Nga Florim Canolli
“Vlera më e madhe e kësaj vepre është kritika e argumentuar e sjelljes së vendeve evropiane ndaj shqiptarëve dhe hedhja poshtë e miteve dhe pohimeve joshkencore serbe për Kosovën”
Vepra e Serge Métais-ë “Histori e shqiptarëve” me nëntitull “Nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës” (Histoire des Albanais. Des Illyriens à l’indépendance du Kosovo, Fayard, 2006) është vepër që subjekt ka historinë e shqiptarëve e kryesisht në pjesën më të madhe historinë politike. Nëntitulli është mjaft signifikativ dhe shpreh më mirë përmbajtjen sesa vet titulli. Këtu kryesisht shtjellohet historia e shqiptarëve duke i marrë parasysh aspektet që lidhen më fort me politikën, të cilat në ndonjë mënyrë a tjetër janë në marrëdhënie shkak-pasojë me të. Vepra është më tepër një hyrje për historinë e shqiptarëve e destinuar për evropianët sesa një histori e kompletuar. Më i rëndësishëm është aspekti tjetër i saj: ajo është një kritikë e drejtuar ndaj politikave të ndjekura nga vendet evropiane gjatë dy shekujve të fundit.
Këtë vepër të ndarë në dy pjesë e karakterizon natyra jokoherente e shkrimit dhe e vijimësisë, e posaçërisht pjesën e parë të saj, sepse ka kalime të herëpashershme nga njëra temë tek tjetra. Vepra nuk është e gjerë në përmbajtje dhe e thelluar kështu që nuk ka ndonjë ide apo tezë origjinale. Ajo çka është më e veçantë këtu është trajtimi i çështjes shqiptare dhe posaçërisht i Kosovës kur bëhet fjalë për çështjet e hapura nga e kaluara që akoma i ndikojnë konfliktet aktuale politike. Ka tendenca që tu jipet kahja argumenteve në drejtim të njëfarë kritike të qëndrimeve perëndimore shpeshherë favorizuese ndaj pretendimeve por edhe miteve serbe që legjitimuan për shumë kohë politikat e spastrimit etnik, luftërave dhe gjenocidit. Autori shpesh del jashtë kontekstit dhe temës qendrore duke u ndalur nganjëherë tek disa ngjarje tjera që ndonëse ia vlen të merren parasysh si referime nuk është e domosdoshme të jipen shpjegime më të gjera. Këto përfshijnë pjesë të historisë së popujve tjerë të Evropës Juglindore dhe ngjarje të ndryshme që nuk kanë relevancë të qartë me historinë e shqiptarëve. Poashtu shpjegimet e detajuara për gjuhët dhe popujt indoevropianë, për shtegtimet e tyre, pastaj për perandoritë serbe e bullgare dhe për zhvillime të tjera ndoshta nuk hyjnë aq shumë në punë sa që të përmenden në këtë nivel.
Métais kryesisht fokusohet në disa nga momentet më vendimtare në historinë e shqiptarëve, momente këto që kanë lënë gjurmët më të dukshme në të. Këto përfshijnë kohën antike – vazhdimësinë ilire, mesjetën me pushtimet serbe, bullgare, bizantine e kështu me radhë, pastaj kohën e Skënderbeut, zgjimin e vetëdijes kombëtare shqiptare në fund të shekullit të XIX dhe rrethanat që çuan në çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe siç pritet së shpejti edhe pavarësimin e saj. Kosova në krahasim me viset tjera zë vend qendror në këtë vepër sidomos në pjesën e dytë të librit. Madje nëse i heqim fragmentet me më pak relevancë për Kosovën nga historia e shqiptarëve, atëherë kjo vepër do të kishte qenë jo histori e shqiptarëve po thjeshtë histori e Kosovës.
Sipas autorit, rrethanat në të cilat ndodhen sot shqiptarët ushqejnë një dozë nacionalizmi. Një nacionalizëm që për të është i kuptueshëm duke e analizuar kontekstin e shfaqjes dhe të zhvillimit të tij. Ai dallon me të drejtë nacionalizmin perandorak apo ekspansionist dhe në anën tjetër nacionalizmin rezistues. Në këtë të fundit ai e klasifikon nacionalizmin shqiptar dhe ky klasifikim argumentin më të madh, përpos referimit historik, e gjen edhe në faktin që sot rreth gjysma e shqiptarëve jetojnë jashtë shtetit shqiptar. Vepra kryesisht ndjek rrugën e argumentimit në këtë linjë duke u përqëndruar në veprimin politik të shqiptarëve dhe të popujve tjerë ndaj tyre dhe rrethanave në të cilat zhvilloheshin marrëdhëniet ndëmjet tyre. Pra, duket se qëllimi i autorit në këtë vepër ka qenë që të parashtrojë një argumentim kritik të kushteve dhe rrethanave që çuan në konfiguracionin e sotshëm politik të Evropës Juglindore përkatësisht viseve shqiptare në mënyrë që tu jap një vërejtje vendeve perëndimore për opinionet shpesh të painformuara mirë për historinë e këtij rajoni dhe për më tepër për politikat e papërgjegjshme që kanë kushtuar shumë.
Libri pra ka dy ndarje apo pjesë tematike. Siç thamë më lart pjesa e dytë më shumë i kushtohet Kosovës por edhe viseve tjera shqiptare të mbetura jashtë shtetit shqiptar deri në vitin 2006. Pjesa e parë ndërkaq ndalet tek procesi i kombformimit, proces ky që tek shqiptarët i parapriu krijimit të shtetit dhe tek prejardhja e shqiptarëve, pra vazhdimësia nga ilirët antikë e deri tek shqiptarët e sotshëm. Për mesjetën jipet një informacion më i zgjeruar ku flitet për krijimin dhe shpërbërjen e shteteve, mbretërive dhe perandorive në Evropën Juglindore duke dalur edhe jashtë kontekstit të temës qendrore, historisë së shqiptarëve. Ndërkaq periudha e Rilindjes Kombëtare trajtohet në fillim të veprës duke prishur pra rendin kronologjik. Duket se autori qëllimisht e ka nisur veprën me këtë periudhë sepse ajo është momenti i nisjes së kërkimit të identitetit nga shqiptarët dhe si kohë edhe fillimi i periudhës më vendimtare të popullit shqiptar.
Fillimisht Métais e sheh vonesën e zgjimit të vetëdijes kombëtare te shqiptarët si pasojë të përçarjes fetare. Kjo është e qëndrueshme pos tjerash kur bëjmë krahasim me vetëdijen kombëtare të popujve tjerë fqinjë me vetëm një religjion, në radhë të parë me grekët dhe serbët, dhe lidhjes së fuqishme që ata kishin dhe kanë ende me kishat e tyre kombëtare. Meqenëse religjioni nuk mund të ishte faktor bashkues, atëherë u gjet faktori tjetër. Ky faktor ishte gjuha. Gjuha shqipe shihej nga rilindasit shqiptarë si gjuha më e vjetër e gadishullit ballkanik (apo ilirik, siç preferojmë më tepër ta quajmë). Lashtësia e gjuhës dhe si pasojë edhe e popullit u gjet duke e lidhur atë me gjuhët më të vjetra të gadishullit: gjuhën e pellazgëve dhe më vonë të ilirëve. Përpos këtyre filloi të afirmohej periudha e Skënderbeut e cila shihej si koha më e lavdishme e popullit shqiptar. Sidoqoftë, Métais nuk i parashtron shkaqet e fillimit të Rilindjes Kombëtare, duke u ndalur vetëm në rrethanat në të cilat nisi ajo. Kurse për mungesën e deriatëhershme të shkrimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe Métais shkakun e gjen tek sundimi i huaj që impononte përdorimin e gjuhëve të sunduesve në dëm të gjuhës së popullit.
Métais, sikurse tashmë shumica dërrmuese e studiuesve, e sheh prejardhjen e shqipes nga gjuha ilire apo nga dialektet saj jugore që gjeografikisht i përgjigjen territorit të sotëm shqiptar. Këtë ai e argumenton hollësisht duke i konsideruar teoritë dhe faktet që argumentojnë prejardhjen e përbashkët gjuhësore dhe etnike indoevropiane dhe zhvillimin nga kjo e fundit të një vargu gjuhësh në grupe dhe nëngrupe. Edhe te Metais pra bie poshtë ideja se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve derisa këta ishin joindoevropianë dhe kështu teza e prejardhjes ilire të shqiptarëve mbetet më e qëndrueshme. Vazhdimësinë ilire tek shqiptarët, Métais e përkrah duke u bazuar në argumente gjeografike e gjuhësore: shqiptarët banojnë në të njëjtin vend ku kanë banuar edhe ilirët. Ai pastaj parashtron argumentin se një mori emrash njerëzish e fisesh dhe toponimesh ilire shpjegohen vetëm në gjuhën shqipe. Këtë miratim të prejardhjes ilire ai e bën pa u marrë shumë me tezën e prejardhjes trakase. Ndonëse kjo tezë kurrë nuk është përkrahur nga shumica e studiuesve megjithatë edhe ajo ka argumentet e veta që kryesisht janë gjuhësore e më pak gjeografike. Si shembull kemi përgjasimin e disa fjalëve të shqipes së sotme me fjalë rumune, pasardhës këta të dakasve të romanizuar të afërt me trakasit. Sidoqoftë, ndonëse prejardhja trakase e shqipes nuk është vërtetuar e as nuk ka gjetur përkrahje të madhe është e qartë se ka pasur afërsi të madhe gjuhësore dhe etnike në mes të ilirëve dhe trakasve.
Dihet se gjatë disa shekujve para lindjes së Krishtit, pjesë të tëra të Ilirisë iu nënshtruan një procesi ndikimi të madh kulturor nga grekët e vjetër, të cilat pastaj ranë në sundimin romak. Procesi i helenizimit sigurisht asimiloi pjesë të caktuara të etnisë ilire veçanërisht në jug, në Epir, kurse maqedonasit për të cilët Métais përkrah tezën se ata ishin etni e veçantë, do të asimilohen në tërësi. Sipas tij pushtimi romak e ndaloi procesin e helenizimit, kurse më vonë hovin e romanizimit do ta ndalnin inkursionet e shpeshta të popujve barbarë në Evropën Juglindore. Dyndja e sllavëve është momenti tjetër më vendimtar në historinë e shqiptarëve. Sllavët jo sikur më herët, do të nguliteshin përherë në Traki dhe në Iliri por edhe më poshtë në Maqedoni dhe Greqi. Më në jug, më të paktë në numër dhe të vendosur në enklava, ata do të asimiloheshin.. Ndërsa në Traki, sikurse dhe në Ilirinë veriore ata do t’i asimilonin elementet vendase. Etnia e dikurshme ilire do të tkurret pak a shumë në hapësirën e sotme shqiptare. Viset shqiptare dhe kuptohet edhe Kosova si pjesë e tyre do të bien herë pas here nën sundimin sllav, serb e bullgar por kurrë me vijimësi të vazhdueshme kohore.
Pikërisht interesi kryesor i kësaj vepre bie mbi trajtimin që Métais ia bën historisë mesjetare të Kosovës dhe më pas mitit të nacionalistëve serbë për djepin e civilizimit serb. Argumentet e Métais-ë në kundërshtimin e këtij miti përpos prejardhjes ilire/dardane dhe pranisë si shumicë në vazhdimësi të shqiptarëve, qëndrojnë edhe në faktin se tek serbët miti për Kosovën është krijuar në shekullin e XIX. Kjo kohë ishte koha e lindjes së shumicës së nacionalizmave. Nacionalizmi serb, që në fillim ishte defansiv dhe sipas Métais-ë ‘i drejtë’, doli nga kjo rrugë dhe mori tipare imperialiste që ai e paralelizon me nacionalizmin francez në kohën e revolucionit dhe më pas deri në luftën e Algjerisë. Métais i vlerëson idetë dhe projektet e Vuk Karaxhiqit (intelektual) dhe të Ilija Garashininit (politikan) si më pak agresive ndonëse të ngarkuara me ideologji dhe me mitologji nacionale, përderisa ato fokusoheshin në asimilimin apo integrimin e popujve tjerë e jo sikurse në shekullin e XX në politikat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit. Mbase Métais këtu bën gabim se deri diku i shfajëson autorët e këtyre projekteve. Nuk është aq bindëse që nismëtarët e këtyre projekteve ekspansioniste të mos kishin pasur sadopak përfytyrime për realizimin e tyre. Megjithëse, shumë ide, teori dhe teza janë devijuar nga kuptimi origjinal, kurrsesi nuk mund të shfajësohen autorët e tyre nga përgjegjësia historike. Miti që ata themeluan së bashku me projektin për ekspansion territorial patën pasoja të mëdha sepse u bën themel i shumicës së konflikteve në Evropën Juglindore deri në ditët e sotme.
Politikat e dëbimit, spastrimet etnike dhe dhuna e ushtruar në masë të gjerë kryesisht ndaj shqiptarëve nga vende si Serbia dhe Greqia janë paraqitur mjaft qartë nga Métais. Këto do të realizoheshin sidomos gjatë luftërave ballkanike, në prag të Luftës së Parë Botërore dhe pas saj. Në projektimin e këtyre politikave këtu përfshihen edhe pohimet pseudoshkencore të bëra nga Jovan Cvijiqi, të cilat ndikuan opinionin në Evropë kurse më vonë doli edhe elaborati për shpërnguljen e shqiptarëve i Vasa Çubrilloviqit. Mirëpo Métais e ka anashkaluar historinë shqiptare ndërmjet dy Luftërave Botërore. Vepra do të kishte qartësi dhe saktësi më të madhe sikur të shtjellohej kjo periudhë sidomos duke konsideruar kolonizimin, rebelimet e armatosura etj, brenda viseve shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme dhe zhvillimet brenda shtetit shqiptar që janë anashkaluar tërësisht. Edhe periudha komuniste është trajtuar pak. Theksi kryesor bie në periudhën e mëpasme; në rrjedhat politike dhe rrethanat e përgjithshme që çuan në luftërat e viteve 90-të në ish-Jugosllavi e veçanërisht në sjelljen serbe ndaj Kosovës.
Métais vitet 90-të me konfliktet dhe luftërat e përgjakshme që i karakterizuan ato, i sheh edhe si përgjegjësi e mosangazhimit perëndimor që i la duart e lira Serbisë për t’i realizuar qëllimet e veta. Daljen në skenë të UÇK-së ai e sheh si pasojë të lënies në harresë të Kosovës nga ana e vendeve perëndimore që për afro një dekadë e legjitimuan pushtetin e dhunshëm serb pa iu kundërvu atij. Kritika e tij drejtohet ndaj vendeve evropiane e veçanërisht Francës dhe presidentit të saj të atëhershëm François Miterrand. Mungesën e vullnetit nga ana e vendeve perëndimore për të vepruar Métais e konsideron si pasojë e njëfarë moskuptimi nga ana e tyre të kësaj pjese lindore të Evropës. Por kjo rrjedhimisht duke mos i shfajësuar ato sepse rrethanat që i paraprinë këtyre luftërave ishin ndikuar po nga këto vende evropiane në fillim të këtij shekulli kur ishin vendosur kufijtë e shteteve të këtij regjioni. Korrigjimin e këtyre gabimeve Métais e sheh në pavarësimin e Kosovës, realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në shtetet tjera dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Pra, siç vërejtëm më herët kjo vepër e Métais-ë, nuk shquhet për të dhëna të veçanta rreth historisë së shqiptarëve. Vlera më e madhe e kësaj vepre është kritika e argumentuar e sjelljes së vendeve evropiane ndaj shqiptarëve dhe hedhja poshtë e miteve dhe pohimeve joshkencore serbe për Kosovën. Kryesisht ajo do të duhej të kuptohet si një përmbledhje e rrethanave historike kryesore të shqiptarëve dhe rrjedhimisht si një reflektim kritik mbi to duke sqaruar pjesën më të madhe të problemeve politike të shkaktuara nga këto rrethana.