2012-02-10

Grekërit: Tekstet e historisë në shkollat shqiptare helmojnë marrëdhëniet dypalëshe



Deri tani nuk e kemi shkruar mirë historinë. Dhe jo vetëm që nuk e kemi bërë një gjë të tillë, por tekstet shkollore të historisë “helmojnë marrëdhëniet ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë”. E në këtë kuadër ekspertë grekë që dinë shqip do të vijnë për të hequr nga librat e historisë ato pjesë që helmojnë këto marrëdhënie. Ngritjen e një komisioni të përbashkët greko-shqiptar me qëllim analizimin e teksteve të historisë të të dy vendeve, bëri të ditur dje gjatë një interviste në kanalin NET, ministrja greke e Arsimit Marieta Janaku. Mbi bazën e atyre ç’ka kishin rënë dakord edhe në Tiranë gjatë takimit me homologun shqiptar, Ministria e Arsimit e Greqisë do të ngrejë një komision pedagogësh dhe ekspertësh të shkencave historike që njohin edhe gjuhën shqipe. Sipas Janakut, kur të jetë gati edhe komisioni shqiptar, grupi grek do të shkojë në Shqipëri për të diskutuar me qëllim që “të heqin nga librat e historisë, kryesisht të palës shqiptare, pasaktësitë dhe ngjarje të cilat helmojnë marrëdhëniet dypalëshe”. “Ka akoma ide për Shqipërinë e Madhe”, tha ministrja greke e Arsimit duke vazhduar se “të gjithë vendet e shkruajnë historinë ashtu si edhe u përshtatet. Por të dalësh jashtë nga e sotmja me ide të mëdha, helmon marrëdhëniet dypalëshe”. Shekulli 30/10/2004

Historianët Shqiptarë: kemi shkruar vetëm të vërtetën

Gazmend Shpuza - Nëse në të kaluarën, historia mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka qenë edhe aq miqësore, kjo nuk do të thotë se ajo duhet ndryshuar. Unë mendoj se i takon së ardhmes, marrëdhënieve që do të ndjekin tani dy vendet, që të ndreqin armiqësitë e së shkuarës. Por historia është histori, ajo nuk ndryshohet. Historia është një shkencë dhe e tillë duhet trajtuar. Nëse do të rishikohen librat, është e domosdoshme që më parë të zhvillohen debate të hapura shkencore me specialistë dhe historianë.

Myzafer Korkuti - Unë mendoj se deklaratat për të rishikuar historinë “e cila me mënyrën se si është shkruar helmon marrëdhëniet mes dy palëve” , janë diçka e vjetëruar dhe kanë një kuptim të ngushtë politik. Unë nuk i njoh tekstet shkollore të Greqisë, por di që në këtë shtet botohen herë pas here studime krejtësisht ekstremiste. Njëri prej këtyre librave i titulluar “Epirus” u botua në vitin 2000 dhe aty hidheshin ide të pafalshme si ajo e Greqisë që shtrihej deri në lumin Shkumbin në Shqipëri.

Fatmira Rama - Me sa di unë dhe nga sa kam parë me sytë e mi, tekstet shqiptare të historisë janë nga më të barazpeshuarit në literaturën shkollore të Ballkanit, përfshi këtu edhe atë të Greqisë. Përkundrazi. Një student i imi që tani mëson në Greqi më tregonte një ditë se në tekstet e historisë studiuesit grekë vazhdojnë të përfshijnë brenda kufirit të Greqisë shumë vise që janë zyrtarisht të Shqipëri. E pra, kjo vazhdon e u mësohet të vegjëlve grekë sot e kësaj dite dhe nëpër tekstet e tyre përmendet shpesh termi “Vorioepir”. E kemi shkruar historinë të saktë, bazuar në fakte të vërteta, pa u ndikuar fare nga nacionalizmi. Nëse historia e kaluar mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, nuk ka qenë edhe aq miqësore, kjo s’do të thotë se ajo duhet ndryshuar. I takon së ardhmes të korrigjojë gabimet e së kaluarës. Këto janë mendimet e disa prej atyre që kanë shkruar tekstet shkollore të historisë në Shqipëri.

PROTOKOLLI I TRADHËTISË

Kohë më parë Fatmira Rama, Gazmend Shpuza, Myzafer Korkuti thanë se nuk kishte asnjë fakt për t’u ndryshuar në librat e historisë që kanë kaluar nëpër duart e tyre. Të pyetur për protokollin e nënshkruar mes dy shteteve prillin e kaluar, ata thanë se nuk dinin asgjë për të. Vetëm zonja Rama pohoi se kishte dëgjuar diçka tek-tuk, por nuk bëhej fjalë për informacion të plotë. Aq më pak dinin historianët për grupin e specialistëve që duhet të ngrihet. Qeveria ka firmosur në 3 prill 2003 një protokoll i cili ligjëron ngritjen e grupeve të specialistëve grekë që do të shqyrtojnë tekstet shkollore të historisë, letërsisë, etj. Një vit e gjysmë më parë, shteti shqiptar dhe ai grek kanë nënshkruar një protokoll PËR TË CILIN DERI TANI NUK ËSHTË DITUR GJË. Nënshkrimi i protokollit është pohuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit. Gazeta Shekulli boton sot të plotë përgjigjen që kjo e fundit dha dje, për problemin në fjalë.

“Në zbatim të pikës 2 të protokollit nënshkruar në Athinë më 3 prill 2003 mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë mbi programin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve për vitet 2003-2005, është rënë dakord për ngritjen e një komiteti të përbashkët ekspertësh për të studiuar mënyrën se si janë paraqitur historia, gjeografia, letërsia, kultura dhe ekonomia e secilit vend në tekstet shkollore në vendet respektive. Palët kanë rënë dakord në këtë protokoll që përmbajtja e teksteve në fjalë të studiohet në përputhje me standardet e konventave të Këshillit të Europës dhe UNESKO. Edhe në kontaktet e fundit me palën greke Ministria shqiptare e Arsimit (MASH) ka shprehur gatishmërinë e saj që ekipet e ekspertëve të takohen në një kohë të përshtatshme për palët. MASH është në pritje që pala greke të përcaktojë ekspertët e saj. Do të ishte vetëm gjykimi shkencor e profesional i tyre që do të verifikonte vërteësinë e teksteve shkollore të përdorura në të dy vendet dhe që do të krijonte kushtet për përsosjen e standardeve të kërkuara si dhe që nuk do të linte hapësira për paragjykime”.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...