“Gjëmë” u botua nga shtëpinë botuese “Mësonjëtorja” në korrik të 2010. Gazeta “Shqip” njoftoi botimin më 21 korrik, në rubrikën “Libra të rinj”, ndërsa kapitulli i parë u botua në gazetën “Dielli” në New York në të njëjtin muaj.
Ajo nga e cila nuk duam të ndahemi kollaj është e kaluara edhe pse kjo e kaluar është kriminale. E mbajmë fort si një identitet tonin dhe kemi frikë, se nëse na e heqin me dhunë, zemërohemi dhe i rikthehemi krimeve të së kaluarës. Ky është thelbi i librit “Gjëmë, genocidi i poezisë shqipe” është kujtesë për të mos harruar çfarë ndodhi gjatë regjimit komunist dhe gjatë kohës kur ekzistonte realizmi socialist. Autori është Gëzim Hajdari, një nga poetët më të njohur shqiptarë, që ne nuk duam ta kujtojmë dhe e lëmë në harresë, sepse të vërtetat e tij sëmbojnë një, dy, tre, disa njerëz. Dhe pikërisht që të mos na mërziten këto një, dy, tre dhe disa njerëz, ne më mirë preferojmë të harrojmë se ekziston dhe Gëzim Hajdari dhe vepra e tij dhe të flemë të qetë në shtëpi, “sot nuk mërzita asnjë njeri”. Gjëma e shqiptarëve sipas Hajdarit, por edhe historisë, ishte komunizmi, nga i cili vuajmë ende. Gjëma e letërsisë ishte realizmi socialist, pjellë e keqe dhe e shpërfytyruar e komunizmit, i cili lëvrohet sot lehtë, dhe autorët e tij janë në piedestalin e këtij vendi. Hajdari, përveçse përmend të gjitha viktimat e komunizmit, ato viktima që po të ishin gjallë, do ishin një shtresë e fuqishme intelektualësh, shkrimtarësh dhe poetët, me të cilët historia e letërsisë do të ishte krejt tjetër, përmend edhe autorët e realizmit socialist, që i konsideron përgjegjës për mbijetesën e diktaturës. “Gjëmë, genocidi i poezisë shqiptare” mund të gjendet në të gjitha libraritë e vendit, ka 316 faqe, kushton 1000 lekë dhe është botim i shtëpisë botuese “Mësonjëtorja”.
Gjëma’ i demistifikon pseudomitet e letërsisë komuniste të Enver Hoxhës që ende në mijëvjeçarin e tretë u serviren lexuesve shqiptarë si simbole të letërsisë moderne shqiptare dhe si mbrojtës të të drejtave të njeriut”. Kështu, shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” poeti Gëzim Hajdari, pas botimit të librit të tij “Gjëmë. Genocidi i poezisë shqipe”. I persekutuar nga regjimi komunist, ai sot flet për ato që i quan ideatorë e xhelatë të terrorit shtetëror që vlerësohen “me çmime vjetore nga shteti apo qeveritarët ‘demokratë’ e ‘socialistë’ të Tiranës, për faktin se i kanë shërbyer atdheut të djeshëm komunist me devocion”. Nga ç’duket ai i ndan poetët shqiptarë në të dënuar e “dënues” dhe këto i thotë me emra në intervistën e mëposhtme.
Vitin e shkuar ju botuat librin “Gjëmë. Genocidi i poezisë shqipe”. Është libri i parë në llojin e tij mbi letërsinë e dënuar gjatë komunizmit në Shqipëri.
Si lindi kjo vepër?
“Gjëmë” u botua nga shtëpinë botuese “Mësonjëtorja” në korrik të 2010. Gazeta “Shqip” njoftoi botimin më 21 korrik, në rubrikën “Libra të rinj”, ndërsa kapitulli i parë u botua në gazetën “Dielli” në New York në të njëjtin muaj. E theksoj një gjë të tillë se, disa kohë më parë, miku im, Visar Zhiti, në intervistën “Jeta ime ferr dhe parajsë” dhënë Rezarta Dhogas për “Tirana Observer”, botuar më 19 nëntor 2010, duke folur për librin e tij: “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, – thotë se “paralelisht me librin tim ka dalë dhe “Gjëmë” e Gëzim Hajdarit”! S’është e vërtetë. Për të qenë më të saktë, libri i Zhitit, është botuar në muajin tetor të 2010-ës dhe jo në korrik. Përkundrazi, dorëshkrimi im është dorëzuar botuesit të Tiranës në fillim të 2010 dhe sipas kontratës, libri duhet të dilte në prill të 2010. U shty për motive teknike. Dëshmi tjetër për botimin e librit tim është dhe artikulli i Ylli Polovinës “Migrantë, por jo të ikur”, botuar në “Gazeta Shqiptare” më 3 tetor 2010. Shkrimi i Polovinës, i cili në fund të faqes mban shënimin “Peshkopi, në një hotel 11-13 shtator 2010″, u dorëzua në kohë në redaksinë e të përditshmes së mësipërme, por çuditërisht, “Gazeta Shqiptare” e vonoi botimin e tij. Shkaku? Priti të dalë libri i Visarit dhe botoi shkrimin mbi librin e tij. Por, libri im ka zanafillë tejet të hershme, nis me një studim me titull “Breve panorama della poesia albanese dagli anni Trenta ad oggi” (Poezia shqipe nga vitet ’30 gjer në ditët e sotme), botuar në revistën italiane “Si scrive”, maj 2000, Cremona, f. 185-235. Veç kësaj, revista gjermane Matrix, 1/2009 (15), e cila botohet në Ludwigsburg, botoi 40 faqe (f. 58 – 84) të “Gjëmës” sime. Kapitulli titullohet: “Der Genozid der albanischen Lyrik”, përkthyer nga Stefanie Golisch. Pra, kam më se dhjetë vite që i kushtohem masakrës komuniste kundër poetëve shqiptarë.
Ndoshta është rasti të tregoj se si lindi libri i Visarit. Vitin që shkoi u takova me Zhitin, asokohe atashe kulturor pranë ambasadës sonë në Romë, në një kafe afër stacionit të trenave në Termini. Në bisedë e sipër, midis të tjerash, i rrëfej se kisha përfunduar librin “Gjëmë – Genocidi i poezisë shqipe”. Pasi me uroj për veprën time, më tha: “…edhe unë kam një kapitull të botuar mbi shkrimtarët e dënuar, do ta bëj libër më vete…”. Me të thënë e me të bërë, libri i Zhiti shkruhet dhe botohet. Sigurisht më bëhet shume qejfi që kolegu im, Zhiti, botoi “Panteonin” e tij, dhe mirë se të vijnë libra të këtij lloji, dëshmi të tilla janë gjithnjë të mirëpritura. Qëllimi i këtyre radhëve s’është personal, por etik dhe ka të bëj me ndershmërinë intelektuale, sepse ka rrezik që teksa flasim për të “çliruar” poetë e libra të dënuar gjer dje në burgjet komuniste, “dënojmë” librat e kolegëve tanë sot në “demokraci”…!
Cili është qëllimi i “Gjëmës”?
“Gjëma…” s’është një libër i shkruar rastësisht, për të marrë ndonjë primat në letërsinë e burgjeve apo për të fituar çmime nga ministria e Qeverive të Tiranës, përkundrazi është pjesë e misionit tim, një projekt që zgjat prej dhjetëra vitesh. Qëllimi i “Gjëmës” është rindërtimi i memories kolektive të popullit tonë. Një vepër e tillë synon – për herë të parë në letërsinë shqiptare – të bashkojë fragmentet e thyera të memories kolektive, për sa kohë që dosjet të mbeten të mbyllura. Nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri nëse s’do të mund të konfrontohemi me të vërtetën historike. Pra, në këtë vepër përshkruaj fate, jetë, rrethana, rrëfej akuza, arrestime, burgosje; dëshmoj qelitë, internimet, krimet, dënimet, torturat kundër poetëve tanë të pafajshëm; tregoj për kobin, llahtarinë, rënkimet, plagët, terrorin, tmerrin që u desh të pësonin njerëzit e kulturës nga xhelatët e kuq të Enver Hoxhës; rrëfej banalitetin, absurditetin, tragji-komedinë e regjimit të diktaturës së proletariatit, por dhe tonën si shqiptarë nëpërmjet fakteve, dëshmive, dokumenteve, arkivave, vargjeve, librave, intervistave të të afërmeve të viktimave dhe miqve të tyre; ekzaltoj heroizmin e pashoq të martirëve të Verbit të kombit tonë si Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela etj pa harruar përgjegjësit, me emër e mbiemër, që shkaktuan kësi tragjedish të përbindshme. Mendoj se çdo shqiptar duhet të njihet pikërisht me të vërtetën e këtij libri dhe të ngjashmëve të tij, nëse duam të ndërtojmë një të ardhme më paqësore, më vëllazërore, më të drejtë, më trasparente, më të ndershme, më qytetare e më europiane. Ndryshe ndjeja e fajit dhe hija e krimit do të na persekutojë edhe në “botën e përtejme”. Pra, “Gjëmën” e kam shkruar për të mos harruar, për t’i thënë stop politikës së poshtër të harrimit, për t’u konfrontuar me të vërtetën historike. E kam shkruar për lexuesin dhe për brezat e rinj, që të hedh dritë mbi krimet e djeshme e të identifikoj përgjegjësit e tragjedisë komuniste. Terrori shtetëror ka qenë një sistem, një parim ideologjik mbi të cilën mbështetej diktatura enveriste. E theksoj një gjë të tillë sepse shpesh e kaluara në Shqipëri identifikohet vetëm me viktimat dhe harrohen komisarët e kuq që përmbushën një kasaphanë të tillë të përbindshme. Gjer më sot, tragjedia komuniste shqiptare s’ka pasur asnjë përgjegjës; s’ka pasur as dhe një dënim, të paktën moral. Qeveritë postkomuniste presin që të zhduket brezi i të persekutuarve dhe, së bashku me të, çdo dëshmi okulare, çdo dëshmi e gjallë, çdo kujtim i historik. Përderisa Parlamenti i Tiranës nuk do të shpallë terrorin shtetëror si një krim kundër njerëzimit, s’do të ketë demokraci në Shqipëri.
Libri juaj është një vepër krejt e pazakontë, mund të na thoni diçka rreth formës së tij?
“Gjëmë” s’ështe ese akademike në termin klasik, është tragjedi në vargje, poemë dramatike, pamflet, elegji, por në të njëjtën kohë është dhe ese, dhe tragjedi, dhe poemë dramatike dhe pamflet dhe elegji; pra është një libër i pa katalogueshëm. “Gjëmë” është një këngë morti shkruar sipas gjëmës tonë të veriut, e cila përkon me episodin e grekëve të lashtë. “Gjëmë” është një libër tronditës i cili rrëfen të vërtetën tronditëse mbi masakrën ushtruar kundër poetëve shqiptarë nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Për një poet të vërtetë s’majfton vetëm të shkruaj libra me vlerë, por të gjej dhe forma të reja letrare.
Kujt i kushtohet kjo “Gjëmë”?
Siç e theksova dhe më sipër, “Gjëma” u kushtohet poetëve dhe shkrimtarëve të vendit tonë, viktima të pafajshme të Terrorit komunist. E kam nisur ta shkruaj këtë libër në Darsinë time, në Lushnjë, në vitin 2000, për ta përfunduar në Itali në 2011, në Ezilin Çoçar. Janë vite kërkimi, studimi, hulumtimi, leximi, reflektimi, takimesh me miqtë dhe me familjarët e viktimave. Vite të dendura, dramatike, përplot me ankthe dhe tmerr, të cilat kanë shënuar një herë e përgjithmonë ekzistencën time. S’e kam pasur të lehtë t’u jap emër, fytyrë, trup dhe zë poetëve martirë apo vdekur nga vuajtjet në lager apo në kampet e internimit. Pasi mbarova së shkruari faqen e fundit të kësaj poeme të përmortshme, m’u duk sikur u shtypa nga pesha e asaj që përfaqëson pjesën më të kobshme të Historisë sonë.
A keni hasur vështirësi në shkrimin e librit tuaj?
Vështirësitë në këtë ndërmarrje kanë qenë të shumta pasi përgjegjësit e një masakre të tillë, sot mbulojnë përgjegjësi të larta politike dhe qeveritare në Shqipërinë postkomuniste dhe veç kësaj, bëjnë ç’është e mundur për ta varrosur memorien e djeshme. Ata që guxojnë të hedhin dritë mbi krimet barbare komuniste, si në rastin tim, konsiderohen armiq dhe dënohen me heshtje nga kultura zyrtare e Tiranës. Familjarët e viktimave kanë afër shtatëdhjetë vjet që presin të dinë të vërtetën mbi tmerret që kanë ndodhur në dhomat e llahtarta të ish-sigurimit. Dhe shpresojnë që Parlamenti i Tiranës t’i dënojë, më në fund, krimet kundër njerëzimit të epokës enveriste. Ende s’dinë se ç’fund kanë pasur trupat martirë dhe dorëshkrimet e të dashurve të tyre, ndërsa ideatorët dhe xhelatët e Terrorit shtetëror vlerësohen me çmime vjetore nga shteti apo qeveritarët “demokratë” e “socialistë” të Tiranës, për faktin se i kanë shërbyer atdheut të djeshëm komunist me devocion! Shqipëria është shndërruar në një varrezë: çdo ditë zbulohet një gropë anonime me eshtrat e burrave, grave dhe fëmijëve, konsideruar armiq të Partisë së Punës dhe diktaturës së proletariatit, e jo më larg javën e shkuar u zbuluan eshtrat e dy martirëve të revoltës së Qafë-Barit. Te “Gjëma” kam shmangur çdo polemikë ideologjike, se desha t’iu jap zë martirëve dhe të mbijetuarve, që kanë mundur të dëshmojnë mbi tragjedinë, çmendurinë, banalitein pervers të diktaturës.
Në libri tuaj “genocidi” kundër poetëve shqiptarë s’shihet si një fakt i kufizuar, por nën kontekstin e vendeve ish-komuniste të Lindjes. Përse një kontekst i tillë?
“Gjëma” s’është thjesht renditje faktesh, por një histori korale që i kapërcen kufijtë e Shqipërisë. Në libër flitet, jo vetëm për persekutimin e poetëve gjatë komunizmit, por dhe për persekutimin e poetëve shqiptarë edhe gjatë regjimit zogist, fashizmit dhe nazismit. Përshkohet historia tragjike e poezisë shqipe, dhe nëpërmjet saj, historia e kulturës sonë nga vite ’20 deri në 1989, vit i cili përkon me varjen në litar të poetit Havzi Nela. “Gjëma” s’është një libër që flet vetëm për poetët martirë shqiptarë, por dhe për poetët disidentë e martirë sovjetikë, kinezë, çekosllovakë, rumunë etj. Masakra komuniste kundër poetëve shqiptarë s’ka qenë një masakër e izoluar, por është parë nën kontekstin e bllokut komunist të Lindjes. Ç’ka ndodhte në Bashkimin Sovjetik, huazohej nga Kina e Mao Ce Dunit dhe me pas imitohej, por me një egërsi të pashoqe në Shqipëri, po edhe në Çekosllovaki, Rumani, Bullgari, Poloni etje.
Përse e ke titulluar këtë vepër pikërisht “Genocidi i poezisë shqipe”?
Nëse ekziston një memorie letrare në vendet e Lindjes, kjo falë poezisë e cila ka qenë avangarda e lëvizjeve kulturore. Profetët e Verbit, gjatë diktaturës komuniste, arritën ta sfidonin hapur Terrorin e Kuq dhe pushtetin gjakatar të diktaturës së proletariatit, në emër të lirisë dhe të drejtave njerëzore, duke u bërë protagonistë emblematikë të shekullit XX. Mund të thuhet pa ngurrim se opozitarët e parë të kastës gjakësore të Enver Hoxhës, qenë pikërisht poetët. Ata u përleshën heroikisht pa kursyer as jetën kundër Terrorit të kuq. Diktatori i frikësohej zërit të poetëve ndaj përdori grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre Sigurimin e Shtetit. Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rrëqethës. Lista e të pushkatuarve nga regjimi është e gjatë dhe i përngjan një gojëdhëne të pabesueshme, mjafton të përmendim emrat: Vinçenc Prenushi, Lazër Shantoja, Bernardin Palaj, Mark Çuni, Ndre Zadeja, Lazër Radi, Et’hem Haxhiademi, Kudret Kokoshi, Frederik Reshpja, Musine Kokalari, Kasem Trebeshina e Bilal Xhaferri. Është rasti të kujtojmë dhe stinën e jashtëzakonshme poetike në ish-Bashkimin Sovjetike: poetët si Bllok, Klebnikov, Majakovskij, Gumilëv, Esenin, Mandelstam, Akmatova e mjaft të tjerë, kanë bërë legjendë në historinë e artit europian. Thuajse të gjithë studiuesit pohojnë se arti më i madh në vendet e Lindjes ka qenë pikërisht poezia. E thënë me fjalët e Pasternakut: “…poezia është më simbolikja dhe më e çmuara e të gjitha arteve të racës së poetëve në Europën e Lindjes”. “Majakovski – shkruan Pietro Cittati – recitoi në skenën e historisë duke thënë se gjaku i vërtetë është ai që rrjedh nga venat e prera apo nga zemrat e çara. Në asnjë tjetër teatër të botës, në asnjë histori të kohës sonë, s’ka patur aktorë kaq gjigantë dhe ngjarje kaq të mahnitshme si spektakli që na ka ofruar Rusia në ato vite, ku poetët u kthyen në protagonistë të pashoq të një tragjedie korale. Kush, më mirë se Majakovski, e parandjeu katastrofën revolucionare bolshevike?!” Në moshën 30 vjeç pushkatohet Ryleev, 36 çmendet Batjuskov, 34 vritet Griboedov, 35 pushkatohet Gumilëv, 44 Mandelstami, 30 vjeç varet Esenini, 36 vetëvritet Majakovski, 49 Cvetajeva. Pa harruar pushkatimet, me urdhër të Stalinit, të poetëve: Babel, Kljuev, Belyj, Vedenskij, Charms, Vesëlyj, Erdman, D. Mirskij, Oresin, Ganin, Klyçkov. Kishin ëndërruar një Revolucion sipas motos së tyre.
Në librin tuaj, midis të tjerash, dalin në pah poetë që e kanë kundërshtuan hapur diktaturën komuniste dhe poetët e realizmit socialist që bashkëpunuan me regjimin e Enver Hoxhës. Si e shpjegoni që asnjë krijues shqiptar gjer më sot, s’e ka pasqyruar një përballje të tillë në një vepër si “Gjëma”?
Vërtet, “Gjëma” vë përballë fatet e martirëve të Verbit shqiptar, që me vargjet e tyre sfiduan një nga diktaturat më gjakatare të shekullit XX, duke mos kursyer as jetën e tyre, në emër të lirisë së krijimit letrar, dhe nga ana tjetër zëdhënësit e regjimit komunist si LL. Siliqi, Çaçi, Musaraj, Shuteriqi, Gjata, Kadare, Agolli, A. Shehu, Arapi (I përkasim Komunizmit), K. Petriti, N. Lako, etje., të cilët i thurën romane e poema madhështore Enver Hoxhës, luftës së klasave dhe komunizmit. “Gjëma” i demistifikon pseudomitet e letërsisë komuniste të Enver Hoxhës që ende në mijëvjeçarin e tretë u serviren lexuesve shqiptarë si simbole të letërsisë moderne shqiptare dhe si mbrojtës të të drejtave të njeriut. Mafia politike dhe kulturore e Tiranës ka shpenzuar miliarda lekë për të rinovuar maskat e tyre komuniste për t’i imponuar këto mite të rremë qarqeve letrare kombëtare e ndërkombëtare (gjer në histeri kolektive), duke kryer kështu një masakër të re kundër martirëve të kulturës sonë kombëtare. Madje 99 për qind e gazetave dhe shoqatave kulturore shqiptare në Itali dhe në Europë janë krijuar me urdhër për të promovuar letërsinë e realizmit socialist. Krijuesit zyrtarë të Tiranës s’mund të shkruanin një “Gjëmë” të tillë sepse, fatkeqësisht, vuajnë “sindromën e Stokholmit”, veç kësaj, kolegët e mi shqiptarë i kanë shërbyer si Enver Hoxhës ashtu dhe pushtetarëve post-komuniste: Nanos dhe Berishës. Poetët e Tiranës janë njerëz të pushtetit dhe kanë përfituar nga pushtetet.
“Gjëma” është homazh vetëm për kulturën shqiptare?
Jo,”Gjëma” s’është homazh vetëm për kulturën shqiptare, po edhe për kulturën italiane, franceze, greke, gjermane, austriake e amerikane. Poetët dhe shkrimtarët e persekutuar shqiptarë ishin formuar në universitetet më të famshme të Europës Perëndimore e, në vend që të bënin karrierë profesionale dhe të parapëlqenin rehatin e tyre vetjak, u kthyen në atdhe për t’i shërbyer përparimit shoqëror, kultural, ekonomik dhe shpirtëror të vendit amtar. Veç të tjerash, këta korifenj u bënë edhe mbartës të një kulturë perëndimore dhe të një konceptimi të ri kulturor e shkencor dhe urë lidhës të Shqipërisë me Europën e qytetëruar. Në vend që ata të trajtoheshin si baballarë të Shqipërisë, të shtetit demokratik shqiptar dhe kulturës kombëtare, ata u varrosën të gjallë nga tirani Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij të zellshëm.
Si e shpjegon faktin që vepra juaj “Gjëmë – Genocidi i poezisë shqipe” u dënua me heshtje nga shtypi dhe mediat shqiptare?
“Gjëma” duhej te ishte cilësuar si libri i vitit në Shqipëri, dhe autori i saj duhet të ishte ftuar në panairin e Tiranës si mik nderi për prezantimin e tij. Përkundrazi libri s’bëri pjesë as në radhorin e çmimeve vjetore!!! Arsyeja e një qëndrimi të tillë tejet cinik, është se vepra ime tregon të vërtetën; “Gjëma” mbetet një akt-akuzë tronditëse dhe e pa kompromis kundër pushtetarëve të djeshëm/të sotëm të Tiranës tirane, dhe, në të njëjtën kohë, ngrihet kundër poetëve që kanë hyjnizuar luftën e klasave dhe komunizmin e Enver Hoxhës. S’është hera e parë që krijimtaria ime letrare injorohet në mënyrën më cinike nga mafia politike dhe kulturore e vendit tonë. Me heshtje u dënua edhe “Poema dell’esilio/ Poema e mërgimit”, Fara Editore, botimi i 2005; botimi i II në 2007. Mund të them se u kam paraprirë në kohë tragjedisë së Gërdecit. “Poema e mërgimit” është një poemë prej 1600 vargjesh ku gërshetohet elementi epik me atë lirik. Përmbajtja e saj është e gjerë dhe komplekse: në të rroken aspekte antropologjike, politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore. Në këtë poemë, mes të tjerash, denoncohet trafiku i organeve, i armëve, korrupsioni, lidhjet midis politikës dhe mafies, krimet e komunizmit, vjedhja e pronës, korrupsioni, bankat fantazmë, grabitja e pasurisë kombëtare, trafiku i drogës, i prostitucionit dhe i klandestinëve… denoncohen pseudo-poetët dhe pseudo-intelektualët zyrtarë të Tiranës, pseudomitet që i kënduan Enver Hoxhës dhe luftës së klasave, pushtetarët e djeshëm/ e të sotëm që kanë uzurpuar çdo qelizë të jetës politike, ekonomike dhe kulturore të vendit dhe që e mbajnë peng zhvillimin e vendit. Por ç’ka e verbon më shumë mafien politike dhe kulturore të Tiranës është fakti pse unë s’u kam kënduar partive, tiranëve, luftës se klasave, terrorit shtetëror; pse unë s’kam qenë kurrë poet oborri, poetë stinësh, servil, i pafytyrë e dredharak. Përkundrazi e kam krijuar korpusin e veprës sime me stërmundime të pafundme dhe me ndershmëri intelektuale, duke iu imponuar kritikës ndërkombëtare falë vlerave letrare, pa përmendur kontributin tim politik gjatë proceseve demokratike. Ndaj vepra ime u fut frikën panteonit të poetëve të Tiranës; ndryshe s’ka s’i shpjegohet fakti që në harkun e 50 vjetëve autori i kësaj interviste s’është ftuar kurrë të lexoj veprën e tij në Shqipëri. Edhe pse konsiderohem nga shtypi dhe kritika botërore si poeti më i shquar shqiptar dhe njëri ndër poetët më të mëdhenj në botë. Madje në 1997, kur unë fitova çmimin “Montale” për poezinë, çmimi më prestigjioz për poezinë në Itali, shtypi shqiptar s’shkroi sikur dy fjalë! Shqipëria është si Medea i ka shqyer gjithnjë poetët e saj të vërtetë.
Kur do të botohet “Genocidi i poezisë shqipe” në Itali?
“Gjëma” do të botohet në Itali brenda këtij viti. Më pas do të botohet në Francë dhe Gjermani; varianti në gjuhët e huaja do të ketë rreth 100 faqe më shumë kundrejt botimit të parë në Tiranë. Ashtu si dhe “Poema e mërgimit”, “Gjëmë” është një vepër e hapur. Për masakrën ndaj poetëve shqiptarë gjatë diktaturës komuniste s’është folur kurrë deri sot përtej kufijve të Shqipërisë, përkundrazi, është bërë ç’është e mundur për ta fshehur atë ç’ka ka ndodhur.
Ndonjë libër i ri që do të pasojë “Gjëmën”?
Së shpejti do të dalë nga shtypi dhe një tjetër libër që ka të bëjë me Memorien kulturore dhe historike tonën. Këtë herë s’po e zbuloj përse bëhet fjalë…”Frikem” se mos ndonjë nga kolegët në Tiranë më “merr” primatin…!!
Fatmira Nikolli/Gazeta Dielli