Muharrem Blakaj është njëri nga romansierët shqiptarë më të suksesshëm të mërgatës shqiptare të këtij fillimshekulli i cili me romanet e tij të njëpasnjëshëm, jo vetëm që ka mbushur një boshllëk kulturor, por ka zgjuar vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare.Edhe në romanin “ATENTAT BRENDA GERMËS “L” “, ka shënuar një vlerë të dalluar të krijimit letrar. Romani në fjalë ndërthurë vlera letrare i shkruar me një zell profesional që ka një temë mjaftë delikate, që si roman për këtë ngjarje ndeshët për herë të parë në letërsinë shqipe. Ndonëse kemi pas një novelë nga Ismail Kadare dhe libra të karakterit biografik, romani në fjalë plotëson edhe më tej si një lloj i sojit të vet, ku për tematikë ka një vrasje misterioze e kryer nga UDB-ja Jugosllave më 17 janar të vitit 1982, kundër vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës.Dihet se është shkruar e folur shumë për këtë atentat i cili ka mbetur edhe sot e kësaj dite misterioz, dhe për deri sa janë gjallë me dhjetëra protagonist të kësaj epoke, madje miq dhe të njohur të vëllezërve Gërvalla, për t’u shkruar një roman i kësaj natyre është dashur paraprakisht guxim intelektual dhe natyrisht një njohje e thellë, një hulumtim serioz për të pasqyruar ngjarjen mirë dhe saktë. Sigurisht janë nevojitur edhe njohje nga fusha e kriminalistikës dhe të shërbimeve të nëntokës që i kanë bërë zakonisht shërbimet e fshehta informative siç e kemi rastin në fjalë UDB-ja jugosllave. Pikërisht këtu më duket strumbullari i seriozitetit, aftësia e autorit për t’i vendosur pistat e zhvillimit të kësaj ngjarje, (edhe kështu vetëm brenda këtij romani), mjaftë rrëqethëse. Teknikat e tekstit dhe mënyra e rrëfimit, jo rrallë të fusin në hullinë e situatave të ndjeshme të filmave kriminalistik, gjë që autori në masë ka arritur të realizoj një vepër të mirë, të kësaj natyre letrare.Gjithsesi romani lexohet me lehtësi, dhe kuptohet lehtë, sepse lexuesi ka parë filma të tipit “Horror” dhe situata të ngjashme, por për të kuptuar më mirë thelbin e fshehtësisë duhet të ketë sadopak njohje a përvojë mbi dosjet policore, se si bëhen përpilimi i tyre, madje të njohë format e përgjimit dhe të ndjekjes, të atentateve dhe sidomos është mirë të njoh edhe karakterin e personazheve që kryejnë atentatin, pasi lënda fund e krye ka koncept përgjimin dhe luftën e nëntokës të shërbimit sekret informativ të Serbisë që e kryente nënë maskën e shërbimit informativ federativ e njohur si UDB-a jugosllave.Gjithsesi si çdo romani tjetër, edhe “ATENTAT BRENDA GERMËS “L” “, i Muharrem Blakajt, i duhet një analizë edhe më e thuktë, për të kuptuar rolin dhe misionin e secilit personazh, pastaj për t’i kuptuar pikat e përgjimit, pozitat dhe pistat e veprimit sepse sipas të gjitha gjasave janë projeksione të sakta, pasi merret vesh, autori para se ta shkruante këtë roman e ka studiuar mirë pozitën gjeografike, objektet, rrugët, shtrirja e tyre dhe lidhja nga rruga në rrugë, pra çdo gjë që lidhet me aspektin gjeografik dhe orientimet janë në raport të rregullt me konditat orientuese, për të qen vet dhe gjithë ngjarja e bazuar mbi të dhëna të sakta, sepse edhe tema e romanit merret me një ngjarje reale që pat tronditur opinionin e gjerë, dhe që ndikoi në kahet e lëvizjeve politike të emigracionit kosovar në Evropën Perëndimore, s’ka dyshim.Ngjarja niset, (ku tjetër pos në Serbi), në kryeqytetin e krimit antishqiptarë, kurse shërbimi informativ serb, për të qenë i suksesshëm ka kërkuar edhe ndihmën e strukturave të vjetra, të cilat për shkaqe lufte klasash që prej vitesh kanë qenë të deklasuara politikisht. Me sa shihet edhe protagonisti kryesor, udhëheqësi i krimit “Gjenerali” do të ketë rolin kryesor në përgatitjen, vëzhgimin dhe deri te ekzekutimi i viktimës. Autori ka arritur me mjeshtri të përshkruaj rolin e tij operativ në tërë këtë krim politik i cili ka aktivizuar personalitete të dëshmuara në ndjekje dhe krimin e nëntokës që në bisedë e sipër ai vet rizbulohet, duke e bërë edhe më karakteristik rolin e tij në këtë krim morbid, gjë që e bënë më kureshtar lexuesin, i cili pa dyshim do t’i shkon deri në fund për të mësuar e për t’i njohur më mirë bëmat dhe veprimet e “Gjeneralit” që përfaqëson konceptet e shtetit dhe të shërbimit informativ të njohur me siglën UDB-a, e cila e furnizonte qoftë me para, e qoftë me informata të nevojshme për të vazhduar ndjekjen dhe përgjimin e “Kokës një” apo për shoqëruesit e tij që fund e krye gjatë këtij romani prezantohen si “Koka një e dy”.Autori ka bërë edhe një gjetje karakteristike, një ide sa origjinale po aq interesante duke e lidhur idenë e romani me Germën „L“ të kthyer „?“ e cila sipas alfabetit cirilik specifikon shkronjën e parë për familjen “Gërvalla”. Për këtë roman, kjo është një sintagmë e krijimit letrar, sepse në nivel letrar nuk e kemi ndeshur askund, edhe pse, merret vesh, autori këtë e ka vjelë nga jeta në Kosovë?! Se a nuk na janë të ndërtuara edhe shtëpitë në formën e shkronjës „L“, por që gjithmonë është thënë “Shtëpi në Ge”, përkatësisht sipas alfabetit cirilik në „?“, kështu duken edhe garazhet e automjeteve në formën „L“ të kthyer në „?“, kështu ka të ndërtuara me dhjetëra e mijëra pallate kudo në botë, në formë të shkronjës „L“ të kthyer në „?“, ose anasjelltas, merre si të duash, por më mirë le të mbetet si një zbërthim kodik i shkronjës „L“ për të besuar se edhe shenjat tjera kodike, që janë përdorur brenda këtij romani, për njohësit e kodeve të shërbimeve sekrete, do të zbërtheheshin lehtë dhe kuptueshëm si në këtë rast. Ky element na bënë për të besuar më fort, se autori para se të shkruan, përkatësisht para se t’i përdor këto kode, i ka analizuar dhe i ka studiuar mirë, e pastaj i ka vendosur nëpër pjesë e pjesëzat e romanit të tij. Megjithatë vetëm pasi Gjeneralit i ofrohet “Dosja G”, dhe pasi i premtohen avancime e gradime në profesionin e tij ai do të niset për në gjermani për të ekzekutuar planin e koduar“Tigri”.Ndonëse romani trajton një ngjarje reale, nuk e di nëse ka hapur debat për të rrahur e shkoqitur më mirë mënyrën e qasjes së problemit, pastaj nëse personazhet kanë luajtur rolet e mundshme si dhe mënyra dhe përshkrimi i ngjarjes, vendit dhe organizimit të atij atentati dhe deri te roli i mjekut, i implikuar në atentatin në fjalë i cili ishte përgatitur mirë dhe është realizuar me një gjakftohtësi të rrallë. Janë edhe mjaftë letra, mjaftë urdhra, raporte e dosje të cilat sado të paraqitura në mënyrë artistike do të ishte mirë të studioheshin, sidomos nga njohësit e rrethanave të ngjarjes kriminale.Gjithsesi mënyra e udhëheqjes së kësaj dosje të bënë kureshtar edhe më shumë pasi ngjarja zhvillohet si në një lojë filmash të kësaj natyre, mbase mjaftë interesant me gjithë ato lloje takimesh, skicimesh, me gjithë ato lëvizje me ndryshim kohësh e planesh, me përgjime e përcjellje dhe madje në një kohë të ftohtë që e bëjnë ngjarjen e romanit edhe më të përjetuar, thuaja se vet lexuesi do të bëhet pjesë e gjithë asaj makinerie propagandistike, pastaj përgjimet nga afër e nga larg, herët në mëngjes e vonë në mbrëmje, paraqesin frikën e dilemën, prej më të ndryshmeve por që përshkruhen në thellësinë e detajit dhe me imtësinë e hollësishme duke e zhvilluar imagjinatën krijuese, e cila edhe kështu siç është paraqitur në natyrën e këtij romani e mbërthen lexuesin duke e bërë atë kureshtar për të ditur edhe fundin e ngjarjes.
Po ashtu mënyra e komandimit, struktura komanduese, kontaktet parapërgatitore, përgatitja e ekzekutorëve, hapja e dezinformatave e kështu me radhë janë kaptinë më vete për të cilat shihet qartë se autori ka punuar gjatë, ashtu siç mund të besohet se ai ka njohje të thellë mbi agjenturat e fshehta, dhe njehë mjaftë mirë jo vetëm strukturën e organizimit, por edhe atë të komandimit dhe të ekzekutimit. Autori njeh mirë edhe metodat e propagandimit dhe të konflikteve për të cilat si duket është dashur të shfletoj e gjejë një literaturë të tërë të kësaj natyre mbi të cilin ndërtohet kultura e shkrimit letrar, mbi të cilën ka mundësi të ndërtohet një skenar i mirë për një film artistik.Detaje të tjera interesante brenda këtij romani janë edhe ato pak sekuenca të natyrës erotike, ato të dehjes imorale, që degradojnë vlerat njerëzore, veçmas janë prezantuar mjaftë mirë edhe dukurit e frikës që zakonisht manifestohen nga ekzekutorët gjatë kohës sa përgatitej atentati dhe kohës sa ka zgjatur përgjimi.Natyrisht çështje delikatese është mënyra e ruajtjes së gjakftohtësisë dhe sidomos mënyra e implikimit, riavancimit dhe e faljes së krimit, për ata kriminel të zakonshëm siç ishin personazhet “Pirati” dhe “Partizani”, kurse pseudonimi i tretë “Studenti” nuk do të zbulohet gjer në kryerjen e misionit, diku në fund të romanit. Por dy personazhet e para janë të yshtura edhe nga premtimi për falje të dënimeve për vepra kriminale dhe ordinere që kanë bërë më parë, kurse në rastin konkret krimi i radhës duhej të bëhej edhe për interesat madhore të shtetit që i përkisnin.Gjithsesi storie më vete janë çështjet parapërgatitore e atentatorëve të cilët fillimisht merren me lajka, më pas yshten me shuma të mëdha parash e më vonë edhe kërcënohen, me burgime, linçime, por edhe me vrasje nëse nuk realizohen qëllimet e synuara nga strukturat komanduese të cilat udhëhiqeshin kryesisht nga Gjenerali, por që ndihmoheshin edhe nga Kryeqëndrori, Partizani, ekzekutuesi i parë, ekzekutuesi i dytë e të implikuar në planin operacional të koduar “TIGRI”, të mbështetur nga shërbimi diplomatik e konsullor, të shoqëruar me një logjistikë të sofistikuar e buxhete të majme që i ndante shteti, i cili për këso rastesh nuk ka kursyer shuma të mëdha parash.Romani “ATENTAT BRENDA GERMËS “L” “, i takon zhanrit të romanit kriminalistik, që përfundon në mënyrë tragjike, dhe për kah natyra e qasjes dhe interpretimit mjaftë misterioz. Janë këto arsye pse më duket se është e pamundur që lexuesi të mos futet në vorbullën e krimit, e atij krimi të ftohtë që ka ndodhur në atë janarin e ftohtë të vitit 1982, dhe të mos ndjej një lloj lodhjeje e frike shpirtërore nga mbështetja e heshtur, nga përkrahja që sikur bëhet edhe vet lexuesi pjesë e krimit të organizuar, pjesë e ngjarjes që zhvillohet në atë roman, po më shumë do të bëhet pjesë e dhembjes që do ta mbaj gjatë, pasi ngjarja përfundon në mënyrë tragjike, me një krim të radhës, për të cilin është shkruar shumë, por pa u thënë gjë konkrete se si ka mundur të ndodhte, veçmas si është planifikuar dhe si është ekzekutuar, por më shumë si kanë mundur t’i mbulojnë gjurmët për të mbetur krimi një enigmë e pa zbuluar.Indiferenca dhe mënyra e ekzekutimit janë metoda dhe mënyrat e sistemit përmes të cilave sajohet drama gjithmbarshme e elementeve kriminal të cilët ndjekin e përgjojnë viktimat e radhës. Por jeta e Gjeneralit, ambiciet e tij karrieriste, mënyrat e punës dhe veprimit mbeten si një relikt e veçantë e studimit dhe hulumtimit të këtij personazhi brenda romanit që po diskutojmë. Kurse jeta me frikën e të ndëshkuarit i shtynte viktimat të futeshin edhe më tej në krime të reja, por tashmë si një mekanizëm psikologjik në duart e pushtetit, përkatësisht në duart e shërbimeve sekrete të shtetit që udhëhiqeshin me njerëz të tipit të Gjeneralit i cili ka një rol poliedrik brenda tërë kësaj ngjarjeje operacionale.Futja në burimet e njohjes së thellë mbi kritikën e hulumtimit, ndjekjes, përgjimit dhe ekzekutimit është një sipar i këtyre shërbimeve që duhet të hapin interesimin e letërsisë dhe të artit, ngase vepra është e ndërtuar mbi ovacione dhe pikëpamje letrare.Të përgjosh njerëz dhe familje të tëra, qofshin këto edhe të mërguara nuk është fare e lehtë, madje lufta psikologjike, ana logjistike dhe e përgjimit, edhe vetëm nga leximi i kujdesshëm është mjaftueshme për t’i përjetuar si veprime e ndodhi origjinale në të cilat kanë qenë të implikuar edhe përfaqësitë diplomatike dhe shërbime të kombinuara.Më në fund në një natë të errët ku kishte të ftohtë, dhe bënte acar, mbi një bore të bardhë do të mbeten edhe gjurmët e krimit mortar të cilat edhe pse do të humbasin nga shkrirja e borës dhe nga kujtesa e popullit, ky roman do ta freskon kujtesën për një ngjarje reale që mund të tregohet si rrëfim i përjetuar i cili vazhdimisht do ta kthen intuitën e lexuesit në një kohë të shkuar, përplot dyshime e krime të organizuara të kësaj natyre që bënin kudo e kahdo shërbimet e fshehta, veçmas kundër popujve liridashës siç ishte populli ynë.Përveç detajit mjaftë të shkurtër të bisedës së Jusuf Gërvallës para personelit mjekësor dhe shërbimit policor, një rol të rëndësishëm do ta kryen mjeku, siç e kemi potencuar edhe diku më lart se atentati ishte i përgatitur mirë, kurse në rast të dështimit të atentatit nga Gjenerali, të mos dështoj ekzekutori me mantelin e bardhë që ishte involvuar edhe ne një spital, të një vendi demokratik, ku do të arrij shërbimi sekret jugosllav të bëjë implikimin e tij.Ngjarja është zhvilluar si një kronikë më vete, kurse autori me mjaftë sukses e ka pasqyruar dramën e ngjarjes, si një krimi i cili ka qenë mirë i studiuar dhe planifikuar nga qarqe e shërbime tashmë të njohura antishqiptare.E mbyll këtë shënim me një pasuse të romanit ku thuhet se: “Vonë, kur pa vetën duke hyrë në veturë, vërejti se brenda tij nuk kishte ndodhur asgjë, asnjë shkrëndje, asnjë thyerje, asnjë zvetënim, asnjë dritë magjepse ylberi, asnjë errësirë ferri! Çdo gjë kishte ndodhur jashtë qenies së tij, aty pranë germës „L“ të kthyer në „?“ ku sapo kishte përfunduar drama e përgjakshme e planit operativ “Tigri”!…