2012-02-05

ÇASTE KËNAQËSIE ME POEZI PËR LIRINË DHE VENDLINDJEN





Sali Beqiraj: Qershor dhe pak trishtim, Buzuku, Prishtinë, 2006




Ali R. Berisha

Vëllimi poetik “Qershor dhe pak trishtim” i Sali Beqirajt, i botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” është një krijim poetik, i cili shqetëson këndshëm dashamirët e vargut. Afro 50 poezi të ndara në pesë cikle është një libër i cili do të ketë një ecje krenare në rrugën letrare të letërsisë sonë, dhe i cili për bioletraritetin e tij përvetëson e shqetëson këndshëm. Një vëllim pakfletësh por përmbajtjeshumtë.

Sali Beqiraj është ende një poet i “ri” (ky vëllim poezish do të duhej të ishte i treti , sipas Leksikonit të H. Hasanajt; i pari ‘Dhimbje shtatzënë” – 1993, Himn i vargjeve të zeza - 1997) por si t’ ishte i disati, sepse ky, pas bindjes sime ka ngulur gurin në fushën e poezisë, duke përcaktuar “botën poetike” të tij., i cili sa do të vijë e do të zgjërojë atë. I ardhur (mbase edhe i lindur) nga Rugova, ky poet me këto poezi ia ka dalur të nxjerr në detin e letrave filozofinë shekullore të malësorëve rugovas. E gjetur në kujtesa dhe pëshpëritshëm e përcjellur gojëmëgojë e djalëpasdjali ajo filozofi shpërfaqet edhe këtu me gojën e Smajl Çelës (babait të poetit). I biri i tij, një pjesë të asaj filozofie, e nxjerr aty “vargnisht”, siç do të thoshte Luigj Gurakuqi, para nesh për të treguar edhe një herë botërisht se cili ka qenë ilaçi që na ka mbajtur të gjallëe ruajtur shekujsh (“Unë mbaj ekuilibër’), furtunash (“Sa të kalojë furtuna), luftërash, bllacash, detëpërpirjesh. Kjo filozofi e shpërfaqur edhe me qëndresëpërpjekjet madje dhe me armërezistencat tona e më shumë me viktimizimet tona, edhe, këtu në këtë libër renditet e nxjerr kokë me vargjet e reduktuara, bile edhe me tituj të reduktuar, permes vargjesh të shkurtëra, mendimesh të përzgjedhura me mjeshtri të denja për t’u marrë si shembuj. Vetëm për poezinë mund të thuhet: sa më e shkurtër, aq më me peshë.
Ndonëse libri është ndarë në cikle, filozofia që e përmendëm është e ndjeshme, e rrënjëzuar dhe e vënë në vende të gjetura dhe kështu më tepër rezulton poetikisht se sa filozofikisht. Mjaftojnë t’ i përmendim vetëm disa sish: Mund të jetosh / Duke bërë krahasime me lumturinë (11), …kujdes/ si jepet shpirt (11), … errësira ime e trashë (21), Shpirti nuk po delka/ Pa dale / Tokë e askujt 30), Eh malet…/Këto frëngji (35), Ngrënë të kam,/ Pirë po? Tash po të vjell (35), Zemra është ajo / Që nuk pyet për asgjë (38), Moti/ Për verë / Të parvjeme/ Kallëzon (39), Kosova është një lindje më shumë / Se lindjet (49),Derisa bëhet luftë / Flenë…Mullinjtë (83), Jam…/ Një gur / Rrokullisur mbi trupin tend / Rugovë (90).
Poezia jonë e ka një veçori më të theksuar se poezitë e tjera, atë të këmbënguljes së poetit për të treguar (kënduar) edhe për vuajtjet traditore të popullit tonë, e së këndejmi edhe të të parëve. Edhe këtu e hasim një motiv të tillë. Pikërisht në ciklin “ Skicë për lirinë” pikon diç e tillë. Fillon me vrasjen e babait “Duke kositur bar / Për qengjat”, ndonse i papikëfaji e me “natyrë të butë”. Ky baba, si edhe shumë të tjerë që më parë e ka pasë dëgjuar kërcënimin “ju përtej bjeshkës!”, prandaj “Çdo mëngjes shikonte në dritare” a mos po duken kërcënimtarët… Dhe plaku vdes mbi barin e aromshëm. “I lumi ai!” do të thoshin shumë të tjerë, të cilët i degdisi fati të mbyten e të vriten gjithandej e gjithkëndej e s’ u dihen varret,
varr n’ u paqin bërë, e s’u dihet nami as nishani - nam e nishan n’u paqin lënë. Kështu e ka “Anatomia e luftës … Tunel pa dalje” (37) Poeti gjakftohtë e aspak hakmarrshëm thotë:

Do ta jap provimin “Historia e Ballkanit”
E bashkë do t’i gjejmë
Hënën dhe varret (Dashuri refugjatësh)
ndonëse
Saktësisht nuk dihej asgjë
Saktësisht dihej se po bëhej luftë (42)
me synimin
… për të bërë një rrënjë… përmes rrënjës (56,57)
Autori i vëllimit kësaj radhe nuk na flet nga pozita e poetit ,ndonëse ky është libri i tretë i tij, por nga pozita e një malësori, që me dhembjen artistike vargëzon “gjënë e gjallë” (9) – poezinë (bioletrarisht - do të thosha) në “kohën e marrëzisë”, duke mbajtur të gatshme “gërshërë… gjilpërë… penj …për ta Qepur / lëkurën” – sigurisht të poezisë – ma merr mendja.. Këto grishje poetike e ato vuajtje për lirinë, Kosovën e babain poeti ua ofron lexuesit, duke i gërshetuar ato në vargje dhe shndërruar në simbole, të cilat “Që ma bëre / Art dhembjen” (98). Këto dy vargje të fundit të librit bashkë me vargjet moto në fillim “Kudo që je ti / Poezi / Kudo / Jm unë”, përbëjnë kordelen më të qëlluar, me të cilën poeti e ka “lidhur” tufën e poezive.

Poezitë e vëllimit që po e shqyrtojmë janë poezi të cilat me pak fjalë flasin shumë. Flasin lehtë dhe me një gjuhë të shoshuar e të qëlluar krijojnë përshtypje të thella. Poezi të vogla në dukje, por të mëdha kur lexohen. Vargje të shkurtëra, por me domethënie të thella, të farkuara për të peshuar rëndë.
Poezitë e këtij vëllimi nxjerrin në pah një konstatim se poezitë e atyshme aq sa dëshmojnë vlerë mdërtimi po aq, në mos më shumë, nxjerrin para lexuesit lëndë të bollshme meditimi rreth nesh e botës sonë. Ato nuk e lodhin lexuesin me “britma” e heroika. Para dhe prapa vargut mbretëron krenaria burrërore. Sëkëtejmi më duket se titulli i librit do të qe më mirë të ishte më pak klithmor. Poezi, pra që krijojnë çaste kënaqësie. Ato, besojmë se do të mbesin edhe jetëgjata për lexuesin. Në këtë kohë të pasluftës e të viteve shpresash të mëdha ky libër ka për ta gjetur vendin e e merituar në vargun e librave me peshë në letërsinë tonë.
Fundimisht, nuk mundem pa e thënë një anë tjetër të përshtypjes, të cilën mund të ma kenë lënë dy – tri vargje jo të mirëgjetura për këtë vëllim e për këtë kohë. Vargjet: “Brezi im / Ajri im i zi” (77), tulli i ciklit “Ajri im i zi”, madje edhe vargu tërësisht i fundit “ Arti i dhembjes” na bëhet se kanë pak si tepër rezignim, mëllef e dëshpërim, ndjenja këto që s’mund të bëjnë vend në mesin e vargjeve të tjera, nga të cilat buron krenaria, qëndresa, bindja dhe dëshira se Historia do ta japë provimin. Nëse ndonjëherë nisemi nga thënia e E. Fisherit se me artin dëshirojmë të ikim nga jeta e pakënaqur në një më të lumtur, atëherë del se kjo vërejtje duhet të jetë me vend.htrime letrare

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...