2012-02-10

E.Koliqi:TREGETARE FLAMUJSH



(Fragment)

-Posi.... u ba Shqipnija. Dalin te marret e vikasin rrnofte Shqiperia! Ti i mencem pergjigje tue bertit ne kupe te qielles : rrnofte, po, e shpejt me porosite flamuj. Na shkyeju rrnofte, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesit tona. Loje e bukur, por s'te ka dale....
Gasper Tragaci, leshoi shtizen e u avit kercenueshem kah djali.
Flamuri ra per toke. Hilushi s'luejti vendit. Shikonte syte e ftohte qi leshojshin shkendija idhnimi. Tregetari u ndal para tij.
- Mos me kene hatri i miksis se mocme qi kam me shpine t'ante, dij une...
I riu ia priti
- Per hater t'asaj miksije tash qes bejte me t'u shit flamujt..
Me za qi i dridhej prej pezmit tjetri ia kthei:
-po, zati ti sdin vec me qit bejta. Jeto me prralla, bieru mbas andrrave. Me vjen keq per gjind tuj se tash i qet ne rruge te madhe, me shka shof une. Hajt, hajt, qit bejta e duaje Shqipnin: bejtat e Shqipnija
kane me te qite ne drite....
U afrue edhe ma teper e peshperiti si ne nje fishkullime:
- U shitne a s'u shitne flamujt, qendroi a s'qendroi Shqipnija, une kam mjaft shyqyr, me jetue, a more vesh e tash jashte....
-Kadale... ia priti djaloshi me t'eger e syt i vetuen- dal vete e s'asht nevoja me me qit jashte ti.
Por edhe nje fjale due me t'a thane e te lutem vire ne vesh si at kshill qe me dhae par ne dugaje.
Ti thue se jeton, por rrehesh. Ti je shlye prej numrit te gjalleve qyshse je ndry ne ket dugaje mbushe me mall. Ky asht vorri yt. E sa per Shqipni, po te siguroj un se ka me qindrue. Prandej mos ban merak se edhe flamujt kan me t'u shit krejt, por rueje shpirtin tand mos tia shitish dreqit.
E Hilush Viza doli, lehtesue ne zemer nga ai shfrim, me thith ajer te kulluet n'udhe sepse era e asaj dugaje i mirrte frymen.


Ernest Koliqi (1901 - 1975)


Kur ndodhesh larg e ke mall për vendin tënd, të duken të dashura e të magjishme edhe shprehjet më të thjeshta të përditshmërisë. Kur jetonte në Romë, shkrimtari Ernest Koliqi kujtonte gati me adhurim vitet që kishte kaluar në Shqipëri, sidomos ato në viset veriore, mes malësorëve.

Këto ndjesi të mbledhura në vitet 1930-1940, Koliqi i ka trajtuar në formë esesh, të cilat së bashku me një sërë kumtesash e artikujsh të mbajtur në konferenca e kongrese të ndryshme shkencore, si dhe të botuar jashtë Shqipërisë vijnë në një përmbledhja të titulluar “Ese të letërsisë shqipe”.

Kjo përmbledhje e botuar në Itali më 1972, vjen për herë të parë në gjuhën shqipe, përkthyer nga gjuha italiane nga studiuesja Dhurata Shehri, si një botim i IDK (ish-shtëpia e Librit dhe Komunikimit). Materiali i përfshirë në këtë libër, përfshin një periudhë 15-vjeçare, duke filluar nga viti 1953 deri në vitin 1968.

Janë rreth 17 punime, mes të cilave mund të përmendim ese e kumtesa si:
“Rapsodë dhe rapsodi të Alpeve shqiptare”,
“Si lind në Shqipëri një këngë popullore”,
“Mendime mbi këngët popullore të popullit shqiptar”,
“Tre poetët më të mëdhenj të Shqipërisë”,
“Skënderbeu në epikën popullore italo-shqiptare”,
“Shqiptarët në Kalabri”,
“Poezia dhe realiteti në jetën dhe veprën e Jeronim De Radës”,
“Njëzetvjetori i vdekjes së Gjergj Fishtës”,
“Ndikimet orientale në letërsinë shqipe”,
“Islami dhe krishterimi në letërsinë shqipe”,
“Fryma autoktone dhe ndikimet e huaja në letërsinë shqipe”, etj.

Edhe pse një shkrimtar i cili identifikohet me letërsinë moderne shqipe, interesante në këtë seri janë ato punime, që i kushtohen kulturës popullore shqiptare, ku përzihet eksperienca e jetuar me doke, zakone, besime, rapsodë, këngë kreshnikësh e lahuta.
“Kam dashur të nënvizoj nga ajo botë, sidomos ato aspekte të veçanta që të rrëshqasin nëse lë pas dore trashëgiminë e traditave arkaike, besimeve, besëtytnive e paragjykimeve, por edhe tërësisë së cilësive të brendshme njerëzore e etnike që karakterizojnë e dallojnë genin shqiptar. Qëndrimet e mia të gjata mes viteve 1930-1940 në malet e Shqipërisë së Veriut, përvoja e fituar nga pjesëmarrja në jetën e trazuar letrare të vendit, njohja personale me shumë nga autorët, (mes të cilëve Fishta, Luigj Gurakuqi, Prenushi, Asdreni, Shantoja, Palaj, etj) të cilët më nderuan me miqësinë e tyre e që spikatën në skenën letrare sidomos nga 1918-a deri më 1940, më japin mundësinë të sqaroj e të saktësoj disa vlera specifike të poezisë popullore e të asaj të kultivuar, jo aq të përmendur apo të vënë në dukje pamjaftueshmërisht, pikërisht për shkak të vështirësive të shumëllojta që pengojnë të kuptuarit e situatave e të njerëzve, të vendeve e mjediseve të mbyllura në vetvete”.

Kështu shkruan Koliqi në një hyrje të shkurtër që pararend përmbledhjen. Në disa prej eseve të tij ndalet gjatë tek rapsodët dhe rapsoditë, tek mënyra e të kënduarit, tek krijimi i këngëve heroike, tek kreshnikët Muji e Halili, temat e përbashkëta që i gjen edhe tek boshnjakët, arealet gjeografike imagjinare, që përmenden në këngët e kreshnikëve, si Jutbina... Por të gjitha këto nuk mund të ndahen nga jeta e malësorëve, nga ajo çka ata besojnë, apo nga ligjet prej të cilave udhëhiqen, siç është Kanuni. “Malësorët janë një botë më vete, që mbështetet në forma sjelljeje shkruar ndër shpirtra. Në sfond të kësaj jete shihen ende reflekse pagane, mite, besime, besëtytni. Aty ndërthuren në një pështjellim mbresëlënës që gufon prej poezisë së kulluar mbeturina besimesh të lashta, rite nga epokat më të largëta njerëzore e kozmogoni zanafillore. Çdo burim, çdo luginë, çdo majë, çdo pyll ka hyjninë e tij mbrojtëse. Malësorët nënqeshin mëshirshëm kur hasin në fytyrat tona prej njerëzish të shkolluar shprehje dyshimi ndaj pohimeve të tyre mbi ekzistencën e qenieve mitologjike ndër male. Malësorët kanë fallxhorët dhe yshtësit e vet, kanë mjekët e vet krejtësisht të pashkolluar, por që i shërojnë plagët më mirë se kirurgët qytetas, kanë poetët që krijojnë këngë, kanë rapsodë që këndojnë mbi një recitativ rapsoditë e tyre tradicionale shoqëruar me një vegël harqesh me një tel”, - shkruan Koliqi në “Rapsodë dhe rapsodi të Alpeve shqiptare”.


Libri

Autori: Ernest Koliqi
Titulli: “Ese të letërsisë shqipe”
Përktheu nga italishtja: Dhurata Shehri
Numri i faqeve: 295
Çmimi: 900 lekë
Botues: Botimet IDK
Shkruar në vitet: 1953-1968
Botuar në Itali: 1972

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...