2012-02-09

Të jesh shkrimtar shqiptar


Ardian MARASHI

Për të vlerësuar ç'është një shkrimtar shqiptar, lipset të kujtojmë ç'ka qenë shkrimtari shqiptar.

Vetëdija e të qenit shkrimtar shqiptar duket se ka lindur bashkë me shkrimin shqip, në kohët kur shqipja shkruhej sipas ndikimit të qarkut kulturor-fetar: me alfabet latin për katolikët e Veriut dhe për arbëreshët, me alfabet grek për ortodoksët e Jugut, me alfabet arab për autorët e ndikimit oriental dhe me alfabete vetjake, që shkonin në mbi 50 germa origjinale, për autorë të veçantë. Atëbotë, të ishe shkrimtar shqiptar qe një sakrificë e pashembullt. Mbas vështirësisë së parë, që lidhej me zgjedhjen, përshtatjen apo krijimin e tipit të alfabetit, vinte vështirësia kryesore, ajo e shtypshkrimit dhe e sigurimit të lejes dhe të fondeve për shtypshkrim. Duhet pasur në vëmendje se këto ndodhnin në një kontekst kulturor herë krejtësisht të pafavorshëm e herë krejtësisht armiqësor: së pari, shqipja ishte krejt e panjohur për botën joshqiptare; së dyti, bota shqiptare nuk kishte shkolla të sajat, e pra as lexues potencialë të shqipes; së treti, qarqet kulturore brenda botës shqiptare injoroheshin reciprokisht, aq sa kurrfarë komunikimi mes tyre nuk mund të ekzistonte. Në këto rrethana, të ishe shkrimtar shqiptar qe një koncept pothuaj tërësisht virtual, nëse pranojmë se s'mund të ketë shkrimtar pa lexues dhe se finaliteti i tekstit të shkruar është lexuesi. Së fundi, deri me pavarësimin e vendit, më 1912, individi i potencuar për të qenë shkrimtar shqiptar ishte specia që luftohej me të gjitha format e mjetet e drejtpërdrejta e të tërthorta, që nga injorimi monumental e deri te vrasja me helmim e me armë nga kundërshtarët e shqiptarizmës.

Deri në periudhën e Rilindjes Kombëtare, pra deri në epokën e postromantizmit europian, gjendja vazhdoi pak a shumë e këtillë: pati autorë shqiptarë, por jo letërsi shqipe të zhvilluar - për sa kohë që skenës kulturore shqiptare i mungonte lexuesi. Vetëm mbas gjysmës së dytë të shekullit XIX, me afirmimin e letërsisë kombëtare të Rilindjes, mund të thuhet se vetëdija e të qenit shkrimtar shqiptar nis të kristalizohet plotësisht. Për inerci të politikave gjeokulturore rajonale, situata vazhdon të mbetet e turbullt: qendra e shkrimtarëve shqiptarë gjatë periudhës së Rilindjes nuk është hapësira autoktone shqiptare, por metropolet kulturore të perandorisë otomane, që nga Stambolli, Bukureshti, Sofja, Athina e Janina dhe deri në Aleksandri të Egjiptit, duke kaluar nëpër Horën e Arbëreshëve. Sidoqoftë, me lëvizjen e Rilindjes tabloja ndryshon rrënjësisht, duke qenë se autorët rilindas bashkëpunojnë për një projekt kombëtar dhe kanë një mesazh qartazi shqiptar për t'ia përcjellë një publiku që u duhet ta krijojnë vetë.

Është për t'u marrë parasysh një veçori mjaft e rëndësishme, që lidhet me mbarë autorët shqiptarë të periudhës nga fillimet e shkrimit shqip e deri në pavarësimin politik të vendit. Pothuaj të gjithë këta autorë shkruajnë në një, dy e madje tri gjuhë të tjera përveç shqipes: latinisht për autorët e qarkut Verior, greqisht për ortodoksët e Jugut, turqisht e persisht për poetët me frymëzim oriental, ndërkohë që autorët rilindas shkruajnë e botojnë edhe në gjuhët e reja të kulturës europiane, në italisht, frëngjisht, anglisht e gjermanisht. Në njëfarë mënyre, kjo dëshmon se autorët shqiptarë të epokës nuk janë pajtuar me mungesën e lexuesit vendas dhe janë rrekur ta kompensojnë këtë mangësi thelbësore, duke kërkuar me ngulm lexues potencialë të origjinave kulturore në afinitet me shqiptarët. E rëndësishme është se me kalimin e viteve letërsisë shqipe i janë shtuar mjaft vepra themelore përmes përkthimit nga gjuhët e ndryshme, siç janë dy veprat historike të Barletit, romani, esetë dhe poezitë e Pashko Vasës, disa poema nga Naimi, tekste të ndryshme nga Samiu, tekste e vepra nga autorët arbëreshë, si dhe vepra e materiale studimore të Konicës e Nolit, apo të vetë Çabejt - siç është rasti i përkthimit tash së fundi të doktoraturës së tij austriake.

* * *
Me krijimin e shtetit shqiptar ndryshon përfundimisht edhe statusi i shkrimtarit. Epiqendra e prodhimit letrar zhvendoset brenda kufijve politikë të Shqipërisë e, kështu, letërsia shqipe del nga kuadri i një letërsie diasporike dhe mërgimtarësh. Shkrimtari bëhet protagonist i mediave të shkruara - gazeta e revista - dhe mëton të ketë lexuesin e vet. Rrjeti arsimor i ngritur në të gjitha qytetet e Shqipërisë shtron nevojën e një prodhimi letrar cilësor e njëkohësisht siguron vazhdimësinë e profesionit. Në vitet e Mbretërisë Shqiptare, falë stabilitetit politik e social, letërsia shqipe jeton periudhën e vet të artë, pavarësisht se në gjysmën e trojeve shqiptare, ndër shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, jeta kulturore pëson një goditje më të rëndë se dikur nën perandorinë otomane. Gjithsesi, duke mbetur në kufijtë e Shqipërisë politike, vërejmë se jeta letrare arrin një kulm, duke nxjerrë në ballë të skenës individualitete të denja për prodhimin më të mirë letrar europian. Autorë si Fishta, Koliqi e Migjeni, si Konica, Noli e Spasse, si Poradeci, Kuteli e Marko, dëshmojnë se letërsia shqipe e periudhës mes dy Luftërave Botërore kishte mbërritur pjekurinë e nevojshme letrare dhe estetike për t'u inkuadruar në letërsinë e madhe të kontinentit.

Thyerja që solli epoka e diktaturës e prishi rrjedhën e natyrshme të procesit letrar në Shqipëri. Pikësëpari, dolën nga skena letrare të gjithë ata shkrimtarë të traditës e të ditës, si dhe të gjithë autorët e huaj të shekullit XX, pikëpamjet e të cilëve nuk përputheshin me sistemin. Për të plotësuar kuadrin e boshatisur, u promovua në rangun e shkrimtarit kushdo që arrinte të rimonte vargje me Parti / liri dhe me Enver / kurdoherë: më të zellshmit, madje, e rrallëherë më të talentuarit, përfituan pension shkrimtari dhe leje krijimtarie, që mund të zgjaste nga disa muaj deri gjithë jetën. I mikluar me privilegje të këtij lloji, shkrimtari u quajt dhe u bë "ndihmës i Partisë": nuk kishte si të ndodhte ndryshe, përderisa Partia mbahej në pushtet jo aq prej ekonomisë, sesa prej ideologjisë marksiste-leniniste të sanksionuar në Kushtetutën e vendit si e vetmja e lejueshme. Izolimi nga Europa qe total, kurse ligji i dënonte poetët me punë fizike të detyruar, me burg, litar ose pushkatim. Shpesh, madje, kërkohej "ekspertiza" e një shkrimtari ose grupi shkrimtarësh për të dënuar kolegët e vet. Në këtë mënyrë, besnikëria ndaj Partisë kthehej nga detyrim në dëshirë. Dëmi qe i pallogaritshëm dhe shumë shkrimtarë të djeshëm vazhdojnë ta vuajnë në intimitetin e tyre (kur ky intimitet nuk është shkatërruar) pabesinë e dikurshme ndaj sivëllezërve të vet.

Në këtë klimë çmendurie, letërsia nuk u çmend e gjitha. Pjesa e saj më e zgjuar përdori alibinë e historisë që të mos shkruante vetëm broçkulla, ose u rrek të gjente tema që i bishtnonin aktualitetit. Pjesa e saj më e guximshme ekzistoi pa u shfaqur, si letërsi e nëndheshme, e shkruar nga autorë të ‘paakredituar' në Lidhjen e Shkrimtarëve ose nga të burgosur të ndërgjegjes. Pjesa e saj më fatlume lindi dhe u realizua në liri, në Perëndim ose në Amerikë, duke e kthyer mërgimin në shans jete. Ndërkaq, shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë përfituan si mundën nga një rënie relative e tensionit ndëretnik në vitet shtatëdhjetë dhe nga hapja ndaj Perëndimit, për të konsoliduar një letërsi disi ndryshe, më të çlirët e më të sofistikuar në aspektin formal, por po aq të shtrënguar në fyt nga simbolika atdhetare, sa ç'qe letërsia brenda Shqipërisë nga partishmëria komuniste. Shkrimtari shqiptar, veç, andej e këndej kufirit politik, e kishte të vështirë, në mos të pamundur, ta shihte veten jashtë marrëdhënieve me pushtetin: këndej për ta adhuruar pushtetin deri në delir, andej për ta kundërshtuar deri në vetëmohim.

* * *
Në ditët e sotme tabloja ka ndryshuar, por mjaft dukuri aktuale e gjejnë shpjegimin në traditën jo të largët dhe në atë më të afërt. Po vijojmë me dukuritë e trashëguara, në mënyrë që të mund të shohim, shkurtimisht por nën një dritë më të qartë, proceset origjinale të sotme, si edhe, në fund, ato që mendojmë se mund të jenë ose mund të bëhen prirje të së ardhmes.

Përgjithësisht, ende sot vërehet një prirje e shkrimtarëve për të qenë sa më afër pushtetit, ose, së paku, për të hyrë në zonat e tij të afërta të influencës. Mendohet se në këtë mënyrë fitohet më shpejt dhe më me siguri ajo që në letërsi paraqitet si proces i ngadalshëm dhe i pasigurt: promovimi publik dhe mirënjohja publike. Në situatën e sotme, është e paarsyeshme që kjo sjellje të konsiderohet si një e metë ose si një ves i trashëguar; përkundrazi, në mungesën e mekanizmave të një tregu të konsoliduar dhe të një kritike profesionale, kjo lipset parë si një mënyrë me të cilën autorët përpiqen t'i influencojnë opinion dhe tregun në dobi të tyre, duke u përpjekur për t'i bërë vetes atë marketing që, në kushte normale, do të duhej ta bënin agjenti letrar privat (alias atasheu letrar i shkrimtarit), botuesi dhe kritika. Sado që marketingu ‘pushtetar' shihet si një lloj konkurrence e paligjshme nga kolegët më të tërhequr, për kushtet e sotme ky është një ndër shërbimet e vogla që shkrimtari detyrohet t'ia bëjë vetes, kur sistemi s'ia jep këtë mundësi.

Një formë tjetër e vetëpromovimit të autorëve shqiptarë, akoma më e efektshme dhe mjaft më realiste se përfshirja ose bashkëpunimi me sferën politike, vazhdon të mbetet dygjuhësia. Nëse kjo formë krejtësisht autentike e shkrimit, megjithëse traditë e qenësishme e letrave shqipe, u ndërpre në kushtet e izolimit të ftohtë, jashtë Shqipërie ajo vazhdoi me një sukses relativ, e këtu kemi parasysh shkrimet në italisht të Koliqit, Camajt e Pipës, apo ato në anglisht e frëngjisht të Pipës e të Luzajt, të cilat sidoqoftë nuk patën efektin e pritshëm, meqenëse të gjithë këta autorë i përdorën gjuhët e huaja për tekste kritike dhe të dorës së dytë, kurse për veprën e mirëfilltë letrare ata vazhduan të përdorin shqipen, e cila i pati pjekur si shkrimtarë para se të largoheshin nga Shqipëria.

Autorë të brezit të mbasdiktaturës, në të kundërt, të cilët arritën të afirmohen si shkrimtarë me mediumin e një gjuhë të huaj të madhe, e ruajnë këtë gjuhë të huaj si shprehje gjuhësore unike, siç është rasti i Orjana Vorpsit me italishten dhe, pak më ndryshe, i Skender Sherifit e Katrinë Preljocajt me frëngjishten, ose xhonglojnë nga gjuha e huaj në shqipe e anasjelltas, siç veprojnë natyrshëm Elvira Dones, Gjekë Marinaj, Niko Kacalidha e të tjerë. Mjaft shqiptarë të emigracionit duket se kanë zgjedhur përfundimisht gjuhën e emigrimit si gjuhë të shprehjes së tyre letrare, çka u ka dhënë një rol në jetën letrare aktive të vendit përkatës. Emrat e këtyre janë të mirënjohur në të dy kulturat, në atë të origjinës dhe në atë të adaptimit: Luan Starova, Besa Myftiu, Gëzim Hajdari, Ron Kubati, Astrit Cani, Ardian-Kristian Kyçyku e mjaft të tjerë, shprehin një tendencë të re, atë të shkrimtarit shqiptar që shkruan (edhe) joshqip. Kjo tendencë lipset ndjekur d studiuar me vëmendje, për vetë faktin se ka gjasa të krijojë një traditë të vetën, ndikimi i së cilës në zhvillimet letrare të brendshme pritet të forcohet e të zgjerohet në dhjetëvjetshin e ardhshëm.

Përgjithësisht, kalimi përmes një gjuhe të huaj, në formë të shkrimit origjinal ose përmes përkthimit, konsiderohet si një sukses i veçantë i autorit dhe si një vlerësim i konfirmuar i talentit të tij. Duket se këtu ka shërbyer si model magnetizues rasti i Kadarese, suksesi i të cilit në fillim të viteve 70-të përcaktoi në një masë të madhë statutin e tij si shkrimtari i vetëm shqiptar botërisht i suksesshëm. Rasti i Mustafajt në fillim të viteve 90-të dhe ai i Kongolit prej disa vitesh, kanë nxitur te brezi më i ri padurimin për të qenë i përkthyer në një gjuhë perëndimore ose, së paku, për të qenë i përfshirë në ndonjë nga antologjitë jo të pakëta që botohen periodikisht, me sigurinë se aty fillon suksesi i pandalshëm.

Impenjimi për të qenë i përfshirë në proceset letrare më të fundit, e madje për të inciuar vetë procese të tilla në rang rajonal e më gjerë, siç është rasti i aktiviteteve dhe i botimeve tashmë të mirënjohura nën siglën Poeteka, apo i mbrëmjeve poetike të Strugës, flasin për një dinamikë të mirëorientuar, e cila i mban poetët në lidhje organike me aktualitetin letrar ndërkombëtar e njëkohësisht u hap rrugë që të bëhen aktorë të këtij aktualiteti.

Sidoqoftë, jemi të vetëdijshëm se kjo paraqet vetëm faqen e bardhë të gjërave, kurse ekziston edhe një tjetër faqe, më pak e bardhë, e cila dëshmon për vështirësitë reale dhe për sfidën e të qenit shkrimtar shqiptar. Të jesh sot shkrimtar shqiptar do me thënë të jesh i vetëm në fushën e lojës, të bëhesh pre e botuesve që punojnë pa kontratë, e shpërndarësve dhe librarëve mospërfillës dhe e organizmave që shpërdorojnë të drejtën e autorit. Do me thënë të botohesh pa marrë asnjë pagesë për punën tënde, ose mbasi ta kesh paguar vetë botuesin. Do me thënë të shkruash gjithë jetën për të tjerët dhe rrallë, ose kurrë, të shkruajnë të tjerët për ty. Të jesh sot shkrimtar shqiptar do me thënë, njëkohësisht, që të hetosh ç'të reja mund të sjellësh në letërsinë e vendit, si dhe të dish të vlerësosh potencialin e jashtëzakonshëm të mjedisit shqiptar në situatën aktuale, ku gjithçka mund të kthehet në materje letrare, që nga dramat individuale e kolektive, deri tek energjia e çuditshme e ‘botës sënë' dhe te larmia e saj e jashtëzakonshme.

Të jesh shkrimtar shqiptar, kudo në hapsirën gjeokulturore shqiptare dhe kudo ku shkruhet e ku botohet letërsi, do me thënë të kesh fatin të jesh bartës i realiteteve njerëzore dhe kulturore autentike, të cilat vetëm presin një sy për t'i parë, një shpirt për t'i ndjerë dhe një penë për t'i trupëzuar me përjetësi. Presin, sigurisht, edhe një formim shkrimtari, ku talenti luan rol veç në nisje.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...