek doktori, tha ai! Së paku…..
dhe thonjtë e tij dolën nga mishi im krejt lirisht e pa dhembje dhe ai sikur u zhbë, apo iku nga kopshti matanë andej nga ia kishte behur.
-Ketër, ketër…hajdeeeeeeeeee! –bërtita e dëshpëruar dhe e braktisur dhe bëra ta kërkoja e u ktheva në kopshtin e pasëm. Po aty aromat u bënë lule kacavjerrëse dhe blegërimat trungje me gjemba dhe kaq të dendur u bënë Polipët e gjaprërinjtë, saqë s’e gjeja dot ketrin tim.
-Po ku jeeeeeeeeeee? Do të të çoj tek doktori…. do të të marr do të të mbaj për vete…Ketër, kuu jeeeeeeee?
Ndonëse nuk e gjeja e s’kisha si e gjeja gjëkund pasi ajo xhungël e vogël sa vinte e dendësohej, pata përshtypjen se ai ishte qetësuar krejt ngaqë mori këtë përgjigje dhe ngaqë isha unë që po e kërkoja tashmë dhe se deformimi gjenetik i kishte ikur disi dhe se një ditë, sapo t’i dilte inati e të kënaqte kapriçon duke shlyer fyerjen që iu bë, patjetër do të brofte sërish andej nga ferrat e stërgjata ku u zhduk.

METAFORË


Nga: Mirela  PETALLI – KAPAJ

Jam e shqetesuar. Ndjehem sikur duhet te marr nje vendim. Po s’me kujtohet per cfare. Shtyrjet jane zvarranike, oh, as emrin nuk dua t’ua permend…Ka here qe dua te jem e padukshme, kam nje deshire te tmerrshme jo te zhdukem, po te jem e padukshme, krejt tjeter gje! Pastaj, here te tjera dua te zhdukem vertet, mosekzistenca cfare eshte? Per te plotesuar tablone, vjen dhe frika se vertet jam e padukshme, e padegjueshme, e paverejtshme. –Ouuu, jam ketu!Kot them, as e kam idene si eshte boshlleku. Vetem nese trazimi qe kam, ndjenja e nauzese, marrja e mendve dhe ndjesia se asgje s’do te ndodhe,pavaresisht se ti pret me frike qe dicka te ndodhe, vetem nese eshte ky boshlleku ose emri qe ka mbetur pa objekt percaktues.Luftoj me metaforat. I urrej metaforat. Ato me vijne ne koke e me ulerijne: -a nuk e sheh qe je vete nje metafore?Boshlleku eshte nje metafore. Une rrotulloj prej ditesh ne koke nje grup fjalesh te rastesishme:” boshlleku eshte plot”. Qe prej kur ky grup fjalesh me perdhunon mendimet kohe e pa kohe, as arrij te shkruaj , as te mendoj. Kush tha qe shkruaj, nje here?Tani qe kam nje “fajtor” edhe pse eshte nje grup fjalesh, ndjehem me mire. Mund te pervesh menget e te luftoj. Hmmm, perzereni Don Kishotin nga mendja, sot nuk eshte rradha e tij.Nuk e di pse me vjen ti drejtohem dikujt, disave, te gjitheve…Me siguri kjo ka te beje me faktin se ndjehem e zhvendosur; dikush ose dicka me levizi nga vendi im i gjithhershem, i sigurti, i ngrohti, i bukuri, i ndricuari vendi im. Nuk ka nevoje besoj te them me shume per vendin; eshte ai qe te gjithe kerkojme ta kemi, madje arrijme deri aty sa te genjejme veten se e kemi. Cudi; me dhemb me shume qe me kane levizur nga ky vend imagjinar se sa po te me kishin levizur, fjala vjen, te me ulnin ne detyre dhe te me pakesonin rrogen.Ky eshte nje akt mazokismi, vetevrasjeje. Une dua ta shoh turmen te me versulet, te me qelloje, shkele me kembe, denoje, gjuaje me gure, dua t’i  degjoj tek ulerijne: Ti je nje metafore!Me vjen turp nga protagonizmi im, sinqerisht…Ose, po te perpiqem te jem akoma me e sinqerte, nuk me vjen dhe aq turp…sepse…sepse ndjej qe i vetmi shqetesim qe kam eshte se nuk e di…nuk e kam idene se cfare dreqin dua une, do  ti, doni ju, duan ata….
Po kush jam une, qe te di kaq shume?
Si perfundim, edhe pse eshte shume te pretendoj ti ve nje fund ketij shkrimi pa koke; boshlleku ndoshta eshte dhe plot…
Boshlleku ndoshta eshte dhe plot…per hir te parimit te te kundertave, per hir te ekuilibrit. Po nese nuk ekziston boshlleku? Po nese une e kam vrare boshllekun duke dashur ta mbush, duke dashur te mbush ate qe tashme ishte plot, ishte i perkryer ne plotshmerine e tij?Dhe shkon me tej mendimi im; hapesira e ngushte ku vertitem, e rremujshme dhe kaotike eshte boshlleku im ku une jam prej kohesh, e nuk e ditkam!
Nese nuk ke qene ne anen tjeter asnjehere, si e di ne cilen ane je?
Se kush ka thene qe duhet te shkosh sa me larg malit, aq larg sa syri te rroke kufijte e tij, konturin e tij te plote qe te mund te dish se cfare, se si eshte mali. Por une kam qene brenda malit, kam ecur neper enet e gjakut, kam mberritur deri ne tru, deri ne zemer te malit. Dhe atje, ne zemren e madhe te tij, une e dija se cfare, se si ishte mali. Dhe nuk doja te dilja me, dhe nuk doja te ikja me…Vetem atje mund te ndjesh zoterimin absolut, ti i perket dhe ai te perket ty. Vetem aty ndalon se ekzistuari bota me male te tjere, me te tjere qiej.Mos me pyesni si dilet, si vazhdohet te jetohet pasi ke provuar te jesh brenda malit. As se si shikohet nga jashte, nga larg, me dhimbje qafe dhe shpirti, dhe trupi, dhe lekure, dhe thonjsh, dhe flokesh…si shikohet mali qe te gjithe e tregojne me gisht dhe thone te ekzaltuar” Ja mali! Ne e dime, ne  e shohim kaq qarte!” Por jo. Une nenqesh dhe largohem nga gishti i tyre,nga e kzaltimi i tyre. Sepse nuk e dine qe s’eshte ai qe shohin ata mali, eshte ai qe pata fatin e mrekullueshem ta shoh une nga brenda.Cuditshme me ndodh qe ti njoh, ti dalloj ata, qe si une, kane qene brenda malit, nje ose me shume here. Dhe pasi shkembejme nje shikim, largohemi secili ne rruge te tij; ky sekret eshte shume i bukur, shume i madh dhe i gjalle per t’u treguar, per t’u folur, per t’u shkruar…Sepse une jam nje metafore brenda nje metafore, qe eshte brenda nje metafore, e akoma brenda nje metafore tjeter.Sepse boshlleku eshte plot, nga te dyja anet…s’ka pike rendesie nga cila ane je…shtegu eshte po ai. Dhe, duke qene se dielli leviz, toka leviz, mali leviz..vete levizja mbetet gjeja me e sigurt qe ti njeh…

Dielli i zi


Nga: Ali  PODRIMJA

Kurrë më shumë nuk ishin shitur syza kundër verbërimit se atë ditë dhe nuk ishte folur aq shumë për ditën e kijametit. Ku do të çahet toka më parë dhe ç’do të ndodhë në botën e këtejme. Kishin mallkuar edhe shtetet që kishin tërë ato armë vdekjeprurëse. Sipas tyre, katastrofa mund të jetë shumë e madhe. Sa afrohej dita, njerëzit humbnin durimin, kërkonin vendstrehim më të sigurt. Taxi që më shpuri deri te biblioteka ishte në boshatisje e sipër qyteti. Shoferi preras më tha: pa diell nuk ka gjallesë. Ende pa u dukur ndonjë shenjë, njerëzit kishin filluar të rrëqethen. Pyesnin vazhdimisht se ç’kishte ndodhur para njëqind vjetësh dhe a do të përsëritet ndonjë lëkundje e tokës dhe ku. Për ditën e kijametit thonin se kishin lexuar në libra. Nga duart e lëvizjet e pakontrolluara hetohej ndjenja e frikës. Kjo venerohej edhe nga thyerje të shpeshta të gjërave të çmuara. Rreth meje sa vinin e shtoheshin syza gjithfarë formash e pa kurrfarë shije. Kishte edhe asosh në formë të patkoit të kalit. Pas xhamit të tyre të errët nuk dihej se kush fshihej. Isha ulur në verandën e Belëve. Sytë i kisha bërë katër. Nuk pranoja syza, as mendja nuk më shkonte për to. Isha mësuar me terr. Në vendin tim nuk dinte kush se kur ishte zënë dhe kur do të hapet. Në librin shqip pak gjëra lexoje për këtë ogur. Sytë e mi rrëshqitnin pas shpinës së zhugaftë të hënës. Prisja fundin e diellit ose shfaqjen e Ujit të Madh. Isha pajtuar me të keqen. Udhë nëpër terrin e dendur të vendit tim kishte vite që bëja. Nga ajo veranda dëshiroja të shihja mbylljen e fundit tim; të prekja atë ose të kacaviresha në harkun e zjarrtë, në formë të draprit, që shihej atje mbi buçimën e fortë të Ujit të Madh. Tjetër zgjidhje nuk kisha. Po drapri vazhdimisht tëhollohej, i ngjante vetullës së femrës, që me orë e rregullon para pasqyrës. Në lëkurën time njollat e para, qimet ishin rrëqethur, mërdhica më kishte mbështjellë. Ngadalë rrëshqisja në një botë apokaliptike ndoshta. Më vonë më kishte zgjuar zëri i femrës, e cila ndante syza kundër verbimit. Me një gaz sarkastik ia kisha refuzuar ato. Sytë i kisha endur nëpër xhamin e verandës, i cili errësohej. Ajo kishte tentuar përsëri. Kam dëshirë, zonjë, ta shoh fundin tim. M’i kishte lëshuar syzat në tavolinë, ku nuk e shihja më as filxhanin e kafesë. Padiktueshëm pushtonte kthinat e Belëve dielli i zi. Tërësisht gjendesha në terr. Kisha urdhëruar të mos ndizet as llamba. Me eklipsin tim kombëtar isha mësuar. Ky nuk mund të ishte më i rëndë se imi, që zgjat kushedi sa vjet. Në mes meje e diellit ka mbi njëqind vjet ndoshta që përbindëshi frymon e nuk më lë të shoh se ç’po ndodh tej Malit të Shenjtë; nuk di çfarë drite zbardh, as çfarë ere e rrah faqen tjetër. Gruaja me syza ishte afruar për të satën herë. Kishte prekur sytë e mi dhe ishte larguar fluturimthi, duke pëshëpritur se unë do të verbohesha i pari. Rreth meje shtoheshin fytyrat e fshehura pas xhamit të errët. Unë nuk luaja qerpikun as vendin nga veranda. Sytë më bëheshin se ndritnin dhe se ishin ngjitur për xhamin e errët. Nuk dija ç’ndodhte tej. Isha shkëputur tevona nga ky realitet. Turrevrap isha lëshuar Bllacës. Kërkoja të mitë në turmë. Bregut të lumit kisha parë njerëz. Ngjiteshin lartësive tërë duke bërtitur; shndërroheshin pastaj në zogj të mëdhenj dhe fluturonin dikah. Kërcimet e tyre priteshin me ofshamë. Unë kisha kapur kokën. Mezi merrja frymë në luginën e vdekjes. Një kokëqethur keq kishte kaluar pranë meje. Pëshpëriste duke numëruar diçka me gishtërinj. Ia kisha lëshuar udhën. Kisha prekur çdo pjesë të trupit tim dhe kisha vazhduar kërkimin nëpër turmë. Befas isha shtangur para një trupi të shtrirë. Se ç’bënte gjumë të rehatshëm në një batanije të lagur! Flinte si në lumë. E kisha shikuar përmallshëm, pastaj ca drithmë të tij më kishin trandur. Dikur një shkumë e bardhë ia mbuloi fytyrën e nxirë, që mezi e kisha parë nën dritën e hënës. Nga goja e shtangur iu kishte përhapur edhe në pjesën e poshtme të mjekrës. Ishte ky njeriu i dytë pas Lumit që e shihja të jepte shpirt. Kisha zgjuar tjetrin aty afër dhe njerëzit me maska në fytyra e të veshur në hekur si në përralla të moçme, na kishin hedhur në kokërr të shpinës. E kishin kapur në katër cepa batanijen e qulltë me trupin e pajetë dhe ishin nisur në drejtim të panjohur. Më mirë kështu të shkosh se të dhihesh ndërveti në bodrume, kishte shtuar një i revoltuar dhe kishte sharë: në këmbë dua të vdes, he nënën e nënës… Ia kisha kthyer shpinën turmës. Njeriu që ishte parë pak më parë me kokë ndër duar kisha qenë unë, i cili i kishte sytë plot terr dhe kishte një bukë bajate nën sqetull, largohej përskaj dhomave të errëta, ku i vendosnin ata, që kishin humbur vetëdijen dhe bënin çmos t’ua kthenin kujtesën. Në kthesën tjetër kishin plasur britma grash, fëmijësh. Pehateshin mbi ta njerëzit e hekurt. Dhe, prapë nga shkëmbinjtë ishin parë njerëzit si fluturonin drejt qiellit të përcjellë me gazin e një kokëqethuri keq. Nga duart e mia koka ime kishte vazhduar të rrëshqasë sa nuk më kishte rënë para këmbëve. Isha përplasur për xhamin e errët të verandës së Belëve. Duartrokitjet më kishin zgjuar. Dielli shplohej, nxirrte krahun nga ana tjetër e Malit të Shenjtë dhe ngrica rreth meje avullohej. Ishte shfaqur vasha, që ia kisha refuzuar syzat. Tani ia shihja sytë, fytyrën, flokët. Më kishte shikuar rreptas. Ishte përulur t’i mbledhë ato. Të njëjtën gjë kishte vepruar edhe turma. Syza as një palë nuk kishte përreth. Me sy të mi të gjallë shihja si ngritej dielli mbi ushtimën e Ujit të Madh, që sa vinte e pashitej. Hapësira ishte mbushur pëshpërimë. Gojë pas goje kishin arritur ca fjalë edhe në veshin tim. Kisha qeshur me të madhe. Në xhamin e verandës kisha parë gjithfarë fytyrash gërditëse, të lexueshme. Ca ma kujtonin kërmillin e Soreskut. Nxitonin të hipnin shpinës sime atje nga e kisha hedhur edhe përbindëshin. Kisha përplasur derën dhe kisha vrapuar me sy të mjegulluar. Pak më vonë isha shtrirë nën kurorën e një druri të madh dhe kishte zbritur i zbathur një fëmijë, m’i kishte pastruar sytë me një ibrik ujë. Engjëlli yt jam, më kishte thënë. Dritë e fortë ishte derdhur përgjatë udhës sime. Më kishin çuar fjalë se edhe në vendin tim ishte parë dielli, tek rrokullisej e njerëzit bënin gara se kush më parë do ta zë atë. Oh, Zot! Dielli është i të gjithëve, kisha pëshpëritur para derës së shtëpisë, që nuk e çilte çelësi im! Edhe anën tjetër të Malit të Shenjtë e shihja si në shuplakë të dorës. Të tjerët nuk di, përmorraveshin ende, ndoshta…

Sharl Bodler, heretiku që u dogj në ferrin e anatemës


Nga: Albert  VATAJ

Sharl Bodler ishte dhe mbeti kumti i zgripit të një epoke, çarja e pllakës tektonike të romantizmit që po praronte dhe modernizmit që ngjizej në fetusin e një France të ngërthye nga empirikët, e shpirtrat e lirë që ngriheshin flatrim mbi katakombet e të atëhershmes dhe të së kaluares, për nga horizontet që davariteshin prej mjegullave.Në truallin e thepisur të asaj kohe, poeti u miklua nga tançka, dhe u kapërtheu prej hazdisë që ishte në anën e kundërt të rrjedhës. Çmimi i këtij dedikimi të çartun e degdisi atë në portat e ferrit të anatemës. Koha që e ngjizi dhe kapërcyelli ku ngarendte Franca, e cilësoi atë si “heretik”, “mëkatar”, “pervers”. Kjo ishte shpaga e një artisti që dashurohej me lirinë, po aq shumë sa dhe me femrat. Krijimtaria e tij kumtonte një perceptim të qartë përnga konkretja që gjente si mjete shprehëse një metaforë të thukët e të ngjeshur, “plot ndyrësi” dhe “makabritet”. Ajo përvojë e kumtuar prej Bodlerit, e anatemuar asohere në Francën e ligjvënësve të Napolionit të III, gjehej e pikënisur nga realitete horror, makabër, pervers, t’përjargët e çmosndrysh, që mbushte boshllëkun e një zgafelle pasioni, që s’kishte të ngopur me eros, afsh dhe ofshamë, mish e kafshime, puthje e linja që treten para syve që i flakadan testosteroni, e trupa që fashiten përnën ndërzimin e dëshirave të shpenguara e përplot me ngulm. Një atributi të horizonteve me caqe në infinit, i’u dedikua dhe u mbrujt ai që do trazonte me fjalën e lirë kryqendrën e shtjellave të gatimit të dimensionit të vlerës, Sharl Bodler. Ai nuk ishte, por mbeti një ndër poetët më të rëndësishëm, krijimtaria e të cilit plazmoi gjurmët e para të modernizmit, dhe hodhi hapin vendimtar të një ndryshimi epokal në Francën që druhej nga amoraliteti dhe duhej të ndryshonte.Ishte shekulli XVIII, e përfshirë nga shtjella historike më rrapëllitëse që koha kishte hedhur si një shtërngatë egrashe mbi kokën e poetit rebel dhe kritik fin,Sharl Bodler. Një jetë me fëmijëri të cergët, e cila do të zbonte më pas një rini dhe në tansi, një kapërcyell mes njeriut dhe artistit, plot vese të Bodlerit. Ishte Franca, padyshim ajo e artit avangard dhe e mendimit iluminist, e kolosëve të letërsisë, mbi tabanin e të cilit po ngrihej një sistem vlerash dhe shijesh estetike.Për poetin, trazirat do të troshisnin jo vetëm krijimtarinë, por edhe integritetin e tij. Gjithçka do të ndryshonte. Ose e thënë më troç, tançka do të lindte e do të formësohej përsi nevoja e qënsisë së tij të garrametshme. Ai dukej se kishte ardhur për të jetuar në stuhi dhe për të lundruar në shterngatë. Dhe gjithë këtë për të mbushur zgavrrat e thella prënga dëgjoheshin ulërimat e bishave të pasiont që e ndërsenin. Ai krijoi në poezi, dhe në gjithçka tjetër që bëri, kritikë arti,përkthim, por veçmas në poezi, një raport vlerash të ndryshëm mgase botkuptimi frëng kishte pranuar deri asokohe. Guxoi të ishte i pari, i lirë, veprues, dhe u bë dëshmitar e një ndryshimi fundamental dhe sentimental, etik dhe estetik. Anipse një stuhi që do të tërbohej në opinionin frëng, nga poezitë e tij “heretike”.  Trumbetat e moralit dhe kushtrimet tërsëllitëse, kapën qiejt. Duhej të ndodhte që jo vetëm fatalitetet që e përndiqnin, por edhe shtypi e më pas drejtësia ta anatemonin atë dhe kryeveprën e tij, e cila qëndronte e varur midis dy botëve asaj të perëndisë dhe të djallit, “Lulet e së keqes”. Më 1857, botimit të parë të paralajmëruar të “Luleve të së keqes” gjykata i përgjigjet me një gjobë prej 300 frangash, për krimin e përdhosjes së moralit të shoqërisë, duke i hequr botimit gjashtë poezi. Një penalizim i tillë për një borxhli si Bodler, do të ishte shokues dhe për shpirtin e tij të lëshuar hoveve dhe zjarreve të pasionit e lirisë, skarcimi i 6 poezive që përbënin “vertebrën” e kësaj kryevepre, do të ishte gjithashtu një anatemë që do ta ndiqte si një re e zezë përgjatë gjithë fluturimit. Në këtë kohë perëndon edhe ylli i artistes M. Sabatier të frekuentuar prej 5 vjetësh e fortësisht të idealizuar nga Bodleri, deri në atë pikë sa shumë biografë besojnë se kjo mund të ketë qenë shkaku i thyerjes së raportit të tyre. Dëshmi të shkrimtarëve bashkëkohorë që vizitonin të njëjtin sallon me poetin, e përshkruajnë atë si një grua me një inteligjencë të jashtëzakonshme e një bukuri të rrallë. Dënimi për përdorim fjalori të turpshëm si edhe fyerje të moralit publik i shkaktoi vëllimit poetik “Lulet e së Keqes” të njëjtën shkrepëtimë të zjarrtë në qiejt e bruztë të Francës, apogje fame, e humbëtira zhurme e dyshimi, ashtu siç ndodh jo rrallë herë edhe në ditët tona, ndaj persekutimit të krijimeve të ashtuquajtura pornografike. Poeti Artyr Rambo thoshte për Bodlerin se … ai qe vetë Perëndia!, ndërkohë që gjykatësit e Napoleonit të III-të shihnin te ai vetë Djallin dhe e dënuan të hiqte prej vëllimit në fjalë,gjashtë poezi, nënë akuzën se ato paraqisnin pamje të turpshme e fjalor të ndyrë, te cilat fyenin rendë moralin shoqëror. Pas kësaj, vetë Bodleri këmbënguli e protestoi duke kërkuar që libri, duhej gjykuar në tërësinë e tij dhe, jo në poezi të veçanta,se blasfemitë i drejtoheshin qiellit e jo Zotit, por më kot … Në fakt, procesi ndaj përmbledhjes së famshme “Lulet e së Keqes”, një nga kryeveprat e poezisë franceze dhe botërore, kish nisur dhjetë ditë pas botimit të tij të parë me 1.300 ekzemplarë, pikërisht më 5 korrik 1857, me një artikulli të gazetës “Le Figaro”. Ku ndër të tjera, shkruhej se: “… është e palejueshme që, një person si autori i librit, i cili i ka kaluar të tridhjetë, të shkruajë një vepër të tillë monstruoze … Ka momente madje, kur mund të dyshohet edhe për vetë gjendjen e tij mendore … Kurrë s’kemi parë kaq shumë puthje e kafshime gjoksesh, kaq shumë demonë, djaj, kufoma, mace e krimba … Ky libër është një spital i hapur për çdo lloj idiotësie e fëlliqësie të shpirtit njerëzor”. Pas kësaj, Ministria e Brendëshme e hodhi librin në gjyq, ndërkohë, gazeta “Le Figaro” e vazhdoi edhe më tej fushatën kundër Bodlerit. Dhjetë ditë pas procesit, Viktor Hygo, që prej ishullit Guernesey,ku ndodhej në egzil, në një letër drejtuar Bodlerit, ndër të tjera i shkruante:“Lulet tuaja të së Keqes, vezullojnë e rrezatojnë si drita e yjeve. Pa dashje,regjimi, ju ka dhënë një prej dekoratave të tij më të vyera. Drejtësia ju dënoi në emër të atij, të cilin ajo e quan moral e kjo është edhe një medalje tjetër më tepër për ju …”. Më 1924 botuesit, të cilët kishin edhe të drejtën e autorit, publikuan për herë të parë edhe poezitë e dënuara, por libri u hoq përsëri nga qarkullimi.Vetëm 92 vjet më pas, më 31 maj 1949, Gjykata e Kasacionit në Paris e anuloi vendimin e procesit të zhvilluar më 1857, duke rehabilituar kështu për herë të parë dhe përfundimisht, të gjashtë poezitë e mallkuara.
Apologjia e Bodlerit
Shkrepëtimat e tij, të një apologjie sokratiane vijojnë për të mbëtur një sintezë e gjithçkasë që përfaqësonte krijuesi dhe pseudomoralit që mbronte drejtësia. Ai si dhe vetë Sokrati, para një drejtësie të shurdhër tha: “Libri im, pra, duhet të gjykohet në bashkësinë e vet, në tërësinë e tij estetike e pas kësaj del edhe morali i tij i ”tmerrshëm”. Në fakt, ka shumë lloje moralesh. Kemi moralin pozitiv dhe praktik, të cilit duhet që gjithë bota t’i bindet por, ka edhe një moral të artit.Ky i fundit është krejt i veçantë e atë, arti e ka përjetuar qysh prej fillimit të jetës njerëzore. Sepse, ka edhe disa lloje lirish, ka liri për Gjeniun, ka edhe një liri të kufizuar për Njerëzit e Mbrapshtë”. Procesi u zhvillua në Dhomën Korrektuese ku zakonisht gjykoheshin mashtrues, vjedhës e prostituta. Seanca gjyqësore u mbajt në 20 gusht 1857. I pari që foli kundër librit të Bodlerit qe zv/prokurori Pinard, i cili një vit më parë kish drejtuar edhe procesin ndaj romanit Madame Bovary të Gustave Flaubert. Ai mori në mbrojtje moralin fetar dhe insistoi se, libri në fjalë, përveç të tjerash, përbente edhe krimin e fyerjes së moralit publik. Pastaj, ai këmbënguli që autori të denohej e goditi ashpërsisht jo vetëm atë, por ngriti zërin për ndëshkimin edhe të gjithë “ tendencave të tilla në rritje, kësaj etheje të semurë, të mbrapshtë e të ulët e cila i shtyn njerëzit të pikturojnë e të shkruajnë ç’ti u vijë ndër mend, sikur morali publik të mos egzistonte fare…“. Në fakt, procedura gjyqesore u be shpejt, sa për të thenë, sepse nga Minstria e Brendëshme vërejtjet e komentet, kishin ardhur të egra e të padiskutueshme. Përfundimisht, trupi gjykues urdhëroi ndalimin e poezive të më poshtëme Stolitë, Metamorfozat e Vampirit, Leteja, Asaj, të lumturuarës, Gra te mallkuara dhe. Bodler, autori i poezive Lulet e së Keqes, teksa po dilte nga salla e audiencës, iu përgjigj kështu një mikut të tij, i cili e pyeti në se priste që gjoba edhe mund t’i falej : Të më falin ?… Përkundrazi !… Unë pres që nderi im të vihet në vend !…
Poeti i mallkuar
Titulli i “Lulet e së Keqes”, paraqet një estetikë të re “moderne” ku, e bukura,sublimja, që simbolizohet nga termi “lule”, mund të provokojë në sajë të gjuhës poetike, realitete banale të natyrës dhe sensualitetit të mishit, të “mëkatit” që simbolizohet nga e keqja. Me këtë lloj “materie”, mund të nxitësh frymëzimin, të bashkosh krijimin e imtë mbi gjuhën poetike, përdorimin e formave tradicionale si soneti dhe vargjet klasike. Pikërisht kështu, Bodleri “revolucionarizoi” edhe universin estetik, duke marrë jo vetëm spunto nga tradita, sipas së cilës vepra e artit duhej të qe e hijshme e me subjekte fisnike, por mbi të gjitha duke realizuar sintezën mes dy zgjedhjesh estetike deri asohere të pakonceptueshme për diçka të tillë, pra gërshetimin e lirizmit romantik me punën për një formë sa më të përkryer.Tematika e “Lulet e së Keqes” shtrihet në një të tashmë të dëngur e pa një metrikë dhe një fill përkujdesi moralizimesh fetare, anipse ishte qartazi e dukshme se ende nuk i kishte shuar flakët e ferrit të inkuizicionit edhe pse në agoni. “Spleen dhe Ideali” vë në plan të pare”spleen”-in domethënë mërzitjen, trishtimin, në kuptimin e ankthit metafizik, nëpërmjet të cilave, vuajtja e poetit dhe frymëzimi i tij aspirojnë drejt “idealit”, drejt një infiniti sublim ku mbretëron njeriu. Për të dalë nga gjendja e “spleen” – it, poeti përpiqet të gjejë shpëtim përmes gjuhës poetike, e cila është edhe e vetmja mënyre që ka aftësinë t’u japë kuptim e të përçojë realitetet më banale e më të shëmtuara të jetës në art.
Deti i trazuar i poetit
Sharl Bodler është konsideruar si i fundmi i romantikëve dhe i pari i modernëve. Ai,mbahet gjithashtu si me i madhi ndër poetët francezë. Lindi me 9 prill 1821 në Paris. Në vitet 1831-1836 Bodler vjen të mësojë në Kolegjin lokal mbretëror. Një emërim i ri, ku Bodleri do të frekuentojë liceun e famshëm “Luis-le-Grand”. Në vitet 1839-1842: Sharli hyn për pak kohë në Fakultetin e Drejtësisë, por është tërësisht i tërhequr pas letërsisë, sidomos pasi është njohur me artistë të tillë si Balzak e Verval. Spikat fort dëshira për një jetë të çrregullt, dëshirë kjo që e detyron familjen ta nisë për një udhëtim të gjatë turistik në Indi. Bodleri, pasi qëndron pak kohë në ishullin Maurice, e ndërpret rrufeshëm udhëtimin dhe kthehet në Bordo.Në Francë hyn në zotërim të trashëgimisë së të jatit e lidhet me artisten mulate Jeanne Duval. Bukuria ekzotike, sensualiteti epshëror, magjia turbulluese, janë tema të shumë lirikave të pjesës së parë të librit. Nga 1845 deri më 1846 debuton si kritik arti me dy vepra; ndërkaq vazhdon të bëjë një jetë të shthurur e me mjaft shpenzime, duke eksperimentuar së bashku me miqtë e tij artistë, rebelë si vetë ai,efektet e hashishit dhe pasioneve më të shfrenuara të ndjenjave. Fillojnë të shfaqen vargjet e para në shtypin e përditshëm, së bashku me studime dhe artikuj të temave të ndryshme. Në vitin 1847 boton novelën “Fanfarlo” që përbën një lloj autoportreti ironik dhe përkthen poemën e famshme “Korbi” të shkrimtarit amerikan E.A Poe, me të cilin ndjen një afërsi të theksuar, e për të cilin do të shkruajë ese mjaft të bukura e analitike, pasi mendonte se kishin shume gjëra të përbashkëta. Suksesi saj i madh do t’i jepte një shtysë akoma më të fortë pasionit të tij për poezinë.Ndërkaq, forcon një lidhje dashurie me artisten me “sy të gjelbër” Marie Daubrun,shpesh e pranishme si burim frymëzimi në pjesën qëndrore të librit “Lulet e së Keqes”.

Mbi vëllimin poetik “Shadows Speak in Riddles“ të Sami Gjokës


Nga: Astrit  LULUSHI

Poezitë e Sami Gjokës nuk mund të tingëllonin më mirë sesa anglisht - ndjesë “fansave” të tij shqiptarë në Facebook a gjetkë – dhe do të ishte “padrejtësi” ti përktheje ato në shqip, qoftë edhe me mendje – jo se shqipja nuk është e pasur – por është pjekuria gjuhësore, artistike, kulturore e autorit që i bën ato të paprekëshme, nëse duhen ruajtur vlerat.Sami Gjoka është ndër krijuesit relativisht të shumtë shqiptarë në Amerikë që rendin të shprehen ndryshe jo vetëm në formë e stil, por edhe ide. Jo rastësisht “Shadows Speak in Riddles” (Hijet flasin ndryshe) është edhe titulli i librit të tij prej 230 faqesh me poezi, nga Shtëpia Botuese Xlibris. Prej disa ditësh “Shadows Speak in Riddles” gjendet edhe në Amazon.com dhe libraritë Borders në SHBA.Pas shume librave – romane, poezi e persiatje në shqip – me këtë vëllimin poetik në anglisht, Sami Gjoka tani u afrohet guximshëm kolegëve amerikanë të penës. Reçensues në Xlibris, filial i Shtëpisë së njohur Botuese Random House, janë shprehur se “Shadows Speak in Riddles“ t’i mbush sytë me lot.Vërtet, absolutisht prekës. Përvojë jete e autorit. Mbledhje, renditje e mahnitëshme, drithëruese fjalësh që krijojnë artistikisht në mendje një fushë betejë midis të mires dhe të keqes, brenda cdo guacke njerëzore;“nga ku ne nisemi për të pushtuar gjithë universin.” Vetëm për t’a bërë vendin të rrënohet nga urrejtja e lakmia, ku njerëzit të jenë;
“jo për të fjetur
as për t’u shlodhur,
por për gjakderdhje,
për britma, lot e mallkim.
por kurrë për të bekuar.”
Vargje absolutisht rrëqethëse sa edhe të afërta në armosferë, për ata që vërtet e ndjejnë realitetin;
“ku vdekja prehet normale,
e shtrirë në të njëjtin shtrat
për sa kohë që kjo botë,
nuk është përmirësuar”
Si shumica e të ikurve nga Shqipëria para rënies se diktaturës, Sami Gjoka, ish-i arratisur, nuk kërkon t’i imponohet nga larg vendit dhe as bashkë-atdhetarëve.
“Who asked me what I do.
I am a lonely, naked bat
My wings at dark I spread,
Hitting rocks of scary canyons.”
ose
“Kush më pyet se cfarë bëj.
Lakuriq nate, i vetmuar jam
Në mbrëmje krahët hap,
Shkëmbinj godas kanioneve të frikshëm.”
Mendimi profetik i poezisë së tij – si krahët e lakuriqit të natës - troket në dritare, që të dëgjojë dera, ashtu si në gjjuhë dhe tematikë, poeti shqiptaro – amerikan i drejtohet botës, që të dëgjojë atdheu. Thirrjet poetike të Sami Gjokës janë thumbuese, të ashpra, të zymta, ugurzeze, por me një fije të hollë shprese, se dikush ndoshta do t’i dëgjojë.

Mbi vëllimin poetik “Shadows Speak in Riddles“ të Sami Gjokës


Nga: Astrit  LULUSHI

Poezitë e Sami Gjokës nuk mund të tingëllonin më mirë sesa anglisht - ndjesë “fansave” të tij shqiptarë në Facebook a gjetkë – dhe do të ishte “padrejtësi” ti përktheje ato në shqip, qoftë edhe me mendje – jo se shqipja nuk është e pasur – por është pjekuria gjuhësore, artistike, kulturore e autorit që i bën ato të paprekëshme, nëse duhen ruajtur vlerat.Sami Gjoka është ndër krijuesit relativisht të shumtë shqiptarë në Amerikë që rendin të shprehen ndryshe jo vetëm në formë e stil, por edhe ide. Jo rastësisht “Shadows Speak in Riddles” (Hijet flasin ndryshe) është edhe titulli i librit të tij prej 230 faqesh me poezi, nga Shtëpia Botuese Xlibris. Prej disa ditësh “Shadows Speak in Riddles” gjendet edhe në Amazon.com dhe libraritë Borders në SHBA.Pas shume librave – romane, poezi e persiatje në shqip – me këtë vëllimin poetik në anglisht, Sami Gjoka tani u afrohet guximshëm kolegëve amerikanë të penës. Reçensues në Xlibris, filial i Shtëpisë së njohur Botuese Random House, janë shprehur se “Shadows Speak in Riddles“ t’i mbush sytë me lot.Vërtet, absolutisht prekës. Përvojë jete e autorit. Mbledhje, renditje e mahnitëshme, drithëruese fjalësh që krijojnë artistikisht në mendje një fushë betejë midis të mires dhe të keqes, brenda cdo guacke njerëzore;“nga ku ne nisemi për të pushtuar gjithë universin.” Vetëm për t’a bërë vendin të rrënohet nga urrejtja e lakmia, ku njerëzit të jenë;
“jo për të fjetur
as për t’u shlodhur,
por për gjakderdhje,
për britma, lot e mallkim.
por kurrë për të bekuar.”
Vargje absolutisht rrëqethëse sa edhe të afërta në armosferë, për ata që vërtet e ndjejnë realitetin;
“ku vdekja prehet normale,
e shtrirë në të njëjtin shtrat
për sa kohë që kjo botë,
nuk është përmirësuar”
Si shumica e të ikurve nga Shqipëria para rënies se diktaturës, Sami Gjoka, ish-i arratisur, nuk kërkon t’i imponohet nga larg vendit dhe as bashkë-atdhetarëve.
“Who asked me what I do.
I am a lonely, naked bat
My wings at dark I spread,
Hitting rocks of scary canyons.”
ose
“Kush më pyet se cfarë bëj.
Lakuriq nate, i vetmuar jam
Në mbrëmje krahët hap,
Shkëmbinj godas kanioneve të frikshëm.”
Mendimi profetik i poezisë së tij – si krahët e lakuriqit të natës - troket në dritare, që të dëgjojë dera, ashtu si në gjjuhë dhe tematikë, poeti shqiptaro – amerikan i drejtohet botës, që të dëgjojë atdheu. Thirrjet poetike të Sami Gjokës janë thumbuese, të ashpra, të zymta, ugurzeze, por me një fije të hollë shprese, se dikush ndoshta do t’i dëgjojë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...