Shkruan: Safet KRIVAÇA
Për fjalën Republikë e kanë dhënë jetën dhe kanë mbajtur burgje e burgje shqiptarët e Kosovës, dhe kjo fjalë që po zhvishet nga emri i Kosovës nuk zëvendësohet me fusnota, as me shifra. Nëse Kosova është rast unikat në botë, ashtu qysh e ka thënë edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, atëherë edhe kjo qeveri duhet të veprojë për ta ngritur këtë shtet në mënyrë unikate dhe jo ta degradojë shtetin, duke i pranuar propozimet e Serbisë.
Brukseli zyrtar nuk është e rrugës ta detyrojë Prishtinën të dalë me propozim të ri rreth veriut, për t'iu përgjigjur presidentit serb Boris Tadiq për katërpikëshin e tij të fundit rreth Kosovës, por Kosova e ka mësuar BE-në të pranojë uljen e çdo çmimi që i atribuohet ndërtimit të shtetit. Kosova me Serbinë nuk ka bërë kompromise as gjatë luftës kur i janë masakruar fëmijët, gratë shtatzëna dhe pleqtë dhe nuk ka logjikë të bëhen kompromise që e zhveshin shtetin në kohë paqeje, kur janë në favor të saj e tërë bota e fuqishme demokratike dhe gjyqet ndërkombëtare që e kanë konfirmuar se Kosova kishte të drejtën për shpallje të shtetit të vet. Kosova mjafton të mos pranojë detyrime të tilla, të cilat edhe më tej e cenojnë pavarësinë nga aspekti juridik, ndërsa në aspektin praktik e cenojnë funksionimin. Heqja e emrit Republikë për qëllime ekonomike, tregtare e politike të përfaqësimit të saj në rajon do të prodhojë pasoja të reja në proceset e nismave të tilla. Në momente të marrëveshjeve të caktuara që mund të pasojë ky proces, Serbisë i krijohen përparësi që do ta dekonfigurojë Kosovën si shtet nga sukseset eventuale. Do t'i lejohet prania, por do t'i pamundësohet tregtia dhe ekonomia. Duke pranuar t'i hiqet emri i Republikës, Serbia do ta ketë një dëshmi më shumë që të krijojë pengesa të reja strategjike për zhvillimin e Kosovës, po aq sa edhe duke i mbajtur dosjet origjinale të tapisë së Kosovës në arkivat e veta shtetërore dhe shënimet tjera civile dhe legjislative. Serbia i ka arsyet e veta pse ka kërkuar që Kosovën ta zhveshë nga elementet e shtetësisë duke i vënë fusnota e shifra në fund të emrit, për shkak se Serbia i merr Kosovës rreth 500 milionë euro mjete financiare nga plasimi i tregut të vet në këtë shtet. Çka ka mund të bëjë këtu Kosova, fjala është për mospranim të ideve që e degradojnë shtetin? Kosova po të kishte ngulur këmbë për dosjet origjinale, Serbia do të detyrohej t'i kthente ato te pronari. Qeveria ka mundur të mos pranojë marrëveshje të tilla, sepse me ato do ta dëshmonte se ajo më nuk ka asnjë iluzion të jetë e varur nga Serbia. Duke mos e pranuar asnjë kompromis të tillë, qeveria do t'i tregonte edhe bashkësisë ndërkombëtare më shumë vendosmëri për kundërshtim të propozimeve të Serbisë dhe të varësisë nga Serbia. Me një sjellje të tillë, qeveria sikur do t'i tregojë botës se po e ul nivelin e shtetësisë së Republikës së Kosovës, ndërkohë që sa më shumë që pranon kompromise të tilla, aq më shumë Brukseli po e shtyn në marrëveshje të reja që janë avantazh për Serbinë dhe të gabuara për Kosovën. Kosova nuk guxon të pranojë gjithfarë modalitete kompromisesh nën shpresën se i tërë Ballkani Perëndimor një ditë do të jetë në BE. Ky është shumë më shumë iluzion sesa shpresë. Çdo shtet që ka aderuar në BE dhe që është pjesë e tij, para së gjithash është parimi më elementar edhe i BE-së që t'i ketë kufijtë te definuar qartë me fqinjët dhe të ketë shtet të qartë, e tek pastaj të pranohet kushtetuta dhe ligjet e BE-së për atë pjesë kushtetuese që ka të bëjë me funksionimin e BE-së dhe të marrëdhënieve brenda saj. Kosova për hir të këtij synimi ende të pafilluar, po bën gabime të përditshme koncesionuese me Serbinë, por përveç aspektit të integrimit të gjithë rajonit në BE që mund të ndodhë një ditë pas 10 vjetësh, Kosova duhet ta dijë edhe një gjë tjetër: Ka mundësi që për dhjetë vjet BE-ja të shkatërrohet tërësisht dhe krizat e rënda sikur që është tani kjo me shtetet e Eurozonës, ta shpartallojë tërë BE-në për çka ka edhe paralajmërime. Nëse eventualisht do të vinte kjo në shprehje, atëherë Serbia do ta vinte në veprim politikën e vet të supremit mbi Kosovën, për të treguar se fusnota nuk identifikohet me Republikën. Kjo është gjëja më elementare në të cilën Kosova duhet ta ketë fokusin, sepse edhe shtetet më të fuqishme që diktojnë tregun ekonomik botëror i kanë do strategji që quhen "strategji të mbyllura", që shërbejnë kryesisht për një kohë të ardhme ku fjalën mund ta kenë edhe katastrofat natyrore dhe ndryshimet globale, ashtu sikur kanë ndodhur në histori deri më tani. Ka vite që Maqedonia nuk pranon as nisje të dialogut me BE-në për shkak se nuk pranon ndryshimin e emrit të vet me të cilin identifikohet shteti. Ka vite që Maqedonia është në kontest me Greqinë për shkak të emrit të saj, por nuk pranon ta degradojë shtetësinë, sikur që e bën Kosova qysh në ofertën e parë që i propozohet nga Brukseli.
Reciprocitet për të gjitha masat ndëshkimore të Serbisë
Është evidente se Serbisë nuk mund t'i bëhet reciprocitet në sasi të mallit. Nëse ajo i fut në Kosovë tre mijë kamionë me mallra, e ne vetëm dhjetë, nuk mund të kërkojmë të barazohet kjo shifër, por kjo qeveri ka mundësi të vendosë reciprocitet në diçka tjetër: Kur Serbia t'i heqë tabelat e regjistrimit të automjeteve që futen në territorin e saj, edhe Kosova në kufijtë e vet mund t'ua heqë tabelat të gjitha automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Nëse Serbia ua mbulon tabelat automjeteve nga Kosova, edhe shteti ynë mund t'i mbulojë tabelat e Serbisë me masë reciproke sikur që bën ajo. Nëse Serbia aplikon taksë rrugore për banorët e Kosovës që kalojnë andej me automjet, edhe për çdo banor të Serbisë mund të aplikohet ky reciprocitet. Nëse Serbia nuk përmbush ndonjë marrëveshje të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit të mallit konform marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel nën ndërmjetësin Kuper, Kosova nuk ka nevojë t'i ankohet ndërmjetësit, por duhet të aplikojë masë të njëjtë reciproke. Këtë ia lejon e drejta e marrëveshjes. Ne po japim shembull të keq edhe duke u ankuar çdo herë te zyrat e BE-së se Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, pa qenë të gatshëm ta përdorim të drejtën tonë që figuron në marrëveshje. Është krejt banale t'i ankohemi çdo herë BE-së dhe Kuperit për Serbinë, kur ne kemi mundësi ta përdorim të njëjtën kartë kundrejt Serbisë, e cila humb shumë më shumë sesa Kosova, sepse Serbia e merr gjysmën e buxhetit të Kosovës me mallin e vet në Kosovë për 50% të të cilit ne kemi mundësi qysh tash të zëvendësojmë me mallrat tona. Prandaj, zyrtarët qeveritarë të Kosovës nuk kanë nevojë të bëhen më katolik se Papa, duke dashur t'i hyjnë në qejf BE-së se gjoja janë më demokratë dhe më parimorë se tërë bota ligjore. Bile do të ishte mbase normale që ato mallra që i kemi në vend të mos lejohet importi nga Serbia për shkak të stimulimit të prodhimtarisë vendore. Të gjitha produktet që i ka Kosova dhe që paraqesin kualitet konform standardit të caktuar për përdorim, ka logjikë të mos lejohen brenda Kosovës nga vetë Kosova. Këto masa stimulative janë një subvencionim edhe moral edhe vetëdijesor, por edhe material për prodhuesin vendor. Shtetet rreth nesh, por edhe larg nesh e blejnë produktin e vet para produktit të shtetit tjetër dhe këtë e quajnë tani me zhargon të thjeshtë "nacionalizëm pozitiv". Në kushte të shtetasit të përgjegjshëm nuk do ta kërkonte një kosovar një birrë Shkupi, kur e ka birrën e Pejës. Në shtetet rreth nesh nuk do të blinin elemente ndërtimore të Serbisë kur të njëjtin e ka Kosova. Tregu ynë nuk ka gjasë akoma të ketë industri metalike, jo pse nuk ka Kosova lëndë të parë, por pse nuk ka fabrika për përpunimin e metaleve dhe nëse një shtet nuk ka industri metalike, ai nuk është shtet me perspektivë. Ja ku e kemi Greqinë, e cila nuk prodhon asgjë të rëndësishme nga hekuri, pos mandarinave dhe prodhimeve të ishujve mesdhetarë, por është buzë falimentimit. Por, ja ku është edhe Kina që është prodhuese më e madhe e hekurit dhe ka kaluar në superfuqinë e dytë botërore, falë industrisë së hekurit. Kosova, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, nuk ka as iluzion të ndërtojë sot shkritore, që është bazë e industrisë së shtetit. Asnjë Qeveri e Kosovës nuk ka pasur aftësi të hartojë plane strategjike zhvillimore nëpërmjet të cilave do të ngrihej shteti në këmbë të veta, por që të gjitha qeveritë janë marrë me shitje të pronës dhe privatizim. Nuk ka plan qeveritar për energji elektrike dhe për industri të hekurit. Nga ajo që nuk është shitur dhe që është në një mënyrë në treg, sot në plan është PTK-ja, por që të gjithë ofertuesit e deritanishëm kanë dhënë çmime jobalancuese. Pse? Sepse ose janë çmime të porositura nga Qeveria, ose janë subjekte ekonomike të cilat Qeveria nuk ka ditur t'i vlerësojë sa e kanë çmimin real, ashtu sikur ka ndodhur deri më tani me subjektet ekonomike të privatizuara. Si është e mundur të jenë pesë çmime për PTK-në? Si është e mundur të qëndrojë e mbyllur Trepça që në kohën e Jugosllavisë ka prodhuar 415 kilogramë ar në 24 orë, sipas burimeve informative që kanë dhënë punëtorët e shpërblyer me urdhrin e veçantë "Sulmuesi i Titos"? Si ka mundësi që në Kosovë të bëjnë gara industriale për xehen e nikelit te Rahoveci dhe Qeveria të rri në aut? Të gjitha këto ndodhin për faktin se Qeveria nuk ka strategji për shtetin dhe për faktin se shtetin e udhëheqin njerëz të motivuar historikisht dhe ku akoma karakteristika personale me histori partizane peshon më shumë se diploma profesionale që mund të jetë nga një universitet botëror, se po të ishte nga ndonjë universitet privat po edhe ai publik, mund të arsyetohet. Ndërtimi i fabrikave për disa mbulesa importuese nga Serbia mund të bëhet duke i liruar nga tatimi pronarët për disa vjet. Nëse Qeveria nuk ka mjete financiare për subvencionim të gatshëm, atëherë bile të ketë masa të heqjes së tatimeve për aq kohë sa mendohet se ajo fabrikë ka krijuar kapacitet edhe për shtetin. Ky është shembulli më i mirë që e ka përdorur rajoni dhe që e përdor akoma si një subvencionim, nëse nuk ka mjete për t'i dhënë prodhuesit. Megjithatë, privatizimi në Slloveni për shembull nuk është zhvilluar në frymën kosovare. Atje është ruajtur interesi i shtetit, sikur edhe në Kroaci, ndërsa në Kosovë interesi i shtetit as që është komentuar. Thjesht, është privatizuar si me alfabet dhe krejt çka është gjetur në listë është shitur. Nuk ka pasur strategji që shteti të ngrihet nga prodhimi, xehet, minierat dhe shërbimet shtetërore, prandaj sot shteti mbijeton varfërisht nga dogana, tatimet dhe gjobat e qytetarëve, si dhe nga ligjet që mund të sjellin pak miliona euro profit nga zhdoganimi i automjeteve të hedhura në bërllok jashtë Kosovës. Nën masat e dhunshme të Milosheviqit, Bullgaria e shfrytëzonte magnezitin e Goleshit, ndërsa tani galeritë e saj nëntokësore janë mbyllur nga balta dhe uji. Kosova që e ka fuqinë punëtore me bollëk dhe nëntokën më të pasur në rajon, është krim të mbijetojë nga gjobat dhe mënyrat tatimore në kufij. Kriza e re ekonomike që po i kanoset Evropës sot akoma pa u shpallur falimentimet e shteteve të eurozonës numëron rreth 30 milionë të papunë, diagram që është në rritje e sipër me mundësi të ofrohet në 50 milionë të papunë, kur të fillojë falimentimi i tyre, disa prej të cilave si Greqia pritet ta bëjë këtë në mesin e këtij muaji. Mos ta marrin qeveritarët si krenari kur e thonë se Kosova nuk është prekur nga kriza. Shpjegimi i vërtetë është se Kosova është gjithnjë në krizë dhe me të hyra mesatare me nga një e dy euro për banor, as që ka mundësi ta hetojë krizën.