Dr. Azem Syla u lind më 5 prill 1951, në fshatin Krujë (ish-Kishna Rekë) të komunës së Drenasit. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme ka vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës, ku është diplomuar në Degën e Kimisë.
Doktor i shkencave politike nga 20 prilli 2006/USA- “Leibniz University”, New Mexico - Santa Fee/
Ende shumë i ri, duke përjetuar rëndë barrën e robërisë, në familje dhe në jetën e popullit shqiptar, ai ishte edukuar me dashurinë për njerëzit e popullin e tij, duke treguar një ndjeshmëri të lartë për fatin e tij tragjik, i ndarë dhe i persekutuar nga shovinizmi serbomadh. Shqiptarët nuk e deshën zgjedhen jugosllave sepse në bazë kishte sakrifikimin e interesave të tyre. Ishte kjo arsyeja që ata nuk iu bindën asnjëherë asaj.
Dhuna e madhe që ushtrohej mbi shqiptarët dhe e cila nuk bëhej publike nga faktori i brendshëm shqiptar, por as nga faktori demokratik evropian, për arsye se, siç do të shihej shumë qartë me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fuqitë e mëdha ruanin interesat e tyre të përgjithshme, duke krijuar baraspeshë përmes ekzistencës së një krijese artificiale, që quhej Jugosllavi.
I riu Azem Syla, si një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë, qoftë duke përjetuar burgosjen e të rinjve dhe atyre pak intelektualëve shqiptarë, qoftë duke lexuar literaturë të kohës, kishte mësuar se Jugosllavia ishte “burg i popujve të saj”, por burgu më i madh dhe më i tmerrshëm ishte për shqiptarët. Mirëpo, robëria për shqiptarët ishte e dyfishtë:
Së pari, se nuk gëzonin asnjë të drejtë elementare, qoftë për shkollimin e tyre në gjuhën amtare, qoftë për të realizuar të drejtat e tjera njerëzore, apo të drejtat kombëtare.
Së dyti, sepse çdo pakënaqësi e shprehur dënohej me burgosje të rënda shumëvjeçare dhe me pasoja të mëdha jetësore.
Ky fat i keq kolektiv i popullit shqiptar të Kosovës ishte edhe pjesë e fatit jetësor të të riut Azem Syla.
Në vitin 1981, demonstratat e mëdha të studentëve dhe të popullit shqiptar në Kosovë lëkunden për herë të parë seriozisht themelet e ish- Jugosllavisë. Azem Syla, si shumë të rinj të tjerë i përkrahu fuqishëm ato, për këtë ai burgoset dhe dënohet me shumë vjet burg, ku mbahet deri në vitin 1988. Kur del nga burgu, ai nuk i ishte thyer, andaj edhe nuk ishte dorëzuar.
Veprimtarinë atdhetare e vazhdon edhe më me këmbëngulje, prandaj kur filluan ngjarjet e lëvizjeve të mëdha popullore në vitin 1989, ai ishte pjesëmarrës aktiv gjë për të cilën sërish arrestohet dhe mbahet në izolim nga muaji mars deri në muajin gusht të vitit 1989. Nga kjo kohë e deri në vitin 1993 bën punë dhe jetë gjysmë ilegale, kurse nga viti 1994 kalon në ilegalitet të thellë.
Për këtë arsye, për shkak të veprimtarisë së ngjeshur herë pas herë kalon në Shqipëri, apo në Maqedoni, si përvojë e bashkërendimit të veprimeve taktike, ngase gjatë kësaj kohe kryhen edhe aksionet e para kundër stacioneve policore të Serbisë në Kosovë, si dhe kundër elementëve të ndryshëm të pushtetit të asaj kohe.
Në veprimtarinë e tyre ilegale, si dhe në aksionet e tyre të armatosura, ata kërkonin realizimin e të drejtave të tyre kombëtare dhe njerëzore, pastaj edhe realizimin e të drejtave për vetëvendosje. Këto kërkesa, të ditura edhe historikisht, të cilat i kishin formuluar edhe si obligim forcat që kishin marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore në Konferencën e Bujanit, në dhjetor 1943 dhe janar 1944, tashti ishin bërë pjesë e jetës dhe e veprimtarisë atdhetare të grupeve ilegale.
Në vitet e tetëdhjeta, është njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK-së). Me kohë ishte njëri prej drejtuesve kryesorë të LPK-së, sidomos në sektorin e saj për përgatitjen e luftës së armatosur. Është e ngjeshur veprimtaria e tij në këtë organizatë politiko-ushtarake.
Në fillim të viteve të nëntëdhjeta ishte themelues i grupeve ilegale të armatosura në Kosovë, duke kryer atentate dhe sulme të vazhdueshme mbi stacionet policore, si dhe mbi segmente të strukturave të ndryshme policore të pushtuesit serb. Pra, në këto vite, është ndër themeluesit e strukturave të UÇK-së, rrjedhimisht të grupeve të saj guerile, ngase deri në daljen publike të UÇK-së, kjo ishte formë e veprimtarisë së saj. Po nga këto grupe ilegale të armatosura ishte emëruar Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në nëntor të vitit 1997, kur lëvizja e armatosur me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës del publikisht, doli nevojë e ngutshme edhe organizimi i saj. Që nga koha kur themelohet Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Azem Syla emërohet Komandant i SHP të UÇK-së.
Sa më shumë që armiku vinte duke shtuar forcat ushtarake dhe policore në Kosovë, për ta zhbërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në një anë dhe për ta dëmtuar deri në shfarosje popullin shqiptar, në anën tjetër, vinte duke u rritur edhe organizimi i mirëfilltë i Luftës së UÇK-së, deri sa arrin që t’i imponohet faktorit ndërkombëtar si forca e vetme për zgjidhjen e problemit të Kosovës në kuadër të zgjidhjes së Çështjes Shqiptare në përgjithësi.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke qenë forca kryesore që vendoste për fatin dhe lirinë e Kosovës, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën që mbahet në Rambuje të Francës. Pjesë e delegacionit të kësaj Konference, në Rambuje dhe në Paris, si Komandant i SHP të UÇK-së ishte edhe Azem Syla.
Gjatë periudhës së funksionimit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Azem Syla ishte Ministër i Mbrojtjes.
Që nga themelimi i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla është anëtar i kryesisë së këtij subjekt partiak, detyrë që e kryen edhe sot.
Mirëpo, si njeri që krahas idealit të lirisë dhe gatishmërisë që të sakrifikohet për të, Azem Syla kishte edhe një ideal tjetër. Ai asnjëherë, përkundër angazhimeve të tij në jetën ilegale dhe në frontet e luftës çlirimtare, nuk e kishte lënë anash shkollimin dhe thellimin e dijes në fushat që i kishin zgjuar më shumë kureshtje.
Për shkak të rrethanave që mbretëronin në Kosovë deri pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kishte pasur mundësi që të thellonte më tej dijet e tij në fushën e studimeve të shkencave ekonomike dhe politike.
Kësisoj, në korrik të vitit 2001, i regjistron studimet pasuniversitare, për gradën shkencore Master, në Leibniz University, përkatësisht në Insititutin e Arteve dhe të Shkencës të këtij universiteti, në SHBA, studime nga distanca, siç e kishte të rregulluar ky universitet i njohur, ku diplomon me sukses të shkëlqyeshem në fushën e shkencave politike, më 18 korrik të vitit 2003.
Pas përfundimit të kësaj faze të studimeve, Azem Syla vazhdon studimet për doktoratë, poashtu studime nga distanca, në Universitetin e Leibnizit, në të njëjtin Insititut të Arteve dhe të Shkencës, në SHBA, ku mbaron dhe mbron me sukses të shkëlqyeshëm, tezën e disertacionit të doktoratës në shkencat politike, me temë Politika dhe qeverisja në Kosovë, procesi i statusit final të saj (“Politics and governance of Kosovo, status process, resolving Kosovo’s final status”).
Vlera shkencore e këtij punimi e cila në vetvete përbën dhe lajtmotivin politik të jetës së Dr. Azem Syla, se Kosova nuk mund të ndjekë proceset transformuese të Serbisë, sepse në dobi të popujve përkatës dhe të paqes afatgjate në rajon do të funksiononte një ndarje mes tyre, qoftë edhe me luftë.
E kësaj teze ai i qëndroi deri në fund duke argumentuar nga çdo pikëpamje, historike, ekonomike, diplomatike, politike, kulturore, demografike, etj si dhe ju përkushtua për të realizuar atë në jetë.
Ai kishte bindjen se pavarësia e Kosovës do të shënonte përfundimin e një procesi të gjatë të krijimit të një Evrope të Bashkuar, të lirë dhe paqësore duke realizuar kështu arritjen më të madhe të shekullit të njëzet. Transferimi gradual i integrimit evropian bëri të mundur shndërrimin e Evropës në një zonë paqeje dhe prosperiteti, me kufij të hapur dhe të pakontestueshëm. Evropa u çlirua kështu nga një ngarkesë historike që i sillte asaj destabilizim dhe agresione të përgjakshme. Këto procese përbëjnë mundësinë për të shkrirë nacionalizmat ballkanikë, sidomos nacionalizmin e frikshëm serb, i cili helmoi ambientin e shpirtin jugosllavë gjatë shekullit të kaluar.
Në veprimtarinë shkencore Dr. Azem Syla jep mjaft ide dhe rekomandime për të përballuar situatën e post pavarësisë në Kosovë, duke vazhduar të jetë aktiv në jetën politike të vendit dhe duke u shquar për ndjeshmëri të lartë ndaj emergjencave të vendit.
Për këto dhe arsye të tjera që nuk janë përfshirë në këto shënime të shkurtra, Instituti i Financave i Kosovës, merr vendimin e sipërshënuar.
Nuk është mirë të thuhet se "Azem Syla ishte agjent i SHIK-ut!"
Një nga emrat më të përfolur në Kosovën e pasluftës pa dyshim është edhe Azem Syla. I njohur si një nga shefat e Shtabit të UÇK- së, i njohur si ''Daja i madh'' më në fund e ka ''hapur gojë'' dhe e ka ''ndrydhur lapsin'' në letër. Heshtjen e lakimit të emrit të tij e ka prishur jo në Kuvendin e Kosovës, ku njihet si një deputetët që asnjëherë nuk e ka marrë fjalën në Kuvend dhe që njihet si një nga deputetët që nuk është anëtar i asnjë komisioni parlamentar, por përmes një shkrimi autorial që u ka dërguar medieve. Azem Syla apo''daja i madh'' në këtë shkrim autorial ka shkruar:
Shkruan: Azem SYLA
Ta ndajmë politikën e ditës nga lufta çlirimtare
Po dëgjoj dhe lexoj ide, mendime, gjykime, poshtërime, paragjykime, akuza, kundërakuza, mashtrime e kundërmashtrime, abuzime e kundërabuzime. Jam vërtet i habitur. Nuk e kam pritur që pasi të luftoj për çlirimin e vendit, atdheut, popullit e kombit tim do të akuzohem pse kam luftuar. Gjithë këtë kohë nuk kam reaguar fare, sepse kam qenë duke studiuar, në kërkim të asaj, nëse ka edhe diku tjetër, që veprohet kështu. Por, jo, nuk gjeta një shembull të ngjashëm. Gjithkund gjeta e pashë se luftëtarët janë vlerësuar krejt ndryshe. E ne sot, në vend që të merremi me hallet e popullit, që kemi marrë përgjegjësinë ta udhëheqim në rrugën e zhvillimit, po hedhim gur mbi shenjtërinë kombëtare, mbi luftën çlirimtare.
Të gjithë na e kanë nderuar luftën. Të gjithë na e kanë vlerësuar luftën. Edhe ata që u bënë bashkëluftëtarët tanë në atë luftë të shenjtë, siç ishin presidenti Klinton, kryeministri Bler, kancelari Shreder, presidenti Shirak, sekretarja e shtetit të SHBA-ve, Ollbrajt, gjenerali Klark etj., kanë shprehur simpati për atë luftë të madhe. E duke vlerësuar këtë ecuri, po më duket se po përdoret kazma për t’i shkulur vlerat kombëtare dhe për t’i shkatërruar ato elemente të mira që i kemi. Kjo më bën që shpesh ta pyes veten, se me çfarë do të merret kjo kategori pasi të mbarojë punë me zhvleftësimin e luftës çlirimtare. Me siguri me atë që ne (shqiptarët) “nuk dimë të qeverisemi”, “me atë që ka pasur me shumë siguri në Kosovë në kohën e Titos e Millosheviqit sesa sot”. Ndaj, shpesh pyes veten: kush është kaq i interesuar të krijojë një imazh në popull se “ka qenë më mirë nën Serbi sesa sot”? Kjo është absurde. Kësaj nuk i gjej asnjë arsyetim.
Vëllezër, ndani vlerat nga antivlerat!
E meqenëse e shoh këtë gjendje po pyes dhe arsyetoj:
Vëllezër, ç’keni me luftën? A nuk e dini se nuk fitohet pushteti duke rrëzuar vlera?
Vëllezër, pse po e përdhunoni vetveten? Duke u vetëpërdhunuar nuk fitohet pushtet.
Vëllezër, në luftë fishekun e fundit e kemi ndarë me njëri-tjetrin, e sot, pse bëjmë gabime kaq të rënda?
Vëllezër, ndani vlerat nga antivlerat!
Ju lutem, mos i jepni brezit të ri këtë portret të shëmtuar për luftëtarët e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nuk është mirë të thuhet në medie se “Azem Syla ishte agjent i SHIK-ut”, sepse të rinjtë do të mendojnë se është e vërtetë, pasi shkojnë me mendimin se të mëdhenjtë i dinë më mirë këto probleme e i njohin më mirë ato kohë. Duke bërë këtë më keni detyruar t’u them edhe një herë të gjithë shqiptarëve, se unë, Azem Syla, kam qenë komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e Shërbimi Informativ i UÇK-së ka pasur për mision ta ndihmoi luftën sikurse gjithë sektorët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm.
Kur ka dalë ky model, një shërbim informativ ta rekrutojë komandantin e përgjithshëm të një ushtrie? Sipas kësaj praktike, u dashka që edhe në paqe kryeministri dhe presidenti i shtetit të jenë agjentë të shërbimit informativ të vendit të tyre.
Mosni vëllezër, se sot ju “besojnë” ndoshta, por nesër do t’ju qeshin e do t’ju vijë turp nga vetja!
Të gjitha këto më sipër i thash për ata që janë dhe e ndjejnë veten plotësisht shqiptarë, pavarësisht se ç’pikëpamje partiake kanë.
Se për atë kategori të njerëzve qofshin në politikë, në medie, në inteligjencë apo në rrugë, e merren me shpifje e më poshtërime të luftëtarëve e të luftës çlirimtare, kam një mesazh tjetër: mesazhi im fillon me deklaratën e sinqertë, se kurrë, kurrë dhe kurrë, nuk kam për t’u ndjerë i turpëruar pse kam luftuar për vendin tim. Kurrë nuk kam për t’u trembur pse kam luftuar për vendim tim. Po pati nevojë atdheu e populli im unë prapë e përjetësisht do të jam ushtar i devotshëm i tij.
A vërtet mendon ndonjëri se mund ta trembë Azem Sylën? Nëse po, unë i them, jo. Azemin edhe mund ta vrisni, por kurrë nuk keni për ta pasur fatin ta trembni.
Kush luan me portretin e luftës çlirimtare të Kosovës duhet t’i thërrasë mirë mendjes, se po luan me një shenjtëri.
Le ta ndajmë politikën e ditës nga lufta çlirimtare. Në politikë le të bëhen debatet si në çdo medie e në çdo politikë në botë. Po pse fillohet me politikën dhe kalohet te lufta? Kujt i prish kaq shumë punë shenjtëria e luftës sonë? Unë e di, por nuk kam dëshirë që në politikën, në medien, në inteligjencën dhe në rrugët e atdheut tonë të ketë të tillë që ende i shërbejnë pushtuesit e shërbimeve sekrete serbe. Por, nëse ka, duhet të dinë se ne jemi luftëtarë dhe nuk kemi asnjë rënie nga e djeshmja. Jemi pikërisht ata luftëtarë, që bashkë me popullin dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë e shporrëm Serbinë nga Kosova dhe nuk kemi bërë e nuk bëjmë asnjë hap prapa.
Është e turpshme të ketë ende në Kosovë të tillë që të ushqehen me bukën e pastër të vendit e t’i shërbejnë Serbisë. Unë u bëj apel të gjithë atyre që mund të jenë të mashtruar ose nuk kuptojnë se çka po bëjnë: Mos u mashtroni prej agjenturës serbe dhe ligësisë së disa shteteve të Evropës, të cilat kanë ende rezerva për shtetin e Kosovës, sepse në këtë mënyrë bëni krim mbi shenjtërinë.
Le të dënohet edhe Azem Syla nëse ka bërë veprime që bien ndesh me luftën çlirimtare
U bëj apel policisë, prokurorisë dhe gjykatave të Republikës së Kosovës dhe të EULEX-it të mos aktivizojnë kriminelë dhe agjentë të pushtuesit të djeshëm, se mjaft ua kemi parë të zezat atyre. Kanë bërë aq të zeza mbi Kosovën dhe shqiptarët në këto treva sa nuk ka llogari që i mban.
U bëj thirrje këtyre institucioneve, të angazhohen seriozisht për të zbardhur gjithçka deri në fund. Dhe nëse ka fakte që luftëtarët kanë dalë jashtë misionit të tyre, le të ndëshkohen sipas shkallës së fajit. Edhe Azem Syla, në qoftë se ka bërë veprime që bien ndesh me luftën çlirimtare të Kosovës, le të dënohet. Por, askush të mos guxojë të bëjë akuza ndaj luftëtarëve duke angazhuar agjentët e UDB-së. Ata meritojnë të dalin para drejtësisë për krimet që kanë bërë në Kosovë deri më 22 qershor 1999. Të jeni të sigurt se asnjë agjent i UDB-së nuk ka kaluar pa i larë duart me gjakun e djemve dhe vajzave shqiptare. Mjaft më! Kjo praktikë duhet të marrë fund menjëherë.
Të tjerë që shpifin kundër luftës e luftëtarëve për interesin e tyre, këto institucione duhet t’i sqarojnë plotësisht pozicionet dhe ta japin dënimin e merituar për çdo njeri që del jashtë kuadrit të qytetarisë. Nëse themi ta ndërtojmë shtetin modern ligjor, ai nuk ndërtohet nëse nuk ndëshkohet gjithkush që është fajtor para ligjit.
U kërkoj këtyre institucioneve të ngjiten në nivelin e kërkesave të kohës, për të mos vazhduar më me informacione bombastike, vetëm e vetëm për ta mbajtur popullin pezull, që ai të mos ecë në rrugën e zhvillimit, por të mbetet me kokën prapa duke pyetur vetë me vete: “A është e vërtetë?!”
Mjaft më! Është koha të flitet e të veprohet vetëm seriozisht në Kosovë e për Kosovën.