2012-02-20

100 vjet për reflektim


Shkruan: Blerim GASHANI
Në “Kujtimet” e tij, që janë monument i historisë dhe publicistikës shqiptare, Eqrem bej Vlora na shpalos shumë informata të dorës së parë për gjendjen e shqiptarit para një shekulli. Të padëshiruara nga shqiptarët – në kohën kur këta e kishin lëçitur krejt botën - këto dëshmi autentike për jetën e shqiptarit, të shkruara nga një mendje shumë e kultivuar, fillimisht janë botuar në gjermanisht. Në mesin e shumë ngjarjeve, në të cilat kjo figurë poliedrike ka qenë dëshmitar, dhe shpeshherë protagonist, s’më shqitet nga mendja përshkrimi i pushtimit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, në verën e vitit 1912. Autori është i mrekulluar nga shqiptarët e thjeshtë dhe, në anën tjetër, i shqetësuar e i trishtuar nga sjellja e prijësve të tyre, të cilëve, pa asnjë mëdyshje, ua faturon – për papjekuri politike – dështimin që ka shkaktuar plojën më të madhe në historinë tonë. Interesante, ndërkaq, është çështja se po të mos ishin datat, lexuesi mund të mendojë se narracioni flet për 100 vjet më vonë.
“Asnjë komb në botë, pas dy kryengritjeve të shtypura përgjakshëm, (dhe) pas një suksesi siç ishte pushtimi i kryeqendrës së provincës…(nuk do) të mund të sillej në mënyrë kaq të shkëlqyer, kaq të qytetëruar dhe njerëzore, si këta fshatarë të varfër…që zbërthenin nyjën e shamisë së tyre për të nxjerrë që andej një piastër – mbase të fundit – e të blinin më të pak bukë e djathë, ndërkohë që mbronin interesat e bashkësisë. Vetëm se ky popull zotëri, të cilin unë, si atëherë edhe sot, e dua me gjithë shpirt, sepse ai, me vetitë dhe veprat e tij fisnike përfaqëson këngën e fundit të eposit heroik evropian, ky popull nuk ka pasur kurrë fat me udhëheqësit e vet, të mëdhenj e të vegjël. …Shtresa e mesme dhe e lartë e Shqipërisë, me pak përjashtime, që nga mesi i shekullit 19-të e sot kanë qenë shpirtërisht, shpesh, në lartësi, por moralisht të padenjë për të udhëhequr këta njerëz të mrekullueshëm”. (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 279).
A është duke folur për vitin 1912, apo për 2012, njëri nga protagonistët e vitit të përmbytjes së madhe të shqiptarëve. Piktura e ardhshme na e kthjellon edhe më ngjashmërinë e hatashme. “Por krejt ndryshe ishte në rrethin e prijësve që unë vizitova me radhë. Binaja e udhëheqjes mezi mbahej në këmbë dhe në çdo ndryshim mendimesh vihej re qartë që uniteti i arritur në mënyrë artificiale (e vetëm në saje të kundërvënies me Turqit e Rinj) mund të shkërmoqej në çdo çast nga xhelozia dhe individualizmi.” (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 281).
Përpara se festë, përpara se krenari, përpara se entuziazëm e parada publike, përpara se fjalime patriotike e folklorike, shqiptarët, kudo që janë, duhet ta trajtojnë vitin 2012, si vit reflektimi. Pas një rrugëtimi njëqind vjeçar, nga viti që dikush e quan fillim i lirisë, dikush vit i ndarjes e copëtimit dhe dikush si fillim i robërisë, ne duhet, me kokë të ftohtë, me introspekcion të thellë dhe debat të gjerë, të bëjmë një bilanc se ku jemi. Ta shfaqim një pasqyrë të qartë se si kemi qenë dhe si jemi tash, pas njëqind vjetësh. Është lehtë të festojmë dhe të dalim rrugëve me flamuj e pankarta. Është më e vështirë t’u japim përgjigje pyetjeve të gjeneratës që po vjen. Ata nuk do t’i pranojnë arsyetimet monotone, me të cilat - po e shohim - e kemi harxhuar një shekull.
A është ky shekull i humbur apo shekull i fitoreve për shqiptarët? A kemi më pak apo më shumë kilometra katrorë të populluara me shqiptarë? Në krahasim me popujt e rajonit, a kemi ecur përpara, kemi stagnuar apo kemi shkuar prapa? A jemi të lidhur me botën më shumë apo me pak pas njëqind vjetësh? A kemi pasur emër më të mirë në botë atëherë apo tani? A kemi pasur më shumë dashuri për botën para një shekulli apo tani? A kanë pasur bota më shumë dashuri për ne në fillimshekullin XX apo tash? Në proporcion me kohën dhe me rajonin, a jemi më të zhvilluar ekonomikisht apo jo, a jemi më të pasur apo më të varfër, a kemi më shumë dinjitet tani apo para një shekulli? A ka qenë shpirti i shqiptarit më i lirë para një shekulli se sa që është tani, apo në këtë sferë kemi ecur përpara? Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjemi edhe ne, shqiptarët e thjeshtë, por më parë duhet ta pyesim klasën e shqiptarëve që po përgatitet dhe po zgjedh ngjyrën e kravatës për podiumet e festës së pavarësisë.
Ata që na udhëheqin, në krejt trojet ku jemi strukur, tanimë janë duke menduar për markat e rrobave që do të kenë kur të dalin para nesh, më 28 nëntor. Sigurisht, se do të mendojnë edhe për veturat e veçanërisht për gardhin e truprojave që do t’i sjellin kryevendi, nga ku do të na drejtohen me fjalime patriotike. Detyrimisht, fishekzjarrët janë porositur dhe shumë miliona janë ndarë për shkëlqimin festiv. Qatipët tanimë janë duke u thelluar për fjalimet pompoze, që kur të lexohen (pa ngjyrë, pa jetë dhe me shumë gabime) nga shefat e tyre, do ta rrisin disponimin festiv në shkallë deliriumi. Të nxehur, pastaj, dhe me plot emocion, liderët e këtij kombi do të na tregojnë për të arriturat, që vetëm të tilla nuk janë.
Por, para se të na adresohen nga podiumet me shumë ngjyra dhe me fjalime patetike, le ta pyesim veten se kush i udhëheq sot shqiptarët! Kush janë liderët e kombit, ata në pozitë dhe në opozitë? Çfarë e dimë me siguri, edhe pas 100 vjetësh, ende ka liderë që e djeg shtetin e vet, që mbi pirgun e hirit të asaj çfarë ka mbetur, të del e të krekoset si gjel. Njëri lider nuk e di fare se ç’është republika. Tjetri nuk e pranon as republikën e as institucionet e saj, por kjo nuk e ndalon që – duke nxitur turmat në anarki - të thotë se është në mbrojtje të kësaj republike (të cilën si thamë, deri atëherë nuk e kishte pranuar, sic!). Tjetri lider i shqiptarëve nga foltorja e parlamentit tregon për profesionin më të vjetër në botë, që po e ushtruakan motrat dhe nënat e kolegëve të tij. Pastaj, del lideri që ka gjysmën e votuesve “londinezë” dhe lavdëron Top Chanel-in pse po ua mësuaka gjuhën shqipe shqiptarëve të Preshevës (sic!). Dhe liderthë të tjerë të mjerë, që të papërfshirë në listën e përvitshme të transfereve, kujtohen për denigrime që u paskan ndodhur shumë vjet më parë.
Duke i shikuar këta prijës, që na e mbulojnë realitetin e hidhur me festime, tupanë e fishekzjarrë, a s’është koha që të reflektojmë pakëz? A s’është momenti që në këtë 100 vjetor, ta bëjmë një bilanc të fitoreve, ngecjeve dhe dështimeve që kemi pasur? Dhe, derisa për çdo përparim, liderët tanë rrahin gjoks, atëherë kush duhet ta mbajë përgjegjësinë për dështimet? Dhe, pyetja e fundit: çfarë profili mund të kenë këta drejtues të shoqërisë, që vetëm të tillë nuk janë? Dhe duket se përgjigjja na vjen, përsëri, nga muzgu i fillimshekullit XX. “Tani (1908-1912), drejtimi kishte kaluar në duart e një morie kryepleqsh të fshatrave dhe krerësh të fiseve, e këta manipuloheshin lehtë nga njerëz dinakë, që dinin se si të silleshin me ta.” (Eqrem bej Vlora, Kujtime, faqe 224). Më 28 nëntor 2012, para se të shpërtheni në duartrokitje për ata që na udhëheqin dhe për ata që po grithin fytyrat të zëvendësojnë të parët, ju lutem, pyetni veten tuaj: pas një shekulli të rëndë, a e meritojnë shqiptarët këtë gjendje?

Jo vetëm vizita!


Shkruan: Refik HASANI
Të premten në Preshevë në vizitë ishte Edi Rama, kryetar i PSSH-së dhe ish-kryebashkiak i Tiranës që ta promovojë librin e tij “Kurban”.
Më shumë e porosisim ne, që partia e z. Rama që e udhëheq të ndihmojë dhe të na tregojë se çka mund të na ndihmojë konkretisht. Grupi Socialist në Parlamentin e Shqipërisë të kërkojë që të ngrihet zëri. Por, edhe, p. sh. që universitetet publike në Shqipëri për studentët nga këto tri komuna të lirohen nga pagesat, t’ua paguajnë konviktet me akomodim e ushqim në të gjitha drejtimet e fakulteteve, e studimeve post diplomike. Të investojnë në ndihmën që bibliotekat në këto tri komuna të furnizohen me libra, të investohet në monumente, të ruhen dhe konservohen nga buxheti i Tiranës, etj., etj.

***
Ne kërkojmë që vizita të tilla nga liderëve partiakë dhe shtetërorë të bëhen vazhdimisht nëpër vendbanime dhe lokalitete të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, edhe nga shkrimtarët të përmasave kombëtare, si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj. Por, edhe nga akademikët tanë në zë, qofshin të Tiranës, apo Prishtinës nga ansamble profesionistësh e amatorësh të valleve dhe këngëve, nga artistë të teatrove kombëtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe qendrave të tjera. Vizita të bëhen edhe nga shoqatat e shkrimtarëve, katedra, institute që merren me ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore– historike, që të evidentohen, që restaurohen dhe ruhen nënë përkujdesje të shtetit. Kjo nuk duhet të bëhet si vizitë vetëm në Preshevë, por edhe në Bujanoc e Medvegjë. Nuk duhet harruar edhe shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri. Pa i lënë anash edhe Arbëreshët në Itali e Dalmaci të Kroacisë dhe diasporë në përgjithësi.

***
I përkujtojmë opinionit të gjerë se Ilir Meta e vizitoi Beogradin, por asnjë fjalë nuk shprehu se si i trajton shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, ku në atë kohë ishte zëvendëskryeministër njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme dhe kryetar i LSI-së. Por, edhe Edi Rama sa ishte kryebashkiak i Tiranës e kishte shpërblyer një artist serb me çelësin e Tiranës. Partia Socialiste e Shqipërisë është dashur kur ishte në pushtet të flasë dhe të na mbrojë të drejtat tona, kurse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha ia ka dhuruar një donacion Graçanicës- komunës serbe të formuar në bazë të pakos së presidentit Ahtisari në një vlerë bukur të madhe. Nexhat Daci, po ashtu e vizitoi Preshevën dhe Bujanocin, por kjo ishte vizitë shumë e vonuar që ishte dashur të bëhet sa ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës. Tirana duhet të na ndihmojë neve shqiptarëve në krahinën shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë, duke ndihmuar në shkollimin e kuadrove, por edhe në shtruarjen e kësaj teme në të gjitha nivelet që çështja e shqiptarëve në këtë krahinë nuk është zgjidhur kur jemi të diskriminuar në të drejtat individuale dhe ato kolektive.

***
Parashtrohet pyetja sa janë duke i ndihmuar Tirana dhe Prishtina shqiptarët në këto troje të veta dhe në diasporë. A kanë dy qeveritë tona ndonjë program dhe strategji veprimi. Pse deri më tani dy parlamentet nuk ka pasur fare diskutime që të miratojnë ndonjë rezultat lidhur me shkeljen që bënë Beogradi për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj neve shqiptarëve në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Në kuadër të komisioneve parlamentare të ngrihen grupe punuese që të kërkohen mundësi për ndihmë që duhet na afruar neve. Prishtina e Tirana për një dekadë kanë investuar vetëm në një mijë Abetare dedikuar neve shqiptarëve të kësaj krahine.
***

Manifestime, akademi dhe shënimet tjera kombëtare të ndryshme të mbahen edhe në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Jo vetëm të mbetemi dhe ngopemi me vizita, po na duhen edhe mbështetje morale, kombëtare e institucionale. Na duhet përkrahje konkrete të shijojmë të arriturat kombëtare në art, kulturë, arsim. Të gjejmë mbështetje të rregullt, të vazhdueshme të shprehura qartë se në cilat fusha duhet dhe ka obligim moral, kombëtar e institucional të ndihmojë Tirana dhe Prishtina.

A është instaluar autoritarizmi politik në Kosovë


Shkruan: MA. sc. Halim Emërllahu, sociolog
Kosova si shtet i ri ka shumë sfida që duhet t'i tejkalojë, për të arritur progres dhe për t'u avancuar edhe më lart, që të jetë një shtet funksional demokratik dhe i hapur, për të gjithë qytetarët e shtetit për të gjitha pakicat e ndryshme kombëtare, që në të ardhmen të jetë shtet me vlera properëndimore, dhe me vlera demokratike e integruese. I gjithë ky progres mund të arrihet kurë pushtetarët të respektojnë dhe të bashkëpunojnë me qytetarët dhe kur të funksionojë barazia e pjesëmarrësve në proceset politike e shoqërore. "Autoritarizmi (authoritarianism) - Raporte shoqërore ku shprehen ës tepërmi pozitat e autoriteteve të pushtetit; raporte në të cilët mbizotëron pabarazia e pjesëmarrësve në proceset politike dhe shoqërore".

Dogmatikët e totalitarët
Ky sistem i autoritarizmit shënon një sistem politik diktatorial jo demokratik etj, ngase i gjithë procesi është në duar të një personaliteti apo një elitë politike, dhe kanë pushtet të pakufizuar. "Në sistemet autoritare i tërë pushteti gjendet në duart e një personi, cili nuk ka kurrfarë kufizimesh dhe kontrolli për mënyrën e ushtrimit të pushtetit". Politikanët, elitat e ndryshme politike që janë me ketë regjim autoritar, por dhe që drejtojnë Institucionet shtetërore, janë me ideologji dogmatikë e totalitarë. Në sistemet autoritarizmit janë përfshirë të gjitha sistemet që nuk respektohet vullneti i popullit, por vetëm sistemi monokrati, diktatorial, komunist , totalitar etj, dhe kur pushteti është autoritarist pranon vetëm një ideologji të sundimtarit që qeveris, dhe obligon shoqërinë t'i nënshtrohet pushtetit. Në ketë sistem individi është sundimtarë dhe gëzon pushtet të lartë autoritativ i mveshur me pushtet të lartë ekzekutiv, gjyqësor dhe me atë mediatik etj. Ku në parim ka një ideologji shpirtërore propagandistike. Dhe me ketë pushtet individi kalon kufijtë dhe merr një autoritet më të lartë se sa ligji, ky është në parim i sistemit të autoritarizmit, kurse në sistemin demokratik është deformim dhe mbeturin e sistemit totalitar e fashist.
Dallimet në mes njerëzve që janë me autoritet të pushtetit dhe me autoritet të autoritarizmit, është se, pushteti autoritar mbështet në ligje dhe është nën ligjin, dhe bazohet dhe qeveris me koncepte të demokracisë dhe respekton parimet shoqërore, kurse në sistemin e Autoritarizmit individi është mbi ligjin dhe nuk respektohen normat shoqërore dhe as konceptet e demokracisë. "Pushteti autoritar dhe autoritarizmi me pushtet nuk është e njëjta gjë. Kur pushteti autoritar bazohet në ligj dhe në normat e njohura ndërkombëtare, si dhe shpreh e mbron të drejtat themelore të njeriut, ky pushtet është i pranueshëm dhe e mban shoqërinë të disiplinuar. Ky është autoritet racional, human i shtetit". Sot në media shihet se drejtuesit e Institucioneve të Kosovës nuk flasin me gjuhen demokratike, por më shumë me atë gjuhën e koncepteve të autoritarizmave, duke marrë si shembull diskutimin në parlamentin e Kosovës, ku shihet se disa ministra e zëvendësministra e disa deputet të pozitës dhe të opozitës diskutojnë sikur që Parlamenti, dhe institucionet tjera shtetërore të Kosovës janë pronë e tyre private, me një fjalorë të fyerjes, të akuzave pa baza dhe jo me kulturë politike, institucionale e demokratike dhe morale. Kurse në anën tjetër disa deputet, nuk flasin as njëherë, por vetëm janë për të votuar kurë kryeministri kërkon miratimin e ligjeve në parlament. Ky koncept politik duhet të ndryshon se është në përputhje me modelet e politikave të autoritarizmit, shkon në dëm të Institucioneve shtetërore dhe jep një imazh të keq Qeverisë.

Shoqëria post-totalitare
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të orientohen të japin përparësi, fjalës së lirë, të shprehjes, të japin medieve përparësi në transmetimin e çdo lajmeve konkrete, pa as një censurë mediatike, të instalojnë sistemin demokratik, ta krijon një traditë demokratike në institucionet e shtetit. Ne jemi një shoqëri post-totalitare, ende në fazën e tranzicionit që duhet të përqafojmë vlerat demokratike dhe integruese. Institucionet e Republikës së Kosovës, duhet të angazhohen që të plotësohen kushtet juridike, politike që ta kalojnë fazën e tranzicionit, siç po pretendohet me e përmbyll pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës.

Gjyqësori nuk mund të jetë më i korruptuar se segmentet e tjera


Shkruan: Adil FETAHU
Korrupsioni, si dukuri
Se korrupsioni është dukuri negative në shoqëritë në tranzicion, e cila si gangrenë e brenë zhvillimin ekonomik edhe moralin shoqëror, kjo nuk mund të mohohet. Korrupsioni është bërë një si kulturë e sjelljes dhe veprimit të zyrtarëve të niveleve e të profileve të ndryshme në të gjitha segmentet e shtetit, por edhe të shoqërisë civile. Korrupsioni është dukuri e vjetër sa edhe vetë civilizimi. Motivet dhe format e korrupsionit kanë pësuar ndryshime gjatë kohës, si në elementet materiale, psikike e morale, po ashtu edhe në sofistikimin e mjeteve, mënyrave dhe metodave për realizimin e tij. Natyrisht, motivi më i theksuar dhe më i përhapur i korrupsionit konsiston në interesin material. Motive të korrupsionit mund të jenë privilegje të ndryshme: fitimi i pozitës, ndonjë titulli, shërbimi, përparësie, tenderi, konkursi, shpërblimi, reklame e tjera, që në instancën e fundit përsëri të gjitha lidhen me interesin material.

Përmasat e korrupsionit, me të gjitha format dhe motivet e tij, varen nga niveli i zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe demokratik i shoqërive (shteteve) e vendeve të caktuara. Nuk ka asnjë vend në botë ku korrupsioni është në nivelin zero. Mirëpo, në kohën tonë ky fenomen është përhapur shumë më tepër dhe ka marrë dimensione brengosëse në vendet në tranzicion, siç është edhe Kosova. Në këto vende, që zakonisht janë të varfra, të pazhvilluara në të gjitha aspektet dhe me papunësi të madhe, me institucione të brishta, të pakonsoliduara dhe joefikase të pushtetit shtetëror, korrupsioni ka lëshuar rrënjë të thella dhe shtrihet në të gjitha sferat dhe segmentet e shoqërisë. Sipas analizave më të thella të institucioneve ndërkombëtare, korrupsioni politik konsiderohet se është forma më e rrezikshme, ngase prej tij gjenerojnë sisteme, nënsisteme dhe lloje tjera të korrupsionit.

Zëvendësdrejtori ekzekutiv i “Transparent Internejshenel”, Miklosh Marshal, më 9 dhjetor të vitit të kaluar, pas publikimit të indeksit të korrupsionit global për vitin 2011, erdhi në Prishtinë për t’ua komunikuar e deshifruar me fjalë udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, se korrupsioni vazhdon të mbetet pjesë e sistemit! Në indeksin e perceptimit të korrupsionit në nivelin global, Kosova është radhitur në vendin e 112, dhe me këtë mbanë epitetin e shtetit më të korruptuar në rajon. Kjo shkallë e korrupsionit i frikëson investitorët e jashtëm dhe ata vendorë. Me atë rast, Miklosh porositi se korrupsioni nuk mund të luftohet derisa njerëzit këtu pasurohen përmes politikës. Sepse, politika nuk është për t’u pasuruar. Kjo vërteton atë thënien popullore, se peshku prishet nga koka.

Korrupsion i nivelit të lartë
Korrupsioni po vepron në plotë-kuptimin e domethënies së fjalës së emërtimit të vet (lat.corruptio, corruptus do të thotë – i prishur), dhe ky e prishë shoqërinë, moralin shoqëror dhe individual. Përkundër strategjive, ligjeve, planeve, institucioneve të posaçme për luftimin e korrupsionit, ky fenomen i shëmtuar nuk po shënon rënie të nivelit, veçse po përhapet dhe po e brenë shoqërinë, si kanceri organet në trupin e njeriut. Kohë më parë, edhe Kryetarja e Kosovës ka paralajmëruar se në kuadër të Presidencës, do ta formojë një këshill për luftimin e korrupsionit. Pa u lëshuar në atë se a ka bazë kushtetuese e ligjore për themelimin e këshillit të tillë, konsiderojmë se është i tepërt dhe i panevojshëm dhe se nuk do të ketë ndonjë efekt. Sepse, korrupsionin duhet parandaluar e luftuar në të gjitha organizmat ku potencialisht paraqitet.
Në mënyrë deklarative, të gjithë pajtohen se ka korrupsion të nivelit të lartë në Kosovë, dhe se atë duhet luftuar. Se ka korrupsion në nivel të pa zvogëluar nga vitet mëparshme, vërtetojnë edhe organizmat e ndryshme ndërkombëtare, veçmas “Transparenty Internacional”. Brenda në Kosovë është krijuar dhe përhapur përshtypja, e ricikluar në çarqe zyrtare e në kuluare të çarshisë, se gjyqësori është segmenti më i korruptuar, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse, askush dhe askund nuk ka ofruar prova dhe argumente që vërtetojnë se gjyqësori është më i korruptuari. Perceptimi i shkallës së korrupsionit për gjyqësorin, i krijuar në bazë të do anketave të pa verifikuara të do farë organizatave joqeveritare, të cilat edhe vetë mund të jenë të korruptuara, nuk mund të merret si pasqyrë reale e korrupsionit. Përkundrazi, po të analizohet me kujdes puna e gjykatave dhe treguesit e shkallës së korrupsionit në gjykata, del se gjyqësori është më së paku i korruptuar, në krahasim me segmentet e tjera. Jo vetëm se në gjykata punojnë njerëz të cilët kudo konsiderohen si elita e ndërgjegjes dhe moralit shoqëror, dhe që sipas profesionit dhe detyrës që kanë duhet të jenë më së paku të korruptuar, veçse edhe për shkak të natyrës së ndërlikuar të punës së gjykatave, e cila kalon nëpër faza, procedura e nivele të ndryshme, që nuk len shumë hapësirë për korrupsion.

Edhe në gjyqësor ka korrupsion
Unë nuk dëshiroj që ta amnistoj gjyqësorin nga korrupsioni, dhe e gjykoj edhe vetëm një rast korrupsioni po të jetë vërtetuar. Dhe jam i vetëdijshëm se edhe në gjyqësor ka korrupsion, sepse edhe gjyqësori është pjesë e këtij sistemi të korruptuar, dhe mund të qëllojë ndonjë gjykatës apo nëpunës i pandërgjegjshëm, me moral e karakter të dobët dhe me lakmi për ndonjë përfitim material, qoftë edhe përmes korrupsionit. Mirëpo, në gjykata është shumë më vështirë të vjen deri te korrupsioni. Sepse, puna e gjyqësorit zhvillohet në një varg procedurash paraprake, ekspertizash, pastaj procedura të vendosjes në shkallë të parë, të vendosjes në shkallë të dytë a të tretë, sipas ankesës së rregullt dhe të mjeteve të jashtëzakonshme juridike. Pastaj, në gjykatë vendimin nuk e merr një individ (përveç rasteve më pak të rëndësishme), por vendosë kolegji, i përbërë nga 3, 5 ose 7 gjykatës, varësisht nga natyra e çështjes dhe nga niveli instancial. Në çështjet penale, në të cilat njerëzit janë të gatshëm të japin mito në shuma të mëdha për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe dënimit, gjykata ka mundësi më së paku të korruptohet. Sepse, kur policia, prokuroria dhe ekspertiza ofrojnë prova të sigurta për fajin që ngarkon të akuzuarin, gjykata nuk ka nga t’ia mbajë, përveçse mund t’ia shqiptojë dënimin minimal, ose maksimal të paraparë me ligj, por gjithmonë duke pasur parasysh rastin konkret dhe rrethanat rënduese e lehtësuese. Në procedurat dhe fazat para se lënda të vjen në gjykatë, është më lehtë të korruptohen zyrtarët, për shkak se mund t’i fshehin ose falsifikojnë provat. Edhe avokatët e pandërgjegjshëm mund të “kontribuojnë” në korrupsionin ose në perceptimin për korrupsion që i vishet gjykatës, sidomos në rastet kur e humbin kontestin “arsyetohen” para klientëve të vet, duke përfolur dhe etiketuar gjykatën për korrupsion.

Në gjykata vendoset për çështje të ndryshme, dhe aty gjithmonë paraqitën dy palë (që mund të jenë me më shumë pjesëmarrës si palë), me pretendime dhe interesa të kundërta. Cila palë e humb kontestin, respektivisht nuk e realizon kërkesën e saj, është e prirë të mendojë, të dyshojë ose të paktën të deklarojë se pala tjetër e ka korruptuar gjykatën. Dhe këto thashetheme përhapën në çarshi, duke etiketuar e njollosur gjykatën, pa asnjë argument.

Më shumë llafe se korrupsion
Në popull është shumë më pak i përhapur perceptimi se zyrtarët e tjerë, të organeve të pushtetit qendror apo atij lokal, të ndërmarrjeve publike apo institucioneve shoqërore janë më të korruptuar se gjyqësori. Mundësitë reale për korrupsion janë shumë më të mëdha në segmente të tjera të organeve qendrore e lokale: më tenderë të ndryshëm, me emërimin në pozita, në pushtetin lokal në marrjen e lejeve për ndërtim e biznese të ndryshme si dhe nga inspektorët. Dhe, aty xhirojnë mjete të mëdha financiare, prandaj edhe lakmia është më e madhe. Edhe procedurat e vendosjes për çështje të ndryshme janë më të thjeshta, më pak transparente se sa puna e gjyqësorit. Fare më pak shtrohet çështja e korrupsionit në arsim, shëndetësi, dogana, urbanizëm, në ndërmarrjet publike: PTT-ja e telefoni mobile, Aeroporti, KEK-u, partitë politike, mediet, agjencitë e ndryshme, veçmas ajo e privatizimit, bizneset private formale a joformale, por edhe në organizatat e ndryshme joqeveritare, etj. Vetëm me një tender të ndonjë ministrie, mund të shpërdoren mjete korruptive më shumë se në të gjitha gjykatat e Kosovës, të të gjitha llojeve dhe të gjitha niveleve, të cilat nuk kanë në dorë tenderë as kontrata furnizimi për asgjë.

Po të bëjmë një analizë të thjeshtë, mund të bindemi se për gjyqësorin ka më shumë llafe e thashetheme për korrupsion, se sa ka korrupsion në realitet. Vitin që shkoi, në të gjitha gjykatat e rregullta të Kosovës, duke filluar nga Gjykata Supreme deri te gjykatat komunale, kanë qenë në punë 231.847 lëndë të ndryshme, prej të cilave janë zgjidhur 17.443 lëndë. Në të gjitha lëndët e zgjidhura, njëra palë, ose disa pjesëmarrës të njërës palë, kanë qenë të pakënaqur me vendimin e gjykatës, dhe ata menjëherë janë të prirë të dyshojnë ose të paktën të flasin për korrupsionin e gjyqësorit. Ku janë palët e lëndëve tjera të shumta të pazgjidhura prej shumë kohësh, për të cilat po ashtu palët janë të pakënaqura me punën e gjyqësorit, për shkak të vonesës së zgjidhjes së lëndëve të tyre, dhe ata gjithashtu janë kandidatë potencial që ta përgojojnë gjyqësorin për korrupsion.

Ta analizojmë tash raportin e Agjencisë Kosovare të Korrupsionit, për të vlerësuar shkallën e korrupsionit në gjyqësor. Sipas të dhënave të paraqitura në raportin e asaj agjencie për vitin 2010 (se për vitin 2011 akoma nuk ka publikuar raportin), asaj agjencie i janë paraqitur 430 raste të dyshimit për korrupsion, (paraqitjet janë bërë qoftë drejtpërdrejt ose me telefon apo internet). Pasi që agjencia i ka shqyrtuar paraqitjet dhe i ka hetuar rastet në suaza të kompetencave të veta, shumicën e tyre i ka refuzuar si të paargumentuara, ndërsa i ka marrë vetëm 139 raste të paraqitura për t’i hetuar më hollësisht. Prej tyre, 3 raste ishin dyshimet në prokurorë, 17 raste në gjykata, 28 raste në zyrtarët e pushtetit lokal, 44 raste në zyrtarët e Qeverisë dhe 47 raste në zyrtarët e institucioneve tjera. Pas hetimeve të kryera, agjencia ua ka përcjellë prokurorive vendore dhe prokurorëve të EULEX-sit 29 raste, me kallëzime penale. Prej tyre, 2 janë raste të gjyqësorit, 3 raste të pushtetit lokal, 12 raste të zyrtarëve të Qeverisë dhe 12 raste të institucioneve tjera. Prej këtyre të dhënave shihet se gjyqësori nuk është më i korruptuari, veçse raporti tregon se më të korruptuar janë zyrtarët e Qeverisë, të institucioneve tjera dhe të pushtetit lokal.

Gjykatësve nuk iu falet faji
Prandaj, nuk është mirë pa argumente të etiketohet dhe njolloset gjyqësori si segmenti më i korruptuar. Dhe, duhet pasur parasysh se edhe gjyqësori është pjesë e këtij sistemi të korruptuar, por për fat gjyqësori është më pak i korruptuar se nënsistemet e tjera. Askujt nuk i ka hije, as nuk i bënë nderë, qoftë edhe një rast i njëmendët i korrupsionit, por gjyqësorit nuk i ka hije edhe më hiq, ngase është instanca e fundit ku njerëzit ose bizneset shpresojnë t’i realizojnë të drejtat dhe interesat e tyre të ligjshme. Gjykatësve nuk iu falet faji, edhe nëse vërejnë ndonjë rast korrupsioni te kolegët e vet, ose te zyrtarët e tjerë në gjykatën ku punojnë, nëse rastin e heshtin për çfarëdo arsye, ngase ashtu i kontribuojnë korrupsionit.

Edhe nëse gjykatësi nuk e gjykon drejt ndonjë çështje, deri sa të mos jetë vërtetuar ndryshe, duhet të konsiderohet se ka gjykuar gabimisht nga mosdija, e jo nga ndonjë motiv tjetër. Në gjykatat tona numri më i madh i gjykatësve të zgjedhur vitin e kaluar janë të papërvojë, ashtu që gabimet janë të mundshme, prandaj edhe nuk duhet çdo gabim të merret si rast korrupsioni.

Zoti iu dhashë gjykatësve mend, urti, ndërgjegje e guxim, që të gjykojnë drejt, duke i trajtuar njësoj para ligjit të gjithë njerëzit, si presidentin e shtetit, si bariun në viset më të largëta. Vetëm ashtu mund ta heqin dyshimin e animit apo të korrupsionit, dhe të fitojnë besimin e qytetarëve.

Fusnota që e zhvesh Kosovën nga shtetësia


Shkruan: Safet KRIVAÇA
Për fjalën Republikë e kanë dhënë jetën dhe kanë mbajtur burgje e burgje shqiptarët e Kosovës, dhe kjo fjalë që po zhvishet nga emri i Kosovës nuk zëvendësohet me fusnota, as me shifra. Nëse Kosova është rast unikat në botë, ashtu qysh e ka thënë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, atëherë edhe kjo qeveri duhet të veprojë për ta ngritur këtë shtet në mënyrë unikate dhe jo ta degradojë shtetin, duke i pranuar propozimet e Serbisë.
Brukseli zyrtar nuk është e rrugës ta detyrojë Prishtinën të dalë me propozim të ri rreth veriut, për t'iu përgjigjur presidentit serb Boris Tadiq për katërpikëshin e tij të fundit rreth Kosovës, por Kosova e ka mësuar BE-në të pranojë uljen e çdo çmimi që i atribuohet ndërtimit të shtetit. Kosova me Serbinë nuk ka bërë kompromise as gjatë luftës kur i janë masakruar fëmijët, gratë shtatzëna dhe pleqtë dhe nuk ka logjikë të bëhen kompromise që e zhveshin shtetin në kohë paqeje, kur janë në favor të saj e tërë bota e fuqishme demokratike dhe gjyqet ndërkombëtare që e kanë konfirmuar se Kosova kishte të drejtën për shpallje të shtetit të vet. Kosova mjafton të mos pranojë detyrime të tilla, të cilat edhe më tej e cenojnë pavarësinë nga aspekti juridik, ndërsa në aspektin praktik e cenojnë funksionimin. Heqja e emrit Republikë për qëllime ekonomike, tregtare e politike të përfaqësimit të saj në rajon do të prodhojë pasoja të reja në proceset e nismave të tilla. Në momente të marrëveshjeve të caktuara që mund të pasojë ky proces, Serbisë i krijohen përparësi që do ta dekonfigurojë Kosovën si shtet nga sukseset eventuale. Do t'i lejohet prania, por do t'i pamundësohet tregtia dhe ekonomia. Duke pranuar t'i hiqet emri i Republikës, Serbia do ta ketë një dëshmi më shumë që të krijojë pengesa të reja strategjike për zhvillimin e Kosovës, po aq sa edhe duke i mbajtur dosjet origjinale të tapisë së Kosovës në arkivat e veta shtetërore dhe shënimet tjera civile dhe legjislative. Serbia i ka arsyet e veta pse ka kërkuar që Kosovën ta zhveshë nga elementet e shtetësisë duke i vënë fusnota e shifra në fund të emrit, për shkak se Serbia i merr Kosovës rreth 500 milionë euro mjete financiare nga plasimi i tregut të vet në këtë shtet. Çka ka mund të bëjë këtu Kosova, fjala është për mospranim të ideve që e degradojnë shtetin? Kosova po të kishte ngulur këmbë për dosjet origjinale, Serbia do të detyrohej t'i kthente ato te pronari. Qeveria ka mundur të mos pranojë marrëveshje të tilla, sepse me ato do ta dëshmonte se ajo më nuk ka asnjë iluzion të jetë e varur nga Serbia. Duke mos e pranuar asnjë kompromis të tillë, qeveria do t'i tregonte edhe bashkësisë ndërkombëtare më shumë vendosmëri për kundërshtim të propozimeve të Serbisë dhe të varësisë nga Serbia. Me një sjellje të tillë, qeveria sikur do t'i tregojë botës se po e ul nivelin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, ndërkohë që sa më shumë që pranon kompromise të tilla, aq më shumë Brukseli po e shtyn në marrëveshje të reja që janë avantazh për Serbinë dhe të gabuara për Kosovën. Kosova nuk guxon të pranojë gjithfarë modalitete kompromisesh nën shpresën se i tërë Ballkani Perëndimor një ditë do të jetë në BE. Ky është shumë më shumë iluzion sesa shpresë. Çdo shtet që ka aderuar në BE dhe që është pjesë e tij, para së gjithash është parimi më elementar edhe i BE-së që t'i ketë kufijtë te definuar qartë me fqinjët dhe të ketë shtet të qartë, e tek pastaj të pranohet kushtetuta dhe ligjet e BE-së për atë pjesë kushtetuese që ka të bëjë me funksionimin e BE-së dhe të marrëdhënieve brenda saj. Kosova për hir të këtij synimi ende të pafilluar, po bën gabime të përditshme koncesionuese me Serbinë, por përveç aspektit të integrimit të gjithë rajonit në BE që mund të ndodhë një ditë pas 10 vjetësh, Kosova duhet ta dijë edhe një gjë tjetër: Ka mundësi që për dhjetë vjet BE-ja të shkatërrohet tërësisht dhe krizat e rënda sikur që është tani kjo me shtetet e Eurozonës, ta shpartallojë tërë BE-në për çka ka edhe paralajmërime. Nëse eventualisht do të vinte kjo në shprehje, atëherë Serbia do ta vinte në veprim politikën e vet të supremit mbi Kosovën, për të treguar se fusnota nuk identifikohet me Republikën. Kjo është gjëja më elementare në të cilën Kosova duhet ta ketë fokusin, sepse edhe shtetet më të fuqishme që diktojnë tregun ekonomik botëror i kanë do strategji që quhen "strategji të mbyllura", që shërbejnë kryesisht për një kohë të ardhme ku fjalën mund ta kenë edhe katastrofat natyrore dhe ndryshimet globale, ashtu sikur kanë ndodhur në histori deri më tani. Ka vite që Maqedonia nuk pranon as nisje të dialogut me BE-në për shkak se nuk pranon ndryshimin e emrit të vet me të cilin identifikohet shteti. Ka vite që Maqedonia është në kontest me Greqinë për shkak të emrit të saj, por nuk pranon ta degradojë shtetësinë, sikur që e bën Kosova qysh në ofertën e parë që i propozohet nga Brukseli.

Reciprocitet për të gjitha masat ndëshkimore të Serbisë
Është evidente se Serbisë nuk mund t'i bëhet reciprocitet në sasi të mallit. Nëse ajo i fut në Kosovë tre mijë kamionë me mallra, e ne vetëm dhjetë, nuk mund të kërkojmë të barazohet kjo shifër, por kjo qeveri ka mundësi të vendosë reciprocitet në diçka tjetër: Kur Serbia t'i heqë tabelat e regjistrimit të automjeteve që futen në territorin e saj, edhe Kosova në kufijtë e vet mund t'ua heqë tabelat të gjitha automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Nëse Serbia ua mbulon tabelat automjeteve nga Kosova, edhe shteti ynë mund t'i mbulojë tabelat e Serbisë me masë reciproke sikur që bën ajo. Nëse Serbia aplikon taksë rrugore për banorët e Kosovës që kalojnë andej me automjet, edhe për çdo banor të Serbisë mund të aplikohet ky reciprocitet. Nëse Serbia nuk përmbush ndonjë marrëveshje të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit të mallit konform marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nën ndërmjetësin Kuper, Kosova nuk ka nevojë t'i ankohet ndërmjetësit, por duhet të aplikojë masë të njëjtë reciproke. Këtë ia lejon e drejta e marrëveshjes. Ne po japim shembull të keq edhe duke u ankuar çdo herë te zyrat e BE-së se Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, pa qenë të gatshëm ta përdorim të drejtën tonë që figuron në marrëveshje. Është krejt banale t'i ankohemi çdo herë BE-së dhe Kuperit për Serbinë, kur ne kemi mundësi ta përdorim të njëjtën kartë kundrejt Serbisë, e cila humb shumë më shumë sesa Kosova, sepse Serbia e merr gjysmën e buxhetit të Kosovës me mallin e vet në Kosovë për 50% të të cilit ne kemi mundësi qysh tash të zëvendësojmë me mallrat tona. Prandaj, zyrtarët qeveritarë të Kosovës nuk kanë nevojë të bëhen më katolik se Papa, duke dashur t'i hyjnë në qejf BE-së se gjoja janë më demokratë dhe më parimorë se tërë bota ligjore. Bile do të ishte mbase normale që ato mallra që i kemi në vend të mos lejohet importi nga Serbia për shkak të stimulimit të prodhimtarisë vendore. Të gjitha produktet që i ka Kosova dhe që paraqesin kualitet konform standardit të caktuar për përdorim, ka logjikë të mos lejohen brenda Kosovës nga vetë Kosova. Këto masa stimulative janë një subvencionim edhe moral edhe vetëdijesor, por edhe material për prodhuesin vendor. Shtetet rreth nesh, por edhe larg nesh e blejnë produktin e vet para produktit të shtetit tjetër dhe këtë e quajnë tani me zhargon të thjeshtë "nacionalizëm pozitiv". Në kushte të shtetasit të përgjegjshëm nuk do ta kërkonte një kosovar një birrë Shkupi, kur e ka birrën e Pejës. Në shtetet rreth nesh nuk do të blinin elemente ndërtimore të Serbisë kur të njëjtin e ka Kosova. Tregu ynë nuk ka gjasë akoma të ketë industri metalike, jo pse nuk ka Kosova lëndë të parë, por pse nuk ka fabrika për përpunimin e metaleve dhe nëse një shtet nuk ka industri metalike, ai nuk është shtet me perspektivë. Ja ku e kemi Greqinë, e cila nuk prodhon asgjë të rëndësishme nga hekuri, pos mandarinave dhe prodhimeve të ishujve mesdhetarë, por është buzë falimentimit. Por, ja ku është edhe Kina që është prodhuese më e madhe e hekurit dhe ka kaluar në superfuqinë e dytë botërore, falë industrisë së hekurit. Kosova, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, nuk ka as iluzion të ndërtojë sot shkritore, që është bazë e industrisë së shtetit. Asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka pasur aftësi të hartojë plane strategjike zhvillimore nëpërmjet të cilave do të ngrihej shteti në këmbë të veta, por që të gjitha qeveritë janë marrë me shitje të pronës dhe privatizim. Nuk ka plan qeveritar për energji elektrike dhe për industri të hekurit. Nga ajo që nuk është shitur dhe që është në një mënyrë në treg, sot në plan është PTK-ja, por që të gjithë ofertuesit e deritanishëm kanë dhënë çmime jobalancuese. Pse? Sepse ose janë çmime të porositura nga Qeveria, ose janë subjekte ekonomike të cilat Qeveria nuk ka ditur t'i vlerësojë sa e kanë çmimin real, ashtu sikur ka ndodhur deri më tani me subjektet ekonomike të privatizuara. Si është e mundur të jenë pesë çmime për PTK-në? Si është e mundur të qëndrojë e mbyllur Trepça që në kohën e Jugosllavisë ka prodhuar 415 kilogramë ar në 24 orë, sipas burimeve informative që kanë dhënë punëtorët e shpërblyer me urdhrin e veçantë "Sulmuesi i Titos"? Si ka mundësi që në Kosovë të bëjnë gara industriale për xehen e nikelit te Rahoveci dhe Qeveria të rri në aut? Të gjitha këto ndodhin për faktin se Qeveria nuk ka strategji për shtetin dhe për faktin se shtetin e udhëheqin njerëz të motivuar historikisht dhe ku akoma karakteristika personale me histori partizane peshon më shumë se diploma profesionale që mund të jetë nga një universitet botëror, se po të ishte nga ndonjë universitet privat po edhe ai publik, mund të arsyetohet. Ndërtimi i fabrikave për disa mbulesa importuese nga Serbia mund të bëhet duke i liruar nga tatimi pronarët për disa vjet. Nëse Qeveria nuk ka mjete financiare për subvencionim të gatshëm, atëherë bile të ketë masa të heqjes së tatimeve për aq kohë sa mendohet se ajo fabrikë ka krijuar kapacitet edhe për shtetin. Ky është shembulli më i mirë që e ka përdorur rajoni dhe që e përdor akoma si një subvencionim, nëse nuk ka mjete për t'i dhënë prodhuesit. Megjithatë, privatizimi në Slloveni për shembull nuk është zhvilluar në frymën kosovare. Atje është ruajtur interesi i shtetit, sikur edhe në Kroaci, ndërsa në Kosovë interesi i shtetit as që është komentuar. Thjesht, është privatizuar si me alfabet dhe krejt çka është gjetur në listë është shitur. Nuk ka pasur strategji që shteti të ngrihet nga prodhimi, xehet, minierat dhe shërbimet shtetërore, prandaj sot shteti mbijeton varfërisht nga dogana, tatimet dhe gjobat e qytetarëve, si dhe nga ligjet që mund të sjellin pak miliona euro profit nga zhdoganimi i automjeteve të hedhura në bërllok jashtë Kosovës. Nën masat e dhunshme të Milosheviqit, Bullgaria e shfrytëzonte magnezitin e Goleshit, ndërsa tani galeritë e saj nëntokësore janë mbyllur nga balta dhe uji. Kosova që e ka fuqinë punëtore me bollëk dhe nëntokën më të pasur në rajon, është krim të mbijetojë nga gjobat dhe mënyrat tatimore në kufij. Kriza e re ekonomike që po i kanoset Evropës sot akoma pa u shpallur falimentimet e shteteve të eurozonës numëron rreth 30 milionë të papunë, diagram që është në rritje e sipër me mundësi të ofrohet në 50 milionë të papunë, kur të fillojë falimentimi i tyre, disa prej të cilave si Greqia pritet ta bëjë këtë në mesin e këtij muaji. Mos ta marrin qeveritarët si krenari kur e thonë se Kosova nuk është prekur nga kriza. Shpjegimi i vërtetë është se Kosova është gjithnjë në krizë dhe me të hyra mesatare me nga një e dy euro për banor, as që ka mundësi ta hetojë krizën.

Zezona e dimrit si simbolikë e fuqisë së shtetit


Shkruan: Fehmi PIREVA
Fenomeni i borës dhe të ftohtit që na ka kapluar gjithnjë po bëhet pa dashje pjesë e debateve në përditshmërinë tonë, duke na kthyer kujtesën në hulumtim të atyre dimrave, kur gjyshërit tanë nuk hezitonin së rrëfyeri me net të tëra, ndërsa ne gjithçka e kthenim atë rrëfim gati në një përrallë me çaste të pakëndshme, duke dëgjuar për peripecitë e brezave, që herë lidheshin me mungesën e bukës e herë të drurit, të cilat sot e kësaj dite janë bërë pjesa mitizuese e jetës sonë. Kthimin te miti e bëri kjo zezonë, për të nxjerrë krahasime me shkallën e acarit, kohëzgjatjen, pasojat eventuale të natyrave të ndryshme dhe përgjigjet që ua ka dhënë sfidave shoqëria dhe institucionet. Sidoqoftë, dimri është dimër, por kur shoqërohet me temperatura tepër të ulëta dhe reshje të shumta bore, mbetet në pushtetin faktik të njeriut –shtetit, shoqërisë që të mobilizojë të gjithë mekanizmin për ta mbajtur në normalitet qarkullimin e njerëzve, mallrave, funksionimin e institucioneve, ofrimin e shërbimeve primare për njeriun.

Nënshtrimi para borë së parë
Ende pa u mbuluar toka nga bora e bardhë, nisi një zezonë e re, ku qytetarit të lodhur të Kosovës iu shtua nga vice majores edhe një problem i një natyre serioze, dimri i acartë, i cili varësisht nga zbritja e temperaturave na shpien në kërkim të dimrave të kamotshëm për njëzet e pesë deri në gjashtëdhjetë vitet e fundit, duke i gjetur vetes ngushëllim se nuk është i pari, por kishte të tjerë dimra më të rëndë që rrodhën nga memoriet tona të plakura.
Të bashkëjetosh një mbrëmje diku në mesin e një familjari pak për tej qytetit, mund ta vëreni se si zhvillohet jeta në kthetrat e acarit , me mungesë rryme, me lajme që kohë pas kohe emetohen nga radiotelevizionet se ‘Termokosi’ po numëron sasinë e fundit të lëndës për ngrohje, mu tash kur do të duhej ta dëshmonte ekzistencën e vet, përkundër obligimeve që dihen se i kanë qytetarët ndaj tij, ky mot i tillë çfarë e kemi, nuk do të duhej t’i shërbente askujt për të vënë sanksione të “dyfishta”. Mund ta dëgjoni edhe këtë, se ka komuna që për mirëmbajtjen e rrugëve ndajnë shuma simbolike të parave, që kompanitë që fituan tenderët nuk mund t’i mbulojnë as shpenzimet e karburanteve e lëre më t’i rrinë karshi borës së madhe.

Çfarë po na flasin rrugët?
Të udhëtosh shembull nga fshati Vranidoll i Komunës së Prishtinës, të duhen bërë rrugë nganjëherë më shumë se një orë, edhe pse një distancë që në kushte normale kalohet për pesëmbëdhjetë minuta. Dikush ka filluar t’i zë në thumb të kritikës kompanitë e kontraktuara me komunat lidhur me paaftësinë e tyre organizative, teknike dhe menaxhuese me gjendjen e krijuar. Hiq rrugët magjistrale të cilat vazhdojnë të mbahen në gjendje jo sa duhet të mirë, rrugët që lidhin shumë fshatra vizitohen rrallë nga këto kompani, dhe komunikimi me viset jashtë urbane me qytetin gradualisht po ecën drejt një bllokade.
Shtrohet pyetja se a e kaloi qytetari i Kosovës trekëndëshin e mbijetesës, e cila nuk shkëputet larg në mes distancës së drurit si burim i energjisë për ngrohje, gazit që na bën ta nxjerrim veten nga errësira e natës së gjatë të kësaj zezone dimërore dhe bukës që na mban gjallë qoftë për një ditë a javë më shumë. Ky dimër sfidoi qytetarin, institucionet e vendit, duke u shndërruar në një simbolikë të matjes së fuqisë dhe organizimit, kësaj radhe thënies nga mbijetesa mbetet për t’ iu shtuar kërkesa “ ke mëshirë, falna o zot ! Na zure të papërgatitur kësaj radhe “.

In dubio pro reo dhe res iudicata në kontekstin e rastit Ramush Haradinaj


Shkruan: Prof.Dr. Riza SMAKA
Res Iudicata në kontekstin e “Rastit Haradinaj“
Në doktrinën juridike dhe konform me të edhe në praktikat juridike të mira, rasti juridik i gjykuar ( në procedurat penale) sikundër edhe çështja juridike e vendosur( në procedurat civile e administrative), rrjedhimisht nuk do të mund të rigjykohej as të rivendosej po që se, në ndërkohë, nuk do të gjendeshin fakte esenciale ekzistuese kur rasti apo çështja është gjykuar apo vendosur , me kusht që ato do të duhej të ishin relevante dhe influente për gjykim apo vendosje tjetër fare !

Sikundër dihet dhe me asgjë nuk mund të kontestohet, “Rasti Haradinaj” nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte njëherë e mirë më parë është proceduar dhe ka përfunduar në favorin e të akuzuarit, zotëri Ramush Haradinajt!

Pra , “Rasti Haradinaj” i proceduar detalisht dhe i gjykuar përfundimisht në tribunalin në fjalë në favorin e zotëri Ramush Haradinajt, konform me Res Iudicata, parimin juridik të mirënjohur dhe të vlerësuar lart në jurisprudencë , sërish në radhë të parë kurrsesi në disfavorin e z. Ramush Haradinaj apo të “Rastit Haradinaj” nuk ka mund të riprocedohej, së paku jo dhe kurrsesi në insufieciencë të fakteve ( Facta Facta Non Verba) dhe të provave konkrete , bindëse dhe relevante, e aq më pak të rikonstruktuara më pastaj.

Ndërkaq, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte , jo në bazë të fakteve konkrete , të panjohura gjatë procedimit të mëparshëm dhe me ndikesë në çështjen juridike respektive , por kryesisht në saje të “dyshimeve të bazuara” sërish, z. Ramush Haradinajn e ka paraburgosur në një anë dhe, tej afateve racionale konform me normat dhe praktikat juridike – penale, të njëjtin gjithnjë e mban të arrestuar. Së andejmi, në atë dimension, Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës, në disfavor të së drejtës e për aq të zotëri Ramush Haradinajt ka mundur të cenonte parimin juridik Res Iudicata, të mirënjohur që nga E Drejta Romake ( e lavdishme) dhe më shprehimisht nga shek. Kodi i Justinianit, perandorit romak , vërtet ilir, i cili edhe për hir të veprës së madhe të kodifikimit të së drejtës romake, në historiografi me të drejtë quhet Justiniani i Madh
( Iustinaian the Great).

Në kontekst me premisën fundamentale “ Res Iudicata”, aktgjykimi i Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në “Rastin Haradinaj”, edhe sipas parimit juridik “ Res Iudicata Ius Facit Inter Partes” , do të duhej të ishte në raporte relative të palëve në procedurë sepse rasti i gjykuar krijon të drejtën ndërmjet palëve respektive.

Rrjedhimisht, sipas parimit juridik “Res Iudicata Pro Veritate Acciptur” nis nga opinioni juridik kompetent edhe i jurisprudentit romak me famë, Ulpianit , ilir nga Dardania antike, rasti juridik i gjykuar përkatësisht çështja juridike e vendosur , kurdoherë duhet të trajtohet, të konsiderohet dhe të vlerësohet si e vërtetë e pakontestuar, të cilën premisë fundamentale Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në “Rastin Haradinaj” çuditërisht nuk e përfill.(sic)

In Dubi Pro Reo & ResIudicata në “Rastin Haradinaj”
Konform me postulatin juridik tradicional “ In Dubio Pro Reo”, të vlerësuar nga shtetet kontemporare me rende juridike dhe me tradita demokratike e rrjedhimisht me premisat fundamentale të së drejtës në rastin e ekzistimit të dyshimit të pafaktuar kundër të të pandehurit përkatësisht të të akuzuarit, aktgjykimi respektivisht vendimi, kurdoherë miratohet në favorin e tij!

Përfundimisht, konkretisht dhe pikërisht, në “Rastin Haradinaj“ përkon imperativi juridik dhe racional për aplikimin konsekuent të premisës fundamentale juridike – penale “In Dubio Pro Reo” së paku nga shkaku se në mungesë të fakteve esenciale e relevante, vetëm në “bazë të dyshimeve, hipotezave juridike, spekulimeve metafizike jurisprudente, z.Ramush Haradinaj gjithnjë procedohet penalisht!

Në gjendjen e tillë i pandehuri z. Haradinaj ( jo i akuzuari sepse aktakuza kundër tij akoma nuk e ka marrë formën e prerë) konform me postulatin fundamental “ In Dubio Pro Reo” do të duhej jo nga tani, por që më parë të lirohej nga paraburgimi i Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës, në Hagë.

Argumentum ad Fortiori, aq më parë në kontekstin e “In Dubio Pro Reo” të premisës fundamentale të së drejtës, në këtë rast të drejtës penale në një anë dhe të postulatit juridik “Res Iudicata” “Rasti Haradinaj” nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime të Luftës do të duhej të mbyllej përfundimisht dhe mirë në favorin e së drejtës dhe të zotëri Ramush Haradinajt.

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...