2012-02-09

Shkrimtari i Ri Shqiptar, ose “Shkëlqimi dhe Mjerimi i Një Romani”




nga Loer Kume

Duke lexuar në një gazetë debatin e hapur për letërsinë e pas ’90-ës në Shqipëri dhe për shkrimtarët e rinj që një shkrimtare e huaj e interesuar për artin në Shqipëri, i kërkon me qiri nëpër Tiranë, më erdhi ndër mend një përrallë. Një përrallë urbane që flet për një shkrimtar shqipëtar pas viteve ’90. Dhe për romanin e tij të parë. Atëherë, na ishte njëherë një tip. Kishte qëlluar me shpirt të ndjeshëm. Poezia hyri në të që në moshë të njomë fare. Dhe ai e nxirrte nga vetja shumë bukur. Që në moshën 6 vjeçare kur sapo kishte njohur gërmat, shkroi poezinë e parë. Dhe kështu eci ai në rrugën e tij, vit pas viti, poezi pas poezie, derisa u rrit disi. Hyri në gjimnaz. Lexonte e lexonte…shkruante e shkruante… Duronte talljet e shokëve që kishin alergji nga librat, dhe kalonin kohën nga masturbimi i rradhës te matja e rrugëve tërë ditën e ditës. Duronte vështrimet përbuzëse të vajzës që pëlqente se ajo ishte më e bukura dhe ai poeti shkarravinë. Shtrëngonte dhëmbët. Do më shihni, – thoshte me vete,dikur unë do shkruaj librin tim të madh. Dhe të tërë ju do më respektoni, doni apo nuk doni. Ai ishte rebel. Dëgjonte rock. Shkruante e shkruante. Madje, një herë fitoi dhe çmimin e dytë në konkurs. I pari ishte për njerëz të fuqishëm. Do më shihni më vonë kur unë të jem njëri i fuqishëm, – tha prapë me vete duke shtrënguar dhëmbët. Sepse talenti i tij ishte gati hyjnor. Filloi studimet për gjuhë letërsi. Ndoqi pasionin e tij të jetës. Atë që i buronte nga brënda vrullshëm. Aty ishte në botën e tij. Të tërë ishin si ai. Letrarë. Dhe puthi për herë të parë një vajzë. Dhe jetoi vitet e shkollës me pasion dhe përkushtim prej asketi. Ajo ishte puna e tij. Ajo që po bënte ishte ai. Do i jepte famën, dhe çdo gjë që të donte. Mbaroi shkollën, doli për herë të fundit nga dera e saj, dhe në kokë i ra freskia e çmendur e fustaneve verore. Iu vu pas. U thoshte që ishte gjeni, që e vleresonin tërë ata që merrnin vesh nga letërsia. Askush nuk i jepte më shumë se një buzëqeshje të ftohtë. Cu hynte në punë një gjeni letrar? Ato kishin nevojë për para. Paraja. U kujtua një moment, dhe kërkoi punë. Hiç. E kujt i duhej një gjeni letrar? Askujt. Ishte mall që nuk shitej. Filloi diku në një librari si shitës. Këshillues librash i pëlqente të quante veten. Thoshte se merrej me drejtimin e brezit të ri në letërsi. Merrte 15000 lekë rrogë. Rrinte tërë ditën duke lexuar dhe ngrënë bukë e groshë në shtëpinë e babait. Ishte 28 vjeç. Dhe shkruante. Përfundoi më në fund romanin e tij. Romanin e parë. Një roman të mahnitshëm për shpirtin dhe botën. Tani jeta do ti ndryshonte. Kritika do e kuptonte thelbin e filozofisë së tij. Do bëhej i madh si ‘X ‘dhe ‘Y’ dhe romani i tij me pak fat do përkthehej nga një përkthyes i njohur. Do lexohej dhe kuptohej në botë, njerëzit do ndriçoheshin nga libri i tij. Dhe ai do shkruante emrin e tij në librin e madh të shkrimtarëve botërorë. E hodhi dorëshkrimin në kompiuter në një internet kafe duke paguar me lekët e kursyera me zor nga rroga për të.. Dhe pasi e masterizoi filloi të kërkonte botues. Aty u vu për herë të parë përballë realitetit të vërtetë. “Ti, më fal që po tregohem disi harbut, por po të flas hapur, nuk je askushi. Je, nëse më lejon të shprehem me figurë letrare, mall i ri në treg. Që do të thotë mall i pasigurtë. Me shumë mundësi nuk do kesh sukses që me librin e parë. Nuk mund të rrezikojme paratë tona. Duhen lekë për botim. Të paktën 2000 euro. Vetëm 500 kopje. Lidhje cilësore.” Ku te gjente 2000 euro një dikush me 15000 lekë rrogë në muaj? Atëhere mësoi të lëpihej. Ti lëpihej atij që kishte para. Biznesmenit. Dhe ata e dëgjonin duke pirë puron e tyre dhe buzëqeshnin. Entuziazmoheshin nga talenti i tij, por sapo dilte nga dera e harronin. Sepse duhet të bënin para. Dhe ai filloi ta ndjente veten parazit. Dhe lypës. Po u lypte para të tjerëve. Megjithatë njërit që e donte letërsinë e bukur dhe kishte kohë më shumë se të tjerët, i erdhi keq. Paratë u gjetën. Libri u faqos, shtyp, lidh dhe botua. Ishte emocion prindëror të mbaje në dorë librin tënd të parë. Gati si foshnje. Me atë kopertine të bukur, të shkëlqyeshme. Me atë kopertinë që do e preknin mijra duar, do e dashuronin mijra mëndje…dhe filloi faza tjetër e punës. Të bridhje libraritë, kinkaleritë, bibliotekat, shkollat. Për të shitur librin. Sigurisht jo me lekë në dorë. Libri vihej në vitrinë, dhe blihej, atëherë ai merrte lekët. Libri u vu në vitrinën e librarive. Kalonte afër saj dhe shihte tërë krenari kopertinën e bukur e të shkëlqyeshme e tërë ngjyra. Kopertinën që u bë e verdhë nga dielli dhe gri nga pluhuri. Sepse libri ishte vendosur në krahun e librarisë ku pluhuri nuk fshihej kurrë. Në atë krah ku dergjeshin dhjetra libra të tjerë, idiotë, bastardë, deri edhe gjenialë. Libra të shkruar rishtazi, pas ’90-ës. Kritikët nuk e morën vesh ndonjëherë që ishte botuar një libër i ri nga mënyra e të shkruarit në Shqipëri nga një shkrimtar i ri premtues. Ata kishin punë. Të merreshin me politikë. Dhe të shkruanin artikuj kritike të tipit “pse nuk ka kritikë letrare…” Kuptoi që askujt në këtë vend të çuditshëm nuk ia ndjente për letërsi. Sepse nuk kishte bukë në qarkullim. Njerëzit e shkretë ishin në kërkim të dy lekëve për të ushqyer familjen. Gjëja që i gëzonte më tepër ishin ardhja e dritës dhe ujit. E ç’mund tu hynte në xhep atyre për një roman të ri qoftë edhe gjenial? Ai s’bënte për të ngrënë. As për të pirë.. Të kapitur, me mirë dëgjonin predikimet e një feje se faqet mbushur me nota optimizmi e shpirti të një romanit të parë të shkrimtarit të ardhshëm me famë botërore. Dhe cinizmi që e pushtoi kur ndjeu disfatën, ia thau burimin e frymëzimit. Nuk kishte më tema shkrimi. Jeta e përditshme nga puna te klubi e te shtrati nuk ofronte brumin e nevojshëm. Mendimet e vrullshme për të parë vëndet e botës e njohur njerëz të rinj u bënë ëndërra të buta për të fjetur gjumë. Ndërkohë ishte shëndoshur, thinjur, dhe flokët i ishin rralluar në ballë. Ishte bërë burrë. Filloi të shkruante artikuj për gazeta e të kërkonte në dyert e redaksive honorarin. Por, nuk kishte honorar për artikujt kritikë të artit. Nuk kërkohej kritikë letrare në treg. Ndaj, sipas këshillës së një miku, filloi të ndiqte ngjarjet politike. Duhej të fitonte para duke u angazhuar me një forcë dhe duhej të gjente grua. E vendosi një ditë para një gotë konjaku vendi. Do të behej analist…Egzistojnë dhe të paktën tre variante të tjera të kësaj përralle. Në njërin, është po e njejta rrjedhë por me ndryshimin se shkrimtari nuk kishte talent. Në një tjetër, shkrimtari prapë nuk kishte talent, por ngjarja u zhvillua bukur, duke e bërë shkrimtarin një pop star sepse babai kishte paratë dhe lidhjet e duhura me televizionet të cilat i bënë reklamë dhe e ftuan nëpër shfaqe. Ai ishte i bukur dhe vishej bukur. Duhet të jetë dhe varianti i katërt, ku ai kishte talent dhe pjesën tjetër e bente babai, po unë nuk kam dëgjuar gjë. Do ishte bukur. Por… Varianti i parë i përrallës mbetet në fuqi, sepse ai tregohet më shpesh në realitetin urban Shqipëtar. Ai është shkrimtari i ri. Mund ta gjesh në kafenë e lagjes, apo në klubin ku mbidhen të mëdhenjtë, për të vjedhur ndonjë fjalë me vesh e nxjerrë ndonjë lek. Kështu do të isha dhe unë sikur mos kisha ndjekur zërin pragmatist të mëndjes e të mos kisha studiuar stomatologji. Dhe kjo arsye më bindi plotësisht kur jo më larg se para dy ditesh, pyes në librari për gazetat letrare sepse doja të botoja diçka të shkruar për pasion, dhe marr vesh që në këtë moment që po shkruaj nuk ekziston të paktën as një suplement letrar, jo gazeta të mirëfillta letrare që nuk shihen kurrkund. Të kanë lezet dhe bukuri kronikat e zeza tërë gjak e vrasje misterioze me të cilat E.A.Poe do ndërtonte një perandori letrare njëqind herë më të madhe se ajo që shkroi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...